ATV

Category: Lajme

  • PDK-ja kërkon heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, Nikaj: Çdo vonesë, mungesë vizioni i Qeverisë

    PDK-ja kërkon heqjen e tarifave ndaj SHBA-së, Nikaj: Çdo vonesë, mungesë vizioni i Qeverisë

    Bernard Nikaj i PDK-së tha se Qeveria e Kosovës duhet të veprojë pa vonesa në heqjen e tarifës prej 10% ndaj mallrave të SHBA-së.

    Ai tha se mbajtja e kësaj tarife ndaj produkteve amerikane nuk ka domethënie ekonomike “e aq më pak arsyetim politik”.

    “Për Kosovën, partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfaqëson një bosht strategjik dhe ekonomik të pazëvendësueshëm — shumë më të rëndësishëm sesa pesha që ka tregu i Kosovës për ekonominë amerikane. Në këtë kontekst, mbajtja e tarifës prej 10% ndaj produkteve amerikane nuk ka domethënie ekonomike, e aq më pak arsyetim politik. Në këtë moment ajo dëmton drejtpërdrejt interesat afatgjata të shtetit të Kosovës dhe cenon lidhjet me aleatin tonë kryesor. Heqja e menjëhershme e kësaj tarife është jo vetëm një veprim racional, por edhe një sinjal i qartë politik se Kosova mbetet e përkushtuar ndaj thellimit të marrëdhënieve me SHBA-në”, tha ai.

    Nikaj tha se çdo vonesë në këtë drejtim duhet të interpretohet si “mungesë vizioni dhe joseriozitet nga ana e Qeverisë së Kosovës në raport me aleancat kyçe të vendit”.

    Administrata Trump i vendosi Kosovës një tarifë prej 10% – minimalja e tarifës së vendosur krahasuar me tarifat që i vendosi për disa shtete të tjera, të cilët presidenti Trump i quajti “shkelësit më të këqij”.

  • Maqedonci: Serbia e ka obligim ndërkombëtar t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, rreziku për destabilizim ekziston

    Maqedonci: Serbia e ka obligim ndërkombëtar t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, rreziku për destabilizim ekziston

    Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka theksuar se grupi terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtatorin e vitit 2023, që kishte për qëllim aneksimin e një pjese të Kosovës, vazhdon të mbetet i lirë dhe i mbështetur nga Serbia, duke paraqitur një rrezik të madh për stabilitetin e Kosovës.

    Në një intervistë për RTK, Maqedonci theksoi se është e papranueshme që ky grup terrorist të jetë ende i lirë dhe të mbështetet nga struktura të sigurisë serbe.

    “Ky grup terrorist po vazhdon të jetë i mbrojtur dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi, shpesh duke u vendosur jo larg kufirit me Kosovën, dhe ka lidhje të vazhdueshme me individë dhe grupe në veri të vendit tonë. Ky është një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore,” tha Maqedonci.

    Maqedonci gjithashtu theksoi se Serbia ka një obligim ndërkombëtar që t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, ku është kryer krimi.

    Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të vazhduar politikën hegjemoniste ndaj Kosovës, duke mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe duke kontribuar në destabilizimin e rajonit, janë të papranueshme.

    “Përmes luftës hibride dhe mbështetjes për grupe të armatosura, Serbia po kontribuon në destabilizimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera fqinje. Ky është një veprim i vazhdueshëm që po minon sigurinë dhe stabilitetin në rajon,” përfundoi Maqedonci.

  • Sot protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë

    Sot protestohet kundër dhunës dhe vrasjeve në Kosovë

    Rritja e rasteve të dhunshme dhe mungesa e sigurisë po shqetësojnë gjithnjë e më shumë opinionin publik në Kosovë. Pas vrasjeve të fundit, përfshirë edhe atë të një zyrtari policor në Kaçanik, qytetarët janë duke u mobilizuar për të kërkuar ndryshim.

    Shoqata “Roja e Kohës” ka njoftuar se do të organizojë një protestë paqësore sot, e cila do të fillojë në ora 14:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, me marshim drejt sheshit “Skënderbeu”.

    Pritet që në këtë tubim të marrin pjesë qytetarë nga e gjithë Kosova, organizata të shoqërisë civile, sindikata, aktivistë dhe të rinj, të cilët do të kërkojnë veprime konkrete për përmirësimin e sigurisë dhe uljen e dhunës në vend.

    Sipas organizatorëve, protesta mbahet si reagim ndaj ngjarjeve të fundit që kanë tronditur vendin dhe kanë vënë në pikëpyetje sigurinë publike në Kosovë.

    “Ftojmë të gjitha mediat që të jenë të pranishme dhe të përcjellin këtë protestë qytetare, të organizuar në mënyrë të qetë dhe demokratike, në mbështetje të kërkesave për: Rritje të sigurisë publike, ashpërsim të ligjeve për armë, investime në shëndetin mendor dhe masa konkrete institucionale për parandalimin e dhunës”, thuhet në njoftimin e organizatorëve.

  • Gjykata shkarkon presidentin e Koresë së Jugut

    Gjykata shkarkon presidentin e Koresë së Jugut

    Gjykata Kushtetuese e Koresë së Jugut në mënyrë unanime mbajti në fuqi vendimin për shkarkimin e presidentit Yoon Suk Yeol për shkak të shpalljes së gjendjes së luftës, duke e larguar atë nga posti dhe duke i hapur rrugë mbajtjeve të zgjedhjeve të reja pas muajsh të trazirave politike.

    Yoon, 64 vjeç, u shkarkua nga ligjvënësit për përpjekjen e tij më 3 dhjetor të vitit të kaluar për të përmbysur sundimin civil, duke dislokuar ushtarë të armatosur në parlament. Ndërkaq, në një çështje të ndarë penale, ai po ashtu është arrestuar nën akuza për kryengritje.

    Miliona qytetarë në Korenë e Jugut shikuan vendimin e Gjykatës Kushtetuese që u transmetua drejtpërdrejt nga mediat.

    “Duke pasur parasysh ndikimin negativ dhe pasojat e mëdha të shkeljeve kushtetuese nga ana e të paditurit… Ne e shkarkojmë presidentin Yoon Suk Yeol”, tha ushtruesi i detyrës të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Moon Hyung-bae, teksa lexoi vendimin.

    Pas vendimit, Yoon kërkoi falje.

    “Vërtet më vjen keq që nuk munda të përmbush pritjet tuaja”, tha ai përmes një deklarate të shkurtër të publikuar pas vendimit të gjykatës.

    Gjykata e argumentoi vendimin e saj, duke thënë se me veprimet e tij, Yoon “shkeli parimet themelore të sundimit të ligjit dhe qeverisjes demokratike”.

    Duke dërguar ushtarë në parlament në përpjekje për të ndaluar ligjvënësit që të hedhin poshtë dekretin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës, ai “shkeli neutralitetin politik të forcave të armatosura”. Gjykatësit thanë se Yoon i dërgoi ushtarët në parlament “për qëllime politike”.

    “Në fund, veprimet e paligjshme dhe jokushtetuese të tij janë tradhti ndaj besimit të popullit dhe përbëjnë shkelje serioze të ligjit që nuk mund të tolerohet”, u tha në vendim, raporton REL.

    Ligjvënësit opozitarë e mirëpritën vendimin, duke e cilësuar si “historik”.

    Yoon është presidenti i dytë koreanojugor që gjykata largon nga pushteti, pasi Park Geun-hye ishte shkarkuar më 2017.

    Të premten, policia rriti praninë në Korenë e Jugut, për shkak se para gjykatës u mblodhën një numër i protestuesve kundër Yoonit.

    Yoon, i cili ka mbrojtur vendimin e tij për të përmbysur sundimin civil duke argumentuar se ishte i nevojshëm për të çrrënjosur “forcat antishtetërore”, ende ka mbështetës të flaktë.

    Jashtë shtëpisë së Yoonit u mblodhën mbështetësit e tij që shpërthyen në lot kur vendimi i Gjykatës Kushtetuese u lexua.

    Vendimi i dhjetorit i Yoonit shkaktoi trazira politike në Korenë e Jugut, duke nxitur një valë protestash. Të paktën dy persona, mbështetës të tij, kanë vdekur gjatë protestave këtë vit.

    Yoon po ashtu përballet me një gjykim tjetër penal lidhur me akuza për kryengritje që janë të lidhura me përpjekjet e tij për shpalljen e gjendjes së luftës.

    Largimi i Yoonit nga posti i presidentit, që hyn në fuqi menjëherë, i hap rrugë zgjedhjeve të reja presidenciale, të cilat duhet të mbahen brenda 60 ditësh. Autoritetet thanë se në ditët në vijim do të njoftojnë për datën e zgjedhjeve të reja.

    Deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, Han Duck-soo do të vazhdojë të mbajë postin e ushtruesit së detyrës rë presidentit.

  • ZRrE-ja sot nis takimet bilaterale për tarifat e energjisë

    ZRrE-ja sot nis takimet bilaterale për tarifat e energjisë

    Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka njoftuar se nga sot e deri më 10 prill do të zhvillojë takime bilaterale me të gjitha palët e interesit që kanë dorëzuar komente në kuadër të procesit konsultativ për tarifat e energjisë elektrike, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në njoftimin zyrtar thuhet se në secilin takim do të marrë pjesë nga një përfaqësues i palëve që kanë ofruar komente me ftesë të ZRRE-së.

    Përmbyllja e këtij procesi pritet të bëhet më 11 prill, kur ZRRE do të japë edhe përgjigjet zyrtare ndaj komenteve të pranuara.

    Deri më tani, komente kanë dorëzuar 396 qytetarë, tetë organizata të shoqërisë civile, katër biznese, katër operatorë të sektorit energjetik, një deputet i Kuvendit të Kosovës, Ministria e Ekonomisë dhe Zyra e Presidentes.

    Pikërisht Zyra e Presidentes së Kosovës ka qenë ndër kundërshtuesit më të zëshëm të propozimit për rritjen e tarifës së energjisë elektrike për 15 për qind.

    Në komentet e dërguara në ditën e fundit të afatit, Presidenca ka propozuar edhe largimin e TVSH-së prej 8 për qind nga faturat e energjisë, si mënyrë për të zbutur barrën financiare për qytetarët.

  • Veton Berisha: E kemi të nevojshme të jemi pjesë e një qeverie që na respekton

    Veton Berisha: E kemi të nevojshme të jemi pjesë e një qeverie që na respekton

    Kryetari i Partisë Liberale Egjiptiane, Veton Berisha, në emisionin COMPASS në ATV, tha se pjesëmarrja në qeveri është e nevojshme për komunitetin që ai përfaqëson, për sa kohë që ekziston respekt dhe gatishmëri për të adresuar kërkesat e tyre.

    Ai tha se janë të hapur për bashkëqeverisje me kryeministrin Albin Kurti, duke theksuar se tashmë janë pjesë e Kuvendit dhe ka nisur një fazë e re bashkëpunimi.

    “Ne deshtëm apo nuk deshtëm, për shkak të asaj që përfaqësojmë, ne e kemi… jo obligim, patjetër, por është e nevojshme dhe është mirë që ne të jemi pjesë e një qeverisje ku ne respektohemi, ku kërkesat tona kanë me u implementu dhe gjendja ka me ndryshu në komunitetin tonë”, tha Berisha.

    Sipas tij, nuk ka më pengesa për bashkëpunim me Kurtin dhe ka kërkuar që në kuadër të qeverisë të marrë përgjegjësi konkrete, përfshirë edhe një post ministror.

    “Në këtë bashkëqeverisje, unë e kam ly përgjegjësi, kam lyp, kam kërku që unë të marr detyra, domethënë jo vetëm të kërkoj nga Kryeministri, por në kuadër të kësaj qeverisjeje kam kërku të më japë detyra cilat unë do ta implementojë programin”, u shpreh Berisha.

    Deklaratën e plotë të Veton Berishës në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • Demiri: Kemi kërkuar komunë boshnjake, kryeministri e përkrahu idenë

    Demiri: Kemi kërkuar komunë boshnjake, kryeministri e përkrahu idenë

    Kryetari i koalicionit VAKAT, Rasim Demiri, në emisionin COMPASS në ATV, deklaroi se një ndër kërkesat e para që ia kanë adresuar kryeministrit është formimi i një komune me shumicë boshnjake.

    Ai tha se kjo çështje është trajtuar me prioritet në të gjitha bashkëbisedimet që kanë pasur me kryeministrat e deritashëm.

    “Me çdo qeveri që kemi pasë më herët bashkëpunim, në çdo kërkesë ka qenë formimi i komunës ku jetojnë boshnjakët. Kështu ka qenë tema e parë edhe kur kemi folur me kryeministrin. Edhe më herët kur kemi bërë marrëveshjet me çdo kryeministër, ne kemi pasur këtë pikë në vendin e parë, sepse mendojmë që është një prej prioriteteve për komunitetin boshnjak”, tha Demiri.

    Sipas tij, kryeministri është i hapur për këtë diskutim, por vendimi përfundimtar varet nga votimi në Kuvend.

    “Kryeministri është i gatshëm që ta bisedojmë, por prapë nuk varet vetëm nga ai. Qeveria mund të marrë vendim, por na duhet edhe votimi në Parlament. Në Parlament na duhen gjashtëdhjetë e një vota, ose shumica e thjeshtë prej pesëdhjetë deputetësh nga komuniteti shqiptar, dhe dy të tretat nga njëzet deputetë që janë jo serbë dhe serbë. Do të thotë, na duhen njëmbëdhjetë vota”, u shpreh Demiri.

    Deklaratën e plotë të Rasim Demirit në COMPASS, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Nuk pranojmë të biem në gropën e Albin Kurtit” – Haziri tregon me cilat kushte shkon në qeveri

    “Nuk pranojmë të biem në gropën e Albin Kurtit” – Haziri tregon me cilat kushte shkon në qeveri

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia që përfaqëson nuk do të bëhet pjesë e qeverisë nëse ftesa nuk vjen me kushte të qarta dhe të respektueshme, duke refuzuar formatin “ose me neve, ose kundër neve” që, sipas tij, po e përdor Albin Kurti.

    Haziri tha se LDK nuk do të pranojë presion publik për t’u rreshtuar politikisht sipas logjikës përjashtuese të kryeministrit Kurti.

    “Nuk e pranojmë këtë format të kërkesës publike ndaj LDK-së, që ‘ja me neve, ja kundër neve’. Nuk guxojmë me leju me ra në gropën e Albin Kurtit, sepse ai po thotë: ‘kush nuk është me mua, është kundër meje’ dhe të përjashton, mandej edhe të cilëson me terma të ndryshme”, tha Haziri.

    Ai sqaroi se LDK nuk pret ftesë për të hyrë në qeveri dhe nuk është e gatshme të bashkëqeverisë në këtë fazë, duke kujtuar eksperiencën e kaluar me Vetëvendosjen si mësim politik.

    “Ne nuk presim ftesë me hy në qeverisje me VV-në dhe nëse bëhet ftesa, ne nuk jemi të gatshëm me hy në asnjë formulë të qeverisjes në këtë fazë… përvoja që kemi pasur me VV-në është e mjaftueshme për të nxjerrë mësimet tona”, deklaroi Haziri.

    Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haziri: LDK-ja nuk e përjashton pjesëmarrjen në takim me VV-në, por Glauku nuk është thirrës legjitim

    Haziri: LDK-ja nuk e përjashton pjesëmarrjen në takim me VV-në, por Glauku nuk është thirrës legjitim

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia është e gatshme të shqyrtojë pjesëmarrjen në takimet e paralajmëruara, por nuk e konsideron Glauk Konjufcën si thirrës legjitim të tyre në këtë fazë.

    Haziri tha se takimet politike duhet të kenë format dhe agjendë të qartë, duke shtuar se nuk është e qartë nëse Konjufca po flet si nënkryetar i Vetëvendosjes apo si kryetar i Kuvendit.

    “Në nivelin e takimeve definohet agjenda, formati, nevoja e takimit – gjithçka duhet me u ditë saktë para se me shku. LDK-ja do ta shqyrtojë seriozisht këtë çështje, sikur çdo çështje tjetër”, tha Haziri.

    Ai vlerësoi se është paradoksale që Konjufca kërkon takim me opozitën, ndërkohë që Kurti takon liderët e minoriteteve në zyrat e Qeverisë.

    “Qysh kryetari i LDK-së duhet me shku në takim që e thërret nënkryetari i Vetëvendosjes, kur kryetari i Vetëvendosjes e takon Adem Hoxhën në zyrë të Qeverisë? Respekt për partinë e goranëve, por formati duhet me qenë i qartë,” u shpreh Haziri.

    Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haziri pas publikimit të mesazheve: LDK është gardiane e demokracisë, nuk ndalet nga krizat e brendshme

    Haziri pas publikimit të mesazheve: LDK është gardiane e demokracisë, nuk ndalet nga krizat e brendshme

    Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, ka reaguar pas publikimit të mesazheve të anëtarëve të kryesisë së partisë për dyshimet mbi manipulimin e votave nga diaspora, duke thënë se pavarësisht krizave, LDK ruan rolin e saj si forcë stabilizuese në skenën politike.

    Haziri tha se pavarësisht se partia ka kaluar nëpër sfida të shumta në pozita të ndryshme, LDK ka mbajtur vazhdimisht peshën e vet politike dhe ka ruajtur standardet e përfaqësimit demokratik.

    “Na ka përcjellë fati tash e disa vite, edhe si parti e parë kemi pasë raport tjetër, edhe forma tjetër, edhe le të themi, presion tjetër… përkundër numrit të ulëseve që i kemi, LDK-ja vazhdon me e rujtë rolin e vet, formatin e vet të përfaqësimit edhe si gardian i demokracisë, ndoshta edhe si çelës për me shkaktu edhe me mbyllë procesin,” tha Haziri.

    Ai komentoi edhe mbi vonesat në veprime politike pas zgjedhjeve, duke kritikuar pritjet për certifikime, ndërkohë që sipas tij, duhet të kishte pasur iniciativë dhe vendimmarrje më të shpejtë.

    “Praktikisht ne e kemi harxhu kohën në vonesë, në emër të pritjes. Pritja për çka? Për certifikim të rezultateve? Janë mekanizma ligjorë, janë mekanizmat e shtetit. Kjo nuk të ndal në iniciativë politike. Ne nuk kemi qenë si LDK në këtë fazë, por kemi mirëmbajtë raportet me të gjitha partitë politike që janë në Parlament,” deklaroi Haziri.

    Deklaratën e plotë të Lutfi Hazirit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: