ATV

Category: Lajme

  • Vdekja e punëtorit në Veternik, arrestohet një person

    Vdekja e punëtorit në Veternik, arrestohet një person

    Një 40 vjeçar mbet i vdekur në një vendpunishte në lagjen “Veternik” të Prishtinës dhe lidhur me rastin është arrestuar një person.

    Siç bën të ditur policia e Kosovës në raportin 24 orësh, është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Ditën e djeshme, gjatë punimeve në një objekt ndërtimi është shembur dheu duke zënë dy persona, njëri prej të cilëve nuk i mbijetoi plagëve të marra.

    “Është raportuar se gjatë punimeve te një objekt në ndërtim është shembur dheu dhe i ka nxënë dy persona meshkuj kosovar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe urgjenca të cilët kanë arritur që ti nxjerrin personat nga gropa ku ju është ofruar tretman mjekësor, mirëpo njëri nga personat nuk ka arritur që tu mbijetojë plagëve dhe nga stafi mjekësor është konstatuar vdekja e tij, ndërsa personi tjetër është dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshme. Lidhur me rastin është arrestuar një mashkull kosovar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton policia.

  • Kosova dhe Austria forcojnë partneritetin ekonomik dhe teknologjik, fokusohen në infrastrukturë dhe digjitalizim

    Kosova dhe Austria forcojnë partneritetin ekonomik dhe teknologjik, fokusohen në infrastrukturë dhe digjitalizim

    Partneriteti ekonomik dhe teknologjik mes Kosovës dhe Austrisë ka marrë një zhvillim të rëndësishëm në vitet e fundit, duke u fokusuar gjithnjë e më shumë në shkëmbimin e shërbimeve dhe investimet në infrastrukturën moderne, raporton Ekonomia Online.

    Ekspertët dhe drejtuesit e shoqatave ekonomike austriake vlerësuan se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve kanë evoluar në një partneritet të qëndrueshëm, ku fokusi ka kaluar nga investimet e drejtpërdrejta në zhvillimin e shërbimeve dhe infrastrukturës.

    Wilhelm Nest, drejtor i “Advantage Austria” në Kosovë, një organizatë e eksportit dhe e promovimit të investimeve të Qeverisë Austriake, tha se marrëdhënia mes dy shteteve është forcuar gjatë dekadës së fundit.

    “Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Kosovën për një kohë të gjatë. Ndërsa, le të themi 10 vjet më parë, tema kryesore ishte investimi i drejtpërdrejtë i huaj nga Austria në Kosovë. Tani, veçanërisht shkëmbimi i shërbimeve është ai që e bën marrëdhënien ndërmjet Kosovës dhe Austrisë të lulëzojë”, tha ai.

    Nest po ashtu vuri në pah interesin e Austrisë për investimet në infrastrukturën e Kosovës, veçanërisht në sektorët e energjisë dhe trafikut.

    “Natyrisht, Austria është shumë e interesuar për investime në infrastrukturën në Kosovë. E dimë që po punoni për përmirësimin e sektorit të energjisë, pastaj do të ketë infrastrukturë të trafikut që duhet të ndërtohet ose përmirësohet. Kjo është patjetër një fushë, ku kompanitë austriake janë të interesuara të bëjnë biznes. Por, natyrisht, është gjithashtu thjesht shitja e mallrave të zakonshme për konsumatorët si dhe makinave e pajisjeve për kompanitë kosovare”, tha ai.

    Christian Rupp, anëtar i Bordit Këshillues të Shoqatës së Miqësisë Austriake-Kosovare, theksoi rëndësinë e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike në zhvillimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

    “Ne të gjithë jetojmë në të njëjtin vend në Evropë. Dhe kemi një sovranitet të veçantë, le të themi, digjital. Për shembull, çfarë duhet bërë me sigurinë kibernetike, çfarë duhet bërë me shërbimet qeveritare digjitale ndërkufitare, çfarë duhet bërë për të nxitur dhe përgatitur ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme për digjitalizimin. Dhe në fund, qytetarët. Pra, duhet t’i përfshijmë edhe ata me aftësi digjitale, të cilat çdokujt i nevojiten për të punuar në të ardhmen”, tha ai.

    Rupp, i cili ka qenë edhe Sekretar Ekzekutiv Federal i Qeverisë Austriake, gjithashtu nënvizoi potencialin e madh të Kosovës në fushat e teknologjisë dhe digjitalizimit, duke përmendur studentët kosovarë si burim të rëndësishëm talenti.

    “Ne kemi vizituar dje dy universitetet: Universitetin e Prishtinës dhe UBT-në dhe keni studentë të shkëlqyer me shumë potencial, veçanërisht në fushën e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale dhe digjitalizimit. Mendoj se kjo është vërtet pika juaj unike e shitjes për Evropën. Mendoj se potenciali është në çdo sektor. Sepse sot keni, për shembull, inteligjencën artificiale edhe në bujqësi, pra bujqësinë e mençur. E keni në shëndetësi, sektori i e-shëndetësisë. Keni telemjekësinë. Dhe pastaj keni shumë llogaritje me performancë të lartë në metavers dhe gjithashtu në fushën e llogaritjes kuantike dhe sigurisë kibernetike. Pra, patjetër që na duhen në çdo degë njerëz që kanë njohuritë e duhura”, tha ai.

  • Vuçiq dhe Brnabiq shpallen “persona non grata” në qytetin Çaçak

    Vuçiq dhe Brnabiq shpallen “persona non grata” në qytetin Çaçak

    Në një tubim qytetar të mbajtur në Çaçak, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq dhe kryetarja e Kuvendit Kombëtar Ana Brnabiq janë shpallur persona non grata në këtë qytet, ndërsa ish-presidentit të Serbisë Tomislav Nikoliq i është hequr titulli i qytetarit nderi, që i ishte dhënë në vitin 2015.

    Vendimet janë marrë në një takim publik që, sipas këshilltarit të Kuvendit Komunal të Çaçakut, Dragan Savkoviq, përfaqëson vazhdimin e iniciativave të mëparshme qytetare. “Ne vetëm e kemi vazhduar atë që e kemi filluar para 20 ditësh, kur në një tubim qytetar e kemi shkarkuar kryetarin e komunës dhe kryetarin e Kuvendit të Qytetit të Çaçakut,” tha Savkoviq për N1.

    Si arsye për shpalljen e Vuçiqit dhe Brnabiqit persona non grata, Savkoviq përmendi “shkatërrimin e institucioneve, rrënimin ekonomik të vendit dhe përçarjet në shoqëri”, ndërsa në rastin e Brnabiqit, theksohet mbështetja e saj për nxjerrjen e litiumit.

  • Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Gjendet e vdekur një grua në Pejë

    Në një aneks të shtëpisë është gjetur trupi i viktimës femër.

    Sipas Policisë, ajo është gjetur në Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë përkatëse, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës, raporton kp.

    Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.

  • Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Afër 42 mijë trupa të paidentifikuar në Japoni në 2023 pasi shumë të moshuar jetojnë vetëm

    Pothuajse 42,000 trupa mbetën të paidentifikuar në Japoni gjatë vitit kalendarik 2023, mes një rritje të numrit të të moshuarve që jetojnë vetëm, sipas një raporti të qeverisë.

    Trupat më pas u dogjën ose u varrosën nga autoritetet lokale, sipas studimit të parë të këtij lloji, raportoi Kyodo News me bazë në Tokio, raporton AA.

    41,969 trupa të identifikuar dhe të paidentifikuar, përbënin 2.7% të vdekjeve në 2023.

    Studimi i porositur nga Ministria e Shëndetësisë, Punës dhe Mirëqenies, tregoi se shumica e komunave nuk kishin një protokoll të vendosur për trajtimin e trupave, duke përfshirë edhe sa kohë duhet të mbaheshin para djegies, transmeton KosovaPress.

    Rreth 23.3 milionë nga 52.6 milionë familje, ose 44.3%, do të jenë familje me një person deri në vitin 2050, sipas parashikimeve të Institutit Kombëtar të Kërkimeve të Popullsisë dhe Sigurimeve Shoqërore.

  • Bie borë në Kosovë

    Bie borë në Kosovë

    Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën, aktualisht po bie borë.

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën parashihet një ndryshim i shpejtë në shtresat e ulëta dhe të mesme të atmosferës (troposferë), i cili do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.

    Sipas institutit, fillimisht do të ketë reshje shiu, ndërsa më vonë pritet që reshjet të kalojnë në bore duke përfshirë edhe shumë pjesë të viseve të ulëta, raporton KosovaPress.

    “Megjithëse këto reshje do të jen të përkohshme. Në viset e larta parashihen vetëm reshje bore. Kjo situatë meteorologjike do të krijojë kushte për paraqitjen e ngricave në fillim të javës së ardhshme, të cilat mund të kenë ndikim negativ në kulturat e hershme bujqësore, veçanërisht në pemëtari. Udhëzohen bujqit dhe fermerët që të marrin masa preventive për të mbrojtur prodhimin dhe kulturat e ndjeshme nga ndikimi i këtyre kushteve të pafavorshme të motit”, thuhet në njoftim.

  • Kryeministri Kurti bën homazhe në 26-vjetorin e masakrës së Rezallë të Skenderajt

    Kryeministri Kurti bën homazhe në 26-vjetorin e masakrës së Rezallë të Skenderajt

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 98 burra dhe djem të rinj që u pushkatuan nga forcat e armatosura të Serbisë gjatë masakrës në Rezallë të Skenderajt.

    “Familjarët kujtuan ditët e tmerrshme të prillit 1999, kur forcat serbe, në përpjekje të zhdukjes së krimit, pas vrasjes së civilëve ua rrëmbyen dhe zhdukën kufomat. Disa u gjetën të groposur në varreza masive në Kizhevak dhe në Rudnicë të Rashkës, në Serbi. Rikujtuan 30 shtatorin e vitit 2021, kur nga Kizhevaku i Serbisë, u kthyen në Kosovë eshtrat e shtatë prej të vrarëve në këtë masakër. Mes tyre ishin edhe dy ribashkime me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë të Serbisë”, u shpreh Kurti.

    Kurti u deklarua se kjo dhe masakrat e tjera të kryera nga Serbia janë dëshmi e gjenocidit në Kosovë, që njihet edhe botërisht. Andaj, drejtësia vendore duhet pa vonesë dhe me ngulm të veprojë, në mënyrë që përgjegjësit të gjykohen e të dënohen, shtoi ai.

    “Sot e gjithnjë, u bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë, që nga Serbia, si përgjegjëse për vrasjen dhe zhdukjen e të dashurve tonë, të kërkojnë zbardhjen e plotë të fatit të tyre”, tha tutje Kurti.

    Gjithashtu, ai ka theksuar se duke nderuar të kaluarën, me drejtësi për viktimat dhe familjet, angazhohemi për të ardhmen e Republikës sonë, ku brezat e rinj rriten të lirë e të sigurt.

  • Sulmi amerikan vret dhjetëra rebelë të grupit Huthi, Trump publikon pamjet

    Sulmi amerikan vret dhjetëra rebelë të grupit Huthi, Trump publikon pamjet

    Presidenti amerikan, Donald Trump, publikoi këtë të shtunë një video në “Truth Social” teksa një sulm amerikan vret dhjetëra rebelë Huthis në Jemen, militantë të këtij grupi të mbështetur nga Irani.

    Kreu i Shtëpisë së Bardhë e shoqëroi videon me një përshkrim sarkastik duke shkruar “ops”. Videoja Bardh e Zi e xhiruar nga një dron ushtarak tregon dhjetëra njerëz që qëndronin si një rreth përpara se ushtria amerikane t’i bombardojë.

    Donald Trump shkroi se rebelët e mbështetur nga Irani ishin mbledhur për të marrë urdhra që të kryenin një sulm ndaj anijeve amerikane.

    Mediat e Jemenit dhe zyrtarë të Rebelëve Huthi raportuan përgjatë kësaj jave se dhjetëra persona mbetën të vrarë përgjatë kësaj jave si pasojë e sulmeve të kryera nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Trump u zotua të hënën se Washingtoni nuk do ti ndal sulmet ndaj rebelëve Huthis deri sa ky grup terrorist të ndal sulmet tregtare në Detin e Kuq. Rebelët Huthi thonë se të paktën 67 anëtar të tyre janë vrarë që nga 15 marsi kur Shtetet e Bashkuara nisën fushatën e sulmeve ajrore kundër tyre.

    Rebelët Huthi janë kthyer në një kërcënim për tregtinë globale në Detin e Kuq dhe që prej nisje së luftës në Gaza ata kanë sulmuar dhjetëra anije ndërkombëtare tregtare si dhe kanë bllokuar kanalin e Suezit, përmes së cilit kalon 12% e tregtisë globale.

    Rebelët e mbështetur nga Irani thonë se kanë nisur sulmet ndaj anijeve tregtare për të treguar solidaritet me palestinezët që po vriten në Gaza nga sulmet izraelite.

  • E konfirmuar, një punonjës i vdekur e një tjetër i lënduar si pasojë e shembjes së dheut në Veternik

    E konfirmuar, një punonjës i vdekur e një tjetër i lënduar si pasojë e shembjes së dheut në Veternik

    Një punonjës ka vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e shembjes së dheut në një punishte, në lagjen Veternik të Prishtinës.

    Në vend të ngjarjes është Policia dhe ekipi i zjarrfikësve të cilët janë duke intervenuar.

    “Sot rreth orës 13:00, është pranuar informacioni se dy persona janë zënë nga shembja e dheut në një vendpunishte në rrugën “Gjilani” në lagjen Veterniku në Prishtinë.

    Nga informacionet e para është bërë e ditur se njëri nga ta është nxjerrë nga aty dhe po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK, ndërkaq fatkeqësisht, tjetri, mashkull, rreth 40 vjeç, është konstatuar  pa shenja jete, nga ana e mjekëve emergjent”, njoftoi Policia.

    Tutje thuhet se në koordinim me prokurorin e shtetit si dhe mekanizmat e tjerë të nevojshëm po punohet për sqarimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.

     

  • Fillon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Fillon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

    Aktivistë dhe qytetarë janë grumbulluar në sheshin “Skënderbe” për të protestuar kundër rritjes së tarifave të energjisë elektrike.

    Duke mbajtur pankarta që mbajnë mesazhe si “Shteti hesht, qytetarët s’ndalen”, “Jo rritjes së çmimit të rrymës”, “Ndal varfërimit të qytetarëve”, “S’ka dritë me padrejtësi” e “Stop vjedhjes me tarifa”, ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të fundit për një rritje prej 15% të çmimit të energjisë elektrike.

    Protestuesit janë mbledhur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që autoritetet të ndalojnë këtë veprim që e quajnë të padrejtë.

    Grupi organizator i protestës është “Asnjë Cent më Shumë”, i cili po e drejton këtë si një reagim ndaj shtrenjtimit të shërbimeve për qytetarët.