ATV

Category: Lajme

  • Sorensen pas takimeve në Beograd: Patëm diskutime të mira për përparimin në dialogun Kosovë-Serbi

    Sorensen pas takimeve në Beograd: Patëm diskutime të mira për përparimin në dialogun Kosovë-Serbi

    I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka përfunduar një vizitë në Beograd, ku u takua me disa figura kyçe të qeverisë serbe, përfshirë ministrin e Punëve të Jashtme Marko Gjuriq dhe kryenegociatorin për dialogun, Petar Petkoviq.

    Gjatë takimeve, u diskutua për zhvillimet më të fundit në dialog dhe përpjekjet për përparim në fushat e ndryshme që janë thelbësore për avancimin e procesit.

    Në një postim të tij në platformën X, Sorensen ndau disa fotografi nga takimet dhe shprehu vlerësimet për diskutimet që zhvilloi.

    “Vazhdova vizitën time pune në Beograd me takime me Ministrin e Punëve të Jashtme Marko Djuric, Ministrin për Integrim Evropian @nstarovic dhe Kryenegociatorin @PetkovicPetar. Patëm diskutime të mira rreth përpjekjeve të fundit dhe fushave ku mund të ketë përparim në Dialog”, tha ai.

  • Hagë: Thaçi deklarohet i pafajshëm për pengim të administrimit të drejtësisë

    Hagë: Thaçi deklarohet i pafajshëm për pengim të administrimit të drejtësisë

    Hashim Thaçi ka deklaruar se është i pafajshëm për akuzën e re të formës së përgjegjësisë për “nxitje”, e cila i është shtuar pas një vendimi të Apelit në rastin e tij kundër administratës së drejtësisë. Thaçi është i akuzuar bashkë me Bashkim Smakajn, Fadil Fazliun, Isni Kilajn dhe Hajredin Kuçin.

    Deklarata e dorëzuar me shkrim më 24 prill 2025 thekson se ai nuk pranon fajësinë për asnjë pikë të aktakuzës së rikonfirmuar, duke përfshirë edhe formën e shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri 3.

    “Në përputhje me Rregullën 92 të Rregullores së Procedurës dhe Provave, deklarata me shkrim e z. Thaçi për mospranim të fajësisë për secilën pikë dhe akuzë në Aktakuzën e Rikonfirmuar të ndryshuar, përfshirë edhe formën shtesë të nxitjes për Pikat 1 deri në 3, është e bashkangjitur me këto parashtresa”, thuhet në njoftimin e mbrojtjes së Thaçit.

    Vendimi i gjyqtares Marjorie Masselot, i marrë më 14 prill 2025, ka ndryshuar aktakuzën e mëparshme, duke konfirmuar një përgjegjësi penale shtesë për Thaçin.

  • Flasin familjarët e të plagosurit në Strellc: Ai ishte duke shkuar në punë, nuk kemi pasur probleme me askënd

    Flasin familjarët e të plagosurit në Strellc: Ai ishte duke shkuar në punë, nuk kemi pasur probleme me askënd

    Një person me inicialet E.U është plagosur nga disa të shtëna me armë zjarri sot në mëngjes në Strellc të Deçanit.

    I lënduari ka pranuar tretman mjekësor dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e Policisë së Kosovës, për shkak të natyrës serioze të sulmit dhe mundësisë së ndonjë rreziku të mëtejmë.

    Ndërkohë, ekipi i ATV-së është në vendngjarje dhe ka arritur të sigurojë informacione nga familjarët e të plagosurit, për çka thonë se nuk kanë pasur probleme me askënd dhe se E.U ishte duke shkuar në punë.

    Gjithashtu, ATV-ja mëson se hetuesit kanë nisur mbledhjen e provave në terren, përfshirë edhe këqyrjen e kamerave të sigurisë në zonë, në përpjekje për të identifikuar autorin e sulmit dhe motivin pas atentatit.

    Hetimet janë duke u udhëhequr nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Pejë, ndërsa autoritetet po konsiderojnë të gjitha pistat, përfshirë motivet personale dhe ato që mund të lidhen me aktivitete të tjera të ndaluara./atvlive.tv/

    Më poshtë gjeni pamjet e siguruara nga ATV-ja nga vendi ku edhe ndodhi plagosja:

     

  • Kosovarët tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për deri në 30 ditë

    Kosovarët tani mund të udhëtojnë pa vizë në Malajzi për deri në 30 ditë

    Presidentja Vjosa Osmani, ka njoftuar se Malajzia do t’i heq vizat për Kosovën në periudhë 30 ditore.

    Ajo ka paralajmëruar po ashtu se javën e ardhshëm do të qëndrojë për një vizitë zyrtare në këtë shtet aziatik, Malajzi ku do të bëhet edhe hapja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Kuala Lumpur.

    “Është shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë.” Ka thënë Osmani në një postim në X.

  • ​Sveçla: Aksioni në Kaçanik po vazhdon, ka arrestime të reja

    ​Sveçla: Aksioni në Kaçanik po vazhdon, ka arrestime të reja

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla deklaroi se ka arrestime të reja që lidhen me vrasjen e rreshterit, Muhamed Lika.

    Ai theksoi se operacioni i Policisë së Kosovës në Kaçanik po vazhdon dhe numri i të arrestuarve nuk dihet.

    “Tashmë është publike që ka arrestime të reja. Numri përfundimtar ende nuk dihet, për shkak se aksioni është duke vazhduar. Gjitha institucionet ligj-zbatuese janë të vendosura që të luftohet çfarëdo lloj ekstremizmi apo dhune, e cila dëmton institucionet dhe pjesëtarët e saj por po ashtu vetë popullin e saj”, ka thënë Sveçla.

    Ai tha se Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime, derisa u pyet se personat e arrestuar kanë qenë në liri ani pse me vepra penale.

    “Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetime sa i përket kësaj informate, kur t’i kemi të dalurat nga këto hetime pastaj do të marrim masat e nevojshme”, shtoi ai.

    Ndryshe, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante ka filluar një operacion policor, në komunën e Kaçanikut.

    LEXONI EDHE:

    Vrasja e rreshterit Lika, shoqërohen në polici disa persona nga aksioni policor në Kaçanik

     

  • Haxhiu: Nëse partitë refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje

    Haxhiu: Nëse partitë refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë vendi të shkojë në zgjedhje

    Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dështimit të radhës për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit të Kosovës.

    Ajo ka theksuar se mungesa e vullnetit politik për ta konstituuar Kuvendin po e shtyn vendin drejt një zgjidhjeje të pashmangshme “zgjedhje të reja”.

    “Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të konstituohet. Lëvizja Vetëvendosje e ka bërë të qartë qëndrimin e saj. Por duket se mungon vullneti për konstituimin e Kuvendit. Jemi shumë të gatshëm të flasim me partitë politike për datën e zgjedhjeve”, tha Haxhiu.

    Ajo shtoi se Vetëvendosje është e hapur për dialog me partitë e tjera lidhur me caktimin e një date për zgjedhje: “Nëse partitë refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë është e qartë, vendi duhet të shkojë në zgjedhje”, përfundoi ajo.

    Ndryshe, Albulena Haxhiu dështon për herë të katërt për tu zgjedhur kryeparlamentare me 57 vota kundër, 48 kundër dhe 3 abstenime.

    LEXONI EDHE:

    Dështon sërish votimi i kryetares së Kuvendit

  • Murati për propozimin e Haxhiut: Asnjë ndryshim nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë

    Murati për propozimin e Haxhiut: Asnjë ndryshim nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë

    Pas dështimit të konstituimit të Kuvendit, deputeti Hekuran Murati ka reaguar për mediat, duke shpjeguar pozicionin e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me këtë çështje.

    Murati ka theksuar se, si fituese e zgjedhjeve të fundit të certifikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka të drejtën e propozuar për kryetar të Kuvendit dhe këtë mundësi e ka shfrytëzuar duke propozuar Albulena Haxhiun.

    ‘VV si fituese e zgjedhjeve, ka të drejtën e propozimit të kandidatit për kryetar të Kuvendit, dhe këtë të drejt e ka shfrytëzuar duke e propozuar Albulena Haxhiu. Kundërshtitë që po bëhen janë me tepër taktizime se sa që kemi të blejmë me ndonjë arsye konkrete. Haxhiu është gruaja me e votuar në zgjedhjet e fundit. Është larg mendsh të thuhet që nuk plotëson kritere ose kushte. Po besoj kjo flet edhe për ata që si VV jemi të përkushtuar që Kuvendit të ia japim një kryetare grua. Ky është propozimi jonë, nuk ka pasur ndryshim dhe as nuk do të ndryshojë. Ne kemi diskutuara brenda, gjithsesi çka takon të bëhet tutje, ne kemi pa që vetëm një herë Kuvendi ka pasur shumicë. Të gjitha votimet tjera, nuk është arritur nga asnjëri tabor, numri i votave prej 61. Kjo nënkupton që cilado pozitë nëse nuk ka dakordim për të ecur tutje, nuk mund të kalojë. Duhet konsensus politik’’, ka thënë ai.

  • Krasniqi: Vetëvendosje s’do ta zhbllokojë procesin, po mban peng shtetin

    Krasniqi: Vetëvendosje s’do ta zhbllokojë procesin, po mban peng shtetin

    Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka akuzuar se Lëvizja Vetëvendosje qëllimshëm nuk dëshiron ta zhbllokojë konstituimin e Kuvendit të Kosovës pasi që nuk po ndryshon propozimin për postin e kryeparlamentarit.

    “Një gjë është e qartë, Albulena Haxhiu nuk kalon. Sikur të donin zgjidhje, kanë pasur mundësi edhe sot, edhe pardje, edhe para katër ditësh. të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër: Ta ndërrojnë deputetin”, tha Krasniqi.

    Ai tha se kjo po bëhet pasi LVV-ja nuk i ka votat e mjaftueshme për ta formuar qeverinë e re.

    “Kjo vërtetë tashmë është komplet e pakuptimtë, e turpshme, që për teket e një personi, një kandidati, të mbahet peng shteti”, tha Krasniqi.

    Ai tha se nëse Kuvendi nuk konstituohet, zgjidhja do të ishte të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme në maj të këtij viti.

    Krasniqi shtoi se përveç Haxhiut, ka edhe emra të tjera nga LVV-ja që PDK-ja nuk do i votonte për postin e kryeparlamentarit, por nuk pranoi të emëronte ata.

  • Dështon sërish votimi i kryetares së Kuvendit

    Dështon sërish votimi i kryetares së Kuvendit

    Në tentativën e gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje edhe një herë propozoi Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, përmes deputetit Glauk Konjufca. Megjithatë, edhe kjo përpjekje për zgjedhje dështoi, raporton ATV.

    Haxhiu mori sërish vetëm 57 vota pro – të pamjaftueshme për t’u zgjedhur në këtë post të rëndësishëm institucional. Ndërkohë, partitë opozitare PDK, LDK dhe AAK kanë qëndruar në vendimin e tyre për të mos e mbështetur këtë kandidaturë.

    Pas dështimit të gjashtë për zgjedhjen e kryetares së Kuvendit, seanca konstituive u ndërpre sërish. Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, njoftoi se punimet do të vazhdojnë të dielën, më 27 prill, në ora 10:00.

    Kujtojmë se në këtë seancë u hodh sërish në votim kandidatura e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e nevojshme – njëjtë si në tentativat e mëparshme.

    Opozita e deritashme, përfshirë PDK-në, LDK-në dhe AAK-në, nuk e përkrahu kandidaturën, duke thelluar më tej bllokadën institucionale. Tani, sytë janë drejtuar nga dita e diel, ku mbetet të shihet nëse do të arrihet ndonjë marrëveshje për të dalë nga ngërçi politik. /atvlive.tv

  • Limaj thotë se Nisma s’do ta votojë Haxhiun

    Limaj thotë se Nisma s’do ta votojë Haxhiun

    Kreu i Nisma Socialdemokrate, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj është deklaruar shkurt për media duke treguar qëndrimin e partisë së tij nëse do ta votojnë kandidaten për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiun.

    Limaj tha se qëndrimi i tyre është i njëjtë dhe nuk ka ndonjë ndryshim.

    “Qëndrimi ynë është i njëjtë, është i njëjtë ashtu siç ka qenë herëve të kaluara”, tha shkurt Limaj.

    Ndërkaq, pritet të vazhdoj seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

    Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thirrur vazhdimin për sot, pasi të mërkurën, për të tretën herë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit.