ATV

Category: Lajme

  • ​Ngrihet aktakuzë ndaj një shqiptari për krime lufte në Kosovë

    ​Ngrihet aktakuzë ndaj një shqiptari për krime lufte në Kosovë

    Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj një shqiptari me inicialet M.I, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprën penale: “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, raporton KosovaPress.

    Hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë.

    “Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se i pandehuri gjendet në arrati. Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim të prokurorisë.

  • Krasniqi me qindra zyrtarë e anëtarë të PDK-së shkojnë për ngushëllime te familja Thaçi

    Krasniqi me qindra zyrtarë e anëtarë të PDK-së shkojnë për ngushëllime te familja Thaçi

    Një delegacion i madh i Partisë Demokratike të Kosovës sot ka vizituar familjen Thaçi për t`i shprehur ngushëllimin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Në këtë vizitë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka qenë i shoqëruar nga qindra zyrtarë të lartë të partisë, anëtarë të Kryesisë, deputetë, kryetarë komunash dhe aktivistë të partisë.

    Në njoftimin për media të PDK-së është thënë se përfaqësuesit e PDK-së shprehën dhembjen dhe solidaritetin e tyre me familjen Thaçi.

    “Në këtë vizitë ngushëllimi, përfaqësuesit e PDK-së shprehën dhembjen dhe solidaritetin e tyre me familjen Thaçi, duke kujtuar figurën e Haxhi Thaçit si një njeri të urtë dhe të përkushtuar për familjen dhe atdheun. Kryetari Memli Krasniqi vlerësoi kontributin dhe vlerat e larta njerëzore të Haxhi Thaçit, duke theksuar se ai do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje. PDK qëndron pranë familjes Thaçi në këtë kohë zie”, është thënë në njoftimin e PDK-së.

  • KQZ pezullon dy parti politike, nuk dorëzuan raportin financiar të vitit 2024, u jep 15 ditë afat shtesë

    KQZ pezullon dy parti politike, nuk dorëzuan raportin financiar të vitit 2024, u jep 15 ditë afat shtesë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pezulloi dy partitë politike, Partia Republikane për Ndryshime dhe Shpresa Demokrate, raporton Ekonomia Online.

    Këto dy parti politike, sipas njoftimit nga KQZ, u pezulluan pasi deri më 1 mars nuk dorëzuan raportin financiar të vitit 2024.

    Afati i fundit për dorëzimin e këtij raporti ishte 1 marsi, por partitë politike nuk i dorëzuan në KQZ as pas 15 ditësh afat shtesë.

    Me vendimin për pezullim, këtyre partive u është dhënë edhe një afat shtesë prej 15 ditësh për dorëzimin e raportit të tyre dhe nëse kjo nuk ndodhë, vendimi i radhës i KQZ-së pritet të jetë çregjistrimi i këtyre partive politike.

  • Qehaja: Marrëveshja ushtarake Kosovë- Shqipëri- Kroaci s’është provokim

    Qehaja: Marrëveshja ushtarake Kosovë- Shqipëri- Kroaci s’është provokim

    Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, gjenerali Ramadan Qehaja, tha se nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake të tri shteteve në rajon, Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, nuk është kurrfarë provokimi, siç thonë nga Beogradi zyrtar, por veprim konkret për stabilitet në Ballkan.

    “Duke e ditur qëndrimin destabilizues të Serbisë në Ballkan e në vecanti ndaj Kosovës,gjë që është dëshmuar në disa raste me veprime konkrete ushtarake dhe terroriste ndaj Republikës sonë, nënshkrimi i marrëveshjes ushtarake tre palshe – Kroaci, Shqipëri dhe Kosovë- para ca ditësh në Tiranë, është një veprim konkret mbrojtës ndaj këtyre pretendimeve territoriale destabilizuese”, shkroi Qehaja në ‘Facebook’.

    Sipas tij, gjendja destabilizuese në Bosnje e Hercegovinë si rezultat i destruktivitetit të Republikës Srpska atje, nën përkrahjen e vazhdueshme të Serbisë, tregon brishtësinë tejet të theksuar të situatës së sigurisë në Ballkan.

    “Kujtoj se intenca e NATO-s për më shumë investim në ngritjen e gatishmërisë ushtarake të forcave të armatosura të saj e në veçanti të Shqipërisë, si anëtare të kësaj aleance dhe tentimit për ngritjen e gatishmërisë ushtarake përkatësisht të mbrojtjes edhe të Kosovës, janë sinjale që tregojnë vendosmërinë e këtyre tri shteteve për t’ju kundërvënë veprimeve destabilizuese serbe. Prandaj, unë mendoj se nënshkrimi i kësaj marrëveshje ushtarake të këtyre tri shteteve, nuk është kurrfarë provokimi, siç thonë nga Beogradi zyrtar, por veprim konkret për stabilitet në Ballkan. S’do mend se përkundër ekzistimit të një pjese të NATO-s në Kosovë – te quajtur KFOR – blerja e armatimit dhe ngritja e gatishmërisë ushtarake të FSK-së ,përkatësisht mbështetja në forcat tona vetanake , mbetet një ndër prioritetet më të rëndësishme në momentin aktual”, tha gjeneral Qehaja.

  • Sorensen: ​Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, prioritet në dialog

    Sorensen: ​Zbardhja e fatit të personave të zhdukur, prioritet në dialog

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha të mërkurën se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është prioritet në dialog.

    Sorensen shkroi në X pasi vizitoi Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

    Ai tha se zbardhja e fatit të personave të pagjetur është domosdoshmëri humanitare.

    “Zbardhja e fatit të personave të zhdukur është një domosdoshmëri humanitare. Kjo është arsyeja pse personat e zhdukur janë prioritet për mua në dialog”, shkroi Sorensen.

    Në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur 1.600 persona të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

  • Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë patrullojnë në veri të Kosovës

    Ushtarët amerikanë në kuadër të misionit paqeruajtës të KFOR-it bënë një patrullim në veri të Kosovës, në afërsi të vijës kufitare me Serbinë.

    Ata patrulluan me automjete si dhe në këmbë përgjatë vijës kufitare.

    KFOR-i në njoftimin në Facebook vuri në dukje se këto patrullime janë për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë.

  • Prezantohen përgatitjet për PISA, këto janë fushat ku do të jetë fokusi

    Prezantohen përgatitjet për PISA, këto janë fushat ku do të jetë fokusi

    Kosova ka nevojë të përmirësohet në fushën e matematikës dhe shkencës që të shënojë përmirësim në testin PISA që do të mbahet këtë vit.

    Kështu u tha në konferencën “Ndikimi i PISA-s në informimin e politikave arsimore në Kosovë” – organizuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë, dhe Inovacionit.

    Ndërkaq, të rejat e PISA-s janë se testi do të mbahet online dhe përveç fushës së matematikës dhe shkencës edhe leximi do të jetë fushë kryesore.

    Fushë e re që edhe Kosova e ka këtë vit, është të jetuarit në botën digjitale.

    Ministrja në detyrë e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se nga të dhënat e PISA-s, shumë mësimdhënës kanë deshtuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit dhe sipas saj 35 për qind e nxënësve kanë raportuar se mësimdhësit nuk kanë treguar interes për të mësuarit e secilit nxënës.

    “Që nga viti 2015, për herë të parë Kosova mori pjesë në PISA, është folur me të drejtë shumë për rezultatet dhe është punuar, ka pasur angazhim për rezultate më të mira. Të dhënat e PISA-s tregojnë se shumë mësimdhënës për fat të keq, po flas në përgjithësi, jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në rezultatet e OECD-së [Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik] tregojnë se mësimdhënësit kanë dështuar në ofrimin e mësimdhënies adekuate për nxënësit dhe 35 për qind e nxënësve kanë raportuar se mësimdhënësit nuk kanë treguar interesim për të mësuarit e secilit nxënës dhe në rastet më të shpeshta ata që nuk arrin të marrin mbështetjen e nevojshme e të duhur nga mësimdhënësit, janë pikërisht ata që kanë më së shumit nevojë. Kjo mesatare është përafërsisht në të gjitha vendet e OECD-së”, tha Nagavci.

    Ndërsa, udhëheqësi i Qendrës për Standarde dhe Vlerësim nga MASHTI, Fatmir Elezi shtoi se këtë vit, MASHTI do të shpërndajë rezultatet individuale në çdo shkollë.

    Elezi tha se janë përzgjedhur 239 shkolla, nga 65 nxënës nga një shkollë, e në total do zgjedhen 7.500 nxënës.

    “Këtë vit do të shpërndajmë rezultatet individuale në çdo shkollë. Në 2025 shkenca është kryesore. Ky vit i PISA-s do të ketë një theks të veçantë te shkencat, me një fokus të veçantë në mënyrën se si nxënësit përdorin njohuritë shkencore për të kuptuar dhe adresuar problemet e ndryshimeve klimatike dhe sfidat mjedisore. Edhe leximi është një prej fushave kryesore, nxënësit do të duhet të analizojnë dhe interpretojnë informacionin nga tekste të ndryshme. PISA do të vazhdojë të vlerësojë aftësitë e nxënësve në përdorimin e matematikës për të zgjidhur probleme nga jeta e përditshme, duke përfshirë gjithashtu problemet që kërkojnë të dhëna dhe analizë numerike. Një fushë e re që edhe Kosova e ka këtë vit është të jetuarit në botën digjitale. Testi do të jetë online. Janë përzgjedhur 239 shkolla. Nga 65 nxënës nga një shkollë total do zgjedhën 7 mijë e 500 për të marre pjesë 6 shkolla serbe të përzgjedhura”, shtoi Elezi.

    Drejtori i OECD-së për arsim, Andreas Schleicher u shpreh se nuk ka ndryshime në aftësitë matematikore në te gjitha vendet, duke përfshirë edhe Kosovën.

    “Kur shikojmë rezultatet në nivelin e OECD-së, pavarësisht rritjes së kërkesave për aftësi, nuk kemi parë shumë ndryshime në aftësitë matematikore. Madje, gjatë katër viteve të fundit, kemi parë një rënie. Edhe Kosova ka parë të njëjtin trend, megjithëse në një masë më të vogël sesa mesatarja e OECD-së. Kosova ka qenë më e suksesshme në ruajtjen e rezultateve të saj gjatë pandemisë sesa vende të tjera. Por, megjithatë, tendenca nuk është e mirë. Nuk po arrijmë të rrisim njohuritë dhe aftësitë e të rinjve, por po shohim një lloj stagnimi. Ajo që kemi parë në Kosovë është një performancë e qëndrueshme, ashtu siç e shohim në shumicën e vendeve. Dhe kjo shpjegon pozicionin që kanë këto vende në testin përfundimtar”, u shpreh ai.

    Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Studentëve (PISA) është një vlerësim ndërkombëtar i aftësive dhe njohurive të 15-vjeçarëve. PISA vlerëson performancën e nxënësve mbi detyrat e jetës reale. /kp

  • Glauk Konjufca shkon për ngushëllime te familja e Thaçit

    Glauk Konjufca shkon për ngushëllime te familja e Thaçit

    Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka qëndruar sot në Skenderaj, ku është takuar me familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.

    Babai i Hashim Thaçit, Haxhiu, u nda nga jeta të dielën mbrëma, ndërkaq lamtumira e fundit iu dha dje, në fshatin Burojë.

    Për tri ditë radhazi do të ketë të pame për vdekjen e Haxhi Thaçit, teksa Konjufca sot ngushëlloi familjarët e të ndjerit.

    Pas përfundimit të vizitës, ai shkroi disa fjalë edhe në librin e zisë.

  • Nesër varrosen viktimat e tragjedisë së Koçanit, organizimi do të bëhet në koordinim me familjet

    Nesër varrosen viktimat e tragjedisë së Koçanit, organizimi do të bëhet në koordinim me familjet

    Të enjten pritet të bëhet varrimi i 59 viktimave që humbën jetën nga tragjedia e 16 marsit në klubin “Pulse” në Koçan.

    Lamtumira e fundit to t’u jepet viktimave në vendet e tyre të lindjes, por shumica janë nga Koçani.

    Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, njoftoi se transportimi i trupave të pajetë do të bëhet në koordinim me familjet, nëse duan t’i transportojnë privatisht apo me organizim të shtetit.

    “Unë kam informatë se në mjekësinë ligjore kanë mbaruar të gjitha autopsitë dhe besoj se në mënyrë si kanë kërkuar familjet e atyre që kanë të vdekur nga ky rast, privat apo do të ketë organizim prej shtetit në bazë të koordinimit me ato, ashtu do të veprojmë”, tha Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë.

    Në Koçan tashmë janë hapur varret. Nga Kisha Ortodokse Maqedonase, për Alsat njoftuan se varrimi pritet të bëhet në mesditë.

    Në mesditë në Shkup, përkatësisht në Lisiçe dhe Butel pritet të bëhet varrimi edhe i një pjese të anëtarëve të grupit muzikor DNK, të cilët ishin në mesin e 59 viktimave.

    Ceremoni varrimi nesër do të bëhen në Koçan, Shtip, Vinicë, Zërnoc, Makedonska Kamenicë, Çeshinovë- Obleshevë, Probishtip dhe në Shkup. Varrimi pritet të bëhet me nderimet më të larta shtetërore./ Alsat.mk

  • Avokati i Popullit për rastin e Thaçit: Specialja veproi në kundërshtim me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut

    Avokati i Popullit për rastin e Thaçit: Specialja veproi në kundërshtim me dinjitetin dhe të drejtat e njeriut

    Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e ka quajtur shkelje të të drejtave të njeriut dhe cenim të dinjitetit të drejtësisë humane, refuzimin që Gjykata Speciale ia bëri Hashim Thaçit për të ardhur në Kosovë për varrimin e babait.

    Thaçit për dy herë iu refuzua ardhja në Kosovë edhe kur babanë e kishte në gjendje të rëndë shëndetësore, përderisa ende nuk ka përgjigje për kërkesën që ai e bëri për të ardhur në varrim.

    Avokati i Popullit në Kosovë, ka deklaruar se në raste kur të akuzuarit humbin familjarët, atyre duhet t’u garantohet e drejta për të marrë pjesë në ceremoninë mortore.

    “Në kuadër të respektimit të të drejtave themelore përfshihet edhe e drejta për jetë familjare dhe kontakt me botën e jashtme. Kufizimi i kontakteve me familjen duhet të jetë i justifikuar vetëm në raste të domosdoshme dhe nuk duhet të përdoret si një mjet ndëshkues. Veçanërisht në rastet e humbjes së një anëtari të ngushtë të familjes, të paraburgosurve duhet t’u garantohet e drejta për të marrë pjesë në ceremoninë mortore ose për të pasur një vizitë të veçantë familjare. Refuzimi i pajustifikuar i këtyre kërkesave është në kundërshtim me parimet e dinjitetit dhe drejtësisë humane”, ka thënë Qelaj për Nacionalen.

    “Po ashtu, dinjiteti i të paraburgosurve duhet të mbrohet në çdo fazë të procesit, përfshirë kushtet e mbajtjes dhe trajtimin e tyre nga autoritetet. Çdo formë trajtimi çnjerëzor apo degradues është e papranueshme dhe përbën shkelje të të drejtave themelore të njeriut”, tha ai më tutje.

    Avokati i Popullit ka bërë të ditur se gjatë tërë kohës, ka ngritur shqetësimet për trajtimin që po u bëhet të akuzuarve në Gjykatën Speciale.

    “Avokati i Popullit në vijimësi ka shprehur shqetësimin e tij për nevojën e garantimit të trajtimit me dinjitet dhe human të të akuzuarve dhe të paraburgosurve në procesin penal, veçanërisht në Dhomat e Specializuara. Respektimi i të drejtave të akuzuarve në procedurën penale është një detyrim kushtetues dhe ligjor që duhet të përmbushet nga të gjitha institucionet e drejtësisë që veprojnë në Republikën e Kosovës”, tha avokati Qelaj.

    “Për Avokatin e Popullit, çdo autoritet i drejtësisë ka për obligim të respektojë trajtimin me dinjitetdhe të garantojë mbrojtjen e të drejtave themelore të të paraburgosurve. Në këtë kontekst, rithekson rëndësinë e respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, sipas të cilit asnjë person i akuzuar nuk duhet të trajtohet si fajtor përpara një vendimi të formës së prerë nga gjykata”, tha ai më tutje.

    Duke qenë se ish-udhëheqësit e UÇK-së janë në paraburgim për 4 vjet e gjysmë, avokati Qelaj thotë se zgjatja e tepërt e kësaj mase, nuk duhet të përdoret si presion apo ndëshkim.

    “Paraburgimi duhet të përdoret vetëm si një masë e fundit dhe nuk duhet të shndërrohet në një formë ndëshkimi të parakohshëm. Për më tepër, tej zgjatja e paraburgimit cenon të gjitha këto të drejta dhe e deformon qëllimin e kësaj mase, e cila duhet të shërbejë vetëm për sigurimin e procedurës dhe jo të përdoret si një formë dënimi të fshehtë. Prandaj, gjykatat duhet të sigurojnë që çdo masë paraburgimi të rishikohet rregullisht dhe të mos përdoret si mjet presioni apo ndëshkimi”, ka thënë Qelaj.

    Avokati i Popullit kohë më parë kishte realizuar vizitë në Hagë, dhe me t’u kthyer kishte evidentuar shumë probleme në aspektin e të drejtave të njeriut, dhe formën e trajtimit në Gjykatën Speciale.