ATV

Category: Lajme

  • Abrashi: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm për partinë e parë, por përgjegjësi e të gjithë deputetëve

    Abrashi: Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit nuk është vetëm për partinë e parë, por përgjegjësi e të gjithë deputetëve

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një lidhje përmes Skype në emisionin CONTEXT në ATV, tha se opozita po e shkel Kushtetutën duke mos marrë pjesë në votimin për Kryetarin e Kuvendit.

    Sipas tij, është krijuar një narrativë e rreme se vetëm partia e parë është përgjegjëse për këtë proces, ndërsa në të vërtetë detyra bie mbi të gjithë deputetët.

    “Fatkeqësisht është dominu një narrativë e sponsorizuar prej njerëzve që e mbështesin kauzat opozitare, se përgjegjësia për zgjedhjen e Kryesisë së Kuvendit, në këtë rast edhe Kryetarit të Kuvendit, bie vetëm mbi partinë e parë. Jo, zoti jo, zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës”, tha Abrashi.

    Ai shtoi se kjo përgjegjësi është e qartë edhe sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që e përcakton këtë proces si detyrim ligjor të përbashkët.

    “Po flasim për një shkelje që ne mendojmë se po e bën opozita duke mos marrë pjesë në votim, e që është shkelje Kushtetuese. Sipas atij vendimi të Gjykatës Kushtetuese, obligohen gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që të marrin pjesë në votim kur vihet puna te zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit”, deklaroi Abrashi.

    Deklaratën e plotë të Artan Abrashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Dakaj: Kosova në krizë politike dhe pa aleatë ndërkombëtarë

    Dakaj: Kosova në krizë politike dhe pa aleatë ndërkombëtarë

    Gazetari Shkelzen Dakaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se vendi është futur në një krizë të thellë politike, ku qytetarët nuk e dinë çfarë do të ndodhë me fatin e Kosovës për shkak të mënyrës se si udhëhiqet shteti.

    Ai tha se vendimmarrja është përqendruar te një individ, ndërsa mungon përgjegjësia dhe vullneti politik për të vënë interesin e qytetarëve mbi atë personal.

    “Na jemi në një situatë ku kemi degraduar deri në atë nivel sa as shoqëria civile, as qytetarët dhe askush nuk e din se çka mundet me ndodhë me fatin e Kosovës, me të zgjedhurit tonë për me udhëheqë këtë vend, sepse ata kanë vendosë me pasë një individ i cili vendos për gjithçka edhe një skemë, të cilën neve na surprizon qartë të të shohim pa ulë, pa pasë nivel të lartë të përgjegjësisë, pa pasë politikanë që u ulën dhe i shohin interesat e shtetit dhe qytetarëve të Kosovës përpara interesave të veta politike”, tha Dakaj.

    Sipas tij, kjo situatë ka bërë që Kosova të mbetet pa përkrahje ndërkombëtare në momentet më të vështira.

    “Kemi ardhë në një situatë ku sot, si asnjëherë më parë, nuk e kemi asnjë aleat, i cili në momente të caktune vjen edhe ulet në mes edhe thotë tejkaloni këto probleme të juaja personale politike edhe punoni të mirën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, shtoi Dakaj.

    Deklaratën e plotë të Shkelzen Dakajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • “Refugjatët e harruar” historia e sirianëve që jetojnë në Kosovë prej vitesh

    “Refugjatët e harruar” historia e sirianëve që jetojnë në Kosovë prej vitesh

    PËRGATITI: BENITA ZENELI

    Janë bërë 8 vjet prej kur Sami Almeshhadani bashkë me familjen e tij, u detyrua të largohet nga vendi i tij i lindjes, Siria.

    Shkak i kësaj u bë lufta atje e frika se ai dhe familja do të vriteshin.

    Por vuajtjet për të nuk mbaruan me ikjen nga atdheu.

    “Fillimisht u shpërngulëm në Turqi, por për aq kohë sa kemi qëndruar jemi përballur me diskriminim. Njerëzit atje nuk na mirëpritën”, tha Almeshhadani.

    Pas Turqisë shtëpi për të u bë Kosova, ku po jeton tash e 6 vjet.

    “Kur erdha në Kosovë më është dhënë ajo ndjesia e sigurisë dhe më erdhi nga njerëzit që më ofruan mirëseardhje, këtë nuk e pash në asnjë shtet që kam kaluar”, deklaroi ai.

    Sipas Almeshhadanit, në Kosovë iu premtua shumëçka, por në praktikë doli e kundërta. Për këtë po e lë fajtorë Ministrinë e punëve të brendshme, UNCR e CRPK-në që janë të mandatuar për mbrojtjen e refugjatëve.

    “Aplikova për azil, mora vetëm statusin e mbrojtjes plotësuese dhe jo atë si refugjatë. Bëra ankesë për këtë por ata më thanë se nuk do të mund të marrësh një vendim më të mirë se ky. Por të tjerët si turqit e ukrainasit, munden. Aplikova edhe si banor rezident, prap mora refuzim. Mua po më refuzohen të gjitha të drejtat që i kam, nuk mund të aplikoj as për dokumente udhëtimi. Ne po ndjekim me veprime ligjore ndaj këtyre institucioneve”,  tha Almeshhadani.

    Kështu ai nuk mund ta takojë as familjen.

    “Krejt çfarë thonë është “e dim, por na vjen keq”. Por a mjafton kjo kur ti qëndron kaq vite larg familjes? A mendoni që një thirrje me kamerë mjafton? Kjo ka filluar të ndikojë edhe në shëndetin ton mendor duke na bërë të ndjehemi të diskriminuar me qëllim”, shtoi tutje ai.

    Me situatë të ngjashme po përballet edhe bashkështetasi e tij, Alaa Alhalabi, që ka po të njëjtin status.

    “Unë qëndroj shumë mirë financiarisht madje desha edhe të investoja këtu. Të hapja një restaurant, por duke pasur parasysh statusin tim unë jam përballur me shumë vështirësi. Unë po neglizhohem dhe nëse shoh se kjo do të vazhdoj nuk mund të rri në një vend që nuk e zbaton ligjin e tij. Nuk më lejojnë as të kem dokumente udhëtimi”,  tha Alhalabi.

    Lidhur me këtë çështje Ministria e Punëve të Brendshme nuk iu përgjigjë ATV-së, as pas disa ditë insistimi.

    Ndërkohë, sipas këtij dikasteri nga janari deri në fillim të muajit prill kanë kërkuar azil 15 persona.

  • “Papritmas” Sorensen në Prishtinë, takohet me Bislimin

    “Papritmas” Sorensen në Prishtinë, takohet me Bislimin

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Emisari special i Bashkimit Evropian për dialogun, Peter Sorensen, qe i shkurtër në deklarimin e tij pas takimit me zëvendëskryeministrin në detyrë Besnik Bislimi.

    Në një vizitë të befasishme, diplomati danez tha se ardhja e tij në Prishtinë është thjeshtë vizitë e zakonshme e mandatit të tij, që do të vazhdojë edhe në fqinjin verior.

    “Ekipi im dhe unë jemi duke zhvilluar vizita në nivel pune – kjo është një pjesë e zakonshme e misionit tonë dhe do të shihni edhe vizita të tjera të ngjashme në të ardhmen. Jam shumë i lumtur që jemi këtu. Nga këtu do të vazhdoj për në Beograd dhe më pas do të kthehem në Bruksel. Kaq për tani”, tha Sorensen.

    Në takim, tema kyçe mes Sorensen e Bislimit, ishte zbatimi i marrëveshjeve të arritura gjatë procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

    “Biseduan rreth zbatimit të marrëveshjeve të ndryshme të nivelit teknik, e më tej u theksua edhe rëndësia e fillimit të diskutimeve të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit Implementues të Ohrit në kuadër të procesit të dialogut”, deklaruan nga zyra e kryeministrisë.

    Paraprakisht Emisari Evropian takoi Komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, ku u tha se u diskutua për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet KFOR-it dhe Bashkimit Evropian në mbështetje të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

    Kjo është vizita e dytë e tij në Kosovë që kur mori mandatin si ndërmjetësues në dialog.

     

  • “Lëshimi i perit” nga njëra palë zgjidhja për konstituimin e Kuvendit

    “Lëshimi i perit” nga njëra palë zgjidhja për konstituimin e Kuvendit

    PËRGATITI: ARIAN HAJDARAJ

    “Ne ndërtojmë ura, rogovasit punojnë tokën, e shiu është për bereqet…”
    Kjo ishte përgjigja e Albin Kurtit, kur u pyet nëse i ka votat, për kandidaten Albulena Haxhiu, për kryetare të kuvendit.

    Sidoqoftë, me apo pa votat e nevojshme, deputetët do të mblidhen sërish të premten për të disatën herë me synim finalizimin e konstituimit.

    Dalja nga kjo situatë, konsiderohet se mund të jetë pikërisht tek, Albin Kurti.

    “Zgjidhja e situatës është në duar të Albin Kurtit i cili ka shumicën. Opsioni I parë është që ta vendosë një kandidat që ka mbështetjen e deputetëve tjerë”, deklaroi Gëzim Qerimi, njohës i çështjeve politike.

    Por, vlerësohet se ekziston edhe një opsion i dytë.

    Por, kjo mundësi, duket edhe më vështirë e realizueshme.
    Vonesat në zgjidhjen e situatës, nga një tjetër interpretim, konsiderohen të qëllimshme.

    Në tri tentimet e fundit, profili i Albulena Haxhiut i ka siguruar vetëm 57 vota për.

  • ​BE-ja thotë se është në interes të Kosovës t’i formojë sa më parë institucionet

    ​BE-ja thotë se është në interes të Kosovës t’i formojë sa më parë institucionet

    Bashkimi Evropian tha se është në interes të Kosovës që me shpejtësi të formojë institucionet e saj.

    Zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier tha të enjten më 24 prill se formimi i shpejtë i institucioneve të Kosovës është i rëndësishëm në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë.

    “Ajo që mund të them është se është në interes të Kosovës që me shpejtësi t’i formojë institucionet, gjë që është shumë e rëndësishme në përmbushjen e reformave evropiane dhe lëvizjen përpara në këtë rrugë. Është gjithashtu e rëndësishme për çështje të tjera, si Plani i Rritjes, siç e dini duhet që Parlamenti i Kosovës të jetë i konstituuar për të vazhduar punën në këtë drejtim”, deklaroi Mercier kur u pyet nëse dështimi për të konstituuar Kuvendin ka pasoja në raportet e Kosovës me bllokun.

    Kosova nuk mund të përfitojë pagesat e para nga Plani i Rritjes derisa në Kuvend të ratifikohet marrëveshja për mjetet dhe kredinë me Bashkimin Evropian. Marrëveshjet ndërkombëtare ratifikohen me dy të tretat e votave.

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar të konstituuohet edhe në përpjekjen e pestë të mërkurën më 23 prill.

    Deputetët do të mblidhen edhe të premten më 25 prill në një tentim të radhës për të votuar kryeparlamentarin.

    Ky proces ka ngecur pasi Lëvizja Vetëvendosje – partia e parë që ka dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – nuk ka arritur të sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.

    Partitë që deri më tash ishin në opozitë nuk e mbështesin emrin e Haxhiut për këtë pozitë, ndërkaq nga LVV-ja kanë deklaruar se nuk e ndërrojnë propozimin./KP

  • Shoferët që nuk ndalen për këmbësorë, tani kapen nga kamerat – Policia nis identifikimin elektronik të kundërvajtjeve

    Shoferët që nuk ndalen për këmbësorë, tani kapen nga kamerat – Policia nis identifikimin elektronik të kundërvajtjeve

    Policia e Kosovës ka intensifikuar masat për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtjeve në trafik, duke përdorur sistemet e kamerave dhe radarëve të instaluara nëpër rrugë.

    “Dërgimi i gjobave në adresë të pronarit të automjetit për kundërvajtjet e identifikuara përmes kamerave dhe radarëve”.

    Njoftimi i plotë:

  • ​Dështimi i konstituimit të Kuvendit, kërkohet nga Osmani t’i ftojë për konsultime partitë

    ​Dështimi i konstituimit të Kuvendit, kërkohet nga Osmani t’i ftojë për konsultime partitë

    Shoqëria civile po kërkon nga presidentja Vjosa Osmani t’i ftojë partitë parlamentare për konsultime, pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Kuvendit. Një ditë para vazhdimit të seancës, po shihet e domosdoshme përfshirja e së parës së shtetit, nëse ngërçi politik vazhdon. Sipas tyre, Osmani duhet të gjejë mënyrat për të dalë nga ngërçi politik, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

    KosovaPress ka dërguar pyetje edhe në Zyrën e Presidencës në lidhje me ftesën e mundshme që shefja e shtetit mund t’iu dërgojë partive politike për të gjetur një zgjidhje për konstituimin e Kuvendit, mirëpo të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

    Sidoqoftë, presidentja Osmani e ka lënë të hapur këtë mundësi në një letër drejtuar kryesuesit të seancës konstituive Avni Dehari më 16 prill, pas dështimit për herë të parë që të votohet verifikimi i mandateve të deputetëve.

    Në Kuvendin e Kosovës për herë të pestë ka dështuar të konstituohet legjislatura e nëntë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.

    Mirëpo, e njëjta në tri tentime ka dështuar ta zgjedhë kryeparlamentare deputeten Albulena Haxhiun. Ajo në seancat e 19 prillit dhe të 23 prillit mori vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

    Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nisma Socialdemokrate po abstenojnë.

    Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e fundit nuk morën pjesë në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.

    Kjo situatë e krijuar në Kuvend, sipas hulumtuesit në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku reflekton krizën politike në të cilën ka hyrë vendi. Andaj ai e sheh të domosdoshme përfshirjen e presidentes Osmani për gjetjen e një zgjidhje, duke ftuar në takim krerët e partive parlamentare.

    “Në këtë fazë, kur kemi një ngërç në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, për shkak të pamundësisë së grupit më të madh parlamentar për të zgjedhur kandidatin e propozuar nga ky subjekt politik. Meqenëse, nuk ka ndonjë mekanizëm ligjor që e detyron kufizimin se deri në çfarë mase mund të propozohet dhe ri-propozohet një kandidat për kryetar të Kuvendit. As Kushtetuta, as ligji dhe as Rregullorja e Kuvendit, dhe as aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese 2014, kur është sqaruar çështja e grupit më të madh parlamentar dhe aspekti i propozimit për pozitën e kryetarit të Kuvendit, nuk kanë specifikuar se kur apo si konsumohet kjo çështje. Meqenëse, jemi në një bllokadë politike, roli i presidentes në këtë situatë mund të jetë më tepër si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve të Kosovës. Nuk ka asnjë pengesë që e njëjta të ftojë të gjithë krerët e partive politike dhe nga ajo të shikohet se si të dilet nga kjo krizë politike”, thekson ajo.

    Monitoruesi i punës së Kuvendit nga radhët e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, thotë se takimi i mundshëm i presidentes Osmani me partitë politike mund të prodhojë votimin e një kandidati koncensual nga radhët e LVV-së ose edhe votimin e kandidates së tyre, Albulena Haxhiu nga partitë të tjera parlamentare.

    Rrugë tjetër sipas tij është edhe që presidentja të dërgojë këtë situatë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese.

    Ai e sheh të nevojshme që Kushtetuesja të jep një rrugë sesi të shkohet tutje në rast se partia e parë në zgjedhje nuk i ka votat e nevojshme për të zgjedhur kryeparlamentarin.

    “Në seancën, e cila pritet të mbahet të premten, vërehet që nuk do të ketë ndonjë kalim tjetër nga kjo situatë. Meqenëse nuk ka, atëherë kryesuesi i seancës duhet të lejojë që përfaqësuesit politikë të partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës të marrin secili fjalën, dhe jo në takime të fshehta dhe pa transparencë. Nga ai takim i Kuvendit, në rast se dështon zgjedhja e kryetarit të Kuvendit, të shkohet me kërkesë te presidentja e Kosovës për dy rrugë: qe nga ai takim të prodhohet një kandidat koncensual ose që ky kandidat të votohet, dhe nëse nuk ka sukses, të shkohet me kërkesë ndaj presidentes që ajo të adresojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, për të vlerësuar se çfarë duhet të ndodhë më tutje”, thekson Jakaj.

    Në Lëvizjen Vetëvendosje kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër dështimit në tri tentime. Megjithatë e kanë konsideruar të nevojshme arritjen e një marrëveshje politike për zgjedhjen e saj dhe të nënkryetarëve të tjerë të Kuvendit. Mirëpo, në bazë të deklaratave politike nuk janë shprehur të hapur për gjetjen e një kompromisi për zgjidhjen e kësaj krize politike.

    Vazhdimi i gjashtë i seancës për konstituimin e legjislaturës së nëntë mbahet të premten. /kp

  • ​Përdhosi simbolet kombëtare, prokuroria ngre aktakuzë ndaj një mësimdhënësi

    ​Përdhosi simbolet kombëtare, prokuroria ngre aktakuzë ndaj një mësimdhënësi

    Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj të pandehurit M.H.

    Nga provat e siguruara gjatë fazës së hetimeve, dhe pas analizimit të tyre, është vërtetuar se i pandehuri, në cilësinë e personit zyrtar, mësimdhënës, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mos durimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë, me rastin e ditës së flamurit kombëtar, publikisht ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të përdhosjes së simboleve kombëtare shqiptare, më konkretisht flamurit kombëtar dhe plisit, çka me këto veprime ka kryer veprën penale “Nxitja e përçarjes dhe mos durimit.”

    Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas Kodit Penal të Kosovës.

    Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që ndaj të pandehurit M.H, t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik, raporton KP.

  • Guvernatori Ismaili takon shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, z. Amaglobeli në Washington D.C.

    Guvernatori Ismaili takon shefin e Misionit të FMN-së për Kosovë, z. Amaglobeli në Washington D.C.

    Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili, i shoqëruar nga Anëtarja e Bordit jo-Ekzekutiv znj. Arta Hoxha, Zëvendësguvernatorja znj. Nesrin Shileku-Shala me bashkëpunëtorë, ka zhvilluar një takim bilateral me Shefin e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për Kosovën, z. David Amaglobeli dhe ekipin e tij, në kuadër të Takimeve Pranverore të FMN-së dhe Bankës Botërore.

    Gjatë takimit, Guvernatori Ismaili përditësoi z. Amaglobeli me zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Kosovë, si dhe për statusin e reformave të ndërmarra nga BQK-ja në funksion të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe forcimit të sistemit financiar në vend.

    Nga ana tjetër, z. Amaglobeli prezantoi pikëpamjet e FMN-së lidhur me zhvillimet globale ekonomike dhe ndikimet e mundshme që ato mund të kenë mbi ekonominë e Kosovës, derisa përgëzoi BQK për reformat e ndërmarra për sektorin financiar dhe kapacitetet institucionale.

    Në takim u diskutua gjithashtu për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe BQK-së në fusha me rëndësi për stabilitetin financiar, si dhe për vazhdimin e ngritjes së kapaciteteve institucionale dhe teknike të BQK-së, me synim forcimin e mëtejshëm të rolit të saj si rregullator dhe mbikëqyrës financiar.

    Të dy palët theksuan rëndësinë e vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FMN-së dhe BQK-së, duke vlerësuar lart ecurinë e deritanishme të bashkëpunimit në kuadër të Programeve të mbështetura nga FMN.

    Guvernatori Ismaili shprehu falënderimin e tij për z. Amaglobeli dhe ekipin e tij për bashkëpunimin konstruktiv dhe ndihmën e vazhdueshme që FMN ka ofruar ndaj BQK-së, duke vlerësuar lartë angazhimin profesional dhe partneritetin e qëndrueshëm ndërinstitucional.