ATV

Category: Lajme

  • Kos: Jo të gjitha shtetet e BE-së janë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Kos: Jo të gjitha shtetet e BE-së janë për heqjen e masave ndaj Kosovës

    Nën ndërmjetësimin e BE-së, në vitin 2023 Kosova dhe Serbia arritën marrëveshje për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve. Por, prej atëherë, blloku i ka kritikuar ato të dyja vendet se nuk e kanë zbatuar marrëveshjen pavarësisht se ajo është e detyrueshme për to.

    Për shkak të krizave në veriun e Kosovës, që rritën tensionet mes dy vendeve, që nga shtatori i vitit 2023 në Bruksel nuk është zhvilluar asnjë rund i dialogut politik, por ka pasur vetëm bisedime në nivel të kryenegociatorëve.

    Pikërisht këto tensione në veriun e Kosovës kishin bërë që BE-ja, më 2023, t’i vendosë disa masa ndëshkuese Kosovës dhe vazhdon t’i mbajë ato në fuqi me arsyetimin se Kosova nuk ka bërë ende mjaftueshëm për shtensionimin e gjendjes në veriun e banuar me shumicë serbe.

    Me gjithë kërkesat e liderëve të Kosovës për heqjen e këtyre masave, Kos theksoi se aktualisht jo të gjitha shtetet anëtare të BE-së janë të gatshme për heqjen e masave në këtë fazë.

    “Ne ende nuk e dimë. Jemi e duke diskutuar këtë. Nëse shtetet anëtare do të jenë për heqjen e tyre, sigurisht që do ta bëjmë këtë. Por, për momentin, jo të gjitha shtetet anëtare janë për heqjen e masave”, u shpreh ajo për REL.

  • Dogana kap 700 kilogramë bajame kontrabandë

    Dogana kap 700 kilogramë bajame kontrabandë

    Policia e Kosovës më saktësisht njësitet e Task Forcës – Lindje, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, në kuadër të masave për parandalimin dhe luftimin e kundërligjshmërisë dhe kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren përgjatë brezit kufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

    Si pasojë e kësaj gjatë mëngjesit të sotëm rreth orës 07:30, në rrugën Debelldeh–Binçë (Komuna e Vitisë), njësitet e lartcekura kanë ndaluar një automjet me targa vendore të cilin e drejtonte shtetasi kosovar.

    Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur mallra të kontrabanduara si 46 peshore dhe 30 paketa me bajame me peshë nga 23 kg secila e që në total në sasi prej 690 kg.

    Vlera përgjithshme e mallit të kontrabanduar vlerësohet rreth 15,000 euro.

    Me urdhër të prokurorit të shtetit, rasti është cilësuar si kontrabandë me mallra, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Automjeti dhe mallrat janë dorëzuar në terminalin doganor në pikën kufitare Dheu i Bardhë, Gjilan.

  • Kryetari i BIK-ut Naim Tërnava, vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Kryetari i BIK-ut Naim Tërnava, vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe

    Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, po qëndron për vizitë zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është pritur në takim nga kryetari i Autoritetit të Përgjithshëm për Çështjet Islame, Fondet dhe Zekatin në EBA, Omar Habtoor al Darei.

    Takimi u zhvillua në një atmosferë miqësore dhe vëllazërore, ku u theksua rëndësia e forcimit të bashkëpunimit ndërinstitucional ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe autoriteteve përkatëse në Emiratet e Bashkuara Arabe.

    Gjatë bisedimeve, palët diskutuan për mundësitë e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë edukimin fetar, ndihmën humanitare dhe projektet sociale, me fokus në mbështetjen e iniciativave që synojnë përmirësimin e mirëqenies së komuniteteve.

    Vizita e myftiut Tërnava në Emiratet e Bashkuara Arabe vjen në kuadër të përpjekjeve të Bashkësisë Islame të Kosovës për zgjerimin e lidhjeve ndërkombëtare dhe forcimin e partneriteteve strategjike me institucione të rëndësishme të botës islame.

  • Dështoi për të dytën herë seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, nuk ka kuorum

    Dështoi për të dytën herë seanca e jashtëzakonshme e KK të Prishtinës, nuk ka kuorum

    Dështoi për të dytën herë që të mbahet seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, në të cilën ishte paraparë që të diskutohej propozim-vendimi për lënie në shqyrtim publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033, raporton EO

    Në seancën, e cila ishte thirrur të martën nuk morën pjesë asambleistët e Lëvizjës Vetëvendosjë dhe Partisë Demokratikë të Kosovës.

    Kryesuesi i Kuvendit Fehmi Kupina, konstoi mungesn e kuorumit.

    “24 anëtarë të Kuvendit janë prezentë, konstatoj se nuk kemi kuorum për mbajtjen e Kuvendit”, tha Kupina.

  • Republika Çeke kërkon rifillimin intensiv të procesit të zgjerimit të BE-së

    Republika Çeke kërkon rifillimin intensiv të procesit të zgjerimit të BE-së

    Bashkimi Evropian duhet të diskutojë më intensivisht zgjerimin e BE-së me vendet e tjera, deklaroi sot ministri çek për Çështjet Evropiane, Martin Dvorak, sipas të cilit, në dritën e situatës aktuale gjeopolitike, ardhja e anëtarëve të rinj do të forconte sigurinë dhe konkurrueshmërinë e BE-së.

    Dje në Pragë, Dvorak pati një takim me komisioneren evropiane për Zgjerimin, sllovenen Marta Kos.

    Sipas Kos, procesi i zgjerimit është në një fazë të re, pasi nuk është përballur kurrë më parë me “forca përçarëse që duan që Evropa të dështojë”, raporton ANSA.

    Vendet kandidate janë Ukraina, Moldavia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Turqia dhe Gjeorgjia.

    “Zgjerimi i BE-së është një sfidë e madhe dhe në të njëjtën kohë një mundësi që mund të ketë një ndikim vendimtar në të ardhmen e kontinentit evropian në tërësi. Sot, kjo temë është përsëri dhe me të drejtë në qendër të debatit”, shpjegoi ministri çek.

    Më 1 maj, Republika Çeke do të festojë 21-vjetorin e anëtarësimit të saj në BE.

  • Marshim në Shkup për viktimat e tragjedisë së Koçanit, kërkohet përgjegjësi

    Marshim në Shkup për viktimat e tragjedisë së Koçanit, kërkohet përgjegjësi

    Një “Marsh për Engjëjt” është mbajtur sot në Shkup, i organizuar nga familjet e viktimave të tragjedisë në diskotekën “Pulse” në Koçan, ku humbën jetën shumë persona në një zjarr të rënë më herët.

    Marshimi, i cili është një thirrje për drejtësi dhe përgjegjësi, u mbajt si një simbol i reagimit të vonuar të institucioneve.

    Organizatorët theksojnë se ky marshim është një kërkesë për përgjigje lidhur me trajtimin e çështjes dhe, në mënyrë të veçantë, për çështjet ligjore që janë të paqarta për familjarët e viktimave.

    Ata shprehen se janë të shqetësuar për mënyrën si janë trajtuar hetimet dhe procedurat ligjore në lidhje me incidentin.

    “Meritojmë përgjigje, nuk jemi ekspertë në ligj dhe procedurat ligjore dhe për këtë arsye nuk e kuptojmë se si ekspertët e ligjit i ndalojnë dhe më pas i lirojnë. A janë ata të vetëdijshëm për besimin tashmë tërësisht të tronditur në punën aktuale institucionale me “kap dhe liro”, pa një shpjegim të qartë për atë procedurë ligjore, dhe atë që po krijohet në mendjet tona që janë në prag të vetëshkatërrimit,” thuhet në thirrjen e familjarëve.

    Në thirrjen e tyre, familjarët e viktimave theksojnë se nuk do të ndalen deri sa të marrin përgjigje për vdekjet tragjike të fëmijëve të tyre dhe bëjnë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve në këtë marshim paqësor për drejtësi.

  • Hoxhaj në Forumin e Sigurisë Globale në Katar, takon Ministrin e Financave të Sudanit

    Hoxhaj në Forumin e Sigurisë Globale në Katar, takon Ministrin e Financave të Sudanit

    Gjatë qëndrimit të tij në Doha, ku po merr pjesë në Forumin e Sigurisë Globale, ish-ministri i jashtëm Enver Hoxhaj është takuar me Ministrin e Financave të Sudanit, Gebreil Ibrahim Mohamed.

    Në një postim në rrjetin social Facebook, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj ka theksuar se e ka falënderuar ministrin sudanez për mbështetjen e vazhdueshme dhe njohjen që Sudani i ka bërë pavarësisë së Republikës së Kosovës.

    “Kënaqësi ta takoj Dr. Gebreil Ibrahim Mohamed, Ministër i Financave i Sudanit. E falenderova për mbështetjen dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Sudani! 🇽🇰🤝🇸🇩”, ka shkruar Hoxhaj.

    Takimi në Doha shënon një tjetër moment të rëndësishëm të diplomacisë parlamentare dhe angazhimit ndërkombëtar të Hoxhajt në promovimin e Kosovës dhe forcimin e marrëdhënieve me vendet partnere.

    Forumi i Sigurisë Globale, ku po merr pjesë Hoxhaj, po zhvillohet në Doha dhe mbledh liderë politikë, diplomatë dhe ekspertë nga mbarë bota për të diskutuar sfidat globale të sigurisë dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

  • Policia publikon pamje se si po identifikohen përmes dronit shoferët që po kryejnë kundërvajtje

    Policia publikon pamje se si po identifikohen përmes dronit shoferët që po kryejnë kundërvajtje

    Policia e Kosovës ka publikuar pamje se si janë identifikuar kundërvajtësit në trafik përmes dronit.

    Gjobat janë dërguar në adresë të pronarit të automjetit.

    “Identifikimi i kundërvajtjeve përmes DRONIT “Mos respektimi i shenjave të trafikut” dhe dërgimi i gjobave në adresë të pronarit të automjetit! Respektoni rregullat e trafikut dhe kontribuoni në sigurinë rrugore! Siguria në rrugë është përgjegjësi e përbashkët!”

  • Ushtarët amerikanë zhvillojnë trajnim dyditor për menaxhimin e emergjencave në Kosovë

    Ushtarët amerikanë zhvillojnë trajnim dyditor për menaxhimin e emergjencave në Kosovë

    Ushtarët amerikanë të caktuar në Komandën Rajonale-Lindje të misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, kanë zhvilluar një trajnim dyditor në bashkëpunim me Departamentin e Zjarrfikësve të Kampit Bondsteel dhe Shoqatën e Kërkim-Shpëtimit të Kosovës.

    Ky aktivitet trajnues u fokusua në menaxhimin e situatave emergjente, përfshirë shuarjen e zjarreve dhe ndihmën e parë, duke synuar rritjen e përgatitjes së përbashkët për përballimin e çdo skenari të mundshëm.

    Përmes një njoftimi në Facebook, përfaqësues të KFOR-it theksuan se këto përpjekje janë pjesë e misionit të përditshëm për të mbështetur të gjitha komunitetet në Kosovë dhe për të garantuar një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.

  • Kurti viziton kullën e Isa Boletinit, zyra e tij ia publikon një foto me plis në kokë

    Kurti viziton kullën e Isa Boletinit, zyra e tij ia publikon një foto me plis në kokë

    Kryeministri në largim, Albin Kurti ka bërë homazhe në Zhazhë, si dhe ka vizituar Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit.

    Në një komunikatë për media, zyra e tij ka njoftuar se Kurti ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministri në largim, Besnik Bislimi, deputeti Faton Peci dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erdën Atiq.

    “Pas homazheve në Zhazhë, ata vazhduan për në fshatin Boletin në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit dhe vendosën lule të freskëta mbi varrin e heroit Isa Boletini. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe për këtë kompleks të rëndësishëm për popullin shqiptar, kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta” – thuhet në njoftim.

    Ndërkohë, Zyra e Kurtit ka ndarë pamje derisa ai shkroi në librin e përshtypjeve, ku u pa me plis në kokë.