ATV

Category: Lajme

  • Nis ceremonia mortore e Papa Françeskut, arkivoli vendoset në sheshin e Shën Pjetrit

    Nis ceremonia mortore e Papa Françeskut, arkivoli vendoset në sheshin e Shën Pjetrit

    Ka nisur në orën 10:00 ceremonia mortore e Papa Françeskut, i cili do të varroset Baziliken Santa Maria Maggiore. Procesioni i kardinalëve në Bazilikën e Shën Pjetrit shënoi fillimin e ceremonisë mortore.

    Arkivoli i kreut të Kishës Katolike u mbajt mbi supe nga sediarët, duke dalë nga Bazilika e Shën Pjetrit. Sheshi shpërtheu në duartrokitje. Mbi arkivolin e Papës Françesku është vendosur Ungjilli i hapur.

    10 mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota janë të pranishëm në ceremoni.

    Sheshi Shën Pjetër është pothuajse i mbushur me kapacitetin maksimal prej 50 mijë vetash.Vlerësohet se rreth 100 mijë persona të tjerë ndodhen tashmë përgjatë rrugës “Via della Conciliazione” dhe në rrugët hyrëse drejt sheshit.

  • Osmani: Kosova s’e humb shpresën për BE e NATO, e ardhmja jonë është në Perëndim

    Osmani: Kosova s’e humb shpresën për BE e NATO, e ardhmja jonë është në Perëndim

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për median finlandeze “Yle” ka theksuar se e ardhmja e Kosovës është në komunitetin euroatlantik, duke nënvizuar përkushtimin e vendit ndaj integrimeve në BE dhe NATO.

    “Kosova e ka një qëllim të qartë dhe të vetëm – anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO. E ardhmja jonë është në Perëndim”, tha Osmani për “Yle”.

    Ajo theksoi se Kosova ka bërë më shumë reforma se çdo vend tjetër në rajon dhe se qytetarët janë të vendosur për këtë rrugë.

    “97 për qind e qytetarëve tanë mbështesin anëtarësimin në BE dhe NATO. Ne nuk e humbim kurrë shpresën”, u shpreh ajo.

    Sipas saj, sfidat ende ekzistojnë, përfshirë mosnjohjen nga pesë vende anëtare të BE-së, por pavarësisht kësaj, Kosova nuk do të ndalet.

    Presidentja nuk harroi të falënderojë edhe Finlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

    “Jemi mirënjohës për përkrahjen e palëkundur të Finlandës. Ka qenë një aleat i fortë i Kosovës ndër dekada”, theksoi ajo.

  • Sot testohet sistemi i alarmit publik në Prishtinë

    Sot testohet sistemi i alarmit publik në Prishtinë

    Sot, qytetarët e Prishtinës do të dëgjojnë një alarm të fortë si pjesë e testimit rutinë të sistemit të alarmit publik.

     Alarmet do të shkaktohen me një zë të njëtrajtshëm dy herë, secili nga 30 sekonda.

    Ky është një test që synon të vlerësojë funksionalitetin dhe gatishmërinë e sistemit për raste emergjente.

    Autoritetet bëjnë të ditur se ky test është i parashikuar dhe nuk ka arsye për shqetësim, por është një hap i rëndësishëm për sigurimin e efektivitetit të alarmit në raste të vërteta të krizës.

  • Mbyllja eventuale e MCC-së, Kosova pa siguri energjetike

    Mbyllja eventuale e MCC-së, Kosova pa siguri energjetike

    PËRGATITI: ARMAND HOTI

    Departamenti për Efikasitet i administratës amerikane, që udhëhiqet nga Elon Musk raportohet se synon t’i jap fund punës së Korporatës së Sfidës së Mijëvjeqarit – MCC.

    “Si qëllim kryesor, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë për t’u rikthyer në gjendjen e shtetit, në shkollën Kejnsiane, d.m.th me ndërhy shteti në ekonomi dhe t’i mbrojë prodhimet vendore”, tha profesori i ekonomisë Shkumbin Mesini.

    MCC-ja përkrah me 202 milionë euro programin kompakt për ruajtje të energjisë, që ka cak pavarësimin energjetik të Kosovës.

    Referuar marrëveshjes së prillit të vitit të kaluar, Kosova të kontribuojë me 34.7 milionë euro në projektin që ofron zgjidhje për energji të pastër.

    Bateritë do të mundësonin sigurimin e rezervave prej rreth 347 megavatësh në orë.

    Nga Qeveria nuk u përgjigjën nëse ky projekt është në rrezik.

    Ish-anëtari i Bordit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Izet Ibrahimi, thotë se bllokimi i projektit, do ta dëmtonte Kosovën.

    “Pasojat më të mëdha do të ishin në atë që quhet sigurim i sigurt me energji, e dyta, nuk do të mundë të reflektonim tarifa ose kosto të reflektive të prodhimit dhe shërbimeve që do të rezultonte me tarifa të larta të energjisë dhe nuk do të mundë ta mbante nën kontroll sistemin energjetik, sidomos ky i transimisionit të energjisë”, tha Ibrahimi.

    Rrjedhimisht, kosovarëve mundë t’u shtohen shtrenjtohet jeta.

    “Shumicën e mjeteve financiare, duhet t’i ndajmë për energji elektrike dhe nuk është vetëm tek kjo pikëpamje, por kjo do të ketë efekt zinxhiror që do të ndikojë drejtpërdrejtë në emëruesin e bërshkët – mirëqenia e qytetarëve të Kosovës”, tha profesori i ekonomisë Shkumbin Mesini.

    Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka deklaruar se Qeveria pati gabuar kur e kishte refuzuar projektin për gazin.

    “Refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020 pamundësoi ndërtimin e termocentralin me gaz. Tani kur edhe MCC po mbyllet në kuadër të reformimit të Administratës Amerikane nga Presidenti Trump, Kosova do të humbë edhe shumën prej 220 milion dollarëve për blerjen e baterive për ruajtje të energjisë. Bashkë me këto edhe shumë projekte të tjera të ndërlidhura që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve”, deklaroi Hoti.

    MCC ka ndihmuar Kosovën edhe me projekte të tjera.

    Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit, u krijua në vitin 2004, dhe që atëherë ka bashkëpunuar me 47 vende./atvlive.tv

     

     

     

     

  • Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    Vetëvendosje shpenzoi 1 milionë euro më shumë gjatë fushatës zgjedhore

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Lëvizja Vetëvendosje duket se është e vetmja nga partitë e mëdha që i ka deklaruar shpenzimet e fushatës zgjedhore, në raportin tre mujor financiar.

    Në dokumentin që e ka publikuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Vetëvendosje i ka shpenzuar 1 milionë e 734 mijë euro, mbi 1 milion euro më shumë se në gjatë tre muajve të fundit të 2024-ës.

    Dallime të dukshme në shpenzime nuk vërehen në raportet e Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike dhe Aleancës. PDK-ja dhe AAK-ja e konfirmuan për televizionin se nuk i kanë përfshirë këto harxhime, pa treguar arsye.

    Mirëpo KQZ-ja tha se në raport do të duhej të përfshiheshin të gjitha shpenzimet.

    Megjithatë, ky institucion është në përgatitje të një raporti të veçantë për financat e fushatës.

    “Data e fundit për dorëzimin e raporteve financiare të fushatës zgjedhore për 28 subjektet politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, është 28 prill 2025”, deklaruan nga KQZ-ja.

    Sipas njohësit të proceseve zgjedhore, Blerim Cana, raporte të tilla janë pasqyra më e qartë e asaj që ndodh pas skenës në zgjedhje.

    “ Është një raport që duhet të jetë transparent sepse është e rëndësishme të dihen shpenzimet e partive në fushatë zgjedhore…” tha Cana.

    Ndërsa ekonomistët vlerësojnë se partitë zakonisht janë dorëlirë nëpër fushatë.

    Sipas raportit financiar, PDK në periudhën janar-mars shpenzoi 360 mijë euro, LDK 155 mijë, ndërsa AAK 67 mijë euro./atvlive.tv

     

  • Caktohen gjyqtarët që do të vendosin mbi kërkesën e Mustafës në Kushtetuese kundër vendimit përfundimtar të Supremes

    Caktohen gjyqtarët që do të vendosin mbi kërkesën e Mustafës në Kushtetuese kundër vendimit përfundimtar të Supremes

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë janë caktuar gjyqtaret e Kushtetueses që do të vendosin mbi kërkesën e Salih Mustafës kundër vendimit përfundimtar të Gjykatës Supreme e cila la në fuqi vendimin e Apelit për 15 vjet burgim për Calin.

    Për të vendosur në këtë kërkesë, me 24 prill 2025 kryetarja e DhSK-së, Ekaterina Trendafilova i caktoi gjyqtaret Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmański.

    Në ankesën e tij të dorëzuar me 24 prill 2025, Mustafa thotë se iu janë shkelur të drejtat kushtetuese të garantuara sipas nenit 33 (3) të Kushtetutës së Kosovës e cila përcakton se shkalla e dënimit duhet të jetë proporcionale me veprën penale.

    Mustafa pretendon se Apeli kur e shpalli dënimin e ri e ka shkelur këtë dispozitë e cila ka për qëllim ta mbrojë të akuzuarin dhe se Supremja më pas nuk e korrigjoi këtë gabim por e refuzoi kundërshtimin e mbrojtjes.

    Sipas tij, Supremja nuk ka përcaktuar asnjë standard sa i takon shkallës së dënimit dhe as kur një dënim mund të konsiderohet joproporcional.

    Mbrojtja e Mustafës thotë se Kushtetuesja duhet ta interpretojë këtë nen, përdorimin e tij dhe gjithashtu duhet të jep udhëzime të qarta lidhur me interpretimin e tij pasi që deri më tani nuk ka ndonjë gjë të tillë.

    Sipas mbrojtjes, proprcionaliteti ka të bëjë me shkallën e dënimit dhe jo me dënimin në përgjithësi.

    Duke e quajtur vendimin me 15 vjet burg për Mustafën si arbitrar dhe të paqëndrueshëm, mbrojtja kërkoi nga Kushtetuesja që t’i jepet e drejta në këtë kërkesë dhe të kthej në rigjykim çështjen në panelin përkatës.

    Ndryshe, Mustafa kishte bërë edhe një ankesë tjetër në Kushtetuese për shkelje të të drejtave të tij themelore dhe kushtetuese gjatë gjykimit të tij në Themelore dhe Apel për çka vendimi në këtë rast ishte marrë me 17 prill 2025.

    Sipas vendimit, Kushtetuesja nuk ka konstatuar gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e gjykatave më të ulëta dhe rrjedhimisht ankesa e Mustafës u shpall e papranueshme.

    Aktgjykimi ndaj Mustafës në shkallë të parë ishte shpallur më 16 dhjetor 2022, me të cilin Mustafa është dënuar me 26 vite burgim.

    Ndërsa, më 6 prill 2023, Salih Mustafa u urdhërua që të paguajë 207 mijë euro për zhdëmtim të viktimave. Më pas, ai kishte paraqitur në Panelin e Gjykatës së Apelit 51 pika kundër vendimit dënues të Themelores së Speciales ndaj tij.

    Kurse, Apeli i Speciales më 14 dhjetor 2023 ka shpallur aktgjykim ndaj Salih Mustafës, me të cilin e dënoi me dënim unik prej 22 vite burgim për krime lufte.

    Sipas DhSK-së, Salih Mustafa kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Supreme dhe vendimi mbi këtë kërkesë është marrë më 29 korrik 2024.

    “Në kërkesën e tij për mbrojtje të ligjshmërisë z. Mustafa ngriti pesë pika, të cilat lidheshin me përkthimin e aktgjykimit të Apelit në gjuhën shqipe, shpalljen e tij fajtor për vrasje si krim lufte, si edhe me masën e dënimit”, thuhet në njoftimin e DhSK-së.

    Kërkesën për mbrojte të ligjshmërisë, Mustafa e kishte dorëzuar më 13 mars 2024 me ç’rast kishte kërkuar nga Gjykata Supreme e DhSK-së që të modifikojë aktgjykimet e shkallës së parë dhe të dytë, duke anuluar dënimet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje, kështu duke e shpallë të pafajshëm ose t’i anulojë tërësisht aktgjykimet dhe ta kthejë çështjen në rigjykim.

    Mustafa ka parashtruar pesë pika, me anë të së cilave ka kundërshtuar vendimin e Apelit, me të cilin u dënua me 22 vite burgim. Kërkesa e Mustafës ishte pranuar pjesërisht, kështu që Supremja e kishte kthyer sërish rastin tek Apeli për të vendosur një dënim të ri për të akuzuarin.

    Në arsyetimin e aktgjykimit, kryetarja e panelit të Apelit, Michele Picard tha se trupit gjykues i shkallës së parë kishte bërë një gabim të dallueshëm në dënimin e dhënë për Salih Mustafën. Po ashtu, ajo shtoi se një dënim i njehsuar prej 22 vitesh burgim, duke e llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron në tërësi veprimtarinë kriminale të Mustafës.

    Kurse më 10 shtator 2024, Gjykata e Apelit në Hagë ka marrë vendim që të ndryshojë dënimin nga 22 në 15 vjet burgim për Salih Mustafën pasi Supremja e ktheu sërish çështjen tek kjo shkallë. Serish, Cali u ankua në Supreme për vendimin e dytë të Apelit, por shkalla e tretë la në fuqi këtë dënim ndaj tij.

    Ndryshe, aktakuza ndaj Mustafës ishte konfirmuar më 12 qershor 2020. /BetimipërDrejtësi

  • Ngërçi në Kuvend, Presidentes i kërkohet të ndërhyjë, KDI: Të thërrasë një takim me liderët e partive

    Ngërçi në Kuvend, Presidentes i kërkohet të ndërhyjë, KDI: Të thërrasë një takim me liderët e partive

    Instituti Demokratik i Kosovës, duke parë bllokadën e krijuar me moskonstituimin e Kuvendit, ka vlerësuar se është koha që presidentja Vjosa Osmani të marrë iniciativë dhe të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar ndonjë zgjidhje të mundshme.

    Nga KDI është theksuar se është Kushtetua ajo që e ngarkon presidenten, me detyrën që të garantojë funksionimin kushtetues të institucioneve.

    Po ashtu, nga KDI është thënë edhe se, kuvendi i Kosovës ka hyrë në një cikël absurd seancash çdo 48 orë, pa reflektim politik dhe pa asnjë rezultat konkret.

    Komunikata:

    KDI: Presidentja të marrë iniciativë – seancat e Kuvendit, pa marrëveshje politike, janë tanimë të pakuptimta

    Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerëson se Kuvendi i Kosovës ka hyrë në një cikël absurd seancash çdo 48 orë, pa reflektim politik dhe pa asnjë rezultat konkret. Mungesa e një përpjekjeje serioze për marrëveshje që siguron shumicën dhe përsëritja e kandidaturës së njejtë, e ka kthyer këtë proces kushtetues në një formalitet të zbrazët që nuk prodhon asgjë.

    Rregullorja e Punës së Kuvendit ka vlerë vetëm nëse respektohet në frymën e saj, të funksionalitetit të Kuvendit. Prandaj, ajo nuk mund të keqpërdoret si mburojë e mos-vullnetit politik, dhe aq më pak për të justifikuar një status-quo të paarsyeshme. Nëse procedurat shndërrohen në arsyetim për bllokadën, atëherë problemi kërkon adresim në nivel politik – jo vetëm teknik.

    Në këtë kontekst, KDI beson se është koha që Presidentja e vendit të thërrasë një takim me liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar zgjidhje të mundshme. Kushtetuta e ngarkon atë me detyrën për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve, dhe në një situatë si kjo – ku institucioni më i lartë përfaqësues është i bllokuar – angazhimi i saj politik dhe institucional është i justifikuar por edhe i domosdoshëm.

  • Strasburg, Kosova prezanton reformat për parandalimin e korrupsionit

    Strasburg, Kosova prezanton reformat për parandalimin e korrupsionit

    Reformat institucionale të Republikës së Kosovës në fushën e parandalimit të korrupsionit janë vlerësuar edhe ndërkombëtarisht gjatë një punëtorie të nivelit të lartë të organizuar nga Këshilli i Evropës në Strasburg. Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), ka prezantuar qasjen dhe përvojën e saj në hartëzimin e rreziqeve të korrupsionit, duke theksuar rëndësinë e këtyre reformave për forcimin e integritetit dhe transparencës në institucionet publike.

    Siç njofton APK, në punëtorinë ndërkombëtare me temën “Hartimi i rreziqeve të korrupsionit: Mësime të nxjerra dhe mundësi aplikimi”, përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Evropa dhe Afrika e Veriut u mblodhën për të diskutuar strategjitë më efektive në identifikimin dhe menaxhimin e rreziqeve të korrupsionit.

    Në emër të Republikës së Kosovës, drejtori i APK-së, Yll Buleshkaj, ndau përvojën e Agjencisë në realizimin e një procesi gjithëpërfshirës të vlerësimit të rreziqeve të korrupsionit.

    Sipas tij, ky proces ka përfshirë 159 institucione publike, përfshirë 115 institucione shtetërore dhe 44 ndërmarrje publike.

    “Korrupsioni nuk është vetëm çështje ligjore – është sfidë e kulturës institucionale. Ndryshimi fillon me diagnostikim të saktë dhe vullnet për të vepruar aty ku rreziku është real”, citohet në komunikatë Buleshkaj gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve në këtë punëtori.

    Siç njofton AKP, ai theksoi rëndësinë e vullnetit politik në të gjitha nivelet, formalizimit të përgjegjësive, përfshirjes së hershme të institucioneve të targetuara dhe ruajtjes së komunikimit të vazhdueshëm gjatë procesit të vlerësimit.

    Buleshkaj gjithashtu ngriti shqetësime për sfidat aktuale, si mungesa e një baze të dhënash të konsoliduar që i bëjnë vlerësimet kundër korrupsionit më të vështira.

    Për më tepër, Buleshkaj theksoi rëndësinë që teknologjia – përmes analizës së të dhënave, inteligjencës artificiale dhe mjeteve digjitale, në të ardhmen të vihet në shërbim të detektimit dhe parandalimit të korrupsionit në mënyrë më efektive.

    Gjatë punëtorisë në Strasburg, detajet e përvojës, sfidave dhe mundësive që kanë shoqëruar zbatimin e procesit të hartëzimit të korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës, janë prezantuar nga z. Blerim Kelmendi, Drejtor i Departamentit në APK.

    Ndërsa në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë edhe të gjithë anëtarët e Agjencisë që kanë zbatuar këtë proces në Kosovë, duke përfaqësuar një qasje kolektive dhe teknike të mirëkoordinuar.

    Punëtoria u organizua nga Këshilli i Evropës dhe Projekti i përbashkët i BE-së dhe Këshillit të Evropës kundër krimit ekonomik në Kosovë (PECK III), si pjesë e Platformës horizontale për Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë.

    “Pjesëmarrja e Kosovës në këtë format jo vetëm që e rikonfirmon angazhimin e saj për reforma të thella në fushën e integritetit dhe sundimit të ligjit, por gjithashtu e paraqet vendin tonë si një shembull pozitiv në nivel Evropian dhe më gjerë”, thuhet në njoftim.

  • Kushtetuesja i jep dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, thotë se s’ishte antikushtetues

    Kushtetuesja i jep dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, thotë se s’ishte antikushtetues

    Gjykata Kushtetuese i ka dhënë dritën e gjelbër Ligjit për Zyrtarët Publikë, meqë ka gjetur se nenet e kontestuara nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën.

    Në njoftimin e Kushtetueses thuhet se është vendosur që Ligji t’i dërgohet Presidentes Vjosa Osmani për shpallje.

    Ky ligj ishte dërguar në gjykatë nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Më 23 janar të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji dhe obligonte Kuvendin që brenda 6 muajve t’i bënte ndryshimet e nevojshme në këtë ligj.

    Deputetët kishin miratuar ndryshimet në Ligj gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës më 30 tetor 2024.

  • Arrestohet ministrja e Punës në Sarajevë, dyshohet për punësim të paligjshëm

    Arrestohet ministrja e Punës në Sarajevë, dyshohet për punësim të paligjshëm

    Policia në Sarajevë ka arrestuar Enda Paviq-Peçenkoviq, ministre e Punës dhe Politikës Sociale, Personave të Zhvendosur dhe Refugjatëve, nën dyshimet për punësim të paligjshëm, konfirmuan nga Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës.

    Policia ka bastisur zyrat e Ministrisë së Punës dhe Ministrisë së Shkencës, Arsimit dhe Rinisë në Kantonin e Sarajevës, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Bastisjet dhe arrestimi i ministres së Punës janë në kuadër të vazhdimit të operacionit të quajtur “Zarfi”. Në kuadër të këtij operacioni, më 10 prill u arrestua ministrja e Shkencës, Adna Mesihoviq, po ashtu nën dyshime për punësim të paligjshëm.

    Zyra e Prokurorit në Kantonin e Sarajevës i akuzon ministren Paviq-Peçenkoviq (nga Partia Socialdemokrate e Bosnje e Hercegovinës) që së bashku me ministren Mesihoviq (nga partia Për Gjeneratën e Re) se me ndërmjetësimin e Ibrahim Obhoxhash, kanë favorizuar motrën e Obhoxhashit për t’ia mundësuar punësimin asaj në Ministrinë e Punës.

    Obhoxhash është anëtar i Bordit të Drejtorëve në Agjencinë e Punësimit në Kantonin e Sarajevës dhe ishte anëtar i Komisionit që kreu procedurën e punësimit.

    Ai u arrestua më 11 prill dhe dyshohet për veprën penale të pranimit të dhuratave apo formave të tjera të përfitimit apo të ndërmjetësimit në emërimin e drejtorit të Qendrës Studentore në Sarajevë./REL