ATV

Category: Lajme

  • Avdullah Hoti: Kuvendi nuk u konstituua sepse VV s’ka shumicë

    Avdullah Hoti: Kuvendi nuk u konstituua sepse VV s’ka shumicë

    Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës konstituive edhe në tentativën e dytë për ta funksionalizuar Kuvendin e ri, raporton ATV.

    Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se shkaku i vetëm pse Kuvendi nuk po konstituohet është fakti se Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka votat.

    “Kuvendi as sot nuk u konstituua, pasi partia që ka dalë e para nuk e ka shumicën. Kjo është arsyeja e vetme. Asnjë arsye tjetër nuk ka,” ka shkruar Hoti.

    Ai ka kritikuar deklaratat nga përfaqësues të VV-së, duke i cilësuar si përpjekje politike që, sipas tij, nuk i kontribuojnë funksionalizimit të institucioneve.

    “Çdo interpretim tjetër është deklarim për qëllime politike, që vetëm shtetit dhe institucioneve nuk i kontribuon,” përfundon reagimi i deputetit të LDK-së. /atvlive.tv

  • Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme

    Deputetët e LDK-së dhe PDK-së shpërndajnë një skenar për seancën e sotme

    Deputetë të LDK-së dhe të PDK-së janë duke shpërndarë një skenar, që sipas tyre është dashur të ndiqej sot në vazhdimin e seancës konstituive, që sërish u ndërpre, raporton ATV.

    Në këtë dokument, të publikuar nga deputetët Hykmete Bajrami dhe Artan Behrami, parashihej që seanca të vazhdonte me rivotimin e raportit të Komisionit për Verifikimin e Mandateve, i cili më 15 prill nuk mori votat e nevojshme për të kaluar.

    “Deputetët luten që me ngritje dore të deklarohen edhe një herë për Raportin e Komisionit të përkohshëm,” thuhet në skenarin e publikuar.

    Pikërisht mungesa e këtij votimi në seancën e fundit, sipas deputetëve opozitarë, dëshmon synimin e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar konstituimin e Kuvendit.

    “Kjo dëshmon përfundimisht se VV nuk ka dashur të ecet përpara. Skenari ishte i qartë dhe kishte të gjitha elementet për të vazhduar aty ku kishte mbetur seanca më 15 prill,” ka shkruar Bajrami.

    Ndërkohë, Behrami e quajti zhvillimin e sotëm “një seancë e udhëhequr nga VV për zvarritje e pazare politike”, duke thënë se VV-ja e refuzoi qëllimisht votimin, ndonëse ishin të pranishëm 100 deputetë – numër i mjaftueshëm për të pasur kuorum.

    Deputetët e LDK-së dhe PDK-së e cilësojnë si të paligjshme thirrjen për konsultime nga kryesuesi Avni Dehari, dhe kërkojnë që në seancën e radhës të respektohet skenari zyrtar dhe të votohet raporti i komisionit, si hap i parë drejt konstituimit të Kuvendit. /atvlive.tv

  • KDI: Dështimi i seancës konstituive, shkelje procedurale dhe mungesë vullneti politik

    KDI: Dështimi i seancës konstituive, shkelje procedurale dhe mungesë vullneti politik

    Pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar duke theksuar shqetësimin për situatën e krijuar dhe shkeljet procedurale që kanë shoqëruar këtë proces.

    “Pra, ashtu siç ka qenë deri diku e pritur, në mungesë të numrit të nevojshëm të votave pati sërish ndërprerje të seancës konstituive të kuvendit. Por që kësaj here, si ndërprerje u karakterizua nga një shkelje tjetër procedurale, ku kryesuesi i seancës, Dehari, e ndërpreu seancën pa pasur votim formal dhe pa i konsumuar pikat e rendit të ditës, gjë që përbën shkelje proceduriale,” deklaroi Cakolli.

    Ai vlerësoi se bllokimi i procesit vjen si pasojë e mosdorëheqjes së kryeministrit dhe ministrave në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit, duke i cilësuar këto dorëheqje si obligim ligjor.

    “Në anën tjetër, tashmë është e qartë se situata është e bllokuar për shkak të mosofrimit të dorëheqjeve, obligim ligjor ky për kryeministrin dhe 15 ministrat tjerë në detyrë të cilët kanë fituar mandat të deputetit. Ne i bëjmë thirrje kryeministrit në detyrë dhe gjithë ministrave që, në funksion të zhbllokimit të punës së kuvendit, të dorëzojnë dorëheqjet e tyre formale, siç ua kërkon ligji për qeverinë që është miratuar po nga legjislatura e kaluar, në mënyrë që t’i hapet rrugë konstituimit të Kuvendit dhe të evitohen bllokada të panevojshme,” tha ai.

    Cakolli gjithashtu kritikoi mënyrën e menaxhimit të seancës nga kryesuesi Dehari, duke e konsideruar se nuk janë respektuar procedurat parlamentare dhe janë anashkaluar hapat e domosdoshëm ligjorë për vijimin e punës.

    “Në radhë të parë, kryesuesi i seancës sot nuk ka pasur fare nevojë që t’i ftojë në konsultim subjektet politike. Ekzistimi i afatit 48 orësh është pikërisht për çështjen e konsultimeve mes subjekteve politike. Unë vlerësoj se në vend që të shkruheshin letra për presidenten, përgjigjet e së cilës veçse dihej – ndonëse unë vlerësoj pozitivisht qasjen e presidentes – besoj që është dashur që të mbaheshin konsultimet e nevojshme në mënyrë që të trajtohej dhe të zgjidhej kjo çështje,” shtoi ai.

    Sipas tij, edhe mungesa e një votimi për raportin e komisionit për verifikimin e mandateve ka krijuar vakum juridik dhe ka penguar vijimin e punës parlamentare.

    “Zotëri Dehari nuk e administroi seancën siç duhet, sepse në radhë të parë i njëjti nuk shkoi sipas rendit të ditës, e që në këtë rast do të duhej mbledhje edhe një herë e komisionit për verifikimin e mandateve, nxjerrja sërish e një raporti. Sepse raporti i parë nuk është i votuar dhe që i bie që i njëjti më nuk ka asnjë efekt juridik. Dhe që i njëjti të hidhet në votim para deputetëve, sa do që ishte e qartë se nuk janë votat e nevojshme për ta kaluar një raport, për sa kohë që kanë dhënë dorëheqje anëtarët e kabinetit qeveritar,”, tha Cakolli.

  • Tre të akuzuarit në rastin Banjska u deklaruan të pafajshëm

    Tre të akuzuarit në rastin Banjska u deklaruan të pafajshëm

    Të tre të akuzuarit në rastin Banjska janë deklaruar të pafajshëm para trupit gjykues, raporton EO.

    I akuzuari Blagoje Spasojeviq nuk e ka pranuar fajësinë.

    “Nuk jam fajtor për veprat penale dhe për këtë aktakuzë”, ka deklaruar ai.

    I akuzuari Vladimir Toliq po ashtu ka thënë se nuk është fajtor për veprat që i vihen në barrë.

    “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë”, është shprehur ai.

    Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari Dushan Maksimoviq.

    “Nuk jam fajtor për veprat që më vihen në barrë për këtë aktakuzë”.

    Ndërkohë trupi gjykues në rastin “Banjska” mori vendim që ta largojë nga salla hetuesin e rastit Jeton Jetullahu, me arsyetimin se i njëjti më vonë mund të jetë dëshmitar i rastit.

    Paraprakisht, mbrojtja e të akuzuarve kërkuan të dinë se kush janë stafi mbështetës i prokurorit.

  • Maloku: Nëse vazhdon kjo dramë, pasojat do t’i vuajnë edhe opozita, edhe Qeveria

    Maloku: Nëse vazhdon kjo dramë, pasojat do t’i vuajnë edhe opozita, edhe Qeveria

    Profesori Fadil Maloku, në “Studio e Hapur” në ATV, tha se situata e pezullimit të Kuvendit mund të vazhdojë deri të shtunën, me pasoja politike për të dyja palët.

    Sipas tij, mungon përgjegjësia shtetërore në sjelljen e partive politike.

    Ai tha se përshkallëzimi i ngërçit institucional po shtyn Kosovën drejt një skenari bllokues.

    “Mendoj që kjo saga apo drama e pezullimit do të vazhdojë deri të shtunën. Ajo çfarë mendoj unë që është tepër shqetësuese, është se nuk kanë përgjegjësi shtetërore për rrethanën në të cilën ndodhet Kosova,” tha Maloku.

    Duke komentuar qëndrimet politike të ditëve të fundit, ai paralajmëroi për pasoja serioze për të gjitha palët.

    “Nëse shkojmë tek skenari i tretë, që është skenari i bllokimit, atëherë pasojat do t’i vuajnë të njëjtit – edhe opozita, edhe Qeveria,” shtoi ai. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Kusari-Lila: Opozita po e bllokon shtetin – votimi për verifikimin e mandateve është proces teknik, jo politik

    Kusari-Lila: Opozita po e bllokon shtetin – votimi për verifikimin e mandateve është proces teknik, jo politik

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, pas ndërprerjes së seancës konstituive, akuzoi opozitën për bllokim të qëllimshëm të institucioneve dhe mospranim të rezultateve të zgjedhjeve, raporton ATV.

    Në një deklaratë për gazetarët në hollin e Kuvendit, ajo tha se votimi për verifikimin e mandateve nuk ka qenë kurrë më parë i kontestuar.

    “Zgjedhjet kanë qenë me një rezultat të qartë. Lëvizja Vetëvendosje ka dalë partia e parë. Votimi për mandatet është proces teknik, jo propozim i Qeverisë apo partisë fituese. Nuk ka asnjë logjikë tjetër përveçse bllokimi i shtetit nga opozita”, deklaroi Kusari-Lila.

    Sipas saj, përfaqësuesit opozitarë kanë refuzuar edhe thirrjen për konsultim nga kryesuesi Avni Dehari, duke mohuar të drejtën elementare për dialog institucional.

    “Nuk mund t’i thuash kryesuesit që s’ka të drejtë të thërrasë për konsultime, kur jemi në krizë funksionale. Ata nuk kanë pasur kurrë forma kreative të opozitarizmit dhe tani po e shterojnë edhe këtë me një bllokadë të thjeshtë të shtetit”, tha ajo. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Haxhiu: S’ka konsensus, por kemi vullnet të plotë për të gjetur zgjidhje

    Haxhiu: S’ka konsensus, por kemi vullnet të plotë për të gjetur zgjidhje

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, deklaroi se mungesa e konsensusit në takimin konsultativ ishte arsyeja që kryesuesi Dehari vendosi të pezullojë seancën, raporton ATV.

    Ajo tha se pavarësisht qëndrimeve të kundërta mes partive, Lëvizja Vetëvendosje mbetet e përkushtuar për të gjetur një rrugë përpara.

    “Ne si subjekt politik, si parti politike, duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Kemi plot vullnet që ai vendim të korrigjohet, por duhet të shohim se cila është mënyra për ta korrigjuar atë vendim,” tha Haxhiu.

    Sipas saj, në mungesë të dispozitave të qarta ligjore për situata të tilla, është e nevojshme që partitë të dakordohen për hapat e ardhshëm që do të çojnë në zhbllokimin e procesit. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Kadrijaj: Seanca u ndërpre pa të drejtë – opozita nuk bllokoi, por kërkoi votim

    Kadrijaj: Seanca u ndërpre pa të drejtë – opozita nuk bllokoi, por kërkoi votim

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se opozita nuk ka penguar procesin, përkundrazi ka kërkuar që seanca të vazhdojë me votimin e raportit për verifikimin e mandateve, raporton ATV.

    Ajo deklaroi se kërkesa për konsultime ishte e panevojshme dhe e quajti vendimin për ndërprerjen e seancës si antikushtetues dhe antiligjor.

    “Ky është një veprim antikushtetues dhe antiligjor, sepse kryesuesi ka pasur për obligim që ta hedhë në votim raportin, e jo vetëm ta konstatojë numrin e deputetëve në sallë dhe ta mbyllë seancën”, u shpreh Kadrijaj.

    Ajo tha se nëse seanca do të kishte vazhduar me procedurat e parashikuara, opozita do të merrte pjesë në votim sipas bindjeve të secilit deputet.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Krasniqi: Seanca u uzurpua nga Vetëvendosje për të blerë kohë – nuk kanë shumicë

    Krasniqi: Seanca u uzurpua nga Vetëvendosje për të blerë kohë – nuk kanë shumicë

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, akuzoi Vetëvendosjen për uzurpim të procesit dhe përdorim politik të kryesuesit Avni Dehari për të penguar votimin e raportit për verifikimin e mandateve, raporton ATV.

    Ai tha se skenari ishte i qartë që në fillim dhe se ndërprerja u bë me qëllim të shtyrjes së afateve kushtetuese dhe pazareve politike.

    “Sot ka pasë uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës. Në vend se të zbatohet skenari i seancës, të hidhej në votim raporti, kjo nuk ka ndodhë. Është keqpërdorur e drejta që i takon deputetit më të vjetër për të arritur qëllime partiake,” deklaroi Krasniqi.

    Ai tha se kjo sjellje po dëshmon mungesën e shumicës nga ana e partisë fituese dhe bëri thirrje që Kuvendi të mos mbahet peng më tej. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • Abdixhiku: Seanca u ndërpre pa të drejtë, kishte kushte për votim

    Abdixhiku: Seanca u ndërpre pa të drejtë, kishte kushte për votim

    Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një prononcim për gazetarët pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, tha se përgjegjësia për bllokimin bie mbi kryesuesin Avni Dehari dhe Vetëvendosjen, të cilët sipas tij po pengojnë funksionalizimin e institucioneve, raporton ATV.

    Sipas Abdixhikut, ndërprerja e seancës është bërë në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm dhe kushte për votimin e raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve.

    “Atëherë qytetarët e Kosovës tashmë e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës konstituive. Kryesuesi që rastisë të jetë më i vjetri në moshë e rastisë të jetë nga partia e parë, pa të drejtë, kundër praktikës kushtetuese, kundër Rregullores së Kuvendit, ndërpreu seancën e sotme, ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm,” tha Abdixhiku.

    Ai shtoi se sjellja e sotme është precedent i rrezikshëm institucional dhe paralajmëroi se LDK do të rikthehet pas 48 orësh për të mbrojtur të drejtën për votim të secilit deputet. /atvlive.tv

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë: