ATV

Category: Lajme

  • Rubio: Nëse nuk përfundohet lufta në Ukrainë, SHBA duhet të ecë përpara

    Rubio: Nëse nuk përfundohet lufta në Ukrainë, SHBA duhet të ecë përpara

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se në rast se nuk është më e mundur të arrihet një përfundim përfundimtar i konfliktit në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara duhet të ndalojnë përpjekjet për ndërmjetësim dhe të përqendrohen në çështje të tjera strategjike, raporton Gazeta Sinjali.

    “Nëse nuk është e mundur të përfundojmë luftën në Ukrainë, ne duhet të vazhdojmë përpara”, tha Rubio përpara nisjes nga Parisi, ku zhvilloi një sërë takimesh diplomatike.

    Duke komentuar rolin e SHBA-së në këtë konflikt, ai theksoi se angazhimi amerikan nuk duhet të zgjatet pafundësisht.

    “Presidenti (Donald Trump) ka kaluar 87 ditë në nivelin më të lartë të kësaj qeverie duke bërë vazhdimisht përpjekje për ta çuar dhe përfunduar këtë luftë. Tani po arrijmë në një pikë kur duhet të vendosim dhe të përcaktojmë nëse kjo është e mundur apo jo. Kjo është arsyeja pse ne po angazhojmë të dyja palët”, tha ai mes të tjerash.

    Rubio, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff, u takuan dje me zyrtarë të lartë evropianë dhe ukrainas, në kuadër të përpjekjeve të vazhdueshme të Uashingtonit për të ndërmjetësuar një zgjidhje për luftën mes Rusisë dhe Ukrainës.

  • Zelensky: Ukraina ka dëshmi se Kina po e furnizon me artileri Rusinë

    Zelensky: Ukraina ka dëshmi se Kina po e furnizon me artileri Rusinë

    Volodymyr Zelenskyy thotë se Ukraina ka prova se Kina e furnizon Rusinë me artileri dhe barut.

    Duke folur në një konferencë shtypi sot, presidenti i Ukrainës pohoi gjithashtu se Pekini po ndihmon me prodhimin e armëve të caktuara në territorin rus, raporton skynews, transmeton Gazeta Sinjali.

    “Ne besojmë se përfaqësuesit kinezë janë të angazhuar në prodhimin e disa armëve në territorin e Rusisë,” tha ai në një konferencë shtypi në Kiev.

    Ai nuk specifikoi nëse kishte parasysh sistemet e artilerisë apo predha.

    Kjo vjen pasi Ukraina thotë se ka kapur dy shtetas kinezë që luftonin në Ukrainën lindore në fillim të prillit.

    Ai tha se forcat e tij kishin luftuar gjashtë ushtarë kinezë dhe dy prej tyre ishin zënë rob. Ai shtoi se kishte urdhëruar zyrtarët të merrnin një shpjegim nga Pekini.

  • 26 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    26 vjet nga beteja e Shkëmbit të Gradinës

    Sot bëhen 26 vjet nga beteja e lavdishme te Shkëmbi i Gradinës, ku luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftuan për të ndalur avancimin e forcave serbe drejt rrafshnaltës së Berishës – një zonë me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike, ku ndodheshin Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Spitali Ushtarak, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Agjencia e Lajmeve KosovaPress, Radio Kosova e Lirë dhe rreth 100 mijë civilë të strehuar në grykat e maleve.

    Më 18 prill të vitit 1999, në këtë betejë ranë heroikisht pesë dëshmorë:
    Islam Kastrati nga Kishnareka,
    Halim Bajraktari nga Drenasi,
    Mentor Morina nga Bushati,
    Ramadan Bytyqi nga Gjergjica
    dhe Mentor Gashi nga Llapushniku.

    Luftimet e prillit të atij viti në këtë zonë u shndërruan në një prej përballjeve më të rëndësishme të luftës çlirimtare – jo vetëm për rrjedhën ushtarake të saj, por edhe për shpëtimin e mijëra civilëve që kishin gjetur strehim në ato male.

    Luftëtarët që qëndruan në këtë betejë ishin muri i gjallë që ndaloi me çdo kusht depërtimin e ushtrisë dhe policisë serbe drejt popullatës civile – një sakrificë që mbetet përjetësisht në kujtesën kombëtare.

  • Depozitat bankare shënojnë rënie të lehtë në dy muajt e parë të këtij viti

    Depozitat bankare shënojnë rënie të lehtë në dy muajt e parë të këtij viti

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Vlera e depozitave të qytetarëve në bankat komerciale të Kosovës arrin në gati 7 miliardë euro.

    Megjithatë në dy muaj e parë të këtij viti pati rënie të depozitave për më shumë se 37 milionë euro krahasuar me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

    Por sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës në muajin janar dhe shkurt u shënua rritje për 82 milionë euro nga ekonomitë familjare e që përbëjnë edhe pjesën më të madhe të depozitimit me afro 4.6 miliardë euro.

    Ekspertët e ekonomisë shifrën e vlerësojnë të lartë ndonëse vërehet hezitimi i qytetarëve për të investuar në Kosovë.

    Sipas Skender Krasniqit, një treg më i avancuar i aksioneve dhe investimeve do t’u ofronte qytetarëve mundësi më të mëdha për përfitim financiar.

    Por ish-kryetari i odës ekonomike, Safet Gërxhaliut, thotë se për të shmangur varësinë e tepruar nga depozitat bankare kosova duhet të krijojë mekanizma që stimulojnë investimet e qytetarëve në fusha më produktive.

    Ndërsa sipas BQK-së norma mesatare e depozitave është 3.0%.

     

  • Qeveria e re e Serbisë, shqiptarët atje të zhgënjyer

    Qeveria e re e Serbisë, shqiptarët atje të zhgënjyer

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Qeverinë e Serbisë nga kjo e enjte e udhëheqë një kryeministër i ri, Gjuro Macut.

    E në ministrinë për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave u emërua, Demo Berisha, deri dje Kryetar i Shoqatës së Shqiptarëve në Serbi.

    Me pozitën e Berishës si një ish-pjesëmarrës aktiv në luftën e Kosovës në radhët e ushtrisë serbe e kundërshtues të pavarësisë së Kosovës, nuk po pajtohen përfaqësues të komunitetit shqiptar në Serbi.

    “Nuk përfaqëson shqiptarët nuk është shqiptar është vetëm një shqipfolës, për të drejtat e shqiptarëve ai nuk ka bërë asgjë por vetëm ka përfituar në kurriz të shqiptarëve dhe realisht është person i dëgjueshëm i Beogradit, ai është në partinë e Vucicit”, tha Enkel Rexhepi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi.

    Andaj edhe pritshmëria që ekzekutivi i ri do t’i shtyjë përpara kërkesat e shqiptarëve janë minimale.

    “Ne presim që be të alarmohet sepse është një qeveri alarmante, në veçanti për shqiptarët sepse I vendos në një pozicion të kërcënueshëm, qeveria rrezikon të drejtat më elementare…kjo qeveri është duke u afruar me rusin e largohet nga BE…”, deklaroi Ragmi Mustafi, ish-këshilltar i Këshillit Shqiptar në Luginën e Preshevës.

    Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe, dhe në këtë shtet jetojnë afro 62 mijë shqiptarë.

  • Telekomi llogaritë e bllokuara, me kredinë nga Qeveria do t’i shlyejë borxhet

    Telekomi llogaritë e bllokuara, me kredinë nga Qeveria do t’i shlyejë borxhet

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Telekomi i Kosovës, që shtatë muaj nuk i pagoi detyrimet në Administratën Tatimore të Kosovës. Borxhi i akumuluar, kalon katër milionëshin.

    Një borxh tjetër dy milionësh, mbeti pa paguar edhe ndaj një kontraktori.

    Parat i ka, por nuk mundë t’i shfrytëzoj meqë ndërmarrja i ka llogaritë e bllokuara, për shkak të një kontesti përmbarimor me Dardafonin.

    Prandaj Telekomi ia kërkoi Qeverisë një kredi prej 10 milionë eurosh.

    Drejtori financiar në Telekom, Feim Kelmendi, thotë se paratë planifikohet t’i kthehen Qeverisë, duke filluar nga viti që vjen.

    Sidoqoftë, Telekomi është në pritje të nënshkrimit të marrëveshjes.

    Kështu Telekomi do t’i ketë kredi aktive në vlerë 36 milionë euro ndaj Qeverisë.

    Vitin 2023 dhe 2024, Telekomi e mbylli me fitim prej rreth shtatë milion eurosh secilin.

  • Dita e katërt, punëtorët e ‘Pastrimit’ në Drenas e vazhduan grevën

    Dita e katërt, punëtorët e ‘Pastrimit’ në Drenas e vazhduan grevën

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Punëtorët e kompanisë ‘Pastrimi’ në Drenas nuk i ndryshuan qëndrimet as në ditën e katërt të grevës.

    Këta të cilët po grevojnë janë të vendosur në kërkesën që shefi i operativës, Fitim Gashi duhet të shkarkohet ose së paku 30 punëtorë do ta lënë punën.

    Ata madje thonë se s’do të prekin punë me dorë derisa kërkesa e tyre të plotësohet.

    E për hallet që kanë me shefin e kompanisë në Drenas është e njoftuar edhe selia në Prishtinë. Megjithatë nga ndërmarrja thonë se masa mund të merren vetëm ndaj atyre që punojnë në kundërshtim me interesat e kompanisë.

    Punëtorët e Pastrimit në Drenas protestën e filluan në kërkim të kushteve më të mira të punës dhe për të kundërshtuar shkeljet që thonë se po iu bëhen nga menaxhmenti.

  • Deputetëve iu shpërndanë disa letra në formë betimi, nga veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

    Deputetëve iu shpërndanë disa letra në formë betimi, nga veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Krahas betimit për deputetë, që s’e bënë, ligjvënësve të sapo zgjedhur, të enjten para hyrjes së Kuvendit, iu kërkua ta bëjnë edhe një betim tjetër.

    Veteranët nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ua zunë pritën në dyja hyrjet e Kuvendit, për t’u kërkuar të betohen për një sërë masash karshi Gjykatës Speciale.

    Referuar tekstit, deputetët mes tjerash, duhet të betohen edhe për krijimin e një mekanizmi mbikëqyrës ndaj Speciales.

    “Meqenëse edhe Amerika po thotë që ata po përballen me padrejtësi, ne po kërkojmë nga Kuvendi i Kosovës, që së paku ta bëjë një organ mbikëqyrës të kësaj gjykatë, por pse jo edhe të bëjë diçka në mbrojtje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që atje janë duke u shkelur vazhdimisht”, deklaroi Faton Klinaku nga OVL-UÇK.

    Tekstin e pranuan disa nga qeveritarët në detyrë. Aty për aty nuk e nënshkroi, por betimin e mori me vete ministrja në detyrë e punëve të jashtme.

    Njësoj veproi edhe ministri në detyrë i mbrojtës dhe ajo e drejtësisë.

    Sidoqoftë, veteranëve nuk iu ndal ai që e udhëhoqi Qeverinë për katër vjet.
    Disa deputet e nënshkruan edhe aty për aty.

    “Disa po e nënshkruajnë këtu fizikisht, disa po e marrin që ta lexojnë dhe pastaj ta nënshkruajnë”, tha Klinaku.

    Kërkesë e veteranëve është edhe kthimi i selisë së Gjykatës në territorin e Kosovës.

  • 26 vjet nga masakrat në Poklek e Çikatovë të Vjetër

    26 vjet nga masakrat në Poklek e Çikatovë të Vjetër

    PËRGATITI: KASTRIOT TAHIRI

    Trupat u larguan 26 vjet më parë, por përjetimet mbetën aty.

    Muret e kësaj shtëpie ruajnë më së mirë historinë së cka ndodhi më 1999, pikërisht në këtë dhomë e në tjetrën përball kësaj forcat serbe vranë e masakruan 53 civil, në mesin e tyre 24 fëmijë, krejt ngjarja kishte ndodhur kur në shtëpi ishte thyer dera e ishte hedhur një bombë, por serbët ishin kthyer sërish për të shkrepur breshëri plumash për tu siguruar sic thanë që asnjë të mos mbetet I gjallë.

    Në mesin e të vrarëve ishin edhe motrat e nipat e Asllan Osmanit, për të cilët thotë se dhimbja nuk mbaron e malli nuk shuhet.

    Vëllezërit e nënën i pa të mbuluar në gjak e të masakruar edhe Leotrimi, që në atë kohë ishte vetëm 9 vjet. Si i mbijetuar i kësaj masakre, tmerrin që përjetoi atë ditë e ka ende të freskët.

    Leotrimi e të tjerë që shpëtuan, kur panë që në oborrin e shtëpisë po shtohej prania e forcave serbe, për të shpëtuar kërcyen nga dritarja, ata sot po e dokumentojnë atë se cfarë ndodhi atu.

    Forcat serbe, kishin djegur tri herë radhazi kufomat brenda shtëpisë për të zhdukur krimin që kishin kryer më 17 prill të 99-tës.

     

  • ​Marta Kos: BE-ja mbetet ishulli i vetëm i vlerave dhe demokracisë në botë

    ​Marta Kos: BE-ja mbetet ishulli i vetëm i vlerave dhe demokracisë në botë

    Bashkimi Evropian mund të mbetet ishulli i vetëm i vlerave dhe demokracisë në botë, tha komisionarja për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, gjatë një fjalimi sot në forumin “BE takohet me Ballkanin” në Sofje.

    Ky event është organizuar nga Forumit Liberal Evropian, Partia ALDE dhe Klubi Atlantik i Bullgarisë. Ndër të pranishmit ishin edhe zëvendëspresidentja Iliana Iotova, kryetari i Bashkisë së Sofjes, Vasil Terziev, përfaqësues nga Turqia, Rumania, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria dhe Mali i Zi. Po ashtu ishin të pranishëm deputetë bullgarë dhe ekspertë të politikës.

    Ajo tha se “bota jonë ka ndryshuar thellësisht gjatë muajve të fundit” dhe se për herë të parë në historinë e saj, BE po zhvillon bisedime për integrimin me një vend – Ukrainën – që është në luftë, raporton agjencia bullgare e lajmeve BTA.

    “Për herë të parë, për vendet kandidate, nuk bëhet fjalë vetëm për përmbushjen e kushteve për t’u bërë anëtar, nuk bëhet fjalë vetëm për gatishmërinë e BE-së për të pranuar anëtarë të rinj. Ne po përballemi me forca të jashtme që duan të na shohin të dështojmë”, tha ajo.

    Komisionarja Kos tha se Evropa ka “hyrë efektivisht në një fazë ku konkurrenca gjeopolitike dhe agresioni i hapur në lagjen tonë të afërt po minojnë përpjekjet tona për të konsoliduar demokracinë dhe kërcënojnë të transformojnë Evropën në një fushë beteje të interesave konkurruese.”

    Sipas saj, ajo që ofron BE-ja është krejtësisht pozitive: forcë ekonomike, institucione demokratike dhe sundimi i ligjit, dhe më e rëndësishmja, një ndjenjë përkatësie në një komunitet me vlera të përbashkëta.

    Fjalimi i saj theksoi rëndësinë e konceptit të unifikimit evropian të bazuar në vlera të përbashkëta.

    “Peizazhi i ri gjeopolitik po e lëviz lagjen tonë të tkurrur më afër BE-së si një strehë për stabilitet dhe vlera demokratike”, tha ajo.

    Ajo theksoi se Islanda po shqyrton mundësinë e mbajtjes së një referendumi për të rihapur bisedimet për anëtarësim në BE, ndërsa në Norvegji, mbështetja publike për anëtarësimin në BE është në nivelin më të lartë në 25 vjet. Javën e kaluar, Zvicra mori pjesë për herë të parë në një takim të ministrave të financave të BE-së, dhe BE-ja gjithashtu po ndërton një partneritet të veçantë me Kanadanë, shtoi Kos.

    Gjatë 15 viteve të fundit, BE-ja ka qenë shpesh e përfshirë nga sfida të brendshme, tha ajo – duke përmendur krizën e borxhit, presionet e migracionit, Brexit-in, pandeminë e COVID-19 dhe krizën e jashtëzakonshme të energjisë. Sipas saj, liderët evropianë të sotëm e kuptojnë se unifikimi i kontinentit është thelbësor për ruajtjen e paqes, lirisë, sigurisë dhe prosperitetit për të gjithë evropianët.

    Marta Kos theksoi se sondazhet e opinionit publik tregojnë se një shumicë e madhe evropianësh presin që BE-ja të marrë përgjegjësinë për sigurinë e saj.

    Ajo po ashtu riafirmoi se zgjerimi i BE-së është një nga prioritetet kryesore të Komisionit të tanishëm Evropian, duke e përsëritur këtë mesazh më herët gjatë ditës pas një takimi me kryeministrin bullgar, Rosen Zhelyazkov, përcjell KP.