ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani: Kosova dhe Finlanda, aleate në mbrojtjen e vlerave demokratike

    ​Osmani: Kosova dhe Finlanda, aleate në mbrojtjen e vlerave demokratike

    Kosova mbetet një shembull i mundësisë për të ndërtuar një shtet demokratik nga hiri i luftës, me institucione të forta dhe vlera euroatlantike, tha presidentja e vendit, Vjosa Osmani para studentëve të Universitetit të Helsinkit derisa po qëndron në vizitë zyrtare në Finlandë.

    Ajo nderoi kontributin e ish-presidentit finlandez, Martti Ahtisaari dhe popullit të Finlandës në rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë, duke theksuar se “ata qëndruan përkrah në momentet kyçe historike”.

    “Ndër zërat që qëndruan përkrah nesh ishte një nga liderët më të mëdhenj të Finlandës, presidenti Ahtisaari, i cili qëndroi krah për krah me ne ndërsa shkruanim historinë tonë si shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Dhe nuk ishte vetëm ai. Populli i Finlandës qëndroi me ne, duke kuptuar shumë mirë se çfarë do të thotë të luftosh dhe të sakrifikosh për lirinë tënde. Prandaj Kosova gjithmonë do ta nderojë këtë trashëgimi vizionare, sepse siç besonte dhe dëshmoi presidenti Ahtisaari, të gjithë kanë të drejtën të shihen dhe të dëgjohen. Sot, përballemi me shumë nga të njëjtat sfida si çdo demokraci tjetër evropiane. Por Kosova ende qëndron si një fener i asaj që është e mundur. Ajo që është e mundur kur një popull e drejton vështrimin nga e ardhmja. Ne kemi ndërtuar institucione të forta demokratike, një ekonomi të udhëhequr nga të rinjtë dhe një politikë të jashtme të ankoruar fort në vlerat euroatlantike. Kemi treguar se nga hiri i luftës, një popull mund të ngrihet, ashtu siç e dëshmoi dikur edhe Finlanda se qëndrueshmëria është më e fuqishme se shtypja”, tha Osmani.

    Para studentëve, Osmani rikujtoi rrugëtimin e vështirë të Kosovës drejt një shteti të lirë dhe demokratik, të formuar përmes sakrificave dhe rezistencës kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit.

    Vizionin e Kosovës e përshkroi si të lidhur ngushtë me integrimin në BE dhe NATO, si pjesë e një Evrope të bashkuar dhe paqësore.

    “Të qenit këtu në Finlandë më kujton sa shumë kemi të përbashkëta si popuj. Edhe nëse historitë tona janë shkruar në gjuhë të ndryshme, ato janë të lidhura nga aspirata universale: e drejta e çdo kombi, e çdo qytetari për të jetuar në liri dhe dinjitet. Është po kjo aspiratë që e përkufizon historinë e Kosovës dhe që ka frymëzuar gjithmonë vizionin tonë. Një vizion për një Kosovë të integruar plotësisht në Bashkimin Evropian dhe NATO si sisteme të bazuara në vlera. Një Kosovë që kontribuon aktivisht për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin, jo vetëm në rajonin tonë, por në shtëpinë tonë të përbashkët evropiane. Ky rrugëtim drejt lirisë, dinjitetit dhe demokracisë u formësua nga sakrifica afatgjatë, jo nga fati. Ai u farkëtua përmes vuajtjeve të paimagjinueshme gjatë regjimit brutal gjenocidal të Millosheviqit dhe shumë viteve të pushtimit dhe shtypjes. Ai u farkëtua kur fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës u mohuan sistematikisht qasjen në arsim. Kur shkollat dhe universitetet u mbyllën për ne, dhe vetë mësimi e studimi u bënë një akt rezistence. Kjo ishte historia e të gjithëve në Kosovë dhe ishte po ashtu edhe historia ime”, tha Osmani.

    E para e vendit nënvizoi rikthimin e ideologjive agresive dhe theksoi rëndësinë e unitetit dhe angazhimit të përbashkët për një Evropë të lirë dhe paqësore.

    “Sot, ndërsa jemi dëshmitarë të rikthimit të ideologjive agresive, ekspansioniste dhe imperialiste, duhet të riafirmojmë të gjithë angazhimin tonë për një Evropë të lirë dhe në paqe. Kjo është e mundur vetëm nëse vende si Kosova dhe Finlanda vazhdojnë të flasin. Duhet, siç tashmë bëjmë, të ngremë zërin kundër ambicieve gjithnjë në rritje territoriale të Rusisë. Kundër mendësisë së saj gjenocidale dhe kundër përpjekjeve të saj për të destabilizuar arritjet tona demokratike të përbashkëta dhe mënyrën tonë të jetesës. Sigurisht, pikërisht sepse të dyja vendet tona e dinë çmimin e lartë që paguhet për lirinë, kemi qëndruar përkrah Ukrainës që nga dita e parë e agresionit të Rusisë. Por, po aq e rëndësishme sa është të luftojmë ambiciet e Rusisë, është të kuptojmë se ajo përdor edhe shtete proxy për t’i ndjekur ato qëllime. Në rajonin tonë, Rusia po përdor aktivisht Serbinë si një proxy për të minuar gjithçka që ne, bashkë me aleatët tanë, kemi ndërtuar me aq mund dhe gjithçka që vazhdojmë të ndërtojmë çdo ditë”, theksoi Osmani.

    Vizita e Osmani në Helsinki ka nisur të mërkurën më 23 prill. Ajo është pritur me nderime nga homologu i saj finlandez, Alexander Stubb.

    Gjatë këtij takimi, ata diskutuan për forcimin e partneritetit Kosovë-Finlandë dhe avancimin e bashkëpunimit në dobi të qytetarëve të dy vendeve.

    Osmani theksoi se ky angazhim i përbashkët është i rëndësishëm për rrugëtimin euroatlantik të Kosovës./kp

  • Putini mungon në funeralin e Papa Françeskut nga frika e arrestimit

    Putini mungon në funeralin e Papa Françeskut nga frika e arrestimit

    Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të mos marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut në sheshin e Shën Pjetrit në Romë.

    Një nga arsyet kryesore që qëndron pas këtij bojkoti ishte frika nga një arrestim i mundshëm për shkak të urdhrit ndërkombëtar të lëshuar kundër tij nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJNP) në mars të vitit 2023.

    Megjithatë, në praktikë, presidenti rus rrezikonte shumë pak. Ministria italiane e Drejtësisë nuk ka ndërmarrë asnjë hap për të zbatuar urdhrin e gjykatës së Hagës.

    Urdhri i arrestimit ka mbetur i bllokuar në zyrat e Via Arenula dhe nuk i është përcjellë Prokurorisë së Përgjithshme të Romës, një procedurë e nevojshme për ta bërë atë të vlefshëm për ekzekutim. Kjo e ka kthyer dokumentin në një “copë letre” pa efekt ligjor.

    Precedenti i mëparshëm me arrestimin dhe lirimin e gjeneralit libian Osama Najeem Almasri në janar të këtij viti ka rritur më tej dyshimet për moszbatim të qëllimshëm të urdhrave nga Italia. Në atë rast, autoritetet italiane nuk morën një vendim të qartë dhe për pasojë, Almasri u kthye në atdhe me një fluturim zyrtar, megjithë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

    Tani, për këtë rast, ministri italian i Drejtësisë, Carlo Nordio, përballet me një hetim nga gjykata e ministrave – bashkë me Kryeministren Giorgia Meloni dhe disa zyrtarë të tjerë të lartë – për moskryerjen e detyrës zyrtare.

    Një vendim i qëllimshëm politik?

    Sipas raportimeve, bllokimi i urdhrit të GJNP-së ndaj Putinit është një zgjedhje e qëllimshme politike. Qeveria italiane ka deklaruar se shefat e shteteve dhe qeverive gëzojnë imunitet diplomatik për aq kohë sa janë në detyrë – një qëndrim që bie ndesh me interpretimin e Gjykatës së Hagës, e cila nuk e njeh imunitetin për krime lufte, krime kundër njerëzimit apo gjenocid.

    Përveç Putinit, në listën e të kërkuarve të GJNP-së janë edhe disa zyrtarë të lartë rusë, përfshirë Komisioneren për të Drejtat e Fëmijëve Maria Lvova-Belova dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu. Por edhe këto urdhra kanë mbetur të pazbatuar në Itali.

    Akuza të rënda ndaj Putinit

    Presidenti rus akuzohet për deportimin dhe ndalimin e paligjshëm të fëmijëve ukrainas drejt Rusisë – veprime që klasifikohen si krime lufte sipas Statutit të Romës, që themeloi GJNP-në. Për zyrtarët e tjerë, akuzat lidhen me sulme me raketa kundër infrastrukturës civile në Ukrainë gjatë viteve 2022–2023.

    Ndërkohë, Italia vijon të mos i zbatojë kërkesat e Gjykatës Penale Ndërkombëtare, duke rrezikuar përkeqësimin e marrëdhënieve me Hagën dhe reputacionin e saj në arenën ndërkombëtare të drejtësisë.

  • Deklarimi i Sorensenit pas takimit me Bislimin

    Deklarimi i Sorensenit pas takimit me Bislimin

    Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen tha se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij. Pas takimit me kreun e ekipit negociator të Kosovës, zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, diplomati danez tha se do udhëtojë për në Beograd.

    “Sot jam në Prishtinë si pjesë e ushtrimit të mandatit. Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë, dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jam këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd, dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, tha Sorensen.

    Takimi i Sorensenit me Bislimin është zhvilluar në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe ka zgjatur më shumë se një orë./

  • Porfirije në Kremlin: Patriarku serb përkrah “botën ruse”, dënon Perëndimin dhe i përcjell mesazhe Putinit për Kosovën

    Porfirije në Kremlin: Patriarku serb përkrah “botën ruse”, dënon Perëndimin dhe i përcjell mesazhe Putinit për Kosovën

    Dënimi i “revolucionit me ngjyra” dhe “pushteteve perëndimore”, bashkë me dëshirën që Serbia t’i bashkohet botës ruse, ishin mesazhet që kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, ia përcolli presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

    Porfirije, përveç falënderimeve ndaj Putinit për mbështetjen, foli edhe për Kosovën, Republikën Sërpska dhe Malin e Zi, duke thënë se qëndrimi i Serbisë varet nga qëndrimi i Rusisë.

    Gjatë takimit në Kremlin, më 22 prill, ku morën pjesë edhe kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, dhe mitropoliti i Baçkës, Irineji, u fol për dashurinë ndaj Rusisë që është “e ngulitur gjenetikisht në popullin serb” dhe për “punët djallëzore” të Perëndimit.

    Ai ia përcolli Putinit përshëndetjet e Aleksandar Vuçiqit dhe konfirmoi se presidenti i Serbisë do të jetë në Moskë më 9 maj.

    Analisti i politikës së jashtme, Boshko Jakshiq, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se vizita e kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Moskë është “shumë më tepër sesa një gjest”.

    “Konfirmimi i tij se Vuçiqi do të vijë në Moskë nënkupton se ai është takuar me të para se të nisej dhe se, me gjasë, ka marrë udhëzime, kërkesa ose lutje që të ndërhyjë tek Vladimir Putini për ta shpëtuar Vuçiqin nga ajo që ai e quan ‘revolucion me ngjyra’”, tha Jakshiq.

    Ai shtoi se vizita e Vuçiqit në Moskë do të ketë “pasoja serioze për pozicionin gjeostrategjik të vendit”.

    Pavarësisht paralajmërimeve të shpeshta nga Brukseli dhe synimit të deklaruar për anëtarësim në BE, Beogradi vazhdon bashkëpunimin me Moskën dhe refuzon t’i bashkohet sanksioneve kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës.

    Çfarë u tha në Moskë për protestat studentore?

    Kreu i Kishës Ortodokse Serbe përsëriti mesazhet e pushtetit në Beograd, i cili protestat studentore disa mujore – që kërkojnë përgjegjësi për vdekjen e 16 personave në një aksident në Novi Sad – i quan “revolucion me ngjyra”.

    “Shpresoj që ta kalojmë këtë sprovë. Sepse e dimë dhe e ndiejmë se qendrat e pushteteve nga Perëndimi nuk dëshirojnë zhvillimin e identitetit dhe kulturës së popullit serb. Lutjet tona janë gjithmonë me ju dhe shpresoj që Zoti do t’ju ndihmojë”, i tha Porfirije presidentit rus.

    Për “përpjekjet për rrëzim të shtetit”, autoritetet në Serbi fajësojnë shërbime të paemëruara perëndimore, ndërsa nga Moska ka ardhur disa herë mbështetje për t’iu kundërvënë “revolucionit me ngjyra”.

    Me këtë term përshkruhen protestat që rrëzuan regjime autoritare në republikat ish-sovjetike.

    Mbështetje për autoritetet serbe kanë dhënë edhe hetues të Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB).

    Pas akuzave se gjatë protestës masive më 15 mars në Beograd u përdor top zanor, i cili është i ndaluar në protesta, FSB-ja pas një hetimi në Serbi erdhi në përfundim se autoritetet nuk e kishin përdorur atë.

    Në videon e takimit të publikuar në faqen zyrtare të Kremlinit, vetë Putini nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të patriarkut për “revolucionin me ngjyra”, por tha se “e di që situata në Ballkan nuk është e thjeshtë” dhe se Rusia është e vetëdijshme për përpjekjet e kreut të Kishës Ortodokse Serbe për ta “forcuar pozicionin e Serbisë”.

    Teologu Vukashin Milliqeviq vlerëson se gjuha e përdorur nga patriarku tregon se ai nuk shkoi në Moskë si përfaqësues i Kishës Ortodokse Serbe apo popullit serb, por “vetëm si përfaqësues i regjimit”.

    “Ka gjithnjë më shumë zëra brenda vetë kishës që dalin hapur, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe besnikëria ndaj vlerave të krishtera, dhe besoj se vala e ndryshimeve që falë studentëve ka prekur Serbinë, do të prekë edhe Kishën Ortodokse Serbe”, tha Milliqeviq.

    Protestat studentore kanë ndarë zyrtarët e Kishës Serbe.

    Ndërsa drejtuesit e kishës me mesazhet nga Moska dolën hapur në krah të pushtetit, një pjesë e klerikëve të Kishës Ortodokse Serbe mbështeti studentët.

    “Dihet që gjithmonë ka përvëluar ajo përplasja mes krahut konservator dhe atij liberal të kishës. Konservatorët ishin tani në Moskë. Krahu liberal u dëgjua në Munih kur peshkopi Grigorije mbajti fjalimin e mirëseardhjes për studentët që shkuan me biçikleta”, thotë Boshko Jakshiq.

    Vuçiq në vizitën e parë në Moskë që nga pushtimi i Ukrainës

    Presidenti rus deklaroi se Kisha Ortodokse Serbe jep një kontribut të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve mes popullit rus dhe atij serb, duke thënë se ato gjithmonë kanë “karakter të veçantë”.

    “Kjo është, ndër të tjera, sepse na lidhin rrënjë të fuqishme, të thella të përbashkëta shpirtërore. Gjithmonë na vjen mirë t’ju shohim”, tha Putini.

    Ai tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pritet në Moskë më 9 maj në ceremonitë për Ditën e Fitores.

    Porfirije, përmes përshëndetjeve të presidentit serb, konfirmoi se Vuçiq do të jetë më 9 maj në Moskë “pavarësisht rrethanave në Evropë dhe gjetkë”.

    Vizitën e parë në Rusi që nga nisja e agresionit ushtarak të Kremlinit ndaj Ukrainës, presidenti i Serbisë e njoftoi në fillim të marsit, pas një bisede telefonike me Putinin.

    Në deklaratat e mëvonshme, Vuçiq këmbënguli se nuk do ta ndryshojë vendimin për të udhëtuar, pavarësisht se Perëndimi, siç tha, mund të përgjigjet me ndonjë lloj sanksionesh.

    “Është një çështje e madhe nëse Vuçiq me të vërtetë e dëshiron Serbinë në BE, apo dëshiron ta afrojë më shumë me Lindjen dhe nesër të na ofrojë BRIKS-un në vend të Bashkimit Evropian”, thotë analisti Boshko Jakshiq.

    Ai shton se presidenti i Serbisë “do të kishte shmangur kritikat edhe nga Perëndimi edhe nga Lindja” nëse, në vend të udhëtimit në Moskë, do të organizonte kremtimin e Ditës së Fitores mbi fashizmin në Beograd.

    “Por, ai zgjodhi Lindjen”, thotë Jakshiq.

    Si kandidat për anëtarësim në BE, Serbia që nga dhjetori 2021 nuk ka hapur asnjë kapitull negociues.

    Procesi ka ngecur për shkak të refuzimit për të harmonizuar politikën e jashtme me atë të BE-së dhe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.

    Brukseli i kërkon Beogradit edhe përparim në sundimin e ligjit dhe në dialogun me Kosovën.

    “Bota serbe dhe ajo ruse” në sytë e kreut të Kishës Serbe

    Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Kirilli, tha gjatë takimit në Kremlin se dashuria ndaj popullit dhe Kishës ruse është “organikisht e përfshirë në kulturën e Serbisë, në popullin serb”.

    “Disa vende sllave, pa i përmendur, nën ndikimin e fuqive të fuqishme militariste perëndimore, përkohësisht e ndryshuan orientimin, pastaj u penduan, por e ndryshuan. Serbët nuk e kanë ndryshuar kurrë”, tha Kirilli.

    Ai shtoi se ajo që po ndodh me moralin dhe etikën njerëzore në Perëndim është një “punë djallëzore”.

    Pasi Porfirije u pajtua, Kirilli sqaroi se “qëllimi i djallit është që njeriu të humbasë dallimin mes të mirës dhe të keqes”.

    Patriarku Porfirije, i cili foli në rusisht në Kremlin me ndihmën e mitropolitit të Baçkës Irinejit, deklaroi se populli serb e sheh popullin rus si të vetin.

    Ai citoi fjalët e patriarkut të mëparshëm Irinej, i cili thoshte se “barka e vogël serbe, duke lundruar në një det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur pas anijes së madhe ruse”.

    “Qëndrimi ynë për Kosovën, Republikën Serbe dhe Malin e Zi, e konsideroj dhe e ndiej se varet edhe nga qëndrimi i Federatës Ruse në nivel global. Dëshira ime, dhe e shumicës në Kishën tonë, është që në të ardhmen, nëse ndodh një rigrupim i ri gjeopolitik, të jemi pranë atij rrethimi rus, në botën ruse”, tha Porfirije.

    Këtë mesazh e komentoi zyrtarisht edhe Prishtina edhe Podgorica.

    Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, tha se deklaratat e Porfirijes në Moskë cenojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin përçarje në të gjithë rajonin.

    “Fjalët e Porfirijes nuk janë fjalë pa peshë – ato përçojnë një vizion për të kaluarën, jo për të ardhmen. E ardhmja e rajonit nuk ndërtohet mbi nostalgjinë për dominim e konflikt, por mbi respektin dhe bashkëjetesën”, shkroi ajo ne Facebook.

    “Presim reagim të qartë nga Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut Kosovë–Serbi. Heshtja ndaj deklaratave që minojnë paqen dhe nxisin urrejtje nuk është neutralitet — është normalizim i gjuhës së urrejtjes”, shtoi Gërvalla.

    Ministria e Punëve të Jashtme të Malit të Zi i cilësoi deklaratat e patriarkut serb si “të papërshtatshme dhe të papranueshme”.

    Nga ministria u tha se çështjet shtetërore janë ekskluzivisht kompetencë e institucioneve të Malit të Zi, që është shtet laik, anëtar i NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në BE.

    “Porfirije i përcolli Putinit lavde për mbështetjen ndaj Kosovës, Republikës Serbe dhe popullit serb në Mal të Zi, dhe më pas, më duket se hyri drejtpërdrejt në një territor që duhej t’i ishte i ndaluar në një vend nominalisht laik. Ai nuk ishte mesazh i një njeriu të Zotit, por i një njeriu të Vuçiqit”, vlerëson Boshko Jakshiq.

    Teologu Vukashin Milliqeviq mesazhet e kreut të Kishës Serbe në Moskë i cilëson si të papërgjegjshme.

    “Kur bëhet fjalë për mënyrën se si politika e jashtme ruse dhe ndikimi i tyre në përgjithësi reflektohet në rajonin tonë, nuk ka asnjë dyshim se ai është destruktiv, sepse është e qartë që Rusisë i konvenon hapja e sa më shumë pikave të konfliktit”, tha Milliqeviq.

    Parlamenti Evropian në mars 2022 shprehu shqetësimin për “përpjekjet e Kishës Ortodokse në Serbi, Mal të Zi dhe në entitetin e Bosnjë-Hercegovinës, Republika Serbe, për ta promovuar Rusinë si mbrojtëse të vlerave tradicionale familjare dhe për të forcuar lidhjet mes shtetit dhe Kishës”.

    Eurodeputetët e dënuan me një rezolutë përpjekjen e Rusisë për të shfrytëzuar tensionet etnike në Ballkanin Perëndimor “për të nxitur konflikte dhe ndarje mes komuniteteve”. /Radio Evropa e Lirë

  • Estonia planifikon ndërtimin e një bazë të re ushtarake në kufirin me Rusinë

    Estonia planifikon ndërtimin e një bazë të re ushtarake në kufirin me Rusinë

    Estonia planifikon të ndërtojë një bazë ushtarake në qytetin Narva, duke regjistruar lëvizjen e fundit të vendit baltik për të forcuar sigurinë përgjatë kufirit me Rusinë.

    Tallin-i zyrtar aktualisht po kërkon një vendndodhje për bazën e vogël, e cila do të presë disa qindra trupa. Ato mund të përfshijnë gjithashtu forca nga aleatët e NATO-s që kanë trupa me bazë në vend, të tilla si Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të.

    “Duke zhvendosur forcat më afër kufirit me Rusinë, baza e re do t’u dërgojë një sinjal banorëve se shteti estonez ka një prani të fortë”, tha gjeneralmajor Vahur Karus për kompaninë e transmetimit publik ERR në një intervistë radiofonike.

    Estonia ka marrëdhënie të tensionuara me Moskën dhe është një mbështetës i vendosur i luftimit të Ukrainës kundër pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë.

    Vendi baltik ka dyfishuar buxhetin e saj të mbrojtjes vitet e fundit dhe planifikon të forcojë kufirin e saj lindor me qindra bunkerë dhe sisteme anti-drone.

    Narva ka qenë prej kohësh një pikë qendrore e tensioneve me Moskën. Pothuajse shumica e banorëve të saj flasin rusisht, jo estonisht, si gjuhën e tyre amtare dhe shumë prej tyre janë shtetas rusë.

  • Trump: Ulja e tarifave varet nga Pekini

    Trump: Ulja e tarifave varet nga Pekini

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të mërkurën se çdo ulje e tarifave mbi importet kineze do të varet nga veprimet e Pekinit, ndërsa tensionet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë mbeten të larta, sipas agjencisë turke të lajmeve AA, transmeton KosovaPress.

    I pyetur gjatë një takimi në Zyrën Ovale – ku ai nënshkroi urdhra ekzekutive – se sa shpejt dëshironte të ulte tarifat ndaj Kinës, Trump u përgjigj: “Epo, kjo varet prej tyre”.

    Më herët gjatë ditës, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, e përforcoi qëndrimin e Trump në një intervistë për Fox News. “Nuk do të ketë asnjë ulje të njëanshme të tarifave kundër Kinës… Kina duhet të bëjë një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha ajo.

    Trump përsëriti ankesën e tij të kahershme për praktikat tregtare të padrejta. “Ne kemi një vend shumë, shumë të madh që quhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe është grabitur për vite e vite me radhë”, tha ai.

    Ai paralajmëroi se mosarritja e një marrëveshjeje do ta çonte Washingtonin drejt vendosjes së një norme tarifore, e cila sipas tij, mund të përcaktohet së shpejti. “Gjatë dy apo tre javëve të ardhshme, do ta vendosim numrin, dhe do të zgjedhim (një normë), mund të jetë edhe për Kinën”.

    “Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, gjë që është e mundur, atëherë thjesht do ta vendosim çmimin”, shtoi Trump.

    Ai tha se vendet që duan të bëjnë biznes në SHBA duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë të tregtojnë sipas atyre kushteve.

    Më herët, Trump kishte premtuar “një marrëveshje të drejtë me Kinën”, duke pretenduar se marrëdhëniet “dolën jashtë kontrollit” gjatë administratave të mëparshme.

    Deklaratat erdhën në mes të një lufte tregtare në përshkallëzim, ku Trump kohët e fundit rriti tarifat “reciproke” ndaj Kinës nga 84% në 125%, përveç një tarife prej 20% të lidhur me fentanyl-in të vendosur më herët këtë vit, duke e çuar normën efektive në 145% për shumicën e mallrave.

    Disa produkte kineze përballen me norma edhe më të larta për shkak të tarifave shtesë të Seksionit 301 që adresojnë praktikat e padrejta tregtare, me artikuj të caktuar si automjetet elektrike që përballen me deri në 245% detyrime në total.

    Si kundërpërgjigje, Kina ka vendosur tarifa deri në 125% për produktet amerikane dhe ka kufizuar eksportet e mineraleve të rralla tokësore, të domosdoshme për industritë e teknologjisë së lartë.

  • Sorenseni pritet në takim nga Barduani, flasin për situatën e sigurisë në mbarë rajonin

    Sorenseni pritet në takim nga Barduani, flasin për situatën e sigurisë në mbarë rajonin

    Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, priti sot në takim emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Vizita e sotme në Kosovë ishte e dyta në mandatin e Sorensenit, i cili nuk e humbi rastin të shkëmbejë mendime me komandantin e KFOR-it për zhvillimet në situatën e sigurisë në mbarë rajonin.

    Barduanui, sipas një njoftimi në faqen zyrtare të KFOR-it, nënvizoi përpjekjet e KFOR-it për të siguruar një mjedis për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në mbështetje të dialogut të lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ku KFOR-i dhe BE-ja veprojnë në koordinim të përhershëm.

    Barduani po ashtu theksoi përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur të gjitha përpjekjet e Komunitetit Ndërkombëtar, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe stabilitetit rajonal.

  • Murati thotë se Kosova do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë

    Murati thotë se Kosova do të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se Kosova pritet të ketë rritjen më të shpejtë ekonomike në Evropë për vitin 2025, sipas projeksioneve të fundit nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

    Në një postim në rrjete sociale të enjten, Murati theksoi se ky vlerësim pozitiv vjen pas përmbylljes së suksesshme të një programi dyvjeçar reformash të dakorduara me FMN-në.

    Ai ka thënë se gjatë muajit të kaluar ka pritur në Prishtinë dy delegacione të rëndësishme ndërkombëtare, zv. presidentin e Bankës Botërore, Akihiko Nishio, dhe misionin e FMN-së të udhëhequr nga David Amaglobelli.

    Sipas ministrit në detyrë, të dyja institucionet kanë përgëzuar Kosovën për performancën ekonomike dhe për maturinë fiskale që ka treguar në vitet e fundit.

    “Rezultatet e punës së mirë 4-vjeçare mund të mos shihen menjëherë, por herët a vonë do të vërehen”, u shpreh Murati, duke shtuar se Kosova ende nuk e ka arritur potencialin e plotë, por përkundër sfidave do të vazhdojë drejt progresit.

  • Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja Osmani ndan Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ditës së djeshme në Pallatin Presidencial në Helsinki, ka ndarë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës.

    “Dje, në Pallatin Presidencial në Helsinki, kisha nderin ta ndajë Medaljen Presidenciale Ushtarake për Forcat e Armatosura të Finlandës, në shenjë mirënjohjeje për kontributin dhe angazhimin tyre e palodhur në mbështetje të Kosovës, që nga viti 1999, si pjesë e misionit të KFOR-it.

    Paqeruajtësit janë heronjtë që bëjnë të mundur paqen, edhe kur është e vështirë. Faleminderit Finlandës dhe çdo ushtari finlandez për rolin e tyre të pazëvendësueshëm në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit!”, ka shkruar Osmani.

  • ​Kërkohet angazhim më i madh institucional e financiar për të drejtat e komuniteteve

    ​Kërkohet angazhim më i madh institucional e financiar për të drejtat e komuniteteve

    Ne konferencën “avancimi i të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, arritjet dhe sfidat” e organizuar nga zyra për qeverisje të mirë nga zyra e kryeministrit në bashkëpunim me projektin Roma Integration III e Këshillit të Evropës, është folur për sfidat që ky komunitet po has në nivelin institucional.

    Përfaqësuesi i komunitetit rom, Isak Skenderi u shpreh se në nivelin lokal sistemi i informimit është i fragmentuar e mekanizmat e raportimit janë jokonsistent.

    Skenderi tha se në nivelin komunal strategjia është e padukshme.

    Ai shtoi se presin nga niveli lokal e qendror që të mbështeten më shumë financiarisht.

    “Strategjia në vizionin e saj përputhet me disa angazhime më rajonale e ndërkombëtare si korniza e BE-së. Synimi ynë i kësaj strategjie nuk ka ecur me ritmin tonë. Kur bëhet fjalë në nivelin lokal me atë qendror sistemet e informimit janë të fragmentuar, mekanizmat e raportimit janë jokonsistent. Mungojnë në komuna kyçe. Ndonëse disa komuna kanë treguar nisma, vetëm 7 prej tyre kanë miratuar deri në vitin 2023. Strategjia mungon në nivelin lokal dhe është e padukshme. Pritja tani është më e madhe se kurrë që Qeveria e Kosovës me marrë një rol më të rëndësishëm financiar për mbështetje. Ajo çka na duhet një guxim më të madh politik institucional dhe financiar”, u shpreh ai.

    Drejtori i zyrës për qeverisje të mirë nga zyra e kryeministrit, Habit Hajredini tha se si qeveri kanë futur në funksion punësimin në mënyrë praktike të komunitetit rom.

    “Qëllimi i sotëm i kësaj konference është për të diskutuar lidhur me progresin, sfidat që kemi në aspektin e të drejtave të komuniteteve. Ne me këtë vazhdimësi të punës sonë kemi punuar në aspektin e shëndetësisë, arsimit, vendbanimit si dhe komponent tjera tepër të rëndësishme. Ka qenë për vite të tëra një nga sfidat më të mëdha. Kjo nismë që është miratuar e qeverisë ka ardhur nga sektori i shoqërisë civile. Ka futur në lëvizje, funksion dhe ka nxitur punësimin në mënyrë praktike. Fokusi jonë ka qenë i gjatë te sektori i sigurisë, policia, FSK dhe të tjera. Në sektorin e shëndetësisë kemi pasur në fokus kemi një shifër të rritjes të të punësuarve sidomos në Gjakovë në Qendra të Mjekësisë Familjare”, tha Hajredini. /KP