ATV

Category: Lajme

  • Çmimi i rrymës pritet të rritet 15 për qind, publikohen raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara

    Çmimi i rrymës pritet të rritet 15 për qind, publikohen raportet konsultative për të hyrat maksimale të lejuara

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se ka publikuar raportet konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Furnizuesin e Shërbimit Universal (FSHU).

    Sipas ZRRE-së, bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%.

    “Raportet konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRRE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat”, thuhet në njoftim.

    Më tej në njoftim thuhet se ZRRE-ja e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.

    “Në këtë kuadër, ZRRE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri në datën 28 mars 2025”, thuhet në njoftim.

    Propozimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) për shtrenjtimin e çmimit të rrymës për 15 për qind nga muaji prill, ka ngjallur reagime të shumta.

    Me sloganin “Asnjë cent më shumë”, në rrjete sociale, ka nisur një fushatë për të kundërshtuar propozimin e ZRRE-së, për ngritje të çmimit të rrymës.

    Në njoftimin e ZRRE-së thuhet se ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm.

  • Kryeparlamentari Konjufca ngushëlloi me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit

    Kryeparlamentari Konjufca ngushëlloi me rastin e vdekjes së Haxhi Thaçit

    Kryeparlamentari Glauk Konjufca ngushëlloi me rastin e ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish- presidentit Hashim Thaçi.

    “Me pikëllim mora lajmin se u nda nga jeta Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Ngushëllimet më të sinqerta për familjen, të cilët humbën të dashurin e tyre! Qëndrojmë pranë tyre në këto momente dhimbjeje!

    Edhe pse Haxhi Thaçi nuk është më në këtë jetë, ai do të jetë i pranishëm në kujtimet që ka lënë pas, në zemrat e atyre që e patën pranë dhe ndanë jetën me të.

    U prehtë në paqe!”, thuhet në mesazhin e ngushëllimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Konjufca.

  • Haradinaj reagon për vdekjen e Haxhi Thaçit: Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashimit

    Haradinaj reagon për vdekjen e Haxhi Thaçit: Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashimit

    Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime familjes Thaçi për vdekjen e Haxhi Thaçit- babait të ish presidentit Hashim Thaçi.

    Haradinaj ka thënë se Haxhi Thaçi e ka mbyllur jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash dhe shton se ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi.

    Ai thotë se në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet edhe me mungesën e Hashim Thaçit.

    “Lajm i hidhur ndarja nga jeta e Haxhi Thaçit, babait të luftëtarit të orëve të para, bashkëluftëtarit tim dhe ish-Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Baca Haxhi e mbylli jetën duke lënë pas një histori të tërë sfidash e sakrificash, por ndarja e tij vjen në një moment edhe më të rëndë për familjen Thaçi. Në këtë ditë zie, familja Thaçi po përballet jo vetëm me humbjen e njeriut të tyre të dashur, por edhe me mungesën e Hashimit, i cili, me bashkëluftëtarët e tjerë, po mbron luftën e shenjtë të UÇK-së në Hagë. Në këtë moment dhimbjeje, jam pranë mikut dhe bashkëluftëtarit tim Hashimit dhe mbarë familjes Thaçi. Zoti ju forcoftë!”

  • Maqedonia e Veriut mban zi për tragjedinë në klubin e natës ku vdiqën 59 të rinj

    Maqedonia e Veriut mban zi për tragjedinë në klubin e natës ku vdiqën 59 të rinj

    Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, në qytetin lindor të Maqedonisë së Veriut, Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate. Deri më tani janë identifikuar 35 viktima – prej tyre 31 nga Koçani dhe katër nga Shtipi.

    Mbi 155 persona janë shtruar në spitale – kryesisht në klinikat e Shkupit.

    Qeveria ka shpallur shtatë ditë zie.

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ka thënë se objekti ku ka ndodhur tragjedia kishte licencë të falsifikuar, e cila ishte lëshuar në mars të vitit të kaluar.

    Ai ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

    Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN.

    Ministria e Brendshme, në koordinim me Zyrën e Prokurorit Publik ka thënë se janë 20 të dyshuar, 15 prej të cilëve janë në mbajtje policore.

    Në mesin e të vdekurve është edhe një zyrtar policor, i cili ishte pjesë e operacionit për të kryer kontrolle në klube nate dhe biznese hotelerie në disa lokacione të ndryshme në Maqedoninë e Veriut.

  • Sorensen sot në Kosovë – takohet me Osmanin, Kurtin e Bislimin

    Sorensen sot në Kosovë – takohet me Osmanin, Kurtin e Bislimin

    Përfaqësuesi i ri i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po zhvillon sot vizitën e tij të parë në Kosovë.

    Sipas agjendës zyrtare të Presidencës, Sorensen do të pritet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në një takim që pritet të fillojë në orën 09:45.

    Më pas, në orën 10:30, emisari evropian do të takohet me kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

    Ndërsa, pas këtij takimi, emisari danez do të zhvillojë një takim edhe me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, i cili mbulon procesin e dialogut dhe integrimin evropian.

    Sorensen mori detyrën e emisarit për dialogun e Brukselit më 1 shtator të vitit të kaluar.

    Këtë pozitë për gati pesë vjet e mbajti sllovaku, Miroslav Lajçak.

  • Presidentja Osmani ngushëllon ish-Presidentin Thaçi për humbjen e babait

    Presidentja Osmani ngushëllon ish-Presidentin Thaçi për humbjen e babait

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur ngushëllimet e saj për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe familjen e tij, pas ndarjes nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-Kryeministrit dhe ish-Presidentit të Kosovës.

    Në mesazhin e saj, Presidentja Osmani e cilësoi humbjen e prindit si një dhimbje të pamatshme dhe theksoi se kontributi dhe dashuria e Haxhi Thaçit për atdheun do të mbeten një udhërrëfyes dhe kujtim krenarie për të gjithë ata që e njohën.

    “Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! I lehtë i qoftë dheu i Kosovës!” – përfundon telegrami i ngushëllimit i Presidentes Osmani.

  • Moti sot me vranësira e riga shiu

    Moti sot me vranësira e riga shiu

    Sot pritet mot kryesisht i vranët e me riga shiu.

    Sipas IHMK-së, në viset e larta dhe perëndim parashihen reshje bore.

    Temperaturat do të lëvizin nga 3 deri 10°C, me erë nga verilindja deri në 11 m/s.

  • Sot seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

    Sot seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të dyshuar për spiunazh

    Sot pritet të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar në çështjen penale ndaj dy të pandehurve Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit.

    Bedria dhe Muharremi janë të dyshuar për spiunazh për Agjencinë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

    Seanca ndaj tyre pritet të mbahet me fillim nga ora 09:00.

    Vërejtje:
    Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

  • Djali i Thaçit reagon për vdekjen e gjyshit: I mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin

    Djali i Thaçit reagon për vdekjen e gjyshit: I mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin

    Haxhi Thaçi, babai i ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, ka vdekur sot pas një sëmundje.

    Për këtë ka reaguar edhe nipi i tij, djali i Hashim Thaçit, Endriti.

    “Baci i mbylli sytë i qetë pas takimit të fundit me babin. Ke qenë gjithmonë frymëzim për mua dhe familjen. Vuajtjet nga padrejtësia e bënë të papërballueshmë. Prehu në paqe”, ka shkruar Endriti.

    Humbja e tij ka ngjallur reagime të shumta, ndërsa ngushëllimet për familjen Thaçi kanë filluar të vërshojnë nga figura të njohura dhe qytetarë të shumtë.

  • Vdekja e babait të Thaçit, Krasniqi: Nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar

    Vdekja e babait të Thaçit, Krasniqi: Nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar për vdekjen e Haxhi Thaçit, babait të presidentit Thaçi, duke i shprehur ngushëllime të sinqerta familjes dhe mbarë kombit shqiptar.

    Krasniqi tha se lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit e ka pranuar me dhimbje të thellë. Ai shton se “nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar”.

    “Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë”.