ATV

Category: Lajme

  • Ftesa e Kurtit për koalicion, LDK thërret mbledhje

    Ftesa e Kurtit për koalicion, LDK thërret mbledhje

    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thirrur një mbledhje të Grupit Parlamentar pas letrës që kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, i ka dërguar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke e ftuar në një koalicion të mundshëm.

    Lajmin e ka konfirmuar deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili ka bërë të ditur se shefja e Grupit Parlamentar, Hykmete Bajrami, i ka ftuar deputetët për një takim të brendshëm.

    “Paska shkruar Hykmete, ‘nëse jeni afër, hajdeni në grup’. Tani po shkoj,” është shprehur Gashi në një deklaratë për gazetarët.

  • Droga, para dhe armë, dy të arrestuar në Prishtinë

    Droga, para dhe armë, dy të arrestuar në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka ndërmarrë dy aksione të ndara në rajonin e Prishtinës, duke arrestuar dy persona të dyshuar për veprime penale që lidhen me substanca narkotike.

    Rastet përfshijnë sekuestrim të marihuanës dhe kokainës, si dhe armë, para të gatshme dhe pajisje të tjera të dyshimta.

    Rasti 1 – Sekuestrohen sasi të mëdha të marihuanës dhe kokainës

    Më 4 maj 2025, pas hetimeve intensive, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë ka kryer një bastisje në shtëpinë e një të dyshuari kosovar. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar:

    8.560 gramë marihuanë,

    5.34 gramë kokainë,

    Armë zjarri me karikator dhe 15 fishekë,

    2 peshore digjitale,

    900 euro para të gatshme,

    6 orë dore,

    Dokumente, kartela bankare dhe një veturë.

    Personi i dyshuar është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa ndaj tij është ngritur procedurë për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

    Në të njëjtën ditë, më 4 maj rreth orës 16:20, një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare vuri re një person në veturë që po konsumonte marihuanë në një lagje të Prishtinës. Pas ndërhyrjes dhe kontrollit, tek i dyshuari u gjetën:

    108.4 gramë marihuanë në dy qese dhe një cigare.

    Bastisja e shtëpisë nuk rezultoi me gjetje shtesë. Edhe në këtë rast, me vendim të prokurorit, i dyshuari u ndalua për 48 orë dhe ndaj tij u iniciua rasti për posedim të paautorizuar të substancave narkotike.

    Policia e Kosovës: Angazhim i vazhdueshëm kundër narkotikëve

    Policia e Kosovës nënvizon përkushtimin e saj të vazhdueshëm në luftën kundër trafikimit dhe shpërndarjes së narkotikëve në vend. Aksione të tilla synojnë rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e kriminalitetit në të gjitha rajonet e Kosovës.

  • ​Stërnipi i Skënderbeut nderohet me mirënjohje nga Komuna e Malishevës

    ​Stërnipi i Skënderbeut nderohet me mirënjohje nga Komuna e Malishevës

    Stërnipi i heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Loris Kastrioti, është nderuar sot me mirënjohje nga Komuna e Malishevës. Kryetari i kësaj komune, Ekrem Kastrati, priti në takim Kastriotin dhe i ndau një mirënjohje institucionale në shenjë respekti për trashëgiminë historike të familjes së tij.

    “Në vlerësim dhe me mirënjohje institucionale për rolin dhe kontributin historik të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu dhe familjes së tij në mbrojtjen e Shqipërisë dhe vlerave kombëtare të popullit shqiptar”, thuhet në mirënjohjes.

    Në këtë takim morën pjesë edhe përfaqësues të Komunës së Malishevës, si dhe Qëndrim Kryeziu, pronar i Korporatës Kryeziu, i cili një ditë më parë mirëpriti Loris Kastriotin në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, shkruan TV Malisheva, transmeton KosovaPress.

    Kryeziu është njëkohësisht bashkëorganizator i eventit që do të mbahet më 6 maj në Prishtinë, kushtuar ditëlindjes së kryeheroit shqiptar.

  • Deputetja e VV-së thotë se “topi” është te LDK-ja: Të përgjigjet me refuzim apo qasje të re

    Deputetja e VV-së thotë se “topi” është te LDK-ja: Të përgjigjet me refuzim apo qasje të re

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Mehmeti Selimi, e ka komentuar letrën që kryetari i VV-së, Albin Kurti ia dërgoi kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke i kërkuar koalicion.

    “Tani është radha e LDK-së të përgjigjet me refuzim klasik apo me një qasje të re ndaj dialogut dhe bashkëpunimit!”, shkroi ajo në Facebook.

    Kurti i kërkoi koalicion Abdixhikut, i cili ka refuzuar tashmë dy ftesa për takim.

    Në anën tjetër, LDK-ja disa here është deklaruar kundër mundësisë së bashkëqeverisjes me LVV-në.

  • Gashi për ftesën e Kurtit për koalicion: Nëse ndryshohet qëndrimi i partisë mblidhet Kryesia

    Gashi për ftesën e Kurtit për koalicion: Nëse ndryshohet qëndrimi i partisë mblidhet Kryesia

    Deputeti i LDK-së Arben Gashi, duke folur për ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për koalicion drejtuar kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se një qëndrim zyrtar i partisë është, por nëse tndryshohet qëndrimi , atëherë do të mblidhet Kryesia, raporton EO.

    Tha se vendimet nuk i merr grupi parlamentar i LDK-së, për mbledhjen e të cilit u raportua më herët.

    “Unë shkova me vonesë, nuk ka shans të merret vendim. Vendimet merren ne mbledhje të Kryesisë. Nuk ka shans të merren vendime në mbledhje formale të Grupit Parlamentar. Asnjëherë nuk është bërë. Janë duke pirë kafe. Jo nuk ka ftesë për mbledhje të Kryesisë.

    Kryetari i partisë i ka autorizimet të marrë vendime dhe të deklarojë qëndrime. Një qëndrim zyrtar i partisë është. Nëse tentohet që të ndryshohet qëndrimi zyrtar i partisë, atëherë do të mblidhet Kryesia. Nëse shumica në deklarime joformale janë që të vazhdohet me të njëjtin qëndrim nuk ka nevojë që të mblidhet kryesia, as grupi parlamentar. Patjetër që do të ketë përgjigje”, tha Gashi.

  • Kryeziu i KDI-së pas dështimit të 11-të: S’është më krizë politike, është normalitet që e kanë krijuar politikanët

    Kryeziu i KDI-së pas dështimit të 11-të: S’është më krizë politike, është normalitet që e kanë krijuar politikanët

    Ismet Kryeziu nga KDI-ja reagoi pas dështimit të përpjekjes së 11-të për konstituimin e kuvendit.

    Ai tha se tani nuk është krizë politike por normalitet që e kanë krijuar politikanët.

    “Nuk është më krizë politike, është normaliteti që e kanë krijuar politikanët. Vendi pa Kuvend, pa Qeveri, pa Përgjegjësi.”, shkroi Kryeziu.

  • Trump kërkon zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, por sinjalizon fleksibilitet

    Trump kërkon zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, por sinjalizon fleksibilitet

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se objektivi i negociatave me Iranin është sigurimi i “zhbërjes së plotë” e programit bërthamor të Teheranit, por se do ta shqyrtonte mundësinë e lejimit të Iranit për ta mbajtur një program civil për energji bërthamore.

    Në një intervistë me NBC, më 4 maj, Trump deklaroi se shpërbërja e programit bërthamor të Iranit do të ishte “krejt çfarë do të pranoja”.

    Komenti përbën herën e parë që Trump ka thënë shprehimisht se çfarë dëshiron të bëjë me programin bërthamor të Iranit, që Teheran thotë se është paqësor.

    Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sugjeroi javën e kaluar se Uashingtoni do të ishte i hapur për ta lejuar Iranin të operojë një program paqësor civil bërthamor, duke thënë se “ekziston një mënyrë për ta bërë këtë”.

    “Dhe, kjo mënyrë është ndërtimi i reaktorëve dhe importimi i uraniumit të pasuruar për vënien në funksion të këtyre reaktorëve. Kështu veprojnë dhjetëra vende nëpër botë”, tha ai për Fox News, më 1 maj.

    Trump u duk se i bëri jehonë komenteve të Rubios, duke i thënë NBC-së se do të ishte “i hapur për ta dëgjuar atë”.

    “Quhet energji civile. Por, siç e dini, energjia civile shpesh çon në luftëra ushtarake. Dhe, ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore. Është shumë e thjeshtë”, shtoi ai.

    Trump tha se një program civil bërthamor do të përdorej për prodhim të energjisë elektrike, por duke marrë parasysh se Irani është vend i pasur me energji, atij vërtet nuk do t’i duhej ai.

    “Jam i prirë të them, ‘Për çfarë ju duhet ai? Keni mjaft naftë’”, shtoi ai.

    Jason Brodsky, drejtor politikash në organizatën United Against Nuclear Iran (Të bashkuar kundër Iranit bërthamor), deklaroi se komentet e Trumpit e kanë bërë të qartë se administrata nuk është e interesuar për një version të ri të marrëveshjes bërthamore të 2015-tës me Iranin.

    “Kjo intervistë e vë në pikëpyetje atë fantazi”, shkroi ai në rrjetin social X.

    Ndërkohë, të tjerë ngulmojnë se thirrja e Trumpit për zhbërjen e programit bërthamor të Iranit, teksa në të njëjtën kohë vazhdon të jetë i hapur për mundësinë që Irani të operojë një program civil të energjisë bërthamore, sugjeron se ai është ende i pavendosur.

    “Mbase mund të argumentohet se ekipi i Trumpit ende nuk e di saktësisht se çfarë do nga Irani, por ai vetë e dëshiron një marrëveshje ndryshe” nga ajo e 2015-tës, shkroi analisti i politikës së jashtme me bazë në Iran, Rahman Qahremanpour.

    Irani ka hedhur poshtë thirrjet për zhbërjen e programit të tij bërthamor dhe për heqjen dorë nga aftësia e tij për pasurimin e uraniumit.

    Duke iu përgjigjur komentit të Trumpit, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Iranit tha më 5 maj se Irani “ka të drejtë për energji paqësore bërthamore”, dhe hodhi poshtë komentin e presidentit amerikan për naftën.

    “Programi paqësor bërthamor i Iranit daton nga vitet ’70, kur Irani kishte më shumë karburante fosile dhe më pak konsum”, tha Esmail Baqaei, gjatë një konference të përjavshme për media.

    “Prandaj, disa komente të gabuara për qasjen e Iranit në rezerva të mëdha të karburanteve fosile dhe mosnevojën për energji bërthamore nuk mbështeten në shkencë apo realitet”, shtoi ai.

    Irani dhe Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar tri runde diskutimesh bërthamore që nga muaji i kaluar. Një rund i katërt, me ndërmjetësimin e Omanit, ishte paraparë të mbahej më 2 maj, në Romë, por u shty për shkak të atyre që Muskati i quajti “arsye logjistike”. /REL

  • Murati për letrën ndaj Abdixhikut: Jemi të gatshëm për të zgjidhur ngërçin politik

    Murati për letrën ndaj Abdixhikut: Jemi të gatshëm për të zgjidhur ngërçin politik

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati deklaroi se kryeministri në detyrë, Albin Kurti e ka ftuar kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku për marrëveshje politike. Ai tha se kjo ftesë vjen pas dy refuzimeve të Abdixhikut, për çka shtoi se janë të gatshëm që të gjejnë mënyra për të dalë nga kjo situatë, shkruan KosovaPress.

    Murati foli para mediave pas dështimit të serishëm për zgjedhjen e kryeparlamentarit, për çka tha se presin përgjigjen e LDK-së.

    “Kemi parë që dy ftesat e para sa i përket konstituimit të Kuvendit janë refuzuar, madje s’ka pasur pjesëmarrje as në takim. Kësaj radhe për faktin që ka pasur deputetë nga LDK që janë deklaruar se për të pasur një bashkëpunim të tillë nuk mjafton vetëm konstituimi i Kuvendit, por duhet të ketë një dakordim politik, ka rrjedh edhe ftesa e kryeministrit Kurti drejtuar Lumir Abdixhikut, i cili fton për të diskutuar për bashkëpunim politik në mënyrën si ata po pretendojnë dhe po e shohin se në qoftë se mënyrat tjera janë të pamundshme, ne jemi të gatshëm si fitues të zgjedhjeve që të gjejmë mënyra”, deklaroi ai.

    Murati tha se disa deputetë të LDK-së janë për marrëveshje politike.

    “Kanë qenë deklarata publike besoj të disa deputetëve, më shumë se një, kanë qenë deklarata publike ju si media mund t’i keni arkivat… Ne kemi dëgjuar të kundërtën nga disa deputetë të LDK-së, por mund t’i pyesni ata”, shtoi ai.

    Pas dështimit të seancës, Murati akuzoi sërish partitë opozitare për bllokim, ndërkaq për deputetët e Listës Serbe tha se nuk u ngritën në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve.

    “Besoj e patë edhe një herë që partitë të cilat po vazhdojnë ta bllokojnë konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim ishin PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe. Ajo çfarë vlen të thuhet kësaj radhe është ajo që e pamë, besoj ishit dëshmitarë edhe ju që edhe gjatë mbajtjes së një minuti heshtjeje, deputetët e Listës Serbe nuk u ngritën fare në këmbë për të respektuar ditën e dëshmorëve. Po të varej prej neve siç e kemi thënë edhe më herët, Lista Serbe nuk do të ishte fare në Kuvend. Kur ne kemi kërkuar që të mos certifikohet si subjekt politik për zgjedhjet e 9 shkurtit, nuk e kemi pasur mbështetjen e partive të tjera. Ata kanë munguar në atë seancë duke pamundësuar kuorumin për të votuar mos certifikimin e Listës Serbe. Dhe si pasojë e kësaj i kemi sot në Kuvend, pra një grup politik i cili nuk e pranon dhe njeh Republikën e Kosovës, për më tepër refuzon edhe të bëhet pjesë e nderimit të dëshmorëve”, u shpreh ai.

    Sipas tij, opozita më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut, ndërkohë që për të njëjtat parti politike tha se nuk kanë thënë asgjë sa i përket nënkryetarit që i takon komuniteteve joshumicë.

    “Në vazhdimësi e kemi parë se si opozita nuk është se ka pasur problem, për më tepër opozita shihet që shumë më tepër e ka problem emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, një deputete e cila në vazhdimësi ka qenë e zëshme kundër Asociacionit të komunave me shumicë serbe, kundër demarkacionit, kundër Gjykatës Speciale e shumë e shumë dëme të tjera që janë votuar në këtë Kuvend, pikërisht nga këto parti që sot refuzojnë që ta mbështesin kryetaren Albulena Haxhiu. Në anën tjetër nuk kemi dëgjuar asgjë deri më sot për pozitën e nënkryetarit që për shembull ju takon edhe komuniteteve joshumicë”, shtoi Murati.

    Ai i ka ftuar deputetët e opozitës që të bashkohen që nënkryetari të mos jetë nga Lista Serbe.

    “Më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos zgjidhet nga ta. Qëndrimi i LVV-së është që nënkryetari, meqë kemi deputetë që vijnë prej subjekteve tjera përveç Listës Serbe, në këtë rast është deputeti Nenad Rashiq, propozimi jonë është që Nenad Rashiq të përfaqësojë komunitetin serb dhe nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe. Ftojmë edhe deputetët e opozitës që në vend që të kundërshtojnë emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, të na bashkohen që së paku të sigurohemi që nënkryetari nuk vjen nga Lista Serbe”, përfundoi ai.

    Edhe sot ka dështuar që të votohet komisioni ad-hoc për votimin e fshehtë të kryekuvendarit. Përsëri nuk mori mbështetjen e PDK-së, LDK-së, AAK-së, Nismës dhe Listës Serbe.

    Deputetët do të mblidhen më 7 maj në tentimin e 12-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • ​Limaj: Tri partitë e mëdha të gjejnë një zgjidhje

    ​Limaj: Tri partitë e mëdha të gjejnë një zgjidhje

    Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka deklaruar se është përgjegjësi e tri partive politike më të mëdha në vend për ta tejkaluar këtë krizë. Sipas tij, Nisma do të jap kontributin e saj që vendi të mos ketë krizë institucionale.

    Limaj pas dështimit të 11-të, të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ftoi partitë e mëdha të marrin kohë dhe të gjejnë zgjidhje.

    “Besoj që tashmë janë bërë të gjitha ushtrimet, taktizimet që janë normale ndonjë herë në politikë është një gjendje e qartë se cili është raporti i forcave në parlament. Ftesa ime është për tri partitë e mëdha që të marrin kohën e duhur të gjejnë rrugë edhe ligjore, të marrin kohën e duhur sa iu duhet edhe të gjejnë një zgjidhje. Zgjidhje e cila do të qonte në krijimin e institucioneve të Kosovës edhe parlamentit edhe qeverisë. Tashmë besoj për secilin është e qartë tema këtu është qeveria e jo vetëm kryetari i Kuvendit”, thotë Limaj.

    Sipas tij, këto vonesa janë të panevojshme dhe sa më shpejt duhet të gjendet një marrëveshje politike.

    “Kjo kështu është një reprizë e panevojshme, një vonesë e panevojshme duhet të gjenden rrugë dhe rrugët gjenden përmes marrëveshjeve politike, përmes kompromiseve. Kosova duhet ta sheh një shumicë parlamentare e nëse partia e parë nuk e ka shumicën atëherë le të bëjnë të tjerët shumicën, ama një shumicë duhet me u bë dhe përgjegjësinë po e them e kanë tri partitë e mëdha për ta nxjerr vendin nga kriza. Nisma do të jetë këtu për të dhënë kontributin e vetë që Kosova mos të ketë krizë institucionale dhe kjo është ajo që mund të bëjmë tani për tani” ,thotë ai.

    Kreu i Nismës, Fatmir Limaj tha se derisa 61 vota janë problem, është larg të mendohet për çështjen e presidentit.

    “Derisa këtu e kemi 61 problem është kogja larg me mendua për atë tjetrën le tu shkojmë gjërave me radhës të krijohet një shumicë parlamentare që Kosovës i jep Qeverinë dhe Parlamentin dhe pastaj ka kohë të mjaftueshme për të menduar për hapin tjetër”, theksoi Limaj.

  • Murati: Nënkryetari i Kuvendit jo nga Lista Serbe, Nenad Rashiq t’i përfaqësojë serbët

    Murati: Nënkryetari i Kuvendit jo nga Lista Serbe, Nenad Rashiq t’i përfaqësojë serbët

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se Lista Serbe nuk e ka vendin në Kuvendin e Kosovës, raporton EO.

    Ai pas vazhdimit të sotëm të seancës konstituive tha se duhet që të sigurohen që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos jetë nga Lista Serbe, por që serbët në Kuvend të përfaqësohen nga Nenad Rashiq.

    “Ne e kemi thënë: ata nuk e kanë vendin në Kuvend, nuk do të duhej as të certifikoheshin. E kemi parë që opozita nuk e ka pasur fare problem. Opozita më problem e ka Albulena Haxhiun sesa Listën Serbe. Qëndrimi ynë si Vetëvendosje është që fatmirësisht meqenëse kësaj radhe kemi nga komunitetet jo serbe më e pakta që mund të bëjmë është që nënkryetari i Kuvendit të Kosovës të mos zgjidhet nga Lista Serbe. Nenad Rashiq është që të përfaqësojë që serbët dhe nënkryetari të mos vijë nga Lista Serbe. Të sigurohemi që nënkryetari të mos vije nga Lista Serbe. Ne po propozojmë një mënyrë se si të ecet tutje. Nuk ka të bëjë me totolitarizëm. Nuk bëhet fjalë për shkelje”, tha Murati.