ATV

Category: Lajme

  • Hamidi: Ftesa për konsultime nga Dehari po duket e pakuptimtë

    Hamidi: Ftesa për konsultime nga Dehari po duket e pakuptimtë

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi në Studio e Hapur në ATV e vlerësoi si të vonuar dhe të pakuptimtë ftesën e Avni Deharit për konsultime mes partive politike pas ndërprerjes së seancës konstituive.

    Ai tha se këto diskutime është dashur të ndodhnin më herët dhe jo pak minuta para seancës së re.

    “Gabime ka pasur. Realisht ka pasur kohë që këto çështje me i sqaru edhe më herët, edhe sot deri në ora dymbëdhjetë sa s’ka fillu seanca, apo edhe dje, prej kohës që u ndërpre seanca e parë,” tha Hamidi.

    Sipas tij, është e paqartë nëse ftesa për konsultim është për të fituar kohë ose për të bërë lëvizje politike në prapaskenë.

    “Nuk e di, a kanë qëllimin me ble kohë, me arritë numrat e nevojshëm apo çka është qëllimi i këtij, sepse nuk di çka kanë me konsultu,” u shpreh Hamidi.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Dehari fton përfaqësuesit e partive për konsultime për hapat e mëtejmë

    Dehari fton përfaqësuesit e partive për konsultime për hapat e mëtejmë

    Drejtuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, në seancën e sotme kërkoi nga përfaqësuesit e partive politike që të konsultohen për hapat e mëtejmë, pas përgjigjes së Presidentes Osmani për situatën e krijuar.

    Ai tha se letra e Presidencës nuk ofron zgjidhje përfundimtare, por bën thirrje për mirëkuptim mes deputetëve për të zhbllokuar Kuvendin.

    “Si drejtues i seancës konstituive jam detyruar që me një letër t’i drejtohem Presidentes së Republikës, znj. Vjosa Osmani. Letra që na ka ardhur ka dhënë sqarime në një aspekt, por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare. Ajo kërkon nga ne deputetët që të gjejmë vullnet, forcë dhe mirëkuptim që ta zhbllokojmë situatën në Kuvend”, u shpreh Dehari.

    Ai tha se për të shmangur çdo shkelje të mundshme, është i domosdoshëm një takim i përbashkët me përfaqësuesit e partive.

    “Për këtë arsye i ftoj përfaqësuesit e partive politike që të dalim në një sallë dhe të konsultohemi para se të bëjmë ndonjë shkelje procedurale, ligjore ose kushtetuese. Unë e shoh si të domosdoshme këtë gjë”, shtoi Dehari.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Fillon vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit

    Fillon vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit

    Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e cila po drejtohet nga kryesuesi Avni Dehari, si deputeti më i vjetër për nga mosha në legjislaturën e re, raporton ATV.

    Seanca po mbahet pas dështimit të së martës, ku opozita votoi kundër verifikimit të mandateve të deputetëve, ndërsa Lista Serbe abstenoi. Për pasojë, Kuvendi u detyrua të ndërpriste punimet pa e kryer betimin.

    Në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës, Dehari e ka rifilluar seancën sot, brenda afatit 48-orësh të paraparë. Deputetët pritet të votojnë sërish për raportin e Komisionit për Verifikimin e Mandateve. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Gazetari i ATV-së jep detajet e fundit para fillimit të seancës konstituive

    Gazetari i ATV-së jep detajet e fundit para fillimit të seancës konstituive

    Gazetari i ATV-së, Armand Hoti, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Kosovës, zbuloi zhvillimet e fundit para nisjes së seancës konstituive. Ai tha se disa nga figurat kyçe politike tashmë kanë hyrë në objekt, ndërsa jashtë Kuvendit janë vendosur përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës.

    Sipas gazetarit, Fatmir Limaj, kryetari i Nismës Socialdemokrate, u shpreh shkurtimisht se shpreson që sot Kuvendi të konstituohet.

    “Fatmir Limaj tha që, ishte i shkurtër pra në prononcimin e tij, tha që shpreson që sot të konstituohet Kuvendi”, tregoi gazetari Hoti.

    Ndërkohë, edhe Arben Gashi nga LDK përsëriti qëndrimin e partisë së tij se nuk do të votojnë raportin për verifikimin e mandateve pa dorëheqjet zyrtare të anëtarëve të Qeverisë.

    “Arben Gashi potencoi se nuk e votojnë raportin pa vënë dorëheqje, ashtu siç po e kërkojnë ata pra, kryeministri në detyrë Albin Kurti”, tha Hoti.

    Duke përshkruar atmosferën para Kuvendit, gazetari shtoi se përveç mediave dhe deputetëve, në hyrjen tjetër janë vendosur anëtarë të OVL-UÇK-së, të cilët po kërkojnë nga deputetët e rinj të nënshkruajnë një betim për drejtësi, që përfshin kërkesa kundër Gjykatës Speciale.

    “Janë të vendosur disa nga pjesëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës, të cilët po kërkojnë nga deputetët që ta nënshkruajnë një betim ku kërkohet që të merren disa masa ndaj Gjykatës Speciale”, raportoi gazetari Hoti.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Hamidi: Emri më i përfolur për Kryetar Kuvendi është Fatmir Limaj

    Hamidi: Emri më i përfolur për Kryetar Kuvendi është Fatmir Limaj

    Gazetari dhe analisti Lavdim Hamidi ka thënë në Studio e Hapur në ATV se emri më i përfolur për postin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës është ai i Fatmir Limajt, kryetarit të Nismës Socialdemokrate.

    Sipas Hamidit, gjatë negociatave të zhvilluara në 48 orët e fundit, është përmendur se Limaj ka kërkuar pozitën e Kryetarit të Kuvendit, ndërsa nuk është diskutuar për poste ministrore në Qeverinë e re. Po ashtu, thuhet se kërkesë e tij është ulja e pragut zgjedhor nga 5% në 3%, një temë që lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën zgjedhore të Nismës.

    “Në zgjedhjet e kaluara, Nisma nuk arriti të hyjë në Kuvend për një përqindje të vogël votash, andaj kjo kërkesë shihet si përpjekje për t’u siguruar që në rast se vendi shkon në zgjedhje në pranverën e ardhshme, kjo parti të ketë më shumë gjasa për të hyrë në Kuvend,” tha Hamidi.

    Ai shtoi se marrëdhëniet e Limajt me partitë e mëdha janë të ndërlikuara, duke theksuar se mundësitë për koalicione janë minimale. Nisma ishte në koalicion me AAK-në, por tashmë është larguar nga ajo aleancë.

    Sipas Hamidit, një ulje e mundshme e pragut zgjedhor mund të hapë rrugë për përfshirjen e disa partive më të vogla në skenën parlamentare. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Bajrami: Opozita nuk po e bllokon Kuvendin – kërkojmë dorëheqje para votimit

    Bajrami: Opozita nuk po e bllokon Kuvendin – kërkojmë dorëheqje para votimit

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se opozita nuk po e bllokon Kuvendin, por kërkon që anëtarët e Qeverisë të dorëzojnë dorëheqjet e tyre para se të votohet raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve.

    “Nëse zoti Kurti e ka cilësuar njoftimin që i ka bërë Kuvendit si dorëheqje, si ka mundësi që është kthyer në zyrën e Qeverisë dhe ka mbajtur mbledhje, ku janë marrë vendime dhe janë nënshkruar udhëzime administrative?”, tha Bajrami para nisjes së seancës së sotme konstituive.

    Sipas saj, dorëheqja duhet të jetë një akt formal-juridik që e ndalon ushtrimin e mëtejshëm të funksionit, dhe nuk mund të zëvendësohet me njoftime të brendshme apo gjysmake.

    Ajo shtoi se çdo deputet i LDK-së do të vendosë individualisht për votimin e raportit, duke mohuar se ekziston një marrëveshje tërësore mes partive opozitare për një qëndrim unik.

    Sa i përket braktisjes së institucioneve, Bajrami tha se nuk bëhet fjalë për një bojkot, por për kërkesën që gjithçka të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe ligjin për Qeverinë. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • LDK nuk ndryshon qëndrim për mandatet, Abdixhiku: S’mund ta shkelim Kushtetutën

    LDK nuk ndryshon qëndrim për mandatet, Abdixhiku: S’mund ta shkelim Kushtetutën

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka konfirmuar edhe sot para seancës konstituive se deputetët e partisë së tij nuk do ta votojnë raportin për verifikimin e mandateve, duke e cilësuar këtë si një shkelje të rëndë të Kushtetutës.

    “I pandryshueshëm, nuk e votojmë raportin, natyrisht që jo. Nuk mund të votojmë një shkelje të rëndë kushtetuese në ceremoninë e betimit të deputetëve. Është e palogjikshme, është jodemokratike”, tha Abdixhiku para mediave.

    Ai tha se qëndrimet e LDK-së janë të menduara mirë dhe në funksion të mbrojtjes së demokracisë dhe rendit kushtetues në vend.

    “Deputetët e LDK-së nuk mund të shkelin Kushtetutën”, shtoi ai.

    LDK, së bashku me PDK-në dhe AAK-në, një ditë më parë votuan kundër raportit të Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve, ndërsa Lista Serbe abstenoi. Seanca e 15 prillit u ndërpre dhe u paralajmërua rifillimi i saj sot në orën 12:00. /atvlive.tv

  • Haradinaj deklarohet para vazhdimit të seancës konstituive

    Haradinaj deklarohet para vazhdimit të seancës konstituive

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se nuk ka komunikuar me Nismën Socialdemokrate por sipas tij një gjë të tillë e kanë bërë “Partia Demokratike e Kosovës dhe kolegë të tjerë”.

    Haradinaj tha se shpreson që “të zgjidhet çështja e dorëheqjeve” derisa theksoi se si AAK janë të interesuar për konstituimin e Kuvendit. Por ai tha se nuk mund të votojnë “shkelje ligjore”.

    “Mirë është që qe janë respektuar afatet ligjore, 48 orë të vazhdimit. Shpresoj që do të zgjidhet çështja e dorëheqjeve she do të mund të vazhdojmë. si aleancë e mbështesim konstituimin e kuvendit por nuk guxojmë të votojmë shkelje ligjore”, tha Haradinaj të enjten më 17 prill, pak para vazhdimit të seancës konstituive.

    Deputetët e zgjedhur nuk arritën më 15 prill të miratojnë raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit.

    Partitë që deri më tash ishin në opozitë kërkuan nga qeveria në detyrë që të ofrojë dorëheqje formale.

    Gjatë kohës sa mbahej seanca, u publikua letra e Albin Kurtit përmes së cilës e njoftonte kryetarin e Kuvendit se kishte dhënë dorëheqje. Aty thuhej se qeveria ishte në dorëheqje nga dita kur i kishte përfunduar mandati – më 23 mars.

    PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja kujtuan Ligjin për Qeverinë dhe theksuan se dorëheqjet duhet të dorëzohen një ditë para certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.

    Haradinaj u shpreh se janë të interesuar për konstituimin e kuvendit, meqë ashtu fillon edhe afati ligjor për formimin e qeverisë.

    “Sikur ta kishte shumicën do të mund të votonte jashtëligjshmen. Duke mos e pasur shumicën, kjo është situatë, nuk e di qysh do të rezultojë më tutje. E kemi thënë herët që jemi të interesuar për konsitutimin e Kuvendit sepse ashtu fillon edhe afati ligjor për formimin e qeverisë. Dhe jemi të interesuar që pas dështimit, ta mbështesim formimin e qeverisë nga opozita. Unë nuk kam komunikim me Nisman që atëherë, qe nga intervista. Jam në dijeni se PDK ka komunikim, edhe kolegët tjerë”, u shpreh Haradinaj.

    Ai tregoi edhe nëse i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, deputeti Adem Hoxha.

    “Jo AAK-së, ne keni mungesë të deputetëve në GP, ju kam bërë ftesë të gjithë deputetëve qe janë pa grup që nëse vlerësojnë të na bashkohen. Ademi ka shprehur interesim dhe të tjerët mund t’i bashkohen”, u shpreh ai.

    Deputetët e zgjedhur do të mblidhen edhe sot më 17 prill për të vazhduar seancën konstituive.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.

    Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.

    Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.

    Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.

  • Seanca për konstituimin e Kuvendit, ja çka thotë Gërvalla

    Seanca për konstituimin e Kuvendit, ja çka thotë Gërvalla

    Kryetarja e partisë “Guxo”, Donika Gërvalla është deklaruar optimiste se sot do të konstituhet Kuvendi i Kosovës.

    Pak para vazhdimit të seancës konstituive, Donika Gërvalla tha se nëse opozita është e gatshme të mos bllokoj seancën konstituive “do të vazhdojnë me procedurat e parapara”, raporton KosovaPress. Partia “Guxo” ishte në koalicion parazgjedhor me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    “Ne sot e kemi edhe vazhdimin e seancës. Nëse opozita është gati sot të mos bllokoj vazhdimin me procedurat e parapara, jemi shumë optimist dhe të angazhuar që sot të vazhdojmë këtë seancë”, tha Gërvalla, transmeton KosovaPress.

    Vazhdimi i seancës kontituive është paraparë të nis sot në orën 12:00.

    Ditën e martë është ndërprerë seanca për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

    Kryesuesi i seancës Avni Dehari ka ndërprerë seancën për shkak të mos votimit të raportit për konfirmimin e mandatave. Ishin 52 deputetë për, 46 kundër dhe 11 deputetë që abstenuan.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë votuar kundër raportit të komisionit të përkohshëm. Ndërkaq, pro këtij raporti kanë votuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe të Nismës.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti e ka cilësuar “sulm brenda institucional dhe zgjedhjeve demokratike”.

    Kujtojmë, pas konstituimit të Kuvendit, është mandatari i Qeverisë nga partia e parë fituese Lëvizja Vetëvendosje, i cili ka 15 ditë, siç e parasheh Kushtetuta, që nga data e mandatimit 15 ditë, që të shfrytëzojë kohën për të siguruar votat e nevojshme për votimin e qeverisë, e cila duhet të ketë së paku 61 vota.

    Në rast të dështimit të formimit të qeverisë, i takon partisë së dytë PDK-së të merr mandatin për formimin e qeverisë.

  • Shtrenjtimi i rrymës, reagon KMDLNJ: ZRRE e mbylli qarkun e krimit ekonomik

    Shtrenjtimi i rrymës, reagon KMDLNJ: ZRRE e mbylli qarkun e krimit ekonomik

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ) ka reaguar fuqishëm ndaj pwr vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për shtrenjtim të energjisë elektrike prej 16.1 për qind.

    Në reagimin e KMDLNJ-së thuhet se përkundër dy protestave në Prishtinë, kundërshtimit në forma tjera, dërgimit të komenteve, “ndërmarrja e strukturuar kriminale ZRrE dje miratoi vendimin për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind që në masë të madhe do ta vështirësojë jetën e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës”.

    Sipas KMDLNJ-së, tarifat e reja prej 16.1 për qind do të krijojnë vështirësi bizneseve të shumta e në veçanti shtresave të cenueshme siç janë: pensionistët, përfituesit e skemave sociale, veteranët e luftës etj.

    “Qeveria Kurti 2 nuk ndërmori asnjë veprim për të mbrojtur qytetarin e varfëruar të Kosovës madje me disa improvizime të ministres përkatëse pranoi rritjen duke përshkallëzuar këtë rritje. Ndërmarrja kriminale ZRrE asnjëherë nuk ka përfaqësuar interesin e qytetarit por se ka mbrojtur në mënyrë skajshmërisht të pamoralshme interesin e operatorëve të energjisë elektrike dhe strukturave të caktuara qeveritare, që nga përfundimi i luftës deri më sot. Për 15 vite ka vjedhur paratë e qytetarëve të Kosovës në baza etnike duke liruar serbët nga çdo detyrim për pagesë përmes fryrjes së faturave”, thuhet në reagimin e KMDLNJ-së.

    Sipas Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut (KMDLNJ), as sot e kësaj dite qytetarët e dëmtuar nuk janë kompensuar “ndonëse kemi një vendim të gjykatës”.

    “KMDLNj fton qytetarët të organizohen dhe t’ i intensifikojnë protestat në mbrojtje të drejtave të tyre. ZRrE nuk është shteti dhe nuk mund të jetë mbi ligjin. Intensifikimi i protestave është në funksion të mbrojtjes së një interesi të përgjithshëm prandaj duhet të protestojnë të gjithë pavarësisht përkatësisë etnike , bindjeve politike , moshës , gjinisë apo statusit në shoqëri”, thuhet në reagim.

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut thotë po ashtu se rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk do të mbetet rast i izoluar përkundrazi do të prodhojë rritje të çmimit të të gjithë artikujve dhe shërbimeve. Po ashtu sipas KMDLNJ-së, “kjo rritje kriminale do të kontribuojë në shpopullim të Kosovës, edhe ashtu të rinjtë po ikin në mënyrë masive.

    Sipas KMDLNJ-së protestat duhen të organizohen në tërë Kosovën dhe Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut fuqishëm përkrahë protesta të karakterit social dhe ekonomik.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) të mërkurën ka aprovuar tarifat e reja për shtrenjtimin e rrymës prej 16.1 për qind. Me pesë vota për dhe asnjë kundër Bordi i ZRRE-së miratoi tarifat e reja për konsumatorëtm raporton KosovaPress.

    Në këtë mbledhje, ZRRE bëri të ditur se konsumatorët do të furnizohen energji elektrike me tarifat e reja që nga data 1 maj i këtij viti deri më 31 mars të vitit 2026.

    Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë të premten e 11 prillit bëri të ditur se rritja mesatare e tarifave për të gjitha kategoritë e konsumatorëve bazuar në të Hyrat e Lejuara Maksimale është rreth 16%, raporton KosovaPress. Qytetarët e Kosovës nga muaji maj do të paguajnë 16 për qind më shtrenjtë për energjinë elektrike. Kështu kishte thënë kryesuesi i Bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.

    Shtrenjtimi i energjisë elektrike, ka shkaktuar reagime të shumta nga bizneset, subjektet politike dhe qytetarët, madje kishte edhe protesta.

    Të premten, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë i ka bërë thirrje sërish ZRrE-së që të mos shtrenjtojë energjinë elektrike. Në ditën kur Zyra e Rregullatorit të Energjisë mbajti mbledhjen për të vendosur për këtë çështje, drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Kushtrim Ahmeti tha se rritja e çmimit të energjisë elektrike në këtë kohë rrezikon vendet e punës. Veç tjerash, u ngrit shqetësimi edhe për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë, për çka u kërkua që parlamenti të merret me këtë çështje.

    Derisa Presidenca e Kosovës e kundërshtoi propozimin e ZRRE-së, Ministria e Ekonomisë tha se rritja nuk duhet t’i prekë amvisëritë që konsumojnë më pak se 800 kWh.