ATV

Category: Lajme

  • ​Vrasjet e fundit, Haradinaj fajëson shtetin

    ​Vrasjet e fundit, Haradinaj fajëson shtetin

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vrasjeve të fundit në Kosovë.

    Ai në Facebook ka thënë se kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është ajo Kosova që e dëshiron.

    “Është shqetësues niveli i vrasjeve kohët e fundit në Kosovë-katër në vetëm dy ditë. As edhe një nuk do duhej të ndodhte në Kosovën e lirë. Kemi humbur shumë jetë në luftë për të mos humbur as edhe një në paqe. Dora e shtetit duhet të ndihet, para së gjithash, në sigurimin e rendit dhe qetësisë. Kjo amulli në rritje, e përkthyer në dhunë dhe vrasje, nuk është Kosova që duam”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se siguria e qytetarëve duhet të jetë prioriteti numër një.

    “Kjo sjellje në masë është reflektim i institucioneve kryesore të shtetit, të cilët të parët nuk respektojnë rend, ligj e prokurori, duke i “trimëruar” kriminelët të të gjitha natyrave përmes amnistimit të sjelljes kriminale të shefit të shtetit. Ky është efekti zinxhiror i sjelljes banditeske nga i pari; Kosovën po e kthen në një shtet ku jeta dhe mirëqenia e qytetarëve janë jashtë kontrollit. Siguria e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë prioriteti numër një, dhe shembulli duhet të vijë nga ata që kanë institucionet në duar”, ka shkruar Haradinaj.

    Kujtojmë, tri vrasje kanë ndodhur në Vushtrri dhe një në Prishtinë gjatë javës së fundit.

  • Arrestohen dy të dyshuar për fajde në Prizren

    Arrestohen dy të dyshuar për fajde në Prizren

    Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona për fajde në Prizren pas një operacioni të mërkurën në mëngjes.

    Gjatë këtij aksioni është arrestuar i dyshuari F.K, viti i lindjes 1996, dhe B.K, viti i lindjes 1974.

    Gjatë operacionit policor në automjetin e njërit nga të dyshuarit është gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri pistoletë e llojit PIETRO BERETTA GARDONE dhe 13 fishekë.

    Po ashtu janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet e tjera përcjellëse e të dyshuarve në dy lokacione të ndryshme në Prizren, me ç ‘rast janë gjetur dhe sekuestruar dhe një pushkë ajrore e model N-01 S, 42 fishekë të kalibrit 9×19 mm dhe një fishekë i kalibrit të panjohur si dhe dy automjete që dyshohet të kenë lidhje me rastin.

    Ndaj të dyshuarve pas intervistimit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

  • Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Kenia e njeh zyrtarisht Kosovën, ndërsa akti i njohjes i dorëzohet ish-presidentit Behgjet Pacolli

    Behgjet Pacolli, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se që nga 26 marsi Republika e Kenias e ka njohur zyrtarisht Kosovën, si shtet të pavarur e sovran.

    “Kjo njohje nuk është thjesht një deklaratë – është një fitore e madhe për shtetin e Kosovës, është zëri i lirisë sonë që dëgjohet thellë në zemrën e Afrikës! Sot, flamuri ynë i shtetit ngrihet lart me krenari në Nairobi, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ecën përpara, fuqishëm dhe me dinjitet kur punohet dhe ka vullnet për të”, ka shkruar Pacolli.

    Tutje, ai ka shtuar se kjo ka ardhur si rezultat i një pune të gjatë, të palodhshme e me shumë përkushtim.

    “Kjo fitore nuk erdhi rastësisht. Ajo është fryt i një pune të gjatë, të palodhur, me përkushtim e sakrificë. Që nga viti 2009, unë personalisht kam lobuar dhe kam biseduar me autoritetet keniane për ta bërë këtë ditë realitet. Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, me vetëm një qëllim – të bëj të njohur zërin dhe të drejtën e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”.

    “Presidenti William Ruto, i qëndroi fjalës së dhënë në vitin 2016. Ai e vizitoi Kosovën në vitin 2019 dhe e ndjeu fuqinë dhe vendosmërinë e popullit tonë. Në vitin 2023, gjatë vizitës time në Nairobi, ai e bëri hapin e parë duke njohur pasaportat tona. Sot, në një ceremoni madhështore, ai e tha me zë të lartë: Kosova është shtet i njohur nga Kenia”, ka shkruar mes tjerash Pacolli.

  • Haxhiu: 88 noterë të rinj do ta nisin detyrën nga 7 prilli

    Haxhiu: 88 noterë të rinj do ta nisin detyrën nga 7 prilli

    88 noterë do të fillojnë ushtrimin e detyrës që nga 7 prilli i këtij viti.

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se pas trajnimeve 6-mujore sot ka nënshkruar vendimet për fillimin e ushtrimit të detyrës për 88 noterët.

    “E falënderoj Odën dhe trajnerët për bashkëpunimin dhe të gjithë noterëve ju uroj punë të mbarë duke kërkuar zbatim të kompetencave në përputhje me legjislacionin në fuqi”, shkroi ajo.

  • Të premten hapet ekspozita për historikun e suksesit të xhudos së Kosovës

    Të premten hapet ekspozita për historikun e suksesit të xhudos së Kosovës

    Federata e Xhudos e Kosovës (FXHK) ka njoftuar se të premten, më 28 prill 2025, do të organizojë ekspozitën “Përpjekja e artë – rrugëtimi i xhudos në lartësimin e Kosovës”.

    Ekspozita hapet në ora 19:00 dhe mbahet në galerinë e Fakultetit të Arteve në Prishtinë.

    Sipas njoftimit, kjo ekspozitë është një udhëtim në historinë e lavdishme të xhudos, të ndërtuar mbi përpjekjet e përditshme shumëvjeçare, me mund dhe dashuri për xhudon dhe Kosovën.

    “Ajo është thurje e dimensioneve historike dhe të tanishme; nga përvojat personale te sukseset kolektive, të cilat paraqiten në një përmbledhje imazhesh vizuale. Ekspozita zbulon copëza të një jete kushtuar xhudos, një rrugë të ndërtuar me sakrifica drejt triumfeve të mëdha. Sukseset historike të xhudos bartin emra individualë, dhe nga medaljet e tyre u lartësua Kosova”- thuhet në njoftimin e FXHK-së.

    Ekspozita “Përpjekja e artë – rrugëtimi i xhudos në lartësimin e Kosovës” është kuruar nga Berat Bajrami.

  • Serbia ia ndalon ministrit Çeku vizitën në Preshevë

    Serbia ia ndalon ministrit Çeku vizitën në Preshevë

    Serbia ia ka ndaluar vizitën në Preshevë ministrit të Kulturës, Hajrulla Çekut.

    Kështu ka njoftuar kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila thotë se po vazhdon diskriminimi ndaj shqiptarëve.

    “Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve. Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi”.

    Ajo thotë se përpjekjet për t’i penguar vetëm sa i bëjnë më të fortë.

    “Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë. Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë”, thotë ajo.

  • Kryeministri Kurti nga Krusha e Vogël kërkoi që kryerësit e krimeve të vihen para drejtësisë

    Kryeministri Kurti nga Krusha e Vogël kërkoi që kryerësit e krimeve të vihen para drejtësisë

    Kryeministri Kurti në tubimin përkujtimor me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Krushë të Vogël, kërkoi nga organet e drejtësisë që kryerësit e krimeve në Kosovë të vihen para drejtësisë.

    “Në pranverën e vitit 1999, Serbia po realizonte projektin e saj të errët dhe famëkeq serbomadh, duke zbatuar planin famëkeq të quajtur ‘Patkoi’ për shfarosjen e popullit në Kosovë. Në kuadër të këtij projekti gjenocidal, autoritetet serbe kishin planifikuar si teknikë të dëbimit dhe terrorizimit të popullsisë shqiptare çrrënjosjen e saj nga Kosova, duke kryer vrasje masive të civilëve të pafajshëm dhe të pambrojtur”, tha Kurti, teksa këtë masakër e cilësoi si gjenocid.

    “Madje aktivistë të të drejtave të njeriut në Beograd si Natasha Kandiq e kanë quajtur këtë krim si gjenocid”, shtoi Kurti.

  • Prokuroria nis hetimet për votimin me postë

    Prokuroria nis hetimet për votimin me postë

    Prokuroria ka nisur hetimet lidhur me votimin me postë në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Kështu njoftoi zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë ka autorizuar Policinë e Kosovës në grumbullimin dhe verifikim të informacioneve, mirëpo në këtë fazë të procedurës të parashtruara nuk mund të jepen detaje më të hollësishme sepse do të cenohej procesi hetimor”, tha ajo për Express.

    VV e ka akuzuar LDK’në për “vjedhje industriale” të votave me postë dhe kanë kërkuar anulimin e gati 19 mijë votave të LDK’së. Për këtë, VV i është drejtuar Gjykatës Supreme, e cila ka kohë deri sot të marrë vendim.

    Ndërsa në anën tjetër, deputeti Besian Mustafa, ka publikuar një video dhe ka thënë se VV ka manipuluar me votat e mërgatës.

    “Mbi 1.600 fletëvotime të kësaj partie, të printuara me të njëjtat gabime teknike, dëshmojnë qartë një manipulim të organizuar”, ka shkruar ai.

  • Presidentja Osmani në Krushë të Vogël: Më 1999 një fshat i tërë u kthye në një varrezë

    Presidentja Osmani në Krushë të Vogël: Më 1999 një fshat i tërë u kthye në një varrezë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në tubimin përkujtimor me rastin e 26-vjetorit të masakrës në Krushë të Vogël, tha se një fshat i tërë u kthye në një varrezë.

    “Një ditë kur edhe heshtja kumbon më shumë se fjalët. Më 1999 ndodhi një nga mizoritë gjenocidale të Serbisë. Për dy ditë u masakruan 113 martirë. Një fshat i tërë u kthye në një varrezë dhe forcat serbe nuk u ndalën vetëm me vrasje, por edhe i dogjën trupat. Serbia dëshmoi edhe një herë përpjekjen për ta fshirë popullin e Kosovës nga faqja e dheut. Krusha e Vogël nuk është vetëm dhimbje, por simbol i zgjuarjes dhe ku i shohim këta fëmijë, shumica prej tyre janë rritur pa prindër. Krusha e Vogël nuk është vend i kujtesës, por edhe vend i së ardhmes sonë, jo për t’u hakmarrë, por për të mos u përsëritur më”, tha presidentja Osmani./EO

  • Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-ës

    Maloku: UÇK-ja ka qenë ushtri vullnetare, roli i inspektorit të përgjithshëm s’ishte përpara dhjetorit të ‘98-ës

    Dëshmitari Naim Maloku tha të mërkurën në Hagë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe struktura e saj ka qenë vullnetare.

    Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, dëshmitari tha se roli i inspektorit të përgjithshëm nuk ishte përpara dhjetorit të 1998-ës kur u bë funksional edhe Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Nga ushtari i parë deri tek i fundit, e tërë struktura e UÇK-së ka qenë vullnetare”, tha Maloku.

    Maloku u pajtua që statusin e veteranit e ka marrë edhe dikush që ka mundur ta mbajë uniformën për pak kohë sepse ka qenë në vullnetin e ushtarëve se sa dojnë të luftojnë dhe kur dëshirojnë që të largohen.

    “Erdhën dy ushtarë nga Zvicra, kishin marrë pushim vjetor njëri një muaj tjetri një muaj e dy ditë, kur e kreu pushimin vjetor e la armën dhe u kthye në Zvicër. Ky tjetri e pati fatin tjetër, edhe dy javë kishte kohë, por u vra edhe sot është dëshmor”, tha Maloku.

    Duke folur për Drejtorinë Operative, dëshmitari tha se u ngrit nga Bislim Zyrapi në dhjetor të 1998-ës dhe para saj nuk kishte ndonjë strukturë të tillë.

    Më pas, atij iu prezantua dëshmia e 24 marsit 2025, në të cilën Maloku kishte folur për inspektorin e përgjithshëm të UÇK-së.

    Sipas dëshmitarit, ky rol ka pasur vetëm funksionin e sugjerimit të masave për të evituar parregullsitë. Ai tha se raportimi duhej të bëhej tek shefi i shtabit. Veç kësaj, shtoi se nuk e di se sa ka mundur që të jetë funksionale në tërësi kjo strukturë.

    Ai theksoi se pozita e sektorit të inspektorit të përgjithshëm nuk ishte në strukturën e UÇK-së përpara dhjetorit të 1998-ës.

    Gjithashtu, Maloku tha se nuk kishte drejtori të veçantë për këtë pozitë dhe shtoi se Rexhep Selimi ishte epror i respektuar në ushtri, i cili përvojën e kishte fituar në luftë dhe jo akademi siç kanë qenë oficerÇt e karrierës në UÇK.

    Në rolin e tij, dëshmitari tha se nuk ka pasur asnjë kontakt me Rexhep Selimin në kohën kur u largua nga Shtabi i Përgjithshëm.

    “Nuk kam pas asnjë komunikim dhe as nuk e kam pa”, tha dëshmitari duke shtuar që vizitat që i bënte nëpër struktura, ia ka komunikuar vetëm komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit dhe jo Rexhep Selimit.