ATV

Maqedonci: Serbia e ka obligim ndërkombëtar t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, rreziku për destabilizim ekziston

Written by

in

Ministri në detyrë, Ejup Maqedonci, ka theksuar se grupi terrorist përgjegjës për sulmin në Banjskë në shtatorin e vitit 2023, që kishte për qëllim aneksimin e një pjese të Kosovës, vazhdon të mbetet i lirë dhe i mbështetur nga Serbia, duke paraqitur një rrezik të madh për stabilitetin e Kosovës.

Në një intervistë për RTK, Maqedonci theksoi se është e papranueshme që ky grup terrorist të jetë ende i lirë dhe të mbështetet nga struktura të sigurisë serbe.

“Ky grup terrorist po vazhdon të jetë i mbrojtur dhe i mbështetur nga strukturat e sigurisë në Serbi, shpesh duke u vendosur jo larg kufirit me Kosovën, dhe ka lidhje të vazhdueshme me individë dhe grupe në veri të vendit tonë. Ky është një rrezik i vazhdueshëm për sigurinë e Kosovës, veçanërisht në pjesën veriore,” tha Maqedonci.

Maqedonci gjithashtu theksoi se Serbia ka një obligim ndërkombëtar që t’i dorëzojë terroristët në Kosovë, ku është kryer krimi.

Ai theksoi se përpjekjet e Serbisë për të vazhduar politikën hegjemoniste ndaj Kosovës, duke mohuar ekzistencën e shtetit të Kosovës dhe duke kontribuar në destabilizimin e rajonit, janë të papranueshme.

“Përmes luftës hibride dhe mbështetjes për grupe të armatosura, Serbia po kontribuon në destabilizimin e Kosovës dhe të shteteve të tjera fqinje. Ky është një veprim i vazhdueshëm që po minon sigurinë dhe stabilitetin në rajon,” përfundoi Maqedonci.

Comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *