ATV

Category: Lajme

  • Presidenti i Letonisë viziton Kosovën, takohet me Osmanin

    Presidenti i Letonisë viziton Kosovën, takohet me Osmanin

    Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, do të jetë për vizitë këtë të enjte në Kosovë, do të pritet në takim nga presidentja Vjosa Osmani.

    Takimi do të zhvillohet në orën 13:00, dhe mediat do të kenë mundësinë të filmojnë pamje nga pritja dhe fillimi i bisedimeve.

    Pas takimit, presidentja Osmani dhe presidenti Rinkēvičs do të mbajnë një konferencë të përbashkët për media, ku do të diskutohet për tematikat kryesore të marrëdhënieve dypalëshe.

    Mediat janë të ftuara të jenë prezente në Kabinetin e Presidentes në Presidencë, duke nisur nga ora 12:30.

  • Tragjedia në Koçan: Nga 178 të plagosurit, 101 pacientë po trajtohen jashtë shtetit

    Tragjedia në Koçan: Nga 178 të plagosurit, 101 pacientë po trajtohen jashtë shtetit

    Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve në institucionet brenda dhe jashtë vendit, konform procedurave të përcaktuara për raportim nga qendrat mjekësore jashtë vendit.

    Kjo ministri ka njoftuar se të gjithë pacientët trajtohen në mënyrë adekuate dhe marrin kujdes mjekësor të nivelit të lartë 24 orë në vend dhe në qendrat e specializuara mjekësore jashtë vendit.

    “Nga gjithsej 178 të lënduar, aktualisht në objektet shëndetësore publike në vend po trajtohen 64 pacientë, të cilët janë në gjendje relativisht stabile, 13 pacientë po trajtohen në objektet shëndetësore private dhe 101 pacientë po trajtohen në qendrat mjekësore të huaja”, thuhet në njoftim.

    Ministria tha se në Austri, nga gjithsej gjashtë pacientë që ishin në terapi intensive, një pacient është transferuar në repart, ndërsa të tjerët janë në gjendje më të rëndë, por të qëndrueshme, ndërkaq në Lituani, katër pacientë janë ende në terapi intensive, të cilët aktualisht janë në gjendje të qëndrueshme.

    “Në spitalin e Bullgarisë janë shtruar gjithsej 15 pacientë, nga të cilët shtatë janë intubuar dhe 6 i janë nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale, me hemodinamikë të qëndrueshme dhe dy kanë nisur të lëvizin sot”.

    “Në Slloveni në Qendrën Klinike Universitare në Lubjanë janë shtruar dy pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, me përmirësim të lehtë që nga dita e djeshme. Në Greqi, nga gjithsej 12 pacientë, dy janë në gjendje kritike, por të qëndrueshme për momentin, tre prej të cilëve i janë nënshtruar operacionit. Në Athinë kanë mbërritur mëngjesin e sotëm pacientë të rinj, të cilët janë shtruar në spital dhe janë nën vëzhgim”.

    “Në Belgjikë dhe Itali janë shtruar në spital 4 pacientë dhe të gjithë janë stabil. Dy pacientë në gjendje të rëndë por stabile janë shtruar në spital në Kroaci dhe janë duke u bërë analiza shtesë për tre pacientët e rinj të ardhur. Gjithashtu, në Poloni po trajtohen edhe dy pacientë, njëri prej të cilëve është ekstubuar dhe tjetri në terapi intensive. Sot po zhvillohen aktivitete përgatitore për transportin e dy pacientëve në Suedi”, thuhet tutje në njoftimin e kësaj ministrie./Alsat.mk

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbaj mot me diell.

    Temperaturat minimale sipas institutit do të lëvizin ndërmjet -1 deri 1 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 12-16 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë nga drejtimi i jugperendimit e lehtë deri mesatare”, thuhet në njoftim.

  • ​Bullgaria dërgon kontingjent ushtarak në Kosovë

    ​Bullgaria dërgon kontingjent ushtarak në Kosovë

    Në Blagoevgrad u mbajt një ceremoni zyrtare për dërgimin e një kontingjenti të Komandës së Brigadës së Tretë, e cila do të merr pjesë në Forcën Rezervë Operacionale të Forcës Stabilizuese të NATO-s në Kosovë.

    Priftërinjtë shërbyen me lutje solemne për shëndet dhe kthim të suksesshëm nga misioni, ndërsa fjalimet u mbajtën nga kryetari i komunës së Blagoevgradit Metodi Bajkushev dhe guvernatori i rajonit të Blagoevgradit, Georgi Dinev, transmeton KP.

    Ushtria bullgare kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, tha gjatë ceremonisë shefi i mbrojtjes admirali Emil Eftimov.

    Ai vuri në dukje se 120 persona do të dërgohen nga Komanda e Brigadës së Tretë të Blagoevgradit në zonën e misionit për të paktën tre muaj.

    “Jam i kënaqur me përgatitjen dhe gatishmërinë. Urdhri ka ardhur të premten, të mërkurën tashmë po i dërgojmë, që do të thotë se certifikatat që kanë kaluar më herët dhe gatishmëria që e ruajnë kanë qenë në nivelin e duhur dhe ne mund të reagojmë brenda afateve të përcaktuara”, ka theksuar Eftimov.

    Ai falënderoi zëvendëskomandantin e Forcave Tokësore dhe Komandantin e Komandës së Brigadës së Tretë në Blagoevgrad.

    “Është hera e parë që marr pjesë në një mision të tillë, nuk kam asnjë shqetësim, ndihem mirë e përgatitur dhe e motivuar”, tha Anelia Petrova nga Komanda e Brigadës së Tretë.

    Ceremonia u mbyll me një marshim të personelit ushtarak, raporton BTA

  • ​Hoti pret që Sorenseni të shtyjë përpara zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur

    ​Hoti pret që Sorenseni të shtyjë përpara zbatimin e Deklaratës për personat e zhdukur

    Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur beson se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, do ta trajtojë me seriozitet çështjen e personave të zhdukur si dhe do ta shtyjë përpara zbatimin e Deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur.

    Kështu thotë kryesuesi i këtij komisioni, Andin Hoti i cili gjatë ditës së djeshme ka takuar emisarin Sorensen, gjatë vizitës së këtij të fundit në Kosovë.

    Hoti tha se nga diplomati danez i është premtuar se shumë shpejt do të zhvillohet takimi i Komisionit të përbashkët në mes delegacionit të Kosovës dhe atij Serbisë, takim ky i cili dështoi të mbahet në janar.

    “Takimi ka qenë konstruktiv, mund të them se Sorensen ka premtuar se do të merret seriozisht me çështjen e personave të zhdukur e në veçanti me zbatimin e Deklaratës për Persona të Zhdukur e cila është në fushë të BE-së edhe po ashtu edhe me fillimin e takimeve gjë që nuk ka ndodhur deri tash për shkak të refuzimit të Serbisë, të Komisionit të Përbashkët, që është paraparë të mbahet më 15 janar. Sipas zotëri Sorensen pritet që shumë shpejt, që sapo të kthehet në Bruksel do të caktojë datën se kur do të mbahet takimi i radhës i Komisionit të përbashkët. Nuk di nëse do të jetë takim brenda këtij muaji, por unë besoj që do të jetë shumë shpejt”, u shpreh ai.

    “Pak më mirë se që ishte, do të jetë“, tha Hoti kur u pyet se cilat janë pritshmëritë e tij pas takimit me emisarin evropian.

    Ndërsa, qasja e plotë në arkivat serbe, qasja në lokacione e Serbisë e veçanërisht në Batajnicë, ishin disa nga kërkesat që kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur ia kishte shtruar në takim përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi.

    “Kjo është përshtypja ime, se ai do të merret seriozisht me këtë çështje. Nuk dua t’ua ngris asnjë lloj shprese familjarëve, se kjo varet prej takimeve të radhës, prej qëndrimeve të Bashkimit Evropian, por varet edhe prej Serbisë. Por, unë besoj që pak më mirë se ishte, do të jetë. Është e vërtetë që ne kemi dy dokumente të rëndësishme të realizuara në kohën kur ka qenë zotëri Lajçak në pozitën e këtij tash, por të dyja dokumentet nuk kanë prodhuar ndonjë rezultat, gjetje të personave të zhdukur. Dhe të dyja dokumentet nuk kanë arritur ta bindin Serbinë, pavarësisht që ajo vetë i ka pranuar se duhet të zbatohen. Po mendoj se Sorensen, me aq sa diskutuam dje do ta shtyjë këtë agjendë përpara zbatimin e plotë të Deklaratës për personat e zhdukur, qasjen e plotë në arkiva, qasjen e plotë në lokacione në territorin e Serbisë dhe në veçanti e ceka Batajnicën sepse kemi shumë interes të rikthehemi në Batajnicë”, theksoi ai.

    Hoti për KosovaPress deklaron se takimi i tij me Sorensenin është përgjigja e përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme të BE-së, Kaja Kallas karshi letrës që Hoti ia kishte dërguar javë më parë.

    “Unë mendoj se zotëri Lajçak, Komisionin e Përbashkët që e kemi themeluar bashkë ai dhe të tjerët e ka lexuar ndryshe, e ka interpretuar ndryshe, Komisioni i Përbashkët e ka një fuqi shumë të madhe sepse udhëhiqet nga BE-ja dhe ka qenë një tendencë e vogël që t’i ulët, zbritet vlera që e ka. Mendoj se takimi im me zotëri Sorensen është përgjigje e zonjës Kallas. Duhet të thekosjmë se zotëri Lajçak, pavarësisht bashkëpunimit në Bruksel ose takime të ndryshme, ka qenë disa herë në Kosovë gjatë 4 viteve të fundit dhe asnjëherë nuk është takuar me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur. Dhe mendoj se takimi i parë i zotëri Sorensen në Kosovë krahas liderëve të vendit me Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur e tregon rëndësinë e vetë dhe përgjigjen e zonjës Kallas”, tha ai.

    Në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur 1.600 persona të zhdukur me dhunë nga forcat serbe gjatë luftës së fundit.

    Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen ka marrë detyrën në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish-emisarin e BE-së për dialog, Mirosalv Lajçak.

    Në kuadër vizitës së tij të parë në Kosovë, emisari evropian u takua edhe me krerët shtetëror dhe liderët e partive opozitare.

    Ai vizitoi edhe Institutin e Mjekësisë Ligjore prej ku tha se zbardhja e fatit të personave të zhdukur është prioritet ne dialogun që ai do ta udhëheqë./kp

  • ​MFPT fillon zbatimin e sistemit të regjistrimit dhe përcjelljes së faturave

    ​MFPT fillon zbatimin e sistemit të regjistrimit dhe përcjelljes së faturave

    Thesari i Kosovës ka implementuar projektin për Regjistrimin dhe Përcjelljen e Faturave, me qëllim të rritjes së transparencës financiare dhe llogaridhënies në menaxhimin e financave publike.

    Në një njoftim të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve thuhet se nga data 4 mars 2025, operatorët ekonomikë mund të ndjekin procesin e faturës së tyre nga momenti i dorëzimit tek institucionet përkatëse deri në finalizimin e pagesës nga Thesari i Kosovës.

    Ministria u bën thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që në momentin e dorëzimit të faturës për pagesë në organizata buxhetore, të kërkojnë nga organizata buxhetore konfirmimin e dorëzimit të faturës, i cili gjenerohet nga SIMFK-ja pas regjistrimit të faturës dhe u shërben për të ndjekur statusin e pagesës, transmeton KosovaPress.

  • ​Mësohet data e re e bisedimeve Rusi-Ukrainë

    ​Mësohet data e re e bisedimeve Rusi-Ukrainë

    Bisedimet për armëpushim në luftën Rusi-Ukrainë do të vazhdojnë të dielën në Jeddah, tha i dërguari i posaçëm i Trump, Steve Witkoff.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, njoftoi se do të bisedojë sot me homologun e tij amerikan Donald Trump, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin finlandez Alexander Stubb në Helsinki.

    Pas një telefonate mes Trump dhe Putinit, ai deklaroi se Rusia ka rënë dakord për ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe objektivave në Detin e Zi, ndërsa Ukraina ende nuk e ka pranuar marrëveshjen.

    Ndërkohë, forcat ruse sulmuan Ukrainën me raketa Iskander-M, S-300 dhe 145 dronë, shkruan ANSA.

    Trump mohoi të ketë diskutuar për ndihmën ushtarake për Ukrainën, ndryshe nga pretendimet e Kremlinit. Presidenti Zelensky njoftoi se “do të bisedojë me Trump sot”, ndërsa shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, theksoi se ndalimi i ndihmës ushtarake do të favorizonte Rusinë.

    Kremlini akuzoi Kievin për mungesë reciprociteti në ndalimin e sulmeve ndaj infrastrukturës energjetike dhe kritikoi Ukrainën për refuzimin e marrëveshjes. Liderët e BE-së, Ursula von der Leyen dhe Antonio Costa, theksuan se paqja duhet të jetë e drejtë dhe e qëndrueshme, duke konfirmuar mbështetjen për Ukrainën, transmeton KosovaPress.

  • Arrihet marrëveshja me Komunën e Prishtinës, përfundon greva e transportuesve nga Podujeva

    Arrihet marrëveshja me Komunën e Prishtinës, përfundon greva e transportuesve nga Podujeva

    Pas shtatë ditëve, transportuesit nga Podujeva i kanë dhënë fund grevës pasi kanë arritur marrëveshje me Komunën e Prishtinës.

    Pasditen e së mërkurës, autobusët që po qëndronin para objektit të vjetër të Komunës janë parë duke u larguar.

    Sipas marrëveshjes, autobusët nga Podujeva do të vijnë deri te “Xhamia e Llapit” dhe do të kalojnë nga rruga “Zagrebi” për në Stacion të Autobusëve. Gjithashtu, do t’i paguajnë gjobat e marra nga Policia për parkimin e autobusëve para Komunës.

    Transportuesit nga Podujeva hynë në grevë pasi kundërshtuan vendimin e Komunës së Prishtinës që ndalon futjen e autobusëve ndërurbanë brenda qytetit.

    Të martën pati një takim me një grup punues, të formuar nga Komuna e Prishtinës, për zgjidhjen e mospajtimeve.

    Transportuesit nga Podujeva nuk u pajtuan as me vendimin e fundit të Komunës së Prishtinës, që e parasheh përfshirjen falas të biletës gjithëditore për transportin urban në biletën ndërurbane te qytetarët që udhëtojnë nga qytetet e tjera për në Prishtinë përmes Stacionit të Autobusëve.

  • Nesër bëhet varrimi i viktimave të tragjedisë së Koçanit

    Nesër bëhet varrimi i viktimave të tragjedisë së Koçanit

    Të enjten pritet të bëhet varrimi i 59 viktimave që humbën jetën nga tragjedia e 16 marsit në klubin “Pulse” në Koçan.

    Lamtumira e fundit to t’u jepet viktimave në vendet e tyre të lindjes, por shumica janë nga Koçani.

    Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, njoftoi se transportimi i trupave të pajetë do të bëhet në koordinim me familjet, nëse duan t’i transportojnë privatisht apo me organizim të shtetit.

    “Unë kam informatë se në mjekësinë ligjore kanë mbaruar të gjitha autopsitë dhe besoj se në mënyrë si kanë kërkuar familjet e atyre që kanë të vdekur nga ky rast, privat apo do të ketë organizim prej shtetit në bazë të koordinimit me ato, ashtu do të veprojmë”, tha Arben Taravari – Ministër i Shëndetësisë.

    Në Koçan tashmë janë hapur varret. Nga Kisha Ortodokse Maqedonase, për Alsat njoftuan se varrimi pritet të bëhet në mesditë.

    Në mesditë në Shkup, përkatësisht në Lisiçe dhe Butel pritet të bëhet varrimi edhe i një pjese të anëtarëve të grupit muzikor DNK, të cilët ishin në mesin e 59 viktimave.

    Ceremoni varrimi nesër do të bëhen në Koçan, Shtip, Vinicë, Zërnoc, Makedonska Kamenicë, Çeshinovë- Obleshevë, Probishtip dhe në Shkup. Varrimi pritet të bëhet me nderimet më të larta shtetërore./ Alsat.mk

  • Sulmi i armatosur në qendrën e shitjeve të automjeteve Tesla në Las Vegas, reagon ashpër Musk

    Sulmi i armatosur në qendrën e shitjeve të automjeteve Tesla në Las Vegas, reagon ashpër Musk

    Një sulm i armatosur ka ndodhur të martën në një qendër shitjeje të automjeteve Tesla në qytetin e Las Vegasit, duke lënë disa automjete të dëmtuara, ndër të cilat të paktën dy kanë shpërthyer në flakë. Autoritetet besojnë se autori i veshur me të zeza, përdori koktej molotov dhe armë zjarri për të realizuar sulmin rreth orës 2:45 të mëngjesit, sipas kohës lokale.

    Ndihmëssherifi Dori Koren nga Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegasit (LVMPD) tha në një konferencë për shtyp se të paktën pesë automjete Tesla u dëmtuan gjatë “të paktën tre raundeve” të të shtënave.

    Ai gjithashtu shtoi se fjala “rezisto” ishte shkruar me spërkatës në dyert e përparme të objektit të biznesit. Gjatë hetimit, një koktej molotovi i pandezur u gjet në një nga automjetet e dëmtuara.

    Koren e përshkroi këtë incident si një “sulm të shënjestruar”, por shtoi se autoritetet besojnë se ishte një rast i izoluar dhe nuk ka ndonjë kërcënim të mëtejshëm për publikun e gjerë.

    Ai theksoi se si masë paraprake, është rritur prania e policisë në lokacionet e ndryshme të Teslas.

    Shefi Ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk, e ka dënuar ashpër sulmin, duke e cilësuar atë “të çmendur dhe thellësisht të gabuar”.

    Musk shtoi se Tesla, si prodhues i automjeteve elektrike, “nuk ka bërë asgjë për t’i merituar këto sulme të liga”.

    Ky sulm është pjesë e një vale sulmesh që kanë synuar objektet e Teslas, të cilat janë nxitur nga reagimet kundër aktiviteteve politike të Musk, përfshirë rolin e tij në Departamentin e Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) nën administratën e ish-presidentit Trump.

    Në reagim, Presidenti Donald Trump ka premtuar të etiketojë dhunën e tillë si terrorizëm të brendshëm dhe ka kërcënuar autorët me pasoja të rënda.

    Për më tepër, javën e kaluar, Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi lëshoi një paralajmërim për vandalët që mund të synojnë Tesla-n, duke thënë: “Nëse do të prekni ndonjë Tesla, shkoni në një pikë shitjeje, bëni ndonjë gjë, më mirë kini kujdes sepse ne po ju ndjekim”.