ATV

Category: Lajme

  • Sorensen: Çështja e të zhdukurve mbetet prioritet në dialog

    Sorensen: Çështja e të zhdukurve mbetet prioritet në dialog

    I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, vuri në pah rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, duke nënvizuar se çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet në dialog.

    “Familjet që ende presin të mësojnë për të dashurit e tyre meritojnë qartësi dhe drejtësi. Prandaj, çështja e personave të zhdukur mbetet prioritet për mua në dialog”, shkroi Sorensen në “X” pas vizitës në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

    Janë rreth 1.600 persona të pagjetur nga lufta e viteve 1998/99 në Kosovë – shumica prej tyre shqiptarë.

    Kosova dhe Serbia në vitin 2023 arritën Deklaratën e përbashkët për personat e zhdukur, por ajo ka mbetur pa u zbatuar nga Serbia.

  • Ministria serbe anulon vendimin për subvencionimin e fermerëve të Luginës nga Qeveria e Kosovës

    Ministria serbe anulon vendimin për subvencionimin e fermerëve të Luginës nga Qeveria e Kosovës

    Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe Dialog në Serbi ka anuluar vendimin për shpërndarjen e subvencioneve për fermerët e Luginës, subvencione këto që financohen nga Qeveria e Kosovës.

    Kështu ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi.

    Rexhepi ka thënë se ky është një veprim tjetër i diskriminimit konstant që i ndodh shqiptarëve.

    “Ministria ka anuluar vendimin për shpërndarjen e subvencioneve për fermerët, të financuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ky është një veprim tjetër i diskriminimit konstant, në çdo sferë që i ndodh shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, ka shkruar Rexhepi.

    Ai ka theksuar se komunat e Preshevës dhe Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfrat në Serbi.

    “Komunat e Preshevës e Bujanocit vazhdojnë të jenë ndër më të varfrat në Serbi, e Qeveria po vazhdon, lere që nuk ndërmerr asnjë hap drejt përmirësimit të situatës, ajo po bllokon edhe ato procese që po mundohemi të marrin bashkë me Qeverinë e Republikës së Kosovës e në mbështetjen e zhvillimit në Luginë”, ka theksuar tutje kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

    Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës kanë dorëzuar një padi kundër këtij vendimi.

    “Rreth kësaj, kemi dorëzuar Padi kundër Vendimit në Gjykatën Administrative dhe presim një vendim të drejtë. Nëse në Serbi ka qoftë edhe pak drejtësi, ky vendim duhet të kthehet dhe fermerët tanë të përfitojnë nga kjo shumë. Lufta për të drejtat tona nuk ndalet!”, ka theksuar Rexhepi.

  • ​Bimët “zombi” që ringjallen

    ​Bimët “zombi” që ringjallen

    Për të mbrojtur të korrat nga thatësira në rritje, shkencëtarët po shqyrtojnë gjenet e një grupi të vogël bimësh që mund të mbijetojnë për muaj me radhë pa ujë dhe pastaj të gjallërohen brenda disa orësh, shkruan BBC.

    Këto bimë, të njohura si “bimë ringjalljeje”, mund të humbasin mbi 95% të ujit dhe, kur merren me ujë, rigjallërohen shpejt. Ato kanë zhvilluar aftësinë për të ruajtur ujë duke zëvendësuar atë me sheqerna si sukroza, duke e kthyer brendësinë e qelizave në një substancë të ngjashme me xhamin që ngadalëson reaksionet kimike, përcjell KosovaPress.

    Shkencëtarët, përfshirë Jill Farrant, po studiojnë këto aftësi për t’i aplikuar në bujqësinë e së ardhmes, për të bërë kulturat më të qëndrueshme ndaj thatësirave që po intensifikohen për shkak të ndryshimeve klimatike.

    Ata po përdorin teknologjinë e redaktimit gjenetik Crispr për të aktivizuar këto gjenet në kulturat ekzistuese si orizi, misri dhe gruri. Kjo mund të ndihmojë bujqësinë të mbijetojë nën kushte më të vështira klimaterike, duke u bërë më të qëndrueshme ndaj thatësirave të papritura dhe ekstreme.

  • Përfundon aksioni i policisë në Mitrovicë – 21 lokacione, 16 të arrestuar

    Përfundon aksioni i policisë në Mitrovicë – 21 lokacione, 16 të arrestuar

    Ka përfunduar aksioni policor në 21 lokacione në Mitrovicë.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se janë arrestuar 16 persona.

    Preteni gjithashtu njoftoi se me vendim të prokurorit, 13 nga 16 të arrestuarit janë dërguar në mbajtje.

    Aksioni ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion, konfirmoi Policia e Kosovës.

    “Sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka filluar realizimin e një operacioni policor, i cili përfshinë dy rajone të Kosovës, atë DRP Mitrovicë Jugu dhe DRP Mitrovicë Veri. Operacioni policor ka të bëjë me luftimin e veprimtarive kriminale, të kontrabandimit me armë dhe municion”, tha për zëdhënësi i policisë së Kosovës, Baki Kelani.

  • ShBA-ja po i shton masat ndëshkuese ndaj mashtruesve me viza

    ShBA-ja po i shton masat ndëshkuese ndaj mashtruesve me viza

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë njoftuar se po i përditësojnë ligjet për të luftuar mashtrimin dhe migrimin e paligjshëm.

    Sipas njoftimit të ambasadës amerikane në Kosovën, ata që shpallen fajtorë për mashtrim me viza do të përballen me ndalim të përhershëm për hyrje në SHBA.

    Ambasada ka shtuar se kufizimet e reja të vizave zbatohen për individë dhe qeveri “që lehtësojnë migrimin e paligjshëm”.

    “Qeveria e SHBA-së ka nisur një përpjekje të koordinuar ndërinstitucionale për të luftuar mashtrimin dhe për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm. Ata që shpallen fajtorë për mashtrim me viza do të përballen me ndalime të përhershme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Politikat e reja të kufizimit të vizave zbatohen për individët dhe qeveritë e huaja që lehtësojnë migrimin e paligjshëm”, thuhet në njoftim.

  • Ambasada Amerikane ngushëllon familjen Thaçi: Urojmë që të gjeni forcë

    Ambasada Amerikane ngushëllon familjen Thaçi: Urojmë që të gjeni forcë

    Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka ngushëlluar familjen Thaçi për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

    Në një mesazh ngushëllimi drejtuar familjes Thaçi, e Ngarkuara me Punë në Ambasadën Amerikane, Anu Prattipati, ka vlerësuar se e kupton humbjen e thellë të familjes.

    Më tej, thuhet se ambasada e ShBA-së qëndron pranë familjes Thaçi dhe të gjithë të dashurve të Haxhi Thaçit në këto momente të dhimbshme

    “Ne e kuptojmë humbjen e thellë për të gjithë ju dhe duam t’ju shprehim ngushëllimet tona të sinqerta gjatë kësaj kohe të vështirë. Uroj që të gjeni forcë dhe ngushëllim në kujtimet që keni ndarë dhe në mbështetjen e atyre që ju rrethojnë”, është thënë në mesazhin e ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

  • Mungon përkthyesi, shtyhet seanca në rastin “Gylenistët”

    Mungon përkthyesi, shtyhet seanca në rastin “Gylenistët”

    Për shkak të mungesës së përkthyesit të gjuhës turke, Erdinç Tonsulu, ka dështuar të mbahet seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Gylenistët”.

    Në këtë rast, Driton Gashi në cilësinë e shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI), akuzohet se ishte angazhuar drejtpërdrejt në dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova duke shkelur procedurat ligjore.

    Në këtë seancë, ishte paraparë që të dëgjoheshin palët e dëmtuara (shtetasit turq) në cilësinë e dëshmitarëve, mirëpo në mungesë të përkthyesit nuk kishte kushte për mbajtje të seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Më 19 korrik 2023, Themelorja e kishte shpallur fajtor ish-shefin e AKI-së, Driton Gashi, duke e dënuar me 4 vite e 8 muaj burgim, derisa Valon Krasniqi dhe Rrahman Sylemani ishin liruar nga akuza.

    Por, në dhjetor 2024, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim vetëm sa i përket pikës I të dispozitivit ndaj të akuzuarit Driton Gashi, ndërsa ka vërtetuar lirimin nga akuza për dy të akuzuarit tjerë.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 24 shkurt 2021, Driton Gashi akuzohet se si person zyrtar në kohën e kryerjes së veprës penale drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, tutje AKI, prej 23 mars 2018, e deri më 29 mars 2018, në Prishtinë, me qëllim që shtetasit e Republikës së Turqisë, Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm dhe të drejtën e punës në Kosovë dhe Osman Karakoya që kishte bërë kërkesë për leje qëndrim në Kosovë, e të cilit procedura nuk i kishte përfunduar, t’i dëbojë me forcë kundërligjshëm nga Kosova dhe t’i dorëzojë tek autoriteteve turke.

    Gjithnjë sipas aktakuzës, Driton Gashi akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion, më tutje DSHAM, të MPB i rekomandoi revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Hyseyn Demir dhe Mustafa Erden dhe mosdhënien e lejes për Osman Karakoya, për arsye se kinse ata paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, fakt që nuk është provuar fare në procedurë të zbatuar në bazë të ligjit, ndërsa të akuzuarit Rrahman Sylejmani, drejtor i Drejtorisë për Migrim dhe të Huaj në Ministrin e Punëve të Brendshme, tutje DMH, i kishte rekomanduar nxjerrjen e gjashtë urdhrave për dëbimin e të dëmtuarave me forcë nga Republika e Kosovës.

    PSRK-ja pretendon se i akuzuari Driton Gashi, për këtë procedurë dhe për dëbimin e të dëmtuarve me forcë nga Republika e Kosovës, nuk e ka njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për AKI dhe as Kryeprokurorin e Shtetit siç parashihet me nenin 25 të Ligjit për AKI, dhe se ka tejkaluar po ashtu kompetencat duke përfshirë AKI, në aranzhimin e udhëtimit, transportin dhe pjesëmarrjen në operacionin e dëbimit që nuk ishin kompetenca të agjencisë që drejtonte, pastaj u angazhuan drejtpërdrejt në aksionin e dëbimit të tyre ani pse kjo nuk ishte në kompetencën e tij.

    Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkon të akuzuarin Driton Gashi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

    Sipas kësaj aktakuze, Valon Krasniqi akuzohej se si person zyrtar, drejtor në DSHAM në MPB, në periudhën kohore prej 23 mars 2018 deri më 29 mars 2018, keqpërdori detyrën zyrtare duke mos i përmbushur detyrat zyrtare sipas kompetencës, në atë mënyrë që në kundërshtim me 91 të Ligjit për të Huaj, mori vendim për revokimin e lejeve të ligjshme të qëndrimit të të dëmtuarave shtetasve Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden dhe në kundërshtim me nenin 44 të të njëjtit ligj për Osman Karakoya, që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit, pa u përfunduar ajo me vendim të formës së prerë, mirëpo veproi vetëm duke u bazuar në rekomandimin e të akuzuarit Driton Gashi për revokimin e lejeve të qëndrimit për shtetasit turq dhe pa vërtetuar fare nëse informacionet e AKI plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara me ligj për të vërtetuar se të dëmtuarit paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare.

    Gjithnjë sipas Prokurorisë, po ashtu i akuzuari Valon Krasniqi, përgjegjësitë e tij ligjore për identifikimin e të dëbuarve, sigurimin e fletë-udhëtimeve, sigurimin e kujdesit mjekësor dhe autoritetin për zbatimin e operacionit të dëbimit me forcë të tyre ia kishte kaluar AKI-së dhe Policisë së Kosovës, në këtë mënyrë duke u shkelur të drejtat e të dëmtuarve, të drejtën e qëndrimit dhe punës së ligjshme në Kosovë të dëmtuarve iu ka shkaktuar dëm moral dhe material.

    Me këto veprime, PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Valon Krasniqi se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së të KPK-së.

    PSRK-ja e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se si person zyrtar, drejtor i DMH, pranë MPB, më 29 mars 2018, në Prishtinë, tejkaloi kompetencat zyrtare në atë mënyrë që nxori gjashtë urdhra për dëbim me forcë të 6 shtetasve të Republikës së Turqisë, të dëmtuarave Cihan Ozkan, Yusuf Karabina, Kahraman Demirez, Hasan Husein Demir dhe Mustafa Erden, që kishin leje qëndrim të ligjshëm qëndrimi dhe pune në Kosovë, dhe Osman Karakoya që ishte në procedurë për marrjen e lejes së qëndrimit dhe punës edhe pse në bazë të nenit 99, par.1 të Ligjit për të Huaj, nuk ishte fare në kompetencë të DMH që drejtonte ai, por në kompetencë të DSHAM.

    Ndërsa, thuhet se urdhrat për dëbim me forcë i nxori edhe pse ishin përmbushur asnjë nga kushtet për lëshimin e urdhrit për dëbim me forcë nga neni 97, par. 1 të të njëjtit ligj dhe po ashtu pa e zbatuar procedurën e paraparë në nenin 97, paragrafi 8 i të njëjtit ligj, ndërsa, dëboi me forcë dhe deportojë të dëmtuarin Hasan Husein Gunakan në mënyrë të kundërligjshme edhe pse atij nuk i ishte revokuar fare leja e qëndrimit dhe punës në Kosovë dhe nuk kishte as urdhër për dëbimin e tij, në këtë mënyrë shkeli rënd të drejtat e të dëmtuarve për qëndrim dhe punësim në Kosovë, me ç’rast iu shkaktoi dëm moral dhe material të dëmtuarve.

    Me këto veprime, Prokuroria e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 të KPK-së.

    Po ashtu, prokuroria e akuzonte Rrahman Sylejmanin edhe se si person zyrtar, në cilësinë si në piken III- të këtij dispozitivi, gjatë muajit mars 2018 në shkollat “Mehmet Akif”, në Gjakovë dhe Lipjan dhe në shtëpinë në lagjen “Marigona” në Prishtinë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, privoi kundërligjshëm nga liria duke i dëbuar dhe deportuar me forcë të dëmtuarit e cekur në dispozitivin III pa ekzistuar asnjë bazë ligjore të paraparë me dispozitat e nenit 29, par.2 dhe 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neni 13, paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale.

    Me këto veprime, PSRK e ngarkonte të akuzuarin Rrahman Sylejmani se ka kryer veprën penale “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 196, par. lidhur me par. 3 të Kodit Penal.

  • ​“Pa ofertë në tryezë”, si po shihet vizita e parë e Sorensenit në Kosovë?

    ​“Pa ofertë në tryezë”, si po shihet vizita e parë e Sorensenit në Kosovë?

    Të zakonshme dhe jo me ndonjë ndikim të madh po shihen mesazhet e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen. Sipas analistëve politikë, diplomati danez po e përmbyll vizitën pa një ofertë për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit – të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë më 2023.

    Peter Sorensen e përfundon sot vizitën e tij tre-ditore në Kosovë. Më pas, ai pritet të udhëtojë për në Beograd, shkruan KosovaPress.

    Ai u takua të hënën me presidenten Vjosa Osmani, me kryeministrin në detyrë Albin Kurti si dhe me kryenegociatorin Besnik Bislimi.

    “Nevojën e kompromisit në dialog duhet ta përcaktojnë palët”, tha Sorensen i cili këto takime i quajti “Fillim i mirë”.

    Profesori i integrimeve evropiane, Dritëro Arifi, thotë për KosovaPress se Sorensen në vizitën e tij të parë në Kosovë ishte shumë i rezervuar, derisa thekson se ka pritur se i njëjti do të paraqet një ofertë në tavolinë “që nëse zbatohet marrëveshja e Brukselit këto do të jenë hapat që do të ndërmerren për Kosovën”.

    “[Sorensen]Nuk tha asgjë të re, janë gjëra të njohura si për palën kosovare ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Unë kam pritur që zotëri Sorensen të vjen me një ofertë në tavolinë, që ‘nëse zbatohet marrëveshja këto të jenë hapat që do të merren’. Të këtë diçka më konkrete, ose njohja nga Serbia ligjërisht të obligueshme, gjë të cilën BE-ja nuk e ka atë mundësi dhe aftësi ta bëjë. Të paktën, BE-ja e ka më lehtë që t’i bind pesë vendet mosnjohëse të BE-së që ta njohin Kosovën. Ne duhet të gjejmë një zgjidhje që të lëvizim tutje, pasi Kosova edhe nëse zbaton sot marrëveshjen nuk e ka të garantuar integrimin në BE”, thotë Arifi.

    Në anën tjetër, analisti politik, Dorajet Imeri, thotë për KosovaPress se diplomati danez në vizitën e tij në Kosovë ishte i matur në qëndrime, sipas tij, për shkak se ai “po tenton të kuptojë se ku qëndron procesi aktual i dialogut”, transmeton KosovaPress.

    Sipas tij, në bazë të mesazheve të Sorensenit “nuk mund të priten gjëra të mëdha dhe të jashtëzakonshme në dialog”, në kuptimin e njohjes së pavarësisë nga Serbia si dhe formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Vizitën e Sorensenit duhet ta shohim në shumë perspektiva. Gjëja e parë që ishte e rëndësishme të përmendet është fakti që ai e sheh dialogun si të rëndësishëm për palët. Fakti që e ka cilësuar si një nismë të mbarë, ai ka marrë konfirmimin se me gjasë se ne duhet të vijojmë më tej me çështjen e dialogut. Një gjë e rëndësishme që e ka përmendur është se pretendon se do të ketë një qasje të re dhe se palët do të zbatojnë atë që për ato është e zbatueshme. Kjo nënkupton se nuk do të kemi gjëra të mëdha dhe të jashtëzakonshme. Me këtë nënkupton se nuk mund të presim nga Serbia të njoh pavarësinë, sikurse edhe nga Kosova që të themelojë Asociacionin. Sipas evropianëve mund të bëhen gjërat e vogla por jo diçka të jashtëzakonshme”, thekson Imeri.

    Peter Sorensen gjatë vizitës së tij të parë në Kosovë është takuar edhe me liderët e partive opozitare dhe shoqërinë civile. Ai ka vizituar edhe pikat kufitare në mes Kosovës dhe Serbisë, përcjellë KosovaPress.

    Diplomati danez ka marrë detyrën si përfaqësues special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi në shkurt të vitit 2025, duke pasuar ish-emisarin Miroslav Lajçak.

    Shefja e politikës së jashtme dhe të sigurisë e BE-së, Kaja Kallas, javë më parë ka thënë se gjatë muajit mars do të shikojnë të funksionalizojnë dialogun dhe të shohin si të ecet përpara.

    Përkundër arritjes së Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, palët ende nuk kanë filluar zbatimin e saj.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel prej vitit 2011./KP

  • ​Astronautët e NASA-s kanë mbërritur në Tokë

    ​Astronautët e NASA-s kanë mbërritur në Tokë

    Pas nëntë muajsh në hapësirë, astronautët e NASA-s, Butch Wilmore dhe Suni Williams, kanë mbërritur përfundimisht në Tokë, shkruan BBC.

    Udhëtimi për në shtëpi zgjati 17 orë.

    Kapsula e tyre SpaceX bëri një hyrje të shpejtë dhe të nxehtë në atmosferën e Tokës, para se të hapeshin katër parashuta për të siguruar një ulje të butë afër brigjeve të Floridës. Pas daljes nga kapsula, astronautët u ndihmuan dhe ishin të gëzuar, duke valvitur dorën përpara kamerave, përcjell KosovaPress.

    Misioni i tyre, i cili filloi në qershor të vitit 2024, ishte parashikuar të zgjaste vetëm tetë ditë, por u zgjat për shkak të problemeve teknike me anijen Starliner të Boeing. Pas shumë muajsh në stacionin hapësinor ndërkombëtar, ata u kthyen me kapsulën e SpaceX që kishte planifikuar një mision gjashtëmujor.

    Astronautët do të kalojnë në qendrën e hapësirës Johnson në Houston për të kaluar kontrollin mjekësor dhe për t’u rikthyer gradualisht në kushte të gravitetit të Tokës. Pas periudhës së ri-adaptimit, ata do të takojnë familjet dhe miqtë që kishin pritur t’i shihnin gjatë festave të fundvitit.

  • ​AI po afrohet me mendimin njerëzor, Nvidia thotë se platforma e re e avancon atë

    ​AI po afrohet me mendimin njerëzor, Nvidia thotë se platforma e re e avancon atë

    Nvidia ka prezantuar platformën e re të çipëve Blackwell Ultra, që premton të shtyjë më tej kufijtë e inteligjencës artificiale (AI) duke mundësuar aplikacione që mendojnë dhe veprojnë në emër të përdoruesit, shkruan CNN.

    Ky çip përmirëson performancën e modeleve AI duke u mundësuar atyre të përpunojnë pyetje të ndërlikuara dhe të shqyrtojnë opsione të ndryshme. Rritja e kërkesës për çipë AI, pas suksesit të ChatGPT nga OpenAI, ka nxitur një rritje të madhe të aksioneve të Nvidia dhe e ka pozicionuar atë si lider në industrinë e AI dhe cloud.

    Ndërkohë, shfaqja e ndërmarrjes fillestare kineze DeepSeek ka ngritur dyshime për shtrirjen e nevojës për hardware të shtrenjtë në zhvillimin e modeleve të avancuara AI, përcjell KosovaPress.

    Megjithatë, Nvidia ka përjetuar suksesin e saj financiar dhe duket se po ruan pozitat kyçe në këtë sektor. Blackwell Ultra do të lejojë përgjigje më të shpejta dhe më të sakta, duke u dhënë mundësi agjentëve AI të trajtojnë pyetje më komplekse dhe të krijojnë skenarë të mundshëm për përdoruesit.

    Në të ardhmen, modelet e arsyetimit si ato të Nvidia mund të hapin rrugën për zhvillimin e “agjentëve AI” që mund të ndërmarrin veprime, si rezervimi i pushimeve ose menaxhimi i detyrave të tjera të përditshme.

    Kompanitë si Google dhe Amazon kanë shprehur gjithashtu interes për zhvillimin e ndihmësve AI që mund të ofrojnë një përvojë më të pasur dhe më të përshtatshme për përdoruesit, duke i bërë agjentët AI më të aftë në trajtimin e shumë detyrave njëkohësisht.