ATV

Category: Lajme

  • ​Trump kërcënon Harvardin me dëbimin e studentëve të huaj

    ​Trump kërcënon Harvardin me dëbimin e studentëve të huaj

    Qeveria e SHBA-së ka kërcënuar ta ndalojë Universitetin e Harvardit nga regjistrimi i studentëve të huaj, pasi institucioni deklaroi se nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të administratës së Donald Trump.

    Shtëpia e Bardhë ka kërkuar që universiteti më i vjetër në SHBA të bëjë ndryshime në praktikat e punësimit, pranimit dhe mësimdhënies, të cilat, sipas saj, do të ndihmojnë në luftimin e antisemitizmit në kampus, raporton BBC News.

    Sekretarja për Sigurinë Kombëtare, Kristi Noem, të mërkurën akuzoi këtë universitet prestigjioz të Ligës Ivy se po “kërcënon sigurinë kombëtare” dhe se po “i përkulet antisemitizmit”.

    Ajo gjithashtu kërkoi dokumente mbi aktivitetet “të paligjshme dhe të dhunshme” të mbajtësve të vizave studentore të huaja në Harvard. Studentët ndërkombëtarë përbëjnë mbi 27% të regjistrimeve në Harvard këtë vit.

    “Universiteti nuk do të dorëzojë pavarësinë e tij dhe as nuk do të heqë dorë nga të drejtat e tij kushtetuese”, shkroi presidenti i Harvard-it, Alan Garber, në një mesazh të hënën drejtuar komunitetit universitar.

    Në lojë janë miliarda dollarë – autoritetet kanë ngrirë 2.2 miliardë dollarë në fonde federale, ndërsa Trump më herët ka kërcënuar gjithashtu të heqë përjashtimin tatimor të universitetit, humbja e të cilit mund t’i kushtojë Harvard-it miliona dollarë çdo vit.

    “Harvardi nuk mund të konsiderohet më as si një vend i mirë për të mësuar, dhe nuk duhet të përfshihet në asnjë listë të Universiteteve apo Kolegjeve më të Mëdhenj në Botë”, tha Trump në Truth Social të mërkurën.

    “Harvardi është një shaka, mëson urrejtje dhe marrëzi, dhe nuk duhet të marrë më fonde federale”.

    Sulmet e administratës ndaj Harvard-it nuk janë të izoluara. Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump propozoi një ndërprerje të financimeve për universitetet, duke i paraqitur ato si armiqësore ndaj konservatorëve, transmeton KP.

  • ​Junta ushtarake paralajmëron lirimin e mijëra të burgosurve në Mianmar

    ​Junta ushtarake paralajmëron lirimin e mijëra të burgosurve në Mianmar

    Junta ushtarake e Mianmarit ka njoftuar se do të lirojë rreth 5 mijë të burgosur si pjesë e një amnistie me rastin e festimeve të Vitit të Ri në vend, më 13 prill.

    Në një deklaratë, udhëheqësit ushtarakë thanë se 4.893 të burgosur do të falen “për të marrë pjesë në procesin e ndërtimit të shtetit, për qetësinë e popullit dhe për arsye mëshire”.

    Si shprehje e “mirësisë së ndjeshme të shtetit”, junta njoftoi gjithashtu se dënimet e të burgosurve të tjerë do të shkurtohen me një të gjashtën, përveç atyre që kanë kryer krime të rënda si komplot, terrorizëm, vrasje apo përdhunim.

    Gjithashtu, u deklarua se 13 shtetas të huaj do të falen dhe dëbohen, pa dhënë detaje për identitetin e tyre apo arsyet e burgimit.

    Megjithatë, shumica e të burgosurve të profilit të lartë politik, përfshirë ish-kryeministrin Aung San Suu Kyi, i cili u rrëzua nga pushteti në grushtin e shtetit të vitit 2021, do të vazhdojnë të mbeten në burg.

    Amnistia vjen në një kohë kur lideri i juntës, Min Aung Hlaing, dhe kryeministri i Malajzisë, njëherësh kryetar i ASEAN-it, Anwar Ibrahim, pritet të takohen në Bangkok për të diskutuar ndihmën ndaj viktimave të tërmetit — megjithëse ASEAN-i me 10 anëtarë e ka përjashtuar Min Aung Hlaing nga udhëheqja më e lartë për mungesë progresi në planin e paqes.

    Junta nuk e ka konfirmuar zyrtarisht takimin, raporton ANSA, përcjell KP.

  • ​Aktakuza e ndryshuar ndaj Thaçit, vjen reagimi i shoqatave të dala nga lufta

    ​Aktakuza e ndryshuar ndaj Thaçit, vjen reagimi i shoqatave të dala nga lufta

    Shoqatat e dala nga lufta, OVL UÇK , SHIL UÇK dhe SHFD UÇK kanë reaguar ndaj dorëzimit të një aktakuze të ndryshuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe bashkëluftëtarëve të tjerë, ku pretendohet për një formë të re të përgjegjësisë penale, kinse për “shtytje” në pengimin e personave zyrtarë.

    “Ky veprim dëshmon qartë vazhdimin e një qasjeje të padrejtë dhe të njëanshme ndaj figurave kryesore të luftës çlirimtare dhe shtet-formuese të Kosovës. Përfshirja e Thaçit në një çështje që nuk ka asnjë lidhje me akuzat e mëparshme për të cilat po mbahet në paraburgim, është tregues se synimi nuk është drejtësia, por zgjatja e procesit dhe njollosja e qëllimshme e figurave që përfaqësojnë simbolin e rezistencës dhe lirisë së popullit tonë,” thuhet në reagim, raporton KosovaPress.

    Shoqatat e dala nga lufta përkujtojnë se Gjykata Speciale që nga themelimi i saj, ka funksionuar si një mekanizëm politik, i cili nuk ka për qëllim ndarjen e drejtësisë, por selektimin e saj.

    “Kjo gjykatë është shndërruar në një instrument të padrejtësisë ndërkombëtare, ku veprimet e saj janë shpesh të motivuara politikisht dhe në kundërshtim me parimet themelore të së drejtës penale. Është e papranueshme që në emër të drejtësisë të përdoren metoda që duken më shumë si mjete presioni sesa si standarde ligjore të një gjykate ndërkombëtare. Tentimi për ta ngarkuar Thaçin me përgjegjësi për vizita të lejuara nga vetë autoritetet, gjatë kohës sa ishte në paraburgim, është i pabazë dhe politikisht i motivuar.”

    Shoqatat e dala nga lufta u bëjnë thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të reflektojnë mbi qasjen selektive të Gjykatës Speciale dhe të ndalojnë një proces që po përdoret për të rishkruar historinë dhe për të njollosur luftën e drejtë të UÇK-së.

    Në çështjen gjyqësore ndaj ish-presidentit Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazlizt dhe Hajredin Kuçit, Zyra e Prokurorit të Specializuar, e ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar. Ndryshimet janë bërë në paragrafin 43 dhe 46 përkatësisht pikat e akuzës 1, 2 dhe 3.

    Në dokumentin e publikuar thuhet se më 14 prill 2025, gjyqtarja e procedurës paraprake Marjorie Masselot ka ndryshuar vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës, kështu duke konfirmuar formën e përgjegjësisë penale për Thaçin që ka të bëjë për shtytje në kryerjen e veprës penale të “Pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Gjykata e Apelit e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ka aprovuar pjesërisht ankesën e Prokurorisë ndaj vendimit për konfirmimin e aktakuzës, ku është shtuar një formë e përgjegjësisë penale ndaj Thaçit në rastin kundër administrimit të drejtësisë.

    Nga katër pika të ankesës së ZPS-së, u pranua vetëm ajo që kishte të bënte me “përgjegjësinë e Thaçit për nxitjen e Kilajt, Smakajt dhe Fazliut për të kryer veprën penale të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.”

    Paneli i Apelit ka marrë vendim që një nga katër pikat që kishte ngritur Zyra e Prokurorit të Specializuar kundër vendimit për konfirmimin e aktakuzës ndaj Thaçit, Smakajt, Fazliut dhe Kuçit, ta pranojë lidhur me përgjegjësinë penale të Thaçit për ‘nxitje’ në kryerjen e veprës penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”.

    Pika e katërt e ankesës së ZPS-së, kishte të bënte me kundërshtimin e konstatimit të gjyqtares që neni 32 (3) i KPRK-së nuk zbatohet për veprën e “Pengim i personave zyrtarë” sipas nenit 401 (3) dhe (5) të KPRK-së.

    Sipas Zyrës së Prokurorit, gjyqtarja ka gabuar kur ka konstatuar se për shkak se neni 401 pika (3) dhe pika (5) të KPRK-së nuk parashikon dënim deri në pesë vjet burgim, për rrjedhojë neni 32 pika (1) nuk është i zbatueshëm pasi sipas saj kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra që janë të dënueshme më pak se pesë vjet.

    Sipas ZPS-së, gjykatësi i procedurës paraprake ka gabuar duke konstatuar se, për shkak se neni 401 (3) dhe (5) i KPK-së parashikon dënim nga një deri në pesë vjet burgim, neni 32 në pikën (3) nuk ishte i zbatueshëm, pasi kjo dispozitë zbatohet vetëm për vepra të dënueshme me të paktën pesë vjet burgim. Mbrojtja e Thaçit kishte thënë se gjyqtarja e ka interpretuar saktë këtë nen.

    Neni 32 pika (3) i KPRK-së për “Shtytje” thotë se “Kushdo që me dashje shtytë personin tjetër të kryejë vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burg dhe vepra penale as që është tentuar, shtytësi dënohet për tentativë”.

    Sipas Panelit, gjyqtarja kishte konstatuar se vepra që bie në nenin 401 (3) të KPRK-së është e dënueshme nga 1-5 vjet burgim, prandaj e përjashtoi përgjegjësinë e Thaçit sipas nenit 32 (3) të KPRK-së për pikën 1, 4 dhe 4 të aktakuzës.

    Veç kësaj, paneli kishte thënë se ka mospajtime për interpretimin e këtij neni pasi sipas tyre, panele më të ulëta kanë interpretuar që ky nen është i zbatueshëm për veprat penale të dënueshme mbi pesë vjet dhe disa për ato të dënueshme nën 5 vjet.

    Në vendim thuhet se me shumicë votash, Paneli ka rënë dakord me ZPS-në, duke thënë se neni 32 (3) duhet të zbatohet për vepra që përfshijnë ose edhe i tejkalojnë pesë vjet burg.

    “Si rezultat, Paneli konstaton, me shumicë votash, se duke qenë se vepra e pengimit të personave zyrtarë është e dënueshme në format e saj të rënduara me burgim nga një (1) deri në pesë (5) vjet, forma e tretë e nxitjes sipas nenit 32(3) të KPK-së është e zbatueshme në këtë rast”, thuhet në vendim.

    Si rrjedhojë, ata e konsideruan gabim konstatimin e gjyqtares së ky nen nuk ishte i zbatueshëm për veprën “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, kështu që paneli pranoi pikën katër të ankesës së ZPS-së.

    Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në DHSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga. Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024. Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt më 9 dhjetor.

    Ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës, ndërsa Kuçi ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

  • Komuna e Prishtinës, banorëve: Pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë

    Komuna e Prishtinës, banorëve: Pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë

    Komuna e Prishtinës iu ka bërë thirrje qytetarëve që pagesat e faturave për shërbimet e pastrimit të bëhen në komunë dhe jo në kompaninë “Pastrimi”.

    Kryeqyteti tha se qytetarët që deri tash kanë paguar faturat te kjo kompani duhet të kenë dëshmi dhe ato do të llogariten të paguara.

    “Ju njoftojmë se pagesa e faturave për shërbimet e pastrimit duhet të bëhet në Komunë. Qytetarët që deri më tani kanë kryer pagesat në kompaninë “Pastrimi”, mund të paraqesin dëshmitë përkatëse dhe ato fatura do t’u llogariten të paguara. Ju ftojmë që të gjitha pagesat për pastrim t’i bëni në Komunë. Faleminderit për mirëkuptim dhe bashkëpunim!”, thuhet në njoftimin e komunës.

    Ka disa muaj që Komuna e Prishtinës dhe kompania “Pastrimi” përplasen.

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, pati thënë se kompania rajonale publike “Pastrimi”, që është aktualisht kompania e vetme e angazhuar për grumbullimin e mbeturinave në Prishtinë, nuk është treguar efikase në këtë detyrë dhe për këtë arsye banorëve të Prishtinës iu ishte thënë se faturat për grumbullimin e mbeturinave të mos ia paguajnë më kompanisë “Pastrimi”.

    “Pastrimi” e kishte quajtur këtë vendim të Komunës “të jashtëligjshëm dhe arbitrar” dhe kishte kërkuar nga qytetarët që pagesat t’i kryejnë te kompania.

  • Reagon ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Reagon ambasadori britanik: Kosova ka nevojë urgjente për Kuvend dhe Qeveri funksionale

    Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka reaguar lidhur me situatën politike pas dështimit të seancave konstituive për formimin e institucioneve të reja, transmeton ATV.

    Në një postim në platformën “X”, ai tha se pas më shumë se dy muajsh nga zgjedhjet, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe një Qeveri funksionale.

    “Më shumë se dy muaj pas votimit të qytetarëve të Kosovës në zgjedhje, Kosova ka nevojë urgjente për një Kuvend dhe Qeveri funksionale. Qytetarët kanë të drejtë të presin që liderët e tyre politikë të punojnë së bashku në interes kombëtar”, shkroi Hargreaves. /atvlive.tv

  • Gërvalla: Ata që refuzojnë të konfirmojnë mandatin, s’janë në mend

    Gërvalla: Ata që refuzojnë të konfirmojnë mandatin, s’janë në mend

    Deputetja e zgjedhur e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, duke kritikuar ashpër qëndrimet e opozitës për mosvotimin e raportit të verifikimit të mandateve, raporton ATV.

    Duke folur përpara gazetarëve, ajo tha se deputetët që refuzojnë ta konfirmojnë mandatin e tyre, të certifikuar nga KQZ-ja, po sillen në mënyrë joracionale.

    “Unë nuk dua të paragjykoj asgjë për të shtunën. Mirëpo, deputetët të cilët refuzojnë të konfirmojnë mandatin e tyre, të cilin tashmë ua ka certifikuar KQZ-ja, sinqerisht që nuk janë në mend. Sinqerisht që jo! Prandaj, duhet të hiqet dorë nga destruktiviteti. Mundësi ka për të tejkaluar situatën, ama nevojitet vullnet”, deklaroi Gërvalla.

    Sipas saj, vendi nuk ka luksin të merret me bllokada në një kohë sfidash rajonale dhe globale, duke kërkuar nga opinioni publik që të mos e mbështesë qasjen bllokuese.

    “Bllokada nuk duhet të jetë alternativë dhe për këtë kërkoj ndihmën e opinionit publik sepse në këto kohë të vështira nëpër të cilat po kalon gjithë kontinenti ynë, nuk e kemi luksin të rrijmë dhe të diskutojmë për bllokada formale e teknike, por duhet të ecim përpara”, tha ajo. /atvlive.tv

  • Raporti i BE-së: Mediat serbe manipulojnë informacionet për të diskredituar Bashkimin Evropian

    Raporti i BE-së: Mediat serbe manipulojnë informacionet për të diskredituar Bashkimin Evropian

    Një raport i ri i Institutit të Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS) paralajmëron për dobësimin serioz të demokracisë dhe rritjen e manipulimit informativ në Serbi, duke theksuar përkeqësimin e klimës politike dhe mediale që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendit.

    Në raportin me titull “Getting the Information Threat Right”, ekspertët nënvizojnë se protestat masive që po zhvillohen në Serbi që nga nëntori 2024 përbëjnë sfidën më serioze për regjimin e presidentit Aleksandar Vuçiq që nga ardhja e tij në pushtet.

    Raporti identifikon një model të qartë të raportimit negativ për BE-në nga mediat konservatore dhe proqeveritare në Serbi, veçanërisht gjatë periudhës prill–maj 2024. Në atë kohë, temat e ndjeshme si anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, bllokadat në Dialogun Beograd–Prishtinë dhe rezoluta e OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, u shfrytëzuan nga mediat serbe për të përhapur narrativa kundër BE-së. Në raport theksohet se përmendja e Kosovës në kontekst të përparimeve ndërkombëtare është keqpërdorur për të forcuar ndjenjën e viktimizimit dhe për të paraqitur BE-në si palë të njëanshme në dëm të interesave serbe.

    Raporti thekson gjithashtu se zgjedhjet e dhjetorit 2023 në Serbi janë shoqëruar me akuza për mashtrim zgjedhor. Për më tepër, urimi i BE-së për formimin e qeverisë së re serbe në maj 2024 ka ngjallur reagime të ashpra në rrjetet sociale, ku qytetarët kritikuan BE-në për “legjitimimin e një regjimi autoritar dhe pro-rus”.

    Ekspertët e EUISS vlerësojnë se hapësira informative në Serbi është thellësisht e polarizuar dhe e ndjeshme ndaj manipulimit, veçanërisht përmes përhapjes së narrativave konspirative dhe anti-perëndimore të frymëzuara nga Rusia.

    Raporti bën thirrje që BE të rishqyrtojë me kujdes komunikimin e saj ndaj Serbisë dhe të mbështesë më fuqishëm lëvizjet demokratike në rajon, për të mbrojtur stabilitetin dhe vlerat evropiane në Ballkanin Perëndimor.

  • Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD kërkon lirimin e menjëhershëm

    Arrestohet Dardan Molliqaj, PSD kërkon lirimin e menjëhershëm

    Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka reaguar pas arrestimit të kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, duke e cilësuar këtë veprim si të pajustifikueshëm dhe të motivuar politikisht, raporton ATV.

    Përmes një postimi në Facebook, Kuçi ka bërë të ditur se Molliqaj është ndaluar nga Njësia e Reagimit të Shpejtë teksa ishte rrugës për një takim, pa marrë më parë asnjë ftesë nga gjykata.

    “Ky arrestim është totalisht jashtë çdo racionaliteti… kjo sjellje nuk mund të lexohet ndryshe përveçse presion politik dhe demonstrim force nga një njësi e krijuar për situata emergjente dhe të rrezikshme, jo për të ndaluar opozitën politike”, shkroi Kuçi.

    Sipas saj, përqendrimi i rasteve ndaj anëtarëve të PSD-së – të cilët, sipas saj, kanë raste të përbashkëta edhe me anëtarë të Vetëvendosjes – tregon se përndjekja është selektive dhe e drejtuar ndaj partisë që ajo përfaqëson.

    “Arrestime të tilla nuk na ndalin, vetëm e bëjnë më të qartë për të gjithë kush ka frikë nga organizimi politik”, tha Kuçi, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Molliqajt. /atvlive.tv

  • ​BQE ul normën e interesit në 2.25%, përgjigje e tarifave të Trump

    ​BQE ul normën e interesit në 2.25%, përgjigje e tarifave të Trump

    Banka Qendrore Evropiane (ECB) uli normën e saj kryesore të interesit në 2.25% të enjten për 20 shtetet e Eurozonës, të cilat përdorin vlerën euro.

    Si pasojë e kësaj, kostoja e huamarrjes ra në të gjithë këtë zonë, shkruan The Guardian, transmeton KosovaPress.

    Banka e bazuar në Frankfurt uli normën e saj të depozitave me një çerek pikë përqindje, në përputhje me pritshmëritë e ekonomistëve të City-t, për të trajtuar ngadalësimin në bllok dhe ndikimin nga taksat kufitare të vendosura më herët këtë muaj për të gjitha importet e BE-së në SHBA.

    Tregjet financiare presin që bankat qendrore në të gjitha ekonomitë kryesore të ulin normat e interesit këtë vit, pasi tarifat dëmtojnë tregtinë globale dhe ngadalësojnë rritjen, sipas The Guardian.

    Investitorët presin që Banka e Anglisë të ulë koston e huamarrjes me një çerek pikë kur politikanët të mblidhen në maj dhe dy herë më shumë në vitin 2025, kryesisht për shkak të pasigurisë të shkaktuar nga tarifat dhe ndikimi i tyre negativ në besimin e biznesit dhe konsumatorëve.

    Jerome Powell, kreu i Rezervës Federale, tha të mërkurën se tarifat amerikane për rreth 60 vende do të rrisin çmimet vendore dhe do të pakësojnë punësimin.

    Duke folur në Klubin Ekonomik të Chicago-s, ai tha se nuk ishte e qartë se cili do të ishte ndikimi i përgjithshëm në ekonomi dhe nëse banka do të kishte nevojë të rrisë normat e interesit për të frenuar inflacionin ose të ulë normat për të stimuluar rritjen.

    “Ne do të marrim në konsideratë sa larg është ekonomia nga çdo qëllim, dhe horizontet e ndryshme kohore për të cilat këto hendeke do të pritet të mbyllen”, tha Powell, duke shkaktuar një shitje të madhe aksionesh në tregjet e SHBA-së.

    Të dhënat e publikuara nga agjencia e BE-së, Eurostat, treguan se inflacioni në zonën e euros u rrit me 2.2% në mars, krahasuar me 2.3% në shkurt. Një masë e inflacionit bazë, që përjashton artikujt e paqëndrueshëm si benzina dhe ushqimi, ra nga 2.6% në 2.4% gjatë të njëjtës periudhë.

  • Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, nëse s’mund të formojë Qeverinë – të lëshojë rrugë

    Haradinaj: Kurti po e mban peng Kosovën, nëse s’mund të formojë Qeverinë – të lëshojë rrugë

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar ashpër pas ndërprerjes së sërishme të seancës konstituive të Kuvendit, duke e akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti për bllokim të qëllimshëm institucional, raporton ATV.

    Në një postim në Facebook, Haradinaj ka thënë se politikat e Kurtit janë bllokuese, shantazhuese dhe uzurpuese, dhe se veprimi i sotëm në Kuvend është dëshmi e qartë e kësaj qasjeje.

    “Pezullimi i seancës në mënyrë arbitrare, edhe pse ishin numrat për vazhdim, e shfaq edhe një herë qartë se kush janë këta njerëz që e mbajnë peng Kosovën tash e më shumë se katër vjet”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai ka kërkuar nga Kurti që të japë dorëheqje nëse nuk arrin të formojë institucionet, duke theksuar se Kosova nuk mund të jetë peng i një qeverisjeje që nuk ka shumicën.

    “Është fare e thjeshtë: Dorëhiqu – nuk mundesh t’i kesh dy pozita. Propozojeni dhe formojeni kryesinë e Kuvendit. Formo Qeverinë. Nëse nuk mundesh – ik, lësho rrugë,” ka thënë Haradinaj, duke paralajmëruar se pushteti do t’i rikthehet sovranit nëse situata nuk zgjidhet. /atvlive.tv