ATV

Category: Lajme

  • ​Borxhi i Bullgarisë në 2024 ishte 24.1% e PBB-së, tregojnë të dhënat preliminare

    ​Borxhi i Bullgarisë në 2024 ishte 24.1% e PBB-së, tregojnë të dhënat preliminare

    Borxhi i Qeverisë së Bullgarisë për vitin 2024 arriti në 48.846 miliardë leva (BGN – valutë bullgare), ose 24.1% e PBB-së, sipas të dhënave paraprake mbi deficitin/fazllikun dhe borxhin për sektorin e përgjithshëm qeveritar për vitin 2024, të publikuara të martën nga Instituti Kombëtar i Statistikave (NSI).

    Borxhi i vendit në vitin 2023 ishte 42.383 miliardë leva, që përbënte 23.1% të PBB-së, sipas agjencisë bullgare të lajmeve BTA.

    Në vitin 2024, sektori institucional i Qeverisë së Përgjithshme raportoi një deficit prej 6.158 miliardë leva, ose 3.0% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Deficiti në nënsektorin e Qeverisë Qendrore arriti në 5.277 miliardë leva, ose 2.6% të PBB-së. Një vit më parë ai ishte 3.454 miliardë leva, ose 1.9% e PBB-së, dhe 3.375 miliardë leva, ose 1.8% e PBB-së, përkatësisht, përcjell KosovaPress.

    Nënsektori i Qeverisë Vendore raportoi një deficit prej 810 milionë leva dhe nënsektori i Fon¬deve të Sigurimeve Shoqërore një deficit prej 71 milionë leva. Në vitin 2023, deficiti në nënsektorin e Qeverisë Vendore ishte 201 milionë leva, ndërsa nënsektori i Fondeve të Sigurimeve Shoqërore regjistroi një suficit prej 121 milionë leva.

  • Prokuroria kërkon paraburgim ndaj personit të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    Prokuroria kërkon paraburgim ndaj personit të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare në Prizren

    Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me policinë dje kanë arrestuar të dyshuarin A.H., dhe për të njëjtin ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, raporton KP.

    Sipas Prokurorisë, A.H., ishte arratisur nga Republika e Kosovës që nga viti 2021, dhe ndaj tij kishte urdhër-arrest dhe letër-rreshtim (vendor e ndërkombëtar).

    “I njëjti, është arrestuar për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Sipas kërkesës i pandehuri, A.H., si person zyrtar, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete dhe që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, në atë mënyrë që në cilësinë e analistit kreditor në njërin prej institucioneve Mikro-Financiare në Prizren, në vazhdimësi prej periudhës kohore 06.10.2016 e deri me datë 11.12.2019, duke rregulluar dokumentacionin për aplikim për kredi të dyzet (40) personave/të dëmtuarve, të njëjtëve paraprakisht ua keqpërdor të dhënat personale dhe kundërligjshëm ua përvetëson të hollat, të cilat i kishin marrë përmes kredive, i cili në total, kundërligjshëm dyshohet se ka përvetësuar shumën e të hollave prej 150,660.61€ (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar të dëmtuarve dëme të konsiderueshme pasurore”, thuhet në komunikatë, transmeton KP.

    Sipas prokurorisë, më këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” sipas KPRK-së.

    “Po ashtu, A.H., si person zyrtar, në dokumentin zyrtar shënon të dhëna të rreme, në atë mënyrë që me datë 25.01.2019, në ambientet e institucionit Mikro-Financiar në Prizren, përpilon kontratën për kredi, për shfrytëzuesen e kredisë – të dëmtuarën, pa qenë ajo fare prezente dhe në rubrikën ku figuron nënshkrimi i huamarrëses – në vend të saj shënon me dorën e tij emrin e të dëmtuarës, dhe në vend të bashkëhuamarrëses – të dëmtuarës, po ashtu me dorën e tij e shënon emrin dhe mbiemrin e saj. Me këto veprime, ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar”sipas KPRK-së”, thuhet në komunikatë.

    Siç njofton Prokuroria, “Gjithashtu, A.H., me anë të paraqitjes së rreme të fakteve apo duke i fshehur faktet dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe duke i shkaktuar dëm financiar personave tjerë, i mashtron të njëjtit duke i nxitur që të kryejnë veprime në dëm të pasurisë së tyre, në atë mënyrë që në vend dhe periudhë të njejtë kohore të përshkruar si më lart, dyshohet se ka arritur të përfitojë shumën e të hollave prej 150,660.61 € (Njëqind e pesëdhjetë mijë e gjashtëqind e gjashtëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e një cent), duke u shkaktuar dëme të konsiderueshme pasurore. Në këtë mënyrë, i njëjti ka kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas KPRK-së”.

    Në fund thuhet se Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.

  • Mbyllet restoranti i Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës

    Mbyllet restoranti i Milan Radoiçiqit në veri të Mitrovicës

    Milan Radoiçiq, një biznesmen kontrovers, i cili pas konfliktit të armatosur në Banjskë, u tërhoq nga të gjitha kompanitë në Serbinë qendrore dhe ia la ato Zvonko Veselinoviqit, i dha fund edhe biznesit të tij në Kosovë. Nova raporton se restoranti “Grej”, i cili drejtohej nga bashkëshortja e tij Ema Radoiçiq, është mbyllur zyrtarisht

    Milan Radoiçiq është ende i lirë, edhe pse kundër tij janë duke u zhvilluar procedura penale si në Beograd ashtu edhe në Kosovë për shkak të rastit Banjska dhe vdekjes së katër personave. Ai mori përgjegjësinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator 2023.

    Ndonëse kanë kaluar një vit e gjysmë nga ajo ngjarje, hetimet në Serbinë qendrore po ngecin. Ende nuk ka aktakuzë.

    Në anën tjetër, i është konfiskuar e gjithë pasuria në Kosovë, e vlerësuar në 3.4 milionë euro dhe sipas Agjencisë Kosovare për Menaxhimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, vetëm vila në liqenin e Gazivodës kap vlerën e rreth dy milionë euro.

    Restoranti “Grey”, i cili gjendet në Mitrovicën veriore, kap vlerën e rreth 400 mijë eurove.

    Siç tregojnë të dhënat nga APR, ai është fshirë nga regjistri dhe është mbyllur.

    Milan Radoiçiq tani zyrtarisht nuk zotëron asnjë kompani, pasi ai transferoi aksionet e tij në gjithsej pesë kompani te Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko.

    Në të njëjtën kohë, gruaja e tij doli si investitore në një vilë në Dedinje, ndërtimi i së cilës do të kushtojë rreth 310 milionë dinarë ose 2.65 milionë euro.

    Ajo pronë në bulevardin ‘Princ Aleksandar Karagjorgjeviq’ ishte regjistruar si pronë e përbashkët e Milan Radoiçiqit dhe gruas së tij Ema, por ndërkohë ai ia kaloi asaj pronën. Në afërsi të vilës ndodhet edhe një mur me Ljiljana Bozhoviqin gruan e Zvonko Veselinoviq, Nikola Petroviq – kumbari i Presidentit Aleksandar Vuçiqit.

  • Albulena Haxhiu shkon në Institut të Mjekësisë, thotë se po renovohet për herë të parë që nga 2005’ta

    Albulena Haxhiu shkon në Institut të Mjekësisë, thotë se po renovohet për herë të parë që nga 2005’ta

    Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shpërndarë fotografi nga objekti i Institutit të Mjekësisë Ligjore, i cili është në renovim.

    Ajo ka thënë se renovimi është në vlerë prej rreth 1 milion euro.

    “Sot nga afër përcjellëm punimet e renovimit të objektit të Institutit të Mjekësisë Ligjore. Për herë të parë që nga viti 2005 po bëhen renovimet në objektin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në vlerë prej rreth 1 milion euro. Shpreh mirënjohjen time për secilin që ka kontribuar në jetësimin e këtij projekti madhor dhe aq të rëndësishëm. Renovimi po realizohet në përputhje të plotë me standardet më të larta profesionale dhe teknike, me qëllim të krijimit të kushteve moderne për punë, si dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore në fushën e mjekësisë ligjore.”

  • Nesër konferenca e parë pas paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Nesër konferenca e parë pas paraqitjes së provave nga ZPS-ja në rastin e ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të mërkurën më 23 prill pritet të mbahet konferenca e parë për ecurinë e çështjes pasi që Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka përfunduar paraqitjen e provave në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në këtë konferencë, pritet të diskutohet për hapat procedural pas përfundimit të paraqitjes së provave nga ZPS, pasi edhe mbrojtja ka njoftuar se do të bëjë kërkesë për rrëzimin e një ose më shumë akuzave në aktakuzë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ndryshe, sipas Rregullores së procedurave dhe provës, në varësi të vendimit për këto mocione, mbrojtësi i viktimave do të ketë mundësinë që t’i paraqes provat e veta, të cilën të drejtë ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë.

    Po ashtu, edhe mbrojtja e të akuzuarve ka thënë se planifikojnë që të thërrasin dëshmitarët e tyre, por për siguri do presin vendimin lidhur me mocionet për rrëzimin e akuzave.

    Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

    Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

    Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

    Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

    Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • ​Humb një burrë në Izrael pas sulmit të peshkaqenit

    ​Humb një burrë në Izrael pas sulmit të peshkaqenit

    Një burrë ka humbur pas një sulmi të peshkaqenit në bregun e veriut të Izraelit të hënën, rast i cili po cilësohet si i jashtë të zakonshmes.

    Ngjarja ndodhi në detin e Haderës, rreth 40 km në veri të Tel Avivit, njofton BBC.

    Incidenti u pa nga njerëz në plazhin Olga, të cilët mund të dëgjohen duke bërtitur me befasim në pamjet që janë postuar në mediat sociale.

    Peshkaqenët janë të njohur për t’u grumbulluar aty ku uji i ngrohtë lirohet nga një fabrikë rryme, dhe sidomos në këtë periudhë të vitit, por ata zakonisht janë të padëmshëm.

    Nuk ka pasur sulme fatale të regjistruara të peshkaqenëve në ujërat përreth Izraelit që nga krijimi i vendit në vitin 1948, përcjell KosovaPress.

    Policia ka mbyllur plazhin dhe është duke u zhvilluar një kërkim për njeriun e humbur, shkruan BBC News. Në një video të shpërndarë online, një burrë shihet në distancë, dukshëm disa qindra metra larg nga bregu. Ai shihet duke lëvizur përreth ndërsa njerëzit në plazh bërtasin që ai po sulmohej.

    “Unë isha në ujë, pashë gjak dhe dëgjova britma”, tha një dëshmitar, Eliya Motai, për faqen e lajmeve Ynet.

    “Isha disa metra larg nga bregu”, shtoi ai. “I frikshëm. Kemi qenë këtu edhe dje dhe pamë peshkaqenët që na rrotulloheshin”.

    Peshkaqenët “Dusky” dhe “Sanbar” janë të njohur për t’u grumbulluar në këtë zonë, e cila dominon nga stacioni i energjisë Orot Rabin, më i madhi në Izrael.

    Ata tërhiqen nga uji i ngrohur nga fabrika dhe nga peshqit që barten nga një lumë afër.

    Incidenti i të hënës është vetëm sulmi i katërt i dokumentuar i peshkaqenëve në historinë e Izraelit, sipas YNet.

  • ​Të shtëna me armë zjarri te stacioni i autobusëve në Pejë

    ​Të shtëna me armë zjarri te stacioni i autobusëve në Pejë

    Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mesditën e së martës pranë Stacionit të Autobusëve në Pejë.

    Policia e Kosovës në Pejë konfirmoi për KosovaPress se për rastin që ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”, informatën e kanë pranuar rreth orës 12:20.

    ”Sot rreth orës 12:20 kemi marrë informata për të shtëna me armë zjarri në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’. Menjëherë kemi dalë në vendin e ngjarjes dhe aktualisht jemi në grumbullim të provave dhe informacioneve”, zyrtari për informim në Policinë rajonale të Pejës, Driton Rugova.

    Policia nuk ka dhënë më shumë detaje veçse ka konfirmuar se rasti po hetohet.

  • ​DhTIK: Shkaku i Ligjit të Pronës Publike shumë biznese janë buzë falimentimit

    ​DhTIK: Shkaku i Ligjit të Pronës Publike shumë biznese janë buzë falimentimit

    Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka ngritur alarmin se bizneset e sektorit minerar janë afër falimentimit shkaku i bllokadave të krijuara me hyrjen në fuqi të Ligjit për Pronën Publike.

    Në një konferencë për medie DhTIK bëri thirrje për zhbllokim të situatës politike dhe hapa konkret në drejtim të përmirësimit të gjendjes, raporton KosovaPress.

    Drejtori i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, Kushtrim Ahmeti tha se Ligji për Pronën Publike ka shkaktuar telashe jashtëzakonisht të mëdha duke bllokuar funksionimin edhe të shumë institucioneve.

    “Ligji për Pronën Publike i cili ka shkaktuar telashe jashtëzakonisht të mëdha ka bllokuar shumë institucione në funksionimin e tyre, për shkak se ky ligj ka shkelur ta quajmë ligjet e tjera, ka bllokuar ligje të tjera për të funksionuar dhe ka shkaktuar një bllokadë totale tek një numër i madh i institucioneve në vendin tonë. Janë një numër i madh i kompanive në sektorin minerar dhe jo vetëm të cilat janë bllokuar në pamundësi për të kryer aktivitetin e tyre punues shkaku i mos funksionimit në këtë rast të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe Agjencisë së Pyjeve të Kosovës të cilat janë bllokuar shkaku i futjes së ligjit të Pronës Publike rreth fundit të vitit 2023 dhe që nga ajo kohë e deri më sot numri i këtyre bizneseve po vazhdon të rritet sepse koha po vazhdon dhe nuk ka ndonjë lëvizje të zhbllokohet kjo situatë deri më tani”, theksoi ai.

    Ahmeti tha se përkundër përpjekjeve të Dhomës, nuk ka pas ndonjë lëvizje adekuate në drejtim të përmirësimit të kësaj situate, prandaj përsëri kërkoi që sa më shpejt të ketë formim të institucioneve shtetërore.

    “Nuk ka pas një lëvizje adekuate që do të ndikonte në zhbllokimin e situatës. Kemi dhënë kontribut të madh në aspektin e tri rregulloreve që kanë bërë të mundur formimin e njësisë në kuadër të zyrës së kryeministrit pra njësisë për menaxhimin e pronave publike e cila ka qenë e paraparë edhe me Ligjin për Pronën Publike. Kjo njësi aktualisht nuk është siç duhet e funksionalizuar, i kemi dy ose tre persona që kanë filluar punë aty, sipas ligjit duhet të jenë 10 punëtor… Kemi bërë thirrje gjithë kastës politike që të ulen dhe të gjejnë një zgjidhje që të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, që të gjendet një zgjidhje që të formohet edhe Qeveria e Kosovës sepse çdo vonesë ka humbje të mëdha për bizneset në Kosovë”, u shpreh ai.

    Krijim të institucioneve shtetërore kërkoi edhe Bujar Avdyli jurist i grupit punues për sektorin minerar në kuadër të DhTIK-së, i cili tha se si pasojë e gjendjes së krijuar bizneset e sektorit minerar janë në kolaps total dhe buzë shuarjes.

    “Bizneset në përgjithësi në veçanti që merren me sektorin minerar kanë kohë që e kanë të pamundur vazhdimin e licencave shkaku i mos marrjes së kontratave të qirasë nga Agjencia Pyjore e Kosovës, ky problem ka nisur gati para 1 viti në qershor të vitit të kaluar. Agjencia Pyjore e Kosovës ka marr një vendim që ka pezulluar neni 1 thotë ‘pezullohen të gjitha kërkesat që janë parashtruar nga personat fizik apo juridik për marrje të tokës pyjore me qira apo vazhdim të kontrata aktive’….Shkaku i hyrjes në fuqi të ligjit për Pronën Publike APK e ka pezulluar punën me arsyetimin se ka një kolezion midis ligjit për Pronën Publike dhe ligji për Pyje… Mbi 100 biznese që janë vetëm të sektorit minerar që nuk kanë pas mundësi me vazhdu aktivitetin e tyre me bë vazhdimin e licencës shkaku i mos marrjes së kontratës nga APK-ja…E shohim si bllokadë totale të institucioneve e të vendit tonë bizneset e sektorit minerar dhe veprimtaritë përcjellëse janë në kolaps total pranë shuarjes në tërësi”, tha ai.

    Tafil Shala investitor nga diaspora në sektorin minerar tha se për shkak të situatës së krijuar pas futjes së fuqi të ligjit për Pronë Publike biznesi i tij është buzë falimentimit.

    Ai kërkoi përkrahje nga institucionet qendrore.

    “Kemi disa probleme në ato probleme na janë shfaqur rrugës tani kërkojnë nga institucionet, qeveria të bëjmë diçka të zhbllokoj situata në këtë gjendje që është të na mundësoj të paktëntë zhbllokohemi dhe të zhvillojmë veprimtarinë e të punojmë se përndryshe ne jemi buzë falimentimit. Dhe shpresoj se me mirëkuptim dhe mirësi të janë mirënjohës ndaj neve që kemi ardhur të kontribuojmë dhe sa do pak që investimet tona mos të jenë të bllokuara. Mos të hasim në burokraci në këso procese dhe këso bllokada se përndryshe nuk do të rrimë kështu ”, tha ai.

    Ligji për Pronën Publike ka hyrë në fuqi në dhjetor të vitit 2023./KP

  • ​Romë, ceremonia e varrimit të papa Françeskut caktohet të shtunën

    ​Romë, ceremonia e varrimit të papa Françeskut caktohet të shtunën

    Varrimi i Papa Françeskut do të bëhet të shtunën në bazilikën e Santa Maria Maggiore në Romë, njoftoi sot Vatikani, pas një takimi të kardinalëve.

    Më heret, papa Françesku shprehu dëshirën e tij për t’u varrosur në kishë, një nga vendet e tij të preferuara, dhe jo në Bazilikën më të madhe të Shën Pjetrit, siç ndodh zakonisht, raporton ATSH.

    Liderët globalë pritet të marrin pjesë në funeral.

    Trupi i papa Françeskut është aktualisht i vendosur në një arkivol të hapur në kapelën e bujtinës Santa Marta, ish-rezidenca e tij, ku kardinalët, zyrtarët dhe punonjësit e Vatikanit mund t’i japin lamtumirën e tij, përcjell KP.

    Papa Françesku, i cili ishte 88 vjeç, vdiq dje nga një goditje në tru dhe dështimi i zemrës.

  • ​KDI: Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e obligimeve të Procesit të Berlinit

    ​KDI: Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e obligimeve të Procesit të Berlinit

    Kosova ka bërë përparim të moderuar në zbatimin e Planit të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal të Procesit të Berlinit.

    Kështu thuhet në raportin e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), i cili u publikua të martën.

    Hulumtuesja në KDI, Violeta Haxholli, tha se fokusi i raportit është në fushën e digjitalizimit dhe agjendës së gjelbër, raporton KosovaPress.

    Sipas saj, në kuadër të agjendës së reformave evropiane, Kosova ka bërë përparim në zhvillimin e rrjetit 5G si pjesë e agjendës digjitale 2030, mirëpo shtoi se duhet angazhim më i madh në kuadër të agjendës së gjelbër.

    Si mangësi ajo përmendi mungesën e aftësive digjitale, sidomos në sektorin e arsimit.

    Në anën tjetër, ajo tha se Kosova ka vendosur objektivat për energjinë dhe klimën deri në vitin 2030, ku përfshinë rritjen e pjesës së energjisë së ripërtërishme deri 32 për qind dhe reduktimin e gazrave serë deri në 16.3 për qind.

    “Gjetjet kryesore te pjesa e digjitalizimit mund të them se ka pasur progres në përmirësimin e infrastrukturës dhe konektivitetit. Kosova ka arritur një shtrirje të internetit 100 për qind që e tejkalon edhe mesataren e BE-së. Ky është zhvillimi më pozitiv nga pjesa e digjitalizimit, ndërkaq pjesa e siç kemi marrë obligime dhe që kërkohet nga BE-ja që Kosova të bëjë përpjekje për të zbatuar edhe teknologjinë 5G që është duke zhvilluar por duhet edhe tutje. Hap tjetër pozitiv është miratimi i Strategjisë së Agjendës Digjitale i cili ngërthen shumë aspekte të zhvillimit digjital dhe objektivave që Kosova ia ka vendosur vetës për të arritur tutje në avancim drejt zhvillimit digjital të vendit… Kosova ka vendosur objektivat për energjinë dhe klimën deri në vitin 2030, ku përfshinë rritjen e pjesës së energjisë së ripërtërishme deri 32 për qind dhe reduktimin e gazrave serë deri në 16.3 për qind. Ka miratuar edhe ligje që duhet të vijnë në Kuvend dhe të miratohen sa më parë, po ashtu janë edhe marrëveshje që duhet të ratifikohen në Kuvend”, tha ajo.

    Pjesë e tryezës së diskutimit ishte edhe ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila tha se Procesi i Berlinit është kyç në bashkëpunimin rajonal.

    Ajo tha se Kosova është vendi më proaktiv në rajon kuadër të Procesit të Berlinit, mirëpo vuri në pah destruktivitetin e Serbisë, sidomos në moslejimin e alokimit të kapaciteteve në linjat e transmisionit.

    “Kosova është ndër vendet më aktive dhe proaktive në Procesin e Berlinit. Këtë e kemi parë edhe me ratifikimin shumë të shpejtë të gjitha marrëveshjeve dhe sëfundmi edhe në ratifikimin e njëanshëm të marrëveshjes për lëvizje të lirë me Bosnjë Hercegovinën…Kur është pjesë e proceseve të tilla të bashkëpunimit rajonal nënshkruan marrëveshje të reja, synon thellim të bashkëpunimit. Por nga ana tjetër në realitet, Kosova ka probleme specifike politike që të bëjnë të mos shpresosh shumë edhe për marrëveshjet e reja. Nëse flasim për energjinë një gjë që e kemi përjetuar gjatë gjithë kohës është se në kemi votuar në Proces të Berlinit, nga ana tjetër sot jemi në një situatë kur qe 5 vjet Serbia nuk lejon alokimin e kapaciteteve në linjat e transmisionit. Kjo është një tregti bazike që i kushton qytetarëve të Kosovës me miliona euro”, theksoi Rizvanolli.

    Mes tjerash në raport janë adresuar rekomandime ndaj institucioneve, veçmas në zgjerimin e rrjetit të internetit të lartë në shkolla. Po ashtu të sigurojë burime të mjaftueshme për implementimin e infrastrukturës digjitale./KP/