ATV

Category: Lajme

  • Gërvalla: S’ka arsye të mos votohet Haxhiu, partitë politike t’i thërrasin mendjes

    Gërvalla: S’ka arsye të mos votohet Haxhiu, partitë politike t’i thërrasin mendjes

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Listës Guxo, Donika Gërvalla Schwarz u ka bërë thirrje partive politike që të votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) Albulena Haxhiun.

    Gërvalla Schwarz para mediave tha se deputetja e LVV-së, Haxhiu është më e votuara nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Tutje ajo tha se arsyetimet e partive politike duke refuzuar të votojnë Haxhiun është false.

    “E kemi thënë qartë se Albulena Haxhiu është kandidatja jonë. Haxhiu është femra më e votuar në vend në zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk ka asnjë arsye asnjë parti, ose grup parlamentar të refuzojë votën për Albulena Haxhiu. Është jo vetëm një personalitet i jashtëzakonshëm, por është edhe një person që me aktivitetin e saj politik ka dëshmuar përkushtimin e saj për këtë vend. Andaj kjo është arsyetim false. Arsyetimi i vërtetë është që partitë nuk duan të pranojnë rezultatet e 9 shkurtit”, ka thënë Gërvalla.

    Tutje ajo tha se shpreson që partitë t’i thërrasin mendjes e të vazhdojnë, edhe pse siç tha nga informacionet që ka lexuar sot nuk e bëjnë optimiste që do ta votojnë Haxhiun për kryeparlamentare.

    “Bllokimi i konstituimit të Kuvendit tregon bllokimin e qëllimshëm të zbatimit të vullnetit të qytetarëve të 9 shkurtit”, u shpreh Gërvalla.

  • Vrasja e rreshterit Lika, shoqërohen në polici disa persona nga aksioni policor në Kaçanik

    Vrasja e rreshterit Lika, shoqërohen në polici disa persona nga aksioni policor në Kaçanik

    Katër persona janë shoqëruar në Polici nga aksioni policor i cili u realizua sot në Kaçanik.

    Siç mësohet ky aksion lidhet me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika.

    Të katër këta persona dyshohet se janë të përfshirë në vepra penale të rënda, përfshirë: “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje“, “Pjesëmarrje në grupe terroriste“, dhe “Rekrutim për qëllime terroriste“.

    Ndërkaq, lajmin për zhvillimin e këtij aksioni policor e konfirmuan nga Policia e Kosovës por pa dhënë detaje shtesë.

    Ndryshe, ditë më parë Policia e Kosovës kishte zhvilluar një aksioni të gjerë në Kaçanik, ku më shumë se pesë persona u arrestuan si të dyshuar për përfshirje në vrasjen e rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamed Lika.

  • Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it

    Shkarkohet kryeshefi ekzekutiv i KOSTT-it

    Bordi i drejtorëve të Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka shkarkuar të enjten kryeshefin ekzekutiv, Evetar Zeqirin.

    Në një njoftim për media, bordi i drejtorëve të KOSTT-it ka njoftuar se ka vendosur po ashtu që Shaban Neziri të jetë ushtrues detyre deri në marrjen e një vendimi tjetër.

    “Ju njoftojmë që Bordi i Drejtorëve të KOSTT sh.a në takimin e mbajtur me 24 Prill 2024, në bazë të kompetencave dhe përgjegjësive në përputhje me Ligjin për Ndërmarrjet Publike dhe Statutin e kompanisë, ka marrë vendim që të ndërpresë marrëdhënien e punës të Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT z.Evetar Zeqiri. Me këtë rast, Bordi ka emëruar z. Shaban Neziri, zëvendës Kryeshef Ekzekutiv, si ushtrues detyre i Kryeshefit Ekzekutiv të KOSTT sh.a, deri në marrjen e një vendimi tjetër”, thuhet në njoftim.

    Zeqiri ishte emëruar në pozitën e kryeshefit ekzekutiv në tetor të vitit 2022.

    Neziri është inxhinier i elektroteknikës dhe është pjesë e KOSTT-it që nga themelimi.

  • Aksident fatal në Suharekë – ndërron jetë një person pas vetëaksidentit

    Aksident fatal në Suharekë – ndërron jetë një person pas vetëaksidentit

    Një vetaksident me fatalitet ka ndodhur mbrëmë në mes të rrugës Shirokë dhe Sopijë të Suharekës.

    Për pasojë ka mbetur i lënduar rëndë një person E.K. nga fshati Sopijë, i cili fillimisht është dërguar në emergjencën e Suharekës, por për shkak të lëndimeve të rënda është transferuar për në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

    I njëjti, si pasojë e lëndimeve të rënda, ka vdekur rreth orës 23:00 në spital.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

  • Deputetët mblidhen për herë të gjashtë, vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët mblidhen për herë të gjashtë, vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e Kuvendit

    Deputetët mblidhen për herë të gjashtë radhazi në përpjekje për ta konstituuar Kuvendin.

    Procesi ka ngecur pasi partia fituese, Lëvizja Vetëvendosje, nuk po arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit.

    Albulena Haxhiu shihet nga disa parti parlamentare si “figurë përçarëse”, por Vetëvendosje ngul këmbë se ajo është kandidate meritore.

    Për zgjidhjen e kryetarit të Kuvendit nevojiten së paku 61 vota dhe Haxhiu ka arritur t’i marrë 57 vota më së shumti.

    Konstituimi i Kuvendit arrihet vetëm pasi të jenë emëruar kryetari dhe nënkryetarët dhe është i nevojshëm për t’i hapur rrugën formimit të Qeverisë së re.

  • Alijaj: Nuk po shihet se ka zgjidhje tjetër, zgjedhjet e reja duken të pashmangshme

    Alijaj: Nuk po shihet se ka zgjidhje tjetër, zgjedhjet e reja duken të pashmangshme

    Konsulenti Artan Alijaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se duke parë ngërçin aktual institucional, e vetmja zgjidhje që po del në horizont janë zgjedhjet e reja parlamentare.

    Ai tha se megjithëse partitë publikon se nuk dëshirojnë zgjedhje, Vetëvendosje dhe PDK kanë shprehur gatishmëri të shkojnë në zgjedhje pa problem, nëse situata nuk zgjidhet ndryshe.

    “Besoj që dy partitë, edhe Vetëvendosje edhe PDK-ja, e kanë përmendë që ne mund të shkojmë në zgjedhje pa pikë problemi, edhe besoj që për këto dy parti ndoshta edhe kanë interes të shkojnë në zgjedhje… nëse e shohim situatën aktuale, kemi zgjidhje të këtij ngërçi parlamentar dhe si të tillë zgjedhja e vetme është zgjedhjet e reja”, tha Alijaj.

    Sipas tij, situata është e pazakontë, sepse vendi po përballet me një bllokadë që e pamundëson edhe konstituimin e Kuvendit, gjë që e bën të paqartë kush dhe si mund ta shpërndajë atë.

    Deklaratën e plotë të Artan Alijajt në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Muja: As VV, as opozita nuk i kanë numrat për ta çuar vendin përpara

    Muja: As VV, as opozita nuk i kanë numrat për ta çuar vendin përpara

    Profesori i AAB-së, Basri Muja, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se bllokada institucionale buron nga fakti që asnjëri prej dy blloqeve politike – as Vetëvendosje e as opozita – nuk i ka votat e mjaftueshme për të vepruar.

    Sipas tij, të dyja palët po shmangin konstituimin e Kuvendit nga frika se ai do ta çojë procesin në një fazë tjetër më dinamike dhe me afate të përcaktuara ligjore.

    “Mendoj që ky është një problem ma i thellë. Është problemi që të dy blloqet nuk i kanë numrat e mjaftueshëm dhe të dy blloqet i frigohen pastaj që pas, në rast të konstituimit të Kryesisë së Kuvendit, atëherë do të kalohet në atë rundin tjetër, në atë tavolinën tjetër, ku pastaj dinamika është më e shpejtë, sepse gjithçka është e afatizume dhe ka skadencë”, tha Muja.

    Ai tha se asnjëra palë nuk është e gatshme për zgjedhje të reja, pasi nuk kanë asgjë të re për t’u ofruar qytetarëve.

    “Asnjëra palë nuk i ka numrat, besoj edhe asnjëra palë nuk është e gatshme me shku në zgjedhje, sepse çka do t’i ofronin qytetarëve, pos asaj që kanë ofru në muajin shkurt”, u shpreh Muja.

    Deklaratën e plotë të profesorit Basri Muja në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Abrashi tregon se a kanë plan B nëse as nesër nuk zgjidhjet kryetari i Kuvendit

    Abrashi tregon se a kanë plan B nëse as nesër nuk zgjidhjet kryetari i Kuvendit

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një lidhje përmes Skype në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nëse edhe nesër nuk zgjidhet Kryetari i Kuvendit, plani B i VV-së është të shpresohet në reflektimin e zërave të arsyeshëm brenda opozitës.

    Ai tha se nuk ka asnjë bazë të qëndrueshme për bllokimin e votimit të Kryesisë së Kuvendit dhe e quajti këtë qëndrim të opozitës si një absurditet politik.

    “Plani B është me shpresu se do të ketë reagim të zërave të arsyeshëm, për të cilët unë jam i bindur që ekzistojnë brenda grupeve parlamentare opozitare… Asnjë bazë të fortës qëndrueshme se pse nuk duhet me u votu Kryetari i Kuvendit, nuk ka”, tha Abrashi.

    Ai kujtoi edhe situatën e ngjashme me raportin e KQZ-së, ku sipas tij, arsyeshmëria në fund dominoi dhe u tejkalua bllokada.

    “Me të vërtetë mendoj që ka me fillu me dominu arsyja, qysh dominoi fillimisht arsyeja pas bllokadës katërditore me çështjen e raportit të KQZ-së. E panë ata se çfarë gabimi katastrofal kishin bërë. Edhe tash jemi në fazën e dytë të bllokadës, që është votimi i Kryetarit të Kuvendit”, u shpreh Abrashi.

    Deklaratën e plotë të Artan Abrashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Abrashi: Propozimi i jonë për kryetare Kuvendi është i padiskutueshëm

    Abrashi: Propozimi i jonë për kryetare Kuvendi është i padiskutueshëm

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një lidhje përmes Skype në emisionin CONTEXT në ATV, tha se emri i Albulena Haxhiut si kandidate për Kryetare të Kuvendit nuk është i negociueshëm dhe se ajo ka legjitimitetin më të lartë politik në mesin e deputetëve.

    Ai ths se refuzimi i opozitës për ta pranuar kandidaturën e Haxhiut është i padrejtë, duke theksuar se ajo ka më shumë vota se vetë krerët e disa partive opozitare.

    “Po flasim për gruan më të votume në Kuvendin e Kosovës, që ka legjitimitetin politik më shumë sesa dy kryetarë të partive opozitare… Prandaj, ne mendojmë që propozimi jonë është i padiskutueshëm kur vjen puna teksa është e përshtatshme ajo,” tha Abrashi.

    Ai shtoi se situata është kthyer në një ngërç absurd politik, ku po kundërshtohet kandidatura më e votuar, ndërkohë që Lëvizja Vetëvendosje e sheh këtë si çështje të mbyllur.

    “Me të vërtetë kemi një situatë edhe tragjike dhe komike në të njëjtën kohë… sepse është situata shumë e qartë,” u shpreh Abrashi.

    Deklaratën e plotë të Artan Abrashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Abrashi: Vetëvendosje nuk pranon logjikën e pazareve politike

    Abrashi: Vetëvendosje nuk pranon logjikën e pazareve politike

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, në një lidhje përmes Skype në emisionin CONTEXT në ATV, tha se partia e tij nuk pranon logjikën e pazareve politike dhe se qytetarët kanë votuar pikërisht për ta kundërshtuar këtë kulturë të vjetër.

    Ai tha se qytetarët kanë bërë ndryshimin përmes votës, duke e sjellë në pushtet një klasë politike që nuk bën pazare dhe që refuzon marrëveshje të padukshme për poste institucionale.

    “Logjika e pazarit është një trashëgimi politike, të cilën na nuk është se e parapëlqejmë si Lëvizje Vetëvendosje. Në fakt, duke e kundërshtu këtë logjikë të pazarit, qytetarët e Kosovës kanë bo ndryshimin politik që dy herë radhazi në zgjedhje edhe e kanë pru në pushtet një klasë politike, e cila është e kundërta e pazarxhinjve, të cilët fatkeqësisht jeni mësu me i pa në pushtet”, tha Abrashi.

    Ai kritikoi kërkesat opozitare për poste në Kuvend si joserioze dhe të rrezikshme për stabilitetin institucional, duke i quajtur një “budallallëk politik”.

    “Imagjinoni ata skenarë që po kërkojnë me propozu një kandidat të pranueshëm, hajde pra edhe na po i zgjedhim nënkryetarët që atyre u konvenojnë. A po ju duket e legjitime kjo punë? Atëherë shtrohet pyetja: a është nënkryetari i Vetëvendosjes, a është i LDK-së apo i kujt është? Mandej jemi tu kuptu se çfarë budallallëqi është duke u dominu për shkak të narrativës dominante opozitare sot nëpër Kosovë”, u shpreh Abrashi.

    Deklaratën e plotë të Artan Abrashit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: