ATV

Category: Lajme

  • ​Kusari-Lila: Ditë e re fat i ri, Haxhiu është kandidate për kryeparlamentare

    ​Kusari-Lila: Ditë e re fat i ri, Haxhiu është kandidate për kryeparlamentare

    Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila thotë se vazhdimi i seancës së sotme konstituive do të vazhdojë aty ku ka mbetur procedura.

    Ajo thotë se është fakti i ditur që Albulena Haxhiu është kandidatja e LVV-së për kryetare të Kuvendit të Kosovës.

    “Procedura duhet të vazhdoj aty ku ka mbetur ta shohim…Është fakt i ditur që Albulena Haxhiu është kandidate. Ditë e re fat i ri”, theksoi ajo.

    Sot është tentimi i 11-të për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Tashmë partia e parë e cila doli në zgjedhjet e 9 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje po tenton që kryeparlamentarin ta zgjedh me votim të fshehtë, por kjo mënyrë e votimit nuk po përkrahet nga partitë opozitare.

    Lëvizja Vetëvendosje e ka propozuar Albulena Haxhiu për kryeparlamenetare./kp

  • ​Vazhdimi i seancës konstituive, deputetët fillojnë të mblidhen në Kuvend

    ​Vazhdimi i seancës konstituive, deputetët fillojnë të mblidhen në Kuvend

    Për herë të 11-të, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë nisur të arrijnë në objektin e legjislativit për të vazhduar seancën konstituive, e cila ka nisur që nga 15 prilli, raporton KP.

    Në Kuvend kanë ardhur deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje, por edhe deputetë nga parti të tjera parlamentare.

    Deputetët assesi nuk mundet të zgjedhin trupat e organit kryesor legjislativ, pasi Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë në zgjedhje e 9 shkurtit nuk po mundet të zgjedh kryeparlamentarin, gjë e cila i takon sipas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014.

    Kundër Albulena Haxhiut, si e propozuar e LVV-së për kryeparlamentare janë nga PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe, AAK-ja, ndërkaq tre deputetët e Nisma-s po abstenojnë.

  • Vaksinimi kundër HPV-së: Mbi 13 mijë fëmijë të imunizuar në Kosovë

    Vaksinimi kundër HPV-së: Mbi 13 mijë fëmijë të imunizuar në Kosovë

    Gjatë katër muajve të parë të vitit 2025, mbi 13 mijë vajza dhe djem rreth moshës 12-vjeçare janë vaksinuar në Kosovë kundër Human Papilloma Virusit (HPV), virusit që lidhet me disa lloje të kancerit, përfshirë atë të qafës së mitrës.

    Zyrtarët e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) konfirmojnë se vaksinimi është duke u zbatuar në të gjitha komunat, megjithëse me sfida të theksuara në Rahovec. Ndërkohë, prindërit e fëmijëve po përballen me vendime të vështira për shkak të dezinformatave, dyshimeve dhe ndikimeve sociale.

    Human Papilloma Virus (HPV) është një grup virusesh shumë i përhapur që mund t’i infektojë lëkurën dhe mukozat në pjesë të ndryshme të trupit, përfshirë gojën, fytin, organet gjenitale dhe anusin. Disa lloje të tij shkaktojnë infeksione të transmetueshme seksualisht, ndërsa të tjerë mund të çojnë në zhvillimin e kancerit të qafës së mitrës, anusit, penisit, apo edhe të fytit, gjuhës dhe bajameve.

    Përfshirja e djemve dhe zbatimi i vaksinës me bazë ligjore

    Dr. Fetije Fetaj, drejtoreshë e Programit të Imunizimit në IKSHPK, thotë se vaksinimi i fëmijëve ka nisur që nga fillimi i shkurtit edhe për djemtë. Ajo nënvizon për Radion Evropa e Lirë se procesi është i detyrueshëm dhe i paraparë në kalendarin zyrtar të imunizimit.

    “Nga data 2 shkurt kemi filluar edhe me vaksinimin e djemve me vaksinën e HPV-së. Deri me tani diku deri 45 për qind e nxënësve të kësaj grupmoshe janë vaksinuar”, thotë ajo.

    “Kjo vaksinë ka rëndësi më të madhe se sa që është e obliguar. Ne e dimë se shumë lehtë mund të lexohen informata jo të sakta në rrjetet sociale, por informata e saktë merret nga profesionisti shëndetësor. Është një barrë e madhe që një prind t’i thotë jo vaksinës kundër Human Papilloma Virusit”, thekson Fetaj.

    Çfarë është papilloma virusi (HPV)?

    Papilloma virusi (HPV) është një infektim që transmetohet seksualisht. Pothuajse të gjithë personat që janë seksualisht aktivë, në një moment të caktuar të jetës infektohen me këtë virus, por në shumicën e rasteve nuk shfaqin simptoma.

    Në grupin e HPV-së hyjnë më shumë se 200 lloje të viruseve. Në shumicën e rasteve, ky virus nuk shkakton shqetësim, por infektimi me disa lloje të tij mund të shkaktojë probleme serioze shëndetësore dhe kancer.

    HPV-ja mund të prek lëkurën, zonën gjenitale dhe fytin.

    Prezervativët mund të ndihmojnë në mbrojtjen kundër infektimit me HPV, por nuk ofrojnë mbrojtje të plotë.

    Më 2019, HPV-ja vlerësohet se ka shkaktuar 620.000 raste të kancerit te gratë dhe 70.000 raste të kancerit te burrat, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Rastet e kancerit me HPV mund të parandalohen përmes vaksinimit të hershëm.

    Për shumë prindër, vendimi për t’i vaksinuar fëmijët nuk ka qenë i lehtë. Disa janë ndikuar nga informacione të pasakta në rrjete sociale, ndërsa të tjerë kanë kërkuar konsultime të drejtpërdrejta me profesionistë shëndetësorë për ta marrë vendimin e duhur.

    Blerta, një nënë nga Prishtina, rrëfen për REL-in se fillimisht ka qenë kundër vaksinës, por pas takimeve me mjekët dhe pas hulumtimit personal, ajo ndryshoi qëndrim.

    “Fillimisht nuk kam dashur t’ia jap vaksinën fare. Kam menduar se nuk e ka atë efektin që po thuhet dhe kam menduar që mund të ketë pasoja tjera në shëndetin e vajzës. Kam pasur mendim krejt të kundërt, por jam bindur shpejt pas takimit me profesionistët. Pastaj edhe vetë kam hulumtuar për vaksinën”, shpjegon Blerta.

    Rahoveci, komuna ku ekzistojnë ende refuzime për vaksinim

    Në komunën e Rahovecit, procesi i vaksinimit nuk po ec me të njëjtin ritëm si në komunat e tjera. Drejtori i QKMF-së, Elbunit Kryeziu, thekson se ekziston një hezitim i madh nga ana e prindërve.

    “Disa nga ata vazhdojnë të kenë hezitim dhe e mbajnë atë qëndrim. Te disa nga ta ka ndikuar edhe aspekti fetar, ata persona kanë refuzuar çdo lloj vaksinimi dhe jo vetëm këtë [HPV]. Kemi pasur dhe kemi ende vështirësi në vaksinim”, thotë Kryeziu.

    N. Bajraktari, 18 vjeç, nxënës i shkollës së mesme “Shtjefan Xheçovi” në Prishtinë, thotë se nuk e ka ndër mend të vaksinohet, përveç nëse ajo bëhet e detyrueshme.

    “Nëse është e domosdoshme, e detyrueshme, po, do të vaksinohesha, përndryshe jo. Derisa nuk kam ndonjë problem shëndetësor pse të vaksinohem”, thotë Bajraktari.

    Ai e pranon se nuk e ka diskutuar këtë çështje me prindërit dhe se informacionin për vaksinën e ka marrë kryesisht në media.

    Zgjedhja për të vaksinuar fëmijët në moshën 12-vjeçare bazohet në të dhëna mjekësore. Studimet tregojnë se organizmi i fëmijëve të moshës 11–13 vjeç reagon më fuqishëm ndaj vaksinës duke prodhuar një nivel më të lartë dhe më afatgjatë të antitrupave.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë e rekomandon vaksinimin në moshën 9–14 vjeç, me fokus të veçantë në grupmoshën 11–12 vjeç, për të siguruar mbrojtje maksimale kundër infeksioneve të HPV-së.

    Në mungesë të vaksinës në vitet e kaluara, disa prindër në Prishtinë kishin zgjedhur ta vaksinonin fëmijën e tyre në sektorin privat, duke paguar deri në 300 euro për dozë.

    Drejtoresha ekzekutive e IKSHPK-së, Ardita Baraku, thekson rëndësinë e barazisë gjinore në procesin e imunizimit, duke nënvizuar se përfshirja e djemve është një hap drejt qasjes së barabartë në mbrojtjen shëndetësore.

    “Implementimi i HPV vaksinës për të dyja gjinitë, përveç rolit parandalues, mundëson dhe garanton edhe barazinë në qasjen ndaj parandalimit të sëmundjeve të shkaktuara nga HPV. IKSHPK, përmes menaxhimit të procesit, bashkë me QKMF-të dhe profesionistët e njësive të vaksinimit në çdo komunë, do të japin maksimumin për të siguruar që ky proces të jetë sa më i lehtë dhe i qasshëm për secilin prind dhe fëmijë”, thekson Baraku.

    Radio Evropa e Lirë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë që të japë një vlerësim të përgjithshëm mbi procesin e vaksinimit dhe për të bërë të ditur sasinë aktuale të vaksinave në dispozicion.

    Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë një përgjigje zyrtare./REL/

  • Trump rihap burgun e Alcatrazit, kriminelët më të rrezikshëm do të dërgohen atje

    Trump rihap burgun e Alcatrazit, kriminelët më të rrezikshëm do të dërgohen atje

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi dje, të dielën, se i ka urdhëruar administratës së tij dhe agjencive përkatëse shtetërore të rindërtojnë dhe rihapin burgun famëkeq të Alcatrazit, në Gjirin e San Franciskos, në mënyrë që kriminelët më “të dhunshëm” dhe “recidivistë” të mund të dërgohen atje.

    “Për një kohë shumë të gjatë, Amerika është përballur me një plagë kriminelësh, të egër, të dhunshëm, recidivistësh, llumin e shoqërisë që nuk sjellin asgjë tjetër përveç mjerimit dhe vuajtjes”, tha republikani nëpërmjet Truth Social.

    “Kjo është arsyeja pse sot kam urdhëruar Byronë e Burgjeve, si dhe Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Departamentin e Sigurisë Kombëtare, që të rihapin, zgjerojnë ndjeshëm dhe rindërtojnë Alcatrazin për të strehuar kriminelët më të rrezikshëm dhe të dhunshëm të Amerikës”, vazhdoi ai.

    Ai deklaroi gjithashtu në të njëjtin postim se qeveria e tij nuk do të mbahet “peng” nga gjyqtarët që e pengojnë atë të deportojë “kriminelë” dhe “banditë” që “erdhën në vendin tonë ilegalisht” – pa shpjeguar nëse, apo çfarë, urdhri i tij për të rihapur këtë burg ka të bëjë me politikën e tij anti-imigracion.

    Sipas Presidentit Trump, rihapja e burgut, i cili u mbyll në mars të vitit 1963, do të jetë një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”.

    Burgu i Alkatrazit, ku dikur mbaheshin bosët e mafias, më i njohuri Al Capone, u mbyll vetëm 29 vjet pasi u hap, për shkak të kostove të tepërta të funksionimit të tij, sipas Byrosë së Burgjeve të SHBA-së.

    Dy kilometra larg bregdetit, ish-burgu tani është një atraksion turistik në Gjirin e San Franciskos, Kaliforni.

    Republikani e ka bërë luftën kundër krimit një element kyç të mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

  • Sulm me dron nga Ukraina kundër Moskës, mbyllet aeroporti Damadiyeva

    Sulm me dron nga Ukraina kundër Moskës, mbyllet aeroporti Damadiyeva

    Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore shkatërruan katër mjete ajrore pa pilot ukrainase që po shkonin drejt Moskës, njoftoi kryebashkiaku i kryeqytetit rus Sergei Sabyanin nëpërmjet Telegramit në orët e para të mëngjesit.

    Sipas informacionit fillestar, ende paraprak, nuk pati të lënduar nga mbeturinat që binin nga dronët, shtoi kryebashkiaku.

    Agjencia ruse e aviacionit civil Rosaviatsia njoftoi nëpërmjet Telegramit se kishte pezulluar përkohësisht operacionet në Aeroportin Damaturydava, një nga më të mëdhenjtë e Moskës, rreth orës 02:38 (ora lokale dhe ajo greke), për të garantuar sigurinë e transportit ajror.

  • Kandiq skeptike për ndryshimin e Serbisë ndaj Kosovës edhe nëse vijnë studentët në pushtet

    Kandiq skeptike për ndryshimin e Serbisë ndaj Kosovës edhe nëse vijnë studentët në pushtet

    Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi zhvilloi bisedë me themeluesen e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, mbi mundësinë e një ndryshimi rrënjësor në qasjen e Serbisë ndaj së kaluarës, nëse studentët do të vinin në pushtet.

    Surroi ngriti një skenar hipotetik ku presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, largohet nga pushteti dhe vendin e tij e zënë studentët që po protestojnë qe një kohë të gjatë. Ai pyeti nëse një ndryshim i tillë do të sillte edhe një përballje të vërtetë me krimet e së kaluarës, përfshirë çështje të hapura si kamionët frigoriferë me kufoma, rasti i vëllezërve Bytyqi apo ai i familjes Berisha.

    Kandiqi u përgjigj me skepticizëm, duke theksuar se ende ka dilema të mëdha nëse një gjë e tillë është e mundur. Ajo solli shembuj konkretë nga një takim me studentë nga ish-Jugosllavia, që nuk ishin në dijeni për Ditën e të Zhdukurve në Kosovë apo për masakrat si ajo e Mejës. Megjithatë, ajo pranoi se një shpresë e vogël ekziston, e nxitur nga kontaktet e reja ndërstudentore që tejkalojnë ndarjet etnike dhe historike.

    Një rast i veçantë që përmendi ishte kalimi i studentëve protestues serbë në Kroaci, ku, pavarësisht mungesës së dijes për të kaluarën e dhimbshme të qyteteve si Osijek apo Viroviticë, ata u mirëpritën nga bashkëmoshatarët e tyre kroatë dhe madje edhe nga zyrtarë lokalë. Ky komunikim i ri, siç e quajti ajo, është një dritë shprese për një gjeneratë që mund të ndërtojë marrëdhënie të reja në rajon, larg trashëgimisë së konfliktit.

    “Kam frikë të flas për këtë shpresë të vogël, por ajo ekziston”, shtoi Kandiq. /Koha/

  • Rama prezanton “Kutinë e Verdhë” në rrugën Agim Ramadani: Gjobë deri 80 euro për shkelësit e rregullit

    Rama prezanton “Kutinë e Verdhë” në rrugën Agim Ramadani: Gjobë deri 80 euro për shkelësit e rregullit

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se ka filluar aplikimi i shenjëzimit të njohur si “Kutia e Verdhë”.

    Këto shenjëzime tashmë ndodhen në rrugën “Agim Ramadani”, e cila pritet të hapet për qarkullim këtë të hënë.

    Në njoftimin e lëshuar nga Rama në Facebook me detaje rreth këtij rregulli, thuhet se shkelja e tij pason me gjobë prej 80 eurosh.

    “Të gjithë shoferët janë të obliguar që të mos hyjnë në këtë zonë nëse nuk kanë hapësirë të mjaftueshme për të përfunduar kalimin e udhëkryqit! Të shmangin çdo ndalim brenda kësaj zone, me qëllim të mos bllokohet trafiku! Shkelësit e këtij rregulli do të ndëshkohen me gjoba deri në 80 euro”, ka thënë ai.

    Për dy ditë rruga “Agim Ramadani” ka qenë e mbyllur për qarkullim për shkak të punimeve.

  • Peci: Me votimin e fshehtë po kërkojmë të respektohet vullneti i plotë i deputetëve

    Peci: Me votimin e fshehtë po kërkojmë të respektohet vullneti i plotë i deputetëve

    Ministri në detyrë i Bujqësisë , Faton Peci, tha se me votimin e fshehtë po kërkojnë të respektohet vullneti i plotë i deputetëve, raporton EO.

    Ai tha se Glauk Konjufca do ta kandidojë përsëri Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit.

    “Ne kemi hyrë në një cikël ku po kërkojmë që për shkak të respektimit të vullnetit të plotë të deputetëve të kemi një votim të fshehtë. Nëse e kemi shumicën e kërkuar vjen në shprehje se cili do të jetë emri. Unë besoj që Konjufca do të kandidojë zonja Haxhiun”, tha Peci para vazhdimit të sotëm të seancës konstituive.

  • Berisha paraqitet në SPAK, sot vendoset fati i dosjes “Partizani”

    Berisha paraqitet në SPAK, sot vendoset fati i dosjes “Partizani”

    Kreu i PD, Sali Berisha, do të paraqitet në SPAK në orën 09:00, në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje” dy herë në muaj, ku po sot pritet të zhvillohet edhe seanca paraprake në Gjykatën e Posaçme në Tiranë për kalimin ose jo të kësaj dosjeje për gjykim.

    Më 27 prill, pala mbrojtëse kërkoi përjashtimin e gjyqtares së seancës paraprake, Flojera Davidhi, duke bërë që kjo e fundit ta ndërpriste seancën dhe ta shtynte atë me 12 ditë të tjera, për më 5 maj.

    GJKKO sakaq e rrëzoi kërkesën për përjashtimin e Davidhit ku gjyqtarja Etleva Deda vendosi rrëzimin e kërkesave, pasi sipas saj nuk u gjetën shkaqe të përligjura mbi kërkesat e avokatëve, shkruan euronews, transmeton KosovaPress.

    Do të jetë pikërisht gjyqtarja Davidhi ajo që do të japë këtë të hënë vendimin për kalimin ose jo për gjykim të dosjes “Partizani”.

    Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, pati deklaruar se mbrojtja kërkoi largimin e gjyqtares Flojera Davidhi për “njëanshmëri të theksuar” në vendimmarrjen e saj të mëparshme, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe të pabazuar në ligj.

    “Unanimisht morëm një vendim për të kërkuar përjashtimin e gjyqtares Davidhi. Vendimi i saj për të shpallur të pavlefshme kërkimet tona ishte një kaos gjyqësor, pa asnjë arsyetim të qartë mbi ligjshmërinë. Sot depozituam zyrtarisht kërkesën për përjashtimin e saj”, deklaronte Gjokutaj.

    Dosja lidhet me hetimet mbi ish-funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”.

  • Kuvendi në bllokadë, sot tentativa e 11-të për konstituim

    Kuvendi në bllokadë, sot tentativa e 11-të për konstituim

    Kuvendi i Kosovës pritet të mblidhet sërish të hënën, më 5 maj, për tentimin e njëmbëdhjetë me radhë për ta konstituuar legjislaturën e re. Kjo seancë vjen brenda afatit 48-orësh të përcaktuar nga një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që nga viti 2014, pas dështimit të radhës dy ditë më pare, shkruan KP.

    Ngërçi institucional nisi që në tentativat e para për konstituimin e Kuvendit. Më 16 prill, deputetët dhanë betimin, por seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit u shoqërua me bllokada.

    Kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit ka dështuar gjashtë herë radhazi, pasi nuk ka arritur të sigurojë më shumë se 57 vota – katër më pak se shumica e nevojshme. Edhe pse në seancën e fundit emri i saj nuk u propozua, Vetëvendosje duket se nuk ka hequr dorë nga ajo si opsion i parë.

    Përkundër përpjekjeve për t’i bindur partitë opozitare, përfshirë edhe një takim mes liderit të LVV-së, Albin Kurti, dhe atij të PDK-së, Memli Krasniqi, nuk është shënuar ndonjë përparim konkret. Përpjekja e LVV-së që votimi për kryeparlamentar të zhvillohet me votim të fshehtë po kundërshtohet nga partitë opozitare, të cilat e konsiderojnë këtë si manovër politike.

    Ndërkohë që bllokada vazhdon dhe konstituimi i institucioneve mbetet në ngërç, në opinion publik ka filluar të diskutohet për pagat e deputetëve që deri tani kanë kaluar më shumë kohë në dështime se sa në punë konkrete legjislative.

    Janë bërë gati tre muaj nga zgjedhjet parlamentare dhe Kuvendi i Kosovës ende nuk ka arritur të funksionalizohet plotësisht, duke zgjatur krizën institucionale dhe duke shtuar presionin për zgjidhje.