ATV

Category: Lajme

  • Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë mes 3 veturave në Klinë

    Tre të lënduar nga aksidenti i rëndë mes 3 veturave në Klinë

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në mëngjesin e sotëm në fshatin Zajm të Komunës së Klinës, ku janë përfshirë tri vetura dhe si pasojë kanë mbetur të lënduar tre persona, raporton Gazeta Sinjali.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili bëri të ditur se tre të lënduarit janë dërguar në Spitalin e Pejës për trajtim mjekësor.

    “Rreth orës 09:23 policia ka pranuar informatën për një aksident në fshatin Zajm. Në këtë aksident janë përfshirë tri vetura dhe deri më tani tre persona janë të lënduar dhe të njëjtit janë dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për trajtim mjekësor”, ka thënë Gashi.

    Tutje, Gashi shtoi se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë kompetente policore, të cilët po merren me rastin.

  • Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes

    Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes

    Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes është një ngjarje vjetore që ka si qëllim të theksojë rëndësinë e shkencës në promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. E organizuar për herë të parë në vitin 1986, kjo javë është bërë një mundësi e shkëlqyer për të nxitur ndërgjegjësimin mbi rolin që shkenca mund të luajë në zgjidhjen e problemeve globale dhe në krijimin e një bote më të drejtë. Kjo ngjarje zhvillohet çdo vit, gjatë javës që përfshin datën 11 nëntor, duke pasur një ndikim të madh në vendet anëtare të Kombeve të Bashkuara dhe në të gjithë botën.

    Nëpërmjet kësaj jave, Kombet e Bashkuara i bëjnë thirrje shteteve dhe organizatave ndërkombëtare që të organizojnë aktivitete, seminare dhe konferenca mbi përparimet shkencore dhe teknologjike, duke i lidhur ato me ruajtjen e paqes dhe sigurinë globale. Ky bashkëpunim ndërkombëtar është jetik për të adresuar sfidat me të cilat ballafaqohen shtetet dhe shoqëritë në mbarë botën, duke u mundësuar shkencëtarëve dhe ekspertëve të shkëmbejnë ide dhe të krijojnë zgjidhje inovative.

    Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes fokusohet në zhvillimin dhe përdorimin paqësor të shkencës dhe teknologjisë, duke i inkurajuar shkencëtarët dhe shoqërinë civile të bashkëpunojnë në arritjen e një vizioni të përbashkët për një botë më të sigurt. Shkenca mund të kontribuojë në ndihmën për të zgjidhur disa nga problemet më të mëdha të botës, si ndryshimet klimatike, varfëria, dhe krizat shëndetësore. Prandaj, është e rëndësishme që të kuptohet se shkenca dhe teknologjia nuk janë thjesht mjete të avancimit, por edhe shtylla të sigurta të paqes.

    Një pjesë tjetër e rëndësishme e kësaj jave është përqendrimi në edukimin shkencor. Kjo ngjarje tregon se investimi në arsimimin shkencor është çelësi për ndërtimin e shoqërive të zhvilluara. Edukimi shkencor është një mundësi që ofron njohuri dhe aftësi për të përballuar sfidat globale dhe për të kontribuar në zhvillimin e shoqërive. Nxitja e këtyre vlerave është e domosdoshme për të siguruar një të ardhme më të ndritur për brezat që vijnë.

    Aktivitetet që zhvillohen gjatë kësaj jave janë të ndryshme dhe shumë të rëndësishme, duke përfshirë seminare, konferenca dhe punëtori që sjellin së bashku ekspertë nga fusha të ndryshme të shkencës dhe teknologjisë. Ky bashkëpunim është thelbësor për të ndihmuar në zhvillimin e zgjidhjeve efektive dhe për të arritur një botë paqësore. Kjo është një mundësi për shkencëtarët të bashkëpunojnë me individë dhe organizata që merren me çështje të rëndësishme, si ruajtja e burimeve natyrore dhe përballimi i pasojave të ndryshimeve klimatike.

    Në përfundim, Java Ndërkombëtare e Shkencës dhe Paqes është një mundësi e shkëlqyer për të nxitur ndërgjegjësimin dhe angazhimin për përdorimin e shkencës për të promovuar paqen. Ajo na kujton se paqja dhe shkenca mund të ecin krah për krah dhe se përparimet shkencore mund të ndihmojnë në ndërtimin e një bote më të mirë për të gjithë.

  • Edhe sot vazhdon dëshmia e Naim Malokut në Speciale

    Edhe sot vazhdon dëshmia e Naim Malokut në Speciale

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, sot pritet vazhdimi i dëshmisë së Naim Malokut, në kuadër të procesit gjyqësor kundër ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Maloku dje ka filluar dëshminë dhe është dëshmitari i 124 që po jep dëshminë.

    Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë.

  • Arrestohet një burrë në Fushë-Kosovë, i dyshuar për dhunë në familje

    Arrestohet një burrë në Fushë-Kosovë, i dyshuar për dhunë në familje

    Policia ka njoftuar se ka arrestuar një person në Fushë Kosovë, pasi që i njëjti kishte sulmuar verbalisht dhe fizikisht një grua.

    Rasti ka ndodhur ditën e hënë, rreth orës 14:00.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar verbalisht dhe fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

  • Një person dërgohet pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Fushë-Kosovës

    Një person dërgohet pa shenja jete në Qendrën Emergjente të Fushë-Kosovës

    Një burrë është dërguar pa shenja jete është dërguar të hënën në Qendrën Emergjente në Fushë Kosovë.

    Policia njofton se viktima ishte dërguar nga familjarët.

    “Raportohet se nga familjarët është dërguar në Qendrën Emergjente viktima mashkull kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa lidhur me rastin është njoftuar prokurori që ka udhëzuar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduksion”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Vdes një grua në Shtërpcë, zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj

    Vdes një grua në Shtërpcë, zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj

    Një grua ka humbur jetën në Shtërpcë, pasi zjarri kishte përfshirë shtëpinë e saj.

    Rasti tragjik ka ndodhur ditën e hënë.

    “Raportohet se është përfshirë nga zjarri një shtëpi. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi zjarrfikës ka lokalizuar dhe fikur zjarrin. Gjatë kontrollit të shtëpisë së përfshirë nga zjarri është gjetur pa shenja jete viktima femër kosovare, vdekjen e të cilës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Nexhmie Haradini – gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010

    Nexhmie Haradini – gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010

    Vrasja e dyfishtë pasditen e së hënës në Vushtrri tronditi vendin. Gruaja e vrarë Nexhmie Haradini është bërë gruaja e 59-të e vrarë në Kosovë prej vitit 2010.

    Sipas një infografike të publikuar nga REL, bazuar në të dhënat e Policisë, vjet në Kosovë janë vrarë tri gra.

    Katër gra janë vrarë në vitin 2023, katër tjera në vitin 2022, tri në vitin 2021, shtatë në vitin 2020, pesë në vitin 2019, shtatë në vitin 20218, dy në vitin 2017, dy në vitin 2016, tri në vitin 2015, tri në vitin 2014, një në vitin 2013, tri në vitin 2012, pesë në vitin 2011 dhe gjashtë në 2010.

    Gruaja që u vra dje u gjet në një nënkalim në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. I dyshuar për vrasjen është një 58-vjeçar Arsim Morina, i cili më pas ka qëlluar edhe veten.

    Dorasi është pronari i një furre buke, ku e ndjera kishte punuar më parë.

    Zëdhënësi i Policisë, Avni Zahiti, ka bërë të ditur se në vendin e ngjarjes është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë.

    “Rreth orës 14:56, policia ka pranuar informatën për një vrasje të ndodhur në fshatin Stanovc të Vushtrrisë. Bazuar në hetimet fillestare nga vendi i ngjarjes dyshohet se kryesi i veprës, dorasi 58-vjeçar me iniciale A.M., ka qëlluar për vdekje viktimën femër, 42-vjeçare me iniciale N.H., e më pas i dyshuari ka qëlluar edhe veten. Me urdhër të Prokurorit, dy trupat e pajetë dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Hetuesit policorë nën udhëheqjen e prokurorit po vazhdojnë hetimet për veprat penale ” Vrasje e rëndë ‘ dhe ” Vetëvrasje””, ka thënë Zahiti.

    Për rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës.

    “Si pasojë e te shtënave dy persona kanë mbetur të vdekur në fshatin Stanoc të Vushtrrisë. Dyshohet se një burrë fillimisht e ka privuar nga jeta një grua, dhe pastaj ka bërë vetëvrasje. Në vendngjarje ka dalur prokurori kujdestar i PTH Mitrovicë. Në vendngjarje janë gjetur disa gëzhoja që dyshohet se janë përdorur në këtë krim. Janë duke u intervistuar dëshmitarë dhe në koordinim me policinë janë duke u hetuar të gjitha rrethanat që kanë quar në këtë ngjarje të rëndë”, kanë deklaruar nga Prokuroria.

  • Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon edhe sot procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Sot do të vazhdojë dëshminë dëshmitari i radhës i Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

    Në seancën e së hënës në Hagë ka dëshmuar dëshmitari i 124-të i Prokurorisë, Naim Maloku, i cili pos tjerash, u pyet edhe për pozitën Jakup Krasniqi gjatë luftës.

    Dëshmitari tha se Krasniqi ushtroi për të paktën dy muaj pozitën e zëvendëskomandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara, gjykimi “Thaçi dhe të tjerët”, këtë javë pritet të mbahen vetëm dy seanca gjyqësore.

  • Stagnimi në dialog: Pas vizitës në Kosovë, i dërguari i BE-së shkon në Serbi

    Stagnimi në dialog: Pas vizitës në Kosovë, i dërguari i BE-së shkon në Serbi

    18 muaj pa një takim të nivelit të lartë – dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka mbetur në vendnumëro. Vizita e parë e Peter Sorensenit në Prishtinë, si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, erdhi në një moment kur ky proces nuk duket se është në agjendën e dikujt. Për këtë çështje, ai ka shkuar dje edhe në Serbi.

    Zëdhënësja e Bashkimit Evropian, Anitta Hipper, ka thënë se Sorensen po zhvillon vizitën e parë në Beograd dhe do të jetë atje deri nesër.

    “Ne po vazhdojmë angazhimin. Emisari i BE-së për dialogu Peter Sorensen po bën vizitën e parë në Beograd. Do të jetë deri të mërkurën në Beograd. Kur bëhet fjalë për dialogun, ne jemi të përkushtuar që të shohim që rruga drejt BE-së për të dyja palët të shkojë nëpërmjet dialogu të lehtësuar. Këtu jemi në këtë fazë”, tha Hipper.

    E pyetur për bashkëpunimin mes BE-së dhe SHBA-së për çështjen e Ballkanit Perëndimor dhe për dialogun, Hipper ka thënë se “BE-ja bashkëpunon me gjithë partnerët, përfshirë SHBA-në”.

    Ajo ka thënë se ka kontakt me administratën e re amerikane, por nuk ka dashur të hyjë në detaje.

  • Politika ekonomike, “lufta e tarifave” dhe efektet

    Politika ekonomike, “lufta e tarifave” dhe efektet

    NGA AKADEMIK, PROF. DR. ANASTAS ANGJELI

    Ekonomia e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka qenë dhe mbetet një nga motorët kryesorë të rritjes globale për dekada. Megjithatë, në vitet e fundit, pasiguritë ekonomike, ndryshimet në politikat monetare dhe sfidat globale kanë nxitur debatin dhe shtruar pyetje nëse ekonomia e SHBA-ve do të përballet me një recesion në të ardhmen e afërt? Dhe ky recension a do shoqërohet me “efektin domino” në ekonominë e vendeve europiane dhe në ekonominë globale? A do të vazhdojë ekonomia amerikane në vitet që pasojnë dhe në periudhë afatgjatë të zhvillohet me ritme të larta dhe të ruajë lidershipin në ekonominë globale (duke sfiduar parashikimet e disa institucioneve ndërkombëtare (Goldman Sachs etj.) se në vitet 2050 dhe 2075 ekonomia amerikane nga pikëpamja e ritmeve të rritjes do të renditet në vend të tretë, pas ekonomisë kineze dhe asaj indiane? Çfarë ndikimi do të ketë i ashtuquajturi “Trampizëm në Ekonomi” me në qendër “Luftën e Tarifave”? Këto pyetje janë bërë nga shumë analistë, sidomos pas masave të para që Presidenti i porsazgjedhur Trump mori gjatë mbledhjes së tij të parë të kabinetit. Po cilat kanë qenë reagimet e Presidentit Trump për këtë çështje? Në një intervistë të tij, Presidenti Trump nuk mohoi faktin se ekonomia amerikane mund të hyjë në recesion, por kjo do të jetë një e keqe e përkohshme për një të mirë më të madhe, që do ta “bëjë Amerikën të madhe përsëri”. Trump tha: “US do përjetojë një ‘periudhë tranzicioni’, deri sa politikat e tij të japin efektet, kur u pyet nëse ekonomia mund të bjerë në recesion këtë vit. Ndërsa, Sekretari i Tregtisë, Howard Lutnick deklaroi se “nuk ka shanse” për rënie të ekonomisë. President Trump, gjithashtu, iu përgjigj pyetjeve të Maria Bartiromo në “Sunday Morning Future”, duke iu shmangur përgjigjes eksplicite në lidhje me një rrënjë të plotë të një shpërthimi recesionesh për ekonominë amerikane këtë vit. “Unë urrej të parashikoj gjëra si këto”, – tha ai për recesionin. Komentet e presidentit erdhën si përgjigje ndaj disa shqetësimeve të disa liderëve të biznesit në lidhje me paqëndrueshmërinë mbi tarifat e vendosura mbi Kinën, Kanadanë dhe Meksikën, si dhe në përgjigje të shqetësimit në rritje për një ngadalësim të zhvillimit ekonomik. Bazuar në faktet, analizat dhe mendimet e shprehura nga ekspertët në shtypin botëror, lë të kuptojmë se ku do të fokusohet politika ekonomike e SHBA-ve dhe nëse ajo do të hyjë në recesion, duke konsideruar faktorët kryesorë të politikave ekonomike, treguesit aktualë dhe perspektivat e mundshme.

    POLITIKA EKONOMIKE DHE “LUFTA E TARIFAVE”

    Në fund të janarit 2025, Presidenti Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 25% për importet nga Meksika dhe Kanadaja, duke filluar nga 1 shkurti 2025. Këto masa u morën si përgjigje ndaj çështjeve të lidhura me trafikimin e drogës dhe emigracionin e paligjshëm. Megjithatë, më 6 mars 2025, Presidenti Trump njoftoi pezullimin e këtyre tarifave deri më 2 prill 2025, pas një bisede telefonike me Presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum. Pak ditë më vonë, e konfirmoi këtë element të politikës ekonomike si me Meksikën, ashtu edhe me Kanadanë. Në të njëjtën periudhë, Presidenti Trump njoftoi një rritje prej 10% të tarifave ekzistuese për importet nga Kina, duke filluar nga 1 shkurti 2025 dhe një shtesë të dytë 10% deklaruar në fillim të marsit). Kjo masë u mor për të adresuar shqetësimet lidhur me tregtinë e padrejtë dhe çështje të tjera ekonomike. Reagimi dhe kundërpërgjigja e Kinës ishte e menjëhershme. Së fundi Presidenti Trump u fokusua në raportet e SHBA-ve me Evropën për të vendosur tarifa ndaj importeve nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë sektorë si automobilët, lëndët drusore dhe produktet farmaceutike dhe më një fokus të shpejtë për vendosjen e tarifës 200% për pijet alkoolike europiane. Shumë shpejt u zyrtarizuan edhe këto masa, pavarësisht se ishte shprehur që deri në mars 2025 do të negocionte me vendet europiane një nga një dhe jo me BE si tërësi dhe komisionin europian në veçanti. Ai kërkonte një qëndrim të veçantë të vendeve të veçanta, duke anashkaluar institucionet europiane. Këto masa kanë shkaktuar shqetësime në të gjitha ambientet ekonomike si në Europë, ashtu edhe në SHBA duke u shoqëruar me komente të ndryshme për këtë çështje. Nga ana tjetër, vendet e prekura kanë paralajmëruar për masa reciproke në rast të zbatimit të këtyre tarifave dhe shumë prej tyre kanë vendosur kundërmasa. Gjithë kjo ka krijuar një klimë pasigurie në tregjet ndërkombëtare dhe diskutime të pafundme ndërmjet analistëve ekonomik. Tregu i punës deri tani ka qenë relativisht i fortë, me norma papunësie në nivele historikisht të ulëta. Megjithatë, disa analistë kanë paralajmëruar se kjo mund të jetë një tregues që mund të ndryshojë shpejt, pasi ndërmarrjet mund të fillojnë të zvogëlojnë stafin, nëse kushtet ekonomike përkeqësohen. Kësaj “frike” i bashkohet dhe lëvizja e këshilltarit të presidentit, Elon Musk, i cili ka premtuar një ristrukturim të administratës shtetërore, me qëllim rritjen e eficiencës së saj. Në këtë aspekt ai synon:

    -Reduktimin e shpenzimeve të qeverisë, duke konsoliduar departamente dhe agjenci që kanë funksione të mbivendosura dhe eliminuar programet e paefektshme ose të paarsyeshme.

    -Reduktimin e burokracisë në sektorin publik, duke realizuar thjeshtimin e procedurave administrative, eliminimin e rregullimeve të tepërta që ngadalësojnë inovacionin dhe investimet, duke propozuar që qeveria të adoptojë në sektorin publik parime të menaxhimit nga sektori privat.

    -Musk, si një adhurues i madh i automatizimit dhe teknologjisë, mund të propozojë përdorimin e teknologjisë për të automatizuar proceset burokratike, duke reduktuar nevojën për punëtorë në disa sektorë të qeverisë. (Përdorimin e inteligjencës artificiale-IA) që do të kursenin fuqi punëtore dhe do të rrisnin cilësinë e shërbimeve shtetërore).

    Kjo reformë po shoqërohet me shkurtime shumë të mëdha të shumë vendeve të punës në administratën publike. Shumë ekspertë mendojnë se, nga kjo politike, pritet nga njëra anë të ketë presione në tregun e punës, nga ana tjetër potencialisht të bjerë konsumi i amerikanëve, nga frika të qenurit të papunë.

    Një tjetër efekt i pritshëm i politikës ekonomike të Presidentit Trump, sipas ekspertëve, mund të jetë dhe rritja e inflacionit. Tarifat e reja doganore në fund të fundit do t’i paguajnë konsumatorët amerikanë, gjë që do të shoqërohet me një rritje të ndjeshme të çmimeve dhe ulje të fitimeve të pritshme. Kjo, sigurisht, nuk do të lejojë që FED-i të bëjë uljen e normave të interesit për të stimuluar investimet dhe konsumin. Nëse do të kemi shenja inflacioniste në SHBA, sipas Jerome Powell, Kryetari (Chair) i Bordit të Guvernatorëve në FED, institucioni që ai drejton “nuk do të ishte indiferent ndaj masave të përshtatshme për stabilizimin e simptomave inflacioniste”. Pra, pritshmëritë për uljen e ndjeshme të përqindjeve të interesit në SHBA nuk janë të sigurta gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti. Së fundit, por jo me më pak rëndësi është dhe fakti se tensionet tregtare dhe ndryshimet në ekonominë globale mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në SHBA edhe në aspektin e eksporteve të saj. Për shembull, një ngadalësim në Kinë ose Evropë mund të zvogëlojë kërkesën për eksportet amerikane dhe nga ana tjetër, përgjigja e shumë vendeve në “luftën e tarifave” të ulë konsumin e mallrave apo shërbimeve amerikane si në Europë, ashtu edhe në vendet e tjera. Konsideruar këtë ndikim të politikës ekonomike aktuale në SHBA mund të kemi një analizë më të detajuar të pritshmërive të saj.

    PO A DO TË HYJË EKONOMIA E SHBAVE NË RECENSION? JA DISA TREGUES QË MUND TË SHPREHIN MUNDËSINË E RECENSIONIT

    Të gjithë ekspertët e ekonomisë bien dakord se amerikanët “janë shumë të lidhur pas numrave” dhe mundohen çdo fenomen ta mishërojnë me një numër. Unë si sportdashës i basketbollit amerikan habitem se si për çdo ndeshje të luajtur, amerikanët kanë sajuar një mori treguesish (numra) që ta analizojnë atë në çdo këndvështrim. Ajo që më bën edhe më kurioz është se dhe publiku i kupton shumë mirë ato numra. E njëjta gjë ndodh edhe në ekonomi, ku në SHBA çdo gjë matet me një numër dhe protokollet e matjes pavarësisht që në shumë raste janë të paunifikuara, të japim një pamje të plotë të gjendjes ekonomike. Në këtë këndvështrim do të mundohemi t’u japim përgjigje pyetjeve tona. 1-TREGU I AKSIONEVE. Tregu i aksioneve ka qenë gjithmonë treguesi i parë për të gjykuar ecurinë e ekonomisë amerikane. Këto dy javët e fundit ai ka qenë i paqëndrueshëm, me rënie të mprehta, sidomos në disa aksione të caktuara. Po të shikojmë me kujdes numrat e aksioneve ku duket qartë se tregu po rikthehet në gjendjen e tij para zgjedhjeve dhe se rënia më e lartë është te S&P 500, pastaj dhe tek NASDAQ. Gjatë dy javëve të para të marsit 2025, tregjet amerikane të aksioneve pësuan rënie të ndjeshme. Indeksi S&P 500 ra me 4.7%, ndërsa NASDAQ me 4.8%. Duke pasur parasysh kapitalizimin e tregut të këtyre indekseve, këto rënie përkthehen në humbje prej disa trilionë dollarësh në vlerën e tregut të aksioneve. Këto zhvillime u ndikuan nga shqetësimet mbi ndikimin e tarifave të reja tregtare të administratës “Trump” në ekonominë amerikane. Në veçanti, aksionet e kompanive teknologjike si “Tesla”, “Nvidia”, “Meta”, “Amazon” dhe “Alphabet” pësuan rënie të ndjeshme gjatë kësaj periudhe.

    2-RËNIA E NDJESHME E DOLLARIT AMERIKAN.

    Duket që zhvlerësimi i dollarit amerikan ndaj euros dhe frika e një inflacioni të ri spostuan masa monetare nga tregu amerikan në atë europian. Kështu, patëm shitje masive të aksioneve të këtyre kompanive për t’u investuar në kompanitë e armatimeve si në Europë, ashtu edhe në SHBA. Gjatë muajve shkurt dhe mars 2025, kursi i këmbimit euro/dollar amerikan (EUR/USD) ka shfaqur luhatje të ndjeshme. Në fillim të shkurtit 2025, euro këmbehej me rreth 1.01 dollarë amerikanë. Një sondazh i “Reuters” në atë periudhë tregoi se gati një e treta e strategëve të valutave prisnin që euro të barazohej me dollarin ose të binte më poshtë, një rritje nga një e pesta e tyre muajin e kaluar. Në fillim të marsit 2025, euro këmbehej me rreth 1.09 dollarë amerikanë.[1] Kjo rënie e euros ndaj dollarit mund t’u atribuohet disa faktorëve, përfshirë zhvillimet ekonomike globale, ndryshimet në politikat monetare të bankave qendrore dhe luhatjet në tregjet financiare. Është e rëndësishme të theksohet se kursi i këmbimit ndikohet nga një sërë faktorësh dhe mund të ndryshojë në varësi të kushteve ekonomike dhe gjeopolitike. Njëkohësisht ky është dhe një shkak i lëvizjes së kapitaleve nga njëri vend në tjetrin, gjë që vërtetohet me spostimin e kapitaleve nga tregu amerikan në atë europian. Kush kishte investime në dollarë në tregun amerikan, ka vënë re që vlera e tyre është ulur ndjeshëm në muajin e fundit.

    3.BORXHI I MADH I EKONOMISË MË TË MADHE NË BOTË.

    Ray Dalio, themeluesi i “Bridgewater Associates”, një nga fondet më të mëdha në botë, është një zë i njohur në botën e financave dhe ekonomisë. Në intervistat dhe shkrimet e fundit, Dalio ka shprehur shqetësime të thella në lidhje me borxhin amerikan dhe ndikimin e tij në ekonominë globale. Dalio ka theksuar se SHBA-të po përballen me nivele historikisht të larta të borxhit publik dhe privat. Ai paralajmëron se kjo gjendje është e paqëndrueshme dhe mund të çojë në një krizë financiare, nëse nuk menaxhohet siç duhet. Një nga paralajmërimet më të mëdha të Dalio është se dollari amerikan mund të humbasë statusin e tij si monedhë globale rezervë. Ai beson se kombinimi i borxhit të lartë, inflacionit dhe konkurrencës nga monedha të tjera (si juani kinez) mund të çojë në një rënie graduale të dominancës së dollarit[2]. Dalio beson se ekonomitë kalojnë nëpër “cikle të borxhit” dhe se SHBA-të janë në një fazë kritike të këtij cikli. Ai kërkon reforma strukturore, përfshirë uljen e shpenzimeve qeveritare dhe rritjen e produktivitetit, për të shmangur një krizë të mëtejshme. Dalio e krahason akumulimin e borxhit me grumbullimin e pllakave në arteriet e njeriut, duke argumentuar se kjo mund të çojë në një “infarkt financiar”. Ai thekson se rritja e shpenzimeve për shërbimin e borxhit mund të bëhet e paqëndrueshme dhe të shkaktojë destabilizim ekonomik. A do të mundet Presidenti Trump ta zgjidhë këtë problem dhe çfarë politikash do përdorë, asnjë nuk është në gjendje ta thotë këtë zgjidhje. Dalio propozon uljen e deficitit buxhetor në 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për të shmangur një krizë të mundshme borxhi. Ai gjithashtu paralajmëron se, nëse nuk merren masa për të adresuar këtë çështje, normat e interesit mund të rriten ndjeshëm, duke çuar në një recesion të mundshëm. Në librin e tij të ardhshëm, “Si shkojnë vendet në falimentim” (How Countries Go Broke), Dalio analizon ciklet e mëdha të borxhit dhe ofron një udhëzues për të njohur dhe adresuar situatat akute të borxhit. I pyetur se kur ekonomia amerikane mund të hyjë në krizë, Dalio u përgjigj që ekonomia amerikane do të hyjë në krizë kjo është e pashmangshme, por se kur këtë nuk besoj se mund ta di njëri. Mund të jetë për 5 muaj, për 5 vjet, por edhe për 15 vjet. Sigurisht që përderisa nuk mund ta dijë Rey Dalio se kur do të hyjnë SHBA-të në recesion, mos prisni që ky artikull t’i japë përgjigje kësaj pyetjeje, ndërkohë të gjithë tashmë e dinë që zhvillimi ciklik është element konstant i zhvillimit. Sakaq, politika ekonomike e Presidentit Trump synon të garantojë një zhvillim më të madh në dekadat e ardhshme.