ATV

Category: Lajme

  • OKB: Mbi 72.000 migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

    OKB: Mbi 72.000 migrantë të vdekur ose të zhdukur në dekadën e fundit

    Më shumë se 72.000 vdekje dhe zhdukje janë dokumentuar përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën gjatë dekadës së fundit, shumica në vende të prekura nga kriza, tha të martën Organizata e Kombeve të Bashkuara.

    Viti i kaluar shënoi numrin më të lartë të regjistruar ndonjëherë të migrantëve të vdekur, me të paktën 8.938 persona që humbën jetën përgjatë rrugëve të migrimit, sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracionin (IOM).

    “Këto shifra janë një kujtesë tragjike se njerëzit rrezikojnë jetën kur pasiguria, mungesa e mundësive dhe presione të tjera i lënë pa zgjedhje të sigurta apo të qëndrueshme në vendin e tyre”, tha drejtoresha e IOM-it, Amy Pope.

    Raporti i agjencisë së OKB-së zbuloi se gati tri të katërtat e të gjitha vdekjeve dhe zhdukjeve të migrantëve të regjistruara globalisht që nga viti 2014 ndodhën ndërsa njerëzit po iknin nga pasiguria, konfliktet, katastrofat dhe krizat e tjera humanitare.

    Një në katër ishin “nga vende të prekura nga kriza humanitare, me mijëra vdekje të afganëve, rohingjave dhe sirianëve të dokumentuara përgjatë rrugëve të migrimit në mbarë botën”, thuhej në Raportin për Migrantët e Zhdukur të IOM-it.

    Raporti thekson se më shumë se 52.000 persona humbën jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga një prej 40 vendeve në botë ku OKB-ja ka një plan reagimi ndaj krizave ose plan humanitar të veprimit.

    Pope bëri thirrje për investime ndërkombëtare “për të krijuar stabilitet dhe mundësi brenda komuniteteve, në mënyrë që migrimi të jetë një zgjedhje, jo një domosdoshmëri”.

    “Dhe kur qëndrimi [në vendlindje] nuk është më i mundur, duhet të punojmë së bashku për të mundësuar rrugë të sigurta, ligjore dhe të rregullta që mbrojnë jetët”, tha ajo.

    Mesdheu Qendror mbetet rruga më vdekjeprurëse e migrimit në botë, me gati 25.000 persona të humbur në det gjatë dekadës së fundit, tha IOM.

    Më shumë se 12.000 prej tyre janë humbur në det pasi janë nisur nga Libia e shkatërruar nga lufta, ndërsa të panumërt të tjerë janë zhdukur gjatë tranzitit nëpër shkretëtirën e Saharasë, sipas raportit.

    Më shumë se 5.000 persona kanë humbur jetën ndërsa përpiqeshin të largoheshin nga Afganistani i shkatërruar nga kriza gjatë dekadës së fundit, shumë prej tyre pas rikthimit të talibanëve në pushtet në vitin 2021, raporton REL.

    Dhe më shumë se 3.100 anëtarë të pakicës së përndjekur Rohingja nga Mianmari kanë vdekur gjatë kësaj periudhe, shumë prej tyre në mbytje anijesh apo gjatë kalimit në Bangladesh.

    “Shumë shpesh, migrantët harrohen”, paralajmëroi Julia Black, koordinatore e Projektit për Migrantët e Zhdukur të IOM-it dhe autore e raportit.

    “Dhe për shkak të mungesës së të dhënave – sidomos në zonat e luftës dhe në rajonet e goditura nga katastrofat – numri real i viktimave ka shumë gjasa të jetë shumë më i lartë se sa kemi regjistruar”, tha ajo.

  • Presidenti i Malit të Zi s’e dekreton marrëveshjen për Plazhin e Madh në Ulqin

    Presidenti i Malit të Zi s’e dekreton marrëveshjen për Plazhin e Madh në Ulqin

    Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, ia ka kthyer Kuvendit për rishqyrtim njërën nga dy marrëveshjet që Qeveria e Malit të Zi i kishte nënshkruar me Emiratet e Bashkuara Arabe – atë që i hapte rrugë dhënies me qira të Plazhit të Madh në Ulqin.

    Sipas asaj marrëveshjeje, Mali i Zi do t’ia jepte Plazhin e Madh me qira për 99 vjet kompanisë Emmar të biznesmenit arab, Mohamed Alabbarit, që do të ndërtonte një kompleks megaturistik në Ulqin.

    Alabbar ka marrë pjesë edhe në projekte rajonale në Kroaci, Shqipëri dhe në “Beogradin mbi ujë” në Serbi.

    Por, Millatoviq, i cili dekretoi Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim ekonomik, nuk e bëri të njëjtën edhe për Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e turizmit dhe zhvillimit të pasurive të paluajtshme. Këtë të fundit ai ua ktheu deputetëve për ta votuar sërish.

    Që marrëveshjet e nënshkruara nga kryeministri Millojko Spajiq në fund të marsit me zyrtarët e Emirateve të hyjnë në fuqi, Kuvendi i Malit të Zi i miratoi dy ligjet me procedurë të përshpejtuar më 23 prill, me propozim të Qeverisë.

    Ato u mbështetën nga deputetët e shumicës parlamentare – lëvizja e Spajiqit “Evropa tani”, partia “Demokracia e Re Serbe” e kryetarit të Kuvendit, Andrija Mandiq, Demokratët dhe Partia Boshnjake.

    Ditëve para miratimit, Millatoviq dhe një pjesë e sektorit joqeveritar paralajmëruan se me miratimin e Marrëveshjes për bashkëpunim në turizëm dhe zhvillim të pasurive të paluajtshme po pezullohet Kushtetuta dhe një pjesë e ligjeve të Malit të Zi.

    Kthimi i këtij ligji nga Millatoviq e detyron Kuvendin që të votojë sërish për të. Nëse ligji miratohet përsëri, ai do t’i dërgohet sërish Millatoviqit për nënshkrim. Sipas Kushtetutës, në atë rast ai është i detyruar ta nënshkruajë, dhe ligji hyn në fuqi.

    Arsyetimi i Millatoviqit për kthimin

    Nga zyra e presidentit të Malit të Zi u tha se arsyet për mosnënshkrimin janë shumë çështje të hapura në atë marrëveshje, për të cilat publiku nuk ka marrë përgjigje adekuate nga Qeveria.

    Kritikat kryesore janë se marrëveshja nuk respekton parimin e konkurrencës dhe pozitës së barabartë në treg, se pezullon legjislacionin vendas për prokurimet publike, tenderët dhe pasurinë shtetërore, se mungojnë analizat juridike dhe financiare për shumë detyrime që Qeveria ka marrë mbi vete…

    “Marrëveshja përbën praktikisht një akt detyrues njëpalësh, me një sërë detyrimesh për shtetin e Malit të Zi, ndërkohë që nuk përmban asnjë detyrim konkret nga pala tjetër që do të siguronte mbrojtjen e interesave të shtetit në këtë marrëdhënie juridike”, thuhet në arsyetimin e Millatoviqit.

    Me këtë qasje, siç pretendohet, Qeveria e ka vënë Malin e Zi në një pozitë të pabarabartë në raport me palën tjetër kontraktuese.

    Presidenti Millatoviq në fund u bën thirrje deputetëve që, gjatë rishqyrtimit, të marrin në konsideratë të gjitha vërejtjet ndaj marrëveshjes nga një pjesë e institucioneve shtetërore, komuniteteve lokale, sektorit joqeveritar dhe zyrtarëve evropianë, në mënyrë që – siç thuhet – të parandalohen pasojat e dëmshme për interesat shtetërore.

    Për arsyet e kthimit të marrëveshjes, Millatoviq e ka informuar me telefon ministrin e Jashtëm të Emirateve, Sheikun Abdullah bin Zayed Al Nahyan.

    Ulqini – arsyeja kryesore e marrëveshjes?

    Edhe pse në marrëveshje nuk përmendet lokacioni i investimeve, Qeveria ka njoftuar më herët se ato lidhen me investimet e biznesmenit arab Mohamed Alabar në Plazhin e Madh të Ulqinit, çka është kundërshtuar ashpër nga autoritetet lokale, opozita dhe ekologët.

    Bëhet fjalë për një koncesion 99-vjeçar për një pjesë të Plazhit të Madh, me rreth 20 milionë metra katrorë, ku do të ndërtohen komplekse turistike dhe banimi, ka deklaruar disa herë kryeministri Spajiq.

    Në fillim të prillit, ai në Kuvend deklaroi se Alabar është i gatshëm të investojë rreth 35 miliardë euro. Më vonë ai e relativizoi këtë deklaratë, duke thënë se bëhet fjalë për potencialin për tërheqjen e një investimi të tillë.

    Marrëveshja e obligon Qeverinë që të përgatisë dokumentacionin planifikues sipas dëshirave të investitorëve arabë, të ndërtojë infrastrukturën për projektet, të marrë përsipër shpenzimet e eksproprijimit, etj.

    Nuk ka vlerësim të qartë sa do të mund të kushtonte kjo për Malin e Zi.

    Rrjeti për Afirmimin e Sektorit Joqeveritar, MANS, që për dekada lufton kundër korrupsionit, ka paralajmëruar për rrezik të lartë për pastrim parash, pasi të dhënat për pronarët realë të kompanive të regjistruara në Emirate nuk janë të disponueshme publikisht.

    Qeveria nuk do të mund të verifikojë kujt i ka dhënë pasurinë shtetërore, thonë nga MANS.

    Sektori joqeveritar vlerëson se marrëveshja është në kundërshtim me të drejtën evropiane në fushat e prokurimeve, konkurrencës, dhe ekologjisë.

    Këto çështje mbulohen nga kapitujt për lirinë e qarkullimit të kapitalit, për prokurimet publike, për konkurrencën dhe për mbrojtjen e mjedisit, që Mali i Zi synon t’i mbyllë në negociatat me Komisionin Evropian deri në fund të vitit.

    Qëllimi i Qeverisë së Malit të Zi është që deri në fund të vitit 2026 të mbyllë të gjitha kapitujt negociues, në mënyrë që dy vjet më vonë Mali i Zi të bëhet anëtar i BE-së. /REL

  • Ali Ahmeti në Prishtinë, Presidentja Osmani ia hap dyert

    Ali Ahmeti në Prishtinë, Presidentja Osmani ia hap dyert

    Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, bashkë me ish-ministrin e Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, janë pritur sot në takim nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

    BDI përmes një videoje ka ndarë pamjet nga kjo vizitë e kreut të partisë.

    “Kryetari Ahmeti pritet nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në Prishtinë”, thuhet krahas videos së publikuar.

    VIDEO

  • ​Rama: Ministri Çeku flet të pavërteta sa herë që flet

    ​Rama: Ministri Çeku flet të pavërteta sa herë që flet

    Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se çdo fjalë e ministrit të kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku është e pavërtetë.

    Pas vazhdimit të punimeve në sheshin “George Bush” nga Komuna e Prishtinës, ka reaguar ministri i kulturës në detyrë, Hajrulla Çeku, duke kritikuar kryetarin e kryeqytetit për këtë vendim.

    Rama pas dështimit të seancës të Kuvendit të Komunës së Prishtinës, tha për mediat se nuk ka parë se cka ka shkruar Çeku, duke theksuar se ai flet të pavërteta sa herë që flet apo prezanton diçka.

    “Ministri në detyrë i kulturës flet të pavërteta sa herë që flet apo prezanton diçka, kështu që nuk i lexoj më, nuk e di se çka ka thënë”, tha Rama.

    Çeku ka shkruar dje se nuk do të heqin dorë për asnjë çmim nga mbrojtja e ligjshmërisë; as nuk e kemi këtë të drejtë.

    “Të gjitha provat për shkelje ligjore dhe keqpërdorim të buxhetit të shtetit nga komuna i kemi dorëzuar në institucionet e drejtësisë. Çdo vonesë për t’i adresuar këto shkelje do t’i kushtojë rëndë buxhetit e kryeqytetit. Për të gjithë propagandistët, dua të bëj një sqarim. Ligji parasheh që për investime brenda zonave të mbrojtura, duhet të merret edhe pëlqimi i autoriteteve të trashëgimisë kulturore. Këtij detyrimi ligjor i nënshtrohen të gjithë, edhe komunat e institucionet e tjera, përfshi vet Ministrinë e Kulturës për investimet e saj. Dhe një tjetër informacion për propagandistët. Kur komuna e Prishtinës e ka respektuar ligjin dhe procedurën, psh. në projektin e sallës koncertale, përveç që i është dhënë pëlqimi, si ministri kemi ndarë edhe dhjetë milionë euro buxhet si mbështetje për komunën. Gjithashtu, kemi një listë të gjatë investimesh qendrore në infrastrukturën kulturore e sportive të kryeqytetit në katër vitet e fundit, disa prej të cilave janë në pritje të ndarjes së tokës nga komuna, edhe një premtim i parealizuar nga kryetari. Ne jemi për zhvillimin e Prishtinës, ne duam dhe mbështesim projektet që e rrisin mirëqenien e qytetarit. E vetmja kërkesë e jona është të respektohen ligjet e procedurat. Pse duhet të jetë kaq e vështirë përmbushja e detyrimeve ligjore?”, ka shkruar ai.

    Përndryshe, punimet në shesh ishin ndërprerë nga inspektorët e ministrisë, megjithatë, Komuna e Prishtinës insistoi dhe dje rinisën punimet në rregullimin e asaj pjese.

  • Bullgaria, shteti i parë në Evropë me reaktor bërthamor AP1000

    Bullgaria, shteti i parë në Evropë me reaktor bërthamor AP1000

    Bullgaria do të jetë shteti i parë në Evropë që do të ketë një reaktor funksional të tipit AP1000, deklaroi Ministri i Energjisë Zheço Stankov, gjatë një forumi të organizuar nga kompania Westinghouse në Sofje. Ai shtoi se vendi tashmë ka një vendndodhje të miratuar dhe një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) për projektin, ndërkohë që aktualisht po punohet për financimin dhe koordinimin me Komisionin Evropian.

    Stankov raportoi gjithashtu se të hënën ka zhvilluar një bisedë me Sekretarin amerikan të Energjisë, Chris Wright, lidhur me mundësitë e investimeve në termocentralin bërthamor të Kozllodujt. Sipas tij, shteti bullgar duhet të “shfrytëzojë mundësinë që ofrohet me projekte si Njësitë 7 dhe 8 të termocentralit Kozlloduj”, duke theksuar se kompanitë bullgare duhet të jenë pjesë e projektit. Ai mirëpriti nënshkrimin e shumë memorandumeve të hënën, të cilat, sipas tij, do t’u japin firmave bullgare mundësinë për të marrë pjesë në atë që e quajti “projekti më i madh i kësaj dekade – dhe ndoshta edhe i së ardhmes”.

    Sipas Ministrit të Energjisë, njësitë e reja do të krijojnë kushte për kthimin e ekspertëve bullgarë me përvojë ndërkombëtare. “Në kulmin e ndërtimit, në këtë vend do të punësohen rreth 10,000 persona”, theksoi Stankov./BTA-KosovaPress

  • Adidas paralajmëron se tarifat e SHBA-së do të rrisin kostot e produkteve

    Adidas paralajmëron se tarifat e SHBA-së do të rrisin kostot e produkteve

    Adidas paralajmëroi të martën se rritja e tarifave amerikane përfundimisht do të rrisë koston e produkteve të saj në tregun amerikan.

    Në një njoftim për shtyp, CEO Bjorn Gulden tha se kompania tashmë ka minimizuar eksportet nga Kina në SHBA, por se politikat e reja tarifore po kanë një ndikim më të gjerë.

    “Ajo që është edhe më keq për ne është rritja e përgjithshme e tarifave amerikane nga të gjitha vendet e tjera të origjinës,” tha Gulden, shkruan AA, transmeton KosovaPress.

    Ai vuri në dukje se Adidas aktualisht nuk mund të prodhojë shumicën e produkteve të saj në vend, që do të thotë se tarifat më të larta të importit ka të ngjarë të rezultojnë në rritje të kostove.

    “Duke pasur parasysh pasigurinë rreth negociatave midis SHBA-së dhe vendeve të ndryshme eksportuese, ne nuk e dimë se cilat do të jenë tarifat përfundimtare,” shtoi ai.

    Gulden tha se aktualisht është e pamundur të përcaktohet sasia e ndikimit ose të përcaktohet se si mund të ndikojë në kërkesën e konsumatorit.

  • Gjykata Kushtetuese rrëzon dispozita kyçe të Kodit Doganor për shkelje të Kushtetutës

    Gjykata Kushtetuese rrëzon dispozita kyçe të Kodit Doganor për shkelje të Kushtetutës

    Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka shpallur të pavlefshëm paragrafët 4, 5 dhe 6 të nenit 331 të Kodit Doganor dhe të Akcizave, duke konstatuar se ato cenojnë parimet kushtetuese të barazisë para ligjit, vlerave dhe mbrojtjes së pronës.

    Sipas Gjykatës, këto dispozita krijojnë pasiguri juridike dhe cenojnë të drejtat e fituara të zyrtarëve të Doganës, veçanërisht për ata që nuk kanë pasur pozita paraprake në këtë institucion.

    Ndërkohë, paragrafët 2 dhe 7 u vlerësuan si në përputhje me Kushtetutën. Kërkesa për masë të përkohshme u refuzua. Vendimi u mor njëzëri nga trupi gjykues.

  • Trump: Unë e udhëheq Amerikën dhe botën

    Trump: Unë e udhëheq Amerikën dhe botën

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha në një intervistë të re për The Atlantic se mandatet e tij presidenciale janë dukshëm të ndryshme, duke theksuar se këtë herë ai po udhëheq “vendin dhe botën”.

    “Për herë të parë, kisha dy punë, të drejtoja vendin dhe të mbijetoja; më është dashur të merrem me të gjitha llojet e mashtruesve”, tha Trump në një intervistë të publikuar dje.

    “Dhe hera e dytë që udhëheq vendin dhe botën”, shtoi ai.

    Që kur u rikthye në detyrë në janar, Trump ka lëshuar një sërë urdhrash ekzekutivë gjithëpërfshirës në një sërë fushash, me masat e tij për imigracionin dhe tregtinë që kanë tërhequr vëmendjen më të madhe dhe kanë sfida të ashpra ligjore dhe kritika nga udhëheqësit botërorë.

    Në fushën e tregtisë, Trump ka provokuar reagime globale duke njoftuar tarifa për shumicën e vendeve, përfshirë partnerët më të mëdhenj tregtarë të Amerikës, megjithëse ka shtyrë disa masa specifike deri në korrik. Lëvizje të tilla kanë sjellë pasiguri në tregjet globale dhe kanë rritur shqetësimet ekonomike.

    Marrëdhëniet me aleatët e hershëm amerikanë janë përkeqësuar më tej nga retorika e Trumpit në lidhje me aneksimin e mundshëm të Grenlandës dhe territoreve kanadeze.

    Në të njëjtën kohë, ai ia kushtoi pjesën më të madhe të muajve të parë të mandatit të tij të ri përpjekjeve për të ndërmjetësuar një marrëveshje armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës.

    “Nuk kam ndërmend të kandidoj për një mandat të tretë”

    Duke folur për The Atlantic, Trump trajtoi gjithashtu çështjen e një kandidimi të tretë të mundshëm për Shtëpinë e Bardhë, një ide për të cilën ai ka folur në të kaluarën, por që ligjvënësit republikanë e shohin kryesisht si shaka.

    “Kjo nuk është diçka që kam në plan ta bëj. Dhe mendoj se do të ishte shumë e vështirë për ta arritur”, tha Trump në një intervistë.

    Trump udhëton sot për në Michigan, ku do të mbajë një tubim për të shënuar 100 ditët e para të rikthimit të tij në pushtet.

    “Presidenti Trump mezi pret të kthehet në shtetin e madh të Miçiganit të martën e ardhshme, ku do të mbajë një tubim në Qarkun Macomb për të festuar 100 ditët e para të tij”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Leavitt, shkroi në Platformën X javën e kaluar.

  • Kos: Shqipëria shteti i 29-të i BE-së në vitin 2029

    Kos: Shqipëria shteti i 29-të i BE-së në vitin 2029

    Komisonerja e zgjerimit Marta Kos deklaroi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se Shqipëria do të jetë shteti i 29-të anëtar i Bashkimit Evropian, pas Malit të Zi brenda vitit 2029.

    “Do të ishte dështim për ne nëse brenda këtij mandati të Komisionit aktual Europian nuk do të arrinim që të mos anëtarësonim asnjë shtet të ri në BE. Jam e sigurt që ne mund të anëtarësojmë Malin e Zi, shtet me të cilin të gjitha kapitujt i kemi hapur dhe ka nisur mbyllja e tyre, procesi që mund të mbyllet në fund të vitit 2026. Nga pikëpamja teknike ne mund të mbyllim negociatat me Shqipërinë në fund të vitit 2027. Më tej u mbetet shteteve anëtare nëse këto dy shtete do të anëtarësohen në familjen tonë europiane”, tha Marta Kos.

    –Ju përmendët Malin e Zi dhe Shqipërinë, a do të jenë ato përkatësisht shteti i 28-të dhe 29-të i BE-së përpara se ju të lini zyrën në vitin 2029?

    Marta Kos- Po.

  • Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

    Çmimi i rrymës për bizneset pritet të rritet deri në 30 për qind

    Deri në 30 për qind pritet të shtrenjtohet çmimi i energjisë për bizneset e mëdha, paralajmërojnë përfaqësues të disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë.

    Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.

    Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?

    Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ‘90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes për konsumatorët. Ndërsa, në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.

    Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.

    Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha – konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro – të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.

    Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

    Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.

    Aktualisht, në tregun e lirë të Kosovës janë të licencuara 18 kompani që ofrojnë furnizim me energji elektrike, shumica prej të cilave janë nga Kosova, por ka edhe kompani nga rajoni.

    Disa prej tyre kanë nisur negociatat me prodhues të energjisë në rajon për të siguruar kapacitetet e nevojshme për furnizimin e klientëve të rinj.

    Ndërkohë, disa biznese, si Frutex në Suharekë, po kërkojnë kompani vendore për të negociuar çmimin për rrymën.

    Bizneset përballë zgjedhjes së furnizuesve të rinj

    Drilon Brahimi, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Tredint Group L.L.C, e cila u licencua për furnizim me energji elektrike në fund të vitit të kaluar, thotë se janë në fazën e hulumtimit të tregut për të siguruar çmime më të volitshme, por ende nuk kanë nënshkruar asnjë kontratë me kompani prodhuese nga rajoni.

    “Shumë kompani vendore, konkretisht ato prodhuese, kanë filluar të na dërgojnë profilin vjetor të konsumit energjetik dhe po kërkojnë informacione rreth çmimit. Ne jemi në fazën e përgatitjes së ofertave. Përgjigjja konkrete për secilën pritet t’iu dërgohet në fillim të majit”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.

    Megjithatë, Brahimi thekson se çmimi për muajt e parë pritet të jetë deri në 30 për qind më i lartë se tarifat aktuale të energjisë.

    Aktualisht, për konsumatorët e amvisërisë dhe ata komercialë që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 13.29 centësh.

    Nga 1 maji hyjnë në fuqi tarifat e reja, me një rritje prej 16.1 për qind, por ato nuk do të zbatohen për bizneset me mbi 50 punëtorë.

    Rritjen prej 30 për qind për kompanitë e mëdha e paralajmëron edhe Diamant Dalladaku nga kompania Enerco LLC.

    Edhe ai thotë se ende nuk ka nënshkruar ndonjë kontratë me kompani të huaja dhe se janë në proces të hulumtimit të tregut.

    “Liberalizimi i tregut të energjisë është një proces i ri dhe gjatë zbatimit po paraqiten sfida. Si problem në kohën e përgatitjes është mungesa e informacioneve për energjinë që shpenzojnë bizneset, të cilat po dalin në tregun e hapur”, thotë Dalladaku për Radion Evropa e Lirë.

    Në raportin vjetor të ZRRE-së thuhet se vitin e kaluar mbi 5.400 gigavatë në orë (GWh) ka qenë sasia e përgjithshme e energjisë së shitur te të gjithë konsumatorët në Kosovë. Nga kjo sasi, 3.156 GWh apo 58.4 për qind janë shpenzuar nga konsumatorët familjarë, kurse pjesa tjetër, 2.041 apo mbi 37 për qind, është shpenzuar nga konsumatorët jofamiljarë dhe në këtë kategori përfshihen të gjitha bizneset.

    Palushi: Ende nuk kemi oferta konkrete për energjinë

    Kompania për prodhimin e lëngjeve Frutex në Suharekë është një nga kompanitë që nga qershori do gjejë vetë kompaninë furnizuese për rrymë.

    Pronari i saj, Shaqir Palushi, thotë se kanë dërguar kërkesë për takim në të gjitha kompanitë e licencuara për furnizim me energji, në mënyrë që të negociojnë për çmimin. Megjithatë, Palushi ende nuk ka pranuar ndonjë përgjigje nga to.

    “Po pres në ditët në vazhdim… por, nuk besoj se ato janë të përgatitura për këtë proces, sidomos në kushtet e turbulencës që kanë mbizotëruar vitet e fundit lidhur me çmimet e energjisë elektrike”, thekson ai.

    Palushi tregon se për një muaj shpenzon energji në vlerë deri në 40 mijë euro. Në rast të rritjes së çmimit për 30 për qind, për sasinë e njëjtë të shpenzuar ai do të paguante mbi 52 mijë euro.

    “Sigurisht se kjo do të rrisë shpenzimet operative, por ne do të bëjmë përpjekje që fillimisht të ketë ndikim në uljen e profitit të kompanisë dhe jo të rrisim çmimet”, thotë ai.

    Kompanitë e licencuara, të papërgatitura?

    Odat ekonomike në Kosovë kanë kërkuar shtyrjen e këtij vendimi, pasi sipas tyre, edhe pse kompanitë janë të licencuara, shumica prej tyre nuk kanë pasur klientë fundorë dhe kanë ekzistuar vetëm “në letër”, pa veprimtari reale tregtare.

    Ky tranzicion, sipas tyre, do të destabilizojë furnizimin dhe do të ndikojë në rritjen e çmimeve të produkteve të tjera.

    Për këtë arsye, më 21 mars, Oda Ekonomike e Kosovës kërkoi nga Avokati i Popullit që të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe të kërkojë pezullimin e vendimit për të paktën një vit.

    Avokati i Popullit konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar ankesën e Odës Ekonomike të Kosovës dhe është duke e shqyrtuar.

    “Për Avokatin e Popullit kjo është një situatë komplekse për faktin se këto zhvillime janë bërë në kohën kur institucionet kryesore janë në krijim e sipër”, thuhet në përgjigje, ku shtohet se shtrenjtimi i tarifave të rrymës do të ketë pasoja në të drejtat socio-ekonomike për qytetarët.

    Megjithatë, ZRRE-ja përsëriti se kapacitetet ekzistuese janë të mjaftueshme për t’i furnizuar bizneset me energji pas liberalizimit të tregut.

    “Shumica e furnizuesve janë duke bërë përgatitjet e nevojshme teknike dhe administrative për të qenë funksionalë në treg”, thuhet në një përgjigje që ZRRE-ja i dërgoi Radios Evropa e Lirë.

    ZRRE-ja thotë se është duke zhvilluar takime të rregullta dhe informuese me të gjithë furnizuesit e licencuar me qëllim që të informohen në mënyrë sa më të qartë rreth hapave dhe mundësive që ofron liberalizimi i tregut. /REL/