ATV

Category: Lajme

  • ​Trump sinjalizon “përparim të madh” me Japoninë, sa i përket bisedimeve tregtare

    ​Trump sinjalizon “përparim të madh” me Japoninë, sa i përket bisedimeve tregtare

    Presidenti Donald Trump tha të mërkurën se SHBA dhe Japonia bënë përparim të madh në bisedimet që synojnë të shmangin tarifat e mëdha që ai ka premtuar se do t’i vendosë Tokios, raporton agjencia e lajmeve turke AA.

    “Një nder i madh të takohem sapo me Delegacionin Japonez për Tregtinë. Përparim i Madh!” tha ai në një postim të shkurtër në rrjetet sociale pas përfundimit të bisedimeve.

    Më herët të mërkurën, Trump kishte thënë se do të merrte pjesë personalisht në bisedime, të cilat, sipas tij, do të trajtonin gjithashtu mbështetjen ushtarake që SHBA i ofron Japonisë dhe atë që ai e quajti “drejtësi tregtare”, raporton KosovaPress.

    Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se dhjetëra vende janë përpjekur të negociojnë me SHBA për të shmangur tarifat mbi nivelin bazë prej 10%, të vendosur nga Trump më herët këtë muaj për vendet në mbarë botën. Japonia u godit me tarifa 24% sipas politikës “reciproke” të tarifave të Trump, ndonëse ajo dhe shumë vende të tjera morën një shtyrje 90-ditore për të zhvilluar negociata.

    Megjithatë, tarifa bazë prej 10% mbetet në fuqi gjatë kësaj periudhe kalimtare.

    Pavarësisht tonit optimist të Trump, nuk është e qartë nëse u arrit ndonjë përparim i madh gjatë negociatave të së mërkurës. Detaje të tjera mbi takimin nuk ishin menjëherë të disponueshme.

  • OVL-UÇK kërkon nga deputetët nënshkrimin e një betimi për drejtësi para seancës konstituive

    OVL-UÇK kërkon nga deputetët nënshkrimin e një betimi për drejtësi para seancës konstituive

    Para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) u janë drejtuar deputetëve të rinj me një letër, duke kërkuar nga ta që të nënshkruajnë një “Betim për Drejtësi”.

    Televizioni ATV ka siguruar kopjen e kësaj letre, në të cilën përveç zotimit për përfaqësim me dinjitet të qytetarëve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues, deputetëve u kërkohet të marrin angazhim të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së dhe adresimin e padrejtësive që, sipas OVL-UÇK-së, po ndodhin në Gjykatën Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të saj.

    Në letër, ndër të tjera, parashihet që Kuvendi të miratojë një rezolutë që dënon padrejtësitë e deritanishme, si dhe të krijojë një komision parlamentar mbikëqyrës për të hetuar shkeljet procedurale të Gjykatës Speciale. Po ashtu, kërkohet hapja e debatit institucional për kthimin e selisë së Gjykatës në Kosovë.

    Betimi përfundon me zotimin për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, si dhe për forcimin e institucioneve shtetërore dhe garantimin e lirive e të drejtave të njeriut.

    Letra mban datën e sotme 17 prill 2025 është propozuar për nënshkrim nga çdo deputet i zgjedhur. /atvlive.tv

  • Statovci pro largimit të taksës ndaj SHBA-ve: E kemi obligim ndaj një partneri besnik

    Statovci pro largimit të taksës ndaj SHBA-ve: E kemi obligim ndaj një partneri besnik

    Deputetja e zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, Jeta Statovci përkrah idenë që të mos ketë taksë ekonomike ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Në një intervistë në emisionin Compass, ajo ka thënë se tregtia e lirë me një partner si SHBA-ja I ndihmon Kosovës edhe në aspektin ekonomik edhe në atë politik.

    “Jam pro masave që e ndihmojnë tregtinë e lirë, sidomos me SHBA-të, ndaj të cilit kemi obligime në sensin e partneritetit besnik dhe një aleance të domosdoshme. Unë përkrahi idenë të mos ketë tarifa në mes të dy vendeve, qofshin për arsye ekonomike qofshin për arsye të partneritetit dhe aleancës”, ka thënë Statovci në ATV.

  • BQK miraton strategjinë e sigurisë kibernetike

    BQK miraton strategjinë e sigurisë kibernetike

    Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka miratuar Strategjinë e Sigurisë Kibernetike për periudhën 2025-2028, e cila është në përputhje me objektivat e Planit Strategjik të BQK-së për krijimin e një kornize rregullative dhe mbikëqyrëse që adreson rreziqet kibernetike dhe forcon kapacitetet operacionale të institucionit.

    Siç njofton BQK-ja, kjo strategji përcakton vizionin, objektivat dhe masat konkrete për mbrojtjen e infrastrukturës, sistemeve dhe informacionit të BQK-së nga rreziqet kibernetike.

    “Strategjia bazohet në një qasje të integruar që përfshin ndërtimin e kapaciteteve, menaxhimin e rrezikut të sigurisë kibernetike, reagimin ndaj incidenteve dhe përmirësimin e vazhdueshëm të mekanizmave të kontrollit”, thuhet në njoftim.

    BQK tha se për më tepër, kjo strategji krijon bazë për një strukturë të qëndrueshme të sigurisë së informacionit dhe sigurisë kibernetike, duke garantuar mbrojtje efektive dhe përputhshmëri me standardet më të avancuara ndërkombëtare në këtë fushë. Strategjia përfshin gjithashtu një plan veprimi trevjeçar, me masa të qarta për zbatimin e saj.

    “Gjatë hartimit të strategjisë janë marrë parasysh vlerësimet dhe rekomandimet që kanë dalë nga procesi i konsultimeve me Bankën Botërore, si dhe konsultimeve tjera profesionale”, thuhet në komunikatë.

    BQK-ja shprehet mirënjohëse ndaj Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore për mbështetjen e vazhdueshme në fuqizimin e kapaciteteve institucionale dhe avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, në funksion të avancimit institucional si dhe stabilitetit financiar.

    Në fund thuhet se BQK-ja mbetet e përkushtuar që të zbatojë standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare, në zbatim të mandatin ligjor dhe objektivat e saj strategjike.

  • ​Arrestohet një person për organizim të skemave piramidale

    ​Arrestohet një person për organizim të skemave piramidale

    Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për organizim të skemave piramidale mbrëmë rreth orës 23:00, në rrugën “Ali Ajeti” në Podujevë.

    “Pjesë e aksionit policor ka qenë edhe kontrolli i lokacionit, ku janë gjetur dhe sekuestruar: një shtëpizë kompjuteri, një lap top, një shumë parash etj”, thuhet në njoftim.

    Sipas policisë personi i arrestuar E.M (mashkull) me autorizim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit policorë në koordinim me Prokurorin e shtetit po vazhdojnë veprimet e nevojshme procedurale.

  • ​Qytetari dorëzon në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente

    ​Qytetari dorëzon në polici një portofol të gjetur me para dhe dokumente

    Policia e Kosovës ka njoftuar se më datë 16 prill një qytetar nga Hani Elezit, H. Mici, 40 vjeç, ka gjetur një portofol me dokumente dhe para në qytet dhe e ka dorëzuar menjëherë në stacionin policor.

    “Pas verifikimeve të kryera nga ana e policisë, u konstatua se portofoli i përkiste shtetasit të Republikës së Shqipërisë, R. Sh., 51 vjeç. Policia ka kontaktuar pronarin, i cili është paraqitur në stacionin policor dhe ka marrë portofolin”, thuhet në njoftimin e policisë, raporton KP.

    Me procesverbal zyrtar, sipas policisë atij iu dorëzuan dokumentet personale, një shumë prej 865 eurosh dhe mbi 3000 denarë të Maqedonisë së Veriut.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj shpreh mirënjohje për qytetarin H. Mici, duke e vlerësuar gjestin e tij si një akt human dhe shembullor, që reflekton standarde të larta të integritetit dhe përgjegjësisë qytetare”, thuhet në njoftim.

  • ​26 vjet nga Masakra në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    ​26 vjet nga Masakra në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër

    Sot mbushen 26 vjet nga masakra në fshatin Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

    Aty pësuan fëmijë, të rinj, të reja, burra dhe pleq që u vranë, u masakruan dhe disa prej tyre u dogjën. Edhe pas dy dekadash, askush nga urdhërdhënësit dhe ekzekutorët nuk u ndëshkua nga drejtësia, raporton KosovaPress.

    Vetëm në fshatin Poklek i Vjetër, ushtria barbare serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 53 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.

    Sipas dëshmitarëve të shumtë, masakra e Poklekut ka pasur këtë rrjedhë:

    -Me 17 prill, diku rreth orës pesë të mëngjesit, familjet Muqolli,Caraku e Elshani, janë nisur të shkojnë prej Poklekut të Vjetër për në Drenas, ku ishte e tubuar dhe po mbahej peng popullata e fshatrave përreth Drenasit. Diku 1,5 Km larg fshatit, ka ardhur një pizgauer me policë serb dhe i ka urdhëruar ata të kthehen nëpër shtëpia. Ata janë kthyer sepse janë kërcënuar, madje për anash është gjuajtur edhe me armë. Kur familjarët janë kthyer nëpër shtëpi, aty kanë ardhur, dy policë me shirita të zi në kokë. Në oborr e kanë vrarë qenin, pastaj e kanë thirrur Sinanin jashtë dhe me të kanë folur diç në gjuhën serbe. Pas kësaj këta dy policë kanë shkuar në oborrin e shkollës së fshatit, tek policët e tjerë që ndodheshin atje. Në ndërkohë Sinani është kthyer dhe u ka treguar familjeve se atë e kanë pyetur, “a ka këtu terroristë”. Në këtë gjendje ankthi e terrori, familjarët janë mbajtur tërë ditën deri rreth orës 17 e 30, atëherë ka ardhur njëri nga ata policët dhe në dhomën e shtëpisë së Sinanit, ku kanë qenë të grumbulluar të gjitha familjet, fëmijë, gra e pleq, polici e ka hedhur një bombë e cila nuk ka eksploduar. Pas kësaj polici ka hedhur edhe bombën tjetër, e cila ka rënë dhe ka eksploduar në prehrin e Miradije Rifat Muqollit (55). Menjëherë pas kësaj polici ka zbrazur mbi të gjithë ata që kanë qëlluar në dhomë, shtatë karikator të automatikut. Krimineli që kishte kryer masakrën, kishte hyrë në dhomë dhe me këmbë i kishte rrotulluar kufomat, se mos rastësisht dikush kishte mbetur i gjallë. Në ndërkohë, Elhemja e plagosur ka kërcyer nga dritarja e dhomës së masakrës dhe ka ikur. Pas dy orë e gjysmë të masakrës ka ikur edhe Lumnija me vajzën e vogël katër vjeçe, duke lënë të plagosur lehtë Eminen me Fatosin e vogël dy vjeçar. Më vonë sakoja e Emines është gjetur në bunarin e shtëpisë. Pas tri orësh, që kur është kryer masakra, policia është kthyer dhe e ka djegur dhomën me të gjitha kufomat që ishin në të. Natën e dytë të masakrës, kemi shkuar në shtëpi dhe aty kemi gjetur eshtrat e të masakruarve, kur kemi shkuar një ditë më vonë, më nuk kemi mundur të shohim as eshtra njerëzish. Tashmë nuk ishte djegur vetëm dhoma e korridori, por e tërë shtëpia.

    Lista e plotë e masakrës në Poklekut të Vjetër më 17 prill 1999

    1.Sinan Rexhep Muqolli (52), Poklek i Vjetër

    2.Elheme Rifat Muqolli (50), Poklek i Vjetër

    3.Emine Sinan Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    4.Elife Sinan Muqolli (18), Poklek i Vjetër

    5.Sherife Sinan Muqolli (17), Poklek i Vjetër

    6.Hafije Sinan Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    7.Feride Selman Muqolli (33), Poklek i Vjetër

    8.Shehide Fadil Muqolli (13), Poklek i Vjetër

    9.Naser Fadil Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    10. Ylber Fadil Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    11. Egzon Fadil Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    12. Hyle Selman Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    13. Florentina Qamil Muqolli (3), Poklek i Vjetër

    14. Lirie Qamil Muqolli (gjashtëmuajshe), Poklek i Vjetër

    15. Mehreme Muqolli (58), Poklek i Vjetër

    16. Bahrije Halil Muqolli (24), Poklek i Vjetër

    17. Naime Halil Muqolli (22), Poklek i Vjetër

    18. Hidajete Nebih Muqolli (33), Poklek i Vjetër

    19. Menduhie Liman Muqolli (11), Poklek i Vjetër

    20. Mirsad Liman Muqolli, Poklek i Vjetër

    21. Mergim Liman Muqolli (5), Poklek i Vjetër

    22. Bahtije Halil Caraku (34), nga Dobrosheci

    23. Besart Ejup Caraku (13), nga Dobrosheci

    24. Hasan Ejup Caraku (12), nga Dobrosheci

    25. Kunata e Bahtije Halil Carakut- nuk i dihet emri (45),

    26. Miradije Rifat Muqolli (55), Poklek i Vjetër

    27. Zarife Rrahman Muqolli (23), Poklek i Vjetër

    28. Arife Rrahman Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    29. Florije Salih Muqolli (23), Poklek i Vjetër

    30. Eronita Xhavit Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    31. Fatos Xhavit Muqolli (1,5), Poklek i Vjetër

    32. Shemsije Muqolli (42), Poklek i Vjetër

    33. Vezire Ilmi Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    34. Fatmire Ilmi Muqolli (17), Poklek i Vjetër

    35. Rexhep Ilmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    36. Agron Ilmi Muqolli (10), Poklek i Vjetër

    37. Albulena Ilmi Muqolli (5), Poklek i Vjetër

    38. Nexhmije Ramadan Muqolli (25), Poklek i Vjetër

    39. Hasime Ramadan Muqolli (37), Poklek i Vjetër

    40. Avdullah Fehmi Muqolli (12), Poklek i Vjetër

    41. Shehrije Xhemail Muqolli (27), Poklek i Vjetër

    42. Vahide Mehdi Muqolli (4), Poklek i Vjetër

    43. Dy djem të Mehdiut, njëri 10 muj, Tjetri dy vjeçar,

    Poklek i Vjetër

    44. Ymer Elshani (55), Poklek i Vjetër

    45. Nafije Elshani (50), Poklek i Vjetër

    46. Shukrije Elshani (37), dhe katër djemët e Ymer

    Elshanit, prej 22 vjeç e më të rinjë

    47. Kimete Fadil Muqolli (20), Poklek i Vjetër

    48. Lindita Skender Hoxha (25), nga Korrotica e Epërme

    (…)

    Të zhdukur konsiderohen

    1.Halim Kluna (75)

    2.Nëna e Ymer Elshanit (75)

  • Mot sot i ngrohtë me diell

    Mot sot i ngrohtë me diell

    Sot, do të mbajë mot me diell dhe pjesërisht i vranët.

    Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 7-10gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-24gradë Celsius.

    Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi e lehtë deri mesatare.

  • Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

    Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit

    Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës do të mbahet sot, në orën 12:00.

    Ky vendim është bërë i ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Kuvendit.

    Një seancë e tillë ishte mbajtur edhe të martën, rreth orës 11:00, por ajo u ndërpre pas afërsisht dy orësh, për shkak se deputetët nuk e miratuan raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe kuorumit – raport ky që do t’i hapte rrugë betimit të deputetëve të rinj.

    Kundër këtij raporti votuan partitë opozitare, përkatësisht Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). Sipas tyre, anëtarët e Qeverisë që janë zgjedhur deputetë është dashur të japin dorëheqje zyrtarisht përpara, në mënyrë që të mund të betohen si pjesë e përbërjes së re parlamentare.

    Në anën tjetër, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), partisë së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, kanë mbrojtur qëndrimin se dorëheqja e mëtejshme nuk është e nevojshme, duke theksuar se Qeveria ka hyrë në dorëheqje automatike pas përfundimit të mandatit të saj më 23 mars, shkruan Gazeta Sinjali.

    Pas votimit kundër, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, e ndërpreu atë, duke paralajmëruar se do t’i drejtohej presidentes Vjosa Osmani me një letër për të kërkuar sqarime mbi hapat e ardhshëm në procesin e verifikimit të mandateve dhe fillimin e legjislaturës së nëntë.

    Gjatë ditës së djeshme, Presidenca e Kosovës konfirmoi se ka pranuar letrën nga Dehari, që lidhet me ndërprerjen e seancës së 15 prillit.

    Në përgjigjen e saj zyrtare, Presidentja Osmani theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese kërkojnë një interpretim që e mundëson dhe jo që e pengon funksionimin e institucioneve.

    Ajo ka cituar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K072/20, ku thuhet se strukturat kushtetuese duhet të interpretohen në mënyrë që të “jetësojnë dhe jo të bllokojnë” funksionimin e pushteteve që burojnë nga vota e qytetarëve.

    Si parti fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën të propozojë kryeparlamentarin, i cili zgjidhet me 61 vota.

    Po 61 vota nevojiten për votimin e Qeverisë së re, nëse del në votim.

    Mbetet të shihet nëse sot do të arrihet një marrëveshje ndërmjet partive politike për të miratuar raportin e Komisionit të përkohshëm dhe për të vazhduar me betimin e deputetëve, në mënyrë që të fillojë zyrtarisht legjislatura e re e Kuvendit të Kosovës. Të gjitha sytë janë të kthyer kah seanca e orës 12:00, e cila pritet të përcaktojë rrjedhën e mëtejshme të zhvillimeve politike në vend.

  • Seanca për rastin ‘Banjska’: Të akuzuarit pritet të dalin para Gjykatës sot

    Seanca për rastin ‘Banjska’: Të akuzuarit pritet të dalin para Gjykatës sot

    Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë do të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj tre të akuzuarve që ndodhen në paraburgim për rastin e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku – tashmë i shpallur hero nga institucionet e Kosovës.

    Seanca pritet të fillojë nga ora 09:30, ku para trupit gjykues pritet të dalin Vladimir Toliq, Blagoje Spasojeviq dhe Dushan Maksimoviq, të cilët ndodhen në paraburgim dhe janë të akuzuar për pjesëmarrje në këtë sulm.

    Megjithatë, në këtë seancë nuk do të përfshihen edhe 42 të akuzuarit tjerë për rastin, përfshirë edhe kryekriminelin Milan Radoiçiq.

    Në shqyrtimin fillestar, prokurori i çështjes, Naim Abazi, kishte kërkuar që ndaj tyre të zhvillohej gjykim në mungesë.

    Autoritetet e Kosovës ndërkohë kanë kërkuar ekstradimin e Milan Radoiçiqit dhe të akuzuarve tjerë, të cilët dyshohen për organizimin dhe zbatimin e këtij sulmi terrorist – por një veprim i tillë ende nuk ka ndodhur.

    Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale, qëllimi i Milan Radoiçiqit, së bashku me 44 të pandehurit e tjerë, ka qenë shkëputja e një pjese të territorit të Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë.