ATV

Category: Lajme

  • ​Dekada e fundit shënohet si më e nxehta për botën

    ​Dekada e fundit shënohet si më e nxehta për botën

    Një raport nga Organizata Botërore Meteorologjike (WMO), i konsideruar si burimi më i besueshëm për klimën, tregon gjendjen kritike të planetit i cili ka regjistruar 10 vitet më të nxehta gjatë dekadës së fundit.

    Viti 2024 u konfirmua si më i nxehti ndonjëherë, me temperaturat globale që për herë të parë mund të kenë tejkaluar 1.5°celcius mbi nivelet para-industriale. Nivelet e gazrave serrë, përfshirë CO2, metanin dhe oksidin e azotit, janë më të lartat në 800.000 vitet e fundit, shkruan CNN.

    Oqeanet po nxehen me ritëm të përshpejtuar, duke shkaktuar zbardhjen e koraleve, stuhi të fuqishme dhe shkrirje të madhe të akullnajave. Niveli i deteve është dyfishuar që nga viti 1993, duke arritur rekordin më të lartë në 2024, me pasoja të rënda për komunitetet bregdetare, përmbytje dhe erozion.

    Viti 2024 shënoi zhvendosjen më të madhe të popullsisë për shkak të klimës në 16 vjet, me miliona njerëz të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të cikloneve, përmbytjeve dhe thatësirave.

    Shkencëtarët paralajmërojnë se neutraliteti karbonik nuk është më i mjaftueshëm dhe se mungesa e veprimit nga qeveritë dhe bizneset vetëm do ta përkeqësojë situatën.

  • ​Ngrihet aktakuzë për personin që iu gjetën arsenal armësh në Leposaviq

    ​Ngrihet aktakuzë për personin që iu gjetën arsenal armësh në Leposaviq

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Degën në Leposaviq, kundër të pandehurit R.M., në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, raporton KP.

    Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri R.M., më 31 tetor 2024, në fshatin Soqanicë të komunës Leposaviq, me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë pa leje të organit kompetent, pushkë të gjuetisë dhe gjashtëmbëdhjetë fishekë të armës së gjuetisë.

    Ndërsa, të pandehurit në shtëpi i janë gjetur dhe sekuestruar:

    Një (1) pushkë gjysëm automatike, Një (1) pushkë automatike, Një (1) pushkë ajrore, Një (1) gaz maskë ushtarake, Pesë (5) thika të ndryshme, Dy (2) kapela të policisë serbe, Njëzetë (20) fishekë të vendosura në fotrolla ushtarake, Nëntëdhjetë (90) fishekë të kalibrave të ndryshëm, Një (1) palë dylbi të pushkës, Një (1) bajonetë pushke, Një (1) shufër metalike të policisë, Tetëdhjetë e shtatë fishekë (87) të pushkës së gjuetisë, Një (1) radiolidhje,
    Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurin ta shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

  • Presidentja Osmani në Berlin: Faleminderit, President Clinton, mbi të gjitha për jetët e shpëtuara

    Presidentja Osmani në Berlin: Faleminderit, President Clinton, mbi të gjitha për jetët e shpëtuara

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mbajti fjalim në Berlin për presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.

    “Mbrëmë në Berlin, pata nderin ta lexoj një ‘Laudatio’ për Presidentin Bill Clinton, i cili u nderua me çmimin “Paqebërësi i Shekullit” nga “World Forum”.

    Teksa qëndroja para tij, kujtova marsin e vitit 1999, kur dëgjonim me shpresë fjalimet e tij në një radio të vogël, ndërsa përjetonim tmerret e regjimit të Millosheviqit. Sot, falë luftës çlirimtare dhe falë lidershipit të botës demokratike dhe mbështetjes bipartizane amerikane, si nga demokratët ashtu edhe republikanët, Kosova frymon e lirë dhe e pavarur.

    Mbështetja e Presidentit Clinton për Kosovën ka qenë gjithmonë pasqyrim i vlerave amerikane—të lirisë, drejtësisë dhe demokracisë.

    Faleminderit, President Clinton, jo vetëm për marrëveshjet e nënshkruara, por mbi të gjitha për jetët e shpëtuara. Dhe në veçanti, faleminderit në emër të fëmijëve të tashëm të Kosovës—brezi i parë që nuk po rritet në luftë e që njeh vetëm paqe”, u shpreh presidentja Osmani.

  • Iu gjet arsenal armësh, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Leposaviq

    Iu gjet arsenal armësh, ngrihet aktakuzë ndaj të dyshuarit në Leposaviq

    Prokuroria Themelore në Mitrovicë – Departamenti i Përgjithshëm, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë – Dega Leposaviq, kundër të pandehurit R.M për “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Prokuroria njofton opinionin se i pandehuri R.M., më 31 tetor 2024, në fshatin Soqanicë të komunës Leposaviq, me dashje dhe në kundërshtim me ligjin ka mbajtur në pronësi dhe kontroll armë pa leje të organit kompetent – pushkë të gjuetisë dhe 16 fishekë të armës së gjuetisë.

    Ndërsa, të pandehurit në shtëpi i janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjysmë-automatike, një pushkë automatike, një pushkë ajrore, një gaz maskë ushtarake, pesë thika të ndryshme, dy kapela të policisë serbe, 20 fishekë të vendosura në fotrolle ushtarake, 90 fishekë të kalibrave të ndryshëm, një palë dylbi të pushkës, një bajonetë pushke, një shufër metalike të policisë, 87 të pushkës së gjuetisë dhe një radiolidhje.

    Prokurori i Shtetit, i ka propozuar gjykatës, që të pandehurin ta shpallë fajtorë për veprën e kryer penale dhe ta dënojë sipas ligjit.

  • Valë e re e sulmeve izraelite në Gaza, vriten 13 persona

    Valë e re e sulmeve izraelite në Gaza, vriten 13 persona

    Të paktën 13 persona raportohet se janë vrarë në sulmet ajrore në të gjithë Gazën gjatë natës, pasi Izraeli tha se po rifillonte operacionet luftarake në territorin palestinez.

    Dy civilë u vranë dhe pesë të tjerë u plagosën kur një dron izraelit goditi një tendë pranë zonës humanitare al-Mawasi, raporton agjencia palestineze e lajmeve Wafa, duke cituar mjekët e Gjysmëhënës së Kuqe.

    Ushtria izraelite tha se kishte shënjestruar atë që e quajti një vendndodhje ushtarake të Hamasit nga ku grupi po përgatitej të qëllonte në Izrael. Anijet e kontrolluara nga Hamasi u goditën gjithashtu, tha ushtria.

    Kjo vjen pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se luftimet do të rifillonin “me forcë të plotë”, duke shtuar: “Ky është vetëm fillimi”.

    Netanyahu e konsideroi rifillimin e luftimeve si një kthim në qëllimet kryesore të Izraelit – kthimin e pengjeve dhe “shpëtimin” e Hamasit – por familjet e pengjeve e kanë kritikuar vendimin, duke thënë se ai tregonte se qeveria kishte hequr dorë nga të dashurit e tyre.

    Izraeli thotë se Hamasi po mban ende 59 pengje, 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë.

  • ​Ushtarët e KFOR-it trajnohen për përdorimin e helikopterit, në veprimtarinë anti-trazira

    ​Ushtarët e KFOR-it trajnohen për përdorimin e helikopterit, në veprimtarinë anti-trazira

    Pjesëtarë italianë, bullgarë dhe maqedonas të Batalionit Kinetik të Komandës Rajonale-Perëndim të misionit të KFOR-it janë trajnuar për përdorimin e helikopterit, në veprimtarinë anti-trazira, raporton KosovaPress.

    Trajnimi synonte përmirësimin e procedurave të hipjes dhe uljes nga helikopteri ndërsa personeli mbante pajisje CRC (Crowd and Reot Control).

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet në njoftimin zyrtar të lëshuar në rrjetin social Facebook.

  • ZPS propozon pranimin e disa provave “që demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së”

    ZPS propozon pranimin e disa provave “që demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së”

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një mocion për pranimin në prova materiale dokumente që pretendohet se janë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Qeverisë së Përkohshme në Zonën e Dukagjinit.

    Në mocionin e ZPS-së të dorëzuar më 10 mars 2025, thuhet se provat e propozuara mbështesin dhe plotësojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe të dokumenteve që si fakte së bashku demonstrojnë nivelin e lartë të organizmit të UÇK-së dhe Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, duke përfshirë Zonën Operative të Dukagjinit gjatë periudhës së aktakuzës, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Sipas ZPS-së, këto dokumente mbështesin faktet që anëtarët e UÇK-së në Zonën Operative të Dukagjinit vepronin nën autoritetin dhe sipas udhëzimeve të të akuzuarve, Shtabit të Përgjithshëm dhe më vonë sipas Qeverisë së Përkohshme.

    Po ashtu, ata pretendojnë se këto dokumente tregojnë se anëtarët e asaj që ata e quajnë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”, anëtarët e saj duke përfshirë të akuzuarit dhe disa anëtarë të UÇK-së që vepronin në Zonën e Dukagjinit si Lahi Brahimaj, kanë ndarë qëllim të përbashkët kriminal të cilin e realizuan personalisht dhe përmes strukturave që i kishin vendosur.

    Zona Operative e Dukagjinit, sipas ZPS-së përfshinë Deçanin, Pejën, Gjakovën dhe pjesën e Komunës së Istogut e Klinës. Sipas tyre, kjo zonë shtrihej në rrugën kryesore të furnizimit nga Shqipëria dhe për këtë arsye ishte zonë strategjike e rëndësishme për të dy forcat kundërshtare (UÇK-në dhe palën serbe).

    Sipas mocionit, ZPS-ja thotë se provat e propozuara, dëshmitë e dëshmitarëve si dhe faktet tregojnë se gjatë periudhës se aktakuzës, disa anëtarë të UÇK-së, duke përfshirë Lahi Brahimajn, nënkomandantin e Zonës së Dukagjinit- Nazmi Brahimajn, shefin e Inteligjencës- Faton Mehmetajn dhe komandantin e Njësisë Speciale “Shqiponjat e Zeza”- Idriz Balajn, identifikuan, morën në pyetje, kërcënuan, arrestuan, keqtrajtuan dhe vranë persona që i perceptuan si bashkëpunëtorë.

    Veç kësaj, Prokuroria pretendon se veprimet e ngjashme këta persona i bënë edhe ndaj anëtarëve të LDK-së, FARK-ut, serbëve, romëve dhe personave të tjerë në dhe rreth Jabllanicës, si dhe vende të tjera të kësaj zone.

    Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së aktakuzës, të akuzuarit dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ishin të pranishëm në Jabllanicë dhe në vende të tjera të Zonës Operative të Dukagjinit duke bashkëvepruar dhe dhënë udhëzime këtyre anëtarëve të UÇK-së.

    Në mocion, thuhet se provat e Prokurorisë tregojnë se Lahi Brahimaj ishte komandant në Jabllanicë si dhe vepronte si lidhës me Shtabin e Përgjithshëm në Zonën e Dukagjinit. Ndërsa, për Ramush Haradinajn ata thonë se ishte komandant i Shtabit të Gllogjanit.

    Duke shpjeguar në kronologji, Prokuroria pretendon se në fillim të ’98-ës, veçanërisht pas sulmit të 24 marsit 1998 tek familja e Haradinajt, shtabet në Jabllanicë dhe Gllogjan u koordinuan për zgjerimin dhe konsolidimin e kontrollit mbi zonat tjera.

    Si rrjedhojë, thuhet se në fund të majit 1998 u formua Shtabi Rajonal i Dukagjinit dhe gjatë javëve në vazhdim mbajti takime të rregullta duke marrë raporte dhe duke dhënë udhëzime për shtabet lokale. Po ashtu, sipas ZPs-së, në këto takime është diskutuar edhe për masa disiplinore dhe kontrollim të lëvizjeve e veprimeve të atyre që perceptoheshin si tradhtarë ose të dyshimtë.

    Më pas, në këtë mocion thuhet se u themeluan një spital në Irzniq ku një viktimë do të vdiste më vonë nga rrahjet e vazhdueshme që i kishte marrë në qendrën e ndalimit në Jabllanicë. Ky Shtab, sipas Prokurorisë, autorizoi udhëtime, siguroi armë, logjistikë, shërbime si dhe caktoi e transferoi ushtarë.

    Veç kësaj, dëshmitë e propozuara sipas ZPS-së tregojnë se në pranverën e ’98-ës, shtabet lokale në zonë raportonin për punën e tyre në përputhje me urdhrat e udhëheqësve të tyre lidhur me disiplinën, identifikimin dhe masat e marra ndaj dezertorëve, personave të dyshimtë, spiunëve.

    “Duke marrë parasysh ritmin dhe gjerësinë e zgjerimit të UÇK-së, krijimi i Zonës Operative Dukagjin u diskutua në takimet e Shtabit Rajonal në mesin e qershorit 1998 dhe Shtabi i Komandës i Zonës Operative Dukagjin u zgjodh në një takim më 23 qershor 1998, të cilin e morën pjesë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm Lahi BRAHIMAJ dhe Rexhep SELIMI (Agron, 10)”, thuhet në mocion.

    ZPS-ja tregon se sipas dëshmive që i ka propozuar, Zona Operative e Dukagjinit përbëhej nga komandanti Ramush Haradinaj. Ndërsa, sipas tyre Shtabi i Përgjithshëm nuk ishte i lidhur me propozimet dhe përzgjedhjet e komandave të zonave.

    Megjithatë, thuhet se pasi Shtabi i Përgjithshëm mësoi se oficeri i FARK-ut, Tahir Zemaj ishte përzgjedhur për ta zëvendësuar Ramush Haradinajn si komandant i Zonës, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Lahi Brahimaj dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm ndërhynë personalisht dhe e rivendosen sërish Haradinajn në pozitën paraprake.

    Sipas Prokurorisë, ky takim ka ndodhur më 2 shtator 1998

    Ndërsa, thuhet se Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit miratoi dhe shpërndau rregullore dhe politika që pranonin autoritetin e Shtabit të Përgjithshëm dhe kërkonin identifikimin dhe ndëshkimin e personave që perceptoheshin si kolaboracionistë.

    Brigadat nga 131 deri 137 sipas ZPS-së ishin operacionale në këtë zonë në përputhje me vendimet e Shtabit të Përgjithshëm gjatë periudhës së aktakuzës dhe se komandantët ishin propozuar në bazë të një plani struktural të ofruar nga kjo strukturë kryesore.

    “Anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, përfshirë Rexhep SELIMI, ishin të përfshirë në diskutimet dhe vendimet në lidhje me emërimet e komandantëve të brigadave”, thuhet në mocionin e ZPS-së.

    Sa i takon Shërbimit të Inteligjencës, Policisë Ushtarake dhe Njësisë Speciale në këtë zonë, Prokuroria thotë se në sektorin e parë udhëheqës ishte Faton Mehmetaj, në të dytën Faton Nimonaj dhe në të tretën Idriz Balaj.

    “Këto emërime u njoftuan dhe u miratuan nga Shtabi i Përgjithshëm”, thuhet në vijim në mocionin e ZPS-së, duke shtuar se ato u krijuan nën drejtimin e komandës së Zonës Operative të Dukagjinit.

    Këto tri sektore, sipas ZPS-së, ishin përgjegjëse për koordinimin me njëra-tjetrën komandën e Zonës, brigadat, masat disiplinore, forcimin e urdhrave, hetime, arrestime, ndalime, marrje në pyetje ndaj të të dyshuarve si bashkëpunëtorë me armikun dhe kundërshtarëve të tjerë.

    Ndërsa, në verën e ’99-ës, sektori publik i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Policia Ushtarake e UÇK-së, anëtarët e Shërbimit të Inteligjencës dhe Njësia speciale në Zonën Operative të Dukagjinit vazhduan funksionet e njëjta.

    “Dëshmitë e pranuara dhe të propozuara ilustrojnë nivelin e bashkëpunimit midis këtyre njësive dhe procesin për identifikimin dhe targetimin e kundërshtarëve. Shërbimet e Inteligjencës të Zonës Operative Dukagjin prodhuan shumë raporte të shkruara, duke përfshirë një seri raportesh të numëruara nga Sektori i Inteligjencës në Zonën Operative Dukagjin, dy prej të cilëve u sekuestruan nga shtëpia e Rexhep SELIM”, thuhet në mocionin e ZPS-së.

    Sipas ZPS-së, këto raporte përmbanin informacione për ngjarjet në këtë zonë, masat disiplinore, akuzat dhe veprimet ndaj të dyshuarve si bashkëpunëtorë me armikun, anëtarëve të LDK-së, FARK-ut, serbë, romë, duke përfshirë edhe viktimat e ndaluara dhe keqtrajtuara në vendet e ndalimit në Jabllanicë, Kukës dhe Cahan.

    “Ky informacion shpërndahej, përfshirë në Komandën e Zonës Operative Dukagjin dhe brigadat. Pas kësaj, ndërmerreshin veprime të tjera, duke përfshirë pas referimeve të shkruara nga shërbimet e inteligjencës për “masat e nevojshme” kundër kundërshtarëve të caktuar. Siç është regjistruar në dëshmitë e pranuara dhe të propozuara, këto “masa të nevojshme” përfshinin ndalimin, pyetjen, keqtrajtimin dhe ekzekutimin”, thuhet në mocion.

    Dëshmitë e propozuara, sipas mocionit të ZPS-së, përmbajnë nënshkrime, numra refernece, vula dhe shenja që konfirmojnë natyrën zyrtare të tyre.

    Sipas ZPS-së, një numër i konsiderueshëm i provave të propozuara që përfshijnë periudha të ndryshme kohore janë nënshkruar, përgatitur dhe janë lëshuar nga i njëjti individë ose kanë të bëjnë me një individ.

    Sipas tyre, dokumentet administrative, operacionale dhe të inteligjencës ndjekin të njëjtin ose informacionin e ngjashëm duke përdorur shpesh edhe formate të ngjashme ose formate krejtësisht standarde.

    “Një numër i konsiderueshëm i ekspozitave të propozuara janë të lidhura dhe/ose mbështeten nga dëshmitë e dëshmitarëve dhe ekspozita të tjera të miratuara dhe të propozuara”, thuhet në mocionin e Prokurorisë.

    Sipas Prokurorisë, shumica e provave të propozuara janë sekuestruar nga autoritete serbe nga bazat dhe anëtarët e UÇK-së gjatë dhe pas periudhës së aktakuzës. Po ashtu, disa janë sekuestruar nga ZPS-ja në shtëpinë e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Andaj, sipas ZPS-s paneli duhet t’i pranojë provat e propozuara.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

  • Raportohet për bastisje në disa lokacione në veri të Kosovës

    Raportohet për bastisje në disa lokacione në veri të Kosovës

    Njësitet e Policisë së Kosovës kundër krimit të organizuar nga Prishtina aktualisht janë duke kryer kontrolle në disa lokacione në veri të Kosovës, është konfirmuar për portalin KoSSev.

    Për momentin nuk dihet se për çfarë po kryhen kërkimet dhe në cilat lokacione.

    Ky është një aksion i njësive nga Prishtina, i cili përpos në veri, aktualisht po kryhet në mbarë Kosovën.

  • ​Rusia dhe Ukraina nisin sulme ajrore ndaj njëra-tjetrës, pas bisedës Trump-Putin

    ​Rusia dhe Ukraina nisin sulme ajrore ndaj njëra-tjetrës, pas bisedës Trump-Putin

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky thotë se Rusia kishte në shënjestër “infrastrukturën civile” gjatë natës, duke përfshirë një spital në Sumi.

    “Fatkeqësisht, veçanërisht infrastruktura civile është goditur” tha ai disa orë pas bisedës telefonike Trump-Putin.

    Zelensky renditi njëmbëdhjetë rajone të Ukrainës që janë sulmuar.

    “Janë sulmet e natës ruse si ky [që] shkatërrojnë sistemin tonë energjetik, infrastrukturën tonë, jetën normale të Ukrainës, fakti që kjo natë nuk është përjashtim tregon se presioni ndaj Rusisë duhet të vazhdojë për hir të paqes”, tha presidenti ukrainas.

    Ai u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës që të vazhdojnë të ofrojnë ndihmë dhe gjithashtu të vendosin sanksione ndaj Rusisë, raporton BBC.

    Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ra dakord për një pauzë 30-ditore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, gjatë një telefonate me presidentin amerikan, Donald Trump, të martën, por hodhi poshtë një armëpushim më të plotë.

    Putin i tha Trumpit se një armëpushim i plotë do të funksiononte vetëm nëse aleatët e Ukrainës ndalonin dhënien e ndihmës ushtarake dhe ranë dakord vetëm për të ndalur sulmet në infrastrukturën energjetike.

    Ndërkaq, bisedimet për Ukrainën do të vazhdojnë të dielën në Arabinë Saudite, tha i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff.

    Gjatë bisedës, Putin dhe Trump ranë dakord gjithashtu që Ukraina dhe Rusia do të shkëmbejnë 175 të burgosur.

  • Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Gjendet pa shenja jete një person në banesën e tij në Fushë Kosovë

    Një burrë është gjetur pa shenja jete në banesën e tij në Fushë Kosovë, dje në mëngjes.

    Policia e Kosovës ka njoftuar, se ekipi i emergjencës dhe njësitë policore kanë dal në vendngjarje dhe mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës.

    Trupi i pajetë i është lejuar familjarëve për ceremoni mortore.

    “F. Kosovë/ 18.03.2025-09:00. Është raportuar se viktima mashkull kosovar në banesën e tij dyshohet se ka ndërruar jetë. Ekipi i emergjencës dhe njësit përkatëse policore kanë dalur në vendin e ngjarjes ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me kërkesën e familjarëve dhe vendim të prokurorit trupi i pajetë i është lejuar për ceremoni mortore”, thuhet në raportin 24 orësh të Policisë.