ATV

Category: Lajme

  • ATV shpall konkurs për lektor të gjuhës shqipe

    ATV shpall konkurs për lektor të gjuhës shqipe

    Vende të lira: 1 pozitë

     

    Kriteret e kërkuara për aplikim:

    • Titull universitar në fushën e gjuhës, letërsisë, gazetarisë, ose një fushë të ngjashme;
    • Kulturë të përgjithshme në letërsi, kulturë, politikë dhe çështje aktuale;
    • Njohuri të shkëlqyeshme të gjuhës shqipe të shkruar, përfshirë gramatikën, semantikën, shenjat e pikësimit, sintaksën dhe stilin;
    • Përvojë të mëhershme relevante në lektorim;
    • Aftësi për të punuar me disa stile të shkrimit dhe për të përshtatur stilin sipas audiencave të ndryshme;
    • Kujdes ndaj detajeve dhe aftësi për të identifikuar dhe korrigjuar gabimet;
    • Aftësi për të komunikuar efektivisht me gazetarët, redaktorët, dhe të tjerët në ekip;
    • Aftësi për të dhënë rregulla konstruktive dhe për të argumentuar ndryshimet e propozuara;
    • Fleksibilitet për të punuar me tekstet e ndryshme dhe në fusha të ndryshme;
    • Aftësi për të analizuar tekstin për probleme gramatikore, stilistike, dhe logjike dhe për t’i bërë përmirësimet e duhura;
    • Aftësi të mira personale dhe aftësi për punë ekipore;
    • Aftësi të komunikimit verbal dhe me shkrim në gjuhën shqipe dhe gjuhën angleze dhe;
    • Aftësi të punës me kompjuter.

    Detyrat dhe përgjegjësitë:

    Kandidati/ja i/e suksesshëm do të jetë përgjegjës/e për:

    • Identifikimin dhe korrigjimin e gabimeve gramatikore, drejtshkrimore dhe sintaksore në tekst;
    • Sigurimin që teksti të ndjekë një stil të përcaktuar dhe të ketë një strukturë logjike;
    • Përmirësimin e qartësisë dhe komunikimit të mesazhit në tekst;
    • Verifikimin e informacionit dhe fakteve për të siguruar saktësinë dhe kredibilitetin e tekstit;
    • Përshtatjen e stilit dhe tonit të tekstit për të përmbushur pritshmëritë e audiencës së synuar;
    • Bashkëpunim me gazetarët dhe redaktorët për të diskutuar dhe zgjidhur çështje specifike të tekstit.

     

    Për aplikim, duhet të dërgoni CV-në dhe një letër motivuese përmes email në:

    [email protected]

    me subjekt: Aplikim për Lektor të Gjuhës Shqipe

     

    Konkursi mbetet i hapur deri më 27 mars 2025.

  • 101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit të Kuvendit

    101 deputetë kërkojnë pagën kalimtare pas përfundimit të mandatit të Kuvendit

    E shtuna e 22 marsit 2025 ka qenë dita e fundit e mandatit të Legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës.Me përfundimin e këtij mandati, deputetëve që nuk kanë të hyra të tjera, ligjërisht u takon paga kalimtare për një periudhë deri në 12 muaj.

    Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, e përcakton se paga kalimtare u takon ligjvënësve deri në fillimin e realizimit të të hyrave financiare nga ndonjë burim tjetër, ose nga realizimi i pensionit. Siç nuk u takon atyre që kanë të hyra tjera, paga kalimtare s’u takon as atyre që rizgjidhen deputet. Paga bazë e deputetit është mbi 1800 euro.

    Kallxo.com ka kërkuar qasje në Kuvendin e Kosovës për të marr vesh se cilët janë deputetët që kanë kërkuar të marrin këtë pagë. Me këtë rast, Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se 101 deputetë kanë kërkuar të shfrytëzojnë të drejtën e përfitimit të pagës kalimtare.

    Nga Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, për pagë kalimtare kanë aplikuar: Adelina Grainca, Adnan Rrustemi, Adriana Matoshi, Agon Batusha, Alban Bajrami, Arbër Rexhaj, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, Arijeta Rexhepi, Arjeta Fejza, Armend Muja, Arta Bajralija, Artan Abrashi, Avni Dehari, Besim Muzaqi, Burim Meta, Dimal Basha, Driton Hyseni, Enver Dugolli, Enver Haliti, Fatmire Kollçaku, Fitim Haziri, Fitore Pacolli-Dalipi, Fjolla Ujkani, Gani Krasniqi, Gazmend Gjyshinca, Halil Thaqi, Haxhi Avdyli, Hydajet Hyseni-Kaloshi, Jahja Kokaj, Jeta Statovci, Jetmire Vrenezi, Labinotë Demi-Murtezi, Luan Aliu, Mefail Bajqinovci, Milazim Salijaj, Mimoza Kusari-Lila, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, Mirsad Shkreta, Nasuf Bejta, Nijazi Isaku, Salih Zyba, Shqipe Isufi, Shqipe Mehmeti-Selimi, Tinka Kurti, Valon Ramadani, Vendenis Lahu, Visar Korenica, Yllza Hoti.

    Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës që kanë kërkuar pagën kalimtare janë: Abelard Tahiri, Ariana Musliu-Shoshi, Blerta Deliu-Kodra, Eliza Hoxha, Elmi Reçica, Florete Zejnullahu, Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Hisen Berisha, Isak Shabani, Memli Krasniqi, Mergim Lushtaku, Rashit Qalaj dhe Xhavit Haliti.

    Nga Grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, për këtë pagesë kanë parashtruar kërkesë deputetët: Agim Veliu, Anton Quni, Arben Gashi, Armend Zemaj, Besian Mustafa, Doarsa Kica-Xhelili, Drita Millaku, Driton Selmanaj, Hykmete Bajrami, Marigona Geci, Rrezarta Krasniqi, Valentina Bunjaku-Rexhepi dhe Vlora Dumoshi.

    Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pagën kalimtare e kanë kërkuar: Albana Bytyqi, Albena Reshitaj (tash LVV), Bekë Berisha, Besnik Tahiri, Haki Abazi, Pal Lekaj, Shemsedin Dreshaj dhe Time Kadrijaj.

    Pagë kalimtare ka kërkuar edhe Fatmir Humolli, i cili deri në përfundim të mandatit ishte pa grup parlamentar. Deputetët e komuniteteve joshumicë, joserbe, që kërkuan pagën kalimtare janë: Adem Hoxha, Bekim Arifi, Duda Balje, Enis Kervan, Erxhan Galushi, Fidan Jilta, Fridon Lala dhe Samra Iljaz.

    Nga grupi parlamentar i Listës Serbe, pagë kalimtare kanë kërkuar: Blijana Maksiq, Cvetko Veljkoviq, Milan Joksimoviq, Milan Kostiq, Nenad Radenkoviq, Olivera Zdravkoviq, Rados Mihajloviq, Svetislav Jokiq dhe Zoran Maksimoviq. Nga 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, vetëm 19 nga ta nuk kanë paraqitur kërkesë për kompensim kalimtar.

    Deputetët që nuk e kërkuan këtë kompensim janë: Ardian Kastrati, Ardian Gola, Avdullah Hoti, Bahrim Shabani, Behgjet Pacolli, Bekim Haxhiu, Ekrem Mustafa, Eman Rrahmani, Enver Hoxhaj, Fadil Gashi, Ferat Shala, Fitim Uka, Glauk Konjufca, Gramoz Agusholli, Lumir Abdixhiku, Ksenija Bozoviq, Kujtim Shala, Ramush Haradinaj dhe Saranda Bogujevci.Më 22.03.2021 ishte mbajtur seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës e më pas ishte thirrur seancë e jashtëzakonshme dhe në po të njëjtën ditë edhe ishte votuar Qeveria Kurti 2.

    Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kuvendi i Kosovës ka mandat 4 vjeçar nga dita e seancës konstituive. Pas përmbylljes së këtij mandati, i vetmi organ që e ruan vijimësinë e punës së Kuvendit deri në konstituimin e legjislaturës së re është Kryesia e Kuvendit.

    Me përfundimin e mandatit kushtetues të Kuvendit, ka përfunduar edhe mandati i rregullt i Qeverisë. Nga 23 marsi, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti është me kompetenca të kufizuara.

  • Vushtrria s’gjenë qetësi: Të shtëna me armë, dyshohet për vrasje

    Vushtrria s’gjenë qetësi: Të shtëna me armë, dyshohet për vrasje

    Media lokale Jepi zë ka raportuar se ka pasur të shtëna armësh në Vushtrri.

    Mbrëmë në Vushtrri një 19 vjeçar e ka vrarë bashkëmoshatarin e tij në qendër të qytetit. Nuk dihet nëse të shtënat e dëgjuara sot lidhen me rastin apo jo.

    Ndonëse disa media raportuan se dyshohet për vrasje, Policia ende nuk ka raportuar nëse ka viktima.

  • Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania planifikon t’i dërgojë 40 ushtarë në Kosovë

    Lituania po planifikon që në Kosovë t’i dërgojë rreth 40 ushtarë të cilët do të shërbejnë në misionin e NATO-s, KFOR.

    Ky veprim i shtetit Lituanez vjen pas një kërkese të bërë nga Gjermania.

    Kjo kërkesë është përfshirë në një projekt-rezolutë për pjesëmarrje operacionet ndërkombëtare, e cila u regjistrua javën e kaluar.

    Ky numër i ushtarëve edhe mund të rritet dhe mund të shkojë deri në 60.

    Kurse, mandati aktual mundëson vetëm dërgimin e pesë ushtarëve.

    “Diskutimet në nivelin e institucioneve të mbrojtjes të të dyja shteteve kanë përcaktuar se opsioni më i realizueshëm për pjesëmarrjen e përbashkët në operacionet ndërkombëtare është të dërgohen trupat lituaneze në një njësit ushtarak gjerman që merr pjesë në operacionin ndërkombëtar të udhëhequr nga NATO në Kosovë”.

    Dhjetorin e kaluar, Ministria e Mbrojtjes mori kërkesën e Berlinit për t’i caktuar një njësi lituaneze me madhësi toge një kompanie gjermane.

    Kjo njësi, së bashku me një element mbështetës kombëtar dhe një oficer ndërlidhës, do të formonte një kontingjent kombëtar shtesë prej rreth 40 trupash lituaneze.

  • Naim Maloku në Hagë: UÇK ka qenë ushtri e rregullt vullnetare, jo në bazë të ligjeve

    Naim Maloku në Hagë: UÇK ka qenë ushtri e rregullt vullnetare, jo në bazë të ligjeve

    Dëshmitari Naim Maloku u pyet në Hagë lidhur me një libër të tij, për të cilin tha se ka mundur që të ketë disa ekzagjerime të vogla për UÇK-në.

    “Mund të ketë pasur ndonjë ekzagjerim të vogël. Në përgjithësi libri pasqyron të kaluarën time”, tha Maloku, raporton Betimi për Drejtësi.

    Dëshmitari u pyet se çka ka ekzagjeruar në librin e tij lidhur me veprimtarinë dhe funksionin e UÇK-së.

    “Ndoshta e kam paraqitë strukturën organizative dhe zinxhirin komandues si strikte. Më lejoni t’ua sqaroj se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka qenë ushtri e rregullt vullnetare. Nuk ka qenë e mobilizume në bazë të ligjeve, Qeverisë, Ministrisë së Mbrojtjes, por është organizu në baza vullnetare”, tha ai.

    Ai tha se çdo njësi vullnetare ka përgjegjësi dhe obligime që dallojnë nga njësitë e tjera që mobilizohen sipas ligjit.

    Dëshmitari u pyet edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    “Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, tha dëshmitari, duke shtuar se përpjekje si Ilir Konushevci kishte bërë edhe Qerim Kelmendi.

    Dëshmitari Maloku tha se ka pasur rezerva për kyçjen e tyre në UÇK. Tha se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

    Ai tha se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

    Si rrjedhojë, Maloku tha se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

    Ai gjithashtu tha se në ’98-ën kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këbësorisë.

    “E vetmja ushtri që gjatë kohës sa ka vepru dhe funksionu nuk ka qenë e trajnume dhe nuk ka pas në përdorim mina anti-këmbësori. Toka jonë ka qenë, shteti jonë ka qenë se ato mina kanë mujt me met aty të fshehura me dekada më vonë me dëmtu fëmijë, civil, kafshë dhe këtë ia kemi komuniku Ilir Konushevcit. Jo urdhër, se na nuk kemi pas mundësi me i dhënë urdhër Ilri Konushevcit, por i kemi këshillu dhe i kemi thënë që kurrë mos t’iu japë ushtarëve dhe të mos mësohen ushtarët për përdorimin dhe minimin dhe krijimin e fushave të minave anti-këmbësori në territorin e Kosovës”, tha ai.

  • Komuna e Prishtinës: Nga 31 marsi transportuesit për Podujevë obligohen të parkohen në Stacionin e Autobusëve

    Komuna e Prishtinës: Nga 31 marsi transportuesit për Podujevë obligohen të parkohen në Stacionin e Autobusëve

    Pas shumë ditëve grevë, drejtuesit e autobusëve që udhëtojnë çdo ditë nga Podujeva për në Prishtinë dhe anasjelltas, të premten arritën një marrëveshje.

    Komuna e Prishtinës sot nxori vendimin ku njoftohen transportuesit e udhëtarëve që operojnë brenda territorit të Podujevës se nga e hëna obligohen që të hyjnë në stacionin e autobusëve.

    Njoftohen të gjithë transportuesit e udhëtarëve që operojnë brenda territorit të Komunës së Podujevës se prej datës 31.03.2025 (e hënë) obligohen të hyjnë në Stacionin e Autobusëve.

    Nga kjo datë ndalohet parkimi dhe marrja e udhëtarëve në hapësirat e shfrytëzuara deri më tash.

    Ndaj secilit operator që vepron në kundërshtim me këtë njoftim do të merren masa ndëshkimore nga inspektorët dhe organet tjera kompetente.

  • Shënohet Dita ndërkombëtare e pyjeve

    Shënohet Dita ndërkombëtare e pyjeve

    Të premten në Parkun e Pishave në Sllatinë, u shënua Dita Ndërkombëtare e Pyjeve, duke u vënë në pah rëndësia e pyjeve jo vetëm për drurin dhe lëndën djegëse, por edhe për sigurinë ushqimore, pjellorinë e tokës, ruajtjen e biodiversitetit dhe mbrojtjen e burimeve ujore. Gjithashtu, u theksua se pyjet luajnë një rol kyç në përballjen me ndryshimet klimatike përmes ruajtjes së karbonit.

    Ngjarja mblodhi përfaqësues nga FAO – ekipi në Kosovë, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe aktorë të tjerë lokalë, përfshirë sipërmarrës, sportistë dhe figura publike.

    Ngjarja u shënua në formë bashkëbisedimi mes të ftuarish të përballur me pyjet dhe aspektet shumë qellimore të pyjeve duke e theksuar rolin e tyre në jetën tonë si ushqim dhe ekonmi. Mes të ftuarisht ishte dhe Ministri i Bujqësisë, i Pylltarisë dhe i Zhvillimit Rural, Faton Peci, i cili tha se sektori i pyjeve në katër vitet e fundit ka shënuar përparim të dukshëm.

    “Për një periudhë 12 vjeçare menaxhimi i pyjeve, posaçërisht parandalimi i prerjes së pyjeve ka qenë përgjegjësi prej nivelit qendror në atë lokal, mirëpo sikur komunat nuk e kanë pasur prioritet mbrojtjen e pyjeve, tha Peci duke shtuar se prej që ka hyrë ligji në fuqi, menaxhimi është pjesë e institucioneve qendrore. Përveç strategjisë, planeve të veprimit e task-forcës për parandalimin e prerjeve ilegale, sektori i pyjeve duhet parë edhe në aspektin e fushëveprimtarisë dhe ndikimit që e ka. Mbi 40 për qind e territorit në Kosovë është me pyje dhe kjo është një
    pasuri dhe trashëgimi, të cilën unë e them se jemi vetëm shfrytëzues të përkohshëm, andaj historia do të na gjykojë se si do t’ia lëmë brezit të ardhshëm”, ka thënë Peci, ndër të tjera.

    Në kuadër të bashkëbisedimit për rëndësinë e kësaj dite, u dhanë mesazhe të shumta për ruajtjen e pyjeve dhe mjedisit në përgjithësi.

    Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-së, mes tjerash tha se “ duhet të të investojmë më shumë në edukim, aspekt që po mungon shumë dhei cili është shumë i nevojshëm. Krasniqi mes tjerash tha se investimi në edukim është mëse i nevojshëm dhe kërkon urgjencë sepse nëse vazhdon kështu rrezikohet që këto resurse të shkatërrohen më shumë.

    Mesazhe dhanë edhe pjesëmarrësit tjerë në bashkëbisedim, përfshirë udhëheqësen e WWF në Kosovë Krenare Salihun , e cila tha se sensibilizimi për pyjet të mos bëhet vetëm më 21 Mars por gjatë gjithë vitit. Nga ana tjetër moderatori Resul Sinani, I cili njihet për ecjet e tij nëpër natyrë dhe bjeshkë Brenda dhe jashtë vendit në mesazhin për ditën e pyjeve tha se duhet të investohet më shumë në infrastrukturë duke thënë që shteti duhet t’i kushtojë shumë vëmendje zhvillimit të turizmit malor, si një prej sektorëve me shumë potencial.

    Duke qenë se Kosova është e rrethuar me pyje, gjatë këtij bashkëbisedimi u theksua aspekti ekonomik dhe turistik që mund të promovojë vendi ynë, dhe në këtë aspekt e dha porosinë edhe ndërmarrësi Fehmi Ferati, duke theksuar se duhet që t’i jepet më shumë rëndësi dhe vëmendje zhvillimit të agroturizmit dhe prodhimeve vendore. Në këtë ditë të veçantë ishte edhe ylli i basketbollit Drilon Hajrizi, ku foli për rëndësinë e të ushqyerit me ushqime të shëndetshme me bazë pyjore dhe që në Kosovë mund të bëhet një qendër për përgatitjet sportive në natyrë.

    Ky aktivitet u moderua nga gazetarja Behare Bajraktari, duke mbledhur dhe gërshetuar lidhjet midis pyjeve, ushqimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm si dhe duke nxitur bashkëpunimin ndërsektorial për të mbrojtur pyjet për gjeneratat e ardhshme.

    Në kuadër të shënimit të kësaj dite, u prezantuan edhe produkte ushqimore të bazuara në pyje, të përgatitura nga shoqatat e grave. Këto produkte dëshmuan potencialin e madh të pyjeve për të kontribuar në sigurinë ushqimore dhe fuqizimin ekonomik të grave, duke krijuar mundësi të qëndrueshme të jetesës përmes përdorimit të burimeve pyjore.

    Dita e pyjeve u shënua në kuadër të programit “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimor të pyjeve për të përmirësuar jetesën në vendet rurale dhe për të adresuar ndryshimin klimatik në Kosovë” financuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe zbatuar nga Organizata për Ushqim dhe Bujqësi e Kombeve të Bashkuara – FAO. Aktiviteti u organizua në bashkëpunim me OJQ BB Green Kosova dhe kishte në fokus temën e vitit 2025, “Pyjet dhe Ushqimi.”

  • Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Fillon dëshminë Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili tha se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Dëshmitari W04403 është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, tha Pace.

    Ndryshe, sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

    Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

    Ndryshe, ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.

  • ​Hardinaj: Aleancën me ShBA-në duhet ta ruajmë si sytë e ballit

    ​Hardinaj: Aleancën me ShBA-në duhet ta ruajmë si sytë e ballit

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet ta ruajnë si sytë e ballit.

    Haradinaj në 27 vjetorin e Epopesë së Dukagjinit, tha se nuk do të amnistohen ata që dobësojnë aleancën me ShBA-në dhe NATO-n, derisa tha se të njëjtit që e bëjnë një gjë të tillë “nuk janë tanët”, raporton KosovaPress.

    Sipas tij, kush vetë-lavdërohet dhe harron ndihmën e ShBA-së “nuk është me këtë popull dhe këtë vend”.

    “Ditë më të mirë dhe më të madhe shqiptarët nuk kanë përjetuar në historinë e vet, sesa 24 mars 1999. Në atë kohë NATO e prirë nga Amerika hyni në luftë dhe sulmoi armikun tonë, forcat e Millosheviqit, duke bombarduar atë në vend luftime që neve na krijoi epërsi por edhe në Beograd. Kjo është e vërteta e historisë sonë. Na ka pa zoti atë ditë se pa atë ditë do të kishim vështirë me mbërri këtë që e gëzojmë sot. Këtë s’po e thotë dikush që e ka pa nga larg luftën, por dikush që asnjë ditë të luftës se ka lëshu vend luftimin. Ka pa njerëz t’u luftu dhe duke rënë dëshmorë. Unë e di sa trima jemi ne shqiptarët, kam qëndru me trimat, por është mallkim nëse ne vet lavdërohem e harrojmë ndihmën e Amerikës, atyre që na kanë dhënë kur jeta jonë ka qenë rrezik. Është mallkim me ia rreh krahët njëri-tjetrit me thënë se s’kemi nevojë për askënd se ne vet e ruajmë vetën dhe lirinë, kufirin dhe mbrojmë veriun. Ne kemi bërë krejt deri në fishekun e fundit, por për me mbrojt vendin ne e kemi jetike aleancën me Amerikën. Kush mburret dhe vetë lavdërohet dhe kush kujton se është shumë i zoti ta dini se nuk është me këtë vend dhe këtë popull…Kush e donë këtë tokë, vend dhe fëmijë duhet ta ruaj si sytë e ballit aleancën me Amerikën dhe NATO-n. Duhet ta ruaj si ditën e 24 marsit 1999….Asnjëherë nuk do të amnistojmë ata që dobësojmë fuqinë tonë të brendshme dhe aleancat tona. Kushdo qofshin dhe çfarëdo detyrë që kanë. Ata që dobësojnë aleancën me Amerikën nuk janë tonët”, tha ai.

    Haradinaj i cili ka qenë komandat i zonës operative të Dukagjinit tregoi detaje të luftimeve të 27 viteve më parë në Gllogjan.

    “Lufta e tyre(familjes Jashari) sakrifica e tyre deri në flijim të të gjithëve atyre që ishin na largoi dilemat dhe nuk na la zgjidhje tjetër që të luftojmë edhe ne deri në fishekun e fundit dhe njeriun e fundit. S’kishim rrugë tjetër, duke ditur se do të përballemi së shpejti po me atë forcë që sulmoi Jasharajt ne kishim një strategji, ku ndryshuam strategjinë e luftës. Ne e bëmë një plan taktik të kundërpërgjigjes por jo statike. Ishim të sulmuar në shtëpinë tonë, Dauti ishte i pari që u përballë me ata. Menjëherë me hapjen e luftës frontale, forcat serbe në vijën e parë të zjarrit sjelljen mjete të motorizuara, topa 20 milimetra dhe po ashtu mbështetje nga ajri. Kundërpërgjigja jonë planin e kishte përballja e parë në shtëpi. Për një periudhë prej 2 orëve kemi rezistuar në shtëpi, pastaj kemi marrë vendim me u nda në dy grupe. Nana me fëmijët me marrë një drejtim për me ikë nga vend-luftimi, ndërsa motra e madhe, Hilmia, Shkelzeni, Dauti, Frashëri dhe Enveri kemi vazhdu bashkë”, shtoi ai.

    Ndërkaq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, tha se Prekazi dhe Gllogjani kanë nisur historinë për lirinë e Kosovës.

    “Prekazi dhe Gllogjani janë të lidhur ndërmjet veti në mënyrën më të jashtëzakonshme, pasi e kanë nisur historinë të re dhe lirinë tonë….Kryetar Haradinaj, komandat, për shkak se s’jeni dorëzuar dhe keni jetu për me luftu edhe më tutje i gjithë populli i Kosovës ka marrë zemër, është gjallë dhe ka besu se munden me bërë diçka. Ky është mesazhi i kësaj epopeje”, shtoi Gjini.

    Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme. Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./KP/

  • ​DhTIK: Hiqet bllokada e shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

    ​DhTIK: Hiqet bllokada e shkaktuar nga Ligji për Pronën Publike

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka njoftuar të gjitha kompanitë anëtare se pas një pune të gjatë, është arritur që të hiqet bllokada e shkaktuar nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronën Publike, nga i cili kanë humbur shumë, numër i madh i bizneseve, raporton KosovaPress.

    Sipas DhTIK i njëjti ligj ka pamundësuar edhe realizim të investimeve në disa sektorë, përfshirë edhe në atë të energjisë së pastër, për të cilën vendi ka shumë nevojë.

    “Ne kemi dhënë komentet tona në grupin punues për tri rregulloret që do të mundësonin nisjen e punës së Zyrës për Administrimin e Pronës Publike në Zyrën e Kryeministrit. Rregulloret janë publikuar në Gazetën Zyrtare, që shënon zyrtarisht nisjen e punës së kësaj zyre”, thuhet në njoftimin e DHTIK.

    DhTIK është në pritje të aranzhimit të një takimi me drejtuesit e zyrës së lartpërmendur dhe se do të vazhdoj angazhimin e saj në zgjidhjen e problemeve të bizneseve anëtare.