ATV

Category: Lajme

  • Kryeministri Kurti bëri homazhe në Zhazhë

    Kryeministri Kurti bëri homazhe në Zhazhë

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, ministrin në detyrë të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, Kryetarin e Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq dhe deputetë të Kuvendit, bënë homazhe sot në Zhazhë në kujtim dhe nderim të civilëve shqiptarë të vrarë në masakrën e Zhazhës.

    26 vjet më parë forcat policore ekzekutuan civilë shqiptarë të pambrojtur dhe të paarmatosur, në mesin e tyre edhe një të mitur, Fidan Pecin, i cili ishte vetëm 16 vjeç. Kryeministri Kurti dhe ministri Peci, të shoqëruar edhe nga deputetë të Kuvendit, vendosën lule të freskëta te lapidari i ngritur në nderim të viktimave civile dhe katër dëshmorëve të kësaj zone, të rënë në luftën çlirimtare.

    Pas homazheve në Zhazhë, ata vazhduan për në fshatin Boletin në Komunën e Zveçanit, ku vizituan Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit dhe vendosën lule të freskëta mbi varrin e heroit Isa Boletini. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nisur dy programe për këtë kompleks të rëndësishëm për popullin shqiptar, kurimin profesional të ekspozitës së përhershme muzeore dhe funksionalizimin e tij përmes menaxhimit e aktiviteteve të rregullta.

    Në librin e përshtypjeve, kryeministri Kurti shkroi:

    “Në Kullat e Isa Boletinit u mësua dhe u mbrojt historia e shqiptarëve por edhe tek ato u bë historia e u lartësuan shqiptarët. Çdo brez duhet të rikthehet këtu që të mësojë, e të mbrojë e të bëjë, që të ecë përpara”.

  • Ambasada e Japonisë i dhuron grant QKMF-së në Deçan

    Ambasada e Japonisë i dhuron grant QKMF-së në Deçan

    Ambasada e Japonisë në Kosovë ka dhuruar një grant për Qendrën e Mjekësisë Familjare në Deçan, në mbështetje të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore në këtë komunë.

    Në ambientet e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Deçan u prezantuan pajisjet mjekësore që janë dhuruar nga Ambasada e Japonisë në Kosovë. Donacioni mbërrin vlerën rreth 46 mijë euro ku janë dhuruar një ultrazë dhe një karrige gjinekologjikë.

    Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Kiminori Iwama, ndërsa kujtoi se kjo qendër e mjekësisë familjare është ndihmuar prej qeverisë japoneze qysh në vitin 2001 përmes Kryqit të Kuq, tha se ambasada dhe populli japonez është i gatshëm dhe i interesuar për të ndihmuar Komunën e Deçanit.

    “Kjo qendra është e rregulluar është e ndihmuar prej qeverisë japoneze, prej Kryqit të Kuq në vitin 2001, dhe kjo është ndihma e parë që jepet Komunës së Deçanit në këtë aspekt drejtpërdrejt për qendrën dhe ambasada dhe populli japonez është i gatshëm dhe i interesuar për të ndihmuar edhe në të ardhmen komunës së Deçanit dhe popullit të Kosovës”, tha ai.

    Ndërsa kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj falënderoi shtetin e Japonisë për ndihmën e dhënë në fushën e shëndetësisë për këtë komunë që nga mbarimi i luftës e deri më sot.

    “Ky objekt është falë popullit japonez, qeverisë japoneze dhe Kryqit të Kuq që ka qenë lajm më i mirë për qytetarët në atë kohë ku ky qytet nuk ka ekzistu dhe kohë pas kohe kemi pas përkushtimin dhe përkujdesjen te ambasadës japoneze, të popullit japonez, qeverisë njëkohësisht dhe ka rezultuar me bashkëpunimin e fundit që e ka një kuptim tepër domethënës që kjo qendër të funksionojë me standardin çfarë po funksionon tash”, tha ai./kp

  • ​Kjo është zgjidhja e bllokadës në Kuvend sipas Haradinajt

    ​Kjo është zgjidhja e bllokadës në Kuvend sipas Haradinajt

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje që të ndryshojë emrin për kryetar të Kuvendit.

    Haradinaj tha se respektojnë të drejtën e LVV-së, që si partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit të ketë postin e kryeparlamentarit, mirëpo tha se Albulena Haxhiu nuk është emër unifikues.

    Pas dështimit për herë të tetë të konstituimit të Kuvendit, Haradinaj theksoi nevojën e daljes nga ngërçi në legjislativ, mirëpo shtoi se kjo bëhet vetëm me propozimin e një emri nga LVV-ja që përbashkon partitë parlamentare në Kuvend.

    “Qëndrimi s’ka ndryshuar dhe besoj që LVV-ja e ka mundësinë me përfundu këtë përgjegjësi pasi i kemi dhënë opsion për kandidatura unifukese të tjera. Shpresoj që në seancën e ardhshme të propozojnë një kandidaturë unifikuese….Ne jemi treguar të hapur për bisedim me kryesuesin e seancës rreth çështjes së kandidaturës për kryetar të Kuvendit. Shpresoj që në seancën e radhës do të ketë një kandidaturë që na bashkon. Kjo nuk është një situatë e mirë por e vërteta është se partitë politike kanë qëndrime, por ne kemi dhënë opsion me dal prej kësaj situate. Pra një kandidatur që është prej LVV-së por që mbledh votën. LVV-ja në këtë rast duhet t’i kalkulojë mirë përgjegjësitë e veta dhe nëse kanë dikë le ta kandidojë”, tha Haradinaj.

    Sipas tij, është e dhimbshme të dërgohet vendi në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e bllokadës në Kuvend, mirëpo tha se ato janë opsioni i fundit nëse s’ka zgjidhje tjetër.

    “Është e dhimbshme që e dërgojmë vendin në zgjedhje, pasi kemi mbajtur zgjedhje dhe ka njerëz të zgjedhur. Nuk do të ishte në rregull për Kosovën, por zgjedhjet janë zgjidhja e fundit dhe ato normal që janë zgjidhje. Ne duhet të bëjmë të pamundshmen që të tejkalojmë këtë situatë”, shtoi Haradinaj.

    Krahas kësaj, Hardinaj tha se vonesat në krijimin e institucioneve në Kosovë do të kenë pasoja në arenën ndërkombëtare, derisa përmendi vizitën e dytë të djalit të presidentit amerikan, Donald Trump në Serbi.

    “Dy herë brenda pak ditëve djali i presidentit Trump ka ardhur në Beograd dhe është pritur nga presidenti i Serbisë. Kjo nuk është pak për rajonin. Situata e Kosovës e tillë pa institucione dhe pa partner dhe aleatë është e rrezikshme, pasi proceset ecin edhe pa ne”, deklaroi Hardinaj.

    Ai bëri të ditur se në vazhdimin e seancës konstituive, më 1 maj nuk do të mund të jetë i pranishëm./KP/

  • “LVV të ofrojë tre kandidatë për kryetar Kuvendi” – Rashiti paraqet 10 opsione për tejkalimin e ngërçit politik

    “LVV të ofrojë tre kandidatë për kryetar Kuvendi” – Rashiti paraqet 10 opsione për tejkalimin e ngërçit politik

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish për të tetën herë të konstituohet, kjo për shkak se kandidatja e propozuar nga LVV për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu sërish nuk mori votat e mjaftueshme.

    E pas kësaj situate të krijuar që nga 15 prilli, drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, ka dalë me 10 opsione sesi të tejkalohet ky ngërç.

    Rashiti në një postim në Facebook, ka shkruar se zgjedhjet e reja duhet jenë zgjidhja e fundit.

    Sipas tij opsioni i parë është që LVV të propozojë tre kandidatë për kryetar/e të Kuvendit dhe t’u jepet mundësia deputetëve që të votojnë njërin prej tyre.

    Opsioni tjetër sipas tij është që një grup i deputetëve me urgjencë duhet të dërgojnë një pyetje specifike në Gjykatën Kushtetuese.

    “3.LVV të bëjë marrëveshje politike me subjektet parlamentare. As bashkëpunimi me Nismen nuk arrihet pa marrëveshje politike për bashkëqeverisje. 4.Në rast të dështimit të LVV-së për të siguruar votat për forminin e qeverisë, opozita do të ketë shansin e vet, por nuk e ka të garantuar”, ka shkruar Rashiti.

    Për të opsioni i pestë përfshinë kohën për lidership të guximshëm e marrëveshje të mëdha politike të guximshme për bashkëqeverisje dhe se marrëveshjet politike duhen tani apo pas përsëritjes së zgjedhjeve të reja.

    “6. Një opsion është që partia fituese LVV të formojë një qeveri minore, me mbështetjen e disa subjekteve apo deputetëve, me kusht që ata marrin kryetarin e Kuvendit. Kjo qeveri duhet të jetë me mandat shumë të kufizuar kohor. 7.Qeveri teknike – Nëse LVV, PDK dhe LDK besojnë se blloqet e tyre nuk mund të formojnë qeverinë, ato duhet të pajtohen për një qeveri teknike (përfshirë programin dhe prioritetet) me mandat deri në shkurt të vitit 2026”, ka shkruar tutje Rashiti.

    Rashiti ka shtuar se nëse të gjitha këto opsione nuk funksionojnë, subjektet politike duhet të pajtohen për shpalljen e zgjedhjeve të reja sa më shpejt, shkruan Telegrafi.

    “9.Dhe për të gjitha opsionet duhet dialog në nivel të lartë politik në mes të liderëve. 10.Mungesa e dialogut do të thellojë krizën dhe do t’i detyrojë subjektet të bëjnë zgjidhje të rrezikshme për të ardhmen dhe funksionimin e institucioneve”, ka shkruar ai.

  • Aeroplanët luftarakë të NATO-s ngriten në ajër pas sulmeve ruse me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

    Aeroplanët luftarakë të NATO-s ngriten në ajër pas sulmeve ruse me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë

    Avionët luftarakë të NATO-s ngrihen në ajër pas sulmeve me rreze të gjatë veprimi nga Rusia

    Forcat e NATO-s ngritën në ajër katër aeroplanë luftarakë gjatë natës, pasi Rusia nisi sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi pranë kufirit të Ukrainës me Rumaninë.

    Rumania po heton nëse një dron rus kaloi deri në 500 metra në hapësirën ajrore të NATO-s “për një periudhë shumë të shkurtër kohore”, tha të martën Ministria e Mbrojtjes e Bukureshtit.

    Qeveria rumune tha se ushtria e saj kishte aktivizuar një alarm ajror në rajonin juglindor të Tulceas, pasi Moska nisi një “seri sulmesh me dronë ndaj objektivave civilë dhe infrastrukturës portuale” në Ukrainën perëndimore.

    Dy aeroplanë luftarakë rumunë F-16 u ngritën nga një bazë ajrore në jugperëndim të Tulceas, dhe dy aeroplanë italianë Eurofighter Typhoon u ngritën nga baza ajrore Mihail Kogălniceanu, u tha nga Bukureshti.

    Tulcea ndodhet direkt përballë kufirit nga porti ukrainas i Izmail, të cilin Rusia e ka sulmuar vazhdimisht. Lumi Danub shënon kufirin midis dy vendeve, pak në veri të Tulceas.

  • Maurizio Antonini, ambasadori i ri i Italisë në Kosovë

    Maurizio Antonini, ambasadori i ri i Italisë në Kosovë

    Maurizio Antonini do të jetë ambasadori i ri i Italisë në Kosovë.

    Kjo është bërë me dije nga ambasada italiane në një njoftim në rrjetin social “X”.

    “I nderuar që të marr detyrën e Ambasadorit të Italisë në Kosovë. I vendosur që të fuqizoj lidhjet mes dy shteteve në të gjitha fushat e bashkëpunimit, duke përfshirë edhe për hir të perspektivës së Prishtinës për integrim evropian”, citohet se ka thënë ai.

  • ​Organizonte kalim të kufirit në Shqipëri, arrestohet siriani

    ​Organizonte kalim të kufirit në Shqipëri, arrestohet siriani

    Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.

    Në kuadër të këtij operacioni është kapur dhe është vënë në pranga një shtetas sirian, i cili organizonte dhe zhvillonte veprimtarinë e dhënies ndihmë për kalimin të kufirit në mënyrë të paligjshme, kundrejt fitimit.

    Ky shtetas ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, që të kalonin ilegalisht kufirin jeshil me Greqinë, me qëllim kalimin në Mal të Zi dhe më pas në vendet e BE-së.

    Shtetasi sirian u kap në flagrancë gjatë natës, në fshatin Vidohovë, duke shoqëruar gjashtë shtetas egjiptianë dhe sirianë (katër prej të cilëve ishin të mitur).

    Nga hetimet e thelluara të kryera prej disa muajsh rezulton se ky shtetas e ka kryer disa herë këtë veprimtari kriminale, më parë, por emigrantët janë kapur nga shërbimet policore, në tentativë për të kaluar drejt Malit të Zi, shkruan ATSh.

    Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe me Prokurorinë e Korçës, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Lugina 2”. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi sirian: M. H., 18 vjeç, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

    Nga hetimet dyshohet se ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë sirianë, ndihmonte emigrantë nga Vendet e Treta, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht në Shqipëri, nëpërmjet kufirit tokësor me Greqinë, transmeton KosovaPress.

    Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë.

    Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

  • ​Tragjedi në Itali: Babai qëllon për vdekje të birin gjatë një feste ditëlindjeje

    ​Tragjedi në Itali: Babai qëllon për vdekje të birin gjatë një feste ditëlindjeje

    Një ngjarje tragjike ka ndodhur në San Gregorio di Catania të Italisë, ku një 62-vjeçar, sipërmarrës dhe menaxher i një salle eventesh, qëlloi për vdekje të birin 23-vjeçar gjatë një përleshjeje që shpërtheu në një festë ditëlindjeje, raporton agjencia e lajmeve ANSA.

    Sipas raportimeve të autoriteteve italiane, ngjarja ndodhi para mesnatës në një vilë që përdorej për evente private. Festa, ku merrnin pjesë shumë të rinj, u shndërrua në skenë kaosi pas një konflikti që dyshohet të ketë shpërthyer mes disa të pranishmëve dhe organizatorit të festës përcjell KosovaPress.

    Burimet hetimore bëjnë të ditur se 62-vjeçari fillimisht tentoi të qetësonte situatën, por më pas nxori armën e zjarrit dhe qëlloi disa herë në ajër për t’i trembur pjesëmarrësit. Në përpjekje për ta ndalur të atin, ndërhyri i biri i tij së bashku me disa miq, por në përleshjen që pasoi, i dyshuari qëlloi sërish, duke goditur për vdekje djalin e tij 23-vjeçar dhe duke plagosur një tjetër 31-vjeçar në këmbë.

    Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të ekipit mjekësor, 23-vjeçari nuk arriti të mbijetojë, ndërsa i plagosuri tjetër u trajtua dhe u lirua nga spitali.

    Karabinierët italianë arrestuan menjëherë 62-vjeçarin, ndërsa hetimet e mëtutjeshme janë duke u zhvilluar nga autoritetet përkatëse.

  • 29 prilli – Dita Botërore e Vallëzimit

    29 prilli – Dita Botërore e Vallëzimit

    Dita Botërore e Vallëzimit festohet më 29 prill në shumë vende të botës. Kjo ditë u krijua me qëllim që të nxisë dashurinë dhe vlerësimin për vallëzimin si një formë arti që i bashkon njerëzit pa dallim moshe, kombësie apo gjuhe. Vallëzimi është një gjuhë universale që shprehet përmes lëvizjeve të trupit dhe emocioneve të brendshme, duke ndikuar thellë në shpirtrat e atyre që e praktikojnë dhe atyre që e shikojnë. Në këtë ditë, kujtohet rëndësia e vallëzimit në kulturë dhe në jetën shoqërore, duke theksuar fuqinë e tij për të sjellë gëzim dhe bashkim mes njerëzve.

    Vallëzimi nuk ka qenë kurrë thjesht një mënyrë për t’u argëtuar. Ai është një aktivitet që lidhet ngushtë me zhvillimin fizik, mendor dhe emocional të një personi. Përveçse forcon muskujt, përmirëson balancën dhe qëndrimin trupor, ai ndihmon edhe në çlirimin e stresit dhe përmirësimin e humorit të përgjithshëm. Kur njeriu vallëzon, ai shpreh ndjenja që ndoshta nuk mund t’i shprehë me fjalë. Çdo lëvizje ka kuptimin e saj dhe çdo kërcim bart një histori, një emocion, një moment të jetuar që mbetet i paharruar.

    Me rastin e kësaj dite, në shumë qytete në mbarë botën organizohen aktivitete të ndryshme, si performanca në sheshe publike, punëtori profesionale, gara vallesh dhe festa të hapura për të gjithë. Shkollat e vallëzimit ofrojnë demonstrime falas, duke i dhënë mundësi publikut që të njihen me stile të ndryshme vallëzimi, si baleti klasik, hip hopi modern, vallet tradicionale popullore apo stile bashkëkohore. Ky është një moment i veçantë ku njerëzit jo vetëm argëtohen por edhe mësojnë nga njëri-tjetri, duke ndarë kultura dhe eksperienca të ndryshme.

    Dita Botërore e Vallëzimit është gjithashtu një mundësi për të nderuar punën dhe kontributin e koreografëve, kërcimtarëve dhe mësuesve të vallëzimit që kanë dhënë jetën e tyre për zhvillimin dhe promovimin e këtij arti. Ata kanë sjellë risi, pasion dhe frymëzim në skenat botërore dhe lokale, duke ndihmuar që vallëzimi të njihet si një formë e rëndësishme arti dhe edukimi. Me anë të punës së tyre, ata kanë ndikuar në rritjen e vlerës së vallëzimit dhe në nxitjen e brezave të rinj për të ndjekur këtë pasion.

    Duke festuar Ditën Botërore të Vallëzimit, ne nuk festojmë vetëm artin e lëvizjes, por edhe lirinë e shprehjes, fuqinë e krijimtarisë dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes njerëzve.

    Vallëzimi na mëson se si të shprehemi pa fjalë, se si të lidhemi me të tjerët nëpërmjet emocioneve të pastra dhe se si të gjejmë lumturi në lëvizjet më të thjeshta. Në çdo hap, në çdo rrotullim dhe në çdo ritëm, vallëzimi na fton ta duam më shumë jetën dhe njëri-tjetrin.

  • ​Haziri akuzon LVV-në: Kuvendi po mbahet peng sepse s’ka marrëveshje për qeveri

    ​Haziri akuzon LVV-në: Kuvendi po mbahet peng sepse s’ka marrëveshje për qeveri

    Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje që po mban peng Kuvendin e Kosovës si pasojë e mungesës së marrëveshjes për formimin e qeverisë së re.

    Ai duke hyrë në sallën plenare të Kuvendit për vazhdimin e seancës konstituive, tha se LVV-ja s’po bën asnjë përpjekje për zhbllokimin e situatës në Kuvend.

    “E drejta politike për të propozuar nuk do të thotë e drejtë absolute. Duhet të kërkohet një mundësi e një konsensusi më të gjerë ose duhet të ndodh një marrëveshje politike. Kjo s’po ndodh dhe vazhdojmë. Propozimi nuk është i mjaftueshëm duhet me qenë i zgjedhur. Me faktin se s’po ka përpjekje me zgjedh zonjën që është nominuar tregon qartë se është vendim politik. S’ka marrëveshje për qeveri dhe kuvendi po mbahet peng”

    Përkundër dështimit të konstituimit të Kuvendit për herë të shtatë, Haziri tha se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani s’ka asnjë detyrë në situatën aktuale politike dhe se “nuk duhet të përzihet”.

    “Ajo nuk garanton konstituimin e legjislativit pasi duhet të votojnë 120 deputetë. Ajo [presidentja] duhet të rrijë në këndin e vet dhe të mos përzihet”, tha ai./KP