ATV

Category: Lajme

  • Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë për protestat për Demokraci dhe Drejtësi në Serbi: Mbështetja e stabilitetit në kurriz të demokracisë është një qasje dritëshkurtër

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë për protestat për Demokraci dhe Drejtësi në Serbi: Mbështetja e stabilitetit në kurriz të demokracisë është një qasje dritëshkurtër

    Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë (KASH) i konsideron protestat e vazhdueshme të studentëve dhe qytetarëve serbë, të cilët me guxim po reagojnë kundër korrupsionit, autokracisë dhe gërryerjes së vlerave demokratike, si demonstrim i zhgënjimit të një populli që kërkon llogaridhënie, transparencë dhe respektim të të drejtave themelore, vlera që janë themeli i çdo shoqërie demokratike.

    Historia ka treguar se kur njerëzit dalin në rrugë në protestë, ata e bëjnë këtë për një arsye.

    Zërat e tyre nuk duhet të shpërfillen, shtypen apo injorohen. E drejta për tubim dhe shprehje paqësore është një gur themeli i demokracisë dhe ne qëndrojmë me vendosmëri me të gjithë ata që luftojnë për drejtësi, barazi dhe një qeveri që u shërben qytetarëve të saj në vend që të sundojë mbi ta.

    KASH shpreh shqetësimin e saj të thellë për reagimin represiv dhe absurd të autoriteteve serbe, si nga institucionet politike ashtu edhe nga organet ligjzbatuese.

    Këshilli qëndron në solidaritet me të gjithë individët dhe lëvizjet që mbrojnë demokracinë, të drejtat e njeriut dhe shtetin e së drejtës. Aspiratat e popullit nuk duhet të adresohen me represion, por me dialog, reformë dhe përkushtim për një shoqëri të drejtë dhe demokratike.

    Për më tepër, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u bën thirrje të gjitha qeverive në rajon që t’u kushtojnë vëmendje këtyre protestave si një kujtesë për detyrën e tyre për të respektuar dhe mbrojtur të drejtat e popullit të tyre.

    Është e papranueshme për çdo lidership që të heshtë disidencën, të shpërfillë kërkesat publike ose të dobësojë institucionet demokratike në favor të sundimit autoritar. Komuniteti ndërkombëtar duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mbështesë aktivisht ata që kërkojnë një të ardhme të përcaktuar nga liria, integriteti dhe qeverisja e vërtetë demokratike.

    Mbështetja e stabilokracisë në kurriz të demokracisë është një qasje shumë dritëshkurtër.

  • Sorensen: Do të shkoj edhe në Beograd dhe do të vlerësoj se ku jemi, dialogu është pikërisht për kompromise

    Sorensen: Do të shkoj edhe në Beograd dhe do të vlerësoj se ku jemi, dialogu është pikërisht për kompromise

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka theksuar se në takimin me kryeministrin Albin Kurti është diskutuar për mënyrat e avancimit të procesit të dialogut, raporton EO.

    Ai e ka cilësuar këtë si një “fillim të mirë”. Pas takimit, Sorensen ka deklaruar në një deklaratë të shkurtër për mediat se procesi i dialogut ka sjellë shumë zhvillime që kërkojnë përpjekje për të punuar mbi to.

    “Kemi pasur një bisedë rreth mënyrës se si procesi mund të vazhdojë dhe të ecë përpara, kështu që është një fillim i mirë. Qëllimi, sigurisht, është që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara”, ka thënë Sorensen.

    Ai tha se do të shkojë edhe në Beograd dhe sapo t’i zhvillojë bisedat e para me liderët, do të ulet dhe “të vlerësoj ku jemi”.

    Sorensen tha se zgjodhi të vijë në Kosovë sa më shpejt, ndërsa i pyetur edhe lidhur me mbylljen e institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, tha se duhet punuar “për t’u siguruar që njerëzit t’i marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”. “Dhe këtë do të përpiqemi ta bëjmë”, shtoi ai.

    Diplomati danez tha se “u takon palëve ta përcaktojnë” nëse nevojitem kompromise apo jo, por shtoi se “dialogu është pikërisht për këtë dhe këtë e kemi bërë që nga viti 2011”.

  • Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi

    Kurti i shpreh ngushëllime familjes Thaçi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një letër ngushëllimi, në emër të Qeverisë dhe të tij, ka ngushëlluar familjen Thaçi për humbjen e më të dashurit të tyre, Haxhi Thaçit.

    Për të ndjerin, kryeministri u shpreh se do të kujtohet gjithmonë për urtësinë e tij, respektin për të tjerët dhe dashurinë e madhe për vendin.

    “Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta juve, dashamirëve të familjes suaj dhe miqve të ish-presidentit Hashim Thaçi”, thuhet në letër ngushëllim.

  • Grabitje në Prishtinë, një i plagosur

    Grabitje në Prishtinë, një i plagosur

    Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur që ka ndodhur në lagjen “Veternik” në Prishtinë.

    Sipas Policisë rasti ka ndodhur rreth orës 10:30.

    “Sot rreth orës 10:30, kemi pranuar informatën për të shtëna me armë në lagjen ‘Veternik’ në Prishtinë, ku është plagosur një person. Bazuar në të dhënat e deritanishme, rasti dyshohet se ka ndodhur gjatë një grabitjeje të armatosur ndaj pjesëtarëve që po siguronin një furgon që transportonte para”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    Personi i plagosur është dërguar për tretman mjekësor ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorinë thuhet se janë duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.

    Nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës kanë njoftuar se personit të plagosur me armë zjarri janë duke iu kryer ekzaminimet.

    “Një pacient, F. A., sillet në Qendrën Klinike Emergjente të QKUK-së, si pasojë e plagosjes me armë zjarri. Ekipi mjekësor është duke kryer ekzaminimet e nevojshme dhe pritët të intervenohet në sallën e operacionit në Qendrën Emergjente nga ekipet e anestezionit dhe kirurgjisë”, ka njoftuar QKUK-ja.

  • Iu vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

    Iu vazhdohet paraburgimi Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ua kanë vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

    Vendimi është marrë më 13 mars 2025, nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Për të dy të akuzuarit, paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se nuk ka mjaftueshëm informacione se ata mund të ikin nga drejtësia, mirëpo ekziston rreziku që ata të pengojë zhvillimin e procedurave të DhSK-së, si dhe të kryejnë krime të tjera.

    Këto krime, sipas gjyqtarëvec ka rrezik të kryhen ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë dëshmi gjatë ditëve në vijim.

    Andaj, paneli ka konstatuar se asnjë prej kushteve alternative nuk mund të zbusin rreziqet ekzistuese përveçse ai i paraburgimit në objektet e DhSK-së.

    ZPS-ja për Krasniqin dhe Selimin ka parashtruar se duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi ndaj tyre mbetet i arsyeshëm.Po ashtu, edhe Paneli ka vlerësuar se ky rast është i ndërlikuar duke marrë parasysh natyrën e akuzave si dhe dënimet e mundshme e po ashtu edhe rreziqet e vazhdueshme për pengim të drejtësisë. Andaj, si rrjedhojë ka gjetur se paraburgimi ndaj Krasniqit dhe Selimit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm për shkak të rrethanave specifike të rastit.

  • Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog

    Osmani pas takimit me Sorensenin: Kosova meriton trajtim të barabartë në dialog

    Presidentja Vjosa Osmani pas takimit më të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vlerësoi se Kosova meriton trajtim të barabartë në procesin e dialogut dhe në rrugën drejt BE-së. Ajo shtoi se masat e BE-së ndaj Kosovës po e dëmtojnë balancën në dialog.

    Presidentja Osmani tha se në takim kanë diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja, sigurinë në rajon dhe integrimin evropian të Kosovës.

    “Kosova është dëshmuar tashmë si pala konstruktive në dialog, e angazhuar për paqe, demokraci e sundim të ligjit, prandaj mbajtja e masave të padrejta të BE-së ndaj vendit tonë po i dëmton jo vetëm qytetarët tanë, por edhe balancin e nevojshëm në dialog”, shkroi presidentja Osmani.

  • ​Ndërroi jetë shoferi i ambulancës që shpëtoi jetë nga zjarri në Koçan

    ​Ndërroi jetë shoferi i ambulancës që shpëtoi jetë nga zjarri në Koçan

    Shoferi i ambulancës që kaloi natën duke transportuar të lënduar nga zjarri shkatërrues në klubin e natës në Koçan ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm, raporton Alsat.mk.

    Ile Gocevskit sot në mëngjes i japin lamtumirën e fundit kolegët dhe punonjës të Spitalit të Përgjithshëm të Koçanit.

    Gocevski ishte shofer i ambulancës për një kohë të gjatë në Koçan, i cili vdiq mbrëmë pasi shkoi në shtëpi për të pushuar pas një dite të vështirë dhe të gjatë duke transportuar persona të lënduar nga zjarri, por nuk u zgjua.

    Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.

    Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpallur shtatë ditë zie.

    Kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski ka paralajmëruar përgjegjësi penale për të gjithë të përfshirët.

    Ministri i Brendshëm maqedonas, Pançe Toshkovski ka thënë se sipas informacioneve të marra, zjarri ka shpërthyer si pasojë e mjeteve piroteknike që janë përdorur për efekt ndriçimi në koncertin e bendit ADN, përcjell KosovaPress.

  • ​Sorensen në takim me Kurtin, nuk dihet nëse do të deklarohet për media

    ​Sorensen në takim me Kurtin, nuk dihet nëse do të deklarohet për media

    Pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun, Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka mbërritur në objektin e qeverisë së Kosovës për takim me kryeministrin Albin Kurti, raporton KP.

    Sorensen pas takimit me Kurtin do ketë takim të veçantë edhe me kryenegociatorin kosovar për dialog, Besnik Bislimi.

    Mediat u lejuan të marrin pamje vetëm në hyrje të objektit, derisa nuk dihet nëse Sorensen do të deklarohet për media pas përfundimit të takimeve.

    Emisari i BE-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 19 mars. Kjo është vizita e tij e parë në vend prej kur ka marrë detyrën më 1 shkurt.

    Ai është pasues i ish emisarit Miroslav Lajçak.

  • Varrimi i Haxhi Thaçit nesër në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt

    Varrimi i Haxhi Thaçit nesër në varrezat e fshatit Burojë të Skenderajt

    Komuna e Skenderajt njoftoi se varrimi i Haxhi Thaçi, babait të ish – presidentit Hashim Thaçi, do të bëhet nesër të martën më 18 mars 2025, në orën 15.00 në varrezat e reja të fshatit Burojë të Skenderajt.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaçi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit Haxhi Thaçi”, thuhet në njoftimin e komunës së Skenderajt.

  • ​A do t’i lejohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait?

    ​A do t’i lejohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait?

    Haxhi Thaçi, babai i ish-presidentit Hashim Thaçi, ka vdekur të dielën në orët e vona.

    Ende nuk dihet se kur do të mbahet ceremonia e varrimit të tij, njësoj siç nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

    Gjykata tha se “të gjitha dokumentet publike, duke përfshirë parashtresat nga Mbrojtja dhe vendimet e gjyqtarëve publikohen në faqen e internetit të KSK-së, kështu që nëse dhe kur ndonjë informacion i mëtejshëm për këtë çështje është i disponueshëm dhe publik, ai do të publikohet në faqen e internetit të KSK-së”.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton kp.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.