ATV

Category: Lajme

  • Presidentja Osmani bën homazhe në Krushë të Vogël

    Presidentja Osmani bën homazhe në Krushë të Vogël

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë homazhe në Krushë të Vogël, ndërsa më pas merr pjesë në tubimin përkujtimor.

    U bënë 26 vjet nga masakrat në Krushë të Madhe dhe Krushë të Vogël. Më 25, 26 e 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit janë masakruar 243 persona, përfshirë burra, gra, pleq e fëmijë.

    Kjo masakër konsiderohet si një nga masakrat më të mëdha gjatw luftës në Kosovë./EO

  • Brajshori: Për krimet e fëmijëve duhet të dënohen edhe prindërit

    Brajshori: Për krimet e fëmijëve duhet të dënohen edhe prindërit

    Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin COMPASS në ATV, tha se prindërit duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që kryejnë fëmijët e tyre të mitur.

    Ai zbuloi se së bashku me kolegët e tij po draftojnë një projekt-propozim për ndëshkimin e prindërve në raste të tilla.

    “Urgjente është që të punohet së pari më prindërit e fëmijëve. Unë me disa kolegë të mi, me qenë se nuk kemi të drejtë të bëjmë ligje, por jemi duke e draftuar një projekt propozim që të dënohen edhe prindërit kur fëmijët në moshë minore kryejnë krime”, tha Brajshori.

    Ai tha se prindërit nuk mund të shmangin përgjegjësinë duke pretenduar se nuk kanë ndikim mbi sjelljen e fëmijëve.

    “Është fjala pra për krimet të cilat janë me paramendim dhe jo ato me afekt, për arsye se shumica e prindërve po e hjekin përgjegjësin nga supet e tyre duke thënë se fëmija më ka dalë dorësh dhe as unë nuk po kam çka me i ba fëmijës tim. Kjo është papërgjegjësi totale dhe në këtë mënyrë duhet edhe ata prindër të mbajnë përgjegjësi për krimet me paramendim që i bëjnë fëmijët e tyre”, u shpreh Brajshori.

    Deklaratën e plotë të Jeton Brajshorit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Smakiqi: Për një “kurrgjë hiq” po ndodh vrasja, institucionet nuk po bëjnë asgjë

    Smakiqi: Për një “kurrgjë hiq” po ndodh vrasja, institucionet nuk po bëjnë asgjë

    Avokati Xhevdet Smakiqi, në emisionin COMPASS në ATV, tha se mungesa e veprimeve parandaluese nga institucionet ka ndikuar që vrasjet të ndodhin me lehtësi, madje edhe për motive të parëndësishme.

    Ai tha se megjithëse ligjet parashohin dënime të rënda për vepra si armëmbajtja pa leje dhe vrasja, shteti po dështon në parandalimin e tyre.

    “Për armëmbajtje pa leje ka edhe dënim me burgim, për shembull e kemi rastin e fundit që ka qenë me vrasje ku është dënuar për armëmbajtje pa leje, por që është shpallur i pafajshëm për një vrasje… është dënuar gati dy vite për armëmbajtje pa leje. Pra, dënimet janë të parapara dhe të ashpra e sidomos edhe te vrasja, te Neni 172, ku nuk mund të dënohesh më pak se pesë vjet… por nëse janë të motivuara për motive të ulëta, hakmarrja, apo kanë rrezikuar persona tjerë, apo janë vrarë në mënyrë dinake apo mizore, atëherë nuk mund të dënohesh më pak se 10 vjet dhe mund të shkojë deri në burgim të përjetshëm”, tha Smakiqi.

    Ai tha se Prokuroria dhe gjykatat merren me pasojat, ndërsa institucionet tjera po dështojnë të ndërhyjnë me masa parandaluese.

    “Unë po them që Prokuroria dhe gjykatat merren me pasojat, qeveria, institucionet, universiteti, Ministria e Arsimit, shkollat fillore, psikologët, pedagogët, profesorët, ai trekëndëshi prind-mësues-nxënës, për gjeneratat e reja, sepse kemi vrasje edhe për moshat shumë të shtyra, pra janë masa parandaluese të cilat Qeveria nuk po i ndërmerr”, shtoi ai.

    Sipas tij, numri i madh i armëve në duart e popullatës dhe qasja e lehtë në to po i bën vrasjet më të shpeshta dhe më të lehta.

    “Ky numër kaq i madh i armëve në popullatë dhe qasja e të rinjve, po ua mundëson që për një kurrgjë hiq të ndodh një vrasje. Pyetja është, çka po bëjnë institucionet? Asgjë”, deklaroi Smakiqi.

    Deklaratën e plotë të Xhevdet Smakiqit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Vrasjet e tri ditëve të fundit, Krasniqi: Nuk mund të heshtim, shteti duhet të zgjohet

    Vrasjet e tri ditëve të fundit, Krasniqi: Nuk mund të heshtim, shteti duhet të zgjohet

    Katër persona humbën jetën brenda tri ditëve në Kosovë, si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

    Në mesin e viktimave ishte një 19 vjeçar. Lidhur me këtë situatë ka reaguar kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

    Krasniqi ka thënë se pasiguria ka kapluar vendin tonë.

    “Brenda vetëm tre ditësh, katër jetë u shuan nga armët e zjarrit në Kosovë. Një grua, një i ri dhe dy burra – secili me një histori, me ëndrra, me familje që tani janë zhytur në dhembje të pamatshme. Këto nuk janë thjesht statistika. Këto janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur. Sa jetë të tjera duhet të humbasim që të pranojmë se kjo është një emergjencë kombëtare? Sa familje të tjera duhet të shkatërrohen që të kuptojmë se qasja e lehtë në armë dhe dështimi i shtetit për të vepruar me vendosmëri janë një kombinim vdekjeprurës?”, ka shkruar Krasniqi.

    Ai ka theksuar se askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e paligjshme mund t’i marrë jetën.

    “Pasiguria ka kapluar vendin tonë. Një ndjenjë frike dhe pasigurie ka zënë rrënjë në shoqëri, duke e bërë jetën e qytetarëve të rënduar nga ankthi dhe droja për të nesërmen. Askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment, në rrugë, në shtëpi apo në vendin e punës. Nuk mund ta normalizojmë këtë gjendje – nuk guxojmë. Nuk mund të heshtim. Shteti duhet të zgjohet”, ka shkruar Krasniqi.

    Krasniqi ka theksuar se institucionet duhet të veprojnë me urgjencë dhe të ketë kontroll më i rreptë i armëve, forcim i rendit dhe drejtësi e pakompromis – këto nuk janë thjesht politika, por çështje jete dhe vdekjeje.

    “Partia Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje. Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave”, ka thënë Krasniqi.

  • Zjarret në Korenë e Jugut, shkon në 24 numri i të vdekurve

    Zjarret në Korenë e Jugut, shkon në 24 numri i të vdekurve

    Ka shkuar në 24 numri i të vdekurve nga zjarret e shkaktuara nga era në Korenë e Jugut, të vlerësuara si më të këqijat ndonjëherë, ku si pasojë janë shkatërruar më shumë se 200 struktura dhe duke detyruar 27,000 njerëz të evakuohen, kanë thënë zyrtarët të mërkurën.

    Në mesin e të vdekurve ishte edhe një pilot që vdiq pasi një helikopter u rrëzua gjatë përpjekjeve për të kontrolluar zjarret në qytetin juglindor të Uiseong, një nga zonat më të goditura.

    Agjencia Kombëtare e Zjarrfikësve tha se të paktën 26 persona pësuan lëndime të shkallëve të ndryshme, raporton AP.

    Një tempull i lashtë budist, shtëpi, fabrika dhe automjete ishin ndër strukturat e shkatërruara nga zjarret që kanë djegur 43,330 hektarë, tha qendra e qeverisë për reagimin ndaj urgjencës.

  • Smakiqi: Tek të rinjtë është përhapur kultura e gangsterizmit, shteti duhet të veprojë

    Smakiqi: Tek të rinjtë është përhapur kultura e gangsterizmit, shteti duhet të veprojë

    Avokati Xhevdet Smakiqi, në emisionin COMPASS në ATV, tha se përhapja e kulturës së gangsterizmit te të rinjtë dhe qasja e tyre e lehtë në armë është kthyer në problem kombëtar.

    Ai tha se të rinjtë nën moshën 25-vjeçare po përfshihen në vrasje si pasojë e edukimit të dobët dhe ndikimeve negative të shoqërisë.

    “Kur kemi të bëjmë me vrasje të personave, të cilët nuk i kanë mbushë njëzet vjet apo janë nën 25 vjet, kemi të bëjmë me fenomenin e kulturës, edukimit jo të mirë dhe gangsterizmit, ku të rinjtë tanë, për fatin e keq të shtetit tonë, po kanë qasje në armë të vogla në revole, ku ky është një fenomen dhe një dukuri ku institucionet dhe qeveria përkatëse duhet të merren me këtë punë”, tha Smakiqi.

    Ai tha se ndërhyrja e shtetit nuk duhet të kufizohet vetëm pas krimeve, por duhet të ndodhë më herët për të parandaluar pasojat.

    Deklaratën e plotë të Xhevdet Smakiqit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Kurti kërkon veprim të menjëhershëm institucional pas vrasjeve të fundit

    ​Kurti kërkon veprim të menjëhershëm institucional pas vrasjeve të fundit

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin në lidhje me katër vrasjet e ndodhura në tri ditët e fundit.

    Kurti para kabinetit qeveritar bëri thirrje përveprim të menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror, duke theksuar se organet e rendit duhet të trajtojnë me seriozitet rastet dhe të sigurojnë drejtësi për viktimat.

    Ai ftoi organet kompetente të vihet drejtësi dhe të parandalohen këto raste në të ardhmen.

    “Dua të ndaj shqetësimin dhe brengën e njëjtë me të gjithë ju të pranishëm dhe bashkëqytetarët tanë, në lidhje me katër vrasjet e regjistruara në tri ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë dhe drejtësisë që të trajtojnë me seriozitetin më të lartë shkaqet, rrethanat dhe predispozitat e dorasëve, në mënyrë që të vihet drejtësi dhe të parandalohen raste të këtilla në të ardhmen. Gjithë vendi është tronditur dhe lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, ndalet dhe dënohet. Na duhet analizë e kujdesshëm profesionale, veprim i menjëhershëm institucional dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që kemi parë në këto ditët e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne”, tha ai.

    Vetëm në tre ditë, 4 persona kanë vdekur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Kosovë – në tri raste të ndara, shkruan KosovaPress.

    Të dielën më 23 mars në Vushtrri ka vdekur një 19-vjeçar i cili dyshohet të jetë vrarë nga një bashkëmoshatar i tij.

    I dyshuari e ka pranuar fajësinë dhe ndodhet në paraburgim.

    Një tjetër vrasje – kjo e dyfishtë – ka ndodhur një ditë më vonë, më 24 mars, gjithashtu në Vushtrri.

    Lidhur me ketë rast, dyshohet se një burrë në fshatin Stanoc ka vrarë një grua e më pas vetën.

    Vrasje tjetër ka ndodhur të martën mbrëma, më 25 mars në Prishtinë, transmeton KosovaPress.

    Ngjarja e rëndë ka ndodhur në rrugën “Rrustem Hyseni”. Një person ka vdekur dhe një tjetër është plagosur. I dyshuari për këtë rast ndodhet në arrati./KP

  • Navigim me Haris Ademin, Dhuna mes “Netflix-it” dhe realitetit kosovar

    Navigim me Haris Ademin, Dhuna mes “Netflix-it” dhe realitetit kosovar

    Në emisionin COMPASS, përmes rubrikës “Navigim”, gazetari dhe autori Haris Ademi trajtoi një nga temat më të ndjeshme dhe urgjente të shoqërisë sonë: ndikimin e përmbajtjeve mediale tek të rinjtë dhe rritjen alarmante të dhunës në mesin e tyre.

    Duke u ndalur tek seriali “Adoleshenca”, që u publikua para rreth dy javësh në Netflix, Ademi e mori këtë si pikënisje për të hapur një diskutim të rëndësishëm që lidhet drejtpërdrejt me ngjarjet e rënda që kanë ndodhur këto ditë në vend, përfshirë edhe vrasjet e fundit në Vushtrri.

    Seriali “Adoleshenca”, që tashmë ka filluar të diskutohet gjerësisht nga prindërit, mësimdhënësit dhe të gjithë ata që kanë afërm të rinj, rrëfen historinë e një djali 13-vjeçar i arrestuar si i dyshuar për vrasjen e një vajze nga shkolla e tij. Përmes këtij rrëfimi, seriali shtron pyetje të thella mbi rolin e familjes dhe institucioneve në edukimin dhe mbrojtjen e të rinjve.

    Për më shumë mbi këtë temë dhe analizën e plotë nga Haris Ademi, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​ATK kërkon nga këto kategori t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet

    ​ATK kërkon nga këto kategori t’i deklarojnë dhe paguajnë tatimet

    Administrata Tatimore e Kosovës ua rikujton të gjithë personave të cilët ofrojnë shërbime si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., se janë të detyruar të deklarojnë dhe të paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale, në përputhje me legjislacionin tatimor në fuqi.

    Në njoftim thuhet se aktivitetet e ATK-së, në vazhdimësi, do të përqendrohen pikërisht te personat, të cilët nuk i deklarojnë të ardhurat e realizuara dhe nuk paguajnë tatimet dhe kontributet pensionale, raporton KosovaPress.

    “Të gjithë personat të cilët krijojnë të ardhura në Kosovë dhe jashtë Kosovës nga aktiviteti i tyre si ‘freelancer’, ‘influencer’, ‘out-source’ etj., janë të obliguar të deklarojnë dhe paguajnë tatimet sipas rregullave mbi objektin e tatimit bazuar në legjislacionin tatimor të Kosovës në fuqi”, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    Sipas ATK-së, kur shërbimi si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., ofrohet si i punësuar, të ardhurat nga paga i nënshtrohen tatimit të mbajtur në burim nga punëdhënësi vendor, ndërsa nëse i punësuari gjendet në Kosovë dhe punëdhënësi jashtë Kosovës, atëherë personi përfitues obligohet që individualisht të bëjë pagesën e tatimit dhe kontributit pensional.

    Tutje thuhet se deklarimi dhe pagesa e tatimit për të ardhurat e realizuara nga aktiviteti “freelancer”, “influencer” “out-source” etj. bëhet përmes Sistemit Elektronik EDI, në periudhë vjetore apo mujore, varësisht nga zgjedhja që bën personi.

    “Nëse personi (i punësuari) zgjedh të deklaroj dhe paguaj tatimin me deklaratë vjetore, deklarimi dhe pagesa e tatimit bëhet nga data 01.01. deri 31.03. të vitit vijues për vitin paraprak, ndërsa kur personi (i punësuari) zgjedh të deklaroj dhe paguaj tatimin në periudhë mujore, deklarimi dhe pagesa e tatimit bëhet nga data 01 deri 15 të muajit pasues për muajin paraprak:, thuhet në njoftimin e ATK-së.

    ATK bënë me dije se kur shërbimet e ofruara si “freelancer”, “influencer” “out-source” etj., konsiderohen aktivitete ekonomike të pavarura, aktiviteti i tillë kërkohet të regjistrohet përmes ARBK-së.

    “Dhe për të ardhurat e krijuara si biznes i regjistruar në Kosovë, deklarimi dhe pagesa e tatimit i nënshtrohet rregullave për pagesë si të ardhura nga shërbimet me normën 9% në qarkullimin bruto apo sipas rregullave ligjore për të ardhura reale. Gjithashtu, të ardhurat nga aktiviteti ekonomik duhet të trajtohen sipas rregullave ligjore edhe për qëllime të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH)”, shkruan ATK.

    Administrata Tatimore e Kosovës, ka inkurajuar të gjitha kategoritë e lartpërmendura që t’iu përgjigjen në mënyrë të saktë detyrimeve tatimore, në të kundërtën ATK-ja, deklarohet se do të detyrohet që të ndërmarrë masat ndëshkuese sipas legjislacionit tatimor.

  • ​Themelohet Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës së Çlirimit

    ​Themelohet Këshilli Organizativ për shënimin e Ditës së Çlirimit

    Qeveria e Kosovës ka themeluar të mërkurën Këshillin Organizativ për shënimin e 12 qershorit – Ditës së Çlirimit të Kosovës.

    Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi gjithashtu emëroi Ridvan Hotin zëvendësdrejtor ekzekutiv për trajtim të të burgosurve në Shërbimin Korrektues te Kosovës.

    Po ashtu emëroi edhe Irfan Lipovicën drejtor në Drejtorinë e përgjithshme të akreditimit.

    Krahas kësaj, qeveria miratoi edhe raportin e përgjithshëm vjetor mbi inspektimet./KP