ATV

Category: Lajme

  • Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Veseli kanë pasur vështirësi që të komunikojnë me familjarët e tyre

    Mbrojtja thotë se Thaçi dhe Veseli kanë pasur vështirësi që të komunikojnë me familjarët e tyre

    Gjatë parashtrimeve në konferencën mbi ecurinë e çështjes, të mërkurën në Hagë, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga avokati Rodney Dixon tha se kërkesa e tyre ka të bëjë me problemin e vazhdueshëm të Veselit për të paktën tre muajt e fundit për të pasur mundësi të komunikojë me fëmijët e tij përmes telefonit. Ngjashëm u ankua edhe mbrojtësi i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq.

    “Zoti Veseli e ka të vështirë që të bisedojë me ta përmes telefonit sepse e ka ndërprerje të vazhdueshme”, tha Dixon.

    Dixon tha se kanë gjetur zgjidhje të ndërmjetme me Zyrën Administrative lidhur me këtë çështje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    “Veseli mban qëndrimin se situata është e paparanueshme dhe kanë ndërhyrë në të drejtat e tij dhe ka pasur ndikim edhe në përgatitjen e çështjes apo provave të mbrojtjes. Për këtë arsye, thjesht donim t’ua sjellim në vëmendje”, tha ai.

    Ndërsa, sa i takon aspektit tjetër që trajtoi Dixon, ishin vizitat në paraburgim, për çka ai tha se këtë problem e kanë edhe ekipet e tjera të mbrojtjes.

    “Ne duam që të sigurojmë që të jemi në gjendje që të kemi njoftim paraprak mjaftueshmërisht për sa i takon konfirmimit të vizitave në mënyrë të tillë që të mos presim deri në momentin e fundit, sepse këto kanë ndikim mbi aspekte të planifikimit dhe ato logjistike”, tha ai, duke shtuar që do ishte mirë që të jepet udhëzim i qartë që konfirmimi i vizitave të jepet sa më shpejtë që është e mundur.

    Gjithashtu edhe Luka Mishetiq, i cili përfaqëson Hashim Thaçi, tha se edhe i mbrojturi i tij përballet me probleme për të komunikuar me familjarët e tij përmes telefonit.

    “Këtë problem e ka edhe zoti Thaçi sa i takon bisedave telefonike me të shoqen dhe djalin e tij”, tha Mishetiq.

    Ai gjithashtu tha se ka pasur problem edhe për t’u takuar dje me Thaçin, ku Zyra Administrative e kishte zgjedhur problemin.

  • Komuna e Prishtinës jep shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

    Komuna e Prishtinës jep shpjegim për kolonat: E kuptojmë plotësisht frustrimin tuaj, dje pati aksidente e punime

    Komuna e Prishtinës sot doli me një njoftim për punimet që po bëhen në disa rrugë të kryeqytetit e që ishin ndër shkaqet e kolonëve të mëdha me të cilat u përballen dje qytetarët.

    Për këtë, Komuna thotë se “e kupton” frustrimin e qytetarëve, por shtoi se për ato kolone ndikuan edhe një numër aksidentesh që ndodhën dje.

    “Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj. Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë”, tha Komuna.

    Komuna tha se “çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional”.

    Postimi i plotë:

    Të dashur qytetarë,

    Dje, hyrjet dhe rrugët e Prishtinës kanë qenë të mbingarkuara dhe e kuptojmë plotësisht frustrimin dhe indinjatën tuaj.

    Me përmirësimin e motit, kemi nisur disa ndërhyrje afatshkurtra rehabilituese në zona të ndryshme të qytetit, për të përmirësuar infrastrukturën rrugore dhe rritur sigurinë për të gjithë:

    ️‍Punimet në rrugë përfshijnë:

    • Rr. Malush Kosova – në proces rehabilitimi, e hapur me pengesa në qarkullim

    • Rr. Don Shtjefën Kurti – e mbyllur për qarkullim

    • Rr. Nimete Progonati – e mbyllur për qarkullim

    • Rr. Agim Ramadani – ndërhyrje për rregullimin e pjesëve të dëmtuara

    ️🚧 Punime në rrjetin e kanalizimit:

    • Në rrugën B/C, ku përkohësisht është mbyllur një korsi në dalje nga rruga B dhe një korsi në hyrje të rrugës C.

    Por njëkohësisht kemi pasur edhe situata të paparashikuara. Nga ora 16:00 e tutje, në kryeqytet janë regjistruar 7 aksidente trafiku, në këto lokacione:

    • Rrethi i Flamurit

    • Rr. Ibrahim Lutfiu

    • Rr. Isa Kastrati

    • Rr. Xheladin Rekaliu

    • Rr. Vicianum

    • Rr. Bill Klinton

    • Rr. Ramiz Cernica

    Të gjitha këto kanë ndikuar në krijimin e ngarkesave dhe vonesave të shumta në qarkullim.

    E kuptojmë shqetësimin tuaj por çdo ndërhyrje që po bëjmë është në shërbim të një Kryeqyteti më të sigurt, më të qetë dhe më funksional.

    Faleminderit për mirëkuptimin dhe durimin tuaj!

  • Osmani në Finlandë: Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin

    Osmani në Finlandë: Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Finlandë, me ftesë të Presidentit finlandez, Alexander Stubb.

    Vizita do të nisë me një ceremoni zyrtare, të organizuar në Pallatin Presidencial në Helsinki, pas së cilës të dy presidentët do të zhvillojnë një takim tête-à-tête, pasuar nga një takim ndërmjet delegacioneve respektive të dy shteteve. Në kuadër të vizitës, Presidenti Stubb do të shtrojë drekë zyrtare për Presidenten Osmani dhe delegacionin e saj në pallatin presidencial në Helsinki.

    Në kuadër të kësaj vizite, Presidentja Osmani do të ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, për kontributin e tyre për paqe e siguri në Kosovë, në kuadër të forcave të NATO-s – misionit të KFOR-it.

    Presidentja Osmani gjatë vizitës në Finlandë do të pritet gjithashtu nga Jussi Halla-aho, kryetar i Parlamentit të Finlandës si dhe nga ministrja për Punë të Jashtme të Finlandës, znj. Elina Valtonen.

    Në kuadër të agjendës, Presidentja Osmani do të mbajë një diskutim në Universitetin e Helsinkit me temën “Vizioni i Kosovës për integrimin evropian, paqen dhe stabilitetin”, ku para studentëve, profesorëve dhe diplomatëve do të shpalosë prioritetet strategjike të Republikës së Kosovës.

    Po ashtu, gjatë qëndrimit në Finlandë, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim me përfaqësues të mërgatës kosovare, për të bashkëbiseduar me ta për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe për të shprehur mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në fuqizimin e vendit.

  • Mocionet për rrëzimin e akuzave: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon afat deri në mes të qershorit

    Mocionet për rrëzimin e akuzave: Mbrojtja e krerëve të UÇK-së kërkon afat deri në mes të qershorit

    Avokatët e krerëve të UÇK-së kanë kërkuar afat deri në mes të qershorit, për të dorëzuar mocionin për rrëzimin e aktakuzës.

    Kështu ka bërë të ditur avokati i Thaçit, Luka Misetiq.

    Ai ka thënë se lënda është e ngarkuar, dhe si rezultat iu duhet kohë shtesë.

  • Tre tërmete të fuqishme godasin Stambollin, më i forti me magnitudë 6.2 sipas shkallës Rihter

    Tre tërmete të fuqishme godasin Stambollin, më i forti me magnitudë 6.2 sipas shkallës Rihter

    Një tërmet me magnitudë 6.2 ka goditur pranë Stambollit të Turqisë, duke shkaktuar dridhje të forta në qytetin më të madh të vendit dhe duke detyruar banorët të braktisin ndërtesat në panik, raporton BBC, përcjell ATV.

    Sipas shërbimeve emergjente turke, tërmeti ndodhi të mërkurën në orën 12:49 sipas kohës lokale (09:49 GMT) dhe u regjistrua në një thellësi prej 6.92 kilometrash.

    Epiqendra e tërmetit ishte në zonën e Silivrisë, rreth 80 kilometra në perëndim të Stambollit. Për momentin nuk ka raportime për viktima apo dëme të mëdha materiale, por autoritetet janë duke vazhduar vlerësimin e situatës në terren.

    Lëkundjet janë ndier gjerësisht edhe në Stamboll, duke shkaktuar frikë te qytetarët, të cilët janë parë duke dalë me shpejtësi nga banesat dhe objektet publike. Autoritetet i kanë bërë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

    Ndërkohë, ekipet e emergjencës po monitorojnë zonat e prekura për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar nëse paraqiten nevoja urgjente.

    Tërmetet janë një fenomen i shpeshtë në Turqi, një vend që ndodhet në një zonë me aktivitet të lartë sizmik. /atvlive.tv

  • Mikrofonët në tokë, mediat reagojnë ndaj heshtjes së vazhdueshme të Kurtit

    Mikrofonët në tokë, mediat reagojnë ndaj heshtjes së vazhdueshme të Kurtit

    Refuzimi i vazhdueshëm i kryetarit të Vetëvendosje, Albin Kurti për t’u prononcuar para gazetarëve, mediat në shenjë revolte vendosin mikrofonat në tokë derisa ai shkon në qeveri, raporton KosovaPress.

    Ka disa ditë që Kurti nuk ndalet për t’iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, kjo veçmas pas caktimit të seancës konstitutive më 15 prill nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativën kanë fituar 48 mandate, për çka si parti e parë, nuk ka vota të mjaftueshme zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.

    Seanca konstituive ka dështtuar sot për të pestën herë me radhë.

    E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë sërish votat për kryetare të Kuvendit, raporton KosovaPress.

    Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.

    Vazhdimi i seancë konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00.

  • Limaj pas ndërprerjes së seancës: Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa institucione

    Limaj pas ndërprerjes së seancës: Kosova nuk e ka luksin të mbetet pa institucione

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, deklaroi se vendi nuk mund të mbetet më gjatë pa institucione funksionale, duke kërkuar nga të gjitha palët të kontribuojnë për tejkalimin e situatës aktuale politike, raporton ATV.

    “Vërtetë është pak një lojë nervash, por gjithmonë konstituimi i institucioneve ka rrugën dhe vështirësitë e veta. Në ditët në vijim, besoj që të gjithë do të angazhohemi të kontribuojmë për të dalë nga kjo situatë. Kosova nuk e ka luksin me mbet pa institucione,” tha Limaj para gazetarëve, duke shtuar se pret përpjekje të përbashkëta për të gjetur zgjidhje.

    I pyetur nëse është takuar me kryeministrin në detyrë Albin Kurti për të diskutuar mundësinë e një kompromisi, Limaj u përgjigj shkurtimisht: “Jo bre, jo, se marova t’u ju thanë. Kush t’më thirrë, takohemi, kam thënë.”

    Seanca e sotme dështoi sërish të çojë në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, ndërsa seanca e radhës është paralajmëruar për të premten në orën 11:00. /atvlive.tv

  • Bajrami: Nesër besoj që do ta dorëzojmë kallëzimin penal ndaj LVV-së, pasi ata kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën

    Bajrami: Nesër besoj që do ta dorëzojmë kallëzimin penal ndaj LVV-së, pasi ata kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të institucioneve, derisa shtoi se deputeti është i lirë të votojë këdo që të dëshirojë, raporton ATV.

    Tutje, ajo para mediave po ashtu tregoi se nesër do të dorëzojnë kallëzimin penal ndaj Vetëvendosjes, pasi sipas saj kanë shkelur Kushtetutën në betimin e deputetëve.

    “Në fakt janë rrethana që nuk po ndryshojnë, ajo që po kërkohet nga LV-ja është që të ndryshoj. Siç e kemi thënë disa deputeti është i lirë dhe nuk i nënshtrohet asnjë mandati detyrues. Nuk jemi të gatshëm që të kemi marrëveshje politike ose për kompromise me Lëvizjen Vetëvendosje. E keni parë se edhe pas betimit si deputetë, atë vazhdojnë të dalin në zyre dhe i kanë marrë peng institucionet e Kosovës, që nënkupton këta e kanë shkelur betimin e deputetit dhe Kushtetutën, pra janë shkelës të vazhdueshëm të kushtetutës, andaj edhe për këtë një grup i juristëve të LDK-së është në finalizim të kallëzimi penal që pritet nesër që ta dorëzojmë”, tha ajo./atvlive.tv/

     

  • Murati i përgjigjet AAK-së: Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt

    Murati i përgjigjet AAK-së: Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt

    Pas ndërprerjes së seancës së pestë konstituive të Kuvendit të Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, i është përgjigjur AAK-së për propozime e kësaj të fundit, duke thënë se propozimi për kryetarin e Kuvendit është kompetencë ekskluzive e partisë fituese të zgjedhjeve, raporton ATV.

    “Propozimi i takon partisë së parë, jo partisë së katërt. Nuk mund të marrim propozime nga AAK-ja”, tha Murati.

    Murati paralajmëroi se hyrja në një cikël të kontestimeve të ndërsjella do ta bllokonte Kuvendin pafundësisht.
    “Nëse nisemi të kontestojmë kandidatët për nënkryetarë të partive tjera, asnjëherë nuk do të konstituohet Kuvendi”, shtoi ai.

    Sipas Muratit, Lëvizja Vetëvendosje nuk ka asnjë interes për të zvarritur procesin dhe se Kuvendi do të ishte konstituuar më 15 prill po të varej vetëm nga partia fituese.

    Seanca e radhës pritet të mbahet të premten, ndërsa konstituimi i Kuvendit dhe zgjedhja e kryetarit mbetet ende e pazgjidhur. /atvlive.tv

  • Murati: Opozita e painteresuar ta konstituojë Kuvendin, po e mban peng vendin

    Murati: Opozita e painteresuar ta konstituojë Kuvendin, po e mban peng vendin

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka kritikuar ashpër partitë opozitare pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, duke i akuzuar se janë të painteresuara për ta çuar vendin përpara, raporton ATV.

    “Jemi dëshmitarë të një tjetër dështimi për konstituimin e Kuvendit. Opozita nuk është e interesuar të marrë pjesë në proces, madje as në konsultime,” tha Murati për gazetarët në hollin e Kuvendit.

    Sipas tij, sjellja e opozitës është paradoksale: “Në njërën anë thonë që duhet marrëveshje, në anën tjetër refuzojnë takimet për t’u arritur ajo marrëveshje.”

    Ai tha se zgjedhja e kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm përgjegjësi e partisë fituese, por një proces që përfshin të gjitha grupet parlamentare si përfaqësuese të qytetarëve. “Kuvendi është shtëpia e pluralizmit demokratik, dhe të gjithë duhet të kontribuojnë në themelimin e tij,” u shpreh Murati, duke shtuar se opozita po e pengon këtë përmes bllokadave dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje.

    Seanca e radhës për tentimin e konstituimit është paraparë të mbahet të premten. Mbetet të shihet nëse palët do të arrijnë marrëveshje për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe për të hapur rrugën drejt formimit të institucioneve të reja. /atvlive.tv