Prokuroria Themelore në Pejë, njoftoi se për periudhën tremujore: janar – shkurt- mars, ka ngritur gjithsej 580 aktakuza kundër 658 personave për vepra të ndryshme penale.
“Nga departamenti i krimeve të rënda, departamenti i përgjithshëm dhe për të mitur, prokuroret e shtetit, kanë ngritur 580 aktakuza, ndaj 658 personave për lloje të ndryshme të veprave penale nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.
Mesatarja për muaj e ngritjes se aktakuzave është 193, kurse e personave të akuzuar rreth 220 persona të akuzuar për një muaj pune.
Prokuroria Themelore në Pejë, mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive negative dhe gjithë atyre personave që bien ndesh me ligjin komfor Kodit Penal i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Sindikata e Re e Korporatës së Energjisë së Kosovës (KEK) njoftoi për organizimin e një proteste më 1 Maj, Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, për të kërkuar paga më dinjitoze dhe kushte më të mira pune për punëtorët e sektorit energjetik.
Protesta do të mbahet të mërkurën, në ora 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Në njoftimin e bërë publik, Sindikata e Re thekson se puna e tyre përmban lodhje ekstreme, rrezik të përhershëm dhe sakrificë të përditshme, duke theksuar se “kjo punë nuk ka para që mund ta paguajë”.
Për të ilustruar realitetin e vështirë, sindikata ka shpërndarë edhe një fotografi të një punëtori me fytyrë të mbuluar nga pluhuri i zi, simbol i kushteve të rënda në të cilat punojnë minatorët dhe teknikët e KEK-ut.
“Protestojmë për një pagë dinjitoze dhe respekt për punën tonë”, thuhet në thirrjen publike, ku organizatorët ftojnë qytetarët dhe përfaqësuesit sindikalë të solidarizohen me kërkesat e tyre.
Janë bërë 26 vjet që nga rënia heroike e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ilaz Kodra, i cili ka qenë pjesë e celulave të para të UÇK-së dhe pjesëmarrës i të gjitha luftërave në Drenicë dhe rrethinë.
Kodra u lind më 3 maj të vitit 1966 në lagjen Kodra të Prekazit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa tetëvjeçaren dhe shkollën e mesme, Gjimnazin, i ka kryer në Skenderaj. Pas kryerjes së shkollës së mesme, regjistrohet në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë. Shërbimin e detyrueshëm ushtarak e ka kryer në Slloveni.
Në prill të vitit 1999, forcat okupatore serbe të goditura ashpër nga aeroplanët e NATO-s mllefin dhe zemërimin po e derdhnin kundër popullatës civile, duke pushkatuar e masakruar kudo ku ata bënin përpjekje të mbijetonin, në kushte dhe rrethana të një rrethimi të hekurt.
Me të marrë lajmin se forcat serbe po bënin përpjekje të mësynin popullatën civile në fshatin Verboc e Shtuticë, Ilaz Kodra niset për t’i shkuar në ndihmë popullatës.
Në mëngjes herët, rreth orës 5.30 fillon breshëria e sulmit nga forcat armike, të cilat kishin rrethuar vendi në formë patkoi. Ilaz Kodra, në luftë ballë për ballë kundër forcave serbe, bie në altarin e lirisë më 30 prill të vitit 1999, në fshatin Shtuticë.
Komuna e Drenasit dhe ajo e Skenderajt, sot do të bëjnë homazhe në varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe do të bëhet zbulimi i pllakave përkujtimore në fshatin Shtuticë dhe Gllobar.
Nesër rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.
Kryesisht me kthjellime e diell parashihet moti ditën e mërkurë. Orëve të pasdites përreth zonave malore zhvillohen vransira të pakta lokale, por pa gjasa për të reshura. Frynë erë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja 5-10m/s.
Temperaturat maksimale shkojnë deri në 22C e 25C. Minimalet në mëngjes zbresin në 3C e 6C.
Të enjten e të premtën, më 1 dhe 2 maj do të ketë zhvillime të vransirave lokale orëve të pasdites, që të premtën më vonë, mund të japin kushte për ndonjë rrebesh të izoluar shiu, kryesisht përreth viseve malore.
Temperaturat maksimale luhaten ndërmjet 22C e 25C. Në fundjavë më shumë diell, e ditën e diel gradualisht shtrihen vransira të larta. Vazhdon trendi i rritjes së temperatura me maksimale deri në 26C e 28C. Minimalet luhaten kryesisht ndërmjet 5C e 10C. Erërat frynë nga veriu e verilindja të lehta dhe mesatare 5-10m/s. Përgjatë fundjave ndryshojnë drejtimin në jugperëndimore.
Avokati Arbër Jashari, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se rastet e mosdurimit racor në Kosovë janë të rralla dhe të izoluara, por diskutimi rreth tyre është i rëndësishëm për nivelin e respektimit të të drejtave të njeriut.
Ai tha se nuk ka pasur raste të shumta të veprës penale për urrejtje racore dhe se debati publik është i dobishëm, edhe nëse rasti konkret nuk ka qenë i tillë.
“Unë edhe para se me ardh në emision, u mendova mos kam pasur ndonjë rast të veprës penale për mosdurim racor, por nuk është se në Kosovë këto dukuri ndodhin shpesh dhe nuk është që është ndonjë që është bërë traditë. Thjesht, rastet e tilla, nuk them që nuk ndodhin, por kur ndodhin janë të izoluara. Edhe ky rast që ka ndodhur, besoj që ka qenë një rast i izoluar qysh e thanë edhe krejt, por ajo që është më e rëndësishme, çka mund të përfitojmë ose çka mund të ketë dobi është që mirë që ne u sensibilizuam si shoqëri, edhe nëse s’ka ndodhur qashtu, vet fakti që ne diskutojmë, është mirë që ta shohim se në çfarë niveli të respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut jemi”, tha Jashari.
Deklaratën e plotë të Arbër Jasharit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Sociologu Jeton Brajshori, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se shoqëria kosovare duhet të punojë më shumë me vetveten për të ndërtuar identitet të qëndrueshëm dhe për të shmangur racizmin dhe paragjykimet ndaj grupeve të margjinalizuara.
Ai tha se, ndonëse jemi shpesh paragjykues ndaj të dobëtëve, shfaqim servilizëm ndaj të huajve të fuqishëm, gjë që tregon një mospërputhje në qëndrime.
“Realisht jemi shoqëri goxha paragjykuese, pak raciste, por edhe goxha edhe servile nganjëherë, sepse çështja ka të bëjë kur jemi pak racist dhe paragjykues, normalisht që jemi ndaj grupeve të margjinalizuara të cilat i kemi në shoqërinë tonë. Mirëpo kur kemi punë me perëndimorë që janë jashtëzakonisht të fortë, atëherë aty vjen paksa në shprehje ai serviliteti paksa më i madh. Prandaj ne duhet të punojmë shumë secili me vetveten në mënyrë që të krijojmë një identitet tonin, mos të jemi etnocentrik, edhe pse mirë është me qenë etnocentrik sado pak sepse kërkon dashuri ndaj kombit tënd. Mirëpo duhet të punojmë shumë secili me vetveten që të tjerët të na respektojnë dhe ne duhet të kemi empati edhe për grupet e tjera, për shkak se jemi vet ata të cilët e kemi përjetuar gjatë viteve të 90-ta diskriminimin dhe paragjykimet nga ish-pushtuesi, dhe ne jemi ata që më së paku të merremi me paragjykime dhe diskriminim”, tha Brajshori.
Duke komentuar rastin e futbollistit të komunitetit ashkali, ai u shpreh i habitur që ndeshja nuk u ndërpre pas sulmit ndaj një lojtari minoritar.
“Sa i përket rastit të lojtarit në fjalë, për mua ka qenë e çuditshme pse nuk është ndërprerë ndeshja dhe nuk janë ftuar organet e rendit, për shkak se është sulmuar një person minor. Unë e kam dëgjuar deklaratën e Belginit, i cili thotë se vazhdimisht, edhe në ndeshjet e kaluara edhe gjatë ndeshjes, është përballuar me ofendime me terma pezhorativë që është quajtur. Pra, në këtë mënyrë, në zhargonin futbollistik, referi i ndeshjes, delegati i ndeshjes – për mua e kanë karton të kuq”, deklaroi Brajshori.
Deklaratën e plotë të Jeton Brajshorit në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Kryetari i Demokracisë Konservatore, Abdullah Klinaku, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Kosova nuk duhet të etiketohet si shoqëri raciste, pasi ligjet dhe vlerat e saj garantojnë mbrojtjen e çdo qytetari.
Ai tha se reagimet e fundit janë nxitur më shumë për të prodhuar lajm dhe për të qenë pjesë e debatit publik sesa për realitetin e situatës.
“Jo, unë mendoj që më shumë ndoshta e kanë shfrytëzuar momentin për me prodhu lajme, për me qenë pjesë aktive e kësaj teme. Përndryshe, me e nda në dy rrafshe, në aspektin juridik, Kosova është shumë mirë e mbuluar juridikisht për sa i përket të gjitha komuniteteve, pra Kushtetutën, ligjin kundër diskriminimit, Kodin Penal, i cili përcakton qartë veprat penale si dhe e përcakton qartë formën dhe mënyrën e mbrojtjes të çdo qytetari dhe shtetasi të Republikës së Kosovës. Pra, në aspektin juridik, kemi një mbulueshmëri shumë të mirë dhe besoj se kjo është pjesë e forcës tonë për me e ngritë nivelin tonë të menduarit, vetëdijes edhe politike, edhe juridike, edhe intelektuale në pajtim me këto akte juridike që i kemi në fuqi në mënyrë që këto akte juridike të sigurojnë mekanizma për çdo kënd”, tha Klinaku.
Sipas Klinakut, në kuptimin vleror dhe përkufizues, shqiptarët nuk mund të konsiderohen si racistë.
“Unë besoj që edhe në kuptimin vleror, ne nuk jemi siç është njohur në kuptimin tipik të racizmit. Edhe në kuptimin e definicionit, racizmi nënkupton kur është një besim apo qëndrim që raca jote në kuptimin racor, apo etnia jote në kuptimin etnik, apo kombi yt në kuptimin nacional është dominues mbi të tjerët, është më i mirë se të tjerët, është më i privilegjuar se të tjerët, dhe forma e manifestimit është paragjykimi, përjashtimi, përpjekja për me e shfaqë një lloj mosrespektimi, njëfarë lloji përjashtimi ndaj tjetrit, deri te ajo përpjekja për me e degradu dikë”, u shpreh Klinaku.
Deklaratën e plotë të Abdullah Klinakut në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Gazetari i sportit, Bajram Shala, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se incidenti i fundit në ndeshjet sportive u zmadhuan nga mediat dhe nuk duhen patjetër të interpretohen si raste të racizmit.
Ai tha se incidentet si ky janë pjesë e ndeshjeve sportive dhe zhurma e madhe pas tyre shpesh është prodhim i mediave dhe perceptimeve të ndryshme.
“Absolutisht që është një incident i një ndeshje sportive edhe përmasat që i ka marrë pastaj, zhurma që është bërë pastaj janë prodhim i mediave, i shumë njerëzve që në fakt e kanë lidhë me një incident që ka të bëjë me racizëm, por nuk e besoj dhe mendoj fuqishëm që është një incident në një ndeshje sportive”, tha Shala.
Sipas tij, shprehja “Kosova është Serbi” është interpretuar ndryshe nga UEFA në periudha të ndryshme, duke u përshtatur me rrethanat për të përfunduar ndeshjet.
“Kjo është çështje interpretimi, ashtu qysh na është interpretu racizimi në Rumani. ‘Kosova është Serbi?’ është term me të cilin UEFA ka luajtur. Në shtator të vitit 2023 ka qenë racizëm i pastër, pasi loja është ndërprerë, rumunët kanë siguru që nuk do të dëgjohet një shprehje e tillë. Në nëntor 2024, kjo nuk ka qenë racizëm në interpretimin e UEFA-s. Është term me të cilin UEFA ka luajtur për t’iu përshtatë rrethanave të cilat ata i kanë konsideruar për ta përfunduar ndeshjen në kufijtë sportiv, sic ata kanë cilësuar”, tha Shala.
Deklaratën e plotë të Bajram Shalës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka refuzuar një propozim nga Kievi për ta zgjatur armëpushimin tre-ditor të njëanshëm të shpallur nga presidenti rus Vladimir Putin në fillim të majit, në një periudhë të plotë prej 30 ditësh, raporton Premium Times.
Peskov konfirmoi se Moska e kishte shqyrtuar ofertën e paraqitur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, por theksoi se disa çështje kyçe duhet të zgjidhen më parë.
“Pa përgjigje për këto pyetje, është e vështirë të hyhet në një armëpushim afatgjatë”, tha ai, duke theksuar se kjo është pozita e presidentit Putin.
Në mars, Putin kishte paraqitur kushte kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, propozoi një armëpushim të ngjashëm 30-ditor. Ato përfshinin kufizime për Ukrainën në përdorimin e pauzës për t’u rigrupuar dhe për t’u armatosur, si dhe një ndalim të dërgesave të armëve nga Perëndimi në Kiev. Putin nuk ofroi asnjë lëshim në këmbim.
Të hënën, Putin shpalli një armëpushim të njëanshëm nga 8 deri më 11 maj, që përkon me “Paradën Vjetore të Fitores” në 9 maj, ku Rusia përkujton përfundimin e Luftës së Dytë Botërore.
Presidenti kinez Xi Jinping është ndër liderët e huaj që pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje këtë vit në Sheshin e Kuq në Moskë. Peskov e përshkroi armëpushimin si një “gjest vullneti të mirë”, ndërsa Zelensky e cilësoi si një tjetër përpjekje të Putinit për të manipuluar situatën.