ATV

Category: Lajme

  • Sistemi prokurorial sfidohet nga mungesa e vazhdueshme e buxhetit

    Sistemi prokurorial sfidohet nga mungesa e vazhdueshme e buxhetit

    Këshilli Prokurorial i Kosovës ka mbajtur sot takimin e radhës ku është prezantuar Raporti i punës për vitin 2024, raporton EO.

    Në këtë mbledhje janë diskutuar të arriturat dhe sfidat gjatë vitit 2024, ku po ashtu janë përfshirë objektivat dhe prioritetet.

    Në këtë mbledhje u theksua sidomos mungesa e buxhetit, pasi sipas anëtarëve të këshillit qeveria nuk ka ndarë mjete as për pozitat që parashihen me ligj. Si mungesë e buxhetit u tha se prokuroret nuk kanë bashkëpunëtorë profesional edhe pse me ligj janë të parashikuara.

    Sami Istrefi, drejtor i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës ka thënë se ka mungesë të vazhdueshme të buxhetit.

    “Sekretariati ka pasur disa sfida gjatë viti 2024 në sistemin prokurorial ku është ballafaquar me theks të posaçëm mungesa e vazhdueshme e buxhetit gjë e cila po ndikon direkt në punën e Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe prokuroritë të shtetit si në rekrutim të stafit të nevojshëm administrativ në realizimin e infrastrukturës për krijimin e kushteve minimale të punës të të punësuarve në sistemin prokurorial, si dhe zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore ku janë paraparë me stafin administrativin dhe mungesa e stafit administrativ”, tha Istrefi.

  • Jashari takon Gjeneralin e Forcave të Armatosura shqiptare, shprehet falënderues për ndihmën ndaj FSK-së

    Jashari takon Gjeneralin e Forcave të Armatosura shqiptare, shprehet falënderues për ndihmën ndaj FSK-së

    Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur në takim Komandantin e Kolegjit të Mbrojtjes dhe Sigurisë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë (FARSH), Gjeneral Brigade Ylli Pulaj.

    Gjatë takimit, Gjenerallejtënant Jashari i uroi mirëseardhje Gjeneralit Pulaj dhe e falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme që FARSH po ofron për FSK-në, njofton Klankosova.tv.

    Nga ana tjetër, Gjeneral Pulaj shprehu mirënjohjen për pritjen e ngrohtë dhe vlerësoi bashkëpunimin mes dy forcave në trajnime dhe shkollime të ndryshme.

    Në fund të dy Gjeneralët rikonfirmuan bashkëpunimin ndërmjet forcave të armatosura të të dyja vendeve dhe u pajtuan për ngritjen e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen, shkruhet në njoftimin e FSK-së, në Facebook.

  • ​Miratohet projekti i FFK-së në HatTrick, Kampi Nacional me 14,000 ulëse

    ​Miratohet projekti i FFK-së në HatTrick, Kampi Nacional me 14,000 ulëse

    Në Prishtinë u mbajt mbledhja e Komitetit HatTrick të UEFA-s. Gjatë kësaj mbledhjeje janë diskutuar dhe miratuar 22 projekte, shkruan KP.

    “Në këtë mbledhje u miratua projekti i FFK-së, i cili do ta shndërrojë Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali në një stadium të kategorisë së katërt. FFK ka siguruar mbështetje financiare për vendosjen e 14,000 ulëseve në këtë stadium, si faza e fundit e kompletimit të Shtëpisë së Kombëtares së Kosovës”, ka njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës.

  • ​Pakënaqësia për rritjen e çmimeve, bëhet thirrje për bojkotimin e supermarketeve më 15 Mars

    ​Pakënaqësia për rritjen e çmimeve, bëhet thirrje për bojkotimin e supermarketeve më 15 Mars

    Iniciativa “Kosova Bojkoton” bën thirrje për bojkotin e të gjitha supermarketeve në Kosovë më 15 Mars, për shkak të ngritjes së çmimeve.

    Aktivistët e iniciativës kanë shpalosur sot një pankartë me mbishkrimin “15 Mars, Kosova bojkoton, të gjitha supermarketet”.

    Xhevat Kastrati, anëtarë i kësaj iniciative u bëri thirrje qytetarëve që ti bashkohen kësaj iniciative, për bojkotimin e marketeve. Tutje Krasniqi tha se përmes bojkotit tregojnë fuqinë e tyre blerëse dhe se dërgojnë një mesazh tek marketet dhe qeveria për pakënaqësinë e tyre për rritjen e çmimeve.

    “Ne jemi grupi Kosova Bojkoton, jemi grup jo formal qytetarë që e kemi marrë si nismë punën e rritjes së çmimeve edhe një lloj proteste përmes bojkotit që jemi duke e realizuar…… Thirrja për qytetarët është me u bashku me neve dhe me ngrit zërin përmes një bojkoti me tregu fuqinë tonë blerëse sepse kur ne të gjithë bashkohemi në bojkot dërgojmë një mesazh tek marketet dhe qeveria se jemi shumë të pakënaqur dhe e bëjmë një lloj presioni shoqëror për me pas një reagim”, tha ai.

    Kujtojmë se këto lloj nismash për bojkotimin e marketeve janë duke u zhvilluar edhe në vendet e rajonit për shkak të rritjes së çmimeve.

  • ​Rama kërkon pasaportën e BE-së për shqiptarët, Kos: Jeni në udhën e duhur dhe të mbarë

    ​Rama kërkon pasaportën e BE-së për shqiptarët, Kos: Jeni në udhën e duhur dhe të mbarë

    Komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos po qëndron në Tiranë duke shënuar misionin e saj të parë zyrtar në Shqipëri.

    Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama gjatë një konference për media së bashku me Kos, tha se ambicia e tyre është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade. Derisa shtoi se Shqipëria është shumë e vendosur që ta përmbushë me sukses objektivin e përfundimit të negociatave brenda 2027-ës, raporton KosovaPress.

    “Është mbështetja e një institucioni të madh dhe shumë kërkues siç është BE-ja, të cilën ne jemi të vetëdijshëm që duhet ta meritojmë çdo ditë sepse ne duam të bëhemi pjesë e familjes së bashkuar evropiane. Ne e dimë që nuk ka asnjë alternativë tjetër. Pikërisht sepse nuk ka alternativë tjetër të lirisë individuale. Nuk ka alternativë tjetër të barazisë para ligjit, nuk ka alternativë tjetër të bashkëjetesës në diversitet dhe të standardeve evropiane të kësaj bashkëjetese”, theksoi ai.

    Rama shtoi se ambicia e shqiptarëve është që ta marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade.

    “Ne jemi shumë të vendosur që ta përmbushim me sukses objektivin shumë ambicioz të përfundimit të negociatave brenda 2027-ës dhe ambicia ime, ambicia jonë është që shqiptarët të marrin pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade dhe të mundet që kur ulen në aeroportet e Evropës të hyjnë nga ai korridori me atë konstelacionin e yjeve dhe jo nga ai korridori tjetër ku shkruan të tjerët. Kjo është shumë e rëndësishme për ne se na iku jeta tek të tjerët, me shekuj. Parlamenti i Shqipërisë ka në tryezë sot marrëveshjet financiare për Planin e Rritjes që i hapin rrugë edhe fillimit të financimit të fondeve që janë rreth 1 miliardë euro të dedikuara për Shqipërinë. Kështu që e dashur Marta ne duam lekët tona”, tha Rama.

    Derisa në një konferencë për media komisionerja për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Marta Kos tha se rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian është i sigurt dhe i vërtetë.

    “Sigurisht që gjeopolitika, është ajo sot që na tregon se gjithçka mund të jetë e mundur dhe një gjë mund të jetë stabël dhe rrugëtimi juaj drejt BE-së është i sigurt në udhën e vet dhe është i vërtetë. Më pëlqen që takohem me ju, me ekipin tuaj, me Majlindën kryenegociatoren dhe shoh që jeni kaq pasionant për vendin tuaj por edhe për BE-në dhe erdha këtu për t’ju treguar mbështetjen time të plotë për objektivat tuaj kaq ambiciozë për të cilat më ka treguar ekipi im dhe që janë objektiva realiste dhe jo thjesht, ambiciozë”, u shpreh Kos.

    Ajo tha se Shqipëria është në rrugën e duhur për ti përmbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027.

    “Ju citoj kur ju thoni që dëshironi të mbyllni negociatat deri në fund të 2027 dhe ne po ecim në rrugën e duhur, jemi në udhën e duhur dhe të mbarë sepse janë hapur tashmë grupkapitujt e caktuar, 2, 3 gjithashtu do të jenë dhe gjithë grup-kapitujt e tjerë… Dhe siç e dimë edhe ne, nuk bëhet fjalë vetëm për hapjen e grup-kapitujve, por edhe për mbylljen e tyre. Jam e sigurt se me të gjithë reformat që ju po kryeni kjo do të jetë e mundur. Me shumë dëshirë, duam që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së, ju e meritoni sepse me ju brenda BE, Evropa nuk do të jetë thjeshtë më e madhe, por dhe më e fortë”, tha komisionerja.

    Kos ka përmendur edhe faktin që Shqipëria është ishull stabiliteti duke thënë se kanë fqinjësi të mirë në rajon dhe kjo sipas saj i bënë kampionë për bashkëpunimin rajonal./kp

  • Vendos Gjykata, Erion Veliaj mbetet në burg

    Vendos Gjykata, Erion Veliaj mbetet në burg

    Gjyqtarët e Gjykatës së Posaçme të Apelit kanë vendosur të lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.

    Gjatë një seance të zhvilluar ditën e djeshme, Veliaj kundërshtoi provat e reja të paraqitura nga SPAK, përfshirë përgjimet telefonike, duke pretenduar se Prokuroria e Posaçme kishte përgjuar bisedat e tij familjare për një muaj.

    “Ju nuk keni konsideruar prova te reja sulmet publike të Sali Berishës ndaj SPAK. Por keni konsideruar prova të reja çimkat dhe telefonatat e mia me djalin dhe familjen dhe interesimin tim për intervista në TV kryesore”, tha ai.

    Veliaj kërkoi heqje të arrestit në burg me qëndrimin se nuk është i rrezikshëm, nuk ka rrezik për tu larguar, nuk ka mundësi të dëmtojë provat.

    Por, prokurorët kujtuan se Veliaj po hetohet për korrupsion në nëntë raste dhe pastrim parash.

  • Inaugurohet sheshi “Erhard Busek”, Schnetzer: Ai ishte ministër i arsimit kur Austria njohu diplomat e sistemit paralel arsimor në shqip

    Inaugurohet sheshi “Erhard Busek”, Schnetzer: Ai ishte ministër i arsimit kur Austria njohu diplomat e sistemit paralel arsimor në shqip

    Komuna e Prishtinës ka bërë inaugurimin e “Sheshit Erhard Busek” në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

    Kryetari Përparim Rama, ka thënë se Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës.

    “Unë së bashku me ambasadorin e Austrisë, edhe presidentin e Organizatës së Miqësisë së Kosovës dhe Austrisë, sapo erdhëm nga Kuvendi i kryeqytetit ku në mënyrë unanime së bashku me të gjithë asamblistët, të gjitha grupet parlamentare votuam që këtë shesh ta emërtojmë Erhard Busek. Erhard Busek është një mik i madh i Kosovës, një mik i madh i yni që na ka ndihmuar gjatë kohëve më të vështira, gjatë kohës së luftës, gjatë kohës kur studente e asaj kohë nuk kanë pasur mundësi të studiojnë. Ka qenë dr. Erhard Busek që i ka hapur mundësi me mijëra studentëve nga Kosova që të studiojnë, të avancohen të bëhen profesionist dhe tashmë edhe t’i ndihmojnë vendit tonë në hapa e radhës për të ardhmen e ndritshme të vendit”, ka thënë Rama.

    Ndërsa, ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, ka thënë se për dekada me radhë Busek punoi pa u lodhur për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian.

    “Sot është vërtet një ditë historike. Sot shënohet trevjetori i ndarjes nga jeta të Erhard Busseck, dhe jam i sigurt se ai do të ishte shumë i nderuar dhe krenar që ky shesh, përpara Bibliotekës Kombëtare, shumë pranë Rektoratit të Universitetit dhe gjithashtu pranë Bibliotekës së Vogël Austriake brenda këtij objekti të Universitetit, po merr emrin e tij. Erhard Busseck ishte një vizionar. Për dekada me radhë, ai punoi pa u lodhur për integrimin e Evropës Lindore dhe Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian, që para rënies së Perdes së Hekurt. Ishte ai që, që në vitet 1980, kontrabandoi libra nga Austria në vendet pas Perdes së Hekurt, prandaj është shumë domethënëse që ky shesh, përpara një biblioteke, të mbajë emrin e tij”, ka thënë ai.

    Schnetzer, tha se Busek ishte Zëvendëskancelar i Austrisë dhe Ministër i Shkencës dhe Kërkimit, përgjegjës për universitetet, kur Austria u bë vendi i parë që njohu diplomat dhe dokumentet e sistemit paralel arsimor në shqip, në kohën kur ishte e ndaluar të mësohej dhe të funksiononin universitetet në gjuhën shqipe.

    “Ai luajti një rol vendimtar në atë vendim, duke bërë të mundur që studentët nga Kosova të vinin në Austri dhe të vazhdonin studimet e tyre atje, me Austrinë si vendin e parë që njohu diplomat e Kosovës”, tha ai.

  • Specialja konfirmon vizitën e Thaçit: U lejua për arsye humanitare

    Specialja konfirmon vizitën e Thaçit: U lejua për arsye humanitare

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar vizitën në Kosovë të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara Michael Doyle, tha se vizita u lejua për arsye humanitare.

    “Po mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babanë e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e tij.

  • Qytetarët e duartrokasin Thaçin teksa hyn në QKUK, ai i përshëndet me dorë

    Qytetarët e duartrokasin Thaçin teksa hyn në QKUK, ai i përshëndet me dorë

    Ish-presidenti Hashim Thaçi në QKUK, për ta vizituar babin e tij të sëmurë.

    Thaçi është duke u përcjell me forca të mëdha policore.

    Specialja ka aprovuar kërkesën e tij për të ardhur në Kosovë, kjo pasi babai i tij është në gjendje të rënduar shëndetësore.

  • Gjykata Speciale konfirmon vizitën e Thaçit në Kosovë: U lejua për arsye humanitare

    Gjykata Speciale konfirmon vizitën e Thaçit në Kosovë: U lejua për arsye humanitare

    Gjykata Speciale e ka konfirmuar ardhjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Kosovë, për ta vizituar babain e tij të sëmurë.

    Zëdhënësi i Dhomave të Specializuara Michael Doyle, ka thënë se vizita është lejuar për arsye humanitare.

    “Po mund ta konfirmoj. Për arsye detyruese humanitare, Trupi Gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë paraburgimi në Kosovë për Hashim Thaçin që të jetë me babain e tij. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e tij.

    Aktualisht, Thaçi gjendet në Qendren Klinike dhe Universitare të Kosovës ku ka shkuar për ta vizituar babain e tij, i cili tash e një kohë është në gjendje të rëndë shëndetësore.