ATV

Category: Lajme

  • Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja Kosovë –Shqipëri – Kroaci u koordinua me ShBA-të dhe NATO-n

    Revista kroate demanton Vuçiqin: Marrëveshja Kosovë –Shqipëri – Kroaci u koordinua me ShBA-të dhe NATO-n

    Kosova, Shqipëria dhe Kroacia, javën e kaluar nënshkruan në Tiranë një marrëveshje bashkëpunimi ushtarake.

    Për këtë, Serbia reagoi ashpër, duke thënë se është dashur të pyetet ajo, se ka shkelur një marrëveshje të vitit 1996, se është kundër Serbisë, dhe se u bë pa dijeninë e ShBA-së dhe NATO-s.

    Mirëpo, ministrat e mbrojtjes nga shtetet nënshkruese, thanë se marrëveshja nuk ka për cak askënd, por synon forcimin e sigurisë në vendet respektive dhe ka për qëllim bashkëpunimin në aspektin e sigurisë mes vendeve nënshkruese, raporton Klankosova.

    E revista kroate “Nacional”, ka hedhur poshtë edhe pretendimin e Beogradit zyrtar se ajo u bë pa aminin e ShBA-së dhe të NATO-s.

    “Bashkëpunimi i ri ushtarak mes Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, për të cilin ministri i mbrojtjes, Ivan Anushiq, javën e kaluar udhëtoi në Tiranë për të nënshkruar deklaratën me ministrin e mbrojtjes të Shqipërisë, Pirro Vengu dhe atë të Kosovës, Ejup Maqedonci, është dakorduar, ose më saktë u koordinua, me administratën e presidentit amerikan Donald Trump dhe me udhëheqjen e NATO-s”.

    Këtë, revista kroate “Nacional” thotë t’ua ketë ka konfirmuar jozyrtarisht një burim i lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë.

    I pyetur nëse ishte e vërtetë që deklarata ishte rënë dakord me liderët e ShBA-së dhe të NATO-s, një burim i rangut të lartë pranë Ministrisë së Mbrojtjes të Kroacisë, shpjegoi:

    “Mund t’ju them se deklarata është koordinuar me ata me të cilët është dashur të koordinohet, që janë lojtarët e fortë brenda NATO-s dhe se kushdo që duhet të ishte në dijeni të kësaj nisme kroate, është i njohur me të”, ka thënë ky burim për “Nacional”.

    Ky informacion mohon drejtpërdrejt deklaratën e presidentit serb Alleksandar Vuçiq, i cili u tërbua nga nënshkrimi i deklaratës dhe madje tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje ishte shkelje e të ashtuquajturës marrëveshje nënrajonale për kontrollin e armëve të vitit 1996 dhe se Kroacia dhe Shqipëria pothuajse “me siguri nuk e informuan NATO-n për gjithçka”.

    Ministria e punëve të jashtme e Serbisë tha se “kjo iniciativë, e cila po zbatohet pa Serbinë, por me Prishtinën, paraqet një provokim të hapur dhe një shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.

  • Qytetarët të pezmatuar për shtrenjtimin e rrymës: Me pension 120 euro si ia del në krye?!

    Qytetarët të pezmatuar për shtrenjtimin e rrymës: Me pension 120 euro si ia del në krye?!

    Paralajmërimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) se çmimi i energjisë elektrike do të rritet 15 për qind vazhdon të shkaktojë pakënaqësi ndër qytetarë.

    Në komunikim me Agjencinë e lajmeve Ekonomia Online qytetarët e shfaqin hapur pezmin e tyre. Shtrenjtimin e rrymës e konsiderojnë një barrë të padurueshme për buxhetin e tyre familjar.

    Qytetarët kërkojnë që rritja e çmimit të energjisë të mos bëhet ose së paku të ketë masa nga Qeveria për të mbështetur ata me të ardhura më të ulëta, si pensionistët.

    Qytetari Vesel Veseli thotë se kjo do të ndikojë negativisht në përballimin e shpenzimeve të përditshme, duke e bërë edhe më të vështirë mbijetesën për shumë familje.

    “Kjo është një rritje e papërballueshme për shumicën e familjeve tona, kur dihet çfarë buxheti familjar kanë. Është e papranueshme dhe rritje imponuese. Për ta përballuar disi qytetarët këtë rritje të çmimeve dhe pë ta zbutur këtë gjendje duhet që organet e Qeverisë të marrin masa sociale, duke i ngritur pensionet dhe ndihmat sociale. Një pensionist që sot e ka pensionin 120 euro si do t’ia del?!”, shprehet Veseli.

    Një tjetër qytetar Murat Gërbeshi po ashtu shprehu shqetësimin se rritja e çmimit të energjisë elektrike do të shkaktojë një rritje zinxhirore të çmimeve, duke e vështirësuar jetesën.

    “Rritet çmimi i energjisë dhe shkojnë e të gjitha çmimet rriten. Nuk e di se çka janë duke bërë. Qe tri herë që e rrit çmimin ky zotëria i Vetëvendosjes. Nuk e di se si do ia qes fundin. Po si nuk ndikon?! Do të shkojnë të gjithë çmimet zinxhir të rriten. Nuk kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë ai.

    Edhe qytetari Bajram Demaj kërkoi që energjia elektrike të mos shtrenjtohet, pasi për pensionistët është i pamundur përballimi i kostos së jetesës.

    “Nuk duhet të shtrenjtohet energjia elektrike. Duhet të kane parasysh standardin e popullatës, sidomos pensionet. Me një pension nuk mund t’ia dalë njeriu. Është mirë të mos ketë shtrenjtim. Do të vijë fatura e rrymës diku 70 – 100 euro. A të blesh barna a të paguash qira?! Nuk mund t’ia dalë njeriu assesi. Kërkesa është që të mos shtrenjtohet energjia, popullata duhet të jetë e zgjuar, të protestojë që mos të rritet energjia elektrike”.

    Tashmë Grupi “Asnjë cent ma shumë” paralajmëroi se do të mbajë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, të shtunën më 5 prill në Prishtinë. Protesta do të nisë nga ora 15:00 në sheshin “Skënderbe”. Në njoftim thuhet se protestohet kundër rritjes së tarifave për 15 për qind, kundër varfërisë energjetike, për zë qytetar dhe transparencë si dhe për tarifa të drejta dhe jetë me dinjitet./EO/

  • Autoritetet e Kosovës e refuzojnë kërkesën e ministrit serb të Shëndetësisë për vizitë në Mitrovicë

    Autoritetet e Kosovës e refuzojnë kërkesën e ministrit serb të Shëndetësisë për vizitë në Mitrovicë

    Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka njoftuar se ia ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë ministrit të Shëndetësisë të Serbisë.

    Sipas MPJD-së, ky vendim është marrë bazuar në reciprocitet, pasi Serbia ka refuzuar vizitën e ministrit të Kulturës të Kosovës, Hajrulla Çeku, në Preshevë.

    “Qasja e Kosovës mbetet e bazuar në reciprocitetin dhe respektimin e rendit të saj kushtetues. Pas refuzimit të Serbisë për të lejuar ministrin Hajrulla Çeku ta vizitojë Preshevën, Kosova ka refuzuar kërkesën për vizitë të ministrit të Shëndetësisë të Serbisë. Trajtimi i drejtë dhe i barabartë është thelbësor”- thuhet në njoftimin e Ministrisë të lëshuar më 26.03.2025.

  • Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Reuters: Kenia e njeh Kosovën si shtet të pavarur, hapi i parë i tillë në pesë vjet

    Kenia e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur, vendi i parë që e ka bërë këtë pas gati pesë vitesh përpjekjesh të ngecura për të fituar njohje të mëtejshme ndërkombëtare, shkruan Reuters.

    Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të kundërshtimit nga Serbia dhe aleatët e saj, duke përfshirë edhe Rusinë dhe Kinën, mbajtësit e vetos së OKB-së.

    Mbi 110 vende, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e vendeve evropiane, e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

    Njoftimin e ka bërë ish-presidenti i Kosovës Behgjet Pacolli, i cili në faqen e tij në Facebook ka shpërndarë foto me presidentin kenian, William Ruto, teksa ka nënshkruar letrën e njohjes.

    “Kam shkuar derë më derë, zyrë më zyrë, vetëm me një qëllim – që të dëgjohet zëri dhe e drejta e popullit të Kosovës për liri, pavarësi dhe sovranitet”, tha Pacolli, duke shtuar se për këtë ka lobuar që nga viti 2009.

    Shteti i fundit që e njohu Kosovën si shtet ishte Izraeli në shtator të vitit 2020.

  • KQZ sot pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    KQZ sot pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të 9 shkurtit

    Komisioni Qendror i Zgjedhje të enjten pritet të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    Mbledhja është paraparë të mbahet nga ora 16:00.

    Në rend dite është edhe zëvendësimi i deputetëve të zgjedhur të cilët kanë hequr dorë.

    Të mërkurën Gjykata Supreme ka përfunduar shqyrtimin e ankesave të fundit të cilat i ka refuzuar.

    Nga ana tjetër Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ka autorizuar Policinë e Kosovës për mbledhjen e fakteve për pretendimet për manipulim të votave me postë nga diaspora.

    Më 15 mars, KQZ mori vendim për shpalljen e rezultateve përfundimtare të Zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat janë mbajtur më 9 shkurt 2025.

    Sipas këtyre rezultateve Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalw e para me mbi 390.000 vota apo 42.30 për qind.

    E dyta ka dalë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190.000 vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me mbi 170.000 mijë vota, apo 18.27 për qind.

    Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-demokrate me mbi 66.000 vota apo 7.06 për qind.

    Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ka siguruar mbi 39.000 vota apo 4.26 për qind.

  • KQZ-ja sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit

    KQZ-ja sot certifikon rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit

    Pas vendimit të Gjykatës Supreme lidhur me dy ankesat për rezultatin e zgjedhjeve, është hapur rruga për certifikimin e tyre. Kësisoj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka caktuar mbledhjen për këtë çështje, që do të mbahet sot, raporton Gazeta Sinjali.

    Mbledhja do të fillojë në ora 16:00 dhe rendi i ditës është publikuar.

    Fillimisht do të bëhet zëvendësimi i të zgjedhurve që kanë hequr dorë nga pozita e deputetit dhe më pas do të certifikohen rezultatet përfundimtare.

    Ndryshe, Supremja rrëzoi të mërkurën si të pathemelta ankesat e Lëvizjes Vetëvendosje, të një kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës dhe të Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDAK) – LPB, të cilat kundërshtonin vendimet e Panelit për Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP).

    LVV-ja u ankua në Supreme ndaj vendimit të PZAP-it, i cili nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për anulimin e votave me postë që ka marrë Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), dhe shkuarjen në rivotim me postë.

    Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nisur hetimet lidhur me procesin e votimit me postë, pas pretendimeve të LVV-së se ka pasur manipulime nga LDK-ja.

  • Pas njohjes, Kurti flet në telefon me presidentin e Kenias: Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin

    Pas njohjes, Kurti flet në telefon me presidentin e Kenias: Pres me padurim të thellojmë bashkëpunimin

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Presidentin e Kenias, William Ruto, pasi ky shtet njohu zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.

    Ai ka bërë të ditur se gjatë bisedës me Presidentin Ruto, të dy liderët kanë shkëmbyer ftesa për vizita zyrtare dhe janë dakorduar për hapat e ardhshëm drejt vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

    “Sot është një ditë historike për Kosovën, pasi Kenia ka njohur zyrtarisht republikën tonë. Pata kënaqësinë të bisedoj me Presidentin William Ruto pas këtij momenti të rëndësishëm. Ne ftuam njëri-tjetrin për vizita zyrtare dhe u dakorduam që hapi i radhës të jetë vendosja e marrëdhënieve diplomatike.

    Krenar dhe i nderuar nga kjo arritje, i bëra ftesë Kenias që të hapë një ambasadë në Prishtinë. Dy vendet tona ndajnë një histori sakrifice të madhe për lirinë dhe pavarësinë. Pres me padurim të thellojmë dhe zgjerojmë bashkëpunimin tonë në fushat e kulturës, tregtisë dhe investimeve”, ka shkruar Kurti në “X”.

  • Vrasjet tragjike në Vushtrri, policia kryen kontrolle në tri shkolla

    Vrasjet tragjike në Vushtrri, policia kryen kontrolle në tri shkolla

    Policia e Kosovës sot ka kryer kontrolle në tre shkolla tw Vushtrrisë, pas vrasjeve tragjike që kanë ndodhur jo shumë ditë më parë.

    Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka bërë të ditur se kontrollet janë kryer në këto tri shkolla: SHMT “Lutfi Musiqi”, SHMP “Bahri Haxha” dhe Gjimnazin “Eqrem Çabej”.

    I pari i komunës ka potencuar se kontrollet janë realizuar me qëllim të verifikimit të sigurisë dhe për t’u siguruar që nuk kishte asnjë kërcënim të mundshëm për nxënësit dhe mësimdhënësit.

    Tutje, në njoftim shkruhet se gjatë këtyre kontrolleve, nuk është hasur asgjë e dyshimtë.

    “Kjo është pjesë e një serie masash që do të vazhdojmë të implementojmë për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe për të luftuar çdo formë të dhunës dhe pasigurisë. Ne do të qëndrojmë të angazhuar për të ofruar mbështetje dhe siguri për komunitetin tonë”, ka deklaruar ai.

  • ​Italia trupa në Ukrainë vetëm nën misionin e OKB-së

    ​Italia trupa në Ukrainë vetëm nën misionin e OKB-së

    Italia do të dërgojë trupa në Ukrainë vetëm nën një mision të OKB-së, deklaroi sot shefi i diplomacisë italiane.

    Antonio Tajani, pas një samiti të qeverisë në Romë, gjithashtu argumentoi se propozimi i kryeministres Giorgia Meloni për t’i dhënë Ukrainës garancitë e sigurisë të ngjashme me nenin 5 të NATO-s, mbetet një opsion i mundshëm.

    “Italia mendon se trupat duhet të dërgohen në Ukrainë vetëm për të kontrolluar një armëpushim të ardhshëm vetëm nën flamurin e OKB-së. Është kushti i vetëm për ne,” tha Tajani, raporton KosovaPress.

    Ai theksoi gjithashtu se ka një konsensus mes partive të koalicionit për qëndrimin që do të promovojë Meloni gjatë takimit të nesërm.

    Neni 5, i parë si shtylla e mbrojtjes kolektive të NATO-s, thotë se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Më 6 mars, Meloni propozoi që NATO mund të zgjeronte mbrojtjen e Nenit 5 për Ukrainën pa i dhënë asaj anëtarësimin e plotë në aleancën ushtarake, transmeton AA.

    Udhëheqësit botërorë do të mblidhen në Paris të enjten për një samit të lartë mbi Ukrainën dhe për të hedhur bazat për garancitë afatgjata të sigurisë.

    Sipas Pallatit Élysée, pritet të marrin pjesë 31 vende, duke përfshirë aleatët e NATO-s, shtetet anëtare të BE-së dhe vende jo anëtare të BE-së si Britania e Madhe, Kanadaja dhe Norvegjia.

    Të mërkurën në mbrëmje, Macron do të presë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Paris për një darkë pune përpara samitit.

    “Franca do ta bëjë prioritetin e saj kryesor ndjekjen dhe përforcimin e mbështetjes ushtarake dhe financiare për Ukrainën”, tha Pallati Élysée në një deklaratë dërguar shtypit.

    Qëllimi kryesor i samitit është të finalizojë ato garanci të sigurisë që kombet evropiane janë të gatshme të ofrojnë – duke përfshirë nëse ata do të konsiderojnë vendosjen e trupave paqeruajtëse në terren në Ukrainë, ende e përfshirë në pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, tashmë në vitin e katërt.

    Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina thuhet gjithashtu se po punojnë për paraqitjen e një traktati paqeje në SHBA, i cili ka të ngjarë të diskutohet të enjten.

    Vendet që bien dakord për këtë marrëveshje do të formonin një “koalicion të vullnetarëve”.

    Samiti i së enjtes vjen në një moment kyç pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan se kishin ndërmjetësuar një armëpushim midis Rusisë dhe Ukrainës në Detin e Zi.

  • ​Policia ushtarake e FSK-së trajnohet në Kroaci

    ​Policia ushtarake e FSK-së trajnohet në Kroaci

    Policia ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës realizoi trajnim të përbashkët me policinë ushtarake të Kroacisë, në kuadër të bashkëpunimit bilateral.

    Fokusi i trajnimit, sipas FSK-së, ishte në fushën e Mbrojtjes së Afërt dhe Anti-Terrorizmit, me qëllim përmirësimin e aftësive të personelit të dy forcave policore në menaxhimin e situatave të sigurisë dhe luftimin e kërcënimeve të mundshme.

    “Gjatë trajnimit, janë zhvilluar aktivitete intensive që kanë përfshirë qitje me armë të shkurtra dhe të gjata [ditën dhe natën], si dhe skenarë të ndryshëm për pastrimin e objekteve, ngasjen e automjeteve në poligonin përkatës me pengesa dhe shoqërimi-sigurimi i VIP gjatë ecjes në natyrë”, njoftoi FSK-ja të mërkurën.

    Përveç trajnimit intensiv, gjatë kësaj periudhe është realizuar një shkëmbim përvojash dhe njohurish mes dy palëve pjesëmarrëse.

    FSK-ja tha se ky aktivitet i përbashkët është një hap i rëndësishëm në thellimin e marrëdhënieve dhe intensifikimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm në mes të Policisë Ushtarake të FSK-së, dhe asaj të Kroacisë./KP