ATV

Category: Lajme

  • ​Policia jep detaje për rastin e grabitjes së armatosur në Prishtinë

    ​Policia jep detaje për rastin e grabitjes së armatosur në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me grabitjen e armatosur që ka ndodhur dje gjatë ditës në Prishtinë.

    Sipas policisë katër persona të dyshuar kanë shtënë në drejtim të tre viktimave, punëtor të kompanisë për bartjen e parave, raporton KosovaPress.

    Sipas policisë, njëri nga të dyshuarit dhe një nga viktimat si pasojë e të shtënave me armë kanë pësuar lëndime.

    “Është raportuar për një rast grabitje në parkingun e një qendre tregtare, ku katër persona të dyshuar kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tre viktimave meshkuj kosovarë punëtorë të kompanisë për bartjen e parave. Si pasojë e të shtënave nga arma e zjarrit lëndime trupore kanë pësuar njëri nga viktimat i cili është dërguar për tretman mjekësor në QKUK Prishtinë, si dhe një i dyshuar. Të dyshuarit tjerë kanë ikur me një veturë në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

    Në vendin e ngjarjes sipas policisë janë gjetur dhe sekuestruar një armë e zjarrit me një karikator dhe pesë fishekë.

    “I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në njoftim.

  • Kosova, Shqipëria dhe Kroacia sot nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes – këto janë pikat kryesore të bashkëpunimit

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia sot nënshkruajnë marrëveshje në fushën e mbrojtjes – këto janë pikat kryesore të bashkëpunimit

    Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës sot ka bërë të ditur se në Tiranë do të nënshkruhet një marrëveshje trilaterale në fushën e mbrojtjes, ndërmjet Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

    Në një përgjigje për Telegrafin, nga Ministria e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se marrëveshja do të jetë e shtrirë në katër pika.

    “Duke njohur marrëdhëniet e forta dhe të qëndrueshme midis Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës, të bazuara në vlera të përbashkëta, interesa strategjike dhe angazhime reciproke brenda kornizave të sigurisë rajonale dhe organizatave të tjera të sigurisë, do të nënshkruhet marrëveshja trilaterale ndërmjet Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e shtrirë në katër pika kyçe”, thuhet në përgjigjen për Telegrafin.

    Pikat kryesore do të jenë:

    Promovimi i bashkëpunimit në ngritjen e kapaciteteve të mbrojtjes dhe industrisë së mbrojtjes;

    Rritja e ndërveprueshmërisë përmes edukimit, trajnimit dhe ushtrimeve;

    Kundërveprimi ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimi i qëndrueshmërisë strategjike;

    Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin Euro-Atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.

    Tutje, thuhet se marrëveshja ka për qëllim angazhimin e përbashkët për t’u përgjigjur sfidave të sigurisë që po shfaqen, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të minojnë stabilitetin rajonal dhe ndërkombëtar dhe për të arritur objektivat e përbashkëta të mbrojtjes dhe sigurisë.

  • Izraeli bombardon Gazën, Libanin dhe Sirinë

    Izraeli bombardon Gazën, Libanin dhe Sirinë

    Të paktën 330 njerëz janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gazë gjatë natës, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

    Ushtria izraelite tha se po kryente sulme “të gjera” pasi bisedimet për zgjatjen e armëpushimit nuk arritën një marrëveshje.

    Kjo është vala më e madhe e sulmeve ajrore që nga 19 janari, kur hyri në fuqi armëpushimi, raporton BBC.

    “Ata ndezën përsëri zjarrin e ferrit në Gazë,” tha një dëshmitar në qytetin e Gazës.

    Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli “që tani e tutje do të veprojë kundër Hamasit me forcë ushtarake në rritje”, duke e akuzuar Hamasin për “refuzimin e përsëritur për të liruar pengjet tona” dhe për refuzimin e propozimeve për zgjatjen e armëpushimit.

    Hamasi akuzon Izraelin se ka sulmuar “civilët e pambrojtur” dhe thotë se ndërmjetësit duhet ta mbajnë Izraelin “plotësisht përgjegjës” për “shkeljen dhe përmbysjen” e armëpushimit.

  • Bajrami paralajmëron se rritja e çmimit të rrymës do të ketë pasoja të rënda në Kosovë

    Bajrami paralajmëron se rritja e çmimit të rrymës do të ketë pasoja të rënda në Kosovë

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, deklaron se çmimi i energjisë elektrike është rritur për tri herë në tri vitet e fundit.

    ‘’Në tri vitet e fundit, çmimi i energjisë elektrike është rritur për herë të tretë dhe tashmë ka  kohë që është dyfishuar’’ thotë ajo.

    “Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka propozuar një rritje të tarifave prej 15%, e cila do të hyjë në fuqi më 1 prill, por kjo nuk është rritja e vetme për këtë vit. Sipas vendimit të ZRRE-së, KESCO ka filluar procedurat për të detyruar daljen në treg të hapur të të gjitha ndërmarrjeve që punësojnë mbi 50 punëtorë ose që kanë qarkullim mbi 10 milionë euro’’ shprehet Bajrami.

    Deputetja e LDK-së, deklaron se rritja e çmimit të rrymës do të çojë në rritjen e shumëfishtë të tarifave për kategoritë e konsumatorëve.

    ‘’Kjo do të çojë në një rritje të shumëfishtë të tarifave për këtë kategori konsumatorësh, pasi ata do të furnizohen kryesisht nga importi i energjisë. Kjo ndodh sepse KEK-u ka obligim që energjinë e prodhuar ta ofrojë fillimisht për KEDS dhe KESCO, duke i lënë bizneset e mesme dhe të mëdha në mëshirën e tregut të hapur dhe çmimeve më të larta’’, shprehet Bajrami për FrontOnline.

    Ajo paralajmëron se do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët.

    ‘’Çfarë do të thotë kjo për ekonominë? Rritja e shumëfishtë e çmimit të energjisë për bizneset e mesme dhe të mëdha do të ketë efekte të rënda për bizneset, punëtorët, punëdhënësit dhe konsumatorët. Për me tepër viteve të fundit të gjithë jemi dëshmitarë të një inflacioni galopant dhe gjithashtu të indiferencës së qeverisë ndaj këtij inflacioni, prandaj një rritje tjetër e çmimit të energjisë elektrike, qoftë për ekonomitë familjare, qoftë për bizneset, do të ishte e papërballueshme për qytetarët e vendit, prej të cilëve shumica mezi ia dalin deri në fund të muajit me shpenzime vetëm për artikuj të domosdoshëm’’, përfundoi Bajrami.

  • Babait të ish-presidentit Thaçi i jepet lamtumira e fundit sot në Burojë të Skenderajt

    Babait të ish-presidentit Thaçi i jepet lamtumira e fundit sot në Burojë të Skenderajt

    Haxhi Thaçi, babai i ish presidentit Hashim Thaçi, i cili u nga jeta të dielën e 16 marsit, në orët e vona, do të varroset sot.

    Atij do t’i jepet lamtumira e fundit në varrezat e reja të fshatit Burojë në Skenderaj, nga ora 15:00.

    Në ceremoninë mortore, ish presidenti Thaçi nuk u lejua nga Gjykata Speciale për të marrë pjesë.

  • Gjendet pa shenja jete në oborrin e një shtëpie 80-vjeçari në Viti

    Gjendet pa shenja jete në oborrin e një shtëpie 80-vjeçari në Viti

    Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e djeshëm në fshatin Budrikë e Epërme në Viti, ku në orët e mëngjesit, një qytetar ka njoftuar Policinë për një trup të pajetë të gjetur në oborrin e një shtëpie.

    Sinjali ka mësuar nga burimet brenda Emergjencës se bëhet fjalë për një 80-vjeçar, i cili u gjet i vdekur, jo fort larg shtëpisë së tij.

    Vdekjen e të moshuarit e të ndjerit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje, ndërsa njësitet policore kanë kryer ekzaminimet e nevojshme në vendin e ngjarjes.

    Bazuar në informacionet e para, në trupin e viktimës nuk janë gjetur shenja dhune. Megjithatë, për të zbuluar shkakun e vdekjes, me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në IML.

    Me vendim të prokurorit, rasti është iniciuar si ‘Hetim i vdekjes’.

  • ​Sorensen pritet në takim me Abdixhiku

    ​Sorensen pritet në takim me Abdixhiku

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka pritur në takim përfaqësuesin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura, pa praninë e mediave, derisa në takim kanë marrë pjesë anëtarë të strukturës së LDK-së.

    Sorensen gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti. Ai në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se objekti kryesor është që të ecë përpara ky proces, mirëpo paraprakisht tha se do të zhvillojë biseda me palët dhe të bëjë një vlerësim se ku ndodhet i njëjti. I pyetur se a nevojitet kompromisi në dialog, ai tha se këtë e përcaktojnë palët.

    Sorensen do të qëndrojë deri më 19 mars në Kosovë, ku pritet të takojë edhe liderët e partive tjera politike dhe shoqërinë civile.

    Më pas ai do të shkojë për vizitë në Serbi.

    Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak./KP/

  • ​Lansohet sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor

    ​Lansohet sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor

    Në shënimin e 74-vjetorit të themelimit të Arkivit të Kosovës, ka nisur edhe aktiviteti “Java e Arkivit të Hapur”, ku është lansuar sistemi elektronik i menaxhimit të materialit arkivor.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh se arkivat janë gardian të trashëgimisë dokumentare, prandaj tha se si qeverisjes i kanë dhënë vëmendjen që meriton.

    Kurti teksa listoi gjashtë aspektet që përmirësuan funksionimin e arkivit, ofroi rritje të mbështetjes institucionale për Arkivin e Kosovës.

    “Arkivat janë gardian të trashëgimisë dokumentare, kjo lloj trashëgimie është një testament themelor i kulturës dhe i kujtesës sonë historike që duhet tu transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme….13’19E para ligji, e dyta strategjia, e treta kushtet e punës, e katërta digjitalizimi masiv, e pesta qasje dhe menaxhimi elektronik i materialeve arkivor dhe e gjashta struktura e re me shumë profesionistë… Në këtë edicion të radhës javës së arkivit të hapur në emër të qeverisë sonë gjejmë rastin të theksojmë faktin se sikurse rrjetin e kulturës, trashëgimisë kulturore, bibliotekave, teatrove, kinemave…edhe arkivave ua kemi kthyer edhe vëmendjen dhe dinjitetin që e meritojnë sepse u kemi kthyer investimet e gjithanshme jo vetëm infrastrukturore….Mbështetja e qeverisë sonë jo vetëm që do të vazhdoj por edhe do të rritet”, tha ai.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Arkivit të Kosovës, Bislim Bislimi u shpreh se kanë digjitalizuar miliona dokumente.

    Sipas tij, vetëm në vitin 2024 Arkivi i Kosovës ka digjitalizuar 2.5 milionë dokumente, derisa u shpreh se deri në fund të këtij vitit presin t’i bashkohen trendit të rajonit.

    Si sfidë të radhës, Bislimi tha se mbetet krijimi i kushteve për pranimin e më shumë se 25 kilometrave apo mbi 250 milionë dokumenteve arkivore që ndodhet jashtë Agjencisë.

    “Arkivi i Kosovës, në 15 vite, në mungesë të kushteve por me përkushtim të jashtëzakonshëm të stafit të brendshëm, kishte digjitalizuar afër 1,090.000 dokumente arkivore. Vetëm në vitin 2024, pasi filluam realizimin e projektit të digjitalizimit masiv ne kemi digjitalizuar 2.5 milionë dokumente, ndërsa pa përfunduar ende 3 mujori i parë i vitit 2025, këtij 3.6 milionëshit të digjitalizuar tashmë, i është shtuar edhe 1 milion tjetër duke na afruar kështu me numrin prej 5 milionë dokumentesh në regjistrin tonë digjital apo e shprehur në përqindje të materialit arkivor që e kemi në regjistra të inventarit hyrës, mbi 7% e sasisë së përgjithshme. Për të sqaruar trendin, Kosova ka qenë e fundit në rajon sa i përket digjitalizimit të materialit arkivor ku në këto vende, kjo përqindje varion ndërmjet 10 dhe 17%. Me investimet që po bëhen dhe me dinamikën aktuale të digjitalizimit tek ne, në fund të vitit 2025 ne veçse përafrohemi trendit të rajonit”, tha ai.

    Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Arkivit të Kosovës, Bislim Bislimi tha se vitin e kaluar nga komunat veriore kanë rikthyer material arkivor nën kontroll të Arkivit të Kosovës.

    “Kur jemi tek komunat veriore, vitin e kaluar, falë bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, rikthyem nën kontrollin ligjor të Agjencisë materialin arkivor që mbahej nga strukturat e paligjshme në veri që financoheshin e organizoheshin nga Serbia. Me sasinë e dakorduar, me Agjencinë Kosovare të Privatizimit, për dorëzim në Arkiv të materialit të ish ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë, tashmë mund të themi se Agjencia e Arkivave vetëm në vitin e fundit ka rritur sasinë e përgjithshme të materialit, afër 35%”, tha ai./KP

  • ​Politikanë dhe bashkëpunëtorë shkojnë për ngushëllime në familjen e ish-presidentit Thaçi

    ​Politikanë dhe bashkëpunëtorë shkojnë për ngushëllime në familjen e ish-presidentit Thaçi

    Politikanë e bashkëpunëtorë kanë vizituar të hënën familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi në Burojë, pas vdekjes së babait të tij, Haxhi Thaçi. Ata kanë shprehur ngushëllime dhe e kanë kujtuar atë si njëri me vlera të larta.

    Kryetari i Partisë Demokratike e Kosovës, Memli Krasniqi tha se Haxhi Thaçi ka udhëhequr jo vetëm familjen e tij por ka kontribuar edhe në edukimin e brezave.

    Ai nënvizoi se dhimbja ishte edhe më e madhe për shkak të mungesës së Hashim Thaçit, i cili ndodhet në Hagë duke u përballur me një proces të tejzgjatur gjyqësor.

    “Do ta kujtojmë gjithmonë për vlerat e jashtëzakonshme që i ka pasur. Ka qenë një njeri që vërtetë i them më shumë se një prind i njeriut që ka udhëhequr edhe procesin e çlirimit dhe pavarësimit të vendit, por një karakter epik, ashtu siç e kemi mësuar edhe në të kaluarën, dhe në traditën tonë, ata shqiptarët e mirë, të vërtetë që kanë ditur të edukojnë jo vetëm familjet e tyre, por gjithë brezat. Ka qenë një njeri që gjithmonë ka qenë i buzëqeshur, dashamirës, një njeri që na ka përkrahur gjithmonë. Fjalët dhe këshillat e tij dhe kujtimet me të do t’i mbajmë gjithmonë si shumë të veçanta. Na vjen keq se kjo është një vdekje që bëhet edhe më e rendë për shkakun e mungesës së presidentit Thaçi. Së paku ai pati mundësinë që para ka ditësh ta takojë për herën e fundit babain e tij, por vërtetë kjo dhembje shkon e rritet për familjen, e neve të gjithëve për shkakun e mungesës së presidentit Thaçi. Kujtimi për bacën Haxhi do të jetë i përhershëm”, tha Krasniqi.

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë vizitës së tij në Burojë për ta ngushëlluar familjen e presidentit Hashim Thaçi, tha se është padrejtësi që ai nuk është afër familjes.

    “Para një kohe kam qenë këtu në familje. Në atë kohë kam ardhur se nëna ishte e sëmurë dhe në gjendje jo të mirë. Kuptohet, ishte edhe takimi i fundit, biseda e fundit që kam pasur me babën Haxhi. Dhimbja po rritet, ne jemi shqiptarë, na vjen keq kur familjet tona kalojnë këto dhimbje, kuptohet edhe kur bëhen këto padrejtësi, si rasti i presidentit që nuk është këtu me familjen. Besoj shumë që nga ajo vuajtje, dhimbje e sakrificë do të nxjerren mësimet më të mira të shqiptarëve me ia kushtu atdheut, lirisë në vazhdimësi”, tha Haradinaj.

    Ish nënkryetari i OVL-UÇK-së, Nasim Haradinaj gjatë vizitës së tij për ngushëllime është shprehur se dhimbjen e familjes po e shton fakti që Hahsim Thaçi ndodhet në Hagë.

    “Vet fakti që ka një djalë, i dha një djalë Kosovës, i cili kaloi në të gjitha proceset dhe të gjitha i përfundoi me nderë, është një vepër, që edhe nga ana fetare thuhet se jeton dhe të cilit i bënë lavdi e përjetshme. Këtë dhimbje e shton sot, vet pozita e Hashim Thacit ku gjendet sot dhe djemve të tjerë që janë atje”, është shprehur Haradinaj.

    E kushëriri i familjes Thaçi, Milazim Thaçi rrëfeu kujtimet me të ndjerin.

    “Tash së fundmi, unë kam qenë shumë me të, po qysh nuk jemi rritë, jemi plakur [bashkë]. Ai ka qenë njeri i urtë, punëtor, ka punuar shumë, i ka rritur fëmijët me skamje të rënda. Kohën e luftës shumë ka qenë i fortë edhe na jepke gajret shumë ‘hiç mos u mërzitni se Kosova ka me u çliru’. Ligsht, u mërzitke shumë, thoshte “ Hashimi, Hashimi, sikur të vinte, ma po dua ta pres”. Po ja nuk e priti”, tha ai.

    Varrimi i Haxhi Thacit do të bëhet nesër në ora 15:00 ne varrezat e fshatit Burojë.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

    Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • ​Mucunski: Qeveria do të mbulojë shpenzimet për familjarët e pacientëve që shërohen jashtë vendit

    ​Mucunski: Qeveria do të mbulojë shpenzimet për familjarët e pacientëve që shërohen jashtë vendit

    Ministri i Punëve të Jashtme Timço Mucunski deklaroi se Qeveria do të mbulojë shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit jashtë vendit për anëtarët e familjeve të pacientëve që po trajtohen jashtë vendit, shkruan Alsat.

    Ai njoftoi se është aktivizuar gjithashtu mekanizmi për mbrojtjen civile të BE-së i cili është një sistem për koordinimin e ndihmës midis të gjitha vendeve anëtare të BE-së dhe vendeve të tjera nga të cilat pritet ndihmë në ditët në vijim.

    Ministri i Jashtëm tha se pas një komunikimi me 12 homologë të tij, ka marrë mbështetje edhe nga krerët rajonalë botërorë, përcjell KosovaPress.

    “Më lejoni të përmend se në çdo shtet ku janë dërguar pacientët për shërim, Ministria e Jashtme ka caktuar person për kontakt i cili është i qasshëm 24 orë për prindërit dhe familjarët e pacientëve për çfarëdo ndihme ose mbështetje. Lista e kontakteve është e publikuar në ueb faqen e Ministrisë. Në mënyrë plotësuese, në Seancë të Qeverisë do të kërkojë nga shërbimet për punë të përgjithshme të përbashkëta të mbulohen shpenzimet për rrugë dhe qëndrim jashtë vendit, për anëtarët e familjeve të pacientëve që po kurohen jashtë”, tha Timço Mucunski, ministër i Jashtëm.