ATV

Category: Lajme

  • Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Osmani takon presidentin kroat: Kroacia, aleate e çmuar në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale

    Presidentja Vjosa Osmani sot është takuar me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në Sofje.

    Në në postim në Facebook, ajo ka deklaruar se Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.

    “Prandaj, sot në Sofje takova mikun dhe mbështetësin e fuqishëm të Kosovës, Presidentin e Kroacisë, Zoran Milanoviq, të cilit i përcolla urimet më të përzemërta për rizgjedhjen në këtë post”.

    “Me Kroacinë bashkëpunojmë në mbrojtje, në ekonomi dhe në çdo fushë tjetër, sepse raporti ynë është i bazuar në besim reciprok. Me miq si Kroacia, Kosova është çdo ditë e më e fortë”, ka thënë Osmani.

  • ​Kanadaja do të forcojë lidhjet tregtare me Gjermaninë pas tarifave të Trump

    ​Kanadaja do të forcojë lidhjet tregtare me Gjermaninë pas tarifave të Trump

    Kryeministri i Kanadasë Mark Carney dhe kancelari gjerman Olaf Scholz “ranë dakord të forcojnë marrëdhëniet e ndryshme tregtare” midis dy vendeve të tyre pas një telefonate sot në mëngjes.

    “Ndërsa përballemi me krizën e shkaktuar nga tarifat e presidentit Trump, partnerët e besueshëm tregtarë janë më të rëndësishëm se kurrë”, shkroi Carney në mediat sociale.

    Carney ka vendosur t’i drejtohet vendeve të tjera si partnerë alternativë të tregtisë dhe sigurisë për të reduktuar varësinë e Kanadasë nga Shtetet e Bashkuara, transmeton KosovaPress.

    Kryeministri, i cili mori rolin pasi paraardhësi i tij Justin Trudeau, njoftoi dorëheqjen e tij në janar, vizitoi Francën dhe Britaninë e Madhe për udhëtimin e tij të parë jashtë vendit dhe ditë më vonë njoftoi një marrëveshje me Australinë për radarët ushtarakë.

    Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance tha se tarifat gjithëpërfshirëse që Trump nënshkroi mbrëmë janë “një ndryshim i madh”, por i domosdoshëm, duke kundërshtuar një “ekonomi globaliste” që ka bërë që Shtetet e Bashkuara të kenë “një sasi të madhe borxhi për të blerë gjëra që vendet e tjera bëjnë për ne”.

  • ​ZPS-ja e përfundoi paraqitjen e provave, çka pritet tash në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

    ​ZPS-ja e përfundoi paraqitjen e provave, çka pritet tash në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve?

    Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin Thaçi dhe të tjerët, raporton KosovaPress. Në një konferencë me gazetarë të enjten, zëdhënësit e Speciales thanë se seanca e radhës në ketë rast është caktuar për datën 23 prill.

    Në këtë proces gjyqësor kanë dëshmuar 125 dëshmitarë të ZPS-së, ndërkaq 117 dëshmi janë dhënë me shkrim.

    “Prokuroria ka thënë se ka përfunduar paraqitjen e provave të saj. Megjithatë, ata ende nuk e kanë mbyllur formalisht çështjen e tyre. Gjyqtari kryesues ka thënë se seanca e ardhshme do të planifikohet më 23 prill. Aktualisht, pritet që Prokuroria të mbyllë formalisht çështjen e saj deri më 15 prill. Deri më tani, 125 dëshmitarë kanë dëshmuar, ose në sallën e gjyqit ose përmes lidhjes me video, dhe 117 dëshmitarë janë pranuar vetëm në formë të shkruar. 73 dëshmitarë kanë dëshmuar me masa mbrojtëse, por vetëm 46 prej tyre kanë dëshmuar në seanca kryesisht private ose plotësisht private. Në vitin 2025, shumica e seancave kanë qenë në seancë publike. Deri tani, janë mbajtur 206 ditë gjyqësore. 154 viktima marrin pjesë në procedurat e çështjes”, tha Gripe.

    Ajo tha se po presin që ZPS-ja të mbyllë formalisht çështjen e saj deri më 15 prill. Shtoi se ekipet mbrojtëse do të kenë mundësi të kërkojnë rrëzimin e akuzave. Për këtë do t’u duhen katër javë përgatitje.

    Pasi trupi gjykues të vendosë mbi kërkesat e tilla, avokati i viktimave do të thërrasë disa dëshmitarit – që sipas deklarimeve publike janë tre ose katër sosh. Për këtë, do t’i duhen deri në dy javë. Më pas, vjen koha që mbrojtja të paraqes çështjen e saj, raporton KosovaPress.

    “Deri më tani, 125 dëshmitarë kanë dëshmuar në gjykatë ose përmes lidhjes video dhe 117 deklarata dëshmitarësh janë pranuar si prova në formë të shkruar. Përveç dëshmive të dëshmitarëve, provat përfshijnë gjithashtu dokumente, foto dhe eksponate të tjera. Fuqia e çështjes së prokurorisë do të përcaktohet nga Paneli Gjyqësor pasi të ketë dëgjuar ose parë të gjitha provat e çështjes. Paneli ka thënë disa herë se do të përcaktojë se çfarë peshe do t’i japë provave të caktuara në fund të gjykimit, kur të kenë parë dhe dëgjuar të gjitha provat dhe mund të shqyrtojnë çështjen në tërësi”, tha ajo.

    Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në Hagë prej nëntorit të vitit 2020. Ata po përballën me një peoces të tejzgjatur gjyqësor me akuza për krime të pretenduara të luftës.

    Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Kasniqi e Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

    Avokati kryesor i Thaçit, Luka Misetiq tha të mërkurën se “jam i zhgënjyer që u deshën 2 vjet e gjysmë që çështja e Prokurorisë të përfundonte, besoj se kjo çështje mund të përfundonte shumë më shpejt por jemi ku jemi tani”. Ai theksoi se provat kundër Thaçit kanë qenë shumë të dobëta.

    “Nuk mund të flas për provat tani por mendoj se në fund të gjykimit do të shihni se pretendimet që nisën me raportin e Martyt nuk kanë thuajse asnjë lidhje me provat e paraqitura kundër z. Thaçit në këtë gjykim për mbi 2 vjet. Në këtë kuptim jam shumë optimist për rezultatin që del nga ky rast, për z. Thaçi, mendoj se provat kanë qenë shumë të dobëta dhe patjetër se do t’i argumentojmë këto para Trupit Gjykues në kohën e duhur”, tha Misetiq.

    Në Gjykatën Speciale në Hagë nuk treguan nëse kryetarja e Gjykatës Speciale i është përgjigjur letrës së ministres në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiu lidhur me rastin e Thaçit i cili nuk u lejua nga Specialja që të marrë pjesë në varrimin e babait të vet.

    “Dhomat e Specializuara nuk japin detaje për korrespondencën e tyre përveç nëse bëhet pjesë e një dosjeje publike. Unë nuk di nëse dhe çfarë përgjigje ka dhënë kryetarja [e gjykatës] ndaj ministres”, tha zëdhënësja Angelia Griep, gjatë një konference me gazetarë nga Kosova, të enjten në Hagë.

    Më 17 mars, Haxhiu njoftoi se do t’i drejtohet me një letër kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekatarina Trëndafilova, pasi ish-presidenti Thaçi nuk u lejua të marrë pjesë në varrimin e babait të vet, dy javë më parë.

    “Proceset gjyqësore duhet të jenë të drejta e të bazuara mbi respektimin e të drejtave më elementare njerëzore. Nuk ka gjë më njerëzore sesa të marrësh pjesë në varrimin e prindit”, shkroi Haxhiu duke e konsideruar absurde mos lejimin e Thaçit të marrë pjesë në ceremoninë e varrimit.

    Gjatë konferencës të enjten, zdhënësit u pyeten edhe nëse ka zyrtarë të kombësisë serbe që punojnë në gjykatë, shtetësi të shteteve të BE-së.

    “Çdo person që punon në KSC duhet të ketë shtetësinë e një shteti anëtar të BE-së ose të pesë shteteve kontribuuese. Nëse dikush ka shtetësi të dyfishtë, nuk e di”, tha ajo.

    Gjithashtu përgjigje nuk pati as për atë se në cilin shtet do ta vuajë dënimin Salih Mustafa.

    “Nuk do të spekuloj. Kjo do të jetë një çështje që do ta vendosë presidenti i KSC-së. Zotëri Mustafa aktualisht ka një çështje të papërfunduar para Dhomës së Posaçme të Gjykatës Kushtetuese”, tha Griep.

    Specialja nuk pati përgjigje nëse po zhvillohen hetime apo ku është procesi i zbardhjes së rastit të rrjedhjeve të dokumenteve – për të cilin ish-krerët e OVL-UCK, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj janë dënuar dhe mbajtur në burg.

    “Për gjykatën, ajo që është e rëndësishme është ajo që prokuroria sjell para gjykatës që mund të trajtojmë, por nuk mund të komentojmë për diçka që nuk është para gjykatës në këtë moment. Pra, po, nuk ka shumë që mund t’ju them për këtë. Ajo që është e rëndësishme për ne, sigurisht, është që të ruhet konfidencialiteti dhe që dëshmitarët të jenë të sigurt. Dhe mendoj se tashmë kemi folur në detaje për mënyrën se si gjykata e siguron këtë. Pra, nuk jam e sigurt nëse ka diçka për të shtuar”, tha Griep. /KP

  • ​Shoqatat e tregtisë në Evropë tërbohen ndaj tarifave të Trump

    ​Shoqatat e tregtisë në Evropë tërbohen ndaj tarifave të Trump

    Shoqatat tregtare që përfaqësojnë një sërë industrish në Evropë kanë qenë të ashpër ndaj vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të vendosur tarifa gjithëpërfshirëse në kontinent.

    Tarifat e Trump janë një “pikë kthese themelore në politikën tregtare”, tha sot kreu i Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilave (VDA).

    Të gjitha importet e makinave që hyjnë në SHBA tani do të përballen me një tarifë universale prej 25%, ndërsa të gjitha eksportet e tjera nga Bashkimi Evropian do të goditen me një tarifë prej 20%.

    “Ajo përfaqëson largimin e SHBA nga rendi tregtar global i bazuar në rregulla – dhe kështu një largim nga themeli për krijimin e vlerës globale dhe rritjen dhe prosperitetin përkatës në shumë rajone të botës. Kjo nuk është Amerika e para; kjo është vetëm Amerika,” tha presidentja e VDA-së Hildegard Müller.

    Federata Spanjolle e Verës (FEV) tha se tarifa prej 20% për produktet e BE-së do t’i japë një “goditje të rëndësishme” industrisë spanjolle të verës dhe do të çojë në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë.

    “Tarifat e shpallura nga SHBA janë krejtësisht të pajustifikuara në rastin konkret të verës, duke pasur parasysh se hendeku aktual tarifor ndërmjet tarifave të aplikuara nga BE-ja dhe SHBA-ja është minimal”, tha në një deklaratë të enjten drejtori i FEV José Luis Benítez.

    Shoqata Irlandeze e Fermerëve tha se tarifat do të “ndikonin në konkurrencën” e produkteve irlandeze, si gjalpi Kerrygold.

    “Kerrygold është tani marka e dytë më e shitur e gjalpit në SHBA, ku dërguam produkt me vlerë pothuajse 500 milionë euro (rreth 554 milionë dollarë) në vitin 2024. Tregu përbën rreth 7.5% të totalit të eksporteve tona të qumështit”, thuhet në deklaratë, raporton KosovaPress.

  • ​Nafta bie shkaku i frikës nga lufta tregtare

    ​Nafta bie shkaku i frikës nga lufta tregtare

    Çmimet e naftës ranë sot për shkak të shqetësimeve se lufta tregtare e presidentit Donald Trump do të ngadalësojë ekonominë botërore dhe se OPEC po e mbifurnizon tregun.

    Kontratat e së ardhmes së naftës në SHBA ranë me 7% në 66.52 dollarë për fuçi, duke e lënë naftën në rrugën e duhur për ditën e saj më të keqe që nga korriku 2022. Nafta e papërpunuar Brent, standardi botëror, ra me 6%, raporton KosovaPress.

    OPEC+ i befasoi investitorët të enjten duke njoftuar se Arabia Saudite, Rusia dhe gjashtë anëtarë të tjerë kanë rënë dakord të përshpejtojnë ndjeshëm rritjen e planifikuar më parë të prodhimit duke filluar nga maji.

    Lëvizja e papritur nga OPEC+ përforcoi shqetësimet në lidhje me pasojat ekonomike të përshkallëzimit masiv të tarifave të Trump.

    “Është një ngjarje e shkatërrimit të kërkesës dhe do të prishë zinxhirin e furnizimit. Tregu është i shqetësuar për kërcënimin e recesionit, inflacionit dhe papunësisë,” tha Robert Yawger, drejtor ekzekutiv në Mizuho Securities, për CNN.

    Nëse lufta tregtare në rritje ngadalëson fluksin e mallrave dhe shërbimeve, kjo do të dëmtojë kërkesën për energji si nafta e papërpunuar.

    “Lajmi i mirë është se çmimet në pompë do të ulen. Por nëse ne po shkojmë në recesion, ju nuk do të shkoni aq shumë në pompë,” tha Yawger, raporton KosovaPress.

  • Këshilli Prokurorial e mban mbledhjen e radhës, e miraton planin vjetor të punës për 2025-ën

    Këshilli Prokurorial e mban mbledhjen e radhës, e miraton planin vjetor të punës për 2025-ën

    Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK) ka mbajtur sot takimin e 265-të, i cili ishte i udhëhequr nga kryesuesi Ardian Hajdaraj.

    Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se janë miratuar një mori pikash, ndër to edhe plani vjetor i punës së KPK-së për vitin 2025.

    Më poshtë i keni pikat e plota që janë miratuar:

    – Aprovoi kërkesën e Autoritetit Kompetent të Prokurorisë Themelore në Prizren për fillimin e hetimeve në rastin AD.nr.4/25 dhe themeloi Panelin hetimor për këtë rast disiplinor ndaj një prokurori;

    – Miratoi Raportin Vjetor për zbatimin e Planit të veprimit të Planit strategjik të sistemit prokurorial të Kosovës për vitin 2022-2024;

    – Miratoi Planin Vjetor të Punës së Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2025;

    – Emëroi prokurorin Shukri Jashari në detyrën e anëtarit të Këshillit Drejtues në Akademinë e Drejtësisë nga radhët e prokurorëve të prokurorive themelore;

    – Miratoi Raportin e Komisionit për Transferim dhe Avancim dhe avancoi prokurorin Anton Hasanaj në Departamentin për Krime të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjakovë;

    – Miratoi Raportin Përmbledhës të Vlerësimit Vjetor nga kryeprokurorët për prokurorët e shtetit për vitin 2024.

  • Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Osmani i kërkon Kurtit t’i heqë tarifat ndaj produkteve amerikane: Të çojmë mesazh se jemi për raport më të fortë me SHBA-në

    Presidentja Vjosa Osmani i ka kërkuar Qeverisë në detyrë që të pezullojë taksën prej 10% që Kosova e ka të vendosur ndaj mallrave të SHBA-së.

    Kjo kërkesë e Osmanit vjen pas vendimit të Administratës Trump për vendosje të tarifës 10% për të gjitha importet në SHBA, përfshirë edhe Kosovën.

    Osmani tha se me këtë vendim do të çohej mesazh se Kosova është për raport më të fortë me SHBA-në.

    “Sot, zyrtarisht i kërkova Qeverisë së Kosovës që të pezullojë tarifat e importit për të gjitha produktet amerikane – një hap i rëndësishëm për të thelluar lidhjet ekonomike me aleatin tonë më të ngushtë dhe për të dërguar një mesazh të qartë: Kosova është e gatshme për një marrëdhënie më të fuqishme me Shtetet e Bashkuara, me një vizion të qartë që do t’i bënte të dyja vendet tona më të forta, më të sigurta dhe më të begata”.

    Osmani tha se është e bindur se kjo lëvizje do të hapë mundësi të reja për krijimin e vendeve të punës, shkëmbimin e teknologjisë dhe rritjen ekonomike afatgjatë.

    “Më shumë se një lëvizje ekonomike, ky është një objektiv i politikës së jashtme, duke riafirmuar përkushtimin tonë të qëndrueshëm ndaj aleancës Kosovë-SHBA, e ndërtuar mbi vlerat e përbashkëta të lirisë dhe dekada të mbështetjes së palëkundur”.

    Trump dje ka vendosur tarifa edhe më të larta për vendet që ai i quan “shkelësit më të këqij”, në një moment vendimtar për tregtinë globale.

    Tarifat gjithëpërfshirëse të Trump mbi importet amerikane ndezën kërcënimet për hakmarrje të enjten, ndërsa kompanitë dhe qeveritë u nxituan të numërojnë kostot nga një luftë tregtare në përshkallëzim që kërcënon të shkundë aleancat globale.

  • ​Klinika e Neonatologjisë bëhet me autoambulancë neonatale

    ​Klinika e Neonatologjisë bëhet me autoambulancë neonatale

    Klinika e Neonatologjisë për herë të parë është pajisur me autoambulancë neonatale, e cila do të sigurojë transport të shpejtë, komod dhe të sigurt për foshnjat e porsalindura, duke u mundësuar qasje në kujdesin intensiv.

    Ministria e Shëndetësisë përmes huamarrjes së Bankës Botërore ka siguruar autoambulancën neonatale në vlerë 198 mijë euro, raporton KosovaPress.

    Kjo autoambulancë do të përdoret edhe për transferime urgjente për të sapolindurit që kanë nevojë për trajtim më të specializuar në një spital tjetër, si dhe për transferime elektive ose për t’i kthyer foshnjat e shëruara nga spitali në shtëpitë e tyre.

    Klinika e Neonatologjisë mbetet qendra e vetme referente e nivelit tretësor për kujdesin shëndetësor të foshnjave të porsalindura në Kosovë.

  • ​Përgatitjet për seancën konstituive, Konjufca do të takojë kryetarët e partive

    ​Përgatitjet për seancën konstituive, Konjufca do të takojë kryetarët e partive

    Më 8 prill nga ora 12:00 do të mbahet mbledhja e kryetarit në detyrë të Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca me kryetarët e partive politike.

    Në rendin e ditës janë përgatitjet për seancën konstituive të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin si datë për konstituimin e Kuvendit të ri pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, raporton KP.

  • ​Krimi i organizuar, ngrihet aktakuzë ndaj 11 personave

    ​Krimi i organizuar, ngrihet aktakuzë ndaj 11 personave

    Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj një grupi të organizuar kriminal prej 11 personave.

    Të pandehurit O.T, A.G, B.B., I.K., D.M., F.B., A.R., L.H., A.A., K.I., V.K. përmes kompanisë së regjistruar në ARBK, por të pa licencuar për ndërmjetësim financiar kanë kryer mashtrime të mëdha financiare nga tetori 2018 deri në nëntor 2022, raporton KosovaPress.

    Në krye të grupit ka qëndruar i pandehuri O.T. – shtetas i Izraelit, ndërsa pandehurit tjerë, duke u prezantuar si brokerë kanë mashtruar viktimat nga vende të ndryshme të botës, duke përdorur identitete të rreme dhe platforma të parregulluara investimi, ku fitimet e shfaqura kanë qenë vetëm simulime.

    Viktimave iu kanë premtuar fitime të larta me rrezik minimal dhe në atë mënyrë i kanë nxitur të investojnë shuma të mëdha parash, të cilat pastaj janë transferuar në llogari të bizneseve të regjistruara dhe të kontrolluara nga grupi kriminal, duke u fshehur gjurmët financiare.

    Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprat penale: “Krim i Organizuar”, “Mashtrimi” dhe të pandehurit O.T. dhe D.M. akuzohen edhe për veprën penale: “Shpëlarje e parave”.

    Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.