ATV

Category: Lajme

  • ​Një eurodeputet francez i kërkon Amerikës të kthejë Statujën e Lirisë

    ​Një eurodeputet francez i kërkon Amerikës të kthejë Statujën e Lirisë

    ”Na ktheni Statujën e Lirisë”, është kërkesa e çuditshme e bërë nga socialisti francez Raphaël Glucksmann, sipas të cilit Parisi duhet të marrë mbrapsht monumentin sepse Shtetet e Bashkuara nuk përfaqësojnë më vlerat që e shtynë Francën të bëjë këtë dhuratë.

    “Amerikanëve që kanë zgjedhur të qëndrojnë në anën e tiranëve, të cilët pushojnë studiuesit sepse kërkojnë liri shkencore, ne u themi: na ktheni statujën”, theksoi eurodeputeti dhe themeluesi i ”Place Publique”, në një konventë.

    “Ne ua dhamë, por ju duket se e përbuzni. Kështu që do të jetë mirë këtu në shtëpi”, shtoi ai.

    Statuja e Lirisë u zbulua në portin e qytetit të Nju Jorkut më 28 tetor 1886, në 100-vjetorin e Deklaratës Amerikane të Pavarësisë si një dhuratë nga populli i Francës për Amerikën.

    Është projektuar nga francezi Auguste Bartholdi.

    Parisi ka një kopje shumë më të vogël të statujës në një ishull të vogël në Paris.

    Glucksmann, një mbrojtës i vendosur i Ukrainës, ka kritikuar ashpër ndryshimin rrënjësor të presidentit Donald Trump në politikën e SHBA-së për luftën.

    Ai gjithashtu synoi shkurtimet e Trump në institucionet kërkimore të SHBA-së, të cilat tashmë kanë nxitur qeverinë franceze të nisë një iniciativë për të tërhequr disa prej tyre për të punuar në Francë.

    “Gjëja e dytë që do t’u themi amerikanëve është se nëse doni të pushoni studiuesit tuaj më të mirë, nëse doni të pushoni të gjithë njerëzit që, përmes lirisë së tyre dhe ndjenjës së tyre të inovacionit, shijes së tyre për dyshim dhe kërkime, e kanë bërë vendin tuaj fuqinë kryesore botërore, atëherë ne do t’i mirëpresim ata”, shtoi ai.

  • ​Von der Leyen: Të hapur ndaj modelit të Shqipërisë

    ​Von der Leyen: Të hapur ndaj modelit të Shqipërisë

    Bashkimi Evropian i hapur ndaj modelit të Shqipërisë, të adaptuar nga Italia, për çështjen e emigrantëve, sipas iltempo.it.

    ”Ne po hapim mundësinë që shtetet anëtare të krijojnë nyje riatdhesimi në vendet e treta. Ishte një element i rëndësishëm i diskutimit tonë mbi zgjidhjet inovative për të trajtuar me vendosmëri migrimin e paligjshëm, duke vepruar në bashkëpunim me vendet partnere dhe duke siguruar që të drejtat themelore të individëve të interesuar të garantohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, shkruan presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në letrën e saj dërguar liderëve të BE-së.

    Një samit i BE-së, që do të zhvillohet më 20 mars, do të trajtojë gjithashtu këtë çështje, megjithëse nuk është planifikuar një diskutim i thelluar për këtë çështje, shkruan ATSH.

    ”Për të kompletuar qasjen e re të përbashkët për kthimet, Komisioni po përgatit gjithashtu një propozim për dixhitalizimin e menaxhimit të rasteve të kthimit për fund të vitit. Qasja e re do të kontribuojë gjithashtu në rishikimin e ardhshëm të Frontex-it, ku do të jetë e rëndësishme të sigurohet që operacionet e kthimit mund të organizohen drejtpërdrejt nga Frontex me vendet e treta, ndërkohë që përmirëson rolin e Agjencisë në parandalimin e migrimit të parregullt”, shtoi ajo.

    ”Një element kyç i Paktit na lejon të thjeshtojmë procedurat e azilit është përdorimi i koncepteve të vendit të sigurt. Komisioni aktualisht po përgatit një listë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës. Për këtë qëllim, ne po mbështetemi në një analizë nga Agjencia e BE-së për Azilin dhe burime të tjera të disponueshme informacioni për të vlerësuar një përzgjedhje të parë të vendeve të zgjedhura bazuar në kritere objektive, siç janë normat e ulëta të njohjes së azilit”, shtoi ajo.

    ”Synimi ynë është të paraqesim një propozim për një listë të parë të BE-së të vendeve të origjinës të sigurta në javët e ardhshme. Pasi të miratohet nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, kjo listë do të jetë dinamike dhe mund të zgjerohet ose rishikohet më tej me kalimin e kohës”, përfundon letra.

  • ​Sorensen pas takimit me Kurtin e Bislimin: Është një fillim i mirë

    ​Sorensen pas takimit me Kurtin e Bislimin: Është një fillim i mirë

    “Fillim i mirë”, tha përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, pasi zhvilloi takime me krerët e shtetit.

    Ai, në vizitën e tij të parë në Kosovë, tha se objektivi kryesor është që të ecë përpara ky proces, mirëpo paraprakisht tha se do të zhvillojë biseda me palët dhe të bëjë një vlerësim se ku ndodhet dialogu.

    Sorensen, pas takimit të hënën me kryeministrin Albin Kurti dhe kryenegociatorin kosovar për dialogun, Besnik Bislimi, tha para gazetarëve se bisedat ishin të mira dhe se është interes i tij të kuptojë qëndrimet e secilit.

    “Ishte një takim hyrës dhe po bisedonim se si mund të vazhdojë dhe të ecë përpara ky proces. Si i tillë, është një fillim i mirë. Po, objektivi është, sigurisht, që procesi të vazhdojë dhe të ecë përpara. Tani për tani, objektivi im është të flas me njerëzit dhe të kuptoj se ku qëndrojnë ata në lidhje me këtë çështje. Kam bashkëbisedues këtu në Prishtinë, por gjithashtu duhet të shkoj edhe në Beograd. Dhe pasi t’i kem zhvilluar këto biseda, mund të ulem dhe të vlerësoj se ku ndodhemi. Por është shumë e qartë që procesi i dialogut ka sjellë disa zhvillime të rëndësishme dhe ne duhet të ndërtojmë mbi to”, tha ai.

    I pyetur se a nevojitet kompromis në dialog, ai tha se këtë e përcaktojnë palët.

    “Dialogu ka të bëjë me sigurimin që palët të takohen. Nëse kjo do të thotë kompromis apo jo, këtë e përcaktojnë palët. Por dialogu, ky është qëllimi i tij. Dhe kjo është ajo që kemi bërë që nga viti 2011”, shtoi Sorensen.

    I pyetur se a do të ketë një fillim të ri në dialog, ai tha se ai do të punojë sipas mënyrës së tij.

    “Jo, ajo që tha është se ajo është e re, unë jam i ri. Dhe për këtë arsye, si ndërmjetësues, po punoj në mënyrën time, kështu që kjo është situata”, deklaroi ai.

    Krahas kësaj, ai tha se vizita e tij në Kosovë nuk përkon me asnjë simbolikë, mirëpo është përcaktuar nga kalendari i tij dhe institucioneve në Kosovë.

    Ndërkaq, i pyetur për mbylljen e komunave paralele serbe në Kosovë, Sorensen tha se duhet siguruar që “njerëzit në Kosovë të marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme”.

    “Koha e mbërritjes këtu është përcaktuar nga kalendari. Është kur njerëzit janë të disponueshëm, ata me të cilët kam nevojë të takohem, janë këtu. Unë sapo kam filluar, erdha sa më shpejt që munda. Kjo është përgjigja për pyetjen tuaj të parë. Sa i përket pyetjes së dytë mbi institucionet, ne duhet të punojmë dhe të sigurohemi që njerëzit të marrin shërbimet në mënyrën më të mirë të mundshme. Dhe kjo është ajo që do të përpiqemi të bëjmë”, tha Sorensen.

    Sorensen gjatë ditës është takuar edhe me presidenten Vjosa Osmani.

    Diplomati danez do të qëndrojë deri më 19 mars në Kosovë, ku nesër pritet të takojë liderët e partive politike dhe shoqërinë civile.

    Më pas ai do të shkojë për vizitë në Serbi.

    Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak./KosovaPress.

  • ​Bizneset kërkojnë shtyrje të vendimit të ZRRE-së për treg të lirë të rrymës

    ​Bizneset kërkojnë shtyrje të vendimit të ZRRE-së për treg të lirë të rrymës

    Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar që të shtyhet kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik.

    Në një diskutim të OEK me rreth 100 biznese dhe me zyrtarë të ZRrE-së, bizneset kanë kërkuar që vendimi i lartpërmendur të shtyhet për të paktën një vit, në mënyrë që “të marrin kohën e nevojshme për të filluar përgatitjet, në të kundërtën do të dëmtohen”.

    Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna ka thënë se sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, sipas këtij vendimi, në tregun e hapur duhet të dalin 1 mijë e 294 biznese, derisa 61 biznese kanë të punësuar më shumë se 50 punëtorë.

    “Ishte një numër shumë i madh i bizneseve, afër 100 biznese më të mëdha dhe dominuan ato prodhuese. Është një shqetësim i bizneseve për vendimin e ZRrE-së, i cili kërkon që bizneset me mbi 50 punëtorë, ose mbi 10 milionë euro që kanë qarkullim, prej 1 qershorit të dalin në tregun e hapur. Patën mundësi edhe zyrtarët e ZRrE-së t’i dëgjojnë shqetësimet e biznesit, në këtë rast më të theksuara ishin, edhe shqetësimet më të mëdha, tek sektori i prodhimit, për arsye se dihet se dalja në treg parashihet që të ketë edhe rritje të çmimit të energjisë elektrike, ku do të ketë efekt zingjiror tek prodhuesi, do ta rritë koston e prodhimit, ose produktit, e cila me pas, kosto do t’i bartet konsumatorit dhe produkti jonë brenda tregut të Kosovës nuk do të jetë konkurrent me produktin e importuar siç ka qenë deri më tani, por do të jetë më i shtrenjtë sesa produkti i importuar. Mos të flasim se edhe në tregun e huaj do të humb mundësinë që të jetë prezent, për arsye se janë kontratat e lidhura shumë më herët me çmime të caktuara, dhe në moment që ngritet çmimi ekziston frika dhe paralajmërimi që nuk do të blihet më në tregun e huaj produkti i Kosovës”, theksoi Rafuna.

    Ai ka thënë se në takimin me zyrtarë të ZRrE është theksuar që kërkesa të shtyhet për të paktën një vit.

    “Për këtë arsye, pas diskutimeve të shumta që patëm me zyrtarë të ZRrE-së ishte kërkesë e të gjithëve që të parashihet mundësia të shtyhet së paku një vit ky vendim, për të filluar të implementohet, që bizneset e mëdha të dalin në tregun e hapur, dhe e dyta ishte t’i drejtohemi institucioneve të vendit, se në rast se nuk gjendet mirëkuptim që të shtyhet ky vendim, që sidomos sektori prodhimit të subvencionohet. Sipas të dhënave nga Administrata Tatimore, sipas këtij vendimi në tregun e hapur duhet të dalin 1 mijë e 294 biznese, pra janë 61 biznese që kanë të punësuar më shumë se 50, ndërsa janë 318 biznese të cilat kanë qarkullim më shumë se 10 milionë. Kurse, sipas sektorëve këtu hyn tregtia me shumicë dhe pakicë, janë 439 kompani, prodhimi vjen me 197 kompani, ndërtimtaria është me 35 kompani, informacioni dhe komunikimi me 67 kompani dhe vinë të tjerat. Kërkesa e të gjithëve ishte që të shtyhet së paku për 1 vit implementimi i këtij vendimi për shkak se biznesi është përballur me sfida të shumta dhe kjo sfidë është shtesë që vë në pikëpyetje, sidomos sektorin e prodhimit”, ka nënvizuar Rafuna.

    Sipas tij, vështirësi tjetër, në rast se nuk shtyhet kërkesa e ZRrE-së, është edhe sjellja e investitorëve të huaj.

    “Në qoftë se është më i shtrenjtë dhe na del më shtrenjtë se rajonit, do të kemi vështirë t’i sjellim investitorët e huaj. Nuk jemi kundër vendimit, as të mos dalim në tregun e hapur, por është një periudhe e shkurtë, nuk është momenti, nuk ka as dialog publiko-privat, një kohë më të gjatë në mënyrë që biznesi të përgatitet. Dhe kërkesa tjetër qe vjen për partitë politike është që sa më shpejtë t’i kemi të themeluara institucionet e vendit, në mënyrë të kemi mundësi të adresojmë. Ka mirëkuptim sa i përket sidomos sektorit prodhues, mirëpo kushti prej 50 punëtorë është ligjor, mirëpo ZRrE është përkrahëse e bizneset që të gjejë me qeverinë dhe komisionin për ekonomi që të gjendet mundësi në rastin e arsyeshëm të shtyhet vendimi për një periudhë të caktuar, që t’i jepet mundësinë të përgatitet biznesi”, përfundoi Rafuna.

    Kërkesa e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) që konsumatorët me mbi 50 punëtorë ose që kanë një qarkullim mbi 10 milionë euro të dalin në një treg të hapur energjetik, ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës.

    Kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullime ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky liberalizim i tregut energjetik, raporton KosovaPress.

    Duke filluar nga 1 qershori, bizneset e mëdha në Kosovë kërkohet t’i zgjedhin vetë furnizuesit e tyre me energji elektrike.

    Derisa ZRRE ka pranuar se kjo kërkesë mund të sjellë shqetësime tek bizneset dhe ka theksuar nevojën për një proces të kujdesshëm dhe mbështetje gjatë këtij kalimi. /KP

  • Ligji për gjuhët në MV, shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese

    Ligji për gjuhët në MV, shtyhet seanca e Gjykatës Kushtetuese

    Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut vendosi të hënën të shtyjë seancën përgatitore për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, e cila ishte caktuar të mbahet për datën për 20 mars.

    “Gjykata merr parasysh periudhën e shpallur zi shtatë-ditore për viktimat e tragjedisë në Koçan dhe traumën që po kalon shoqëria, qytetarët dhe shteti”, tha të hënën Gjykata Kushtetuese në një njoftim.

    Të paktën 59 persona kanë vdekur në orët e hershme të mëngjesit të djeshëm në Koçan, si pasojë e shpërthimit të zjarrit gjatë një koncerti me mbi 500 pjesëmarrës në një klub nate.

    Sipas gjykatës, do të përcaktohet më vonë se kur do të mbahet seanca përgatitore.

    Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni të Veriut i detyron institucionet shtetërore të lejojnë përdorimin zyrtar të gjuhëve që fliten nga të paktën 20 për qind e qytetarëve. Këtu bëhet fjalë edhe për gjuhën shqipe.

    Në Maqedoni të Veriut, rreth 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë.

    Debati për këtë temë është rritur pas ardhjes në pushtet të VMRO-DPMNE, parti maqedonase e cila e kishte kundërshtuar këtë ligj.

    Kjo parti tani bashkëqeverisë me koalicionin shqiptar VLEN.

    Ligji për gjuhët ka mbetur në Kushtetuese tash e pesë vjet, pas disa iniciativave që u parashtruan nga parti politike, shoqata dhe qytetarë.

  • ​Tragjedia në Koçan, jep dorëheqje kryetari i komunës

    ​Tragjedia në Koçan, jep dorëheqje kryetari i komunës

    Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov ka dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga detyra pas aksidentit tragjik në Koçan ku humbën jetën 59 persona.

    “Kjo humbje është e madhe. Nuk ka fjalë që mund të përshkruajnë dhimbjen që ndjejmë të gjithë. Ata fëmijë ishin fëmijët tanë. Unë i njihja shumicën prej tyre, i njihja familjet e tyre dhe disa prej tyre ishin miq të familjes”, ka thënë ai, raporton Alsat M.

    “Tronditja dhe thyerja e zemrës që ndjej do të zgjasë gjithë jetën time. Kjo tragjedi e ka lënë në errësirë Koçanin dhe Maqedoninë, dhe boshllëku që ka mbetur është i padurueshëm”, ka shkruar Papazov në Facebook.

    Ai ka kërkuar nga institucionet kompetente që të hetojnë përgjegjësinë e të gjithë të përfshirëve, duke shtuar se është plotësisht në dispozicion të institucioneve.

  • ​Nesër varroset babai i Hashim Thaçit

    ​Nesër varroset babai i Hashim Thaçit

    Ceremonia e varrimit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, do të mbahet të martën, njoftoi Komuna e Skenderajt.

    Lajmi për vdekjen e Haxhi Thaçit u bë i ditur të dielën vonë. Ai ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Ende nuk dihet nëse Gjykata Speciale do t’i jap leje Hashim Thaçit për të ardhur nga Haga në Kosovë.

    “Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që t’u bëjnë kërkesa gjyqtarëve kompetentë për arsye detyruese humanitare. Gjyqtarët do të vendosin për kërkesa të tilla”, tha për KosovaPress, Michael Doyle, pa treguar nëse do t’i mundësohet Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

    Ceremonia e varrimit do të mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Fillimisht, sipas njoftimit të komunës, do të bëhen homazhe pranë arkivolit në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj, nga ora 09:00 deri në 12:00.

    Më pas, aty do të mbahet mbledhje komemorative, në orën 12:00

    Ndërkaq, varrimi do të mbahet në orën 15:00 në varrezat e reja të fshatit Burojë.

    Në njoftim thuhet se e pamja e familjes Thaçi do të mbahet më 19 dhe 20 mars në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj.

    “Në këto momente të vështira, në emër të qytetarëve të Skenderajt, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Thaçi dhe të gjithë atyre që e kanë njohur dhe vlerësuar jetën dhe veprën e të ndjerit Haxhi Thaçi”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.

    Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare pasi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, raporton KosovaPress.

    Të enjten ai u vizitua nga Hashim Thaçi, të cilit leje për vizitë i tha Gjykata Speciale, e cila po gjykon për krime të pretenduara të luftës, transmeton KosovaPress.

    Specialja u kritikua në Kosovë për mos realizim të kërkesave të Thaçit për të vizituar babain e vet të sëmurë, duke theksuar se vendime të tilla të gjykatës ishin të pabazuara dhe jo humane, shkruan KosovaPress.

    Pas vizitës rreth tre orësh nën masa të rrepta të sigurisë, Thaçi u rikthye sërish në Hagë – qytetin holandez ku e ka selinë kjo gjykatë.

    Hashim Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës – të njohura si Gjykata Speciale.

    Ai po qëndron në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020 nën akuzat për krime të pretenduara të luftës, shkruan KosovaPress.

    Gjykimi ndaj tij ka nisur në prill të vitit 2023.

    Bashkë me Thaçin, po gjykohen edhe Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi. Ish-krerët e UÇK-së janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

  • ​FSK-ja filloi operacionet e deminimit

    ​FSK-ja filloi operacionet e deminimit

    Kompania e Deminimit e Gardës Kombëtare të Forcës së Sigurisë së Kosovës filloi të hënën operacionin humanitar për pastrimin e fushave të minuara dhe fushëbetejave,.

    Kjo sipas FSK-së, po bëhet me qëllim të pastrimit dhe sigurimit të zonave të caktuara nga mjetet e pashpërthyera.

    “Gjatë këtij viti, njësitë e deminimit do jenë të angazhuara në pastrimin e tri lokacioneve në territorin e Republikës së Kosovës: në fshatrat Muradem dhe Maja e Cvilenit të komunës së Prizrenit si dhe në Parkun e Lirisë në Ferizaj dhe gjithashtu do të ofrojnë kujdestari 24/7 për largimin e mjeteve të pashpërthyera që mund të hasen nga qytetarët”, tha FSK-ja në një njoftim në Facebook.

    Këto operacione janë pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të FSK-së për të garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët dhe për të kontribuar në stabilitetin dhe zhvillimin e vendit./KP

  • ​Mbi 50 të vdekur nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen, sipas Huthëve

    ​Mbi 50 të vdekur nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen, sipas Huthëve

    Numri i të vdekurve nga sulmet ajrore të SHBA-së në Jemen është rritur në 53, përfshirë pesë fëmijë, sipas ministrisë së shëndetësisë së Huthëve.

    SHBA-ja tha se sulmet ishin një përgjigje ndaj sulmeve të Huthëve që iu bënë anijeve në Detin e Kuq. Uashingtoni pretendon se disa figura kyçe të Huthëve u vranë, por grupi nuk e ka konfirmuar, raporton BBC.

    Lideri i Huthëve, Abdul Malik al-Houthi, paralajmëroi sulme ndaj anijeve amerikane në Detin e Kuq si hakmarrje. Huthët raportuan gjithashtu sulme të reja amerikane në Al Jaouf dhe Hudaydah të hënën.

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Michael Waltz, tha se sulmet synonin liderët e Huthëve. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, premtoi një fushatë të pamëshirshme deri sa sulmet e Huthëve të ndalojnë, përcjellë KosovaPress.

    Huthët thonë se do të vazhdojnë sulmet ndaj anijeve derisa Izraeli të heqë bllokadën e Gazës. Ata janë të mbështetur nga Irani, por nuk janë qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Jemenit.

    Presidenti Trump tha se SHBA-ja do të përdorë “forcë shkatërruese” kundër Huthëve.

    Irani kritikon sulmet e SHBA-së, ndërsa OKB-ja bëri thirrje për përmbajtje dhe ndalim të luftimeve.

  • Grabitja në Prishtinë me një i plagosur – Dyshohet se kjo është vetura e grabitësve

    Grabitja në Prishtinë me një i plagosur – Dyshohet se kjo është vetura e grabitësve

    Një person ka mbetur i plagosur gjatë një grabitjeje të armatosur në lagjen Veternik të Prishtinës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:30, ku sipas Policisë, viktima u plagos gjatë një sulmi ndaj një furgoni që transportonte para.

    Në pamjet e siguruara nga ATV, shihet një veturë e djegur në periferi të Veternikut, për të cilën dyshohet se mund të jetë e grabitësve.

    Megjithatë, ende nuk ka konfirmim zyrtar nga autoritetet.

    I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK, ku mjekët kanë konfirmuar se po kryhen ekzaminimet e nevojshme për ndërhyrje kirurgjike. Ndërkohë, Policia dhe Prokuroria po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar të dyshuarit.