ATV

Category: Lajme

  • ​4 ushtarë amerikanë të zhdukur në Lituani

    ​4 ushtarë amerikanë të zhdukur në Lituani

    Katër ushtarë të ushtrisë amerikane janë zhdukur gjatë një stërvitjeje rutinë në vendin baltik të Lituanisë, thanë sot zyrtarët ushtarakë.

    Një operacion shumëkombësh kërkimi është duke u zhvilluar aktualisht në Pabrade pranë kryeqytetit Vilnius, sipas zyrës së marrëdhënieve publike të komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, raporton AA, përcjell KosovaPress.

    Ushtarët, të gjithë nga Brigada e Parë, Divizioni i 3-të i Këmbësorisë, po bënin stërvitje rutinë në zonën ushtarake kur ndodhi incidenti, tha zyra në një deklaratë.

    “Unë do të doja të falënderoja personalisht Forcat e Armatosura të Lituanisë dhe reaguesit e parë që na erdhën shpejt në ndihmë në operacionet tona të kërkimit,” tha gjenerallejtënant Charles Costanza, gjenerali komandues i Korpusit V.

    “Është kjo lloj pune në grup dhe mbështetje që ilustron rëndësinë e partneritetit tonë dhe humanizmin tonë, pavarësisht nga flamujt që mbajmë mbi supe.”

    Zyrtarët ushtarakë nuk kanë bërë të ditur identitetin e ushtarëve të zhdukur, ndërsa hetuesit shqyrtojnë rrethanat e zhdukjes së tyre.

    Forcat amerikane marrin pjesë në mënyrë rutinore në stërvitje të përbashkëta stërvitore me aleatët e NATO-s në Lituani, një vend i vogël me një popullsi prej rreth 1.9 milionë banorësh, i vendosur midis Rusisë dhe Detit Baltik.

  • ​LVV reagon pas vendimit të Supremes

    ​LVV reagon pas vendimit të Supremes

    Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka reaguar pasi Gjykata Supreme i refuzoi si të pabazuara dy ankesat e fundit lidhur me procesin zgjedhor.

    Ai shkroi se Lëvizja Vetëvendosja do të parashtrojë kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatë Kushtetuese.

    “Do të kërkojmë edhe masën e përkohshme ndaj një vendimi absurd dhe të ndikueshëm politikisht”, tha Sallahu në një postim në Facebook të mërkurën më 26 mars.

    “Kemi informacione nga brenda se diskutimi përgjatë vendimit në Supreme ka qenë kryekëput politik dhe larg të qenit juridik e ligjor gjë që tregon pak a shumë për natyrën e vendimit. Por, si Lëvizje Vetëvendosje. Do të ndjekim të gjitha hallkat ligjore në mënyrë që të sjellim drejtësi për këtë skemë krimi e manipulimi”, shkroi ai.

    Supremja refuzoi të martën ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Partisë demokratike të Ashkalinjve.

    “Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, janë refuzuar si të pabazuara”, thuhet në faqen zyrtare të gjykatës.

    Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar ankesë më 21 mars në Supreme, kundër vendimit të PZAP-së ku u rrëzua ankesa e tyre për anulim të votave me postë të LDK-së si dhe kërkesën për rivotim me postë, transmeton KosovaPress.

    E zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha më herët për KosovaPress se varësisht prej vendimmarrjes së Supremes, do t’i zbatojnë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve.

    Certifikimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit do t’i hapte rrugë rrjedhjes së afateve ligjore për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në bazë të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me 42.30 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës 20.95 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës 18.27 për qind, koalicioni AAK-Nisma 7.06 për qind.

    Në bazë të këtyre shifrave, Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 deputetë, PDK 24, LDK 20, AAK-Nisma 8 si dhe komunitetet jo shumicë 20 deputetë.

    Sipas rezultateve, asnjë parti nuk mund ta formojë e vetme qeverinë, shkruan KosovaPress.

  • Riarmatimi më i madh nga Lufta e Ftohtë, Suedia rrit shpenzimet e mbrojtjes

    Riarmatimi më i madh nga Lufta e Ftohtë, Suedia rrit shpenzimet e mbrojtjes

    Suedia njoftoi sot një shtesë prej 300 miliardë korona (30 miliardë dollarë) në shpenzimet e mbrojtjes për riarmatimin më të madh që nga Lufta e Ftohtë.

    “Bëhet fjalë për një investim të mbrojtjes të financuar nga kredia nga ky vit deri në vitin 2030 deri në vitin 2035 që mund të arrijë në një total prej rreth 300 miliardë korona,” tha kryeministri Ulf Kristersson në një konferencë për media, raporton televizioni SVT, përcjell KP.

    Kristersson pohoi se ata ranë dakord të investonin në shpenzime të reja të mbrojtjes ushtarake për të shmangur “shkurtimin e nevojave të rëndësishme të mirëqenies ose investimeve në sigurinë e brendshme”.

    “Ky do të jetë riarmatimi më i madh që nga Lufta e Ftohtë,” nënvizoi ai.

    Si pjesë e amendamentit të ardhshëm të buxhetit të pranverës, u prezantua gjithashtu një paketë rreth 9 milionë dollarësh për të luftuar kërcënimet hibride.

    U raportua gjithashtu se qeveria do të ndajë rreth 1.5 miliardë dollarë nga buxheti i vitit 2026 për këtë vit, si pjesë e mbështetjes vjetore ushtarake prej 2.5 miliardë dollarësh për Ukrainën për 2024-2026.

  • ​Katër vrasje për tri ditë

    ​Katër vrasje për tri ditë

    Numri i madh i armëve pa leje në duart e qytetarëve po shihet një prej problemeve kryesore në Kosovë.

    Vetëm në tre ditët e fundit kanë ndodhur katër vrasje – në tri raste të ndara – si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Policia e Kosovës tha për KosovaPress se vetëm gjatë vitit 2024 janë konfiskuar 1746 armë, ndërkaq një vit më herët numri ishte 1392 armë.

    Vrasjet e ditëve të fundit po konsiderohen alarm për institucionet që të ndërmarrin veprime për të parandaluar raste të tilla.

    Psikologu klinik, Ilir Havolli tregon disa faktorë që sipas tij ndikojnë në rritjen e rasteve të tilla.

    “Është [vrasja] një fenomen mjaft shqetësues që po ngjanë në vendin tonë. Dhe janë disa nga faktorët psikologjik që ndikojnë siç është impulisiviteti, pastaj çrregullimet e pa trajtuar të shëndetit mendor, janë konflikte e pa zgjidhura, janë mungesa aftësive të përballimit mekanizmave të shëndetshëm. Kur kjo ndodh në periudhë kaq të shkurtër, atëherë kjo ka edhe efektin imitues, kur një akte dhune e nxitë dhe ndikon edhe në realizmin e akteve tjera të dhunës. Kjo ka ndërlidhje të përbashkët duke filluar nga faktorët social, pastaj nga problemet ekonomike nga pa mundësia e trajtimit me kohë të çrregullimeve apo vështirësive të ndryshme të shëndetit mendor”, thotë Havolli.

    Ndërkaq, sociologu Labinot Konushevci thotë se çështja e sigurisë duhet të shndërrohet në prioritet nacional dhe shtetëror, dhe siç thotë ai, rast të tilla nuk duhet të kalojnë si çështje statistikore.

    “Natyrisht që ne jetojmë në një shoqëri që po manifeston frustrimin nëpër forma brutale dhe nuk po i përdorë mekanizmat e vetëkontrollit dhe të inteligjencës emocionale për të parandaluar dhunën, dhe kjo tregon që çështja sigurisë duhet të shndërrohet në prioritet nacional dhe shtetëror, pra nuk është çështje teknike apo statistikore ku ne merremi dy-tre ditë me një rast, edhe vajtojmë, pastaj harrohet ajo dhe faktikisht dhuna është bërë ciklike te ne. Është një cikël shumë fatkeq edhe famëkeq për ne. Por ka shumë faktorë, nga këndvështrimi sociologjik, ne duhet të shohim që shoqëritë që kanë prirje dhune, faktikisht kanë mungesë të inteligjencës sociale, mungesa e komunikimit racional ose kur njerëzit e shohin dhunën si mjet komunikimi për zgjedh një problem, dhe mungesa e inteligjencës emocionale që është arma më e fortë e njerëzve që kanë, ose që ndeshen me situata të palakueshme”, thotë ai.

    Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.

    I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.

    Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.

    Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.

    Vrasja tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti bëri thirrje të mërkurën për veprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.

  • “Rusia e fiksuar pas Kosovës”, Qeveria reagon pas telefonatës mashtruese të komedianëve rusë ndaj Kurtit

    “Rusia e fiksuar pas Kosovës”, Qeveria reagon pas telefonatës mashtruese të komedianëve rusë ndaj Kurtit

    Qeveria e Kosovës ka reaguar zyrtarisht pasi kryeministri Albin Kurti është bërë viktimë e një telefonate mashtruese nga dy komedianët e njohur rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të njohur ndryshe si “Vovan dhe Lexus”, të cilët janë prezantuar si presidenti i Letonisë, Edgar Rinkēvičs, transmeton ATV.

    Në një video të publikuar nga vetë komedianët në platformën “X”, Kurti dëgjohet duke zhvilluar një bisedë të gjatë me ta, duke shprehur shqetësime për “luftën hibride” ndaj Qeverisë, duke përmendur opozitën, oligarkët, median dhe marrëdhëniet me ndërkombëtarët. Ai flet gjithashtu për situatën e sigurisë, blerjen e armatimit, përgatitjet për NATO-n dhe kritikon qasjen e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë.

    Ndër të tjera, Kurti përmend edhe emisarin amerikan Richard Grenell, për të cilin thotë se ka ndikuar në rrëzimin e qeverisë së tij të parë, dhe se aktualisht bashkëpunon me opozitën në Kosovë.

    Reagimi i Qeverisë së Kosovës

    Në një deklaratë zyrtare të publikuar nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se telefonata ka ndodhur më 11 shkurt, pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, në një periudhë kur Kurti po pranonte shumë telefonata urimi nga liderë të ndryshëm ndërkombëtarë. Sipas Qeverisë, për shkak të ngarkesës kohore nuk ishte e mundur të verifikoheshin plotësisht të gjitha thirrjet.

    “Ky incident fatkeq e konfirmon edhe njëherë atë që tashmë e kemi ditur: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta targetojë vendin tonë,” thuhet në deklaratë. Qeveria përmend se gjatë fushatës zgjedhore, mediume si Sputnik Serbia dhe Russia Today kanë publikuar mbi 60 lajme të rreme dhe dezinformata për të ndikuar në procesin demokratik në Kosovë, gjë që është dokumentuar edhe nga Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i BE-së.

    Megjithëse shpreh keqardhje për rastin, Qeveria nënvizon se kjo bisedë vetëm sa dëshmon qëndrimin e qëndrueshëm të kryeministrit Kurti ndaj çështjeve të rëndësishme, “si në biseda publike ashtu edhe në ato private.”

    Kush janë “Vovan dhe Lexus”?

    Komedianët rusë janë të njohur për mashtrimet e tyre ndaj figurave të larta ndërkombëtare. Më parë, ata kanë mashtruar liderë si ish-kryeministri kanadez Justin Trudeau, ish-kryeministri britanik Boris Johnson, senatori amerikan Bernie Sanders dhe të tjerë. Rastet e tyre janë parë gjerësisht si pjesë e një strategjie për të diskredituar liderët perëndimorë dhe për të përhapur propagandë ruse. /tavlive.tv

  • “Jam shumë i lumtur”, presidenti i Shqipërisë reagon pasi Kenia njeh Kosovën shtet

    “Jam shumë i lumtur”, presidenti i Shqipërisë reagon pasi Kenia njeh Kosovën shtet

    Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar pasi Kenia ka njohur pavarësinë e Kosovës.

    Begaj ka falënderuar presidentin kenian, William Rutto, për njohjen e pavarësisë dhe ka thënë se është shumë i lumtur për një vendim të tillë.

    Ka qenë ish-presidenti Behgjet Pacolli ai që ka dhënë lajmin se Kenia ka njohur Kosovën si shtet.

  • Pacolli thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i vendosë raportet diplomatike me Kenian pas njohjes së pavarësisë

    Pacolli thirrje Qeverisë së Kosovës që t’i vendosë raportet diplomatike me Kenian pas njohjes së pavarësisë

    Ish-presidenti i Kosovës dhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, në njoftimin e tij se Republika e Kenias ka njohur pavarësinë e Kosovës, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë raporte diplomatike me këtë shtet dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi.

    Pacolli thotë se kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan.

    “I bëj thirrje Qeverisë së Kosovës që menjëherë të vendosë marrëdhënie diplomatike me Kenian dhe të hapë një Ambasadë të përbashkët me Republikën e Shqipërisë në Nairobi. Kosova duhet të jetë prezente aty ku respektohet dhe mbështetet – në zemrën e Afrikës! Kjo ambasadë do të jetë porta e Kosovës për të hyrë fuqishëm në kontinentin afrikan, për të ndërtuar aleanca të reja politike, ekonomike dhe kulturore”, ka shkruar Pacolli.

    Pacolli ka falendëruar edhe kryeministrin Edi Rama dhe presidentin Ragip Begaj, dhe këshilltarin e tij Jetlir Zyberaj.

    “Dua te shpreh falenderimin për bashkëpunëtorin tim të ngushtë, Jetlir Zyberaj i cili ka qenë në mënyrë permanente syri dhe veshi im jo vetëm në këtë proces të rëndësishëm për Kosovën. Një falënderim të veçantë dua t’i shpreh edhe Shqipërisë, presidentit Begaj dhe kryeministrit Edi Rama të cilët më kanë dhënë mbështetje shtetërore.

    Kjo është dita kur Kosova u pa, u dëgjua dhe u pranua. Kjo është dita kur populli ynë duhet të ndiejë krenarinë e një fitoreje që nuk ka çmim – njohjen ndërkombëtare të shtetit tonë.

    Faleminderit Kenia! Faleminderit President Ruto! Lavdi Kosovës dhe qytetarëve të saj krenarë!”, ka shkruar Pacollit.

  • Osmani pranon vendimin e Kenias ku e njeh Kosovën: Falënderim i veçantë për ish-presidentin Pacolli

    Osmani pranon vendimin e Kenias ku e njeh Kosovën: Falënderim i veçantë për ish-presidentin Pacolli

    Republika e Kenias është bërë shteti i 118-të që ka njohur zyrtarisht pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, përmes një vendimi të firmosur nga presidenti William Ruto, i cili tashmë është dorëzuar zyrtarisht në Presidencë.

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është ajo e cila e konfirmoj njohjen nga Republika e Kenias, teksa e cilësoi këtë akt si dëshmi të fuqishme të mbështetjes së Kenias për lirinë, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

    “Njohja e Kenias është një njohje e sakrificës shekullore të popullit të Kosovës për liri dhe drejtësi. Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, i shpreh falënderime të sinqerta Presidentit Ruto për këtë vendim të drejtë dhe të rëndësishëm, si dhe qytetarëve kenianë që mbështetën këtë hap diplomatik”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Ajo theksoi se gjatë viteve të fundit ka zhvilluar takime të rëndësishme me presidentin Ruto, ku njohja e Kosovës ka qenë një nga temat kryesore të diskutimeve.

  • PZAP e konfirmon se ka refuzuar ankesat e Vetëvendosjes dhe partive të tjera si të pabazuara

    PZAP e konfirmon se ka refuzuar ankesat e Vetëvendosjes dhe partive të tjera si të pabazuara

    Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka refuzuar disa ankesa të subjekteve politike lidhur me vendimet për zgjedhjet.

    Sipas njoftimit të PZAP-së për ATV-në, janë refuzuar si të pabazuara dy ankesa të dorëzuara më 21 mars 2025: një nga Lëvizja Vetëvendosje dhe një tjetër nga Koalicioni PDAK-LPB.

    Gjithashtu, më 24 mars është refuzuar edhe ankesa e kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Petrit Hajdari.

    “Dy ankesat e pranuara me datë 21 mars 2025, një ankesë nga Lëvizja Vetëvendosje, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, A.nr.641/2025 dhe një ankesë nga Koalicioni PDAK-LPB, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, A.nr.639/2025, janë refuzuar si të pabazuara. Me datë 24 është refuzuar ankesa e kandidatit për deputet Petrit Hajdari nga Partia Demokratike e Kosovës-PDK, e ushtruar kundër vendimit të PZAP-se, A.636/2025”, thuhet në përgjigjen e PZAP-së për ATV-në.

  • NATO paralajmëron Rusinë: Nëse sulmoni Poloninë, pasojat do të jenë shkatërruese

    NATO paralajmëron Rusinë: Nëse sulmoni Poloninë, pasojat do të jenë shkatërruese

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte paralajmëroi Rusinë sot se çdo sulm ndaj Polonisë ose ndonjë anëtari tjetër të aleancës do të provokonte një përgjigje “shkatërruese”.

    Rutte foli gjatë një vizite në Varshavë, ku bëri një deklaratë të shkurtër me kryeministrin polak Donald Tusk.

    Tusk tha se është e rëndësishme të përgatitemi për çdo rezultat të mundshëm të negociatave midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë, e cila po vazhdon prej tre vjetësh.

    Shtetet anëtare të NATO-s përgjatë kufirit lindor të aleancës – veçanërisht Polonia dhe shtetet baltike – janë jashtëzakonisht të shqetësuara se negociatat mund të përfundojnë në një marrëveshje që përfiton Rusinë. Ata kanë frikë se një rezultat i tillë do të lejonte presidentin rus Vladimir Putin të rindërtojë aftësitë ushtarake dhe të kërcënojë vendet e tjera në rajon në vitet e ardhshme.

    “Putini nuk duhet të mendojë se mund të ikë me të” “As Putini dhe askush tjetër nuk duhet të mendojnë se mund të shpëtojnë me diçka të tillë,” tha Rutte.

    “Nëse dikush do të keqvlerësonte situatën dhe do të mendonte se mund të sulmojë Poloninë ose ndonjë anëtar tjetër të aleancës, ata do të përballen me forcën e plotë të kësaj aleance të fortë. Reagimi ynë do të jetë shkatërrues. Kjo duhet t’i bëhet absolutisht e qartë Vladimir Putin dhe të gjithë atyre që duan të na sulmojnë”, tha Rutte.

    Paralajmërimi i Rutte vjen në një kohë kur kthimi i Presidentit Donald Trump në pushtet ka tronditur supozimet e sigurisë që kanë qenë themeli i aleancës europiano-amerikane për dekada. Për shkak të kësaj, Evropa po përpiqet gjithnjë e më shumë të zvogëlojë varësinë e saj nga mbrojtja e sigurisë amerikane dhe po planifikon investime ambicioze në industrinë dhe armatimet e saj ushtarake.

    “Rusia mbetet kërcënimi më i errët për NATO-n” tha Trump në një takim të fundit me Rutte në Shtëpinë e Bardhë se ai nuk besonte se një marrëveshje paqeje për Ukrainën do të çonte në sulmin e Rusisë ndaj vendeve të tjera.

    Rutte, megjithatë, ka paralajmëruar më parë se Rusia mund të jetë përsëri në gjendje të sulmojë tokën evropiane deri në fund të kësaj dekade.

    “Të mos harrojmë se Rusia mbetet kërcënimi më i rëndësishëm dhe më i errët për aleancën tonë. Mos të harrojmë as se Rusia po shkon drejt një ekonomie lufte – dhe kjo do të ndikojë fuqishëm në aftësinë e saj për të ndërtuar ushtrinë e saj,” tha Rutte të mërkurën.