ATV

Category: Lajme

  • Salihaj: Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti janë produkt i Isa Mustafës

    Salihaj: Lumir Abdixhiku e Avdullah Hoti janë produkt i Isa Mustafës

    Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në emisionin COMPASS në ATV, tha se lideri aktualë i partisë, Lumir Abdixhiku si dhe ish-lideri Avdullah Hoti, janë të dy produkt i ish-kryetarit Isa Mustafa.

    Ai thotw se Abdixhiku ka bërë një prerje të madhe në LDK, duke larguar kuadro të vjetra dhe duke tentuar të ndryshojë frymën rugoviste të partisë.

    “Lumir Abdixhiku ka bërë një prerje, ka larguar përnjëherë shumë kuadro të vjetra të LDK-së dhe ka tentuar të fshijë historinë e partisë dhe të presidentit Rugova. Ai ka dashur që gjithçka të fillojë me të dhe të jetë alfa dhe omega e LDK-së”, tha Salihaj.

    Ai shtoi se as Avdullah Hoti nuk është figura që mund ta reformojë LDK-në.

    “Unë mendoj se as Avdullah Hoti nuk është një figurë që do të bënte mrekulli në LDK. Edhe ai, sikurse Lumir Abdixhiku, është produkt i Isa Mustafës. Të dy i ka instaluar në LDK Isa Mustafa”, u shpreh Salihaj.

    Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Vetëvendosja kryeministrin, LDK presidentin” – Salihaj tregon koalicionin ideal

    “Vetëvendosja kryeministrin, LDK presidentin” – Salihaj tregon koalicionin ideal

    Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, në emisionin COMPASS në ATV, tha se një koalicion mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së do të ishte një zgjidhje e mirë, me ndarjen e posteve kryesore mes dy partive.

    Sipas tij, një marrëveshje ku Vetëvendosja merr postin e kryeministrit dhe LDK-ja atë të presidentit do të ishte në interes të LDK-së, duke shmangur një opozitë të gjatë.

    “Unë mendoj se nëse do të bënte një koalicion me Vetëvendosjen dhe do të kishte një rol serioz, jo një rol të një partie marionetë, do të ishte më mirë për LDK-në. Një kompromis ku Vetëvendosja merr kryeministrin dhe LDK-ja presidentin do të ishte një zgjidhje e mirë”, tha Salihaj.

    Ai tha se një opozitë e gjatë mund të dëmtojë LDK-në, pasi ka rrezik që partia të humbasë edhe më shumë mbështetje nëse mbetet jashtë qeverisjes për tetë vite radhazi.

    “Nëse katër vjet ka qenë në opozitë dhe rri edhe katër vjet tjera, unë mendoj që njerëzit do të lodhen dhe ka rrezik që të mos mund të ngrihet, por mund të ketë edhe rënie,” u shpreh Salihaj.

    Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Salihaj: Afërsia e Isa Mustafës dhe shokëve të tij me Hashim Thaçin e kanë shkatërruar LDK-në

    Salihaj: Afërsia e Isa Mustafës dhe shokëve të tij me Hashim Thaçin e kanë shkatërruar LDK-në

    Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, mbrëmë në emisionin COMPASS në ATV, tha se politikat e Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit e kanë dëmtuar rëndë Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Sipas Salihajt, bashkëpunimi i ngushtë i këtyre figurave me PDK-në dhe ish-krerët e saj ka ndikuar në rënien e mbështetjes për LDK-në.

    “Afërsia e Isa Mustafës dhe Agim Veliut me Lutfi Hazirin, si dhe raportet e tyre shumë të mira me PDK-në, me Kadri Veselin dhe Hashim Thaçin, e kanë sjellë LDK-në në këtë situatë që është sot”, tha Salihaj.

    Ai shtoi se rezultatet e zgjedhjeve të fundit janë pasojë e këtyre qëndrimeve politike, duke theksuar rënien e partisë në skenën politike.

    “Zgjedhjet e kaluara LDK-ja i përfundoi me 14 për qind, tani është rritur në 17-18 për qind, por pasojat e politikës së Isa Mustafës, Agim Veliut dhe Lutfi Hazirit janë të dukshme edhe sot”, u shpreh Salihaj.

    Deklaratën e plotë të Adem Salihajt në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Vizita e presidentit të Letonisë, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente

    ​Vizita e presidentit të Letonisë, Policia njofton se do të ketë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në disa segmente

    Të enjten dhe të premten në Kosovë do të qëndrojë për vizitë zyrtare presidenti i Letonisë, Edgars Rinkevics.

    Policia e Kosovës njoftoi për ndërprerje të përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojë eskorta e tij si dhe në afërsi të objekteve shtetërore.

    Sipas policisë, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative.

    “Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimin e aktiviteteve sipas agjendës së vizitës, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut [në intervale të shkurtra kohore] të disa segmenteve rrugore [ku pritet të kalojë eskorta] dhe në afërsi të objekteve shtetërore, ku do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative”, tha Policia e Kosovës në një njoftim derisa kërkoi mirëkuptim nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik.

    Rinkevics do të pritet nga presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në ora 13:00.

    Pas këtij takimi, sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e presidentes pritet që të mbahet edhe konferencë për media.

  • Bullgaria dërgon kontingjent ushtarak në Kosovë, 120 ushtarë i bashkohen KFOR-it

    Bullgaria dërgon kontingjent ushtarak në Kosovë, 120 ushtarë i bashkohen KFOR-it

    Në Blagoevgrad të Bullgarisë u mbajt një ceremoni zyrtare për dërgimin e një kontingjenti të Komandës së Brigadës së Tretë, e cila do të marrë pjesë në Forcën Rezervë Operacionale të Forcës Stabilizuese të NATO-s në Kosovë.

    Priftërinjtë shërbyen me lutje solemne për shëndet dhe kthim të suksesshëm nga misioni, ndërsa fjalimet u mbajtën nga kryetari i Komunës së Blagoevgradit Metodi Bajkushev dhe guvernatori i rajonit të Blagoevgradit, Georgi Dinev.

    “Ushtria bullgare kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, tha gjatë ceremonisë shefi i mbrojtjes Admirali Emil Eftimov”, njofton Agjencia Telegrafike Bullgare (BTA).

    Ai vuri në dukje se 120 persona do të dërgohen nga Komanda e Brigadës së Tretë të Blagoevgradit në zonën e misionit për të paktën tre muaj.

  • Raporti botëror i lumturisë për vitin 2025 – Kosovarët, më të lumturit në rajon

    Raporti botëror i lumturisë për vitin 2025 – Kosovarët, më të lumturit në rajon

    Kosovarët edhe për vitin 2025 janë më të lumturit në rajon, sipas Raportit Botëror të Lumturisë. Kosova, ashtu si vitin e kaluar, mban vendin e 29-të në listën e shteteve më të lumtura në botë. Studimi u zhvillua në 147 shtete.

    Pas Kosovës, nga vendet e rajonit, Serbia renditet e 31-ta, Mali i Zi i 71-ta, Kroacia e 72-ta, Maqedonia e Veriut e 86-ta dhe Shqipëria e 89-ta.

    Renditja, e publikuar nga Qendra Kërkimore e Mirëqenies në Universitetin e Oksfordit, u përcaktua përmes anketave të vetëvlerësimit ku individët vlerësuan jetën e tyre nga një shkallë nga 0-10.

    Ky është Raporti i 13-të vjetor i Lumturisë Botërore, i publikuar për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Lumturisë të OKB-së.

    Lexoni edhe:

    Dita ndërkombëtare e lumturisë

  • BE-ja në alarm: Përgatitje për luftë me Rusinë dhe strategji të rrepta mbrojtjeje

    BE-ja në alarm: Përgatitje për luftë me Rusinë dhe strategji të rrepta mbrojtjeje

    Bashkimi Evropian duhet të përgatitet menjëherë për mundësinë e një konflikti të gjerë me Rusinë, sipas një dokumenti strategjik të publikuar sot nga Komisioni Evropian.

    Në këtë dokument, i njohur si Libri i Bardhë, sugjerohet se nëse Rusia arrin qëllimet e saj në Ukrainë, mund të përpiqet të zgjerojë ambiciet e saj territoriale. Viti 2030 është parashikuar si një periudhë potenciale për këtë zhvillim.

    “Evropa duhet të jetë e gatshme për luftë nëse dëshiron ta shmangë atë,” thuhet në dokument.

    Kjo strategji e re është një përgjigje edhe ndaj deklaratave të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, i cili ka lënë të kuptohet se Shtetet e Bashkuara mund të mos jenë më një mbështetje e pakushtëzuar për paqen në Evropë.

    “Arkitektura e sigurisë, në të cilën kemi ndërtuar mbështetjen tonë, nuk mund të konsiderohet më e sigurt,” tha Ursula von der Leyen, presidentja e Komisionit Evropian, duke theksuar nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje dhe forcimin e aftësive industriale të Evropës në këtë fushë.

    Komisioni ka identifikuar shtatë fusha kyçe ku duhet të mbyllen boshllëqet në aftësitë ushtarake, përfshirë mbrojtjen ajrore dhe atë nga raketat, përdorimin e dronëve dhe luftën elektronike.

    Sipas Komisionit, shtetet anëtare të BE-së duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për të blerë dhe porositur së bashku të paktën 40% të materialeve ushtarake të nevojshme, për të eliminuar varësitë dhe për të bërë blerje masive të municioneve, raketave dhe dronëve.

    Gjithashtu, Komisioni ka njoftuar se do të mobilizohen rreth 800 miliardë euro për projekte të riarmatimit, duke përfshirë një fond të ri prej 150 miliardë eurosh, i cili do të përjashtojë përkohësisht disa investime të mbrojtjes nga kufizimet e borxhit dhe deficitit të BE-së.

    Për më tepër, Komisioni planifikon të thjeshtojë rregulloret dhe kërkesat për industrinë e armëve, me qëllim që të sigurojë një mbështetje edhe më të fortë për Ukrainën, e cila aktualisht po përballet me sulmet e Rusisë.

  • Stomatologu Albert Syla: Pacientët në vendin tonë më shumë po i kushtojnë rëndësi estetikës sesa shëndetit të dhëmbëve

    Stomatologu Albert Syla: Pacientët në vendin tonë më shumë po i kushtojnë rëndësi estetikës sesa shëndetit të dhëmbëve

    Në një intervistë për emisionin informues ALARM në ATV, stomatologu Albert Syla foli për kujdesin ndaj shëndetit oral, duke vënë në pah një dukuri shqetësuese në vendin tonë, ku thotë se ‘pacientët po i kushtojnë më shumë rëndësi estetikës së dhëmbëve sesa shëndetit të tyre të përgjithshëm”.

    Sipas tij, edhe pse njerëzit kanë qasje të lehtë në shërbimet dentare, fokusi i tyre është kryesisht tek dukja e jashtme, ndërsa kujdesi për higjienën dhe shëndetin e dhëmbëve shpesh anashkalohet.

    “Ne jemi me fat që kemi qasje të lehtë në shërbimet dentare. Në botë, rreth 30% e popullsisë nuk ka këtë mundësi. Por fatkeqësisht, shumica e pacientëve i kushtojnë më shumë rëndësi dukjes estetike të dhëmbëve, veçanërisht pjesës ballore, sesa kujdesit të plotë. Pjesa anësore e dhëmbëve, e cila është thelbësore për përtypjen dhe shëndetin e përgjithshëm, shpesh neglizhohet”, tha ai.

    Intervistën e plotë të stomatologut Albert Syla në ALARM, e gjeni në videon më poshtë:

  • Trumpi do ta nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit, thotë Shtëpia e Bardhë

    Trumpi do ta nënshkruajë urdhrin për mbylljen e Departamentit të Arsimit, thotë Shtëpia e Bardhë

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, do të nënshkruajë të enjten një urdhër ekzekutiv të pritur gjatë me të cilin synohet mbyllja e Departamentit të Arsimit, duke përmbushur një premtim kyç të fushatës, sipas një përmbledhjeje të Shtëpisë së Bardhë që e ka parë agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Edhe para se të nënshkruhet, ky urdhër ishte duke u sfiduar nga një grup i prokurorëve shtetërorë në shtetet amerikane që udhëhiqen nga demokratët, të cilët kanë paraqitur padi me synimin për ta bllokuar mbylljen e këtij departamenti nga Trumpi dhe ndërprerjen e përjashtimeve nga puna të gati gjysmës së stafit, që u njoftuan javën e kaluar.

    Trumpi dhe këshilltari i tij miliarder, Elon Musk, kanë bërë përpjekje që të mbyllin programe dhe institucione qeveritare si Agjencia për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) pa miratimin nga Kongresi, por zhbërja e Departamentit të Arsimit do të ishte përpjekja e parë e presidentit për të mbyllur një agjenci të nivelit të kabinetit.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë nuk mund ta mbyllë Departamentin e Arsimit pa legjislacion nga Kongresi, hap që mund të jetë i vështirë. Republikanët e Trumpit kanë shumicë ulësesh 53 me 47 në Senat, por për miratim të legjislacioneve të rëndësishme si mbyllja e një agjencie të nivelit të kabinetit do të nevojiteshin 60 vota, pra edhe mbështetja e shtatë demokratëve.

    Demokratët e Senatit nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do ta përkrahin mbylljen e Departamentit të Arsimit, raporton agjencia “Reuters”.

    Në urdhrin ekzekutiv të presidentit, sekretarja e Arsimit, Linda McMahon, udhëzohet që “t’i ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm për ta lehtësuar mbylljen e Departamentit të Arsimit dhe për t’ua rikthyer autoritetin e arsimit Shteteve, ndërkohë duke vazhduar që të garantohet shpërndarja efikase dhe e papenguar e shërbimeve, programeve dhe përfitimeve në të cilat amerikanët mbështeten”.

    Trumpi kishte propozuar që Departamenti i Arsimit të mbyllej edhe gjatë mandatit të tij të parë si president, por Kongresi nuk kishte vepruar në këtë drejtim.

    Muajin e kaluar, presidenti amerikan tha se dëshironte që ky departament të mbyllej menjëherë, por pranoi se ndoshta do të kishte nevojë për përkrahje nga Kongresi dhe sindikatat e mësuesve për ta arritur këtë qëllim./Nacionale

  • Punimet në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë vazhdojnë, banorët të shqetësuar për vonesat

    Punimet në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë vazhdojnë, banorët të shqetësuar për vonesat

    Punimet për transformimin e rrugës “Rexhep Luci”, në Prishtinë filluan në nëntor të vitit 2024, me qëllim krijimin e një hapësire më të sigurt dhe funksionale për këmbësorët.

    Megjithatë, në shtator 2024, qarkullimi i veturave në këtë rrugë u ndalua për të lejuar punimet, duke shkaktuar shqetësime te banorët. Pavarësisht protestave dhe peticioneve, Komuna insistoi në kthimin e rrugës në një minishesh. Në muajin qershor 2024, Drejtoria e Shërbimeve Publike hoqi pengesat, duke lejuar qarkullimin e veturave për mirëmbajtje dhe furnizim, por ky veprim u kritikua nga banorët.

    Sipas zëdhënësit të komunës, Donat Lushaku ky projekt që është i dizajnuar kohë më parë, por për shkaqe të ndryshme nuk ka filluar deri më tani. Tani po fillojmë me transformimin e kësaj rruge e kemi një zhvillim të mirëfilltë ku e heqim asfaltin dhe krijojmë materiale si gurë të cilat janë shumë më të mira se asfalti nga shirat e ndryshëm.

    Por sipas tij, vazhda e punimeve është duke vazhduar me një intensitet të shtuar, të cilat sipas tij pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti.

    Më tej, ai ka potencuar se kanë marrë edhe masa të shumta për të ruajtur ndotjen e kryeqytetit në atë pjesë, kështu kanë marrë parasysh edhe shqetësimet e qytetarëve.
    Megjithatë, sipas qytetarëve të cilët frekuentojnë këtë rrugë, këto punime janë stërzgjatur.

    Ndryshe, investimet infrastrukturore në Prishtinë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e qytetit, si në përmirësimin e kushteve të jetesës, rrugët, ujësjellësit, kanalizimet dhe energjia elektrike, të cilat kontribuojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët e Prishtinës. Një infrastrukturë e mirë funksionale mund të ndihmojë në rritjen e cilësisë së jetesës dhe komoditetit për banorët.

    Po ashtu këto investime po tërheqin investitorë dhe mundësojnë rritjen e sektorëve të tjerë ekonomikë. Infrastruktura moderne mund të nxisë zhvillimin e biznesit, të cilat janë një burim i rëndësishëm i punësimit dhe rritjes ekonomike.

    Dhe krejt në fund arrijnë përmirësimin e transportit dhe lëvizshmërisë. /Përgatiti: Sara Shehu

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: