ATV

Category: Lajme

  • ​Përkujtohet Dita e Dëshmorëve në Shqipëri

    ​Përkujtohet Dita e Dëshmorëve në Shqipëri

    Sot shënohet Dita e Dëshmorëve të Atdheut në Shqipëri dhe si çdo vit tjetër, pritet të zhvillohet ceremonia zyrtare e homazheve në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit.

    Zyrtarë të shtetit dhe politikës vendosin kurora me lule përpara memorialit “Nënë Shqipëri”, në nderim të të rënëve në luftën anti-fashiste.

    Dita e Dëshmorëve u vendos të jetë 5 Maji 1942, dita kur u vra nga fashistët, Qemal Stafa, i ri komunist aktivist i luftës Nacional Çlirimtare.

    Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli shqiptar i kujtonte dëshmorët e tij dhe mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike, dhe trashëgimisë të historisë të tyre nga brezi në brez.

    Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912 e deri me 1945, shteti shqiptar nuk krijoi një status ligjor për dëshmorët e Atdheut. Në vitin 1923 ligjërohet vetëm pensioni për familjen e tij, si pjesë e ligjit për pensionet e ushtarakëve

    Gjate luftës nacional çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët i bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të dëshmorëve reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi partizan ceremonial, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit.

    Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin Nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut.

    Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”

    Më 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë Meksi, ende i pa publikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve.

    Në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji Nr. 8607 datë 27.04, “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës. /KP/

  • ​76 vjet nga themelimi i Këshillit të Evropës

    ​76 vjet nga themelimi i Këshillit të Evropës

    Këshilli i Evropës, një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës, u themelua më 5 maj 1949, për të arritur një bashkim më të madh midis vendeve anëtare mbi bazën e traditave të tyre të përbashkëta të lirisë politike.

    Ideologët më të mëdhenj të Këshillit të Evropës ishin Winston Churchill, Robert Shuman dhe Konrad Adenauer, raporton KosovaPress.

    Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

    Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

    Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

    Grupi i saj i ekspertëve për Kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

    Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

    Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

    Organizata ka 47 shtete anëtare, mbulon përafërsisht 820 milionë njerëz dhe vepron me një buxhet vjetor prej rreth 500 milionë euro. Këshilli i Evropës është një vëzhgues zyrtar i Kombeve të Bashkuara.

    Ndryshe nga BE, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje detyruese, por ka fuqinë për të zbatuar marrëveshjet ndërkombëtare të përzgjedhura e të arritura nga shtetet evropiane për tema të ndryshme.

  • Parashikimi i motit për sot

    Parashikimi i motit për sot

    Sot në vendin tonë pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale me diell.

    Sipas MeteoKosova, pritet të ketë reshje të izoluara shiu në zona të caktuara, sidomos në ato malore.

    Era do të fryjë kryesisht nga perëndimi dhe jugperëndimi, e cila herë pas here pritet të jetë lokalisht e fuqishme, me shpejtësi prej 15-49 km/h.

    Temperaturat minimale do të lëvizin nga 10 deri në 13°C, ndërsa ato maksimale nga 23 deri në 25°C.

  • Stërnipi i Skënderbeut vjen në Kosovë për kremtimin e datëlindjes së kryeheroit shqiptar

    Stërnipi i Skënderbeut vjen në Kosovë për kremtimin e datëlindjes së kryeheroit shqiptar

    Me rastin e 620 vjetorin e lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastriot-Skënderbeu, organizata “Shqiptaria” ka ftuar stërnipin e tij Loris Castriota Skanderbegh që të merr pjesë në organizimet e kësaj organizate, i cili ka arritur sot në Prishtinë nga Foggia – Italia.

    Loris Castriota Skanderbegh, u shpreh se në Kosovë ndihet sikur në shtëpinë e tij, raporton KosovaPress. Ai ka edhe një mesazh për të gjithë shqiptarët të qëndrojnë të bashkuar, pasi vetëm kështu mund t’i tregojnë botës mbi rëndësinë e madhe të historisë së shqiptarëve ndër shekuj.

    “Gjithmonë është një moment i madh për mua të jem këtu, sepse ndihem si në shtëpi kur vij në Prishtinë, në Kosovë, në Shqipëri. Jam shumë i lumtur që ka një rast të tillë për të festuar ditëlindjen e Gjergj Kastriotit. U gëzova që ishte organizuar një ngjarje e tillë për të festuar Gjergj Kastriotin, sepse unë besoj se gjithmonë duhet të festojmë kujtimin e heroit tonë kombëtar. Shpresoj që Shqipëria dhe Kosova, dhe të gjitha shtetet ku jetojnë shqiptarët, të jenë gjithmonë të bashkuara, për ta bërë botën të kuptojë sa e madhe është historia e shqiptarëve, dhe sa shumë Shqipëria dhe Kosova meritojnë të respektohen nga të gjithë”, tha ai.

    Basri Beka, anëtar i këshillit organizativ “Shqiptaria”, tha se festa që do të organizohet më 6 maj do të mbahet për të rritur kujtesën historike për heroin e madh shqiptar Gjergj Kastrioti.

    “Ne jemi të nderuar me ardhjen e stërnipit të heroit tanë Gjergj Kastriotit dhe besoj që të martën, më 6 maj, do të kemi festë ashtu si e meriton një hero i kombit Gjergj Kastrioti. Kjo festë mbahet për të rritur kujtesën historike për heroin tonë dhe besoj se do të jetë një festë madhështore. I kemi ftuar, janë pjesë e agjendës, varet ende konfirmimin nuk e kemi marrë, por në institucione lokale është edhe i ftuar”, shtoi Beka.

    Bashkorganizatori i eventit Qëndrim Kryeziu tha se pjesë e festës madhështore të 6 majit do të jenë grupe të mëdha folklorike dhe fëmijë nga të gjitha trojet shqiptare.

    “Ashtu sikur dy vjetët e kaluar që kemi bërë një event të mrekullueshëm, kësaj radhe do të jetë edhe më i jashtëzakonshëm. Presim grupe më të mëdha folklorike që do të performojnë si për fëmijë ashtu edhe për të rritur. Presim edhe të gjithë fëmijët që janë nisur sot nga Tirana, Shkodra, Mirdita e Lezha drejt Prishtinës. Nuk mungojnë as grupet e Shkupit, Strugës, të cilët do të vinë nesër gjatë ditës. Edhe Komuna e Prishtinës na ka premtuar se fëmijët do të jenë në shesh edhe nga Klina, Malisheva e Deçani. Kemi nevojë ta duam më shumë vendin dhe të punojmë më shumë për vendin tonë”, u shpreh Kryeziu.

    Për herë të katërt, organizata “Shqiptaria” po e organizon këtë event në shënimin e datëlindjes së Skënderbeut për kujtuar dhe lartësuar figurën e Gjergj Kastriotit.

    Me rastin e 620-vjetorit të lindjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, më 6 maj do të mbahen aktivitete të ndryshme në Prishtinë.

    Aktivitetet do të fillojnë nga ora 12:00 me simpoziumin shkencor në Institutin Albanologjik, ku do të marrin pjesë historianë nga të gjitha trevat shqiptare, për të vazhduar me ekspozitën e artit në sheshin “Nënë Tereza”, programin për fëmijë dhe më pas koncertin festiv me yje të estradës Ilir Shaqiri, Nikollë Nikprelaj, Kastriot Tusha e të tjerë, ndërsa do të vazhdojë pas orës 20:00 me grupet e të rinjve dhe yjet e rokut kosovar.

    Datëlindja e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu u shënua në mënyrë madhështore edhe vitin e kaluar në Prishtinë, për çka edhe u kërkua që kjo ditë të hyjë në ditët e festave kombëtare.

  • Apeli e kthen në rigjykim rastin e të akuzuarit për posedimin e 57 gramëve kokainë

    Apeli e kthen në rigjykim rastin e të akuzuarit për posedimin e 57 gramëve kokainë

    Gjykata e Apelit e ka ktheyr në rigjykim rastin e të akuzuarit Bujan Makollit, të cilin Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor për posedim të 57.62 gramëve kokainë dhe për posedim të paautorizuar të 25 fishekëve. Ndaj tij, Gjykata kishte shpallur aktgjykim dënues duke e dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë e 500 euro gjobë.

    Themelorja përmes vendimit të 24 tetorit 2024, të akuzuarin Makolli e kishte dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë për posedim të 57.62 gramëve kokainë, derisa posedim të paautorizuar të 25 fishekëve e dënoi me 500 euro. Për dënimin me gjobë, Gjykata kishte shpallur dënim unik me 5 mijë e 500 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Ndaj vendimit të Themelores, ankesë kishte ushtruar mbrojtja e Makollit, avokati Fanol Krasniqi, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, shkeljes së Ligjit Penal, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe vendimit për dënimin.

    Avokati kishte propozuar që ankesa të aprovohet si e bazuar dhe aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet, ashtu që i akuzuari të lirohet nga akuza, apo të aprovohet ankesa dhe çështja penale t’i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim e vendosje, ose të zbutet sanksioni penal ndaj të akuzuarit.

    Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një shkrese kishte propozuar që ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Makolli të refuzohet si e pabazuar, kurse aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

    Gjykata e Apelit përmes vendimit të marrë më 12 mars 2025 gjeti se aktgjykimi i ankimuar përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkelje të tjera të cilat kushtëzojnë anulimin e tij, andaj aprovoi ankesën e mbrojtjes dhe e ka kthyer në rigjykim rastin.

    Cilat janë gjetjet e Apelit?

    Kolegji i Apelit pasi ka vlerësuar dhe studiuar aktgjykimin e shkallës së parë sipas ankesës së mbrojtjes dhe shkresave të lëndës, ka ardhur në përfundim se dispozitivi i aktgjykimit në pikën I, nuk është i qartë, i kuptueshëm, dhe në harmoni me vetveten, si dhe arsyet e dhëna, sidomos sa i përket fillimit të kryerjes së veprës penale, ku jepet një datë tjetër, kurse në faqen 10 të arsyetimit jepet datë tjetër.

    “Këto dy data na japin të kuptojmë se është një afat kohor, i fillimit të kryerjes së veprës penale dhe konstatimeve të brendshme, që nuk korrespondojnë dhe nuk janë në harmoni njëra me tjetrën, përkundër asaj që gjykata e shkallës së parë duhet të përkujdeset që të njëjtët të zbatohen dhe të gjitha veprimet procedurale gjatë mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, konsistojnë në atë se gjykata duhet të bëjë vlerësimin e të gjitha provave të proceduara, për të ardhur deri te një formulim se në veprimet e të akuzuarit a janë formuluar elementet inkiminuese të veprës penale, dhe të kenë përputhje të plotë në mes vete”, thuhet në vendim.

    Shkalla e dytë vlerëson se Themelorja është dashur që të përkujdeset që gjatë punës të respektojë në plotni nenin 110 të Kodit të Procedurës Penale përkitazi me sekuestrimin e përkohshëm, si dhe të zbatohen edhe dispozitat ligjore të parapara me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

    “Po që se vlerësohet dispozita ligjore e Kushtetutës, rezulton se e drejta e privatësisë duhet të jetë, e drejtë që e gëzon secili person si dhe familja e tij, që duhet të jetë e drejtë e pa cenueshme, e banesës dhe fshehtësia e korrespodencës telefonisë, si dhe komunikimeve të tjera, që në rastin konkret rezulton se e njëjta nuk është respektuar në masë të duhur”, thuhet në vendim.

    Andaj, sipas Apelit, nga ky mosrespektim në masë të duhur rezulton që është shkelur neni 8 i KEDNJ-së, e që gjykata e shkallës së parë është dashur që të përkujdeset që secili veprim të ndërmerret në përputhje me ligjin, duke respektuar privatësinë e individit, si dhe parimin e ligjshmërisë, që është krucial për fillimin e ndjekjes penale.

    Në rigjykim, Apeli thekson se Themelorja duhet thirrur të gjitha palët e propozuara për shqyrtim gjyqësor, sipas rrjedhës së procedurës, e të nxjerrë edhe prova të tjera, për të vërtetuar saktë datën e fillimit të kryerjes së veprës penale, të vërtetojë saktë dhe qartë se kur ka filluar kryerja e veprës penale dhe ndërmarrja e veprimeve për kontrollin e banesës nga ana e personave të autorizuar, duke e vërtetuar veprimin e ndërmarrë, për të marrë vendim përkatës, i cili është i rëndësishëm për veprimet e mëtutjeshme procedurale.

    “Veprimet të cilat duhet ti ndërmerr gjykata e shkallës së parë, duhet të jenë në lidhje të pa shkëputura në dispozitat përkatëse ligjore, e sidomos kur të ketë parasysh se e drejta e privatësisë, si e drejtë senzitive për personalitet, dhe vazhdimisht duhet të jetë e zbatueshme, sikurse kërkohet me dispozitat përkatëse ligjore”, thuhet në vendimin e Apelit.

    Në fund, thuhet se pasi që aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë është anuluar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të proceduarës penale, për bazat tjera ankimore, nuk është shqyrtuar.

    Ndryshe, me parashtresën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj të datës 12 mars 2024 ishte bërë precizimi i aktakuzës lidhur me përcaktimin dhe përshkrimin e saktë të peshës së narkotikut. Ashtu që sasia e narkotikut kokainë duhet të jetë në peshën e përgjithshme prej 57.62 gram e jo siç është përshkruar pesha prej 159.89 gram, në dispozitivë të aktakuzës.

    Sipas aktakuzës fillestare, i akuzuari Bujan Makolli akuzohet se më 8 dhjetor 2022 në Prishtinë, ka blerë dhe poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes substanca apo preparate, ashtu që pas ndaljes me rastin e bastisjes dhe kontrollit nga ana e hetuesve te DHTN-së gjatë kontrollit fizik dhe veturës së të akuzuarit, i janë gjetur dhe sekuestruar një cigare -gjojtë (cigare e përzier me marihuanë), në peshë prej 0.45 gramëve, shuma e parave 1 mijë e 325 euro, 180 CHF, një telefon celular Iphone 12 mini, ngjyrë e kaltër me kartelë të IPKO -s.

    Po ashtu, thuhet se edhe gjatë kontrollit të banesës së tij i janë gjetur dhe sekuestruar 7 qese plastike të tejdukshme të ndara me foli najloni të llojit kokainë me peshë prej 159.89 gram (e ndryshuar me parashtresën e datës 12 mars 2024), të përgatitura për shitje, qese plastike të tejdukshme me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme prej 4.07 gram, një mulli – grinder që shërben për bluarje të marihuanës, 25 copë fishekë të kalibrit 9×19 mm si dhe 1 telefon i tipit Nokia, ngjyrë e zezë me kartelë Vala, të cilat janë sekuestruar nga ana e Policisë.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 267, par.1 të Kodit Penal.

    Po ashtu, i akuzuari Makolli ngarkohet se deri më 8 dhjetor 2022, në rrugën “Eqrem Qabej” në Prishtinë ka mbajtur në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar 25 copë fishekë të kalibrit 9x19mm.

    Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.

  • Trup i pajetë i një gruaje gjendet në Liqenin e Batllavës, nis hetimi nga Prokuroria

    Trup i pajetë i një gruaje gjendet në Liqenin e Batllavës, nis hetimi nga Prokuroria

    Një trup i pajetë i një gruaje është gjetur në orët e fundit në Liqenin e Batllavës. Lajmin e ka konfirmuar Prokuroria Themelore në Prishtinë, duke bërë të ditur se rasti është cilësuar si “Hetim mbi vdekje”.

    Zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur se Prokurori kujdestar ka urdhëruar që trupi të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për të sqaruar rrethanat e vdekjes.

    “Prokurori i shtetit ka hapur rastin “Hetim mbi vdekje” dhe po ashtu në koordinim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme lidhur me këtë çështje”, tha ajo.

    Ndërkohë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore.

  • Përleshja fizike në Emergjencë, SHSKUK reagon pasi mjeku tha se u rrezikuan

    Përleshja fizike në Emergjencë, SHSKUK reagon pasi mjeku tha se u rrezikuan

    Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës mohoi se dje janë rrezikuar pacientët dhe stafi mjekësor nga një përleshje mes dfisa personave në Klinikën Emergjente në QKUK.

    SHSKUK tha në një deklaratë se për sigurinë në Klinikën Emergjente përkujdesen policë e punëtorë të sigurimit.

    “Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK), dëshiron të sqarojë opinionin publik lidhur me disa deklarata të bëra së fundmi, të cilat nuk pasqyrojnë realitetin në institucionin tonë. Theksojmë qartë se mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK. Në Klinikën Emergjente janë të kontraktuar 24 orë policë dhe punëtorë sigurimi, të cilët kujdesen për sigurinë e stafit dhe pacientëve”, thuhet në reagimin e SHSKUK-së.

    Mjeku kujdestar Avdush Bajgora, tha më herët se pacientët dhe stafi mjekësor ishin të rrezikuar pasi që miq të viktimave – njëri i therur në shpinë e tjetri i lënduar në kokë nga mjete të forta – u përleshën fizikisht në QKUK.

    Shërbimi Spitalor Klinik thotë se për rastin në fjalë, Policia ka ndërhyrë menjëherë.

    “Është e vërtetë që stafi ynë trajton raste të ndryshme, përfshirë edhe ato të ndjeshme apo me të dyshuar për vepra kriminale, por asnjëherë nuk ka pasur rrezikim të drejtpërdrejtë të stafit mjekësor. Në rastet kur ka pasur situata që kërkonin ndërhyrje, sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë”, thotë SHSKUK.

    “Prandaj, konsiderojmë se deklarata të tilla janë të pamatura dhe të pabazuara, dhe nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor. QKUK mbetet e përkushtuar për të ofruar shërbime të sigurta dhe cilësore për qytetarët, duke garantuar një ambient të mbrojtur për të gjithë punonjësit e saj”, thuhet në reagim.

  • Putin: Shpresoj që të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

    Putin: Shpresoj që të mos ketë nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë

    Presidenti rus, Vladimir Putin, tha se nuk ka pasur nevojë për përdorimin e armëve bërthamore në Ukrainë dhe shpreson që të mos ketë.

    Në një pjesë të shkëputur të intervistës me televizionin rus – që do të transmetohet e plotë më vonë – që u publikua të dielën në Telegram, Putin tha se Rusia ka fuqinë dhe mjetet për ta çuar konfliktin në Ukrainë në një “përfundim logjik”.

    Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me sulmet ukrainase në territorin rus, Putin tha: “Nuk ka pasur nevojë për përdorimin e këtyre armëve [bërthamore]… dhe shpresoj që të mos ketë nevojë”.

    “Ne kemi mjaftueshëm fuqi dhe mjete për të sjellë, atë që nisi më 2022, në një përfundim logjik, me rezultatin që Rusia kërkon”, tha ai.

    Në nëntor të vitit 2024, Putin nënshkroi versionin e rishikuar të doktrinës bërthamore të Rusisë, ku përcaktohen rrethanat që i lejojnë atij të përdorë arsenalin bërthamor të Moskës – më të madhin në botë.

    Ky version i përditësuar i doktrinës, uli kriteret, duke i dhënë atij mundësinë që të përdorë armët bërthamore edhe si përgjigje ndaj një sulmi konvencional, të mbështetur nga një fuqi bërthamore.

    Deklaratat e Putinit vijnë në kohën kur pushtimi rus i Ukrainës është në vitin e tretë dhe kur dyja palët kanë mosmarrëveshje lidhur me propozimet për një armëpushim.

    Të shtunën, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se njoftimi i Moskës për një armëpushim 72-orësh javën e ardhshme në Ukrainë për të shënuar Ditën e Fitores në Luftën e Dytë Botërore ishte një “shfaqje teatrale”, teksa Rusia planifikon që 9 majin ta festojë me një sërë ngjarjesh, përfshirë një paradë ushtarake në Moskë.

    Ai ka kërkuar një pauzë 30-ditore, që fillimisht ishte propozuar nga Shtetet e Bashkuara, por që nuk ishte pranuar nga Rusia. /REL

  • Kroaci: Raportohet për dy të vdekur dhe 31 të lënduar në një aksident mes autobusit dhe veturës

    Kroaci: Raportohet për dy të vdekur dhe 31 të lënduar në një aksident mes autobusit dhe veturës

    Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit, në autostradën A3 Bregana–Zagreb–Lipovac.

    Sipas mediave kroate, në aksident janë përfshirë një autobus dhe një automjet, të dy me targa të Bosnjë dhe Hercegovinës.

    Dy persona kanë vdekur dhe 31 të tjerë janë lënduar, si pasojë e këtij aksidenti.

    Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë ka deklaruar se një e treta e të lënduarve ndodhen në gjendje të rëndë, shkruan Index.Hr.

    Tutje, bëhet e ditur se të lënduarit janë dërguar për trajtim në spitalet e Zagrebit, Siskut dhe Pakracit.

    Ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa trafiku në të dy drejtimet e autostradës është bllokuar për disa orë, duke shkaktuar kolona të gjata automjetesh.

    Sipas informacioneve paraprake nga shefi i zjarrfikësve të rajonit Sisacko-Moslavacka, aksidenti u shkaktua kur një automjet Volkswagen goditi një kaproll që kishte dalë në rrugë.

    Shoferi i automjetit ndaloi për të paralajmëruar automjetet e tjera, por një autobus që po afrohej nuk arriti të ndalonte në kohë dhe u përplas me makinën, duke thyer barrierën mbrojtëse dhe duke kaluar në korsinë e kundërt.

    Hetimet për shkaqet e sakta të aksidentit duke u zhvilluar.

  • Muharremi: Rënia e Trustit është pasojë e tregjeve globale, jo e institucioneve vendore

    Muharremi: Rënia e Trustit është pasojë e tregjeve globale, jo e institucioneve vendore

    Trusti Pensional i Kosovës ka shënuar një rënie të konsiderueshme në vlerën e investimeve gjatë katër muajve të fundit, shkruan Ekonomia Online.

    Sipas analistit Shenoll Muharremi, kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me zhvillimet në bursat ndërkombëtare, veçanërisht në SHBA, dhe nuk është pasojë e ndonjë vendimi të gabuar nga institucionet vendore.

    Muharremi thekson se fondet e Trustit janë të investuara në mënyrë konservative dhe të qëndrueshme, larg rreziqeve të larta si kriptovalutat apo asetet spekulative. Ai shton se rëniet e tilla janë të zakonshme dhe zakonisht pasohen nga rikuperime në afat të gjatë.

    Rënia e fundit, sipas tij, mund të lidhet me performancën negative të ekonomisë amerikane në tremujorin e fundit dhe pasigurinë e krijuar nga tarifat tregtare të vendosura në të kaluarën.

    Ndryshe, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, në intervistë për Ekonomia Online, njoftoi se vetëm për katër muaj, mjetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trustit) kanë shënuar një rënie drastike mbi 103 milionë euro, duke ngjallur shqetësime për mënyrën se si menaxhohen fondet e pensionistëve të ardhshëm.