ATV

Category: Lajme

  • ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    ​Kosova nga përfituese e fondeve të Bankës Botërore, bëhet kontribuuese

    Kosova ka vendosur që të bëhet donatore në IDA-21 një fond që ndihmon vendet më të varfra në botë.

    Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio, e vlerësoi lart këtë vendim të Kosovës duke e cilësuar këtë hap si një moment historik për Kosovën dhe një dëshmi të qëndrueshmërisë së saj në skenën ndërkombëtare.

    Në një konferencë për media bashkë më ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Murati, ai po ashtu theksoi se Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21 (Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim) duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit, raporton KosovaPress.

    “Një moment me rëndësi të thellë, jo vetëm për Kosovën dhe Bankën Botërore, por edhe për komunitetin global. Sot, Kosova zë vendin e saj si donatore në IDA-21, siç e përmendi zoti ministër, duke përmbyllur kështu një cikël të plotë në rrugëtimin e saj të zhvillimit. Dhe kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu në Prishtinë, për të festuar këtë moment dhe për ta ndarë atë me ju, si dhe për t’ia bërë të ditur botës se Kosova ka marrë këtë vendim shumë të guximshëm, i cili do të ndihmojë vendet më të varfra në botë. Pavarësisht se ka përjetuar plagët e luftës nga viti 1998 deri në 1999 dhe se ka dalë si një nga ekonomitë më të cenueshme të Evropës, vendimi i Kosovës për të kontribuar në IDA-21 mishëron një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. Ky hap shkon përtej thjesht simbolikës. Kjo është një deklaratë e guximshme se edhe kombet që kanë kapërcyer vështirësi të thella mund të jenë kampionë të solidaritetit global… Ky kalim nga përfitues në kontribuues është një rrëfim i rrallë dhe i jashtëzakonshëm, i cili flet për qëndrueshmërinë, vizionin dhe përkushtimin e palëkundur të Kosovës ndaj progresit…Vendimi juaj për të kontribuar në IDA-21 fuqizon objektivat tona të përbashkëta: zhdukjen e varfërisë dhe ndërtimin e shoqërive të barabarta. Ai na sfidon të gjithëve të rishpikim atë që është e mundur kur vendet ndjekin rrugën e tyre me vendosmëri. Vendosmëria çon në rritje kur kultivohet me partneritet, dhe kjo mund të kapërcejë kufijtë dhe brezat”, tha ai.

    Në anën tjetër, ministri Hekuarn Murati ka vlerësuar lartë bashkëpunimin që ka vendi me Bankën Botërore. Ai ka theksuar se deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh.

    Sipas Muratit kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro.

    “Sa i përket financimit dhe bashkëpunimit që kemi me Bankën Botërore mund të them se është një partner krucial në zhvillimin gjithëpërfshirës të shtetit tonë. Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim ka qenë mbështetëse dhe Kosova tash e 15 vite është anëtare e Bankës Botërore dhe tash e 15 vite ka përfituar nga mbështetja e vazhdueshme nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim. Deri më tani sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare është mbështetësi me vëllimin më të madh që kemi aktualisht. Kontratat deri më tani të nënshkruara dhe të ratifikuara janë 376 milionë euro, ndërkaq mbështetja që është disbursuar është 289 milionë euro deri më tani. Përveç kësaj kemi edhe marrëveshje tjera që janë në vijim, që janë të nënshkruara apo priten të nënshkruhen siç janë, marrëveshja për mbështetjen e tregtisë dhe transportit që do të mbështesë korridoret e gjelbra, lehtësimin e transportit e kësisoj shpresoj edhe lehtësimin e eksportit dhe rritjen e vazhdueshme të eksportit. Përveç kësaj kemi edhe projektin për sistemin informativ shëndetësor, apo mbështetjen e sektorit të shëndetësisë që tashmë është nënshkruar vitin e kaluar dhe pret për ratifikim në Kuvend. Uroj që në legjislaturën që po vije këto marrëveshje të kenë mbështetjen e nevojshme”, tha Murati. /kp

  • ​Konjufca në Gllogjan për Epopenë e Dukagjinit

    ​Konjufca në Gllogjan për Epopenë e Dukagjinit

    Në shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit homazhe tek kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan homazhe bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

    Paraprakisht, homazhe bëri edhe presidentja Vjosa Osmani.

    Ajo qëndroi edhe në kullën e Haradinajve ku u prit nga kryetari i AAK-së dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjint, Ramush Haradinaj.

    Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga Forcat e UÇK-së me ato serbe të armikut, të cilat e kishin rrethuar këtë vend, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

    Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj./KP

  • ​Osmani: Me ndihmën e aleatëve Kosova mund të arrijë suksese historike

    ​Osmani: Me ndihmën e aleatëve Kosova mund të arrijë suksese historike

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani kujtoi përvjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe duke thënë se “kjo tregon së bashkëdyzimi i luftës tonë çlirimtare dhe ndihmës së aleatëve më në fund solli lirinë”.

    Osmani tha se vetëm të bashkuar, dhe me ndihmën e aleatëve, Kosova mund të arrijë suksese historike.

    “Sot nderojmë edhe përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-së dhe kjo tregon së bashkëdyzimi i luftës tonë çlirimtare dhe ndihmës së aleatëve më në fund solli lirin për të cilën u sakrifica për breza dhe në të njëjtë kohë është mesazh se vetëm të bashkuar për Kosovën sovrane, por edhe me ndihmën e aleatëve tanë Kosova mund të arrij suksese historike siç edhe ka arritur nëpërmjet çlirimit, pavarësisë dhe shtet ndërtimit”, tha ajo.

    Osmani u deklarua të hënën në Gllogjan të Deçanit.

    Ajo tha se është borxh i institucioneve të Kosovës të nderojnë sakrificën e familjes Haradinaj dhe të Gllogjanit.

    Ajo bëri homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit.

    Osmani më 24 mars qëndroi edhe në Kullën e Haradinajve ku u prit nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-kryetari i zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

    “Njëzetekatër marsi shënon një prej datave më të lavdishme të historisë sonë sepse këtu u bë një luftë heroike në mbrojtje të popullit shqiptar nga ato qe ishin masakrat dhe ndër sulmet më të ashpra të hegjemonisë serbe nën udhëheqjen e regjimit gjenocidal dhe fashist të Millosheviqit. Familja Haradinaj dhe i gjithë Gllogjani u ngritën në këmbë për t’i shndërruar këto kulla në fortifikatë të lirisë dhe shumë prej atyre që luftuan ranë dëshmorë e shumë të tjerë vazhduan të kontibuojnë për lirinë e Kosovës. Prandaj, është borxh i yni si institucione si qytetarë të kësaj republike te lirë e sovrane që gjithnjë të nderojmë sakrificën e familjes Haradinaj dhe të gjithë atyre qe ranë për liri”, tha ai.

  • ​Formimi i qeverisë, Murati: Po presim certifikimin e rezultateve

    ​Formimi i qeverisë, Murati: Po presim certifikimin e rezultateve

    Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka deklaruar se po presin përfundimin e procesit të numërimit të votave, certifikimin e rezultateve, dhe më pas të diskutohet për formimin e qeverisë, raporton KP.

    Këtë deklaratë e bëri pas konferencës së përbashkët me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio.

    “Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, tha Murati.

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë e ka miratuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje prin me 42.30 për qind. E dyta Partia Demokratike e Kosovës me 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate me 7.06 për qind.

    Sipas këtyre të dhënave LVV-ja ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK-ja, 24 ulëse, LDK, 20 vende, Lista Serbe nëntë vende dhe koalicioni AAK-Nisma, tetë vende.

  • ​Qytetarët bëjnë homazhe në Gllogjan

    ​Qytetarët bëjnë homazhe në Gllogjan

    Në 27-vjetorin e betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan e cila njihet si Epopeja e Dukagjinit, shumë qytetarë po vizitojnë Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” dhe po bëjnë homazhe duke kujtuar dhe nderuar të rënët për lirinë e Kosovës.

    Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete në atë që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit, raporton KosovaPress.

    Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00, si dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00.

    Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

    Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmeta.

  • ​Kina u bën thirrje bizneseve globale të kundërshtojnë proteksionizmin

    ​Kina u bën thirrje bizneseve globale të kundërshtojnë proteksionizmin

    Kryeministri kinez Li Qiang u tha drejtuesve globalë në Pekin se Kina është e përgatitur për “tronditje të papritura” dhe i bëri thirrje atyre të kundërshtojnë proteksionizmin dhe të mbrojnë globalizimin, raporton CNN.

    Në Forumin e Zhvillimit të Kinës, ku morën pjesë CEO nga Apple, FedEx dhe Pfizer, Li paralajmëroi se “shkëputja dhe prishja e zinxhirëve të furnizimit do të thellonin krizat” dhe premtoi më shumë qasje në treg për investitorët e huaj, përcjell KosovaPress.

    Takimi u zhvillua mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë, me Trump që ka vendosur tarifa shtesë 20% ndaj importeve kineze, ndërsa Pekini ka kundërpërgjigjur me masa të ngjashme. Li u takua edhe me senatorin amerikan Steve Daines, duke e quajtur bashkëpunimin SHBA-Kinë një “fitore për të dyja palët”.

    Në forum u diskutuan sfidat tregtare dhe nevoja për fleksibilitet në zinxhirët e furnizimit. Drejtues të kompanive si IKEA dhe Boston Consulting Group theksuan rëndësinë e tregtisë së hapur dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve teknologjike dhe gjeopolitike. Li theksoi se Kina do të mbetet një fuqi përgjegjëse dhe mbështetëse e globalizimit.

  • ​I riu i vrarë në Vushtrri ishte futbollit i FC Mitrovica, reagon klubi

    ​I riu i vrarë në Vushtrri ishte futbollit i FC Mitrovica, reagon klubi

    19-vjeçari që mbeti i vrarë mbrëmë si pasojë e plagëve të marra nga arma e zjarrit në Vushtrri, ishte pjesë e klubit të futbollit FC Mitrovica, shkruan KosovaPress.

    Kjo tashmë është konfirmuar nga vet klubi që ka lëshuar një telegram ngushëllimi në faqen zyrtare.

    “Në orët e vona të së dielës morëm lajmin e hidhur për ndarjen nga jeta të ish – futbollistit të klubit tonë Ardit Zymberi. Kjo ngjarje e kobshme solli një lajm të papranueshëm dhe shumë të dhimbshëm pasi nga jeta u nda një i ri 19 vjeçar sikur Arditi. Në emër të gjithë Kryesisë, futbollistëve dhe stafit të trajnerëve i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Zymberi dhe gjithë shoqërisë së Arditit. Rastet e tilla duhet të punojmë fortë të mos përsëriten, pasi që dhimbja është e madhe”, thuhet në reagimin e FC Mitrovica.

  • Një grua ka humbur jetën nga zjarri në Shtërpcë

    Një grua ka humbur jetën nga zjarri në Shtërpcë

    Në një zjarr që kishte shpërthyer herët në mëngjesin e sotëm në shtëpinë e familjes Millenkoviq në Shtërpcë, ka vdekur M. T. (75), e cila jetonte aty si qiramarrëse.

    Sipas komandantit të stacionit policor të Shtërpcës, Dragan Stevanoviq, zjarri është vërejtur nga një patrullë policore duke kaluar aty pari, transmeton Paparaci.

    “Gjatë aktiviteteve të rregullta, një patrullë policore ka vërejtur tym që dilte nga një shtëpi në lagjen Krstiçine të Shtërpcës rreth orës 06:15. Në vend kanë vërejtur se një dhomë ishte përfshirë nga zjarri, në të cilën u gjet trupi i pajetë i një femre. Zjarrfikësit mbërritën në vendin e ngjarjes dhe e lokalizuan zjarrin, si dhe ekipi shëndetësor e cila ka konstatuar vdekjen e gruas, ka thënë Stevanoviq.

    Viktima M. T., jetonte vetëm në shtëpi.

    Aktualisht janë duke u zhvilluar hetime në vendngjarje nga Njësia Rajonale e Hetimeve dhe Mjekësisë Ligjore nga Ferizaj, si dhe ekspertët e zjarrfikësve të cilët do të përcaktojnë shkaqet e zjarrit.

    Trupi i pajetë i gruas së ndjerë do të dërgohet për obduksion.

  • Grenell u reagon mediave serbe për “lajm të rremë” që raportuan se i ka fshirë të gjitha postimet për Vuçiqin

    Grenell u reagon mediave serbe për “lajm të rremë” që raportuan se i ka fshirë të gjitha postimet për Vuçiqin

    Portale dhe faqe në rrjete sociale raportuan se Richard Grenell, Emisari Presidencial për Misione të Posaçme, ka fshirë të gjitha postimet me/për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq – duke i dhënë interpretime të një shkëputje të marrëdhënieve mes të dyve.

    Grenell u ka reaguar në “X” duke i quajtur “lajme të rreme” dhe se muri i tij në “X” i fshin vetvetiu postimet e vjetra disamuajshe.

    “Ky është një lajm i rremë. Muri im fshin të gjitha përmbajtjet pas disa muajve. A keni shikuar që nuk ka arkiv? Duhet ta përmirësoni lajmin tuaj të rremë”, ka shkruar Grenell.

  • Gjenerali Wesley Clark për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO: Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur

    Gjenerali Wesley Clark për tërheqjen e mundshme të SHBA-së nga NATO: Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur

    Ish Komandanti Suprem i NATO-s, Wesley Clark, vlerësoi një raport që administrata e presidentit Donald Trump po konsideron ndryshimin drastik të strukturës së saj të komandës ushtarake, duke argumentuar se vendimi i mundshëm do të pengonte bashkëpunimin ushtarak midis SHBA-së dhe Evropës dhe do të “kënaqte” Rusinë.

    “Asgjë nuk do ta bënte Rusinë më të lumtur”, tha Clark.

    Bëhet e ditur se kjo deklaratë vjen pasi Pentagoni po shqyrton një plan që do të rezultonte që SHBA të heqë dorë nga pozicioni i saj si komandant suprem aleat i NATO-s në Evropë, shkruan the Hill, përcjell Telegrafi.

    “Komandat luftarake të SHBA-së janë maja e shtizës luftarake amerikane. Prandaj, ne jemi shumë të shqetësuar për raportet që pretendojnë se Departamenti i Mbrojtjes po shqyrton ndryshime të njëanshme në çështjet kryesore strategjike, duke përfshirë reduktime të konsiderueshme të forcave amerikane të stacionuara jashtë vendit, mungesë të koordinimit me Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin”, tha politikani Mike Rogers.

    Një ditë më vonë, ish-udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell argumentoi nëse administrata do të vepronte sipas propozimit, kjo do të dobësonte në mënyrë drastike aleancën ushtarake të NATO-s, në të cilën SHBA ka mbajtur pozicionin e saj drejtues për gati 75 vjet.

    “Dobësimi i udhëheqjes amerikane nuk do të forcojë interesat e NATO-s apo të SHBA-së. Nëse jemi seriozë për të inkurajuar aleatë më të aftë evropianë, tërheqja nga pozicioni ynë si udhëheqës i aleancës transatlantike do të ishte një mënyrë e çuditshme për ta treguar atë”, tha McConnell në një deklaratë.

    Ndryshe, Trump ka kritikuar më parë lojtarët kryesorë ushtarakë të Evropës për mos shpenzimin e parave të mjaftueshme për mbrojtjen dhe mosdhënien e një shume të përshtatshme në NATO, një pakt i krijuar në vitin 1949.

    Presidenti bëri thirrje për tërheqjen e SHBA-së nga aleanca gjatë mandatit të tij të parë në detyrë