ATV

Category: Lajme

  • Bajrami: As kërkim falja nuk ndikon që LDK të bashkëpunojë me VV-në

    Bajrami: As kërkim falja nuk ndikon që LDK të bashkëpunojë me VV-në

    Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se LVV duhet që të ndryshojë sjelljen që dikush nga partitë politike të bashkëpunojë me ta.

    Bajrami ka thënë se as kërkim falja nuk ndikon që LDK të bashkëpunojë me LVV-në.

    “LVV duhet me reflektu, duhet më i ndryshu sjelljet politike për me u bë dikush më ta… Jo, nuk mjafton as kërkim falja, në ketë moment ata edhe me dal me kërku falje, ne nuk jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ta. Duhet më ndryshu, kjo nuk ka qenë sjellje e tyre vetëm me oponentët partiak të partive opozitare, merreni dhe shiheni raportin e tyre me mediat, bizneset. ..”, ka thënë ajo në Tëvë1.

    Bajrami ka thënë se LDK është e gatshme për zgjedhje të reja dhe se LVV do të pësojë rënie.

    “Ne më së shumti jemi të gatshëm për zgjedhje … për një parti që e ka pranuar rezultatin, situata më e volitshme është për me shku në zgjedhje… Ne zgjedhje shkojmë atëherë kur bëhet e qartë se kush po na dërgon në zgjedhje dhe ata që po na dërgojnë në zgjedhje… Ata që ia kanë dhënë 48 deputetë z.Kurtit nuk do t’ia japin më. Do të pësojë rënie’, ka deklaruar ajo.

  • Sot takimi mes Ukrainës e Perëndimit në Londër, diplomatët s’presin progres të madh

    Sot takimi mes Ukrainës e Perëndimit në Londër, diplomatët s’presin progres të madh

    Zyrtarë amerikanë, ukrainas e evropianë takohen të mërkurën në Londër për të diskutuar rreth përfundimit të luftës së Rusisë ndaj Kievit pas paralajmërimeve të presidentit Donald Trump se Uashingtoni mund të tërhiqet nga roli i ndërmjetësit, nëse nuk ka përparim drejt një marrëveshjeje të paqes së shpejti.

    Emisari amerikan për Ukrainën, Keith Kellogg, do të marrë pjesë në bisedimet e së mërkurës në Britani, por sekretari i Shtetit, Marco Rubio, nuk do të jetë më aty, tha të martën zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, disa orë pasi kishte konfirmuar në televizionin “Fox News” se kryediplomati amerikan do të merrte pjesë në këto diskutime, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

    Ishte e paqartë nëse mungesa e Rubios nënkupton që Shtetet e Bashkuara i kanë ulur pritshmëritë nga këto bisedime, pasi Trumpi tha të dielën se shpreson që Moska e Kievi të arrijnë një marrëveshje këtë javë për përfundimin e luftës.

    “Topi është në fushën e Rusisë… Ne qartazi i përkrahim përpjekjet e presidentit Trump për të sjellë paqe dhe thirrjet e Ukrainës që Rusia të zotohet për një armëpushim të plotë” – tha një zëdhënës i kryeministrit britanik, Keir Starmer.

    Emisari i posaçëm i Trumpit, Steve Witkoff, nuk do të jetë pjesë e bisedimeve në Londër, por, si pjesë e diplomacisë paralele të Uashingtonit me Moskën, ai do të takohet këtë javë në Rusi me presidentin rus, Vladimir Putin, tha Shtëpia e Bardhë.

    Takimi në Londër është pasues i një organizimi të ngjashëm që ndodhi në Paris javën e kaluar, ku zyrtarë amerikanë, ukrainas e evropianë diskutuan për mënyrat e arritjes së paqes.

    Objektivi në diskutimet e javës së kaluar ishte që amerikanët, evropianët dhe ukrainasit të formulonin një pozicion të përbashkët duke u munduar që ta vendosnin Uashingtonin më afër pozicionit evropian e ukrainas, thanë diplomatët evropianë.

    Rubia tha javën e kaluar se një kornizë e Shteteve të Bashkuara, të cilën e propozuan në Paris ai dhe emisari Witkoff, mori pranim inkurajues. Megjithatë, burimet thanë se në mesin e propozimeve të ShBA-së ishte njohja e aneksimit ilegal të Krimesë nga Rusia, veprim i papranueshëm për Evropën e Ukrainën.

  • Bajqinovci: Nuk kemi në plan ta ndryshojmë kandidaten për kryeparlamentare

    Bajqinovci: Nuk kemi në plan ta ndryshojmë kandidaten për kryeparlamentare

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka konfirmuar sot se partia e tij nuk ka në plan të ndryshojë kandidaten për postin e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, pavarësisht nga dështimet e mëparshme për zgjedhjen e saj.

    “Jo, jo nuk e ndryshojmë kandidaten. Mbetet Albulena Haxhiu përsëri,” u shpreh shkurt Bajqinovci për FrontOnline, duke e bërë të qartë qëndrimin e Vetëvendosjes për të vazhduar me kandidaturën e Haxhiut.

  • ​Moti sot i vranët dhe me shi

    ​Moti sot i vranët dhe me shi

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell.

    Sipas institutit vranësirat parashihen të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh, përcjell KP.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 6-9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-24 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtimi i juglindjes me shpejtësi 1-8/m/s”, përfundon njoftimi.

  • Presidentja Osmani në Finlandë me ftesë të Presidentit Stubb

    Presidentja Osmani në Finlandë me ftesë të Presidentit Stubb

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb.

    Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Stubb do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki.

    Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it.

    Presidentja Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, znj. Elina Valtonen.

    Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, gjatë qëndrimit në Finlandë, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.

  • Seanca konstituive, a do t’i ketë VV-ja sot votat?

    Seanca konstituive, a do t’i ketë VV-ja sot votat?

    Me fillim nga ora 10:00 pritet të vazhdojë sot seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

    Punimet kanë ngelur tek pika e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.

    Në dy tentimet e para, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për këtë pozitë, Albulena Haxhiu, nuk i mori votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen më të rëndësishme të legjislativit.

    E në herën e tretë, propozimi nuk u hodh fare në votim, pasi që ish-kryetari Glauk Konjufca, kërkoi kohë për gjetjen e një zgjidhje për dalje nga kjo situatë, e me këtë rast kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nga LVV-ja e ndërpreu seancën për të vazhduar sot.

    Mbetet të shihet nëse partia e cila i ka fituar zgjedhjet do ta ketë numrin magjik “61”.

    Derisa, partitë e tjera, PDK, LDK e AAK, nuk pritet të ndryshojnë qëndrim lidhur me këtë temë.

    Subjektet që deri dje ishin në opozitë, deklaruan se nuk do të ketë votë për kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

  • Trump sinjalizon ulje të tarifave për Kinën, por jo heqje totale

    Trump sinjalizon ulje të tarifave për Kinën, por jo heqje totale

    Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar një ndryshim të mundshëm të kursit në luftën e tij tregtare me Kinën, duke deklaruar se tarifat e larta për mallrat kineze “do të ulen ndjeshëm, por nuk do të jenë zero”.

    Deklarata u bë gjatë një ngjarjeje në Shtëpinë e Bardhë, ku Trump tregoi një ton më të butë pas javësh tensioni dhe përshkallëzimi të konfliktit tregtar, që kishte çuar tarifat mbi produktet kineze në mbi 145%.

    “145% është shumë. Nuk do të jetë aq e lartë. Do të ulet ndjeshëm, por nuk do të jetë zero”, tha Trump në një seancë pyetje-përgjigje me gazetarët në Zyrën Ovale.

    Komentet e tij erdhën në përgjigje të një deklarate të mëparshme nga Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, i cili në një konferencë për investime të organizuar nga JP Morgan Chase, kishte vlerësuar se lufta tregtare ishte bërë e paqëndrueshme dhe kishte “embarguar efektivisht tregtinë” mes dy ekonomive më të mëdha në botë.

    Bessent parashikoi një de-përshkallëzim të afërt dhe theksoi se synimi nuk është shkëputja, por një ribalancim i marrëdhënieve tregtare mes dy vendeve. Këto deklarata sollën një rritje të ndjeshme në bursat amerikane, me të tre indekset kryesore që prekën nivelet më të larta të ditës. Edhe tregjet aziatike reflektuan optimizëm, me Indeksin Hang Seng që u rrit me 2.5%, Nikkei 225 me 2%, dhe Kospi me 1.5%.

    Përshkallëzimi dhe kundërpërgjigjet kineze

    Lufta tregtare ka parë një valë të re tarifash dhe masash hakmarrëse nga të dyja palët. SHBA ka vendosur tarifa rekord ndaj importeve kineze, ndërsa Kina ka rritur tarifat për mallrat amerikane deri në 125%, ka futur më shumë kompani në listën e subjekteve të padëshirueshme dhe ka vendosur kufizime për eksportin e mineraleve kritike.

    Pekini ka goditur gjithashtu sektorë simbolikë amerikanë, si industria e filmit dhe ajo e aviacionit. Janë kufizuar filmat e Hollivudit në kinema kineze dhe janë kthyer në SHBA dy avionë Boeing që ishin destinuar për linjat ajrore kineze.

    Marrëdhënie personale dhe sfondi diplomatik

    Përkundër tensioneve, Trump ka theksuar vazhdimisht marrëdhënien e tij personale me Presidentin kinez Xi Jinping. “Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Xi,” tha ai, duke shtuar se shpreson për një marrëveshje të mundshme.

    Kur u pyet nëse SHBA do të ndiqte një qëndrim të ashpër për të detyruar Kinën të negociojë, apo nëse do të përmendej pandemia e Covid-19 në diskutime, Trump u përgjigj: “Jo, ne do të jemi shumë të mirë. Ata do të jenë shumë të mirë dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë.”

    Nga ana tjetër, Kina ka bërë të qartë se është e hapur për negociata, por vetëm nëse ato zhvillohen mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe reciprocitetit. Një burim i afërt me qeverinë kineze konfirmoi se Pekini ka qenë i gatshëm për dialog, por është ndjerë i paqartë për kanalet e duhura të komunikimit nga pala amerikane.

    Në mënyrë të veçantë, reagime të ashpra kanë ardhur pas disa komenteve të zyrtarëve amerikanë, përfshirë nënpresidentin JD Vance, i cili u kritikua nga Kina për deklarata fyese që nxitën zemërim në rrjetet sociale kineze.

  • Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve – sot në Hagë mbahet konferenca për ecurinë e çështjes

    Sot në ora 10:00, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, mbahet konferenca e parë pas përfundimit të fazës së Prokurorisë në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka përmbyllur paraqitjen e provave më 15 prill 2025, dhe tashmë mbrojtja ka paralajmëruar mocione për rrëzimin e një ose më shumë pikave të aktakuzës.

    Në konferencën e sotme do të diskutohet për hapat e ardhshëm procedural, ndërsa avokatët e të akuzuarve kanë njoftuar se planifikojnë të paraqesin dëshmitarët e tyre, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të merret vendimi për mocionet për rrëzimin e akuzave.

    Kujtojmë se në deklarimet e tyre të para, të bërë në vitin 2020, Thaçi, Veseli, Selimi e Krasniqi janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat që u janë ngritur.

  • Xharra: Kemi policë me uniformë që të premteve falen në xhamitë e imamëve kontrovers

    Xharra: Kemi policë me uniformë që të premteve falen në xhamitë e imamëve kontrovers

    Gazetarja Arbana Xharra, përmes një lidhjeje Skype nga SHBA në emisionin CONTEXT në ATV, tha se një pjesë e strukturave shtetërore në Kosovë kanë lidhje me rryma radikale, ndërsa institucionet po qëndrojnë në heshtje.

    Sipas Xharrës, disa pjesëtarë të policisë dhe prokurorisë frekuentojnë xhami të udhëhequra nga imamë të dënuar më parë për thirrje radikale, ndërkohë që mungon reagimi institucional.

    “Ne kemi policë me uniformë që shkojnë të premteve në xhamitë e imamëve kontrovers. Ne kemi prokurorë që të premteve nuk mbajnë seancë, shkojnë dhe i përcjellin këta imamë që kanë bërë thirrje të shkohet në Siri, që kanë kontribuar me rritjen që kemi pasur – numrin më të madh për kokë banori të pjesëmarrësve në luftën e Sirisë”, tha Xharra.

    Ajo tha se rrjetet ekstremiste janë të përhapura në disa komuna të Kosovës dhe kanë lidhje me grupe në rajon, por mungojnë hetimet serioze.

    “Ka një rrjet të këtyre të përbashkët, sepse kur kam nisur të punojë në këtë temë, kanë qenë të lidhur disa komuna të Kosovës me Maqedoninë dhe një pjesë të shqiptarëve në Serbi. A është duke i kontrolluar dikush këta imamë dhe këto organizata? Vitet e fundit askush nuk është marrë me ta, nuk ka pasur ndonjë deklaratë zyrtare, vetëm ndonjë raportim këtu e aty, por jo ndonjë hulumtim i thellë”, u shpreh Xharra.

    Deklaratën e plotë të Arbana Xharrës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Si e morën vesh ky grup se kush është duke i hetuar”, Arbana Xharra thotë se vrasja e policit ishte e organizuar

    “Si e morën vesh ky grup se kush është duke i hetuar”, Arbana Xharra thotë se vrasja e policit ishte e organizuar

    Gazetarja Arbana Xharra, përmes një lidhjeje Skype nga Shtetet e Bashkuara në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vrasja e rreshterit Muhamed Lika ishte një akt i organizuar që ngre dyshime serioze për rrjedhje informacioni nga institucionet e sigurisë.

    Sipas Xharrës, fakti që grupi kishte të dhëna për lëvizjet dhe identitetin e hetuesit, tregon për përfshirje të ndonjë personi nga brenda sistemit.

    “Unë e pashë që ende nuk dihen motivet, mirëpo çka lexova nëpër media, backgroundi i tyre, lidhjet me radikalizëm fetar… mirëpo çka unë personalisht pashë më tepër shqetësuese është se informacionet që ky grup i ka marrë për lëvizjet e këtij polici. Gjithmonë ka qenë shqetësim nëse nuk dihet sigurtë se kush punon brenda këtyre institucioneve”, tha Xharra.

    Ajo shtoi se një organizim i tillë nuk mund të realizohet pa ndihmë nga brenda institucioneve të sigurisë.

    “Çka pashë prej mediave, ka qenë shumë mirë e organizuar dhe ky organizim i kësaj vrasjeje nuk mundet me u ba pa informacione brenda institucioneve të sigurisë. Si e morën vesh ky grup se kush është duke i hetuar, çfarë është duke i hetuar apo cili është polici që është duke i hetuar”, u shpreh Xharra.

    Deklaratën e plotë të Arbana Xharrës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: