ATV

Category: Lajme

  • ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    ​Bislimi e Sorensen diskutojnë zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit

    Zëvendëskryeministri i parë në detyrë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen.

    Bislimi dhe Sorensen diskutuan rreth zbatimit të marrëveshjeve të nivelit teknik e poashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, raporton KosovaPress.

    Sipas zyrës së kryeministrit ky ishte takimi i dytë mes tyre në Prishtinë, pas atij të mbajtur muajin e kaluar.

    “Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, thuhet në njoftim.

    Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi emisarin Sorensen për takimin e bisedën si dhe bashkëpunimin mes tyre.

    Derisa Sorensen tha se vizita e tij në Kosovë është në kuadër të ushtrimit të mandatit të tij. Pas takimit me kreun e ekipit negociator të Kosovës, zëvendëskryeministrin në detyrë, Besnik Bislimi, diplomati danez tha se do udhëtojë për në Beograd.

  • Të shtunën do të lëshohet alarmi në Prishtinë – Komuna del me njoftim

    Të shtunën do të lëshohet alarmi në Prishtinë – Komuna del me njoftim

    Komuna e Prishtinës ka dal me njoftim se ditën e shtunë më 26 Prill 2025, në orën 12:05, do të bëhet testimi i Sistemit të Alarmit Publik në Kryeqytet.

    Gjatë këtij testimi, do të dëgjohet një alarm me zë të njëtrajtshëm dy herë nga 30 sekonda.

    “Ky është vetëm një test rutinë me qëllim që të verifikohet funksionaliteti dhe efektiviteti i sistemit në rast emergjence.

    Ju falënderojmë për mirëkuptimin” thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.

  • Pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun, rritet prania policore në Sarajevën Lindore

    Pas pengimit të SIPA-s për të arrestuar Dodikun, rritet prania policore në Sarajevën Lindore

    Rreth 20 pjesëtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) të Republikës Sërpska (RS) u vendosën të enjten, më 24 prill, para qendrës administrative të Qeverisë së këtij entiteti në Sarajevën Lindore, një ditë pasi u pengua hyrja e pjesëtarëve të Agjencisë Shtetërore për Hetim dhe Mbrojtje (SIPA) në atë ndërtesë.

    Siç raporton reporteri i Radios Evropa e Lirë (REL), policët po pengojnë qasjen në ndërtesë, para të cilës ndodhet një grup gazetarësh, ndërkohë që nuk ka konfirmim zyrtar nëse presidenti i RS-së, Millorad Dodik, ndodhet brenda saj.

    Protokolli i presidentit të RS-së parashikon që ai të marrë pjesë të enjten në mesditë në hapjen e ndërtesës së Rektoratit të Universitetit në Sarajevën Lindore, dhe më pas do të zhvillojë një takim me udhëheqësit e komunave Palle dhe Sokollac.

    Policët e MPB-së së RS-së të mërkurën në mbrëmje ua ndaluan hyrjen pjesëtarëve të SIPA-s në ndërtesën e Qendrës Administrative në Sarajevën Lindore, në kohën kur Dodiku po zhvillonte një takim me përfaqësues të Qytetit të Sarajevës Lindore.

    Nga SIPA konfirmuan për REL-in se pjesëtarët e kësaj agjencie kishin synuar të vepronin sipas një urdhri të Gjykatës së Bosnjë e Hercegovinës dhe se nuk ka pasur përdorim force.

    Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit dhe kryeministrin e RS-së, Nenad Stevandiq dhe Radovan Vishkoviq, është i dyshuar për sulm ndaj rendit kushtetues, dhe hetimet po zhvillohen nga Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës që nga fundi i vitit të kaluar.

    Në mes të marsit është lëshuar një fletarrestim qendror ndaj tyre në Bosnje e Hercegovinë, pasi ata nuk iu përgjigjën thirrjes së Prokurorisë për t’u paraqitur në një seancë dëgjimore.

    Paraprakisht, Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës i kishte kërkuar Interpolit ta rishikojë vendimin për refuzimin e kërkesës për lëshimin e fletarrestimit të kuq për përfaqësuesit e udhëheqjes së entitetit të RS-së.

    Në fund të shkurtit, Dodiku u dënua në shkallën e parë nga Gjykata e Bosnjë e Hercegovinës me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalim të veprimtarisë politike për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë.

    Një ditë pas aktgjykimit të shkallës së parë ndaj Dodikut, Kuvendi Popullor i RS-së miratoi ligje antikushtetuese për ndalimin e funksionimit të katër institucioneve shtetërore në RS.

  • Vdekja e Papa Françeskut, Shqipëria shpall 26 prillin Ditë Zie Kombëtare

    Vdekja e Papa Françeskut, Shqipëria shpall 26 prillin Ditë Zie Kombëtare

    Shqipëria do të nderojë me një Ditë Zie Kombëtare ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, Papa Françesku. Këshilli i Ministrave ka vendosur që e shtuna, 26 prill 2025, të shpallet ditë zie në shenjë dhimbjeje, respekti dhe mirënjohjeje për kreun e Kishës Katolike.

    Institucionet publike dhe zyrat shtetërore do të respektojnë këtë ditë zie, ndërsa flamujt do të ulen në gjysmështizë.

    Vendimi i plotë i Këshillit të Ministrave:

    “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 4, të nenit 4, të ligjit nr.8926, datë 22.7.2002, “Për formën dhe përmasat e flamurit kombëtar, përmbajtjen e himnit kombëtar, formën dhe përmasat e stemës së Republikës së Shqipërisë dhe mënyrën e përdorimit të tyre”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave

    V E N D O S I:

    1. Shpalljen ditë zie kombëtare ditën e shtunë, datë 26.4.2025, në shenjë dhimbjeje, respekti e mirënjohjeje për Atin e Shenjtë, Papa Françesku, i cili ndërroi jetë pas një sëmundjeje.”

  • Themelorja cakton masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për krime lufte

    Themelorja cakton masën e paraburgimit ndaj tre të pandehurve për krime lufte

    Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale dhe ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin, ndaj të pandehurve B. T., M. I. dhe N. C., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile.

    “Gjyqtari i procedurës paraprake, pas seancës dëgjimore vlerësoj se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit B. T., M. I. dhe N. C, pasi ekziston dyshimi i bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale Krime lufte kundër popullatës civile”, thuhet në njoftim, raporton KosovaPress.

    Gjykata ka konstatuar se ekziston rreziku real dhe i arsyeshëm se nëse të pandehurit ndodhen në liri, mund të arratisen për të shmangur përgjegjësinë penale, të ndikojnë mbi dëshmitarët, përfshirë këtu edhe të dëmtuarit, mund të bashkëpunojnë me bashkëkryerësit e tjerë të përfshirë në këtë rast penal, si dhe mund të përpiqen të zhdukin ose të dëmtojnë provat materiale.

    “Gjykata vlerëson se pesha e veprës penale është e natyrës së rëndë andaj caktimi i masës së paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë rast penal dhe se çdo masë tjetër do të ishte e pamjaftueshme, për zbatimin e suksesshëm të procedurës penale. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftim.

    Gjykata poashtu ka bërë me dije dyshimet e bazuara ndaj të pandehurve:

    “Eekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit B.T. dhe M.I., në cilësinë e personave zyrtar-gardian të Burgut të Prishtinës dhe paraleles në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe në paralelen në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të këtyre burgjeve duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shufra metalike, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i ‘u shkaktuar lëndime trupore. E pandehura N.C., dyshohet se në cilësinë e personit zyrtar-gardiane e Burgut të Prishtinës-Paralelja në Lipjan, gjatë periudhës së konfliktit të armatosur, përkatësisht luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës-Paralelja në Lipjan, në bashkëkryerje edhe me zyrtare tjera të kësaj Paralele, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë konfliktit të armatosur, përkatësisht kohës së luftës, në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurat shqiptare, duke i torturuar në mënyrë ç‘njerëzore me mjete të ndryshme si shkop gome, shqelma e grushte, deri në alivanosje, duke i ‘u shkaktuar lëndime trupore”.

  • OVL e UÇK-së: Sekiraqa dyshohet se ka dëshmuar në Hagë

    OVL e UÇK-së: Sekiraqa dyshohet se ka dëshmuar në Hagë

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka bërë thirrje për hetimin e gjyqtarit Agim Kuçi i cili vitin e kaluar e liroi nga masa e arrestit shtëpiak Enver Sekiraqën.

    Sipas një reagimi publik të organizatës së veteranëve të luftës, Enver Sekiraqa dyshohet se ka dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

    Nga OVL e UÇPK-së, thuhet se, dyshohet se Sekiraqa nga lirimi i tij ka përfituar ‘‘për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’’.

    Tutje, nga OVL kërkohet që të ketë hetim të menjëhershëm ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz, dhe që gjithashtu të qartësohet urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë.

    Komunikata:

    Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës shpreh shqetësimin e thellë dhe indinjatën publike lidhur me veprimet e papërgjegjshme të gjyqtarit Agim Kuçi, i cili mori vendim të njëanshëm për lirimin nga masa e arrestit shtëpiak të Enver Sekiraqës, person i dënuar për nxitje të vrasjes së heroit të policisë, Triumf Riza, dhe me histori të përsëritur të veprave kriminale.

    Vendimi i gjyqtarit Kuçi jo vetëm që bie ndesh me parimet e drejtësisë dhe sigurisë publike, por ka ngritur dyshime serioze se me këtë veprim është lehtësuar ikja e Sekiraqës jashtë Kosovës. Sipas raportimeve të shumta mediatike, ekziston dyshimi se ky individ ka përfituar nga ky vendim i paprecedent për të dhënë dëshmi në Gjykatën Speciale në Hagë, në procese që zhvillohen kundër ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,bashkëluftëtarëve tanë.

    Organizata e Veteranëve të UÇK-së e sheh këtë si një akt të rëndë dhe të qëllimshëm që mund të interpretohet si pjesë e një skenari të mirëkoordinuar kundër luftës sonë çlirimtare dhe vlerave që përfaqëson ajo. Të japësh liri një personi me të kaluar kriminale, i cili më herët ka shkelur masat e arrestit, është jo vetëm papërgjegjësi profesionale, por edhe cenim i drejtësisë dhe sigurisë kombëtare.

    OVL e UÇK-së kërkon hetim të menjëhershëm dhe të plotë ndaj gjyqtarit në fjalë dhe të gjithë atyre që kanë kontribuar në këtë vendim skandaloz. Gjithashtu, kërkojmë nga institucionet përgjegjëse të qartësojnë urgjentisht nëse Enver Sekiraqa ka dëshmuar në Hagë dhe çfarë ndikimi kanë pasur veprimet e tij në proceset që zhvillohen kundër bashkëluftëtarëve tanë.

    Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pastër dhe mbështetur në vullnetin e popullit. Nuk do të lejojmë që ajo të njolloset përmes manovrave të tilla të ulëta që dëmtojnë besimin në drejtësi dhe cenojnë nderin e atyre që luftuan për liri.

    Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së

  • Eskalojnë tensionet: Pakistani e pezullon tregtinë me Indinë, anulon vizat dhe mbyll hapësirën ajrore

    Eskalojnë tensionet: Pakistani e pezullon tregtinë me Indinë, anulon vizat dhe mbyll hapësirën ajrore

    Pakistani të enjten ua anuloi vizat të gjithë shtetasve indianë, e mbylli hapësirën e vet ajrore për të gjitha kompanitë ajrore në pronësi indiane ose të operuara nga India si dhe e pezulloi tërë tregtinë me vendin fqinj, përfshirë edhe atë që kryhet përmes vendeve të treta.

    Masat hakmarrëse vijnë pas vendimit të Indisë për t’ua pezulluar vizat shtetasve pakistanezë pas një sulmi vdekjeprurës nga persona të armatosur në Kashmir, ku u vranë 26 njerëz, kryesisht turistë, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

    Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit ishin të larta të enjten, përderisa New Delhi po zhvillon një ofensivë diplomatike kundër Islamabadit, duke e fajësuar për sulmin në Kashmir. Ky rast bie ndesh me pretendimin e Indisë për qetësi në një rajon të kontestuar, ku kryengritja e përgjakshme kundër pushtetit indian ka qenë duke vazhduar me dekada.

    Sulmi ndaj civilëve e tmerroi Indinë dhe nxiti thirrje për veprim kundër fqinjit rival. Qeveria indiane nuk paraqiti publikisht ndonjë dëshmi që e lidh këtë sulm me Pakistanin, por tha se rasti ka lidhje “matanë kufirit” me Pakistanin. Pakistani ka mohuar se ka ndonjë lidhje me sulmin.

    Përgjegjësinë për këtë sulm e mori një grup që deri më tani ishte i panjohur. Grupi e quan veten Rezistenca e Kashmirit.

    Në një deklaratë të lëshuar të enjten, Ministria e Jashtme e Indisë tha se të gjitha vizat që u janë lëshuar shtetasve pakistanezë do të shfuqizohen me efekt nga dita e diel. Kjo ministri gjithashtu i këshilloi shtetasit indianë që të mos udhëtojnë në Pakistan.

    India dhe Pakistani administrojnë nga një pjesë të Kashmirit, por të dyja vendet pretendojnë se i tërë rajoni është i tyre. India e përshkruan tërë militantizmin në Kashmir si terrorizëm të mbështetur nga Pakistani, i cili mohon një gjë të tillë./Nacionale

  • Nga frika e tërmetit, banorët e Stambollit kaluan natën jashtë

    Nga frika e tërmetit, banorët e Stambollit kaluan natën jashtë

    Disa banorë të Stambollit e kanë kaluar natën jashtë, nga frika e kthimit në shtëpitë e tyre, pas një tërmeti të fortë dhe mbi 180 pasgoditje.

    Emriye Toklu dhe familja e saj kanë fjetur në një tendë në një park pranë shtëpisë së tyre.

    “Ne ishim shumë të frikësuar nga tërmeti. Tepër të frikësuar. Nuk ishim në gjendje të ktheheshim brenda”, ka thënë ajo për Associated Press, duke shtuar se po përpiqej të bindte nipërit e saj të ktheheshin në shtëpi nga frika e goditjeve të mëtejshme, raporton AP.

    Lëkundjet e tërmetit me magnitudë 6.2 që ka goditur të mërkurën kanë krijuar panik në qytetin më të madh të Turqisë, me 16 milionë banorë, ndërkohë që nuk ka pasur raportime për dëme serioze.

    Tërmeti kishte një thellësi prej 10 kilometrash, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, me epiqendrën e tij rreth 40 kilometra në jugperëndim të Stambollit, në Detin Marmara.

    Është ndjerë në disa krahina fqinje.

    Të paktën 236 persona janë trajtuar për lëndimet që kanë pësuar ndërsa përpiqeshin të hidheshin nga ndërtesat ose për sulme paniku. Shumica e të lënduarve ishin në Stamboll, ku banorët mbeten të shqetësuar për shkak se qyteti konsiderohet në rrezik të lartë për një tërmet të madh.

    Nga frika e një tërmeti më të fortë që mund të shkatërronte shtëpitë, banorët kanë kërkuar strehim duke fjetur në veturat e tyre ose duke ngritur tenda në parqe dhe hapësira të tjera të hapura. Shumë prej tyre kishin ndezur zjarre kampi për t’u ngrohur pas uljes së temperaturës.

    Turqia përshkohet nga dy linja të mëdha thyerjeje dhe tërmetet janë të shpeshta.

    Për shumë njerëz, kujtimi i një tërmeti shkatërrues që ka goditur 11 provinca jugore dhe juglindore dy vjet më parë, mbetet i gjallë.

    Tërmeti 7.8 ballë i 6 shkurtit 2023, ka marrë më shumë se 53,000 jetë dhe ka dëmtuar ose shkatërruar qindra mijëra ndërtesa. 6.000 njerëz të tjerë kanë vdekur në pjesët veriore të Sirisë fqinje.

    Agjencia e menaxhimit të fatkeqësive dhe emergjencave, AFAD, ka thënë se tërmeti i së mërkurës është pasuar nga 184 pasgoditje, shtatë prej tyre me magnitudë 4 ose më të fortë.

  • U hap konkursi rajonal për fotografi rinore, Orav: Një vend që ka shumë talent dhe kreativitet

    U hap konkursi rajonal për fotografi rinore, Orav: Një vend që ka shumë talent dhe kreativitet

    Zyra e BE-së në Kosovë dhe WeBalkans kanë organizuar nisjen e konkursit rajonal për fotografi rinore “Përgatitu Gati Evropa jonë!”, raporton EO.

    Shefi i Zyrës së BE-së, ambasadori Aivo Orav, e ka quajtur këtë konkurs, një ftesë të hapur për të treguar se si sporti i lidh njerëzit.

    Ai ka thënë se është i lumtur që ky konkurs nisi në Kosovë, “një vend që ka shumë talent dhe kreativitet”.

    I bindur se shumë nga fotot do të vijnë nga rinia, Orav, pati edhe një porosi për ta: “dijeni se ajo ka potencialin që të shfaqet në gjithë Evropën”.

    “Po lansojmë një kampanjë që reflekton se kush jemi dhe Evropën që po e formësojnë së bashku, gjithëpërfshirëse, të bashkuar dhe plot me potencial. Të gatshme dhe të qëndrueshme – Evropën tonë.

    Ky konkurs është një ftesë e hapur për të treguar se si sporti i lidh njerëzit, si ndërton ura, lartëson komunitetet. Duam t’i shohim storjet tuaja.

    Fotot flasin më shumë se fjalët! Jam i lumtur që Kosova po e mban këtë lansim sot, një vend që ka shumë talent dhe kreativitet. Jam i bindur se shumë nga fotot do të vijnë nga rinia.

    Kur ta dërgoni foton tuaj, dijeni se ajo ka potencialin që të shfaqet në gjithë Evropën”, tha Orav.

  • ​Fillon aplikimi për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Mitrovicën Veriore

    ​Fillon aplikimi për legalizimin e ndërtimeve pa leje në Mitrovicën Veriore

    Komuna e Mitrovicës Veriore, ka njoftuar se ka filluar aplikimi për legalizimin e ndërtimeve pa leje.

    Kjo komunë ka ftuar të gjithë qytetarët që kanë ndërtime pa leje të kategorisë I dhe II të paraqesin aplikimin e tyre brenda afateve të përcaktuara.

    “Komuna është organi kompetent për pranimin dhe trajtimin e aplikimeve për legalizimin e ndërtimeve të kategorisë I dhe II. Ftohen të gjithë qytetarët që kanë ndërtime pa leje të kësaj kategorie, të paraqesin aplikimin e tyre brenda afateve të përcaktuara”, thuhet në njoftim.

    Në këtë njoftim janë publikuar edhe linqet nga faqja zyrtare e Komunës së Mitrovicës Veriore.