ATV

Category: Lajme

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin e zyrtarit korrektues të dënuar për marrje ryshfeti

    Apeli e kthen në rigjykim rastin e zyrtarit korrektues të dënuar për marrje ryshfeti

    Gjykata e Apelit ka marrë vendim me të cilin e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Mentor Avdylajt, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar me 2 vite burgim dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

    Në këtë rast, Avdylaj në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në Burgun e Dubravës, akuzohet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet me qëllim të lirimit të parakohshëm të një personi nga burgu, që ishte në vuajtje të dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Me aprovimin e ankesës së mbrojtëses së të akuzuarit Mentor Avdylaj, avokates Kosovare Kelmendi, anulohet aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.337/18, i datës 18.04.2024, ashtu që çështja penale i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rigjykim dhe rivendosje”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Në vendimin e Apelit të marrë më 16 janar 2025, thuhet se ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësja e Avdylajt, avokatja Kosovare Kelmendi për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes së Ligjit Penal.

    Ajo kishte propozuar që i mbrojturi i saj të lirohet nga akuza apo lënda të kthehet në rigjykim.

    Kurse, Prokuroria e Apelit përmes parasshtresës kishte kërkuar të refuzohet si e pabazuar ankesa e mbrojtjes dhe të vërtetohet aktgjykimi i Themelores.

    Sipas gjetjeve të Apelit, vendimi i shkallës së parë ka shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe aktgjykimi i ankimuar duhet të anulohet për arsye se Themelorja ka dështuar të paraqes në mënyrë të qartë dhe të plotë arsyet bindëse për dënimin e të akuzuarit.

    Apeli konstaton se nuk janë paraqitur shkaqet dhe arsyet për çdo pikë të aktgjykimit, nuk janë paraqitur në mënyrë të qartë dhe të plotë faktet se për çfarë arsye janë marrë si të provuara apo të paprovuara duke mos dhënë vlerësimin e provave, ndërsa ato që janë dhënë nuk janë në pajtueshmëri të plotë me provat dhe shkresat e lëndës.

    Sipas Apelit, nuk është e mjaftueshme vetëm përmbueshja e elementit të cilësisë së kryerësit të veprës penale, por duhet të arsyetohen faktet relevante të cilat përbëjnë elementet e veprës penale.

    “…rrjedhimisht në rastin konkret Gjykata ka arsyetuar cilësinë e të akuzuarit se ishte Oficer i shërbimit Korrektues në Zyrën për Lirimin me Kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, ndërsa nuk ka dhënë arsye mbi faktet relevante, të veprimit përkatësisht mosveprimit në pajtim me detyrën e tij zyrtare, e që konsiston në kufijtë e autorizimeve të detyrës zyrtare”, thuhet në vendim.

    Shkalla e parë, sipas Apelit, nuk ka përshkruar faktet dhe rrethanat që përbëjnë veprën penale.

    Gjithashtu, sipas vendimit të Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë është kundërthënës në pjesën e arsyetimit, për faktin se aktgjykimi bazohet kryesisht në deklarata kontradiktore dhe të paqarta.

    Kolegji i Apelit vlerësoi se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të drejtë të gjendjes faktike, e që të dy këto shkelje kanë ndikuar në shkeljen e Ligjit Penal, pasi që pa eliminimin e shkeljeve në fjalë nuk mund të bëhet vërtetimi i gjendjes faktike e as aplikim të drejtë të Ligjit Penal, për çka këtë aktgjykim e bëjnë juridikisht të paqëndrueshëm.

    Shkalla e dytë i rekomandon Themelores që në rigjykim t’i eliminojë shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale, të procedojë edhe njëherë me të gjitha provat dhe të bëjë vlerësimin e tyre, e sipas rrjedhës të nxjerrë edhe prova tjera të rëndësishme për vërtetimin e drejtë të gjendjes faktike.

    “…sipas vlerësimit të saj gjykata edhe ta kërkojë dosjen për lirimin me kusht të dëshmitarit Sh.H nga Zyra për Lirimin me Kusht në QK në Dubravë, të jepen arsye edhe për faktet vendimtae dhe varësisht nga rezultati i vlerësimit të provave ta vlerëson se në veprimet e të akuzuarit a konsumohen elementet e veprës peneale apo të ndonjë vepre tjetër penale, të nxjerrë konkluzione të drejta dhe të ligjshme që vërtetojnë drejt gjendjen faktike, të gjitha këto në raport me parimin Reformatio in peius”, thuhet në vendim.

    Ndryshe, më 18 mars 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë, ka marrë aktgjykim dënues me të cilin ka dënuar të akuzuarin Mentor Avdylaj me 2 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë.

    Ndryshe, për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit, akuzohej edhe Astrit Lajqi, i cili tani është në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 12 dhjetor 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Avdylajt për veprën penale “Marrje e ryshfetit” dhe Astrit Lajqit për ndihmë në kryerjen e veprës penale të marrjes së ryshfetit.

    Sipas aktakuzës, Avdylaj më 12 mars 2018, në cilësinë e oficerit të Shërbimit Korrektues në zyrën për lirim me kusht në Qendrën e Shërbimit Korrektues në Dubravë, me dashje dhe në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kishte pranuar ryshfet përmes të akuzuarit Lajqi, nga i dëmtuari B.H.

    Në aktakuzë, thuhet se Avdylaj 2 mijë euro ryshfet i kishte pranuar nga Lajqi, në pikën e karburantit “Shala Petrol”, në hyrje të Pejës, me qëllim të lirimit të Shpejtim Hotit parakohshëm nga burgu, i cili ishte në vuajtje të dënimit në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

    Ndërsa, i akuzuari Lajqi thuhet se kishte marrë 2 mijë euro ryshfet nga B.H., në prani të dëshmitarit Sh.Q dhe ia kishte dërguar Avdylajt.

  • Ambasada Amerikane në Tiranë njoftim me rëndësi për qytetarët

    Ambasada Amerikane në Tiranë njoftim me rëndësi për qytetarët

    Në një postim në rrjetet sociale, Ambasada Amerikane ka bërë thirrje për vigjilencë dhe për të mos i besuar askujt që premton të të ndihmojë të marrësh një vizë amerikane në këmbim të parave.

    “Agjencitë e vizave kanë si qëllim kryesor të fitojnë para, JO të të japin këshilla të mira. Nëse ata e plotësojnë aplikimin tënd gabim ose me informacion të rremë, TI je përgjegjës. Aplikimi yt do të refuzohet dhe çdo vizë e vlefshme mund të anulohet”, sqaron ambasada.

  • Osmani kujton Masakrën e Polacit dhe Qabiqit: Kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën

    Osmani kujton Masakrën e Polacit dhe Qabiqit: Kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, i ka përkujtuar Masakrat e Polacit dhe Qabiqit.

    Osmani tha se këto masakra nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme, por pjesë e historisë sonë, e të vërtetës që nuk guxon të harrohet. Duke nderuar martirët dhe dëshmorët, ne kujtojmë sakrificën, mbrojmë të vërtetën dhe riafirmojmë përkushtimin tonë për drejtësi.

    “Në prillin e vitit 1999, Polaci dhe fshatrat përreth përjetuan njërën nga ofansivat më të egra të regjimit gjenocidal serb. Brenda një jave, u vranë 78 civilë shqiptarë, burra, gra e fëmijë. Sot përulemi me nderim të thellë edhe para kujtimit të 8 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët ranë në altarin e lirisë. Më 7 prill të atij viti, makineria vrastare serbe sulmoi edhe Qabiqin, ku ekzekutoi 10 civilë, në një tjetër krim që dëshmon përmasat e terrorit që ushtrohej mbi popullsinë shqiptare në atë kohë”, deklaroi Osmani.

  • Tarifat e Trump, kryeministri britanik thotë se ‘bota siç e njihnim ka shkuar’

    Tarifat e Trump, kryeministri britanik thotë se ‘bota siç e njihnim ka shkuar’

    Pothuajse 5 trilionë dollarë u zhdukën nga vlera e tregjeve globale të aksioneve pasi presidenti amerikan Donald Trump bëri njoftimin tronditës të mërkurën e kaluar, i cili përfshinte një tarifë bazë prej 10% për importet në SHBA nga Mbretëria e Bashkuar.

    Tarifa 10% e Trumpit për produktet britanike hyri në fuqi të shtunën, ndërsa tregjet globale të aksioneve vazhduan të bien si reagim ndaj vendosjes së taksave të importit.

    Kamboxhia, Vietnami dhe Tailanda u goditën me tarifa prej 49%, 46% dhe 36%, ndërsa BE-ja përballet me një taksë prej 20% për të gjitha mallrat që eksporton në SHBA.

    Analistët paralajmërojnë se rritja tashmë e ngadaltë ekonomike e Mbretërisë së Bashkuar mund të bjerë deri në 0.5 pikë përqindjeje gjatë viteve të ardhshme si pasojë e tarifave të Trumpit.

    Si reagim ndaj ofensivës tarifore të SHBA-së, kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka shkruar një opinion në Sunday Telegraph, duke thënë se është i gatshëm ta “përdorë politikën industriale për të ndihmuar në mbrojtjen e bizneseve britanike nga stuhia”.

    Ai është ndër udhëheqësit botërorë që janë në diskutime intensive me ekipet e tyre, duke shqyrtuar me kujdes se si t’i përgjigjen tarifave të presidentit amerikan, shkruan The Guardian.

    “Supozimet e vjetra nuk mund të merren më si të mirëqena. Bota siç e njihnim ka shkuar. Duhet të ngrihemi për ta përballuar momentin”, shkroi Starmer.

    “Ne jemi të përgatitur për atë që vjen më pas. Bota e re është më pak e udhëhequr nga rregullat e vendosura dhe më shumë nga marrëveshjet dhe aleancat”.

  • Remitancat, diaspora i solli afro 175 milionë euro për dy muaj

    Remitancat, diaspora i solli afro 175 milionë euro për dy muaj

    Diaspora po vazhdon të sjell kontribut të madh në ekonominë e Kosovës.

    Sipas një raporti të nxjerrë nga Banka Qendrore e Kosovës, për muaj (Janar-Shkurt), mërgimtarët dërguan afro 175 milionë euro.

    Këto të dhëna vijnë nga statistikat e sektorit të Jashtëm.

    “Remitancat – janë kategoria kryesore në kuadër të ardhurave dytësore, vlera e të cilave në janar 2025 shënoi 86.14 milionë euro, përafërsisht në nivel të njëjtë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024. Sipas vlerësimeve preliminare remitancat për muajin shkurt 2025 ishin rreth 88.12 milionë euro, duke arritur kështu vlerën 174.26 milion euro (preliminare) për dy muajt e parë të vitit 2025. Prurjet më të mëdha edhe gjatë muajit shkurt 2025 kanë qenë përmes IFJB-ve me 62.65%, bankave komerciale me 16.45% dhe kanaleve tjera me 20.90%”, thuhet nga BQK-ja.

    Tutje, Banka Qendrore, bën me dije se bilanci i pagesave – në fund të muajit janar 2025 u karakterizua me deficit të llogarisë rrjedhëse në vlerë prej 21.36 milionë euro, i cili tregon thellim të deficitit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur llogaria rrjedhëse kishte suficit prej 6.78 milionë euro.

    Shkaktari kryesor i këtij deficiti është rritja e deficitit në bilancin tregtar.

    Investimet direkte në Kosovë për janar 2025 arritën në 90.96 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 12.19% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, përderisa investimet direkte jashtë Kosovës arritën në 16.19 milionë euro, me një rritje prej 19.12% krahasuar me janar 2024.

    “Asetet rezervë deri në janar 2025 janë rritur për 45.95 milionë euro, kurse në periudhën e njëjtë të vitit paraprak ishin 15.21 milionë euro. Rritjes së aseteve rezervë i ka kontribuar rritja e depozitave për 45.95 milionë euro, ndërsa nuk ka pas investime në letra me vlerë gjatë muajit janar 2025”.

  • Kallas nesër viziton rajonin, por jo Kosovën dhe Serbinë

    Kallas nesër viziton rajonin, por jo Kosovën dhe Serbinë

    Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, do të nisë nesër një vizitë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës dhe Serbisë.

    Ajo do të vizitojë Podgoricën për të takuar kryeministrin malazez, Jakov Milatoviq, dhe më pas Tiranën, ku do të ketë një konferencë shtypi me kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

    Ajo gjithashtu do të hapë dialogun për sigurinë dhe mbrojtjen mes BE-së dhe Shqipërisë, dhe do të drejtohet ndaj studentëve dhe shoqërisë civile.

    Në Bosnje e Hercegovinë, do të takojë anëtarët e EUFOR Altea dhe të Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, si dhe autoritete të tjera.

  • Pamje nga protestat masive kundër Trumpit

    Pamje nga protestat masive kundër Trumpit

    Mijëra protestues në të gjithë SHBA dolën në rrugë dje në protestën më të madhe mbarëkombëtare të opozitës që kur Donald Trump u kthye në detyrë në janar.

    Ata shprehën një sërë shqetësimesh në lidhje me axhendën e tij, me disa pankarta që bënin thirrje për t’i dhënë fund tarifave.

    Pamjet nga protestat:

  • Anulohen konkurset në Graçanicë pas protestave kundër ‘punësimit të personave të afërt’ me Listën Serbe

    Anulohen konkurset në Graçanicë pas protestave kundër ‘punësimit të personave të afërt’ me Listën Serbe

    Konkurset për pranimin e punonjësve në institucionet shëndetësore në territorin e komunës së Graçanicës, afër Prishtinës, janë anuluar në mbrëmjen e 5 prillit, pasi për disa ditë banorët e pakënaqur lokalë kanë protestuar, duke argumentuar se vendet e punës po i ftonin “personat e përshtatshëm”, të afërt me Listën Serbe.

    Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë dhe ky subjekt gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

    Megjithatë, në vendimin e publikuar në faqen zyrtare të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Graçanicë, thuhet se konkurset për pranimin në marrëdhënie pune janë anuluar “për shkak të skadimit të afatit prej 30 ditësh për marrjen e vendimit për përzgjedhjen e kandidatëve”.

    Institucionet shëndetësore në zonat me shumicë serbe në Kosovë funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, dhe konkurset për vende të reja pune janë shpallur nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë në fund të janarit. Pranimi i punonjësve të rinj në sektorin e shëndetësisë përkoi me fushatën parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 9 shkurt, ku garoi edhe Lista Serbe.

    Kryetari i kësaj partie, Zllatan Elek, gjatë fushatës zgjedhore deklaroi se “në periudhën e kaluar, shteti i Serbisë ka siguruar një numër të madh vendesh pune dhe se kjo është një nga mënyrat për të mbijetuar [në Kosovë]”.

    Elek është gjithashtu drejtor i Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicën e Veriut, njëra nga katër komunat në veriun e Kosovës, të banuara me shumicës serbe.

    Dhjetëra banorë, të cilët ditët e fundit kanë protestuar përpara Qendrave të Mjekësisë Familjare në Graçanicë, Uglar dhe Gushtericë të Poshtme, kanë deklaruar se punën në këto institucione shëndetësore e kanë marrë vetëm personat e afërt me Listën Serbe, dhe se disa prej atyre që janë punësuar, madje, nuk jetojnë fare në Kosovë.

    Petar Gjorgjeviq nga Graçanica theksoi se ndaj personave që kanë protestuar është ushtruar presion, teksa u ka bërë thirrje të gjithëve që “t’i dokumentojnë kërcënimet”.

    Radio Evropa e Lirë më 4 prill iu drejtua edhe Listës Serbe për të komentuar mbi akuzat e qytetarëve lidhur me punësimet partiake dhe presionet ndaj tyre, por ky subjekt politik nuk kanë kthyer përgjigje. Për akuzat e protestuesve lidhur me konkurset nuk janë përgjigjur as nga Ministria e Shëndetësisë e Serbisë, e cila është përgjegjëse për institucionet në zonat serbe në Kosovë, që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë.

  • Ukraina ende në pritje të koalicionit të vullnetit

    Ukraina ende në pritje të koalicionit të vullnetit

    Një muaj pas njoftimit të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, për themelimin e një “koalicioni të vullnetit”, në lidhje me krijimin e një misioni ushtarak në Ukrainë, shumë pyetje kanë mbetur pa përgjigje.

    Starmer tha se planin përfshinte “trupa britanike në terren dhe avionë në ajër, së bashku me të tjerët”.

    Kjo ngriti pyetje të menjëhershme se kush do të kontribuonte dhe si. Një muaj pas, përgjigjet janë të pakta.

    Kush mund të dërgojë trupa në Ukrainë?

    Deri tani, Franca është vendi i vetëm që ka bërë zotim të qartë për të dërguar forca ushtarake në Ukrainë, si pjesë e misionit.

    Konferenca e Londrës dhe takimet pasuese kanë përfshirë më shumë se 30 vende. Disa prej tyre me gjasë do të përfshihen në formë mbështetjeje nga jashtë.

    Gjermania, për shembull, ka shprehur gatishmërinë për të dërguar trupa nën një mandat të OKB-së, por Rusia e kundërshton një mision të tillë dhe do ta përdorte veton kundër tij. Pra, përfshirja e Berlinit ka më shumë gjasa të bëhet në formë të mbështetjes jashtë vendit, si logjistika.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u takua më 1 prill në Kiev me ministren e Jashtme në largim të Gjermanisë, Annalena Baerbock, dhe tha se një “rreth i ngushtë vendesh” është i gatshëm të dërgojë kontingjente.

    Disa vende kanë treguar se mund të jenë pjesë e këtij rrethi.

    I pyetur për dërgimin e trupave, kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, tha se është “i gatshëm të ndihmoj… nën kushte të caktuara”, ndërsa ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, tha se vendi i tij është i përgatitur për këtë “në parim”.

    Kryeministri i Australisë, Anthony Albanese ka thënë se vendi i tij mund të dërgojë “një kontribut të vogël”, por ai përballet me zgjedhje në maj. Belgjika tha se për të është e “logjikshme” të marrë pjesë.

    Disa nga 30 vendet kanë përjashtuar mundësinë e dërgimit të trupave, si për shembull Polonia, e cila po i jep përparësi shqetësimeve të saj të sigurisë për shkak të Rusisë dhe Bjellorusisë. Edhe Greqia ka deklaruar se nuk do të dërgojë trupa.

    Turqia, një fuqi e madhe ushtarake që kufizohet me Ukrainën dhe që ka kapacitete të konsiderueshme ajrore dhe detare, do të ishte kontribuese e rëndësishme. Megjithatë, ajo nuk ka bërë ende ndonjë deklaratë të qartë.

    Çfarë do të bënin trupat perëndimore në Ukrainë?

    Misioni shpesh është quajtur paqeruajtës, por ky është një term i pasaktë.

    “Nëse e quajmë ‘mision paqeruajtës’, zakonisht nënkuptojmë një mision brenda kuadrit të OKB-së, që kërkon pjesëmarrjen dhe marrëveshjen e të dyja palëve. Një ‘mision sigurie’ nuk kërkon miratimin e Rusisë”, tha një diplomat i NATO-s për Shërbimin ukrainas të Radios Evropa e Lirë (REL).

    Ideja është që, pasi të arrihet një marrëveshje për armëpushim ose për paqe, forcat të vendosen për ta bindur Ukrainën se Rusia nuk do ta sulmojë përsëri.

    “Nëse do të kishte përsëri agresion të përgjithshëm kundër territorit ukrainas, këto ushtri do të ishin nën sulm dhe atëherë do të vepronim sipas kuadrit tonë të zakonshëm të angazhimit”, tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron, para një samiti të mbajtur nga koalicioni i vullnetit në Paris, më 27 mars.

    “Ushtarët tanë, kur janë të angazhuar dhe të dislokuar, janë aty për të reaguar dhe për t’iu përgjigjur urdhrave të komandantit të përgjithshëm dhe, nëse ndodhen në një situatë konflikti, për t’iu përgjigjur atij”, shtoi ai.

    Megjithatë, nuk parashikohet dislokimi në vijën e frontit.

    Duke folur pas takimit në Paris, Macron tha se forcat do të vendosen në “disa lokacione strategjike”.

    Starmer dhe Zelensky kanë thënë se forcat do ta mbulonin hapësirën ajrore, detare dhe tokësore.

    Gjatë javëve të fundit, planifikuesit ushtarakë kanë përgatitur skenarë të ndryshëm.

    Diplomatë të NATO-s i thanë REL-it se vizioni përfundimtar i kontingjentit të ardhshëm ende nuk është përcaktuar dhe do të varet kryesisht nga rrethanat që do të çojnë në dislokimin e tij.

    Kundërshtimi nga Rusia

    Rusia e ka bërë prej kohësh të qartë se kundërshton çdo dislokim të forcave në Ukrainë, të cilat përfshijnë vende të NATO-s. Pra, kjo përjashton mundësinë e një misioni të mandatuar nga OKB-ja.

    Megjithatë, vendet evropiane kanë treguar se do të ishin të gatshme të dislokohen edhe pa miratimin e Rusisë. Macron e bëri këtë të qartë në një intervistë rishtazi me gazetat rajonale franceze.

    “Nëse Ukraina kërkon që forcat aleate të jenë në territorin e saj, nuk i takon Rusisë ta pranojë apo ta refuzojë këtë”. tha ai.

    Por, edhe nëse Rusia nuk mund ta ndalojë misionin, mund të ketë një pengesë tjetër.

    Mbështetja nga SHBA-ja

    Qysh nga fillimi, dislokimi i forcave është mbështetur në ekzistencën e asaj që Starmer e quajti “backstop” i SHBA-së.

    Kjo i referohet ofrimit të mbështetjes ajrore, logjistikës dhe informatave të inteligjencës. Por, deri tani nuk ka pasur asnjë sinjal të qartë nga Uashingtoni se është i gatshëm të ndihmojë.

    Përkundrazi, ka pasur kritika të ashpra nga një nga ndihmësit më të ngushtë të presidentit të SHBA-së, Donald Trump. Steve Witkoff, një figurë kyçe në përpjekjet për të ndërmjetësuar një armëpushim ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, e hodhi poshtë këtë si “një qëndrim dhe një pozë”.

    Një diplomat nga një anëtar evropian i NATO-s i tha REL-it se kjo është një sfidë që duhet të tejkalohet.

    “Duhet të provojmë një propozim të qartë dhe t’ia paraqesim Shteteve të Bashkuara. Nuk duhet të demonstrojmë varësi të plotë nga prania amerikane. Duhet të kemi respekt për veten”, tha ai.

    “Duhet të veprojmë vetë dhe pastaj t’i ftojmë Shtetet e Bashkuara të na u bashkohen”, shtoi ai.

    Ish-kreu i ushtrisë amerikane në Evropë, Ben Hodges, i tha REL-it muajin e kaluar se Evropa duhet të veprojë vetë.

    “Ushtarët që kam takuar gjatë viteve nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Polonia janë burra dhe gra të cilësisë së lartë, me pajisje të mira”, tha ai.

    Çfarë pason?

    Që nga deklaratat e para të Starmerit, ka pasur një sërë takimesh në nivele të ndryshme për të punuar mbi propozimet.

    Rruga e këtij procesi mund të jetë e gjatë.

    “Kjo është një përpjekje për të gjetur një formë të re garancish nga partnerët tanë evropianë”, tha për REL-in Serhiy Leshchenko, këshilltar në zyrën e presidentit Zelensky.

    “Nevojitet kohë. Nuk është e nevojshme të presim zgjidhje të menjëhershme këtu”, përfundoi ai.

  • Dy të mitur raportohen të zhdukur, një në Podujevë dhe një Fushë Kosovë

    Dy të mitur raportohen të zhdukur, një në Podujevë dhe një Fushë Kosovë

    Dy persona janë raportuar të zhdukur në raportin 24 orësh të Policisë.

    Babai në Podujevë ka thënë se djali i tij 16 vjecar ka dalë mga shtëpia dhe nuk është kthyer.

    Ndërsa bë Fushë Kosovë babai e ka raportuar të zhdukur vajzën e tij të mitur

    “PERSON I ZHDUKUR- Lupq i Poshtëm, Podujevë / 05.04.2025 – 09:00. Ankuesi m/k ka njoftuar policinë se djali i tij 16 vjeçar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti në hetime”

    “Rr. Nëna Terezë, Fushë Kosovë / 05.04.2025 – 23:00. Ankuesi m/k, ka njoftuar policinë se vajza e tij 14 vjeçare ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e saj. Rasti në hetime.”