ATV

Category: Lajme

  • Nis tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit

    Nis tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit

    Ka nisur tentimi i shtatë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar sërish deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.

    Pavarësisht disa dështimeve të njëpasnjëshme në seancat e kaluara, ku Haxhiu nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme, Vetëvendosje po vazhdon me të njëjtin propozim, duke insistuar në të drejtën e partisë fituese për të propozuar kryetarin e Kuvendit.

    Kujtojmë se në seancat e mëparshme, Haxhiu mori 57 vota për – numra të pamjaftueshëm për t’u zgjedhur në këtë pozitë – ndërsa partitë opozitare kanë deklaruar vazhdimisht se nuk do ta mbështesin kandidaturën e saj.

    Ndonëse pas më shumë se 70 ditësh nga zgjedhjet e 9 shkurtit, gjasat për zhbllokim mbeten të vogla, pasi liderët e partive opozitare kanë konfirmuar se nuk kanë ndryshuar qëndrim. Tentimi i radhës pritet të bëhet pas 48 orësh.

  • Bekë Berisha AAK: Po bre ne e kemi obligim t’ua bëjmë votat!?

    Bekë Berisha AAK: Po bre ne e kemi obligim t’ua bëjmë votat!?

    Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, pak para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ironizoi në komunikim me gazetarë.

    “Po bre ne e kemi obligim t’ua bëjmë votat!?”, tha Berisha, duke iu referuar Lëvizjes Vetëvendosje dhe mundësisë për kapërcimin e bllokadës së tanishme në Kuvend.

  • Murati: Albulena Haxhiu, kandidate sot dhe në çdo votim tjetër

    Murati: Albulena Haxhiu, kandidate sot dhe në çdo votim tjetër

    Ministri në detyrë i Financave Hekuran Murati rikonfirmoi se kandidaturën e sërishme të Albulane Haxhiut për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

    “Kandidate e jona është Albulena Haxhiu sot dhe në çdo votim tjetër. Ata që ata që nuk po votojnë pro të ndryshojnë qëndrim’, tha Murati.

  • Memli Krasniqi-PDK : Ishalla lëviz diçka, ndonjë kandidat tjetër!

    Memli Krasniqi-PDK : Ishalla lëviz diçka, ndonjë kandidat tjetër!

    Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive, ishte fare i shkurtër në komunikim me gazetarë, raporton EO.

    “Ishalla lëviz diçka! Ndonjë kandidat”, tha Krasniqi, duke iu referuar propozimit të Vetëvendosjes për kryetar të Kuvendit.

  • Zhduket një femër në Prishtinë

    Zhduket një femër në Prishtinë

    Një femër në Prishtinë është zhdukur.

    Lajmin në polici e ka raportuar nëna e saj, e cila ka thënë në polici se vajza është larguar nga shtëpia dhe nuk di për vendndodhjen e saj.

    Policia e Kosovës në raportin 24 orësh bën të ditur se rasti është nën hetim.

    “Ankuesja femër kosovare, ka raportuar se vajza e saj viktima femër kosovare është larguar nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e saj. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Peci: Ka diskutime të vazhdueshme, votimi në Kuvend do të tregojë nëse ka rezultat

    Peci: Ka diskutime të vazhdueshme, votimi në Kuvend do të tregojë nëse ka rezultat

    Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, i pyetur nëse kanë arritur marrëveshje gjatë 48 orëve, tha se kjo pritet që të shihet gjatë procesit të votimit, raporton EO.

    “Besoj që ajo që pritet është procesi i votimit. Kosovës i duhen sa më shpejt institucionet. Diskutime ka të vazhdueshme. Procesi i votimit në Kuvend do të tregojë nëse ka ose nuk ka rezultat”, tha Peci.

  • Kadrijaj-AAK : Qëndrimi ynë i njëjtë, s’e votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

    Kadrijaj-AAK : Qëndrimi ynë i njëjtë, s’e votojmë Albulena Haxhiun për kryeparlamentare

    Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se nuk kanë pasur ndonjë ftesë nga Vetëvendosje për të diskutuar rrugëdaljen nga kriza e zgjedhjes së kryeparlamentarit, raporton Ekonomia Online.

    Pak para seancës konstituive, ajo tha se AAK-ja nuk ka ndryshuar qëndrim për Albulena Haxhiun.

    “Ne nuk presim asgjë. Nuk kemi pasur asnjë ftesë. Kjo shumica duhet t’ i ketë votat. Gjithë kjo klasë politike duhet të angazhohet. Klasa politike që tenton që të marr qeverinë duhet të angazhohet ta sigurojë shumicën e thjeshtë 61 vota. Ne nuk kemi pasur ndonjë ftesë, nuk kemi ndonjë njohuri, nuk e dimë a do të jetë kandidati i njëjtë për kryetar të Kuvendit apo do të ndryshojë. Qëndrimi ynë është i njëjtë: nuk do ta votojmë kandidatën për kryeparlamentare”, tha Kadrijaj.

  • Sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot vazhdon seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

    Sot do të vazhdojë seanca e shtatë për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

    Sipas njoftimit për media, seanca do të mbahet nga ora 10:00 në Sallën Plenare.

    Të premtën për herë të gjashtë nuk u arrit konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

  • Sulmi ndaj Belgin Jasharit, reagon Osmani: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm

    Sulmi ndaj Belgin Jasharit, reagon Osmani: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër pas dhunës fizike dhe verbale që është ushtruar ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari, duke e cilësuar këtë si një akt të papranueshëm dhe të patolerueshëm në shoqërinë tonë.

    Përmes një reagimi në ‘Facebook’, Osmani ka theksuar se sporti duhet të shërbejë si urë lidhëse mes njerëzve, e jo si mur ndarës.

    “Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan! Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë“, ka shkruar Presidentja.

    Në reagimin e saj, ajo ka theksuar se çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt dhe i respektuar, pavarësisht prejardhjes apo identitetit të tij.

    Reagimi i plotë:

    Presidentja Osmani dënon ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari: Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë

    Reagimi i plotë i Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani:

    Sporti, urë që lidh njerëzit, jo mur që i ndan!

    Dhuna dhe diskriminimi në sport janë sulm i drejtpërdrejtë ndaj vlerave tona më të shtrenjta: respektit, barazisë dhe dinjitetit njerëzor. Dënoj ashpër dhunën fizike dhe verbale ndaj futbollistit të ri, Belgin Jashari. Ky është akt i papranueshëm dhe i patolerueshëm në shoqërinë tonë.

    Çdo i ri duhet të ndjehet i sigurt, i respektuar dhe i barabartë, pa dallim prejardhjeje apo identiteti.

    Akte të tilla nuk mund dhe nuk duhet të mbeten pa përgjegjësi. Institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për ta hetuar rastin dhe për t’i ndëshkuar të përfshirët në dhunë dhe fyerje.

    Kosova është vend i lirë e demokratik. Dhuna dhe urrejtja nuk do të kenë vend në fushat tona të sportit, as në shoqërinë tonë. Askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin kur cenon dinjitetin dhe sigurinë e të rinjve tanë.

    Belgin, ti je pjesë e të tashmes dhe të ardhmes sonë! Kosova është krenare me ty!

  • Apeli kthen në rivendosje vendimin e Themelores, duke anuluar gjobën ndaj avokatit të Naim Murselit

    Apeli kthen në rivendosje vendimin e Themelores, duke anuluar gjobën ndaj avokatit të Naim Murselit

    Apeli kthen në rivendosje vendimin e Themelores, duke anuluar gjobën ndaj avokatit të Naim Murselit.

    Gjykata e Apelit të Kosovës ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes të cilit gjykatësja, Fatime Dermaku me rastin e mbajtjes së shqyrtimit fillestar ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve e kishte dënuar me gjobë prej 500 euro avokatin e Murseli, Shemsedin Piraj.

    ‘APROVOHET si e bazuar ankesa e avokatit Shemsedin Piraj, ANULOHET aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për Krime të Rënda,…, dt.31.01.2025, dhe çështja i kthehet gjykatës së shkallës së parë në rivendosje” thuhet në vendim.

    Sipas vendimit, avokatit Shemsedin Piraj i ishte shqiptuar një gjobë prej 500 euro nga gjykatësja e rastit, Fatime Dermaku, me arsyetimin se pa ndonjë arsye kishte tentuar të vononte procesin gjyqësor.

    Më tej thuhet se gjykatësja Dermaku kishte marrë këtë vendim pasi Piraj, duke mos respektuar urdhrat e saj, nuk e kishte lejuar vazhdimin e shqyrtimit fillestar.

    Kundër këtij vendimi, Piraj kishte ushtruar ankesë, të cilën Gjykata e Apelit e ka gjetur të bazuar.

    “Gjykata e Apelit e Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda, në seancën e kolegjit shqyrtoi shkresat e lëndës, vlerësoi pretendimet ankimore dhe konstatoi se ankesa është e bazuar”, thuhet në vendim.

    Sipas vlerësimeve të Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore nuk ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe bindëse për të konstatuar se veprimet e avokatit Shemsedin Piraj e kanë penguar gjykatësen Fatime Dermaku në udhëheqjen e seancës fillestare.

    Në vendimin e saj, Apeli ka sqaruar se Themelorja, përveç pohimit se Piraj ka penguar punën e gjyqtares, nuk ka ofruar asnjë arsye të qartë dhe të mbështetur ligjërisht që vërteton se ai me të vërtetë ka penguar punën e gjykatës.

    Gjithashtu, sipas Apelit, kërkesa e avokatit Piraj që të mos anashkalohej kërkesa e të akuzuarit Kushtrim Kokalla — i cili kishte kërkuar të mos deklarohej lidhur me fajësinë pa u konsultuar me avokatin e tij, Ndrec Dodaj — nuk mund të anashkalohej, pasi Kokalla dhe Naim Murseli po akuzohen për bashkëkryerje së bashku me të mbrojturin e Pirajt, Naim Murselin.

    “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar avokatin Shemsedin Piraj për të kuptuar nëse Gjykata Themelore ka vendosur në rivendosje dhe cili është vendimi, mirëpo ai ka deklaruar se ende nuk ka pranuar asnjë vendim nga Themelorja.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.

    “Betimi për Drejtësi” kishte siguruar aktakuzën e Prokurorisë, në të cilën thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.