ATV

Category: Lajme

  • Kriptomonedha e Trump shënon rritje 70%, presidenti fton investitorët për darkë

    Kriptomonedha e Trump shënon rritje 70%, presidenti fton investitorët për darkë

    Çmimi i kriptomonedhës së Donald Trump ka shënuar një rritje të ndjeshme pasi presidenti amerikan premtoi organizimin e dy eventeve speciale për investitorët më të mëdhenj të saj, njofton BBC Newsm transmeton KP.

    Faqja zyrtare e monedhës $Trump – një monedhë meme – njofton se 220 zotëruesit më të mëdhenj do të ftohen në një darkë gala private me presidentin më 22 maj, të cilës i referohet si “FTESA më EKSKLUZIVE në botë”.

    Sipas platformës së tregtimit të kriptove Coinbase, vlera e $Trump u rrit me mbi 70% pas njoftimit. Megjithatë, ajo mbetet shumë poshtë rekordit të saj prej mbi 74 dollarësh, të arritur menjëherë pas lançimit në janar.

    Kjo kriptomonedhë është një nga disa iniciativat të lidhura me botën e kriptove të nisura nga biznese të afërta me Trump, i cili e ka cilësuar veten si “presidenti i kriptos”. Përveç darkës gala, që do të zhvillohet në Klubin Nacional të Golfit “Trump” në Washington DC, faqja zyrtare njofton edhe për një “pritje VIP ultra-ekskluzive private me Presidentin” për 25 mbajtësit kryesorë të monedhës.

    Tokenët $Trump në qarkullim kanë aktualisht një vlerë totale rreth 2.5 miliardë dollarë. Ata u lançuan pak ditë para inaugurimit të Trump më 20 janar.

    Kjo lëvizje është kritikuar nga disa figura të industrisë së kriptove, të cilët e kanë quajtur “një show mediatik”. Edhe Zonja e Parë, Melania Trump, lançoi një kriptomonedhë në prag të inaugurimit.

    Meme coin-at përdoren shpesh nga spekulatorët për të gjeneruar fitime ose për të shprehur mbështetje ndaj një personazhi publik apo një momenti në kulturën e internetit.

    Pak pas rikthimit në Shtëpinë e Bardhë këtë vit, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për krijimin e një grupi pune presidencial për të propozuar ligje dhe rregullore të reja për kriptovalutat.

    Ai ka nënshkruar gjithashtu një urdhër për krijimin e një Rezerve Strategjike të Bitcoin-it si dhe një Stok Digjital të Pasurive, që do të përfshijë edhe monedha të tjera digjitale.

    Këto fonde do të furnizohen me kriptomonedha të konfiskuara nga qeveria federale si pjesë e procedurave penale ose civile, shkruan BBC News.

    Këtë javë, kompania mediatike e Trump-it njoftoi planet për lançimin e fondeve të tregtuara në bursë (ETFs).

    Këto produkte financiare, që do të lançohen nga Trump Media & Technology Group – pronari i platformës Truth Social – dhe partnerët e saj, do të përfshijnë pasuri digjitale si dhe aksione me fokus “Made in America”.

    ETF-të janë fonde investimi që mbajnë pasuri të ndryshme dhe mund të blihen e shiten njësoj si aksionet.

  • Mijëra njerëz presin me orë në diell për ta parë kufomën e Papa Françeskut

    Mijëra njerëz presin me orë në diell për ta parë kufomën e Papa Françeskut

    Mijëra njerëz pritën me orë në radhë nën diellin e nxehtë pranveror të mërkurën në Sheshin e Shën Pjetrit për t’ia dhënë respektin e fundit Papa Françeskut, arkivoli i thjeshtë i drunjtë i të cilit është vendosur në altarin kryesor të bazilikës së shekullit XVI, ku do të qëndrojë deri të premten në mbrëmje.

    Papa Françesku vdiq në shtëpinë e tij në Casa Santa Marta të hënën në moshën 88-vjeçare pas një sulmi në tru dhe dështimit të zemrës. Ai ishte duke u shëruar nga pneumonia e dyfishtë, që e kishte lënë në spital për pesë javë, raporton gazeta “The Guardian”.

    Ndryshe nga shumica e paraardhësve, arkivoli i tij, të cilin po e ruajnë dy roja zvicerane, nuk është ngritur në një platformë. Kjo ishte njëra nga rregullat e shfuqizuara nga Papa Françesku, kur vitin e kaluar i kishte thjeshtësuar rregullat për funeralet e papëve.

    Mesha e funeralit të tij do të mbahet të shtunën në mëngjes në Sheshin e Shën Pjetrit, ngjarje në të cilën do të marrin pjesë udhëheqës të ndryshëm botërorë, përfshirë presidentin amerikan, Donald Trump, dhe kryeministrin britanik, Keir Starmer. Papa më pas do të varroset në Bazilikën “Santa Maria Maggiore” në lagjen Esquilino të Romës, duke thyer një traditë të gjatë të Vatikanit.

    Deri të mërkurën në mbrëmje, një zyrtar i Vatikanit tha se gati 20 mijë njerëz, nga të gjitha anët e botës, ishin pjesë e turmës që po priste në radhë, e cila shtrihej përgjatë rrugës që çon në Qytetin e Vatikanit. Shumë prej njerëzve po mbanin çadra për t’u mbrojtur nga dielli.

    Të përgatitur për pritjen e gjatë, një grua e quajtur Abigail dhe familja e saj nga Kalifornia e ShBA-së kishin marrë edhe ushqim me vete. “Presim me qejf aq gjatë sa të nevojitet. Është privilegj të jesh këtu” – tha ajo.

    Edhe pse njerëzit ishin të vetëdijshëm se Papa Françesku ishte i sëmurë seriozisht, disa që po prisnin në radhë për ta respektuar ende e kishin të vështirë ta besonin vdekjen e tij. “Duke e çuditshme që ai nuk është më me ne” – tha Piotr Grzeszkyk nga Polonia./Nacionale

  • Dy të arrestuar në Deçan, u gjet armatim në shtëpinë e tyre

    Dy të arrestuar në Deçan, u gjet armatim në shtëpinë e tyre

    Dy persona u arrestuan në Baballoq të Deçanit.

    Policia më parë gjeti një mori armësh në shtëpinë e tyre.

    Sipas policisë, tri pushkë, një pistoletë, një thikë dhe 12 fishekë u gjetën gjatë një kontrolli në shtëpinë e të dyshuarve.

    Pas marrjes në pyetje, me vendim të prokurorit, të dyshuarit u liruan në procedurë të rregullt.

    Rasti është cilësuar si “Armëmbajtje pa leje”.

  • ​Arrestohen tre persona nën dyshimin për kultivim të narkotikëve

    ​Arrestohen tre persona nën dyshimin për kultivim të narkotikëve

    Policia e Kosovës, ka arrestuar tre persona të dyshuar në rrugën “Ukë Bytyqi”, në Prizren për kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës, bimëve të kanabisit.

    Policia e Kosovës ka bërë me dije se çka është gjetur dhe sekuestruar gjatë kontrollit të dy banesave.

    “Janë arrestuar një mashkull shtetas i R. Shqipërisë, një femër shtetase e R. Shqipërisë dhe një mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit të dy banesave, janë gjetur dhe sekuestruar sasi e narkotikëve të llojit marihuanë, 175 bimë të mbjellura Kanabis Sativa, pajisje përcjellëse të laboratorit për kultivim dhe 6 telefona mobil”, thuhet në njoftimin e policisë.

    Në raportin 24 orësh të policisë, bimët narkotike si dhe pajisjet përcjellëse me urdhër të prokurorit janë shkatërruar, derisa me vendim të prokurorit pas intervistimit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Shoqata e Qumështit e ashpër ndaj VV-së pas thirrjeve për bojkot: Sulm ndaj prodhuesve vendorë

    Shoqata e Qumështit e ashpër ndaj VV-së pas thirrjeve për bojkot: Sulm ndaj prodhuesve vendorë

    Shoqata e Industrisë së Qumështit të Kosovës (SHIQK) ka reaguar me shqetësim dhe keqardhje të thellë ndaj një deklarate të sekretarit organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje!, Alim Rama, ku bëhej thirrje për bojkotim të produkteve të prodhuesve vendorë, duke i stigmatizuar ata në mënyrë të pabazë dhe të papranueshme.

    SHIQK shpreh indinjatën se një përfaqësues politik po nxit linçim ndaj prodhuesve vendorë, të cilët për vite me radhë kanë kontribuar ndjeshëm në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe sigurinë ushqimore të vendit, transmeton klankosova.tv

    “Është e papranueshme që në vitin 2025 të ketë thirrje për bojkot dhe përçarje ndaj sektorëve prodhues, sidomos nga një subjekt politik që ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë pushtet në institucionet publike”, thuhet në reagimin e shoqatës.

    Sipas SHIQK-së, sektori i qumështit përfshin mbi 20 mijë fermerë dhe prodhon mbi 300 mijë litra qumësht në ditë. Bojkoti ndaj këtij sektori konsiderohet si goditje e rëndë ndaj ekonomisë vendore dhe mirëqenies së mijëra familjeve.

    Shoqata shpreh zhgënjimin e thellë për kushtet aktuale, të cilat, siç thuhet në reagim, janë më të pafavorshme për prodhuesit vendorë sesa në vitet pas luftës, duke theksuar se sot, më shumë se kurrë, nevojitet përkrahje institucionale dhe jo mesazhe përçarëse.

    Në fund, SHIQK u bën thirrje drejtuesve të Lëvizjes VETËVENDOSJE të distancohen nga deklaratat e Alim Ramës dhe të marrin masa konkrete për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm të sektorit vendor të prodhimit.

    “Qëndrime të tilla nxisin urrejtje dhe janë në kundërshtim me interesin kombëtar dhe ekonomik të Kosovës”, përfundon reagimi.

  • Krejt çka dihet për plagosjen e mbrëmshme në Emshir

    Krejt çka dihet për plagosjen e mbrëmshme në Emshir

    Mbrëmjen e së mërkurës (23 prill), në lagjen Emshir të Prishtinës, një person mbeti i plagosur nga të shtënat me armë zjarri.

    Lidhur me rastin, policia ka identifikuar një person të dyshuar, bëri të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

    “Rreth orës 21:00 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në rrugën ”Rexhep Krasniqi” në Prishtinë. Nga informacionet e para bëhet e ditur për një person të plagosur, jashtë rrezikut për jetë, i cili po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor në QKUK. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, ka identifikuar një person të dyshuar, si i implikuar në rastin në fjalë, përderisa po vijon punën hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje”, tha Borovci.

    Personi i dyshuar për plagosjen me armë zjarri është identifikuar si Valton Sadiku.

    Sipas të dhënave të deritanishme, ndaj Sadikut janë të hapura disa raste penale, përfshirë incidente me armë zjarri.

    Ai dyshohet gjithashtu për një tentim vrasjeje në një rast të mëparshëm, ndërsa për organet e rendit konsiderohet si person me rrezikshmëri të lartë dhe me prirje të përsëritura kriminale.

    I plagosuri i përket moshës rreth 25-vjeçare, ndërsa i dyshuari sipas policisë gjendet ende në arrati.

    I riu i plagosur është jashtë rrezikut për jetën dhe po mjekohet në QKUK.

  • ​Asamblistët e LVV-së në Prishtinë bojkotojnë seancën për Planin Zhvillimor Komunal

    ​Asamblistët e LVV-së në Prishtinë bojkotojnë seancën për Planin Zhvillimor Komunal

    Lëvizja Vetëvendosje, qendra në Prishtinë ka reaguar ndaj seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal ku pritet të jetë vetëm një pikë e rendit të ditës Pani Zhvillimor Komunal.

    Sipas LVV-së ky është tentimi i radhës për ta kontrabanduar dokumentin kryesor komunal mbi zhvillimin e qytetit, për të cilin ministria e Mjedisit ka konstatuar qartë shkelje të shumta procedurale dhe ligjore, raporton KosovaPress.

    Andaj LVV ka paralajmëruar se grupi i asamblistëve të tyre nuk do të merr pjesë në këtë seancë.

    “Ky draft aktual i PZHK-së, me 28 komente negative nga MMPHI, ndër të tjera parashikon zgjerim të zonave ndërtimore në mënyrë të pakontrolluar, projekton rrugë që kalojnë nëpër toka bujqësore të cilësisë së lartë dhe rrezikon zonat e mbrojtura ujore. Për këtë arsye, Grupi i Asamblistëve të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk do të marrë pjesë në këtë seancë klandestine të thirrur nga kryetari në ikje. Ne refuzojmë të bëhemi pjesë e një procesi joligjor, joprofesional dhe të dëmshëm për Prishtinën”, thuhet në reagimin e LVV-së.

    LVV ka ftuar të gjithë kolegët asambleistë nga të gjitha subjektet politike që ta bojkotojnë këtë mbledhje, dhe të mos e legjitimojnë me praninë e tyre një dokument që rrezikon të kthehet në pasojë për të ardhmen e qytetit.

    “Prishtina ka nevojë dhe do ta ketë një Plan Zhvillimor të ligjshëm, vizionar dhe të ndërtuar mbi interesin publik, e jo plan mbi tavolina të errëta me interesa private e partiake – siç po propozon kryetari të cilit i kanë mbetur vetëm edhe pesë muaj mandat”, thuhet tutje.

    Ndërkaq, sot mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës me pikën e rendit të ditës propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

  • Kuvendi Komunal i Prishtinës mban seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi Komunal i Prishtinës mban seancë të jashtëzakonshme

    Kuvendi Komunal i Prishtinës mbanë sot seancë të jashtëzakonshme.

    Pika e rendit të ditës është propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.

    Seanca pritet të filloj nga ora 10:00.

  • ​Ja si u krijuan Forcat Ajrore Shqiptare para 74 vjetësh

    ​Ja si u krijuan Forcat Ajrore Shqiptare para 74 vjetësh

    Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht më 24 prill 1951.

    Forcat Ajrore Shqiptare janë një nga tri armët e Forcave të Armatosura Shqiptare. Forca Ajrore përbëhet nga Komanda dhe Shtabi i FAj, Baza Ajrore Farkë, Baza Ajrore Kuçovë, Qendra e Vëzhgimit Ajror, Shërbimi Meteorologjik Ushtarak dhe Kompania e Mbështetjes e Faj, raporton KosovaPress.

    Shteti shqiptar bëri përpjekje të shumta për krijimin e armës së aviacionit luftarak, por për arsye politike një gjë e tillë nuk u arrit deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 1945 një grup ish-partizanësh filloi përgatitjen për pilotë luftarakë në shkollën e aviacionit jugosllav.

    Ky grup përbëhej nga Niko Hoxha, Edip Ohri, Fahri Bubësi, Pertef Myftari, Ibish Vokshi, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Masar Aga, etj. pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, grupi e vazhdoi përgatitjen në Bashkimin Sovjetik.

    Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht me 24 prill 1951. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana. Pak vite më vonë, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajiseshin edhe me avionë luftarakë reaktive. Skuadrilja e parë me avionë luftarakë MiG-15Bis, kodi i NATO-s ‘Fagot’ e titulluar “Peza” u krijua në vitin 1955. Kjo skuadrilje u dislokua në aeroportin e Kuçovës.

    Në vitet e mëvonshme, në kuadrin e ndihmës ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajisen edhe me avionë luftarakë të tipave MiG-17, kodi i NATO-s ‘Fresco’ dhe MiG-19, kodi i NATO-s ‘Farmer’, dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez. Avionët luftarakë që erdhën nga Kina kishin marka prodhimi të ndryshme nga ata sovjetikë, por në Forcat Ajrore Shqiptare, ata u njohën gjithmonë me markën sovjetike të prodhimit.

    Në qershor 1957 u krijua regjimenti i parë transportues i pajisur me helikopterë Mi-1 (3 copë), helikopterë të rinj Mi-4 (3 copë) si edhe disa avionë me helikë Yak-18 dhe PO-2. Në vitin 1967 ky regjiment u zgjerua në kapacitet me ardhjen e 30 helikopterëve Mi-4.

    Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avionë MiG-19. Avionët luftarakë MiG-19 ishin ‘shtylla’ e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avionë). Po në të njëjtin aeroport u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A ‘Fishbed C’ të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima.

    Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Gjithashtu, baza ajrore e Gjadrit kishte edhe 2 skuadrilje me avionë F-6S (MiG-19) dhe një skuadrilje me avionë F-5 (MiG-17) si edhe disa avionë mësimorë MiG-15UTI dy-vendesh. Baza ajrore e Gjadrit dallohej nga dy bazat e tjera nga një tunel i nëndheshëm i ndërtuar nën malin e Gjadrit.

    Edhe pse kishte shumë lagështi, ky tunel përbënte një mbrojte ideale kundër sulmeve ajrore armike. Në periudhën 1950-1975, Forcat Ajrore Shqiptare ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë si për sa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte.

    Pilotët shqiptarë dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitjes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës për aftësitë e larta profesionale që tregonin.

    Nuk do të ishte një koment aspak i fryre nëse do të thuhej që ishin Forcat Ajrore Shqiptare që e pajisën Kinën me teknologji radari. Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik furnizoi Forcat Ajrore Shqiptare me 12 avionë luftarakë MiG-19PM, kodi i NATO-s ‘Farmer E’ të pajisur me radarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u miqësua me Kinën. Qeveria kineze i bëri një propozim qeverisë shqiptare që t’i shkëmbenin avionët luftarakë MiG-19PM me një numër më të madh MiG-19S të prodhimit kinez.

    Ky propozim u pranua nga qeveria shqiptare dhe të 12 MiG-19PM u shkëmbyen me avionë më pak të sofistikuar të variantit MiG-19S. Këta avionë nuk ishin të pajisur me radarë dhe mund të fluturonin vetëm ditën në kushte optimale atmosferike.

    Po në vitin 1962, Akademia e Aviacionit u krijua në Vlorë, akademi e cila kishte statusin e shkollës së lartë. Kjo akademi kishte në dispozicionin e saj, avionë mësimore për stërvitjen bazë CJ-6 (Jak-18), avionë luftarakë reaktive MiG-15bis dhe avionë mësimorë dy-vendesh MiG-15UTI. /KP/

  • ​Hashim Thaçi mbush 57 vjet

    ​Hashim Thaçi mbush 57 vjet

    Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot mbush 57 vjet. Edhe kjo datëlindje Thaçin e gjen në Hagë ku po vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.

    Hashim Thaçi, i lindur më 24 prill 1968, është presidenti i pestë i Republikës së Kosovës.

    Ai ishte kryeministri i parë i Kosovës së pavarur, ministër i Jashtëm dhe zëvendëskryeministër në kabinetin e kryesuar nga Isa Mustafa, i cili mori detyrën më 12 dhjetor 2014.

    Thaçi ishte gjithashtu kreu i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

    Ai u ngrit në rend të parë si kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ndërkohë, ai shërbeu gjithashtu si kreu i një qeverie të përkohshme në fund dhe menjëherë pas luftës në vitin 1999.