ATV

Category: Lajme

  • Fondi Sovran në Kushtetuese, AKP-ja vazhdon shitjet

    Fondi Sovran në Kushtetuese, AKP-ja vazhdon shitjet

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Agjencia Kosovare e Privatizimit, hodhi në shitje 71 asete.

    Prandaj, të premten, mori edhe ofertat nga blerësit potencial, të patundshmërive të lokalizuara në disa rajone.

    Të interesuar qenë vetëm 36 ofertues për 14 asete.

    Shuma e ofertave shkoi në mbi 4.3 milionë euro.Tani i mbetet Bordit të vendosë si do t’iu përgjigjet ofertave.

    Por, një projektligj që është dërguar për test në Gjykatën Kushtetuese, mund t’ia ndërpres funksionin.

    Sidoqoftë, Kushtetuesja nuk ka marrë ende vendim për Projektligjin për Fondin Sovran as pas 14 muajve.

    Ish-anëtari i grupit punues për koncept-dokumentin e Fondit Sovran, Emanuel Bajra, thotë se Fondi Sovran do t’i mbronte asetet e Republikës.

    Ndërkaq, ndërmarrje publike siç është Trepça, kanë edhe detyrime ndaj kontraktorëve dhe punëtorëve.

    E një ekonomist, propozon që këto ndërmarrje t’i kalojnë Fondit Sovran të pastra.

    Projektligji për Fondin Sovran, u miratua në Kuvend, në dhjetor të vitit 2023.
    Këtë projektligj e çuan në Kushtetuese partitë opozitare, duke thënë se një mori nenesh të ligjit, janë në kundërshtim me aktin më të lartë juridik.

  • MKRS-ja vlerëson se Komuna e Prishtinës qëllimshëm lidhë kontrata të kundërligjshme

    MKRS-ja vlerëson se Komuna e Prishtinës qëllimshëm lidhë kontrata të kundërligjshme

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Një ditë më parë, Komunës së Prishtinës iu ndaluan për herë të dytë punimet në sheshin Xhorxh Bush nga inspektorët e trashëgimisë kulturore.

    Përfshirë edhe tri projekte të tjera, Ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, po pretendon se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme.

    Këtu ka përmendur projektet për rrugën “Rexhep Luci”, “Ishullin Urban” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.

    “Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet e trashëgimis kulturore”, deklaroi ministri në detyrë Hajrulla Çeku.

    Megjithatë sipas Çekut, kjo nuk është shkelja e vetme e Komunës, andaj ka ndërmarr edhe veprime.

    “ne kemi dërguar edhe kallëzim penal por edhe kërkesë për fillimin e hetimeve në prokurori dhe polici, sepse kemi konstatuar përsëritje të veprimeve të komunës”, shtoi tutje Çeku.

    ATV-ja tentoi të marrë një koment edhe nga kryetari i Prishtinës Përparim Rama lidhur me akuzat e Çekut mirëpo i njëjti preferoi të komentonte në profilin e tij në Facebook.

    Punimet për projektin në sheshin Xhorxh Bush që kanë vlerë 18.4 milionë euro filluan më 10 mars por u ndalen vetëm dy ditë më vonë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.

    Për këtë edhe Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka dorëzuar kallëzim penal.

  • Programi i kuponëve të MASHTI-t, vetëm 40 fëmijë përfitues

    Programi i kuponëve të MASHTI-t, vetëm 40 fëmijë përfitues

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    I ulët po vlerësohet të jetë interesimi për të qenë përfitues të kuponëve mbështetës për fëmijët në edukimin e hershëm, program ky i Ministrisë së Arsimit.

    Brenda pesë muajve prej kur është lansuar pilotimi i programit të kuponëve për familjet me asistencë sociale, përfitues janë vetëm 40 fëmijë nga tri komuna, Prishtinë, Lipjan e Gjilan.

    Ndryshe nga numri i aplikimeve, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në këto tri komuna numri i familjeve me asistencë sociale është 2 mijë e 256.

    Megjithatë për numrin e ulët të të interesuarve, në Ministrinë e Arsimit kanë një arsyetim.

    “MAShTI ka identifikuar se familjet në këtë kategori të cenueshme kanë nevojë për më shumë siguri dhe informacion në lidhje me atë se, pjesëmarrja në Program nuk do të ndikoj në statusin e tyre të asistencës sociale dhe se qëllimi i këtij Programi ndërlidhet me rëndësinë e edukimit në fëmijërinë e hershme për fëmijët”, deklaruan nga Ministria e Arsimit.

    Njëjtë vlerëson edhe njohësi i Arsimit, Rinor Qehaja. Sipas tij mungon informacioni tek këto familje.

    Programi prej 1.8 milionë euro financohet nga partneriteti i mësimit të hershëm i Bankës Botërore në bashkëpunimin me institucionet e Kosovës.

    Ndërkaq, sipas ministrisë së Arsimit, nga rreth 5 mijë fëmijë të moshës 0 deri në 3 vjeç të familjeve me asistencë sociale, vetëm 31 prej tyre janë pjesë e institucioneve të edukimit në fëmijëri të hershme.

  • Qeveria në zyrë pa mandat, dilemat ligjore thellojnë krizën

    Qeveria në zyrë pa mandat, dilemat ligjore thellojnë krizën

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    “Është kërkesë dhe insistim i pamatur për ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie”.
    Kështu Albin Kurti po e arsyeton mbajtjen e pozitës së kryeministrit, pasi u zgjodh deputet.

    Madje ironizoi edhe me vendimin e partive opozitare që s’e votuan raportin e komisionit të martën, duke ngritur kështu paralele nga e kaluara.
    Megjithatë situata e krijuar mbetet fort e paqartë.

    Mes Kushtetutës e Ligjit për Qeverinë, nene të ndryshme vetëm sa e komplikojnë edhe më shumë situatën.

    Sipas ministrit në detyrë të financave, dorëheqja e tyre si akt formal nuk ishte fare e nevojshme, meqë mandati i plot u përfundoi nga 23 marsi.

    “Kufizimet e përcaktuara në këtë nen vlejnë edhe për qeverinë në situatën siç përcaktohen në nenin deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati.

    E edhe betimi si deputet për të e kolegët nga kabineti qeveritar, nuk do të ishte problem deri në formimin e qeverisë.

    “Kushtetua e parasheh që mandati i deputete bëhet i pavlefshëm nëse emërohet anëtar i qeverisë së re. Interpretimet e mëhershme nga gjykata kushtetuese tregojnë që në situatën aktuale ku jemi, përkundër certifikimit të rezultateve në KQZ, aktualisht nuk ka kuvend”, deklaroi tutje Murati.

    Por ndryshe mendojnë nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

    Megjithatë në cilin do post, nuk do të mbetet pa pagë, ani pse nuk e ka të sigurt se në çfarë cilësie do e marrë atë, teksa praktikat e kaluara, i sheh si zgjidhje edhe për këtë.

  • Sudani, terren sfidues për të vendosur mision diplomatik

    Sudani, terren sfidues për të vendosur mision diplomatik

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Betejat që zunë vend rrugëve, shkatërruan kryeqytetin sudanez, Khartum.
    Të martën, qe edhe përvjetori i dytë i valës së fundit të luftës civile në shtetin afrikan, nga e cila u vranë dhjetëra mijëra civilë.

    Sidoqoftë, tre ditë më parë, shteti i cili u nda në dy që nga korriku i 2011-s njohu Kosovën, duke u bërë shteti i dytë afrikan pas Kenias, që e bënë këtë brenda jave.

    Por Ministria e Jashtme e Kosovës, nuk tregoi nëse synon të themelojë misione diplomatike në dyja shtetet.

    Ish-konsulli i përgjithshëm i Kosovës në Kanada, Donat Syla, thotë se trazirat në Sudan, e bëjnë atë të papërshtatshëm për të akomoduar staf diplomatik.

    “Nuk mund të themi tani për tani, se Kosova duhet ta themelojë misionin e saj diplomatikë në Sudan, mirëpo është e domosdoshme që institucionet e Kosovës, sa më parë të nisin procedurat për themelimin e misionit diplomatik, përkatësisht, ambasadës së Republikës së Kosovës në Kenia”, tha Donat Syla, ish-konsull.

    Ndonëse nuk kufizohen në mes vete Syla thotë se misioni diplomatik i themeluar në Kenia do të mund të mbulonte edhe raportet me Sudanin.

    Për këtë, mundë të përdoret edhe një shtet tjetër fqinj me Sudanin që e njeh Kosovën.

    Kosovën nuk e njohin shumica e shteteve tjera në kontinentin afrikan.

  • Presidentja i përgjigjet letrës së Avni Deharit: Seanca të vazhdojë brenda 48 orëve, është obligim kushtetues

    Presidentja i përgjigjet letrës së Avni Deharit: Seanca të vazhdojë brenda 48 orëve, është obligim kushtetues

    Presidentja Vjosa Osmani i është përgjigjur me shkrim letrës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari, duke i kërkuar që ta thërrasë vazhdimin e saj brenda 48 orëve, në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

    Në letrën zyrtare të siguruar nga ATV, Presidentja rikujton se “funksionalizimi i institucioneve të dala nga vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është obligim kushtetues i çdo institucioni dhe çdo personi të mveshur me autoritet publik”.

    Ajo thotë se seanca duhet të vazhdojë, pa vonesa, në përputhje me parimet kushtetuese dhe praktikat e Gjykatës Kushtetuese.

    “Fryma e Kushtetutës, praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, ju obligon që seancën konstituive ta vazhdoni jo më vonë se brenda dyzet e tetë (48) orëve nga ndërprerja e saj”, thuhet në përgjigjen e Presidentes, ndërsa shton se është e gatshme të takojë përfaqësuesit e partive për të diskutuar rrugën përpara nëse vlerësohet e nevojshme. /atvlive.tv

  • ​Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin De Riu

    ​Osmani priti në takim lamtumirës ambasadorin De Riu

    Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në një takim lamtumirës ambasadorin e Italisë në Kosovë, Antonello De Riu, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik.

    Osmani ka falënderuar diplomatin italian për kontributin e tij të çmuar gjatë mandatit në Kosovë dhe ka vlerësuar lart angazhimin e tij për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

    Ajo i ka uruar suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme diplomatike, duke theksuar se miqësia dhe partneriteti ndërmjet Kosovës dhe Italisë do të mbeten gjithmonë të qëndrueshme dhe të bazuara në vlera të përbashkëta.

    Osmani theksoi se mbështetja e Italisë mbetet thelbësore për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit euroatlantik.

    Ajo nënvizoi nevojën për angazhim të mëtejshëm të Italisë si një partnere strategjike, veçanërisht në forcimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, raporton KosovaPress.

    Ambasadori De Riu ishte emëruar në këtë detyrë në shtator 2021. Italia është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ka hapur ambasadën e saj në Prishtinë, më 2008.

  • ​BE liston 7 vende “të sigurta” si mjete për të lehtësuar depërtimin – Kosova në mesin e tyre

    ​BE liston 7 vende “të sigurta” si mjete për të lehtësuar depërtimin – Kosova në mesin e tyre

    Bashkimi Evropian sot publikoi një listë prej shtatë vendesh që i konsideron “të sigurta”, në një përpjekje për të përshpejtuar kthimin e migrantëve duke ua bërë më të vështirë qytetarëve të këtyre vendeve të kërkojnë azil në familjen e madhe evropiane.

    Komisioni Evropian tha se po propozonte të caktonte Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë si “vende të sigurta të origjinës”, raporton KosovaPress.

    KE tha sot se vendet kandidate për në BE do të përmbushnin në parim kriteret për t’u përcaktuar si vende të sigurta, por ai gjithashtu përcaktoi përjashtime, duke përfshirë edhe rastet kur ato goditen nga një konflikt diçka që për shembull do të përjashtonte Ukrainën.

    Lista e publikuar mund të zgjerohet ose rishikohet me kalimin e kohës dhe është hartuar duke parë vendet nga të cilat vijnë aktualisht një numër i konsiderueshëm aplikantësh.

    Kalimet e parregullta kufitare të zbuluara në Bashkimin Evropian ranë me 38 për qind në 239 mijë vitin e kaluar pas një kulmi pothuajse 10-vjeçar në vitin 2023, sipas agjencisë kufitare të BE-së Frontex.

    Aktualisht, më pak se 20 për qind e njerëzve të urdhëruar të largohen nga blloku kthehen në vendin e tyre të origjinës, sipas të dhënave të BE-së.

    Muajin e kaluar, komisioni zbuloi një reformë të planifikuar të sistemit të kthimit të bllokut prej 27 vendesh, e cila hapi rrugën për shtetet anëtare për të ngritur qendra kthimi të emigrantëve jashtë BE-së.

    Një vend kandidat do të përjashtohej vetëm në disa rrethana specifike: dhunë pa dallim në situata konflikti, sanksione të miratuara nga Këshilli ndaj atij vendi, ose një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në e aplikantëve për azil më të lartë se 20%.

    Propozimi i Komisionit mbështetet në një analizë nga Agjencia e BE-së për Azilin dhe burime të tjera, duke përfshirë informacionin nga Shtetet Anëtare, UNHCR dhe EEAS.

    Lista e BE-së e vendeve të sigurta të origjinës mund të zgjerohet ose rishikohet me kalimin e kohës. Vendet gjithashtu mund të pezullohen ose të hiqen nga lista, nëse ato nuk i plotësojnë më kriteret për t’u përcaktuar si një vend i sigurt i origjinës.

    Përcaktimi si vend i sigurt i origjinës nuk përcakton një garanci sigurie për të gjithë shtetasit e atij vendi. Shtetet Anëtare duhet të kryejnë një vlerësim individual të çdo kërkese për azil, pavarësisht nga fakti nëse një person vjen nga një vend i sigurt i origjinës apo jo.

    Hapat e mëtejshëm

    Tani i takon Parlamentit Evropian dhe Këshillit të bien dakord për këtë propozim.

    Si pjesë e punës së tij për zbatimin e Paktit, Komisioni ka mbështetur Shtetet Anëtare për të identifikuar fushat ku puna mund të përqendrohet paraprakisht, për të përshpejtuar aspekte të caktuara të Paktit që do të rrisin efikasitetin e sistemit tonë të azilit.

    Vlerësimi nëse një vend i tretë është një vend i sigurt origjine në përputhje me Rregulloren e Procedurës së Azilit u bazua në një seri shkëmbimesh me Shtetet Anëtare, EUAA-në, Shërbimin Evropian të Veprimit të Jashtëm, si dhe UNCHR-në, dhe palë të tjera të interesuara si organizatat joqeveritare.

    EUAA përcaktoi një metodologji për të mbështetur identifikimin e vendeve të sigurta të origjinës, duke parë vendet e origjinës nga të cilat sjell një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE.

    Kjo përfshin vendet kandidate të BE-së; vendet e origjinës me një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në prej 5% ose më të ulët që krijojnë një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE; vendet pa viza me një shkallë njohjeje në të gjithë BE-në prej 5% ose më të ulët që krijojnë një ngarkesë të konsiderueshme rastesh azili në BE; dhe vendet që tashmë figurojnë në listat ekzistuese të Shteteve Anëtare të vendeve të sigurta të origjinës.

  • ​Çmimet e naftës bien mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë

    ​Çmimet e naftës bien mes tensioneve tregtare SHBA-Kinë

    Çmimet e naftës ranë të mërkurën pasi tregjet reflektuan pasigurinë e krijuar nga ndryshimet në politikat doganore të SHBA-së dhe përshkallëzimi i tensioneve tregtare SHBA-Kinë, raporton agjencia turke e lajmeve AA.

    Indeksi ndërkombëtar, Brent, ra me rreth 1.47%, duke u tregtuar me $63.44 për fuçi në orën 09:42 me orën lokale (0642GMT), nga $64.38 që ishte në mbylljen e sesionit të mëparshëm.

    Indeksi amerikan West Texas Intermediate (WTI) ra me 1.58%, duke u vendosur në $60.06 për fuçi, nga $61.03 në mbylljen e mëparshme.

    Ngërçi i shkaktuar nga tarifat midis dy ekonomive më të mëdha në botë mbetet një shqetësim kryesor global, raporton KosovaPress.

    Në një konferencë për shtyp, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Presidenti Donald Trump ishte i hapur për një marrëveshje tregtare me Kinën. “Topi është në fushën e Kinës: Kina duhet të bëjë një marrëveshje me ne, ne nuk kemi nevojë të bëjmë një marrëveshje me ta”, deklaroi Leavitt.

    Ajo shtoi se SHBA po zhvillon bisedime me disa vende që nuk kanë reaguar me tarifa, dhe se priten së shpejti marrëveshje të reja tregtare.

    Kina iu përgjigj tarifave të rritura amerikane me masa të njëjta. Si rezultat i përplasjes tregtare, SHBA rriti tarifat për mallrat kineze në 145%, ndërsa Kina i rriti tarifat për mallrat amerikane në 125%.

    Megjithëse SHBA-ja i shtyu tarifat për vendet e tjera për 90 ditë, tarifat ndaj Kinës hynë në fuqi menjëherë. Tregjet vazhdojnë të reagojnë ndaj çdo zhvillimi të ri në këtë përplasje tregtare.

    Në një paraqitje pranë Komisionit Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC), prodhuesi i çipave Nvidia zbuloi se SHBA tani kërkon një licencë eksporti për të dërguar çipat e saj H20 në Kinë dhe disa vende të tjera.

    Kompania vlerëson se kufizimet mund t’i kushtojnë 5.5 miliardë dollarë në të ardhura.

    Raportime të tjera sugjerojnë se Kina mund të ketë urdhëruar linjat e saj ajrore të ndalojnë blerjet e avionëve Boeing, duke shtuar më tej frikën për një luftë tregtare më të thelluar. Lufta tregtare SHBA-Kinë ka dobësuar pritshmëritë për kërkesën globale të naftës.

    Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA) uli parashikimin e rritjes së kërkesës globale për naftë për vitin 2025 me 300,000 fuçi në ditë (bpd), duke parashikuar tani një rritje prej 726,000 bpd. Muajin e kaluar, IEA priste një rritje prej 1.03 milionë bpd.

    Edhe OPEC e rishikoi me ulje parashikimin e rritjes së kërkesës globale, me 150,000 bpd më pak.

    Ndërkohë, Instituti Amerikan i Naftës (API) raportoi një rritje të papritur të rezervave të naftës së papërpunuar në SHBA—me 2.4 milionë fuçi javën e kaluar. Tregjet kishin pritur një rënie prej 1.68 milionë fuçish.

    Rritja e papritur e stokut ka forcuar shqetësimet për kërkesën në vendin me konsumimin më të madh të naftës në botë, duke kontribuar në presionin për ulje të çmimeve.

    Administrata e Informacionit për Energjinë e SHBA pritet të publikojë të dhënat zyrtare të rezervave më vonë gjatë ditës së sotme.

  • Letra e Avni Deharit arrin në Presidencë – çfarë kërkohet nga Osmani për situatën në Kuvend?

    Letra e Avni Deharit arrin në Presidencë – çfarë kërkohet nga Osmani për situatën në Kuvend?

    Një ditë pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kryesuesi i saj, Avni Dehari, i është drejtuar me letër zyrtare Presidentes Vjosa Osmani, duke kërkuar sugjerime për opsionet e mundshme përpara, pas dështimit për të votuar raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve.

    Letra siguruar nga ATV-ja, që mban firmën e Deharit, i drejtohet Presidentes për interpretim institucional mbi një situatë që ai e cilëson si të paprecedentë. Ai shpjegon se rendi i ditës i seancës përfshinte formimin e Komisionit për verifikim të kuorumit dhe mandateve, betimin e deputetëve, dhe zgjedhjen e kryetarit e nënkryetarëve të Kuvendit. Por procesi u bllokua që në pikën e parë.

    “Ky Raport nuk e mori mbështetjen e shumicës në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht, mandatet nuk u verifikuan dhe betimi i deputetëve nuk procedoi”, thuhet në letrën drejtuar Presidentes.

    “Në këto rrethana, të një situate të paprecedent, unë ju drejtohem juve si Presidente e Republikës për sugjerime për opsionet e mundshme përpara.”

    Nga Presidenca konfirmuan pranimin e letrës, duke shtuar se ekipi ligjor është duke e analizuar për të propozuar veprimet e mëtejme.

    “Letra sapo ka ardhë në Presidencë dhe ekipi ligjor i Presidencës është duke e analizuar, për t’i propozuar Presidentes hapat e mëtejmë”, deklaroi për ATV këshilltari për media, Bekim Kupina.

    Çfarë ndodhi në seancën e djeshme?

    Seanca konstituive u ndërpre pasi opozita – PDK, LDK dhe AAK – votuan kundër verifikimit të mandateve, ndërsa Lista Serbe abstenoi. Arsyetimi i opozitës ishte se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe ministrat e tij nuk kishin dhënë dorëheqje nga funksionet qeveritare para betimit si deputetë, gjë që ata e cilësuan si shkelje të Kushtetutës dhe Ligjit për Qeverinë të vitit 2022.

    Sipas nenit 26 të Ligjit për Qeverinë, nëse një anëtar i Qeverisë zgjidhet deputet, ai duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, për të shmangur konfliktin e interesit. Ky ligj, i miratuar në vitin 2022, përcakton edhe se një Qeveri në dorëheqje mund të vazhdojë ushtrimin e funksioneve, por me kufizime të qarta – si ndalimi i emërimeve të reja, miratimit të projektligjeve dhe nismave ndërkombëtare, përveç rasteve emergjente.

    Megjithatë, Qeveria ka publikuar një dokument zyrtar të dorëheqjes së Kurtit dhe kabinetit të tij, e cila figuron e pranuar nga KQZ më 27 mars 2025, para certifikimit të rezultateve, siç kërkohet me ligj. Në këtë pikë ka lindur edhe mospajtimi kryesor mes Qeverisë dhe opozitës, pasi kjo e fundit nuk e ka njohur vlefshmërinë e dorëheqjes, duke pretenduar se ajo është dorëzuar te një autoritet jokompetent.

    Hasani: Presidentja s’ka kompetencë, dorëheqja e Kurtit s’është valide

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Presidentja nuk ka kompetenca kushtetuese për të vepruar pas dështimit të seancës dhe se më e mira do të ishte të mos përgjigjej fare ndaj letrës së Deharit.

    “S’ka këtu presidentja kurgjo. S’ka çfarë. Presidentja veç mundet të mos me u përgjigjë, që do të ishte ma e mira”, tha Hasani.

    Ai e cilësoi dorëheqjen e paraqitur nga Kurti si të pavlefshme, pasi ishte drejtuar te Glauk Konjufca, të cilin e quajti “jokompetent”. Sipas Hasanit, KQZ-ja nuk është dashur të certifikojë kandidatët e Qeverisë pa një dorëheqje formale, siç e kërkon Ligji për Qeverinë.

    “Nuk është dorëheqje. Absolutisht. Ajo është hajgare, tallje me institucionet, sepse ai i drejtohet personit të jokompetent. Glauku asnjë funksion s’ka në Kosovë”, tha Hasani.

    Hasani shtoi se precedentët nga e kaluara nuk mund të përdoren si justifikim për shkeljet aktuale.

    VV i referohet vitit 2014, por ligji i ri ndryshon gjithçka

    Pas mosvotimit të raportit për verifikimin e mandateve nga opozita, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, publikoi një video të vitit 2014 ku shihet Hashim Thaçi duke votuar si deputet, ndërkohë që ende ushtronte funksionin e kryeministrit.

    “Për opozitarët dhe hipokrizinë me veprimin e sotëm… Ja një shembull tipik për të kuptuar që situata e sotme nuk përbën asgjë ndryshe nga praktikat e mëhershme,” shkroi ajo në reagimin e saj publik.

    Sipas Haxhiut, opozita po vepron me standarde të dyfishta duke kërkuar dorëheqje nga Kurti dhe ministrat, ndërkohë që në të kaluarën, veprimet e njëjta nuk ishin problematizuar. Por ajo nuk përmendi Ligjin për Qeverinë, të miratuar nga qeveria aktuale në vitin 2022, ku neni 26 përcakton qartë se një anëtar i Qeverisë duhet të japë dorëheqje para ditës së certifikimit të rezultateve, nëse dëshiron të marrë mandatin si deputet. Kjo e bën situatën e tanishme ligjërisht të ndryshme nga praktikat e mëhershme, të cilave Vetëvendosje po i referohet.

    Pas letrës së Deharit, topi formalisht kalon te Presidentja, por njohësit e Kushtetutës vlerësojnë se ajo nuk ka asnjë kompetencë për të vepruar. /atvlive.tv