ATV

Category: Lajme

  • LDK pranon letrën e Kurtit për koalicion: Përgjigjja do të jepet me kohë

    LDK pranon letrën e Kurtit për koalicion: Përgjigjja do të jepet me kohë

    Pas situatës së krijuar me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar me një letër publike kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku.

    Në këtë letër, Kurti ka ftuar LDK-në në një marrëveshje politike për bashkëqeverisje, me qëllim të tejkalimit të ngërçit institucional.

    Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar pranimin e kësaj ftese, duke theksuar se do të japë një përgjigje zyrtare në kohën e duhur. Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i LDK-së dhe njëherësh deputet i saj, Besian Mustafa, në një deklaratë për EO.

    “Kryetari Abdixhiku do të kthejë përgjigje me kohë,” ka deklaruar Mustafa, pa dhënë më shumë detaje rreth përmbajtjes së mundshme të përgjigjes.

  • ​Haradinaj komenton letrën që Kurti i ka dërguar Abdixhikut

    ​Haradinaj komenton letrën që Kurti i ka dërguar Abdixhikut

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka komentuar ftesën e Lëvizjes Vetëvendosje për koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Sipas tij, një gjë e tillë është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve, por në rast të takimit, Haradinaj tha se duhet të dakordohen për kandidaturë unifikuese.

    “Besoj që është praktikë që është dashur të ndodhë menjëherë pas zgjedhjeve me i jep ato opsione. Janë bërë 90 ditë prej zgjedhjeve, tre muaj, më 9 maj bëhen 90 ditë. Mirëpo, situata është kjo që është nuk besoj që ajo letër e ndryshon gjendjen. Kurti kish mundur të bëjë edhe veprime të tjera, në këtë rast nëse takohet me zotëri Abdixhikun me ra dakord për një kandidaturë unifikuese, ta kryejnë çështjen e kuvendit, konstituimin e kuvendit”, tha ai.

    Kreu i AAK-së u pyet se a do të takohejë me Kurtin në rast do të ftohej në takim.

    “Për besë jam i zënë këto ditë, nuk mbërrij”, u shpreh ai.

    Ai tha se kanë filluar konsulta të reja me partitë opozitare, për çka u shpreh se zgjidhja është një kandidaturë unifikuese.

    “Nuk mund t’i komentoj ato letrat edhe ato që i kanë thënë, praktikë është që ai që i fiton zgjedhjet ose bënë më shumë vota bën konsulta me partitë tjera e kryesisht opsionet e ecjes së përpara. Sikurse dihet ka edhe konsulta mes opozitës, partitë opozitare i vazhdojnë. Është dashur menjëherë pas zgjedhjeve e jo me prit 90 ditë, është situatë e rëndë në Kosovë. Ja për shembull ne po harrojmë tema tjera, si rritja e çmimit të energjisë është problem i madh për prodhuesit”, përfundoi Haradinaj.

    Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilën thuhej se janë të interesuar për koalicion qeverisës. /KP/

  • Muhaxheri: E kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me Kurtin

    Muhaxheri: E kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me Kurtin

    Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, është deklaruar për letrën e Kurtit ndaj Abdixhikut.

    “Sapo e pashë edhe unë letrën, besoj që do të kthej përgjigje së shpejti. Deri tash nuk kemi pranuar asnjë kërkesë prej VV’së, te shohim momentet si po vijnë çfarë përgjigje do të ketë prej kryetarit dhe kryesisë”

    “[Mendimin] do ta them në mbledhjen e kryesisë, për momentin nuk e kam të kristalizuar përgjigjem.”

    Ai u pyet rreth asaj që Kurti tha se në elektoratin të VV preferohet më së shumti koalicioni me LDK.

    “Këtë opinion nuk e kam tash, më herët ka qenë tash është duke u ndërru opinoni. Tash na mbetet edhe na me mendu këtë punë.”

    “LDK është parti e madhe dhe është telashe që duhet me diskutu brenda kryesisë, nuk ka të bëjë me qëndrime individuale por me interesa që janë për të ardhmen e vendit, e ne nuk po e shohim që me VV mundet me u ecë përpara”, deklaroi ai.

    Ai është shprehur skeptik nëse kjo ftesë do të çojë në zhbllokim të kuvendit.

    “Te shohim çfarë mendimi del prej shumicës”, shtoi ai.

    “Ne e kemi një përvojë kur në mënyrë të njëjtë i drejtohet profes së nderuar Isa Mustafa e mandej e dimë çka ka ndodh. Dmth e kemi një përvojë të hidhur prej këtyre ftesave me zotin Kurti”, tha ai. /Express/

  • Kurti i dërgon letër Abdixhikut: Të ulemi për marrëveshje, LDK më e afërt se PDK

    Kurti i dërgon letër Abdixhikut: Të ulemi për marrëveshje, LDK më e afërt se PDK

    Kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i ka dërguar një letër kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ku shpreh gatishmërinë për të arritur një marrëveshje politike për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.

    Në letrën e siguruar nga ATV, Kurti nënvizon se LDK-ja ka qenë pjesë e koalicioneve të shumta në të kaluarën dhe se mosmarrëveshjet aktuale mes VV-së dhe LDK-së nuk janë më të mëdha sesa ato që kjo parti ka tejkaluar më parë me PDK-në apo AAK-në.

    “Jam i interesuar dhe i gatshëm për marrëveshje politike me LDK-në. Nuk kemi pse shkojmë sërish në zgjedhje për të rifilluar një proces që mund të bëhet tani,” thuhet në letrën e Kurtit.

    Kurti e konsideron të papranueshme që Kuvendi të mbahet peng për shkak të mospajtimeve për emrin e kryetarit të Kuvendit dhe kërkon që LDK të ulet në tryezën e diskutimeve për një marrëveshje që i hap rrugë formimit të institucioneve.

    Letra e Kurtit vjen në kohën kur konstituimi i Kuvendit ka dështuar për herë të 11-të me radhë, ndërsa vendi po hyn në muajin e tretë pa institucione pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. /atvlive.tv

  • Haradinaj: Nëse s’ka kandidat unifikues, situata do të vazhdojë njësoj

    Haradinaj: Nëse s’ka kandidat unifikues, situata do të vazhdojë njësoj

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se në rast të një kandidati të ri unifikues për kryetar Kuvendi, opozita do ta përmbushë detyrën e saj, raporton EO.

    Në të kundërtën, ai paralajmëroi vazhdim të bllokadës.

    “Mendoj se është urgjente që ne si opozitë ta shqyrtojmë këtë situatë dhe të gjejmë një rrugë për veprime të mëtejme. Mund të jetë një adresim në Gjykatën Kushtetuese”, tha Haradinaj.

  • Krasniqi pas ndërprerjes së 11-të të seancës: Kurti nuk mund ta mbajë peng shtetin për Albulena Haxhiun

    Krasniqi pas ndërprerjes së 11-të të seancës: Kurti nuk mund ta mbajë peng shtetin për Albulena Haxhiun

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se shteti nuk mund të mbahet më peng nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti, vetëm për të imponuar një emër që nuk ka votat për t’u zgjedhur kryetare e Kuvendit, raporton ATV.

    “Për Albin Kurtin, duket se Albulena Haxhiu është më e rëndësishme sesa rreth një milion qytetarë që kanë votuar më 9 shkurt. Ajo nuk ka kaluar, nuk kalon dhe nuk do të kalojë”, deklaroi ai nga holli i Kuvendit pas dështimit të radhës për konstituimin e legjislativit.

    Krasniqi tha se Kurti është në mungesë të numrave dhe po refuzon realitetin politik.

    “Kurti nuk ka guxim të matet vetë si kryeministër dhe po sakrifikon kandidaturën e Haxhiut për të shtyrë përpara një agjendë që s’ka shumicë”, shtoi ai, duke i bërë thirrje LVV-së të propozojë një kandidat tjetër që mund të marrë mbështetje.

    “PDK ka qenë e gatshme ta votojë një kandidat tjetër që garanton shumicë dhe i hap rrugë themelimit të institucioneve”, tha Krasniqi. /atvlive.tv

  • Dështon sërish konstituimi i Kuvendit – Seanca e radhës më 7 maj

    Dështon sërish konstituimi i Kuvendit – Seanca e radhës më 7 maj

    Përpjekja e njëmbëdhjetë për ta konstituuar Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish.

    Në seancën e mbajtur sot, vetëm 56 deputetë votuan pro propozimit për formimin e Komisionit Zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, numër ky i pamjaftueshëm për të vazhduar më tej me procesin e zgjedhjes së kryeparlamentarit.

    Për pasojë, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën, duke njoftuar se vazhdimi do të mbahet më 7 maj.

    Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të propozojë Albulena Haxhiun për kryetare, por ajo nuk po arrin të sigurojë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur.

  • Tentimi i 11-të për konstituimin e Kuvendit, gazetari i ATV-së zbulon detajet e fundit

    Tentimi i 11-të për konstituimin e Kuvendit, gazetari i ATV-së zbulon detajet e fundit

    Gazetari i ATV-së, Driton Sadiku, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Kuvendi i Kosovës në STUDIO E HAPUR të ATV-së, raportoi se edhe në tentimin e 11-të për konstituimin e Kuvendit, mungesa e deputetëve dhe vullnetit politik po paralajmëron një tjetër dështim.

    Ai tha se një numër i madh i deputetëve ende nuk kanë hyrë në sallën plenare, ndërsa zhurma e zilës ka nisur për t’i thirrur ata.

    “Është një pjesë e madhe e deputetëve që ende nuk janë prezentë në sallë plenare. Pak më herët erdhën deputetët e partisë fituese, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, dhe veçse ka filluar të bie edhe zila për t’i thirrur deputetët që të vijnë,” raportoi Sadiku.

    Sipas tij, edhe sot, Albulena Haxhiu mbetet kandidatja e vetme e LVV-së për kryetare të Kuvendit, por pa mbështetje të mjaftueshme.

    “Sipas një deputeti të Vetëvendosjes, kjo mënyrë e votimit të fshehtë po përdoret pasi dihet që nuk i kanë numrat për ta kaluar vetë. Mbase ndonjë deputet do të donte të votonte ndryshe, por nuk lejohet nga partia, megjithatë vullneti i deputetëve është edhe vullneti i qytetarëve që duan ta zhbllokojnë Kuvendin,” raportoi Driton Sadiku.

    Më shumë detaje i gjeni në videon më poshtë:

  • VV s’heq dorë as nga Albulena Haxhiu, as nga votimi i fshehtë “me shpresë se ndonjë deputet i opozitës e voton”

    VV s’heq dorë as nga Albulena Haxhiu, as nga votimi i fshehtë “me shpresë se ndonjë deputet i opozitës e voton”

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka deklaruar se, meqenëse janë këtoa numra aktualë në Kuvend, VV do të rikthehet sërish me propozimin për votim të fshehtë për Albulena Haxhiun, me shpresën se ndonjë deputet nga partitë tjera do ta mbështesë atë, raporton EO.

    “Nuk ka ndonjë ndryshim – sërish do të propozohet Albulena Haxhiu. Sigurisht që votimi i fshehtë nuk është as shkelje ligjore, as procedurale, dhe besoj se do të vazhdojmë në të njëjtën formë. Subjektet politike tashmë i kanë qëndrimet e veta, por nuk e kuptoj pse nuk pranojnë të hyjnë në votim të fshehtë. Ndoshta kjo na çon në idenë se ata mund të kenë frikë nga deputetët e tyre, megjithatë, nuk e besoj këtë.”

    “Le të shkojmë me votim të fshehtë, vullneti i deputetit është vullnet i qytetarëve, prandaj duhet ta zhbllokojmë këtë pjesë për të kaluar në çështjet tjera të qeverisjes”.

  • Berisha thotë se do ta votonte Fitore Pacollin

    Berisha thotë se do ta votonte Fitore Pacollin

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha deklaroi edhe një herë se do të ishte pro Fitore Pacollit për kryeparlamentare.

    Para fillimit të seancës, përpjekje kjo e njëmbëdhjetë për konstitutim të kuvendit, ai foli shkurt para mediave.

    “Fitore Pacollin e kisha votuar, edhe përkundër atyre problemeve me megja e me hajni e asi subvencione”, deklaroi Berisha.

    Për herë të njëmbëdhjetë, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të arrijnë në objektin e legjislativit për të vazhduar seancën konstituive, e cila ka nisur që nga 15 prilli. /kp