ATV

Category: Lajme

  • Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Në një aneks të shtëpisë është gjetur trupi i viktimës femër.

    Sipas Policisë, ajo është gjetur në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, raporton kp.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Pothuajse 42,000 trupa mbetën të paidentifikuar në Japoni gjatë vitit kalendarik 2023, mes një rritje të numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm, sipas një raporti të qeverisë.

    Trupat më pas u dogjën ose u varrosën nga autoritetet lokale, sipas studimit të parë të këtij lloji, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio, raporton AA.

    41,969 trupa të identifikuar dhe të paidentifikuar, përbënin 2.7% të vdekjeve në 2023.

    Studimi i porositur nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies, tregoi se shumica e komunave nuk kishin një protokoll të vendosur për trajtimin e trupave, duke përfshirë edhe sa kohë duhet të mbaheshin para djegies, transmeton KosovaPress.

    Rreth 23.3 milionë nga 52.6 milionë familje, ose 44.3%, do të jenë familje me një person deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Popullsisë dhe Sigurimeve Shoqërore.

  • Bie borë në Kosovë

    Bie borë në Kosovë

    Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, aktualisht po bie borë.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën parashihet një ndryshim i shpejtë në shtresat e ulëta dhe të mesme të atmosferës (troposferë), i cili do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.

    Sipas institutit, fillimisht do të ketë reshje shiu, ndërsa më vonë pritet që reshjet të kalojnë në bore duke përfshirë edhe shumë pjesë të viseve të ulëta, raporton KosovaPress.

    “Megjithëse këto reshje do të jen të përkohshme. Në viset e larta parashihen vetëm reshje bore. Kjo situatë meteorologjike do të krijojë kushte për paraqitjen e ngricave në fillim të javës së ardhshme, të cilat mund të kenë ndikim negativ në kulturat e hershme bujqësore, veçanërisht në pemëtari. Udhëzohen bujqit dhe fermerët që të marrin masa preventive për të mbrojtur prodhimin dhe kulturat e ndjeshme nga ndikimi i këtyre kushteve të pafavorshme të motit”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti bën homazhe në 26-vjetorin e masakrës së Rezallë të Skenderajt

    Kryeministri Kurti bën homazhe në 26-vjetorin e masakrës së Rezallë të Skenderajt

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 98 burra dhe djem të rinj që u pushkatuan nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë masakrës në Rezallë të Skenderajt.

    “Familjarët kujtuan ditët e tmerrshme të prillit 1999, kur forcat serbe, në përpjekje të zhdukjes së krimit, pas vrasjes së civilëve ua rrëmbyen dhe zhdukën kufomat. Disa u gjetën të groposur në varreza masive në Kizhevak dhe në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Rikujtuan 30 shtatorin e vitit 2021, kur nga Kizhevaku i Serbisë, u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, u shpreh Kurti.

    Kurti u deklarua se kjo dhe masakrat e tjera të kryera nga Serbia janë dëshmi e gjenocidit në Kosovë, që njihet edhe botërisht. Andaj, drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, në mënyrë që përgjegjësit të gjykohen e të dënohen, shtoi ai.

    “Sot e gjithnjë, u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre”, tha tutje Kurti.

    Gjithashtu, ai ka theksuar se duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat dhe familjet, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt.

  • Sulmi amerikan vret dhjetëra rebelë të grupit Huthi, Trump publikon pamjet

    Sulmi amerikan vret dhjetëra rebelë të grupit Huthi, Trump publikon pamjet

    Presidenti amerikan, Donald Trump, publikoi këtë të shtunë një video në “Truth Social” teksa një sulm amerikan vret dhjetëra rebelë Huthis në Jemen, militantë të këtij grupi të mbështetur nga Irani.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë e shoqëroi videon me një përshkrim sarkastik duke shkruar “ops”. Videoja Bardh e Zi e xhiruar nga një dron ushtarak tregon dhjetëra njerëz që qëndronin si një rreth përpara se ushtria amerikane t’i bombardojë.

    Donald Trump shkroi se rebelët e mbështetur nga Irani ishin mbledhur për të marrë urdhra që të kryenin një sulm ndaj anijeve amerikane.

    Mediat e Jemenit dhe zyrtarë të Rebelëve Huthi raportuan përgjatë kësaj jave se dhjetëra persona mbetën të vrarë përgjatë kësaj jave si pasojë e sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Trump u zotua të hënën se Washingtoni nuk do ti ndal sulmet ndaj rebelëve Huthis deri sa ky grup terrorist të ndal sulmet tregtare në Detin e Kuq. Rebelët Huthi thonë se të paktën 67 anëtar të tyre janë vrarë që nga 15 marsi kur Shtetet e Bashkuara nisën fushatën e sulmeve ajrore kundër tyre.

    Rebelët Huthi janë kthyer në një kërcënim për tregtinë globale në Detin e Kuq dhe që prej nisje së luftës në Gaza ata kanë sulmuar dhjetëra anije ndërkombëtare tregtare si dhe kanë bllokuar kanalin e Suezit, përmes së cilit kalon 12% e tregtisë globale.

    Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se kanë nisur sulmet ndaj anijeve tregtare për të treguar solidaritet me palestinezët që po vriten në Gaza nga sulmet izraelite.

  • E konfirmuar, një punonjës i vdekur e një tjetër i lënduar si pasojë e shembjes së dheut në Veternik

    E konfirmuar, një punonjës i vdekur e një tjetër i lënduar si pasojë e shembjes së dheut në Veternik

    Një punonjës ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e shembjes së dheut në një punishte, në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Në vend të ngjarjes është Policia dhe ekipi i zjarrfikësve të cilët janë duke intervenuar.

    “Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën “Gjilani” në lagjen Veterniku në Prishtinë.

    Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar  pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent”, njoftoi Policia.

    Tutje thuhet se në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po punohet për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

     

  • Fillon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Fillon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Aktivistë dhe qytetarë janë grumbulluar në sheshin “Skënderbe” për të protestuar kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

    Duke mbajtur pankarta që mbajnë mesazhe si “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Jo rritjes së çmimit të rrymës”, “Ndal varfërimit të qytetarëve”, “S’ka dritë me padrejtësi” e “Stop vjedhjes me tarifa”, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të fundit për një rritje prej 15% të çmimit të energjisë elektrike.

    Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që autoritetet të ndalojnë këtë veprim që e quajnë të padrejtë.

    Grupi organizator i protestës është “Asnjë Cent më Shumë”, i cili po e drejton këtë si një reagim ndaj shtrenjtimit të shërbimeve për qytetarët.

  • Shembet dheu në Veternik të Prishtinës, dyshohet për të lënduar

    Shembet dheu në Veternik të Prishtinës, dyshohet për të lënduar

    Në lagjen Veternik në Prishtinë, në një punishte ka pasur shembje të dheut dhe dyshohet se ka të lënduar.

    Në vend të ngjarjes është ekipi zjarrfikësve dhe Policia e cila megjithatë ende nuk është deklaruar për ngjarjen por ekipi i zjarrfikësve është duke intervenuar.

  • Policia e KFOR-it trajnohet për njohjen e armëve në kampin Bondsteel

    Policia e KFOR-it trajnohet për njohjen e armëve në kampin Bondsteel

    Policia Ushtarake e KFOR-it realizoi një trajnim për kualifikimin dhe njohjen e armëve në Kampin Bondsteel.

    KFOR-i thekson se ushtarët e tij kryejnë trajnime të rregullta gjatë dislokimit në mbështetje të misionit, me qëllim ruajtjen e gatishmërisë dhe përmirësimin e aftësive.

    “Këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm të KFOR-it për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

  • Të hënën Kallas nis vizitën në Ballkanin Perëndimor, por jo në Kosovë

    Të hënën Kallas nis vizitën në Ballkanin Perëndimor, por jo në Kosovë

    Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, do të realizojë një vizitë zyrtare në Ballkanin Perëndimor nga data 7 deri më 9 prill, por jo në Kosovë.

    Kështu është bërë e ditur në faqen zyrtare të BE-së.

    Kjo vizitë, e para për Kallasin në rajon, përfshin takime të nivelit të lartë në Mal të Zi, Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë, ndërsa Kosova nuk figuron fare në agjendën e saj zyrtare.

    Në Mal të Zi, Kallas do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

    Ajo do të marrë pjesë gjithashtu në një inspektim të pajisjeve të financuara nga Fondi Evropian i Paqes dhe do të bashkëmbajë konferencë për media me kryeministrin Spajiq më 7 prill në orën 10:40.

    Vizita do të vazhdojë në Shqipëri, ku më 8 prill ajo do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama. Po atë ditë, në orën 10:25, do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp me Ramën.

    Gjatë qëndrimit në Tiranë, Kallas do të takohet edhe me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.

    Në Bosnje dhe Hercegovinë, ajo do të vizitojë trupat e EUFOR-it dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës, si dhe me zyrtarët e lartë shtetërorë, përfshirë kryeministren Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq.

    Ndërkaq, një konferencë për shtyp me Presidencën e Bosnjës është paraparë për datën 8 prill.