ATV

Category: Lajme

  • Idrizi shkon për ngushëllime te familja Zymeri pas vrasjes së 19-vjeçarit në Vushtrri

    Idrizi shkon për ngushëllime te familja Zymeri pas vrasjes së 19-vjeçarit në Vushtrri

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shkuar për ngushëllime te familja Zymeri nga fshati Shtitaricë i Vushtrrisë, e cila ka hapur të pamen për 19-vjeçarin Ardit Zymeri, i cili u vra mbrëmë nga i dyshuari Bleon Dibrani.

    Familja mbrapa kamerave kanë deklaruar se lamtumira e fundit do t’i jepet sot në varrezat e fshatit Dubofc, në orën 16:30.

    Nga familja nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen, pasi siç thanë janë në pritje të informatave zyrtare nga organet kompetente, raporton EO.

  • Osmani shkon në odën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit, aty ishte edhe Rifat Jashari

    Osmani shkon në odën e Haradinajve për Epopenë e Dukagjinit, aty ishte edhe Rifat Jashari

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka qëndruar në odën e Haradinajve në Gllogjan, me rastin e Epopesë së Dukagjinit.

    Osmani ka shkruar në rrjete sociale se në themelet e Kosovës qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së dhe familjes Haradinaj.

    Postimi:

    Epopeja e Dukagjinit, flakadan i lirisë!

    Në këtë përvjetor të lavdishëm, ishim në Gllogjan që të kujtojmë dhe nderojmë Epopenë e Dukagjinit, një nga momentet më të ndritura të luftës sonë për liri. Në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin tonë.

    Me nderimin më të madh përkulemi para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë. Ata u bënë simbol i rezistencës, guximit dhe besimit në lirinë e Kosovës.

    Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre, e përgjegjësia jonë!

    Lavdi dëshmorëve të kombit!

    Nderim i përhershëm UÇK-së!

  • I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri e pranon fajësinë

    I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit në Vushtrri e pranon fajësinë

    I dyshuari për vrasjen e 19-vjeçarit A.Z., në Vushtrri e ka pranuar fajësinë, konfirmoi Prokuroria Themelore në Mitrovicë. Ai gjendet në ndalim 48-orësh, raporton EO.

    “Është arrestuar një i dyshuar për veprën penale ‘Vrasje e rëndë’, dhe i njëjti me vendim të prokurorit gjendet në ndalim 48-orësh. Është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer kjo vrasje, Prokuroria dhe policia janë duke mbledhur provat relevante në lidhje me rastin. Gjatë marrjes së deklaratës i dyshuari e ka pranuar fajësinë për vrasjen. Në afatin e paraparë ligjor prokuroria do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për këtë rast”, njoftoi prokuroria.

  • Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Shea thotë se është zhgënjyese që Serbia ende s’ka kërkuar falje për krimet në Kosovë

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s tha se është zhgënjyes fakti që, edhe pse kanë kaluar 26 vjet, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.

    ” Shumë nga figurat e qeverisë serbe sot erdhën në jetën politike gjatë epokës nacionaliste të Millosheviqit dhe kanë trashëguar pikëpamjen e tij të shtrembëruar për historinë serbe dhe jugosllave. Por shumë serbë në opozitë dhe në shoqërinë civile e dinë të vërtetën dhe unë nuk i kam hequr shpresat që në të ardhmen të krijohet një komision i përbashkët serbo-kosovar për të vërtetën historike dhe përgjegjësinë. Millosheviqi u padit nga GJNP për krime lufte në Kosovë dhe ky proces mblodhi, gjithashtu, shumë prova. Dhe vetë Vuçiq shkoi në Srebenicë në përvjetorin e korrikut disa vite më parë. Pra, le të ngulmojmë”, tha ai në një intervistë për RTKlive.

    Shea mes tjerash komentoi edhe situatën aktuale të sigurisë në rajon.

    “Situata në rajon është e tensionuar aktualisht për shkak të rezistencës kokëfortë të Milorad Dodik në Republikën Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore, pas dënimit të tij nga Gjykata e Lartë në Sarajevë. Gjithashtu, qeveria serbe sapo ka dhënë dorëheqjen në vazhdën e demonstratave më të mëdha që janë parë ndonjëherë në vend kundër një qeverie në detyrë. Ne kemi, gjithashtu, ndikimin e fatkeqësisë së tmerrshme të klubeve të natës në Maqedoninë e Veriut, e cila shpresojmë se nuk do të ketë pasoja politike destabilizuese. Por NATO po e vëzhgon situatën nga afër dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka vizituar Bosnjën dhe Kosovën dhe është konsultuar me KFOR-in. Situata në rajon, aktualisht, nuk ofron shumë shpresë për përparim të menjëhershëm politik, por NATO, duke punuar ngushtë me BE-në, do të sigurohet që të ruhet mjedisi i përgjithshëm i sigurisë”, deklaroi.

  • Sot i jepet lamtumira e fundit 19-vjeçarit që u vra mbrëmë në Vushtrri

    Sot i jepet lamtumira e fundit 19-vjeçarit që u vra mbrëmë në Vushtrri

    Familja Zymeri nga fshati Shtitaricë i Vushtrrisë, ka hapur të pamen për 19-vjeçarin Ardit Zymeri, i cili u vra mbrëmë nga i dyshuari Bleon Dibrani.

    Familja mbrapa kamerave kanë deklaruar se lamtumira e fundit do t’i jepet sot në varrezat e fshatit Dubofc, në orën 16:30.

    Nga familja nuk kanë qenë të gatshëm të prononcohen, pasi siç thanë janë në pritje të informatave zyrtare nga organet kompetente.

  • ​Identifikohen dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj, arrestohet njëri prej tyre

    ​Identifikohen dy persona të dyshuar për disa vjedhje në Ferizaj, arrestohet njëri prej tyre

    Njësiti i Hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, pas një hetimi intensiv lidhur me veprat penale “Vjedhja e Rëndë”, ka arritur të identifikojë dy persona të dyshuar për kryerjen e këtyre veprave në qytetin e Ferizajt, kryesisht në lokale.

    Policia ka njoftuar se pas përpjekjeve të vazhdueshme për të gjetur të dyshuarin B. T, 23 vjeç ai është ndaluar nga Njësia e Hetimeve të Prishtinës, nën dyshimin për një vepër të ngjashme në rajonin e Prishtinës, raporton KosovaPress.

    Nën autorizimin e prokurorit të shtetit dhe në praninë e avokatit mbrojtës, B.T është intervistuar nga Njësiti i Hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj dhe gjatë intervistimit dhe ballafaqimit me provat e mbledhura, ai ka pranuar kryerjen e disa veprave penale të “Vjedhjes së rëndë” në rrugët e Ferizajt: “Bajram e Gursel Sylejmani”, “Hamëz Jashari”, “12 Qershori”, “Dëshmorët e Kombit”, “Agim Matoshi”, “Latif Hasani”.

    Gjatë hetimeve janë siguruar prova materiale, duke përfshirë video incizime nga kamerat e sigurisë dhe sende të ndryshme që ndihmojnë në ndriçimin e këtyre rasteve.

    “I dyshuari B. T ndodhet në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë në koordinim me prokurorin e shtetit. Njësiti i Hetimeve po vazhdon përpjekjet për të siguruar prezencën e të dyshuarit të dytë dhe për të grumbulluar prova të tjera relevante. Zyra për Informim e Policisë Rajonale të Ferizajt do të vazhdojë të informojë publikun për zhvillimet e mëtejshme”, thuhet në njoftim.

  • ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    ​“Sa do të zgjasin bombardimet, çka mund të dalë gjatë rrugës”, kujtime nga selia e NATO-s

    “Sa do të zgjaste, cila do të jetë siguria e popullit në Kosovë, çka mund të dalë gjatë rrugës…”. Këto ishin mendimet që i silleshin në kokë atij që mbante pozitën e zëdhënësit të NATO-s, në kohën kur aleanca më e madhe ushtarake vendosi të bombardojë caqet serbe.

    “Të përfshihesh në një luftë është kohë ankthi për të gjithë”, kujton sot në një intervistë për KosovaPress, Jamie Shea, i cili thotë se ndjenja kryesore më 1999 ishte se “nuk ka alternativë”.

    Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) vendosi të intervenoi në Kosovë me qëllim që të ndalë terrorin që po shkaktohej nga forcat serbe, në luftën e viteve 1998/99.

    NATO-ja po ndërmerrte operacionin e dytë më të madh luftarak – pas atij në Bosnje e Hercegovinë më 1995.

    Aleanca, për herë të parë po vepronte me forcë ushtarake pa miratimin e shprehur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    Jamie Shea, zëri i NATO-s gjatë kohës së bombardimeve, kthehet në kohë dhe kujton se ajo kohë ishte shqetësuese për të gjithë.

    Por, a ishte vendimi i duhur sipas tij?

    “Ishte një moment që të bënte të mendoheshe. Sa do të zgjaste? A do të ishte e suksesshme NATO? Po, strategjikisht, por sa javë? Çfarë mund të kishte në terren në ndërkohë? Cila do të ishte siguria e popullit të Kosovës? Këto ishin të gjitha gjëra shumë shqetësuese. Të përfshihesh në një luftë është një kohë ankthi për të gjithë. Por nga ana tjetër, ndjenja ime kryesore ishte se nuk kishte alternativë. NATO kishte investuar shumë në besueshmërinë e saj për të qenë e gatshme të përdorë forcën nëse kishte një arsye të mirë dhe ishte absolutisht e nevojshme. Aleatët ishin të bashkuar sepse, sigurisht, ai vendim duhej të merrej me konsensus. Dhe për dikë si unë që kam jetuar, e dini, përmes viteve të tmerrshme të Bosnje e Hercegovinës, siç e përmenda, e dini, me masakrën e Srebrenicës, me vonesën e punës, me hezitimin, me mandatet kontradiktore, kurrë duke përdorur forcën në mënyrë vendimtare, gjëja kryesore mbi të gjitha ishte të mos kemi atë përvojë të frikshme të dekurajimit përsëri. Dhe këtë herë, për të marrë një veprim vendimtar në emër të të drejtave të njeriut. Dhe mendoj se ishte një nga vendimet më të mira që ka marrë NATO-ja. Dhe mendoj se Kosova sot e vërteton plotësisht që ai ishte vendimi i duhur për t’u marrë”, thotë ish-zëdhënësi i NATO-s.

    Bombardimet e NATO-s, të filluara më 24 mars 1999, zgjatën 78 ditë – deri në Marrëveshjen e Kumanovës.

    Kjo marrëveshje shënoi kapitullimin e Serbisë duke bërë që forcat e saj të largohen nga Kosova.

    Marrëveshja e atëhershme ishte negociuar në mes të KFOR-it dhe zyrtarëve ushtarakë të ish-jugosllavisë.

    Kjo edhe e solli vendimin që në Kosovën e shkatërruar nga lufta të zbarkojë një forcë paqëruajtëse ndërkombëtare. Sigurisht, e udhëhequr nga NATO-ja.

    Për ish-zëdhënësin e NATO-s, i cili kishte qëndruar në Kosovë në qershor të vitit 1999, Kosova sot ka përparuar goxha.

    “Dhe kur jam në Prishtinë, jo aq shpesh sa do të doja, e dini, a shoh përparim? Absolutisht. Rrugë të reja, hotele të reja, ndërtesa të reja, zyra qeveritare, njerëzit duken më mirë, njerëzit sigurisht janë veshur shumë më mirë. Ata nuk janë miliarderë, por sigurisht duken më të pasur se njerëzit e traumatizuar që zbulova kur vizitova Prishtinën në qershor 1999. Menjëherë pas fushatës ajrore, ka një popullatë të re shumë të gjallë, ka institucione arsimore kudo, vërtet është një ndjenjë e një kulture të shoqërisë e cila është, në lëvizje, dinamike, ka probleme, por po shikon përpara. Pra, po, unë shoh përparim”, thotë Shea./KP

  • ​Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

    ​Dita kur u dogj Çarshia e vjetër e Gjakovës

    Sot mbushen 26 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

    Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare, raporton KosovaPress.

    Në Çarshinë e vjetër të Gjakovës, që prej themelimit, ushtroheshin dhjetëra zeje të ndryshme, duke filluar nga armëtarët, argjendarët, kazangjinjtë, lëkurëpunuesit, rrobaqepësit, zhgunaxhinjtë, qëndistarët, zdrukthëtarët, kazazët, qeleshepunuesit, gërçakxhinjtë, saraçët, opingaxhinjtë, çergaxhinjtë e çibukxhinjtë.

    Ekspertët kanë vlerësuar se Çarshia e Madhe, siç njihet ndryshe, paraqet njërin nga komplekset monumentale më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe jashtë saj. Ajo ishte një qendër e rëndësishme pazari, zanatit, por edhe një kompleks i madh kulturor, historik e fetar në mbarë vendin.

    Shtrija e saj nga veriu në jug arrin në 1000 m, ndërsa sipërfaqja e gjithmbarshme e saj është 34.000 metra katrorë. Ajo ishte vatër e zhvillimit ekonomiko-shoqëror dhe kulturor të rajonit të Gjakovës. Në të u zhvilluan të gjitha zejet e mundshme.

    Më 1999 u dogj me të gjitha përmendoret kulturore historike në të, por u rindërtua pas luftës falë ndihmës së organizatave ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

  • Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Vjosa Osmani: 24 Marsi, dita kur liria mori krahë!

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se 24 marsi është dita kur liria mori krahë dhe bota demokratike nuk heshti.

    Ajo theksoi se kjo ditë shënon momentin kur aleatët e NATO-s u ngritën për të mbrojtur një popull që po luftonte për ekzistencë, i rrezikuar nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

    “Ishte dita kur ndaj errësirës triumfoi drita e shpresës,” u shpreh Osmani, duke shtuar se nga flaka e sakrificës dhe lufta çlirimtare lindi Kosova e lirë.

    26 vjet më pas, Kosova ecën krenare, sovrane dhe e palëkundur drejt të ardhmes më të ndritur.

    “Lavdi të gjithë të rënëve për liri! Falënderim aleatëve që ndihmuan kauzën tonë për një Kosovë shtet të lirë, të pavarur e sovran!” – përfundoi Osmani.

  • ​26 vjet nga Beteja në Kotlinë

    ​26 vjet nga Beteja në Kotlinë

    OVL e UÇK-së në Kaçanik sot shënon 26-vjetorin e betejës së 24 marsit 1999, e zhvilluar në Kotlinë të Kaçanikut.

    Gjatë kësaj dite do të përkujtohet rënia heroike e dëshmorëve Ismail Kuqi, Sali Vlashi, Nexhadi Kuqi, Xhemajl Kuqi, Neshat Rexha, Sabit Loku, Sabri Loku, Mahi Loku, Cen Loku, Adnan Loku, Izjah Loku raporton KosovaPress.

    Po ashtu, edhe e martirëve Garip Loku, Naser Loku, Vesel Vlashi, Idriz Kuqi, Zymer Loku, Minah Kuqi, Sherif Kuqi, Beram Loku, Agim Loku, Ismajl Loku, Ismet Loku, Danush Kuqi, Ibush Loku, Naser Loku.