ATV

Category: Lajme

  • ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    ​Përurohet ura në Rogovë të Hasit, Kurti tregon rëndësinë dhe dimensionet e saj

    Në Rogovë të Hasit sot është përuruar ura e cila lidh trevën e Hasit me rrugën Gjakovë-Prizren. E ndërtimin e kësaj ure e konsideroi lajm të mirë për gjithë hasianët edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti i cili tha se kjo urë kaq e vonuar më në fund u realizua, raportin KosovaPress.

    Kurti tha se brenda një viti janë kryer të gjitha punët për përurimin e urës sot.

    “Në fund të vitit 2023 është nënshkruar dhe në prill 2024 kanë filluar punimet, falënderojmë operatorin ekonomik që ka përfunduar gjithçka brenda një viti dhe ja ku jemi tash në prill të vitit 2025 po e lëshojmë në përdorim këtë urë e cila e ka gjerësinë 10 metra prej tyre 6 metra e gjysmë është për automjete. Në një farë mënyre 2/3 janë për automjete e 1/3 për këmbësorë. gjatësia e gjithmbarshme është rreth 134 metra dhe besoj që kjo ura kaq shumë e vonuar më në fund u realizua dhe është lajm i mirë edhe për juve dhe për të gjithë ata të cilët do të shkojnë e vijnë në Rogovë”, tha ai.

    Ministri në detyrë të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu tha se në këtë urë janë kryer punime profesional.

    Ai pret që komuna e Gjakovës ta mbaj zotimin e dhënë që rruga të zgjerohet.

    “Mbetet që edhe pjesa e rrugës të zgjerohet konform edhe urës që do të jetë me dimensionet e saj dhe që besoj edhe komuna do ta bëjë pjesën e vetë të punës ashtu siç kanë premtuar. Ura i ka pesë fusha nga 25 metra pra 125 metra e ndërtuar me traje dhe kompania ka bërë një punë profesionale dhe kemi qenë në përcjellje të këtyre punime”, tha ai.

    Zëvendësministri në detyrë i MPHI-së, Hysen Durmishi tha se tashmë kjo urë e cila ka qenë e ngushtë tani është e ndërtuar sipas kritereve regjionale.

    “Kemi pas shqetësime të banorëve për rregullimin e kësaj ure dhe ka qenë disa vite në buxhet dhe komuna nuk ka bërë veprime. Prandaj, ne si ministri jemi detyruar që ta marrin përsipër ndërtimin e kësaj urë vetë. Në fillim ekipet profesionale kemi diskutuar këtu se si ta bëjmë një zgjidhje më të shpejtë pasi kjo ura është e frekuentuar. Kemi menduar në fillim ta bëjmë sanimin e urës me disa shtylla pa e prishur urën dhe në fund konkluzioni ka qenë që duhet të prishet ura pasi që duhet ndërtuar edhe trotuaret. Ju e dini qe ka qenë urë e ngushtë dhe tani i plotëson të gjithë kriteret regjionale edhe pse rruga është lokale”, tha ai.

    Rindërtimit të kësaj ure që lidh Rogovën me pjesë tjera të Kosovës i janë gëzuar shumë edhe banorët e kësaj ane.

    Gëzim Thaçi tha se kjo urë është dashur të bëhej edhe më herët, por edhe tani që përfundoi do iu shërbej 60 mijë banorëve të kësaj ane.

    “Është shumë e rëndësishme se i ka 60 mijë banorë që kalojnë mbi këtë urë. Kjo është dashur të bëhet edhe më herët u vonua pak, por mirë pasi u krye”, tha ai.

    Të rëndësishme urë për gjithë trevën e sheh edhe Baki Gashi i cili ka ardhur nga diaspora.

    “E rëndësishme është shumë për neve… për fshatin tonë dhe gjithë trevën është shumë e rëndësishme”, tha ai. /KP

  • Fetoshi për vizitën e patriarkut serb në Moskë: I dërguar special i Vuçiqit

    Fetoshi për vizitën e patriarkut serb në Moskë: I dërguar special i Vuçiqit

    Kisha në Serbi dhe ajo në Rusi janë pjesë e një strukture politike me qëllime hegjemoniste, thotë drejtori i Institutit për Studime të Luftës Hibride “Octopus”, Arben Fetoshi. Kjo sipas tij konfirmohet edhe me takimin e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe me presidentin rus Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij disa ditore në Moskë.

    “Ai [Porfirije] atje më tepër ka shërbyer si një i dërguar special i Vuçiqit”, thotë Fetoshi.

    Në një intervistë për KosovaPress, Fetoshi thekson se deklaratat e kreut të kishës serbe nuk kanë të bëjnë me vlerat e krishtera dhe angazhimet që nënkupton roli i tij si udhëheqës fetar.

    Gjatë takimit Porfirije, ndër të tjera, i ka thënë Putinit se “ju e dini shumë mirë se pa mbështetjen tuaj dhe mbështetjen e Kinës, nuk e di se çfarë do të kishte ndodhur me Kosovën”.

    Veprime të tilla, sipas Fetoshit, tregojnë aktivitetin e luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës në nivelin diplomatik që ndërlidhet me rolin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës.

    “Deklarata të pritshme ndonëse absolutisht të papranueshme dhe brutale nga një udhëheqës fetar [të patriarkut Porfirije]. Por, ajo që instituti Octopus e ka thënë në vazhdimësi ndërlidhet me konstatimin që kisha edhe në Serbi edhe në Rusi ka qenë pjesë e një super strukture politike për qëllime hegjemoniste. Këtë e konfirmon edhe vizita e fundit e patriarkut të kishës serbe në Moskë dhe takimi i tij me Putinin. E konfirmon fakti që deklaratat e tij nuk kanë lidhje me vlerat e krishtera dhe angazhimet që nënkupton roli i tij si udhëheqës fetar. Por, ai atje më tepër ka shërbyer si një i dërguar special i Vuçiqit, për t’i përcjellur përshëndetjet e Vuçiqit për Putinin. Për ta njoftuar Putinin që Vuçiq më 9 maj do të jetë në paradën e fitores në Moskë. Kjo tregon gjithë aktivitetin e luftës hibride të Serbisë kundër Kosovës në nivelin diplomatik që ndërlidhet me rolin e Rusisë dhe Kinës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për ta penguar konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si vend anëtar i OKB-së”, thotë Fetoshi.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë se më 9 maj do të jetë në Moskë dhe do të takohet me Putinin.

    Ky do të ishte takimi i parë i tyre prej kur Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në vitin 2022.

    Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, pavarësisht thirrjeve nga Bashkimi Evropian.

    Fetoshi thotë se angazhimi i vazhdueshëm i kishës si entitet i rëndësishëm konsiston në dezinformimin, propagandën e narrativat mashtruese që kanë për qëllim përforcimin e sentimenteve antiperëndimore dhe “mobilizimin shpirtëror të qytetarëve serb për agjendat politike hegjemoniste të Serbisë”.

    “Është një prej segmenteve të strategjisë hibride të Serbisë kundër Kosovës e cila ka për qëllim që ta portretojë Kosovën si shtet diskriminues ndaj pakicës serbe, e cila në vazhdimësi përpiqet që nëpërmjet modelit darvo të ndërrojë rolin mes viktimës dhe agresorit. Krejt kjo strategji propagandistike e ka pikënisjen, ndonëse që nga përfundimi i luftës në Kosovë, në veçanti ndërlidhet me trazirat e marsit 2004, prej të cilave Serbia ka filluar ta ndërtojë narrativen e saj për pogramin serb. Tashmë kohëve të fundit kemi edhe një segment të ri të kësaj strategjie për ta përfshirë edhe viktimizimin e komunitetit rom në Kosovë. Gjithmonë, duke u përpjekur që ta portetojnë Kosovën si një shtet të dështuar, të cilin e ka pushtuar NATO-ja brenda Serbisë dhe një shtet i cili nuk i respekton të drejtat e njeriut”, potencon Fetoshi.

    Në këtë kontekst, Fetoshi thekson se krahas rolit të kishës, institucioneve të shtetit e bandave terroriste, mediat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm.

    Fetoshi, derisa iu referua propagandës dhe dezinformimit të vazhdueshëm të mediave serbe të kontrolluara nga Vuçiqi, nënvizoi se pengimi i të vërtetës jo vetëm që përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por e pamundëson paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

    “Krahas rolit të kishës, institucioneve të shtetit, bandave terroriste, mediat kanë rol jashtëzakonisht të rëndësishëm. Gjithmonë, nëse e kemi parasysh vlerësimin e organizatave ndërkombëtare për mediat në Serbi, si media të kontrolluara nga Vuçiqi duhet të kuptojnë, ato janë thjeshtë aparat në shërbim të luftës hibride të Serbisë që kanë për qëllim të pengojnë maksimalisht të vërtetën. Dhe pengimi i të vërtetës pa dyshim që jo vetëm përbën kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, por e pamundëson paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e normalizuara ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë”, thekson Fetoshi.

    Pas deklaratave të kreut të kishës serbe, reagoi edhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

    “Presim reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë–Serbi. Heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet – është normalizim i gjuhës së urrejtjes”, shkroi Gërvalla në Facebook.

    Ajo tha se Kosova është e përkushtuar për paqe, dialog dhe bashkëpunim.

    “Ne jemi të gatshëm të punojmë me udhëheqës politikë e fetarë që ndërtojnë ura mes njerëzve, kombeve dhe besimeve. Shpresojmë sinqerisht që një ditë, edhe në krye të Kishës Ortodokse Serbe, të kemi një partner të tillë për të ardhmen”, tha Gërvalla.

  • Presidenti palestinez Abbas i kërkon Hamasit të lirojë pengjet

    Presidenti palestinez Abbas i kërkon Hamasit të lirojë pengjet

    Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas i ka bërë thirrje organizatës islamike Hamas që të lirojë pengjet që po mban.

    Duke folur në një tubim në Ramallah të mërkurën, Abbas tha se përfundimi i luftës në Gaza ishte prioriteti kryesor.

    ”Dorëzoni ata që janë në paraburgim dhe jepini fund kësaj situate”, kërkoi ai.

    Ai më tej tha se Izraeli nuk duhet t’i jepet asnjë pretekst për të vazhduar luftën, duke shtuar se ”qindra palestinezë po vriten çdo ditë në luftën e Gazës”.

    Sipas burimeve izraelite, 24 pengje ende mbahen në Rripin e Gazës, së bashku me trupat e 35 personave të rrëmbyer.

    Izraeli synon të rrisë presionin ndaj Hamasit me sulme të reja në brezin bregdetar për të siguruar lirimin e më shumë pengjeve.

    Abbas gjithashtu i bëri thirrje Hamasit që t’ia dorëzojë kontrollin e Rripit të Gazës Autoritetit Palestinez.

    Megjithatë, Hamasi dhe grupet e tjera ekstremiste deri më tani kanë refuzuar të dorëzojnë armët. Izraeli kundërshton çdo përfshirje të Hamasit në një qeveri të ardhshme në Gaza.

  • ​Sorensen sot në Prishtinë

    ​Sorensen sot në Prishtinë

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, po qëndron sot në Prishtinë.

    Ai pritet të takohet me udhëheqësin e ekipit negociator të Kosovës, Besnik Bislimi.

    KosovaPress mëson se diplomati danez do të qëndrojë vetëm disa orë në Kosovë, në kuadër të një vizite të shkurtër./KP

  • Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Debat i ashpër mes Përparim Ramës e Dardan Sejdiut për PZHK-në

    Ka dështuar në mungesë të kuorumit, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës, ku do të diskutohej Plani Zhvillimor komunal 2025-2033.

    Në seancë nuk kanë shkuar asambleistët e PDK-së dhe të Vetëvendosjes.

    Pas dështimit të seancës, aktivisti Dardan Sejdiu ishte i zëshëm duke i bërë pyetje kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se në cilat lagje dhe me cilat lagje e kanë diskutuar këtë plan.

    “Kjo ka qenë puro politike që vetëm të zhagitet kjo çështje. Pikat që janë përmend aty, janë pika kur ne e kishim hapë këtë diskutim publik. Nuk janë cështje për bllokadë”, tha Rama.

    “Me cilat lagje e keni diskutu këtë plan? Veç keni thënë “lagje” – kurrgjë më shumë”, tha Dardan Sejdiu nga hapësira e gazetarëve.

    Por aty, Përparim Rama e quajti dezinformues Sejdiun, i cili kritikon ashpër që ky plan të diskutohet pak muaj para zgjedhjeve komunale.

    “Në të gjitha lagjet e kryeqytetit kemi pasë diskutime me publik. Ta qesim në miratim, jo sic dezinformon çifti i tij”, tha Përparim Rama.

    Këtë plan rregullativ, po e kundërshtojnë një pjesë e konsiderueshme e shoqërisë civile, për faktin se ata thonë se është bërë në mënyrë jotransparente dhe pa asnjë diskutim publik. Një arsye tjetër pse kritikohet plani, është se ai po vjen pak muaj para zgjedhjeve.

  • Dështoi seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, s’ka kuroum, VV dhe PDK s’morën pjesë

    Dështoi seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, s’ka kuroum, VV dhe PDK s’morën pjesë

    Ka dështuar të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte paraparë të diskutohej propozim-vendimi për lënien në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033, raporton EO.

    Në seancën e cila u thirr të enjten, nuk morën pjesë asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

    “Do të thotë, mbledhja është thirrur për të marrë vendim për diskutim publik të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033. Nuk ka të bëjë me miratimin e planit, por vetëm me hapjen për diskutim publik. Sipas Shërbimit të Kuvendit, nuk kemi pasur kuorum për ta mbajtur mbledhjen, për shkak të mungesës së asamblistëve të VV-së dhe të PDK-së”, deklaroi kryesuesi i Kuvendit, Ajet Brajshori.

  • Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Piculla: Serbia nuk mund të hyjë në BE derisa ta njohë Kosovën

    Deputeti kroat në Parlamentin Evropian dhe raportuesi për Serbinë, Tonino Piculla, ka deklaruar se Serbia nuk do të mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa e njohur pavarësinë e Kosovës dhe pa hequr dorë nga politika e “botës serbe”, transmeton Paparaci.

    Në një intervistë për gazetën kroate “Jutarnji list”, Piculla ka shprehur skepticizëm lidhur me zgjerimin e BE-së deri në vitin 2030, duke theksuar se as Mali i Zi, i cili ka përparuar më së shumti në negociata, nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian deri atëherë.

    “Nuk jam optimist për sa i përket pranimit të anëtarëve të rinj. Sikur nesër të ishte mbajtur një referendum për anëtarësimin e Serbisë në BE, nuk duhet pritur ndonjë rezultat spektakolar”, ka thënë Piculla.

  • 9 të vdekur e 63 të plagosur në Kiev, Trump: Duhet të bëjmë një marrëveshje me Zelenskyn

    9 të vdekur e 63 të plagosur në Kiev, Trump: Duhet të bëjmë një marrëveshje me Zelenskyn

    Bilanci i sulmit ajror rus në Kiev mbrëmjen e kaluar është të paktën 9 të vdekur dhe 63 të plagosur, përfshirë gjashtë fëmijë dhe një grua shtatzënë. 38 persona janë shtruar në spital, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, transmeton KP.

    Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se ka rrëzuar 87 dronë ukrainas mbi rajone ruse dhe Krime. Ndërkohë, në skenën diplomatike po diskutohet një plan paqeje i administratës Trump që parashikon dorëzimin e Krimesë dhe 5 rajoneve lindore Rusisë në këmbim të ndaljes së luftës.

    Trump tha se ka arritur një “marrëveshje me Rusinë” dhe tani kërkon miratimin e Zelenskyt: “Duhet të arrijmë një marrëveshje me Zelenskyn… por deri tani ka qenë më e vështirë”. Ai akuzoi presidentin ukrainas për qëndrim jorealist dhe e paralajmëroi për pasoja shkatërruese nëse nuk pranon kompromisin.

    Në deklaratat e tij, Donald Trump shtoi gjithashtu se “së shpejti do të takohem me Putinin”, shkruan ANSA.

    Një takim i rëndësishëm në Londër, i paralajmëruar me bujë, dështoi pasi përfaqësuesit amerikanë dhe evropianë u tërhoqën në minutën e fundit. Bisedimet u zhvilluan mes përfaqësuesve britanikë, ukrainas, dhe disa këshilltarëve francezë, gjermanë dhe amerikanë, por përfunduan pa rezultat.

    Kievi refuzoi një draft-marrëveshje të përgatitur nga emisari i Trumpit, Steve Witkoff, që përfshinte njohjen e vijave aktuale të frontit dhe koncesione të mëdha ndaj Moskës. SHBA tani e shtyn këtë plan si ultimatum, ndërsa Trump paralajmëron: “Zelensky ose pranon paqen, ose rrezikon të humbasë gjithë vendin”.

    Zëvendëskryeministrja ukrainase Yulia Svyrydenko u shpreh se Ukraina është e gatshme për negociata, por “jo për kapitullim”. BE-ja dhe Franca mbështesin integritetin territorial të Ukrainës dhe ritheksojnë se “Krimea është Ukrainë”.

    Sipas rrjedhjeve mediatike, drafti amerikan përfshin njohjen de facto të pushtimit rus të pjesës më të madhe të Donbasit, pezullimin e sanksioneve, rikthimin e bashkëpunimit ekonomik SHBA-Rusi dhe lënien e Ukrainës jashtë NATO-s. Ukraina do të merrte vetëm garanci të paqarta sigurie nga Evropa dhe ndihmë për rindërtim.

  • ​Kështu përgjigjet Kurti, kur pyetet për Haxhiun

    ​Kështu përgjigjet Kurti, kur pyetet për Haxhiun

    Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga KosovaPress se a do të jetë Albulena Haxhiu përsëri emri i propozuar për kryparlamentare por ai refuzoi të përgjigjet.

    Kurti tha se “ndërtojmë ura, e banorët e Rogovës ndërtojnë tokën”.

    Këto komente ai u bëri pas përurimit të urës në fshatin Rogovë të Hasit.

    “Ne ndërtojmë ura, banorët e Rogovës ndërtojnë tokën, e shiu është për bereqet”, tha ai.

    Po ashtu refuzoi të përgjigjet edhe për kallëzimin penal të paralajmëruar nga LDK-ja.

    E propozuara e LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk ka marrë votat për kryetare të Kuvendit, raporton KP.

    Në tentimin e pestë për t’u zgjedhur kryeparlamentare, Haxhiu mori vetëm 57 vota për nga LVV-ja dhe komunitetet, 46 kundër nga PDK, LDK dhe AAK dhe ndërkaq, tre deputetët e Nisma-s abstenuan.

    Vazhdimi i seancës konstituive pritet të mbahet të premten në orën 10:00.

  • ​Kaçanik: Kapet një 23 vjeçar me kartmonedha të dyshuara false

    ​Kaçanik: Kapet një 23 vjeçar me kartmonedha të dyshuara false

    Është shoqëruar në polici një person për “Falsifikim të parasë” dhe “Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve”

    Sipas policisë, sot rreth orës 03:50 të mëngjesit në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik është ndaluar një veturë e tipit Seat me targa vendore, e drejtuar nga i dyshuari B. R., 23 vjeç, raporton KosovaPress.

    Gjatë kontrollit të kryer nga njësitë policore, tek i dyshuari janë gjetur dhe sekuestruar 27 kartëmonedha prej 100 dollarësh, të gjitha me numër serik të njëjtë, të dyshuara si të falsifikuara.

    Pas intervistimit në stacionin policor në Kaçanik dhe në konsultim me prokurorin kujdestar, është iniciuar rasti “Falsifikim i parasë”.

    “Në vijim të veprimeve hetimore, është realizuar një bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Han të Elezit, ku janë gjetur dhe sekuestruar municion i ndryshëm, mjete të mprehta, një boks hekuri, një shkop bejzbolli si dhe një shkrepëse në formë arme. Për këtë është iniciuar rasti i dytë ‘Mbajtje në pronësi, posedim apo kontroll të paautorizuar të armëve’”, thuhet tutje.